Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 18 qershor 2014
 
V E N D I M
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, datë 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I: 
 
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
 
Neni 30, “Parapagimet”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 30
Parapagimet
 
“1. Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këstet tremujore të tatimit mbi fitimin, brenda datës 30 mars, për muajt janar, shkurt dhe mars; brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj dhe qershor; brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht dhe shtator dhe, brenda datës 30 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, në shumat si më poshtë: 
 
a) Për çdonjërin nga muajt janar, shkurt dhe mars të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me 12; 
b) Për çdonjërin nga 9 muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12. 
 
2. Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës tatimore të vitit të dytë paraardhës, parapagimet për muajt janar – mars të periudhës vijuese tatimore janë, si vijon: 
 
2.1.Shuma e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të dy viteve më parë pjesëtuar me numrin e muajve gjatë të cilëve tatimpaguesi ka ushtruar veprimtarinë tatimore. Për përcaktimin e parapagimeve për muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, tatimi llogaritet sipas shkronjës “b”, të pikës1, të këtij neni. 
 
3. Në rastin kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës paraardhëse tatimore, parapagimet për muajt janar – mars të periudhës vijuese tatimore janë sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën e mëparshme, pjesëtuar me numrin e muajve të periudhës së mëparshme gjatë të cilëve është ushtruar veprimtari. Shkronja “b”, e  pikës 1, të këtij neni, zbatohet për përcaktimin e parapagimeve për efekt të muajve të mbetur nga periudha vijuese tatimore. 
 
4. Në rastin kur një tatimpagues fillon të ushtrojë një veprimtari në periudhën vijuese tatimore, parapagimet për këtë periudhë janë sa shuma e vlerësuar e tatimit mbi fitimin për periudhën vijuese, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur nga periudha vijuese tatimore. Përjashtimisht, tatimpaguesit që fillojnë veprimtarinë në periudhën vijuese dhe ushtrojnë veprimtari në sferën prodhuese nuk do t’i nënshtrohen parapagimit të detyrimit për tatimin mbi fitimin për një periudhë 6-mujore ose për periudhën e mbetur deri në fund të vitit vijues, nëse kjo periudhë është edhe më e vogël se 6 muaj. 
 
5. Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve, sipas rregullave të vendosura me udhëzim të ministrit të Financave. Në rast se subjekti taksapagues ka ulur këstet e parapagimit, të caktuara nga organi tatimor, dhe detyrimi tatimor vjetor për tatimfitimin, që rezulton nga bilanci, tejkalon parapagimin me më shumë se 10 për qind, subjekti duhet të paguajë kamatëvonesa mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor dhe shumës së parapaguar gjatë vitit, sipas rregullave të vendosura me udhëzim të ministrit të Financave. 
 
6. Nëse organet tatimore vlerësojnë se tatimi mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10 për qind tatimin mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin mbi fitimin e vlerësuar prej tyre.”. 
 
Neni 2
 
Pika 3, e nenit 33/1, “Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”,  ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“3. Personi juridik duhet të deklarojë dhe të paguajë për llogari të administratës tatimore tatimin mbi dividendin e pagueshëm, sipas pikës 1, të këtij neni, jo më vonë se data 20 gusht të vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.”.
 
Neni 3
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në  mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
 
Pikat 2 dhe 3, të nenit 23, ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“2. Vlerësimet, njoftimet, vendimet dhe komunikimet zyrtare të administratës tatimore, drejtuar tatimpaguesit, i njoftohen atij duke ia dërguar në adresën e deklaruar nga vetë ai:
 
a) në rrugë elektronike, në përputhje me legjislacionin e komunikimeve elektronike dhe kur tatimpaguesi ka dhënë pëlqimin për pranimin e njoftimit në rrugë elektronike ose;  
b) nëpërmjet shërbimit postar rekomande.
 
3.  Aktet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni,  dhe  çdo korrespondencë tjetër që i dërgohet tatimpaguesit nga administrata tatimore, konsiderohen të marra nga tatimpaguesi jo më vonë se dhjetë ditë kalendarike pas datës së dërgimit të mesazhit elektronik apo të postës rekomande. Data e njoftimit është data e nisjes së mesazhit elektronik apo e pranimit të dokumentit nga shërbimi postar.
 
Dhënia e pëlqimit dhe mënyra për marrjen dhe vlefshmërinë e dhënies së pëlqimit për komunikimin elektronik të tatimpaguesit me administratën tatimore rregullohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
 
Neni 2
 
Në nenin 40 bëhen këto ndryshime:
 
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“4. Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit shërben njëkohësisht si regjistrim në administratën tatimore si dhe në skemat e sigurimit shoqëror e shëndetësor të Inspektoratit të Punës dhe organeve doganore.”.
 
2. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1, me këtë përmbajtje:
 
“4.1 Në administratën tatimore regjistrohen personat juridikë, fizikë dhe individët e mëposhtëm:
 
a) Organizatat jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat si dhe degët e organizatave jofitimprurëse të huaja të regjistruara në regjistrin e organizatave jofitimprurëse, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë; 
b) Persona të tjerë juridikë të cilët nuk regjistrohen në Regjistrin Tregtar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si dhe përfaqësi e ambasada të huaja, entet publike kombëtare apo vendore, njësitë e zbatimit të projekteve të veçanta dhe persona të tjerë të ngjashëm me to;
c) Përfaqësuesit tatimorë të tatimpaguesve jorezidentë;
ç) Të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant;
d) Kryefamiljari, që punëson individë si punëtorë shtëpie, kujdestarë   
dhe persona të tjerë të kësaj natyre. 
dh) Fermeri. 
 
Personat e regjistruar në administratën tatimore pajisen me numër identifikimi unik (NUIS), të gjeneruar nga sistemi, i cili shërben si numër i identifikimit tatimor të tyre, për tatimet kombëtare dhe vendore.
 
Mënyra e regjistrimit dhe dokumentacioni që administrohet në dosjen e regjistrimit të këtyre personave, pranë administratës tatimore, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
 
Neni 3
 
Në nenin 43, “Përditësimi i të dhënave të regjistrimit”, shkronja “dh”, e pikës 3, shfuqizohet. 
 
Neni 4
 
Pikat 1 dhe 2, të nenit 44, ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“1. Administrata tatimore transferon regjistrimin e tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, që mbahet nga administrata tatimore, në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
 
a) nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
b) nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
c) deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare.
 
2. Për të gjithë periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, ndaj tatimpaguesit nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor.”.
 
Neni 5
 
Neni 45 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 45
Çregjistrimi tatimor
 
1. Personat e regjistruar në organin tatimor mund të çregjistrohen në rastet që vijojnë:
 
a) personat fizikë dhe juridikë, sipas dispozitave të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”; 
b) organizatat jofitimprurëse, në bazë të vendimit të gjykatës; 
c) përfaqësuesi tatimor, me paraqitjen e kërkesës pranë organit tatimor.
 
2. Datë e çregjistrimit të tatimpaguesit në administratën tatimore është data e çregjistrimit në QKR ose gjykatë. Datë e çregjistrimit të personave të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant, të kryefamiljarit që punëson individë si punëtore shtëpie, kujdestare etj. të kësaj natyre, të përfaqësuesve tatimorë dhe fermerit është data e miratimit të çregjistrimit të tyre nga administrata tatimore, por me efekt në datën e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim.
 
3. Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit ose për kërkesën për çregjistrim të personit fizik, apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit. 
 
4. Subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit ose gjykatës çregjistrohen pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore të papaguara dhe pasi të kenë paraqitur pranë administratës tatimore pasqyrat financiare dhe deklaratat tatimore për veprimtarinë ekonomike të kryer nga data e mbylljes së periudhës së fundit tatimore dhe gjatë procedurës së likuidimit. 
 
5. Organi tatimor kompetent, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së pasqyrave financiare të përcaktuara në pikën 4, të këtij neni, është i detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe, kur është e nevojshme, të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, sipas një analize risku. 
 
6. Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se, brenda afatit 30-ditor të përmendur në pikën 4, të këtij neni, administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe, në rastin e personit juridik, faktin se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit.
 
7. Nëse pas 30 (tridhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të pasqyrave financiare të mbylljes sipas pikës 6, të këtij neni, organi tatimor kompetent nuk ka paraqitur ndonjë kundërshtim me shkrim apo kundërshtimi nuk përmban shumën e detyrimeve tatimore, të gjobave dhe interesave të papaguara, Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata kryejnë menjëherë çregjistrimin e subjektit. 
 
8. Pasi tatimpaguesi ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes dhe ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore, gjobat dhe interesat e papaguara, organi tatimor kompetent detyrohet të tërheqë menjëherë kundërshtimin për çregjistrim dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit. 
 
9. Nëse pavarësisht shlyerjes, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti mund t’i paraqesë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dokumentin që vërteton shlyerjen e shumës totale të detyrimeve tatimore, të gjobave dhe interesave të përcaktuara në kundërshtimin për çregjistrim. Në këtë rast Qendra Kombëtare e Regjistrimit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton organin tatimor kompetent. 
 
 10. Çregjistrimi tatimor nuk eliminon detyrimet ekzistuese tatimore dhe nuk parandalon administratën tatimore të vlerësojë ose të mbledhë detyrimet tatimore.”.
 
Neni 6
 
Pika 7, e nenit 65, ndryshohet si më poshtë vijon:
 
“7. Detyrimi për të deklaruar, për tatimpaguesit persona fizikë që kërkojnë të çregjistrohen, ndërpritet në çastin e aplikimit të tyre për çregjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ndërsa për tatimpaguesit persona juridikë, në momentin e çregjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ose në gjykatë.”.
 
Neni 7
 
Neni 66, “Zgjatja e afatit për dorëzimin e deklaratës tatimore”, shfuqizohet. 
 
Neni 8
 
Pika 1, e nenit 69, ndryshohet si më poshtë vijon:
 
“1. Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e llogaritjes së vlerësimit prej saj, i dërgon tatimpaguesit njoftimin e vlerësimit tatimor dhe kërkesën për pagesën e detyrimit tatimor:
 
a) në rrugë elektronike, në përputhje me legjislacionin e komunikimeve elektronike dhe kur tatimpaguesit kanë dhënë pëlqimin për pranimin e njoftimit në rrugë elektronike, ose;
b) nëpërmjet shërbimit postar rekomande.
 
Marrja dijeni nga tatimpaguesi dhe llogaritja e të gjitha afateve që janë të lidhura me njoftimin e vlerësimit bëhen sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 23, të këtij ligji.”.
 
Neni 9
 
Pas nenit 71 shtohet neni 71/1, me këtë përmbajtje :
 
“Neni 71/1
Letërkujtesa
 
1. Administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit ligjor të deklarimit, i lëshon tatimpaguesit, i cili nuk ka dorëzuar deklaratën e tij të një periudhe tatimore, një letërkujtesë sipas formës dhe përmbajtjes së përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave.
 
2. Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga lëshimi i letrës kujtesë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, mund të lëshojë një njoftim vlerësimi automatik nga zyra për tatimpaguesin i cili, edhe pas lëshimit të letrës kujtesë vazhdon të mos ketë dorëzuar deklaratën e tij të një periudhe tatimore. 
 
3. Vlerësimi tatimor nga zyra bëhet në mënyrë automatike nga sistemi informatik, në një nga mënyrat e përcaktuara në nenin 72, të këtij ligji.
 
4. Njoftimvlerësimi i lëshuar sipas pikës 2, të këtij neni, nuk mund të apelohet nga tatimpaguesi. Tatimpaguesi i cili nuk është dakord me këtë njoftim vlerësimi, mund të paraqesë deklaratën e tij tatimore, e cila anulon tërësisht vlerësimin tatimor nga zyra.
 
5. Ndaj tatimpaguesit që vazhdon të mos paraqesë deklaratën e tij tatimore, për të cilën është bërë një vlerësim automatik tatimor nga zyra, administrata tatimore fillon procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, si për çdo detyrim tjetër tatimor të papaguar.”.
 
Neni 10
 
Neni 79 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 79
Radha e pagesës së kontributeve dhe të detyrimeve tatimore
 
1. Pagesat e kontributeve të sigurimeve dhe të detyrimeve tatimore bëhen sipas kësaj radhe:
 
a) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore;
b) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit;
c) kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore;
ç) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit;
d) tatimet;
dh) kamatëvonesat,
e) gjobat;
ë) kostot administrative.
 
2. Kostot administrative llogariten në përputhje me rregullat e miratuara në udhëzimin e ministrit të Financave.
 
3. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e radhës së pagesave sipas pikës 1, të këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
 
Neni 11
 
Pika 2, e nenit 114, “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit”, ndryshohet si më poshtë vijon:
 
“2. Për qëllime të këtij neni, shuma e papaguar e detyrimit tatimor është diferenca ndërmjet detyrimit tatimor që duhet paguar dhe shumës së tatimit të paguar. Shumë e papaguar e detyrimit tatimor konsiderohet edhe ulja e tepricës kreditore të tatimpaguesit, në rastin e një rivlerësimi tatimor.”. 
Neni 12
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR  META
 
***
 
V E N D I M 
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9632, datë 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 113, 157 dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
 
Neni 11, “Shkalla tatimore” ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 11
Shkalla tatimore
 
1. Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 (dy) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është 7,5 (shtatë presje pesë) për qind, por jo më pak se 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në vit.
 
2. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 2 (dy) milionë lekë është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në vit.”. 
 
Neni 2
 
1. Pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 15, “Parapagimi”, ndryshohen, si më poshtë vijon: 
 
“1. Këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin vijues, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 (dy) deri në 8 (tetë) milionë lekë, llogariten në bazë të të dhënave të deklaratës tatimore të një viti më parë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës tatimore vjetore përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore ose Postës Shqiptare, këstet tremujore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël, brenda datës 20 prill, për muajt janar, shkurt dhe mars; brenda datës 20 korrik, për muajt prill, maj dhe qershor; brenda datës 20 tetor, për muajt korrik, gusht dhe shtator dhe brenda datës 20 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. 
 
Tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 2 (dy) milionë lekë në vit paguajnë si tatim të thjeshtuar mbi fitimin një tatim fiks, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në vit. Kjo pagesë kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti. Tatimpaguesit me qarkullim nga 0 (zero) deri në 2 (dy) milionë lekë në vit, të cilët fillojnë ushtrimin e aktivitetit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, paguajnë detyrimin e tyre tatimor proporcional brenda datës 20 dhjetor të vitit vijues.
 
2.  Në rast se aktiviteti i biznesit hapet, mbyllet apo pezullohet gjatë vitit fiskal, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël është proporcional me kohën e zhvillimit të aktivitetit dhe llogaritet në bazë të vetëdeklarimit të tatimpaguesit. Për tatimpaguesit e regjistruar për herë të parë gjatë vitit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin llogaritet në bazë të qarkullimit dhe të fitimit të tatueshëm, të parashikuar nga vetë tatimpaguesi, për periudhën nga data e regjistrimit deri në fund të vitit të parë kalendarik. 
 
3. Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin të periudhës paraardhëse, organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve, sipas rregullave të parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave. Nëse organet tatimore vlerësojnë dhe kanë të dhëna se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10 për qind tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e vlerësuar prej tyre.”. 
2. Në pikën 4, pas fjalëve “… tek bankat e nivelit të dytë …” shtohen “… dhe Postës Shqiptare …”.
 
Neni 3
 
Neni 16, “Deklarimi”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 16 
Deklarimi
 
Çdo tatimpagues, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim nga 2 (dy) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është i detyruar që deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore. Detyrimin për paraqitjen e deklaratës vjetore në afatin e mësipërm e kanë edhe të gjithë tatimguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 2 (dy) milionë lekë. Këta tatimpagues e plotësojnë këtë deklaratë sipas mënyrës së përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave.”.
 
Neni 4
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9136, DATË 11.9.2003, “PËR MBLEDHJEN E KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
***
 
P R O J E K T L I GJ
 
 PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9136, DATË  11.9.2003, “PËR MBLEDHJEN E KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
 
Neni 1
 
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 2
Përkufizime
 
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
 
1. “Kontribute të detyrueshme të sigurimeve shëndetësore”, kontributet që paguhen në mbështetje të nenit 5, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
2. “Kontribute të detyrueshme të sigurimeve shoqërore”, kontributet që paguhen në mbështetje të neneve 9 dhe 13, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore ne Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
3. “Kontribute” janë, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe, pagesat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe pagesat e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore.
 
4. “Numri i sigurimit shoqëror” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.7845, datë 13.7.1994, “Për numrin e sigurimit shoqëror në Republikën e  Shqipërisë”, të  ndryshuar.
 
5. “Numri personal” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.8951, datë 10.10.2002, “Për numrin e identitetit të shtetasve”, të ndryshuar.
 
6. “Organe  tatimore”  janë,  sipas  rastit,  Drejtoria  e  Përgjithshme  e  Tatimeve  dhe  drejtoritë rajonale tatimore.
 
7. “Paga bruto”, paga që  përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
8. “Person i detyruar për të paguar kontribute”, çdo person që detyrohet të paguajë kontributet e detyrueshme, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”,  të  ndryshuar, dhe nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
9. “I vetëpunësuar”, një tatimpagues i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në organet tatimore si “person fizik”. I vetëpunësuari mund ta ushtrojë veprimtarinë ekonomike me këto statuse: “i vetëpunësuar i vetëm”, “i vetëpunësuar me punëmarrës”, “i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes”, “i vetëpunësuar pa punëmarrës me punonjës të papaguar të familjes”. Në kuptim të kësaj pike termi “i vetëpunësuar” nuk përfshin personin e vetëpunësuar në bujqësi.
 
10. “Punëdhënës” dhe “persona  të  punësuar” kanë të njëjtin kuptim si në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
11. “Shkalla e kontributeve” janë përqindjet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të vendosura me ligjet nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar, dhe  nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
12. “Punonjës i papaguar i familjes”, anëtari i familjes mbi 16 vjeç që punon e bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin.”.
 
Neni 2
 
Në nenet 3, 4, 5, 12 dhe 22 emërtimi “Instituti i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor” zëvendësohet me “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.
 
Neni 3
 
Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 8
Llogaritja e kontributeve për punëmarrësin
 
1. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, brenda një page bruto minimale që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, dhe nivelit maksimal që është sa pesëfishi i pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore.
 
2. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.”.
 
Neni 4
 
Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni9
Llogaritja e kontributeve për personin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes
 
1. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi pagën minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.
 
Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
 
2. Në rast se veprimtaria ekonomike ndërpritet për një periudhë, vlera e kontributit për t’u paguar zvogëlohet përpjesëtimisht, në përputhje me formulën e përcaktuar në udhëzimet e ministrit të Financave, të nxjerra në zbatim të këtij ligji.”.
 
Neni 5
 
Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 10
Detyrimi për të deklaruar
 
1. Personi juridik dhe fizik i detyruar për të paguar kontribute, për çdo periudhë, duhet të deklarojë, në formë elektronike, në organin tatimor të dhënat e detyrimeve për kontributet në total dhe për çdo individ.
 
2. Personat juridikë dhe fizikë që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë, në formë elektronike, në organin tatimor, të dhënat e detyrimeve për kontributet, sipas deklaratës përkatëse, ku, përveç të tjerave, deklarohet për çdo person emri e mbiemri, numri personal, paga, shuma për t’u paguar e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, si dhe e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
 
3. Forma, përmbajtja dhe rregullat e deklarimit, në organet tatimore, të kontributeve dhe ndryshimit të numrit të punonjësve, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.”.
 
Neni 6
 
Në nenin 11 bëhen ndryshimi dhe shtesa si më poshtë vijon:
 
1. Në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, fjalët “… të taksës vendore mbibiznesin e vogël …” zëvendësohen me “… të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël …”.
 
2. Në fund të pikës 3 shtohet një fjali me këtë përmbajtje: 
 
“Këto deklarata shërbejnë si deklarime edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës, siç përcaktohet në nenin 22, pikat 4 dhe 5, të ligjit nr.9634, datë 30.10.2006, “Për Inspektoratin e Punës”, të ndryshuar, dhe i vihen në dispozicion këtij të fundit nga ana e administratës tatimore në rrugë elektronike.”.
 
Neni 7
 
Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 18
Vlerësimi
 
Kur organet tatimore zbulojnë se kontributet nuk janë llogaritur në masën e duhur, bëjnë vlerësime. Për vlerësimet, mbledhjen e detyrimeve për kontributet, kamatëvonesat e gjobat, si dhe radhën e pagesës së tyre, zbatohen rregullat e përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar afatin e parashkrimit të detyrimeve.”.
 
Neni 8
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR  META
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR POLICINË E SHTETIT”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
POLICINË E SHTETIT
 
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I:
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Objekti
 
Ky ligj përcakton misionin, organizimin, funksionimin, detyrat, të drejtat dhe statusin e Policisë së Shtetit në Republikën e Shqipërisë, si dhe rregullon veprimtarinë, marrëdhëniet e punës, garantimin e karrierës, mirëqenies dhe vazhdimësisë në detyrë të punonjësit të policisë.
 
Neni 2
Misioni i Policisë së Shtetit
 
Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
 
Neni 3
Juridiksioni
 
Policia e Shtetit ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
 
Neni 4
Statusi i Policisë së Shtetit
 
1. Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
 
2. Policia e Shtetit është e depolitizuar. 
 
3. Statusi i Policisë së Shtetit nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore.
 
Neni 5
Parimet
 
Policia e Shtetit në veprimtarinë e saj udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e respektimit të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, mosdiskriminimit, meritës, transparencës, integritetit, profesionalizmit dhe paanësisë politike.
 
Neni 6
Përkufizime
 
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
 
1. “Emërimi në detyrë”, momenti i fillimit të marrëdhënies së punës për punonjësin e policisë.
 
2. “Ecuria në karrierë” përfshin të gjitha fazat e karrierës që nga emërimi në detyrë i punonjësit të policisë deri në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
 
3. “Gradë policore”, shprehje e hierarkisë policore, emërtimi i çdo shkalle dhe shenja dalluese, shprehje e cilësive individuale, eksperiencës dhe përgjegjësisë në ushtrimin e funksioneve në Policinë e Shtetit, që fitohet nga punonjësi i policisë nëpërmjet një procesi konkurrues.
 
4. “Informacioni policor”, tërësia e të dhënave dhe fakteve që sigurohen nga policia në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin e veprave penale.
 
5. “Kontrolli i territorit”, tërësia e veprimeve që ndërmerr Policia në një territor të caktuar ose në të gjithë territorin e vendit për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.
 
6. “Lirimi nga policia”, ndërprerja e marrëdhënieve juridike të punonjësit të policisë.
 
7. “Ministri”, ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
 
8. “Masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, tërësia e veprimeve të ligjshme, të cilat duhet të kryhen nga punonjësi i policisë, duke filluar nga forma verbale e bindjes deri në përdorimin e forcës për rivendosjen e rendit, në përputhje me legjislacionin, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut.
 
9. “Masa të veçanta”, tërësia e veprimeve për zbulimin ose parandalimin e një veprimtarie kriminale kur ajo nuk mund të zbulohet ose të parandalohet me rrugë e mënyra të tjera.
 
10. “Nëpunës civil”, personi i emëruar në strukturat e Policisë, marrëdhëniet e punës të të cilit rregullohen me legjislacionin e nëpunësit civil.
 
11. “Policia e Shtetit”, institucioni i administratës shtetërore, përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, në vijim Policia.
 
12. “Personalitete të larta shtetërore”, subjekte të emëruara apo të zgjedhura që kryejnë funksione të një rëndësie të veçantë në Republikën e Shqipërisë ose homologët e tyre në shtete të tjera.
 
13. “Punonjës policie”, personi i emëruar në strukturat e Policisë që mban gradë policore.
 
14. “Punonjës administrativ”, personi i emëruar në strukturat e Policisë në funksione pa gradë policore, marrëdhëniet e punës të të cilit rregullohen sipas Kodit të Punës.
 
15. “Përjashtimi nga Policia”, ndërprerja e marrëdhënieve juridike të punonjësit të policisë në mënyrë të pakthyeshme.
 
16. “Pranimi  në Polici”, marrja e atributeve të punonjësit të policisë me akt të drejtorit të Policisë.
 
17. “Përdorimi i forcës”, veprimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet forcës fizike, pajisjeve, mjeteve të tjera apo armëve të zjarrit.
 
18. “Përpunimi i të dhënave personale për qëllime policore”, çdo veprim për përpunimin e të dhënave personale, me qëllim ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale.
 
19. “Reagimi i menjëhershëm”, një veprim i ligjshëm i ndërmarrë me iniciativë nga punonjësi/ja e policisë sapo kupton rrezikun.
 
20. “Struktura të veçanta”, strukturat e Policisë që veprojnë në një territor të caktuar ose në të gjithë territorin e vendit në varësi të strukturës qendrore apo vendore.
 
21. “Shkelje disiplinore”, çdo veprim ose mosveprim i punonjësit të policisë, që bie në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, objekt i punës së Policisë.
 
22. “Shoqërimi”, dërgimi i një personi pranë ambienteve të policisë ose në institucionet urdhërdhënëse.
 
23. “Transferimi”, kalimi në një detyrë tjetër i punonjësit të policisë.
 
24. “Varësi lëndore”, varësia që kanë strukturat vendore në raport me strukturën qendrore.
 
25. “Veprimtari gjurmuese”, veprimtaria e punonjësve të Policisë së Shtetit për kërkimin, gjetjen, grumbullimin, administrimin, verifikimin, analizimin e të dhënave dhe informacioneve për veprimtari kriminale.
 
26. “Veprimtaria hetimore”, veprimtaria që kryhet në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
 
KREU II
AUTORITETET
 
Neni 7
Ministri
 
1. Ministri është autoriteti politik, i cili:
 
a) harton dhe mbikëqyr zbatimin  e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë publike;
b) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e Policisë së Shtetit;
c) kërkon performancë të lartë të Policisë së Shtetit për realizimin e objektivave të përcaktuar;
ç)  i kërkon drejtorit të Policisë së Shtetit të raportojë për ushtrimin e detyrave të tij dhe të Policisë së Shtetit në përputhje me legjislacionin dhe Kushtetutën duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut;
d) monitoron procesin e ankimeve në Policinë e Shtetit dhe është përgjegjës për ankimet ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit;
dh)  përgatit dhe publikon raportin vjetor për arritjen e objektivave nga Policia e Shtetit.
 
2. Ministri mbikëqyr menaxhimin e buxhetit të Policisë së Shtetit sipas legjislacionit financiar.
 
3. Pavarësia operacionale e Policisë së Shtetit është parim themelor i policimit demokratik. Ministri nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj.
 
Neni 8
Marrëdhëniet e ministrit me Policinë e Shtetit
 
Ministri  nuk informohet për:
 
a) veprime procedurale hetimore;  
b) informacione që kanë të bëjnë me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose vendndodhjen e dëshmitarëve, bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve;
c) të dhëna dhe informacione të përftuara nga personat e përmendur në shkronjën “b”, të këtij neni.
 
Neni 9
Drejtori i Policisë së Shtetit
 
1. Drejtori i Policisë së Shtetit është autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i Policisë dhe përgjigjet drejtpërdrejt para ministrit për realizimin e politikave, performancës dhe objektivave të përcaktuar.
 
2.  Drejtori i Policisë së Shtetit:
 
a) organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Policisë;   
b) menaxhon burimet njerëzore;
c)  menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin;
ç) nxjerr akte administrative të përcaktuara në rregulloren e Policisë;
d)  përfaqëson Policinë në marrëdhënie me institucionet e tjera brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet teknike dy- ose shumëpalëshe me jashtë.
 
Neni 10
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë
 
1. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë është autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i policisë vendore dhe përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e drejtorisë vendore.
 
2. Drejtori vendor:
 
a) drejton dhe koordinon veprimtarinë e strukturave;
b) menaxhon burimet njerëzore;
c) menaxhon buxhetin;
ç)  nxjerr akte të përcaktuara në rregulloren e Policisë;
d) bashkëpunon me drejtuesit e strukturave vendore brenda juridiksionit dhe fushës përkatëse të kompetencës, me qëllim përmirësimin e policimit dhe sigurinë e komunitetit.
 
Neni 11
Shefi i komisariatit
 
1. Shefi i Komisariatit të Policisë është drejtues i nivelit operacional në territorin që mbulon dhe përgjigjet para drejtorit vendor për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e komisariatit të policisë.
 
2. Shefi i Komisariatit:
 
a) drejton veprimtarinë e strukturave;
b) menaxhon burimet njerëzore;
c) menaxhon buxhetin;
ç)  nxjerr akte të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
d) bashkëpunon me drejtuesit e strukturave vendore brenda juridiksionit dhe fushës përkatëse të kompetencës, me qëllim përmirësimin e policimit dhe sigurinë e komunitetit.
 
KREU III
EMËRIMI, LIRIMI/SHKARKIMI NGA DETYRA I AUTORITETEVE POLICORE
 
Neni 12
Emërimi i drejtorit të Policisë së Shtetit
 
1. Këshilli i Ministrave emëron drejtor të Policisë së Shtetit një nga tri kandidaturat e propozuara nga ministri, i cili i përzgjedh ndërmjet punonjësve të policisë që mbajnë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë”.
 
2. Drejtori i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh me të drejtë riemërimi në vazhdim për një periudhë prej 3 (tre) vjetësh.
 
Neni 13
Emërimi i zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit
 
1. Drejtori i Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tij mbështetet nga një  zëvendësdrejtor i cili kryen detyra që i caktohen nga drejtori i Policisë.
 
2. Ministri emëron zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit duke përzgjedhur një nga tri kandidaturat e propozuara nga drejtori i Policisë së Shtetit, që mbajnë gradën “Drejtues i parë”.
 
3. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 4 (katër) vjetësh, me të drejtë riemërimi në vazhdim për një periudhë prej 2 (dy) vjetësh.
 
Neni 14
Lirimi/shkarkimi nga detyra i drejtorit të Policisë së Shtetit
 
1. Drejtori i Policisë së Shtetit lirohet nga detyra kur:
 
a) i përfundon afati i qëndrimit në detyrë dhe nuk riemërohet;
b) jep dorëheqjen;
c) është i paaftë nga ana shëndetësore për ushtrimin e funksionit për një periudhë kohore mbi 6 (gjashtë) muaj;
ç)  plotëson moshën për pension.
 
2. Drejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet nga detyra kur:
 
a) dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
b) nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.
 
3. Drejtori i Policisë së Shtetit pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë nuk rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit dhe gëzon trajtim të veçantë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 15
Lirimi apo shkarkimi nga detyra i zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit
 
1. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit lirohet nga detyra kur:
 
a) i përfundon afati i qëndrimit në detyrë dhe nuk riemërohet;
b) jep dorëheqjen;
c) është i paaftë nga ana shëndetësore për ushtrimin e funksionit për një periudhë kohore mbi 6 (gjashtë) muaj;
ç)  plotëson moshën për pension.
 
2. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet nga detyra kur:
 
a) dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen një vepre penale;
b) për shkak të performancës së ulët të tij nuk përmbushen objektivat.
 
3. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, kur lirohet nga detyra, rikthehet në strukturat e policisë me gradën që mbante para emërimit në detyrën e zëvendësdrejtorit. 
 
KREU IV
DETYRAT E POLICISË SË SHTETIT
 
Neni 16
Detyrat
 
1. Detyrat e Policisë së Shtetit janë: 
 
a) Mbron jetën, shëndetin dhe pronën;
b) Ruan rendin dhe sigurinë publike;
c) Parandalon, zbulon dhe heton, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, veprat penale dhe autorët e dyshuar të kryerjes së tyre;
ç) Ndërmerr fushata ndërgjegjësuese dhe informuese me qëllim parandalimin e kryerjes së veprave penale dhe kundërvajtjeve, si dhe rritjen e partneritetit me publikun;
d) Parandalon, zbulon dhe heton, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, veprat penale dhe autorët e dyshuar të tyre në fushën e ndërtimit, kontrollit të mjedisit dhe territorit dhe, sipas rastit, koordinon punën me inspektoratet kompetente për marrjen e masave administrative dhe masave të tjera sipas ligjit të tyre funksional;
dh) Identifikon, siguron e trajton të ndaluarit dhe të arrestuarit deri në dërgimin në institucionet e paraburgimit; 
e) Mbikëqyr dhe drejton trafikun rrugor në rrugë për përdorim publik, në përputhje me legjislacionin rrugor;
ë) Mbikëqyr dhe kontrollon kufijtë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë;
f) Kontrollon regjimin e hyrje-daljeve të të huajve, të qëndrimit, të punësimit e të trajtimit të tyre në Republikën e Shqipërisë;
g) Mbron viktimat e trafikimit; 
gj)  Administron dhe mbron informacionin e klasifikuar, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet ndryshe në legjislacion;
h) Ruan dhe siguron personalitetet e larta shtetërore dhe të huaja, si dhe objektet e rëndësisë së veçantë;
i) Kryen detyra të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
2.  Punonjësve të strukturave të tjera të zbatimit të ligjit u kërkohet të vihen në shërbim të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të atributeve në funksion të detyrave institucionale të njohura nga ligji.
 
Neni 17
Funksionet dhe atributet e Policisë Gjyqësore
 
1. Funksionet e Policisë Gjyqësore përcaktohen sipas Kodit të Procedurës Penale.
 
2. Çdo punonjës i policisë gëzon atributet e Policisë Gjyqësore, në përputhje me legjislacionin procedural penal dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.
 
KREU V
ORGANIZIMI I POLICISË SË SHTETIT
 
Neni 18
Organizimi dhe struktura e përgjithshme e Policisë së Shtetit
 
1. Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor.
 
2. Drejtoria e Policisë së Shtetit përbën nivelin qendror dhe drejtoritë vendore nivelin vendor të policisë.
 
3. Drejtoria e Policisë së Shtetit organizohet në struktura organizative hierarkike në nivel  Drejtorie të Përgjithshme, drejtorie dhe sektori.
 
4. Drejtoria vendore organizohet në struktura organizative hierarkike në nivel drejtorie, sektori, komisariati, seksioni, stacioni dhe poste policie.
 
5. Në varësi të drejtorit të Policisë së Shtetit bëjnë pjesë edhe strukturat të veçanta, që ushtrojnë veprimtarinë në gjithë territorin ose në pjesë të veçanta të tij.
 
6. Numri i përgjithshëm i personelit të Policisë së Shtetit përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
 
7. Struktura dhe organika e policisë në nivel qendror miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit.
 
8. Struktura dhe organika e policisë në nivel vendor dhe i strukturave të veçanta miratohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
Neni 19
Drejtoria e Policisë së Shtetit
 
1. Drejtoria e Policisë së Shtetit është struktura qendrore administrative dhe teknike e policisë, me seli në Tiranë.
 
2. Drejtoria e Policisë së Shtetit përbëhet nga struktura sipas fushave dhe shërbimeve përkatëse.
 
3. Drejtoria e Policisë së Shtetit kryen këto detyra:
 
a) Menaxhon veprimtarinë e Policisë;
b) Bashkërendon veprimtarinë mes strukturave për:
 
i. hartimin dhe zbatimin e strategjive për realizimin e përgjegjësive të Policisë së Shtetit;
ii. hartimin dhe zbatimin e planeve për rekrutimin, arsimimin dhe trajnimin  punonjësve të policisë;
iii. vënien në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështje që lidhen me Policinë.
 
c) Planifikon, drejton operacione dhe hetime në shkallë vendi;
ç) Realizon koordinimin dhe drejtimin strategjik në raste të emergjencave, aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare;
d) Kryen kërkime shkencore dhe teknologjike në fushën e sigurisë;
dh) Përgatit studime dhe analiza për realizimin e misionit të policisë.
 
4. Bashkëpunon me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe struktura shtetërore për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale dhe sigurinë kombëtare.
 
5. Përpunon dhe analizon të dhënat e mbledhura nga Policia deri në masën që është e nevojshme për përmbushjen e  detyrave e të funksioneve të saj.
 
6. Planifikon e menaxhon buxhetin dhe burimet e tjera financiare, infrastrukturën dhe bazën materiale teknike të Policisë Shtetit që ka në administrim.
 
7. Njofton Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për llojin e të dhënave që krijon dhe administron Policia, për qëllimin e këtij ligji.
 
8. Kryen detyra policore, në përputhje me këtë ligj, ligje të tjera dhe akte të dala në zbatim të tyre.
 
Neni 20
Struktura e kufirit & migracionit
 
1. Në përbërje të Policisë së Shtetit vepron struktura e policisë kufitare dhe migracionit me përgjegjësi kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe trajtimin e shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
 
2. Struktura e policisë kufitare dhe migracionit organizohet në nivel qendror dhe vendor me drejtim dhe kontroll vertikal.
 
Neni 21
Struktura e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë
 
1. Në përbërje të Policisë së Shtetit krijohet dhe funksionon struktura e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë për:
 
a) ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore;
b) ruajtjen e ambienteve të punës, banimit e qëndrimit të personaliteteve të larta shtetërore;
c) ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.
 
2. Personalitetet e larta shtetërore, ambientet e punës e të banimit dhe objektet e rëndësisë së veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 22
Drejtoria Vendore e Policisë
 
1. Drejtoria Vendore e Policisë është strukturë administrative e Policisë në nivel vendor.
 
2. Drejtoria Vendore e Policisë kryen veprimtari operacionale dhe hetimore në nivel vendor, mbikëqyr dhe kontrollon kryerjen e detyrave, si dhe bashkërendon veprimtarinë e strukturave në varësi.
 
Neni 23
Komisariati dhe stacioni i policisë
 
1. Komisariati i policisë është strukturë bazë operacionale në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe ushtron përgjegjësitë e policisë në territorin që ka në juridiksion.
 
2. Stacioni i policisë është njësi policore operacionale në varësi të komisariatit ose, në raste të veçanta kur nuk ka komisariat, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë.
 
Neni 24
Vlerësimi i performancës së strukturave të Policisë
 
1. Vlerësimi i performancës së strukturave të Policisë së Shtetit bëhet nga struktura e posaçme në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
2. Procedurat dhe mënyrat e vlerësimit të performancës përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 25
Grupi i Politikave
 
1. Në Drejtorinë e Policisë së Shtetit funksionon Grupi i Politikave i cili i jep orientime dhe rekomandime drejtorit të Policisë së Shtetit për të trajtuar çështje që kanë të bëjnë me politikat dhe strategjitë e Policisë.
 
2. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Grupit të Politikave përcaktohet nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
KREU VI
BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT 
 
Neni 26
Byroja e Kombëtare e Hetimit
 
1. Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit.
 
2. Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.
 
3. Kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para prokurorit.
 
4. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet me urdhër të ministrit.
 
Neni 27
Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit 
 
1. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit për një periudhë katërvjeçare dhe në momentin e emërimit i jepet grada “Drejtues i lartë”.
 
2. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose të prokurorëve në detyrë. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm. 
 
Neni 28
Kriteret e emërimit të drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
 
Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere:
 
a) Të ketë arsim policor ose juridik;
b) Të ketë gradën policore “Drejtues i parë” për punonjësin e policisë;
c) Të ketë eksperiencë mbi 10 (dhjetë) vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda;
ç)  Të ketë aftësi të larta profesionale;
d) Të ketë cilësi të larta morale; 
dh) Të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore.
 
Neni 29
Lirimi apo shkarkimi nga detyra i drejtuesit të Byrosë
 
1. Drejtuesi i Byrosë lirohet nga detyra kur:
 
a) përfundon afatin e qëndrimit në detyrë;
b) jep dorëheqjen; 
c) mbush moshën e pensionit; 
ç)  i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.
 
2. Drejtuesi i Byrosë shkarkohet nga detyra:
 
a)  kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
b) për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës; 
c)  për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij;
ç)  për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës në ushtrimin e funksioneve të Policisë Gjyqësore, sipas ligjit përkatës.
 
3. Lirimi nga detyra bëhet me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit.
 
Neni 30
Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit
 
1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet nga radhët e punonjësve të policisë ose të personave me njohuri të posaçme sipas  përcaktimit të nenit 36, të këtij ligji. Përzgjedhja bëhet nëpërmjet një procesi konkurrimi transparent, sipas rregullave e procedurave të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
2. Emërimi i tyre bëhet nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe për oficerët e Policisë Gjyqësore merret miratimi paraprak i prokurorit të Përgjithshëm.
 
Neni 31
Kriteret e emërimit të punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
 
1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë këto kritere:
 
a) Të ketë arsimin policor ose juridik;
b) Të ketë eksperiencë mbi 5 (pesë) vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda;
c) Të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore.
 
2. Për funksione të veçanta në Byronë Kombëtare të Hetimit, përveç kritereve të përcaktuara në nenet 35 e 36, të këtij ligji, punonjësi duhet:
 
a) të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;
b) të ketë jo më pak se 7 (shtatë) vjet përvojë pune në fushën ku kërkohen njohuritë e veçanta.
 
Neni 32
Largimi i punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
 
1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit largohet vetëm për shkelje të rënda disiplinore. Për oficerët e Policisë Gjyqësore merret miratimi i prokurorit të Përgjithshëm.
 
2. Procedurat e shqyrtimit të shkeljeve disiplinore si dhe llojet e masave disiplinore janë ato të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.
 
Neni 33
Paga e punonjësit të Byrosë
 
Paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 34
Mbledhja dhe administrimi i të dhënave
 
1. Byroja Kombëtare e Hetimit mbledh dhe administron çdo të dhënë në interes të veprimtarisë gjurmuese e hetimore.
 
2. Gjatë kryerjes së veprimtarisë hetimore, personat juridikë, entet publike dhe shtetasit janë të detyruar t’i japin oficerit të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit akses të pakufizuar për mbledhjen e provave për t’u përdorur në një proces penal, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
 
KREU VII
PRANIMI, FORMIMI DHE ECURIA NË KARRIERË
 
Neni 35
Kriteret për pranimin në institucionin arsimor policor
 
1. Pranimi në institucionin arsimor policor bëhet nëpërmjet konkurrimit të hapur.
 
2. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasve në institucionin arsimor policor janë, si më poshtë vijon:
 
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia apo të jetë larguar nga shërbimi civil; 
c) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
ç)  Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
d) Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
dh) Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
e) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
ë) Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.
 
3. Procedura e konkurrimit, pranimit, betimit, si dhe kriteret e veçanta të pranimit dhe hetimit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 36
Pranimi në funksione të veçanta
 
1. Për funksione të veçanta në polici, ku kërkohen njohuri specifike të cilat nuk përfitohen në institucionin e arsimit policor, pranohen, nëpërmjet konkurrimit, shtetas që kanë përfunduar arsimin e lartë përkatës, me përvojë pune jo me pak se 5 (pesë) vjet në këtë fushë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 35.
 
2. Personi që shpallet fitues pranohet në këto funksione pas përfundimit të kualifikimit në institucionin e arsimit policor dhe i jepet grada që i korrespondon funksionit ku do të emërohet. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët vijnë nga radhët e prokurorëve në detyrë.
 
3. Personi i pranuar në funksione të veçanta nuk ka të drejtë të aplikojë për ngritje në gradë/detyrë apo të transferohet në funksione të tjera policore për një periudhë 6-vjeçare.
 
4. Numri i personave të pranuar sipas këtij neni nuk mund të jetë më shumë se 1 për qind e limitit të përgjithshëm organik të Policisë së Shtetit.
 
5. Procedurat, rregullat e konkurrimit, transferimit brenda funksioneve të veçanta, si dhe funksionet e veçanta përcaktohen në rregulloren e Policisë. 
 
Neni 37
Pranimi në funksione ndihmëse të Policisë
 
1. Pranimi në funksione ndihmëse të nëpunësve civilë bëhet bazuar në legjislacionin për nëpunësin civil.
 
2. Pranimi dhe largimi në/nga funksione ndihmëse për punonjësit administrativë bëhet me urdhër të titullarit të strukturës qendrore ose vendore sipas Kodit të Punës dhe procedurave të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
3. Punonjësit që pranohen në funksionet ndihmëse trajnohen në institucionin e arsimit policor gjatë periudhës së provës. 
 
Neni 38
Baza e të dhënave të shenjave të gishtave dhe ADN-së së punonjësve të policisë
 
1. Punonjësit të policisë i merren shenjat e gishtave, mostra e ADN-së dhe ato të balistikës së armës personale dhe ruhen në bazën e të dhënave të Policisë.
 
2. Shenjat e gishtave, mostra e ADN-së dhe ato të balistikës së armës personale, të administruara në bazën e të dhënave, asgjësohen kur punonjësi i policisë ndërpret marrëdhëniet e punës.
 
3. Rregullat dhe procedurat e marrjes, administrimit dhe asgjësimit të këtyre të dhënave përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 39
Institucioni i arsimit policor
 
1. Policia ka institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial.
 
2. Institucioni i arsimit policor ofron specializime dhe kualifikime për institucione të tjera të zbatimit të ligjit, si dhe për persona fizikë e juridikë në fushën e rendit e të sigurisë publike.
 
3. Institucioni i arsimit policor njeh dhe ekuivalenton diplomat, dëshmitë dhe certifikatat e përftuara në institucionet brenda dhe jashtë vendit në fushën e rendit e të sigurisë, në bazë të marrëveshjeve dhe që nuk mund të njësohen sipas pikës 4, të këtij neni. 
 
4. Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave për shtetasit që kanë përfunduar studimet jashtë shtetit në fushën e rendit dhe sigurisë publike bëhen sipas legjislacionit për arsimin e lartë. 
 
5. Organizimi dhe funksionimi i institucionit arsimor policor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 40
Arsimimi dhe kualifikimet jashtë shtetit
 
Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i certifikatave për arsimimin dhe kualifikimet policore të kryera jashtë shtetit bëhen në përputhje me ligjin.
 
Neni 41
Transferimi i punonjësit të policisë
 
1. Punonjësi i policisë transferohet nga një detyrë në një tjetër brenda së njëjtës gradë që mban, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
2. Punonjësi i policisë gjatë periudhës së provës nuk transferohet.
 
3. Drejtorët e drejtorive vendore të Policisë apo titullarët e strukturave të veçanta transferojnë punonjës policie me gradën “Inspektor” në funksione të cilat janë brenda juridiksionit të tyre, me kusht që funksioni të mos ketë gradë më të ulët se ajo që mban punonjësi.
 
4. Transferimi i punonjësit të policisë me gradën “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë”, si dhe të gjitha transferimet e punonjësve nga një strukturë në një strukturë tjetër pavarësisht nga grada bëhen me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit.
 
5. Punonjësi i policisë nuk transferohet nëse nuk ka plotësuar afatin minimal prej 2 (dy) vjetësh të qëndrimit në detyrë, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
6. Rregullat dhe procedurat e transferimit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 42
Transferimi i punonjësit të funksioneve ndihmëse
 
Transferimi i nëpunësit civil bëhet bazuar në legjislacionin për nëpunësin civil.
 
Neni 43
Transferimi i përkohshëm i punonjësit të policisë
 
1. Punonjësi i policisë transferohet përkohësisht në një detyrë tjetër:
 
a) për zëvendësimin e një punonjësi/e të policisë;
b) kur funksioni organik është i paplotësuar;
c) për përballimin e dinamikës së punës si rezultat i situatave të paparashikuara.
2. Kohëzgjatja e transferimit të përkohshëm nuk mund të jetë më shumë se 6 (gjashtë) muaj.
 
 
3. Rregullat dhe procedurat e transferimit të përkohshëm përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
4. Transferimi i përkohshëm për punonjësit me status të nëpunësit civil bëhet sipas përcaktimeve të ligjit “Për nëpunësin civil”.
 
Neni 44
Ndërprerja e marrëdhënieve të punës të punonjësit të policisë
 
1. Punonjësi i policisë ndërpret marrëdhëniet e punës kur lirohet ose përjashtohet nga Policia.
 
2. Punonjësi i policisë lirohet nga Policia në rastet kur:
 
a) mbush moshën për pension pleqërie;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit;
c) kërkon vetë të lirohet;
ç) shkurtohet funksioni në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të Policisë;
d) konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit;
dh)  vdes apo kur merr formë të prerë vendimi për shpalljen e vdekjes së tij;
e) humbet shtetësinë shqiptare; 
ë)  merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.
 
3. Punonjësit të policisë, të cilit i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të Policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, sipas shkronjës “ç”, të pikës 2, të këtij neni, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Pas kalimit të këtij afati, në pamundësi sistemimi për gradën që ka, punonjësi lirohet nga Policia.
 
4. Punonjësi i policisë përjashtohet nga Policia në këto raste:
 
a) Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) Kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga Policia.
 
5. Punonjësi i policisë, i cili ndërpret marrëdhëniet e punës në rastet e pikës 2, shkronjat “ç”, “d” dhe “ë”, dhe të pikës 4, shkronja “b”, ka të drejtë të ankohet në Komisionin e Apelimit ose drejtpërdrejt në Gjykatë.
 
6. Rregullat dhe procedurat e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 45
Ndërprerja e marrëdhënieve të punës të nëpunësit dhe punonjësit civil
 
1. Nëpunësi civil ndërpret marrëdhëniet e punës në rastet e parashikuara në ligjin për nëpunësit civilë.
 
2. Punonjësi civil ndërpret marrëdhëniet e punës sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Punës. 
 
Neni 46
Vlerësimi i punonjësve
 
1. Punonjësi i policisë vlerësohet individualisht për treguesit e punës nga eprori i drejtpërdrejtë i tij.
 
2. Kriteret dhe procedurat e vlerësimit individual përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 47
Rikthimi në polici
 
1. Një person mund të rikthehet në Polici vetëm nëse ai ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit brenda 2 (dy) viteve të fundit dhe është liruar nga Policia për shkurtim të funkisonit në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të Policisë.
 
2. Në momentin e rikthimit, punonjësi merr një gradë më të ulët se ajo që mbante në momentin e lirimit.
 
3. Personi, që trajtohet me pension të parakohshëm suplementar ose pension të shërbimit, pavarësisht nga përcaktimi i pikës 1, të këtij neni, nuk rikthehet në Polici.
 
4. Procedurat për rikthim në Polici përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
KREU VIII
GRADAT
 
Neni 48
Sistemi i gradave
 
1. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë dhe nivelin e menaxhimit në Policinë e Shtetit.
 
2. Sistemi i gradave sipas këtij ligji, paraqitja, forma, emërtimet dhe mbajtja e tyre janë e drejtë vetëm e Policisë së Shtetit.
 
Neni 49
Gradat
 
1. Gradat në Policinë e Shtetit sipas rendit hierarkik rritës emërtohen, si më poshtë:
 
a) Inspektor; 
b) Nënkomisar;
c) Komisar;
ç)  Kryekomisar;
d) Drejtues;
dh) Drejtues i parë;
e) Drejtues i lartë;
ë)  Drejtues madhor.
 
2. Punonjësi i policisë, që emërohet në detyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, i jepet grada “Drejtues madhor” dhe “Drejtues i lartë” në momentin që emërohet në këto funksione.
 
Neni 50
Hierarkia e gradave
 
Hierarkia e punonjësve të policisë përcaktohet nga grada, nga funksioni për punonjësit me të njëjtën gradë dhe nga vjetërsia në gradë për punonjësit me gradë e funksion të njëjtë.
 
Neni 51
Dhënia e gradës “Inspektor”
 
Grada “Inspektor” u jepet punonjësve të policisë nga drejtori i Policisë së Shtetit kur përfundon arsimin policor.
 
Neni 52
Fitimi i gradës
 
1. Fitimi i gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues.
 
2. Fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse.
 
3. Çdo vit evidentohen nevojat për çdo gradë për vitin pasardhës. Drejtori i Policisë së Shtetit, në varësi të nevojave dhe prioriteteve, miraton urdhrin për fillimin e fazës së aplikimeve për fitimin e gradës respektive.
 
4. Të drejtën për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit e kanë të gjithë punonjësit e policisë që plotësojnë kriteret e vendosura në këtë ligj.
 
Neni 53
Kriteret për fitimin e gradës
 
1. Për fitimin e gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” punonjësi i policisë duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
 
a) Të ketë vlerësim të aftësive individuale të punës jo më të ulët se 70% të vlerësimit të përgjithshëm;
b) Të përmbushë kriteret për pozicionin e punës;
c) Të jetë parashkruar masa disiplinore për shkelje të rëndë, sipas afatit të përcaktuar në këtë ligj;
ç) Të ketë përfunduar ciklin e parë të studimeve në arsimin e lartë;
d) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm për gradë;
dh) Të mos ketë filluar ndaj tij procedimi penal;
e) Të mos ketë filluar ndaj tij procedimi disiplinor për shkelje të rëndë;
ë) Të plotësojë kohën e qëndrimit në gradë sipas afateve të mëposhtme:
 
 
i. nga “Inspektor” në “Nënkomisar”                    5 vite;
ii. nga “Nënkomisar” në “Komisar”                    3 vite;
iii. nga “Komisar” në “Kryekomisar”                  3 vite;
iv. nga “Kryekomisar” në “Drejtues”                   5 vite;
v. nga “Drejtues” në “Drejtues i parë”                 3 vite;
vi. nga “Drejtues i parë” në “Drejtues i lartë” 
ose “Drejtues madhor”                                    2 vite.
 
2. Në vjetërsinë për efekt konkurrimi për fitimin e gradës llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të: 
 
a) paaftësisë shëndetësore deri në 6 (gjashtë) muaj brenda afatit 12-mujor;
b) vjetërsisë së shërbimit të njohur me vendim gjyqësor;
c) lejes së lindjes.
 
3. Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të lejes së përfituar pa të drejtë pagese.
 
Neni 54
Verifikimi i kandidatëve
 
1. Punonjësi i policisë, që aplikon për fitimin e gradës, i nënshtrohet procesit të verifikimit nga struktura qendrore e burimeve njerëzore.
 
2. Verifikimi i kandidatit përfshin plotësimin e kritereve të përcaktuara në nenin 53, të këtij ligji, gjatë fazës së aplikimit, testimit, trajnimit deri  në momentin e fitimit të gradës.
 
Neni 55
Fazat e testimit të kandidatëve
 
1. Për fitimin e gradës “Nënkomisar” deri në “Komisar”, kandidati vlerësohet në testimin me shkrim dhe intervistën me gojë.
 
2. Për fitimin e gradës “Kryekomisar” deri në “Drejtues i parë”, kandidati vlerësohet në testimin me shkrim, ushtrime vlerësuese dhe intervista me gojë.
 
3. Kufiri minimal për kalimin me sukses të testimit përkatës përcaktohet nga drejtori i Policisë së Shtetit që në momentin e shpalljes së fazës së aplikimeve, por ai nuk mund të jetë më i ulët se 70%.
 
Neni  56
Shpallja e fituesve
 
Numri i personave të shpallur fitues për fitimin e gradës përkatëse nuk mund të jetë më shumë se 30% mbi numrin e vendeve të lira të shpallura për gradën përkatëse.
 
Neni 57
Arsimimi dhe trajnimi për fitimin e gradës
 
1. Punonjësi i policisë i shpallur fitues për gradën “Nënkomisar” dhe “Drejtues” duhet të përfundojë programin e arsimimit përkatës, ndërsa për fitimin e gradave të tjera, duhet të përfundojë programin e trajnimit përkatës menjëherë pas miratimit të listës emërore të së drejtës për gradë.
 
2. Punonjësi i policisë zgjidhet për të ndjekur programin e arsimimit /trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë.
 
3. Pas përfundimit të programit të arsimimit/trajnimit, dhënia e gradës bëhet sipas listës emërore të së drejtës për gradë duke filluar nga punonjësi i cili ka vlerësimin më të lartë. Punonjësi i policisë ka të drejtë të zgjedhë për t’u emëruar në funksionet e lira sipas rendit zbritës të listës emërore të së drejtës për gradë.
 
4. Dhënia e gradës bëhet me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet edhe funksioni që do të kryejë punonjësi.
 
Neni 58
Procesi i ankimimit
 
1. Punonjësi i policisë ka të drejtën e ankimimit në Komisionin e Apelimit në çdo fazë të procesit për fitimin në gradë.
 
2. Komisioni i Apelimit kryesohet nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
3. Procedurat për fitimin e gradës nga momenti i shpalljes së procesit të konkurrimit deri në përfundim të procesit të ankimimit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 59
Përcaktimi i funksioneve për gradë
 
1. Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
2. Çdo funksioni i caktohet grada korresponduese.
 
3. Për funksione të njëjta caktohen grada të ndryshme që lidhen më përgjegjësitë e funksionit apo kategorizimin e strukturës.
 
Neni 60
Paraqitja e gradave
 
Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
KREU IX
MARRËDHËNIA E PUNËS DHE TRAJTIMI I PERSONELIT
 
Neni 61
Koha e punës dhe e pushimit
 
1. Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e policisë njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës shtetërore.
 
2. Punonjësi i policisë gëzon të drejtën e pushimit vjetor, si dhe të pushimeve të tjera të pagueshme.
 
3. Pushimi vjetor për punonjësin e funksioneve ndihmëse njësohet me atë të administratës shtetërore, ndërsa për punonjësit e policisë është 28 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë.
 
4. Kur, për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më vonë se në muajin mars të vitit pasardhës, në të kundërt bëhet kompensimi në vlerë financiare.
 
5. Punonjësi i policisë trajtohet me pushim ose pagë shtesë për mbi kohën normale të punës.
 
6. Rregullat dhe procedurat e përfitimit të pushimeve dhe trajtimit financiar të punonjësit të policisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 62
Leja pa të drejtë page
 
1. Punonjësi i policisë gëzon të drejtën e lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 (dy) muaj ose afatgjatë deri në 3 (tre) vjet.
 
2. Leja afatshkurtër miratohet nga drejtuesi i strukturës dhe pas përfundimit të lejes punonjësi kthehet në të njëjtën detyrë.
 
3. Leja afatgjatë jepet për studime ose kualifikime dhe miratohet nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
4. Pas përfundimit të lejes afatgjatë, punonjësi ka të drejtë të kthehet në funksionin që kishte ose në funksion tjetër në raport me gradën që mban.
 
5. Rregullat dhe procedurat e lejes pa të drejtë page përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 63
Trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë
 
1.  Punonjësi i policisë, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihen:
 
a) paga mujore e cila përbëhet nga paga për gradë, shtesë për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune;  
b) kompensimi për privacionet që i krijohen punonjësit të policisë për largësi nga vendbanimi sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit/es; 
c) trajtimi me ushqim për punonjësit e policisë; 
ç) ndihma financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje;
d) shpërblimi në fund të vitit, në masën e një page mujore;
dh) shpërblimi nga drejtori i Policisë së Shtetit deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Kriteret e përfitimit të shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave.
e) ndihma e menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
 
2.  Procedurat e trajtimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësit të policisë sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “e” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 64
E drejta për sigurim shëndetësor të veçantë
 
1. Punonjësit e Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore, të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
 
2. Sigurimi i shëndetit për punonjësit e Policisë së Shtetit bëhet sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, të ofruara nga institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit.
 
3. Lista e shërbimeve shëndetësore, si dhe autoriteti mjekësor që vendos për shërbimet shëndetësore, rast pas rasti, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
4. Procedurat për sigurimin shëndetësor të veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 65
E drejta për përfitim kredie me interesa të butë
 
1. Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3%.
 
2. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga Policia.
 
3. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 66
Kompensimi për strehim
 
1. Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.
 
2. Kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 67
Sigurimi i jetës
 
Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. 
 
Neni 68
Mbrojtja e veçantë
 
1. Policia siguron mbrojtje të veçantë për punonjësin e policisë të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës.
 
2. Kushtet dhe mënyra e mbrojtjes së veçantë për punonjësin e policisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 69
Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës
 
Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit, përfiton:
 
a) pagesë kalimtare;
b) pension të parakohshëm suplementar;
c) pension shërbimi;
ç)  pension suplementar pleqërie.
 
Neni 70
Pagesa kalimtare
 
1. Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës, përfiton pagesë kalimtare në masën 50% të pagës referuese të muajit të fundit, për një periudhë 2-vjeçare, si dhe shpërblim të menjëhershëm në masën e 2 (dy) pagave mujore.
2. Pagesa kalimtare nuk përfitohet nga punonjësi i policisë i cili është i përjashtuar, i liruar me kërkesën e tij dhe ka më pak se 5 (pesë) vjet vjetërsi shërbimi të pandërprerë.
 
3. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pagesë kalimtare të punonjësit të policisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 71
Pensioni i parakohshëm suplementar
 
1. Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës, përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
 
2. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 (pesëmbëdhjetë) vite për meshkujt dhe 12 (dymbëdhjetë) vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat.
 
3. Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës referuese të muajit të fundit. Për çdo periudhë shërbimi 10-15 vjet për punonjësit e policisë meshkuj dhe 7-12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi i policisë përfiton pension të parakohshëm në masën 3% më pak se 50% të pagës referuese për çdo vit.
 
4. Punonjësi i policisë, që plotëson kriteret e këtij neni, përfiton pension të parakohshëm suplementar, pa u trajtuar me pagesë kalimtare.
 
5. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension të parakohshëm suplementar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 72
Pension shërbimi
 
1. Punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 50 vjeç.
 
2. Punonjësi i policisë, që përfiton pension shërbimi, përfiton shpërblim të menjëhershëm në masën e 12 (dymbëdhjetë) pagave të pagës referuese të muajit të fundit.
 
3. Masa e pensionit është 65% e pagës referuese të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 85% të pagës.
 
4. Punonjësi i policisë, që plotëson kriteret e këtij neni, përfiton pension shërbimi, pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar.
 
5. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension shërbimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 73
Pensioni suplementar
 
1. Punonjësi i policisë që mbush moshën përfiton pension pleqërie.
 
2. Në masën e pensionit përfshihen pensioni i përllogaritur sipas ligjit për sigurimet shoqërore dhe një shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim, për çdo vit shërbimi. Shtesa nuk duhet të jetë më e lartë se pensioni i pleqërisë i përfituar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
 
3. Në momentin e daljes në pension pleqërie, punonjësi i policisë përfiton shpërblim në masën e 3 (tre) pagave mujore referuese të muajit të fundit.
 
4. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension suplementar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 74
Vjetërsia për trajtim financiar pas ndërprerjes 
së marrëdhënieve të punës
 
1. Për përfitimin e pagesës kalimtare, njihet vjetërsia që ka punonjësi në strukturat e Policisë së Shtetit, me status policor.
 
2. Punonjësit, për përfitimin e pensionit të parakohshëm suplementar, pensionit të shërbimit, si dhe të shtesës së pensionit të pleqërisë, i njihet: 
 
a) vjetërsia në strukturat e Policisë së Shtetit;
b) vjetërsia në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
c) vjetërsia në strukturat e Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Shërbimit Informativ të Shtetit, Shërbimit Informativ Ushtarak;
ç) vjetërsia në strukturat e Policisë së Burgjeve dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit;
d) koha e studimit në shkollat e larta ushtarake, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Policisë së Shtetit brenda apo jashtë shtetit.
dh) koha e njohur si vjetërsi shërbimi me vendim gjyqësor.
 
Neni 75
Trajtimi i familjarëve të punonjësve që humbin jetën 
për shkak të detyrës
 
1. Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë:
 
a) ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 10 (dhjetë) paga mujore, sipas pagës referuese të muajit të fundit;
b) pension familjar suplementar, në masën 100% të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Përfitimet jepen në vlerën 100% të pagës, sa herë që paga sipas së cilës është llogaritur ky përfitim ndryshon;
c) rimbursim, në masën 100% të bursës së studimit në institucionet e arsimit shtetëror për fëmijët e punonjësit;
ç)  banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pastrehë, sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
d) ndihmë financiare, në masën e 1(një) page mujore, sipas pagës referuese, çdo përvjetor vdekjeje;
dh) ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë.
 
2. Rregullat dhe procedurat e trajtimit të familjarëve të punonjësve që humbin jetën për shkak të detyrës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
KREU X
BASHKËPUNIMI ME KOMUNITETIN DHE SUBJEKTE TË TJERA
 
Neni 76
Bashkëpunimi me komunitetin
 
1. Policia bashkëpunon me komunitetin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për ushtrimin e plotë të lirive dhe të të drejtave të personave, për rreziqet që mund t’u kanosen nga situatat e fatkeqësive natyrore e atyre aksidentale.
 
2. Policia kërkon ndihmën e publikut për t’u informuar për çështje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, duke ofruar shpërblime  e duke garantuar anonimatin. Kur, për këtë shkak, personave u rrezikohet jeta, familja ose prona, Policia u siguron atyre mbrojtje të veçantë. Kushtet dhe mënyra e përfitimit të kësaj mbrojtjeje përcaktohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
Neni 77
Informimi i publikut
 
1. Policia informon publikun dhe median për kryerjen e detyrave në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
2. Policisë i ndalohet që në njoftimet publike të komunikojë në mënyrë joetike, si dhe të cenojë dinjitetin e personit dhe të të miturve.
 
Neni 78
Bashkëpunimi me institucionet e administratës shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore
 
1. Në përmbushjen e përgjegjësive të saj, Policia bashkëpunon me institucionet e administratës shtetërore, me personat fizikë e juridikë.
 
2. Strukturat vendore të policisë bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore për parandalimin e krimit, në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, duke respektuar pavarësinë e tyre.
 
Neni 79
Bashkëpunimi me shoqërinë civile
 
1. Policia bashkëpunon me organizatat që veprojnë në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, bashkësitë fetare të njohura me ligj, organizatat jofitimprurëse dhe shoqatat me qëllim krijimin e partneritetit për rendin dhe sigurinë.
 
2. Policia u siguron atyre informacionin e nevojshëm lidhur me respektimin e të drejtave për personat e shoqëruar në mjediset e Policisë mbi bazën e dokumenteve zyrtare të disponuara.
 
Neni 80
Policimi në komunitet
 
1. Në nivel vendor Policia harton strategji vjetore për policimin në komunitet.
2. Strategjitë hartohen në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, shoqërinë civile, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe në konsultim me komunitetin.
 
3. Strategjitë e policimit në komunitet hartohen sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
4. Struktura të posaçme të Policisë në kuadrin e parandalimit të veprave penale zbatojnë strategjitë e policimit në komunitet.
 
Neni 81
Bashkëpunimi me të tretët
 
1. Policia ofron shërbime shtesë sipas mundësive që ka dhe kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, mbi bazën e kërkesës së tyre.
 
2. Llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 82
Bashkëpunimi me shërbimin e sigurisë private
 
Në rastet e emergjencave ose të fatkeqësive natyrore, Policia kërkon që punonjësit e shërbimeve të sigurisë private të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë.
 
Neni 83
Marrëdhëniet me sindikatat e Policisë
 
1. Në polici lejohen krijimi dhe zhvillimi i veprimtarive sindikaliste në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e interesave të punonjësit të policisë.
 
2. Çdo punonjës i policisë, me përjashtim të drejtorit të Policisë së Shtetit, ka të drejtë të jetë anëtar i njërës prej sindikatave.
 
3. Punonjësit të policisë gjatë veprimtarive sindikaliste i ndalohet të mbajë uniformën e policisë, armën apo të përdorë mjetet ose simbolet e Policisë.
 
4. Marrëdhëniet ndërmjet sindikatave dhe drejtorit të Policisë së Shtetit rregullohen në kontratën kolektive.
 
Neni 84
Bashkëpunimi ndërkombëtar
 
Policia bashkëpunon me polici të shteteve të tjera ose me organizata ndërkombëtare policore, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dy- ose shumëpalëshe.
 
KREU XI
DETYRIMET DHE KUFIZIMET KRYESORE TË PUNONJËSIT TË POLICISË
 
Neni 85
Detyrimi për respektimin e ligjit dhe formimin profesional
 
1. Punonjësi i policisë detyrohet të respektojë Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si dhe të mbrojë të drejtat e liritë e njeriut.
 
2. Punonjësi i policisë mban përgjegjësi individuale për ligjshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi të tij gjatë ushtrimit të detyrës.
 
3. Punonjësi i policisë kryen me profesionalizëm, paanësi, pa diskriminim dhe në përputhje me ligjin detyrat e tij.
 
4. Punonjësi i policisë ka detyrimin të përmirësojë aftësitë profesionale dhe fizike, nëpërmjet formimit profesional dhe trajnimeve.
 
5. Kriteret e vlerësimit vjetor për aftësitë profesionale, performancën dhe aftësitë fizike përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 86
Detyrimi për të zbatuar urdhrin
 
1. Punonjësi i policisë ka detyrimin të zbatojë të gjithë urdhrat e ligjshëm që jepen nga një punonjës më i lartë në funksion ose në gradë.
 
2. Punonjësi i policisë, nëse ka shkaqe të mjaftueshme të dyshojë se urdhri i dhënë është i paligjshëm, ai menjëherë ia bën të ditur eprorit dhe kërkon që urdhri të jepet me shkrim. Në këtë rast, eprori është i detyruar të japë urdhrin me shkrim.
 
 
3. Në rastet kur moszbatimi i urdhrit deri në dhënien e tij me shkrim sipas pikës 2, të këtij neni, rrezikon jetën e një personi tjetër, punonjësi i policisë duhet të zbatojë urdhrin.
 
4. Kur një punonjës policie, edhe pas zbatimit të procedurave të përcaktuara në këtë nen, vazhdon të ketë arsye për të dyshuar se urdhri është i paligjshëm, ai kryen veprimet e mëposhtme:
 
a) Kundërshton urdhrin, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 3, të këtij neni;
b) Vë menjëherë në dijeni punonjësin e policisë i cili është drejtpërdrejt në një funksion më të lartë sesa eprori që ka dhënë  urdhrin, si dhe për masat e marra prej tij në zbatim të këtij neni.
 
5. Procedurat e dhënies, transmetimit dhe administrimit të urdhrit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 87
Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit
 
1. Punonjësi i policisë nuk duhet të përdorë informacionin e mbledhur gjatë ushtrimit të detyrës për qëllime të tjera, jashtë atyre të përcaktuara me ligj.
 
2. Punonjësi i policisë ka detyrimin të sigurojë mbrojtjen dhe mospërhapjen e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë ushtrimit të detyrës. Ky detyrim zbatohet edhe nga punonjësi i policisë i liruar ose i përjashtuar.
 
Neni 88
Detyrimi për administrimin e pronës dhe kohën e punës
 
1. Punonjësi i policisë ka detyrimin të miradministrojë pronën që i vihet në përdorim në ushtrimin e detyrës dhe ta përdorë atë vetëm për qëllimin e përcaktuar nga ligji dhe rregullorja e Policisë.
 
2. Punonjësi i policisë ka detyrimin të shfrytëzojë kohën e punës dhe shërbimit me efektshmëri dhe vetëm për kryerjen e detyrave.
 
Neni 89
Detyrime të tjera
 
Punonjësi i policisë në ushtrimin e kompetencave ka dhe këto detyrime:
 
a) Të respektojë dinjitetin dhe integritetin e çdo punonjësi tjetër të policisë, përfshirë edhe vartësit e tij.
b) Të marrë masat për të parandaluar arratisjen e një personi në rastet e shoqërimit, të arrestimit dhe të ekzekutimit të urdhrit të ndalimit. 
c) Të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të marrë masat realisht të zbatueshme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit që ka në ruajtje ose që e ka dëmtuar atë gjatë kryerjes së një veprimi kur është në detyrë.
ç) T’i vijë në ndihmë një punonjësi tjetër të policisë gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ai/ajo ka nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet. Në rastet kur punonjësi i policisë që ofron ndihmën e tij është në shërbim, ai është i detyruar të vlerësojë dhe të zbatojë përparësinë në kryerjen e detyrës.
d) Të përdorë uniformën, shenjat dhe simbolet e Policisë vetëm gjatë kryerjes së shërbimit dhe në përputhje me rregullat e vendosura.
dh)  T’i raportojë eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit çdo ankesë të marrë në lidhje me sjelljen e një punonjësi tjetër të policisë dhe çdo shkelje, për të cilën ai ka dyshime të mjaftueshme të besojë se është kryer nga ai, pavarësisht nëse ai ka marrë dijeni për këtë shkelje gjatë kryerjes së detyrës ose në rrethana të tjera.
e) T’i raportojë eprorit përkatës ose, në mungesë të tij, eprorit të eprorit çdo shkelje, për të cilën ai ka dyshime të mjaftueshme të besojë se është kryer nga një person, pavarësisht nëse ai ka marrë dijeni për këtë shkelje gjatë kryerjes së detyrës ose në rrethana të tjera.
 
Neni 90
Kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë
 
Punonjësit të policisë i ndalohet:
 
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
b) të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
 
Neni 91
Kufizimi për veprimtari të dyta
 
1. Punonjësi i policisë nuk mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër private me përjashtim të mësimdhënies.
 
2. Në rastet e mësimdhënies, punonjësi i policisë ka detyrimin të marrë miratimin me shkrim të drejtuesit të strukturës.
 
Neni 92
Konflikti i interesit
 
1. Punonjësi i policisë ka detyrimin të shmangë çdo konflikt ndërmjet interesit të tij privat dhe interesit publik në kryerjen e detyrës sipas legjislacionit përkatës.
 
2. Punonjësi i policisë ka detyrimin të informojë menjëherë eprorin e tij në rast dyshimi për një konflikt interesi dhe të zbatojë urdhrat e eprorit.
 
Neni 93
Rregullat për detyrimet dhe kufizimet
 
Rregullat për zbatimin e detyrimeve dhe kufizimeve përcaktohen nga drejtori i Policisë së Shtetit sipas kontratës kolektive të punës.
 
KREU XII
DISIPLINA
 
Neni 94
Sjellja dhe etika
 
Punonjësi i policisë është i detyruar të respektojë rregullat e sjelljes dhe etikës gjatë përmbushjes së detyrave. Normat dhe rregullat e sjelljes dhe të etikës përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 95
Shkeljet e disiplinës
 
1. Është shkelje disiplinore çdo veprim ose mosveprim i punonjësit të policisë, që bie në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
2. Shkeljet disiplinore kategorizohen në shkelje disiplinore të lehta dhe shkelje disiplinore të rënda.
 
3. Punonjësi i policisë, ndaj të cilit merret masë për shkelje të lehtë disiplinore, ka të drejtë të ankohet tek eprori i punonjësit që i ka dhënë masën, brenda 5 (pesë) ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim për dhënien e masës disiplinore.
 
 
4. Punonjësi i policisë, ndaj të cilit merret masë për shkelje të rëndë disiplinore, ka të drejtë të ankohet në Komisionin e Apelimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim për dhënien e masës disiplinore.
 
5. Punonjësi i policisë ka të drejtë të ankimojë vendimin e dhënë sipas pikave 3 dhe 4, të këtij neni, në gjykatën kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 96
Masat disiplinore
 
1. Punonjësi i policisë që kryen shkelje disiplinore ndëshkohet disiplinarisht:
 
a) Për shkelje të lehta disiplinore me masat:
 
i. vërejtje; 
ii. vërejtje me paralajmërim.
 
b) Për shkelje të rënda disiplinore me masat:
 
i. mbajtje deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 (gjashtë) muaj;
ii. shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 (dy) vjet; 
iii. përjashtim nga Policia.
 
2. Masa disiplinore shuhet pas kalimit të këtyre afateve:
 
a) dy vjet nga njoftimi i masës “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim”;
b) tre vjet nga mbarimi i afatit për të cilin është zbatuar masa disiplinore “mbajtje deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 (gjashtë) muaj” ose “shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 (dy) vjet”.
 
3. Llojet e shkeljeve disiplinore, procedura e shqyrtimit, ndëshkimit, ankimimit për masën e dhënë, si dhe shuarja apo parashkrimi i shkeljeve e masave disiplinore për punonjësin e policisë përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
4. Efektet e masës disiplinore për punonjësin e policisë fillojnë pas përfundimit të procesit disiplinor, ku përfshihen procedurat përkatëse të ankimimit.
 
5. Nëpunësi civil për shkeljet e kryera ndëshkohet me masë disiplinore të përcaktuar në legjislacionin për nëpunësin civil.
 
6. Punonjësi administrativ për shkeljet e kryera ndëshkohet me masë disiplinore të përcaktuar në kontratën individuale ose kolektive të punës.
 
KREU XIII
SIMBOLET, UNIFORMA, PAJISJET DHE MJETET
 
Neni 97
Simbolet
 
Policia ka flamurin dhe stemën e vet, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave.
 
Neni 98
Uniforma dhe shenjat e Policisë
 
1. Punonjësi i policisë i kryen detyrat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike me uniformën dhe shenjat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Uniforma dhe shenjat dalluese të Policisë përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij. Struktura të veçanta të Policisë trajtohen me veshje civile ose kompensim financiar.
 
2. Punonjësi i policisë pajiset me dokumentin dhe medaljonin zyrtar të identitetit, të cilat i paraqet në çdo rast të kryerjes së detyrës. Forma, përmasat dhe të dhënat që përmban dokumenti identifikues dhe medaljoni zyrtar i identitetit përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
3. Mbajtja dhe përdorimi i uniformës përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
Neni 99
Armët dhe pajisjet
 
1. Punonjësi i policisë ka të drejtë të mbajë armë. Llojet e armatimit, të lëndëve neuroparalizuese dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Policia përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
2. Punonjësit të policisë i jepen në përdorim mjete dhe pajisje të tjera nga ato të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, të përcaktuara në rregulloren e Policisë.
 
Neni 100
Mjetet e Policisë
 
Në ushtrimin e detyrës, Policia përdor mjete lëvizëse, ngjyra, shenja, përdorimi i të cilave përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
KREU XIV
MASAT PËR RUAJTJEN E RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE
 
Neni 101
Masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
 
1. Kur sjellja e personit cenon rendin dhe sigurinë publike, punonjësi i policisë, në zbatim të përgjegjësive të tij,:
 
a) merr masa për shmangien e rrezikut për shtetasin dhe veten;
b) vlerëson nëse është e nevojshme marrja e masave shtesë ose dhënia e ndihmës dhe njofton menjëherë autoritetet përgjegjëse administrative.
 
2. Nëse cenimi i rendit dhe sigurisë publike ka ardhur si pasojë e veprimeve të një personi të mitur nën 14 vjeç, punonjësi i policisë merr masa për të ndërprerë veprimet e paligjshme dhe njofton prindin ose kujdestarin e të miturit.
 
Neni 102
Proporcionaliteti dhe ndërprerja e masave
 
1. Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë dhe nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur.
 
2. Masa mbetet e përshtatshme edhe nëse e ul rrezikun ose e pakëson atë përkohësisht. Nëse masa është e paefektshme, atëherë mund të zgjidhet një masë tjetër me ndikim më të madh.
 
3. Zbatimi i mëtejshëm i çdo mase të ndërmarrë ndërpritet menjëherë kur shkaku i saj nuk ekziston më.
 
Neni 103
Zbatimi masës së menjëhershme
 
1. Zbatimi i masës së menjëhershme merret vetëm nëse duhet mënjanuar një rrezik real dhe i çastit për rendin dhe sigurinë publike, i cili nuk mund të shmanget me anë të mjeteve të tjera.
 
2. Personi ndaj të cilit ndërmerret masa njoftohet menjëherë.
 
Neni 104
Përgjegjësia për gjendjen e objekteve
 
Kur rendi dhe siguria publike rrezikohen ose cenohen nga gjendja e një objekti, punonjësi i policisë merr masa ndaj pronarit të objektit ose, në rast pamundësie, njofton organin kompetent. Masa mund të jepet edhe ndaj personit që sillet si pronar i objektit.
 
Neni 105
Masat ndaj palëve të treta dhe e drejta e kompensimit
 
1. Masat mund të merren edhe ndaj personave që nuk përfshihen në nenet 102 dhe 105, të këtij ligji, në qoftë se rreziku real dhe i çastit për rendin dhe sigurinë publike ose cenimi i tyre nuk mund të shmangen ndryshe dhe për sa kohë që punonjësi përkatës i policisë nuk ka personelin dhe mjetet e duhura.
 
2. Sipas rrethanave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, punonjësi i policisë mund të kërkojë ndihmë. Ai gjithashtu mund të marrë përkohësisht në posedim objekte të tilla, si mjedise akomodimi, medikamente dhe ushqim, mjete pune, materiale ndërtimi dhe mjete transporti.
 
3. Në çdo rast të bashkëpunimit vullnetar apo të përdorimit me forcë të pronës së palëve të treta, lëshohet procesverbali përkatës.
 
4. Në çdo rast të thirrjes ose bashkëpunimit vullnetar të një personi apo pale të tretë për ndihmë për përdorim të mjediseve, mjeteve, objekteve, sendeve apo konsumit të mallrave dhe materialeve të tyre bëhet kompensimi fizik ose monetar.
 
5. Lloji dhe masa e kompensimit përcaktohen duke mbajtur parasysh përgjegjësinë e palëve dhe përfitimin nga shërbimi i ofruar, në përputhje me legjislacionin për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore.
 
6. Kur subjekti i cenuar nuk bie dakord me llojin dhe masën e kompensimit ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
 
Neni 106
Shpërblimi i personit për ndihmën e dhënë
 
1. Çdo person mund të ndihmojë Policinë për kryerjen e detyrave të përcaktuara në ligj.
 
2. Nëse gjatë ndihmës që i jep Policisë, personi plagoset, sëmuret apo humbet aftësitë e tij për punë, ai ka të drejtë të përfitojë çdo ndihmë mjekësore, pension, pagesë për aftësi në punë dhe pagesë në rast vdekjeje, përfitime të cilat i takojnë një punonjësi policie në rast aksidenti në punë. Paga, mbi të cilën llogariten përfitimet e mësipërme, është ajo që përfitonte personi në vendin e tij të punës ose paga për të cilën është siguruar në mënyrë vullnetare apo si privat, deri në 30 (tridhjetë) ditë para ndodhjes së ngjarjes. Ajo nuk mund të jetë më e vogël se paga bazë për gradën “Nënkomisar”. Për rastet kur personi nuk është në marrëdhënie pune ose i siguruar, paga mbi të cilën llogariten këto përfitime është paga bazë për gradën “Inspektor”.
 
Neni 107
Masa administrative
 
Kur punonjësi i policisë konstaton shkelje administrative, për të cilat ligji ngarkon me detyra Policinë, merr masa administrative sipas legjislacionit për kundërvajtjet administrative.
 
Neni 108
Njoftimi për paraqitje në Polici
 
1. Punonjësi i policisë njofton personin për t’u paraqitur në ambientet e policisë në këto raste:
 
a) Për të marrë informacion për parandalimin e veprimit ose mosveprimit të kundërligjshëm; 
b) Për të identifikuar personin që mund të ketë dijeni për rrezikun apo incidentin; 
c) Për të identifikuar shkelësin e mundshëm të ligjit.
 
2. Njoftimi për paraqitje bëhet me anë të fletënjoftimit ose edhe verbalisht, kur personi është i pranishëm, duke përcaktuar arsyen e paraqitjes, të dhëna për punonjësin e policisë, kohën, vendin dhe informacion për ta kontaktuar punonjësin e policisë në rast pamundësie për t’u paraqitur.
 
3. Kur për shkak të kushteve personale dhe familjare, personi që njoftohet nuk mund të paraqitet në mjediset e Policisë, punonjësi i policisë mund ta marrë këtë informacion në vendndodhjen e personit të njoftuar.
 
4. Në rastet kur personi i njoftuar nuk paraqitet në ambientet e Policisë pa shkaqe dhe arsye të përligjura, Policia kryen shoqërimin kundër vullnetit të tij.
 
Neni 109
Shoqërimi në Polici
 
1. Punonjësi i policisë bën shoqërimin e personave në ambientet e Policisë ose institucionin urdhërdhënës në kushtet dhe rastet e mëposhtme:
 
a) Kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
b) Për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose ndonjë detyrimi të përcaktuar me ligj;
c) Kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale;
ç)  Për të parandaluar kryerjen e një vepre penale;
d) Kur është larguar pas kryerjes së një vepre penale;
dh) Për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale;
e) Për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose shoqërimin e tij në organin kompetent;
ë) Kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë;
f) Për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose ekstradimit.
 
2. Personi i shoqëruar, i cili nuk dyshohet se ka kryer vepër penale, trajtohet në kushte të dallueshme nga ndalimi apo arrestimi dhe, në çdo rast, shoqërimi duhet të zgjatë deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 10 (dhjetë) orë.
 
3. Personi i shoqëruar gëzon të gjitha të drejtat e njohura nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
 
4. Për shoqërimin e personit, punonjësi i policisë bën dokumentimin e veprimit dhe njofton menjëherë eprorin e vet ose institucionin e interesuar për sqarimin e çështjes.
 
5. Për rastet e shoqërimit për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, për dëbimin ose ekstradimin, procedurat dhe afatet e mbajtjes përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.
 
6. Rregullat teknike të shoqërimit, evidentimit, mbajtjes dhe trajtimit të personave të shoqëruar në ambientet e Policisë përcaktohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
Neni 110
Kontrolli i identitetit
 
1. Punonjësi i policisë bën kontrollin e identitetit të personit kur:
 
a) është i pranishëm ose në afërsi të drejtpërdrejtë me vendngjarjen dhe dëshmitar i mundshëm i veprës penale;
b) ndaj tij ekzekutohet një urdhër i organeve përkatëse;
c) është i dyshuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike;
ç)  hyn ose del nga territori i Republikës së Shqipërisë;
d) për rrethana të kohës dhe vendit, dyshohet se është përfshirë në veprime të jashtëligjshme.
 
2. Për një identifikim të besueshëm të personit, punonjësi i policisë bazohet në dokumentet ligjore të identifikimit.
 
Neni 111
Arrestimi dhe ndalimi
 
Punonjësi i policisë bën arrestimin dhe ndalimin e personit sipas përcaktimeve në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
 
Neni 112
Të dhënat në rastet e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit
 
Për të regjistruar nga ana administrative të dhënat e personave të shoqëruar, të arrestuar apo të ndaluar, Policia kryen këto veprime:
 
1. Në rast shoqërimi, Policia evidenton për çdo person të shoqëruar të dhënat për:
 
a) gjenealitetet;
b) vendbanimin;
c) përshkrimin e pamjes së personit, përfshirë shenja të veçanta;
ç)  punën që kryen;
d) arsyet e shoqërimit;
dh) orën, datën dhe vendin e shoqërimit;
e) zyrën e policisë ku është kryer shoqërimi;
ë)  punonjësin e policisë, i cili ka kryer shoqërimin.
 
2. Në rast arrestimi apo ndalimi, Policia evidenton për çdo person të dhënat për:
 
a) gjenealitetet;
b) vendbanimin;
c) përshkrimin e pamjes së personit, përfshirë shenja të veçanta;
ç)  punën që kryen;
d) veprën penale për të cilën është arrestuar apo ndaluar;
dh) hollësi për mënyrën e kryerjes së veprës penale, për të cilën është arrestuar apo ndaluar të cilat merren në prani të mbrojtësit në rast se personi nuk e refuzon atë; 
e) orën, datën dhe vendin e arrestimit apo të ndalimit;
ë)  zyrën e Policisë ku është mbajtur;
f) punonjësin e policisë, i cili ka kryer arrestimin apo ndalimin.
 
3. Nga çdo person i arrestuar apo i ndaluar, në çdo rast, Policia merr të dhënat e mëposhtme:
 
a) Shenjat e gjurmëve të gishtave dhe të pëllëmbëve të duarve;
b) Dy fotografi, një pamje ballore dhe një profil;
c) Mostrën për analizën e ADN-së.
 
4. Punonjësi i policisë me gradë “Nënkomisar” apo më lart ose në rast emergjence dhe në mungesë të një punonjësi të tillë të policisë, punonjësi me gradën më të lartë mund të autorizojë përdorimin e forcës sipas këtij ligji, për të realizuar kërkesat e pikës 3, të këtij neni, nëse personi i arrestuar apo i ndaluar kundërshton kërkesën.
 
5. Policia mund të marrë nga çdo person i shoqëruar të dhënat identifikuese, të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, vetëm kur ato janë të domosdoshme për të përcaktuar identitetin e personit. Nëse personi i shoqëruar nuk arrestohet apo ndalohet, të dhënat identifikuese të marra fshihen pasi të përcaktohet identiteti i tij.
 
6. Punonjësit e policisë, të caktuar me detyrë në pikat e kalimit kufitar, mund të marrin shenjat e gjurmëve të gishtave për qëllime identifikimi nga çdo person që kalon kufirin, kur kryen ose dyshohet se ka kryer një vepër penale.
 
7. Për personat e shoqëruar, të arrestuar apo të ndaluar, Policia krijon bankën qendrore për regjistrimin e të dhënave të mbledhura.
 
8. Drejtori i Policisë së Shtetit urdhëron dhe kontrollon fshirjen e të dhënave të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, të cilat i merren personit të arrestuar apo të ndaluar, mbi bazën e kërkesës së tij, nëse çështja penale në ngarkim të tij pushohet apo ai shpallet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.
 
9. Afati i ruajtjes të të dhënave të mbledhura në zbatim të këtij neni përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 113
Kontrolli i  personit
 
1. Punonjësi i policisë mund të kontrollojë çdo person të arrestuar ose të ndaluar, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi:
 
a) për të shmangur një rrezik real dhe të çastit; 
b) për objekte ose sende që mund të rrezikojnë jetën e tij ose të të tjerëve;
c) për të siguruar prova për kryerjen e veprës penale.
 
2. Kontrolli kryhet në tri forma:
 
a) Kontrolli në publik i rrobave të trupit të një personi, i cili kufizohet në një kontroll sipërfaqësor të veshjeve të jashtme;
b) Kontrolli i imët kryhet në vende të caktuara që nuk shihen nga publiku, ku personi i ndaluar ose i arrestuar nuk shihet nga persona të tjerë përfshin heqjen e më shumë se veshjeve të jashtme;
c) Kontrolli intim i cili ka të bëjë me këqyrjen fizike të pjesëve të hapura në trupin e personit dhe kryhet nga punonjës të shëndetësisë vetëm në spitale ose në mjedise të tjera shëndetësore.
 
3. Kontrollet, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij neni, kryhen nga punonjës policie të së njëjtës gjini me personin e kontrolluar, kur e lejojnë rrethanat. Për kontrollin e të miturve kërkohet edhe prania e prindit ose e kujdestarit.
 
4. Punonjësi i policisë mund të kryejë kontrollin e çdo personi, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij neni, përveç personave të cilëve ligji u njeh imunitet, kur ka informacione të besueshme se ata kanë sende të rrezikshme për vetë personin apo për personat e tjerë.
 
5. Kontrolli i imët mund të kryhet vetëm nëse ai vlerësohet i nevojshëm për të hequr sendin e ndaluar dhe punonjësi i policisë gjykon që personi i arrestuar apo i ndaluar mund ta ketë fshehur atë. Ky kontroll kryhet nga një punonjës policie i së njëjtës gjini me personin e kontrolluar.
 
6. Kontrolli intim kryhet me vendim të gjykatës. Kontrolli intim ndërmerret si masë e fundit ndaj personit që dyshohet se fsheh prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale. Kontrolli intim kryhet vetëm nga një mjek ose infermier i kualifikuar.
 
7. Rregullat e hollësishme për kryerjen e kontrollit përcaktohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
Neni 114
Kontrolli mjekësor i personit
 
1. Për të parandaluar kërcënimin për jetën, personit mund t’i bëhet kontroll mjekësor, i cili bëhet me vendim gjykate. Marrja e kampioneve të gjakut ose ndërhyrje të tjera në trup nga një mjek, në përputhje me rregullat mjekësore për qëllime ekzaminimi, lejohet pa miratimin e personit, nëse kjo nuk dëmton shëndetin e tij dhe masa vlerësohet e nevojshme nga mjeku.
 
2. Në raste të kërcënimit të menjëhershëm, punonjësi i policisë me nismën e tij dërgon personin në institucionin përkatës mjekësor.
 
3. Të dhënat e mbledhura gjatë kontrollit përdoren vetëm për qëllimin e këtij neni.
 
Neni 115
Kërkesë/ankesat e të shoqëruarve, të ndaluarve dhe të arrestuarve
 
1. Çdo person i shoqëruar, i ndaluar apo i arrestuar në ambientet e Policisë ka të drejtë t’u paraqesë kërkesë/ankesë me gojë ose me shkrim drejtuesve të Policisë apo institucioneve të tjera shtetërore. 
 
2. Personi, i cili shoqërohet nga Policia sipas rasteve të parashikuara në këtë ligj, mund t’i drejtohet në çdo kohë gjykatës.
 
3. Punonjësi i policisë, pasi e ka regjistruar kërkesën/ankesën, është i detyruar ta dërgojë menjëherë atë në adresën e caktuar.
 
4. Për kërkesat/ankesat që u drejtohen drejtuesve të Policisë ku është i shoqëruari, i ndaluari apo i arrestuari, përgjigjja i jepet menjëherë, por jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga dita e paraqitjes së tyre.
 
Neni 116
Kontrolli i objekteve dhe automjeteve
 
1. Një objekt, me përjashtim të mjediseve të përcaktuara në nenin 118, të këtij ligji, kontrollohet nëse:
 
a) zotërohet nga personi që është kontrolluar sipas nenit 119, të këtij ligji;
b) faktet bëjnë të dyshohet se brenda objektit ndodhet personi:
 
i. që duhet të arrestohet ose të ndalohet;
ii. që është mbajtur në mënyrë të jashtëligjshme;
iii. për të cilin punonjësi i policisë ka dyshime të bazuara se kontrolli është i  nevojshëm për mbrojtjen e jetës nga një rrezik i çastit;
c) faktet bëjnë të dyshohet se aty ndodhet një send që mund të sekuestrohet.
 
2. Kontrollohet automjeti në të cilin ndodhet personi, identiteti i të cilit mund të verifikohet në një pikë kontrolli. Kur ekziston një nga kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kontrolli bëhet edhe ndaj sendeve brenda automjetit.
 
3. Përdoruesi i objektit ka të drejtë të jetë i pranishëm gjatë kontrollit. Nëse ai nuk paraqitet, ftohet një përfaqësues apo dëshmitar tjetër. Përdoruesit duhet t’i dorëzohet një kopje e procesverbalit të kontrollit dhe arsyet, nëse kërkohen prej tij.
 
Neni 117
Ndërhyrja në mjedise
 
1. Mjedise, në kuptim të këtij neni, janë banesa dhe dhomat ngjitur, dhomat e punës, mjediset e veprimtarive profesionale, si dhe çdo pronë tjetër private që lidhet me këto dhoma.
 
2. Ndërhyrja dhe kontrolli në mjedise mund të bëhen pa lejen e pronarit nëse:
 
a) është e nevojshme të parandalohet një kërcënim i çastit për jetën dhe shëndetin;
b) punonjësi i policisë ka dyshime të bazuara të mendojë se një person, i cili plotëson kushtet e nenit 123, të këtij ligji, ndodhet në atë mjedis.
 
3. Nëse pronari apo personi që zotëron mjedisin ose përfaqësuesi i tij nuk janë të pranishëm gjatë ndërhyrjes, sipas pikës 1, të këtij neni, duhen njoftuar menjëherë për arsyen e kontrollit për sa kohë që qëllimi i masës së marrë nuk vihet në rrezik.
 
4. Në të gjitha rastet e hyrjes dhe të kontrollit, sipas këtij neni, punonjësi i policisë harton një dokument, ku përmenden arsyet e hyrjes, kryerjes së kontrollit dhe rezultatet e tij. Një kopje e këtij raporti i jepet, sipas kërkesës, personit të interesuar ose personave të autorizuar prej tij.
 
Neni 118
Kontrolli kundër akteve terroriste
 
1. Punonjësi i policisë ka të drejtë të kryejë me iniciativë kontrolle për parandalimin e akteve terroriste në banesa, ndërtesa, mjedise dhe hapësira publike për të garantuar sigurinë e personave dhe të rendit kushtetues kombëtar e sigurinë ndërkombëtare.
 
2. Kontrolli kundër akteve terroriste përfshin kontrollin për eksplozivë, lëndë helmuese kimike, biologjike, bakterologjike apo radioaktive.
 
3. Këtë të drejtë e ushtron në rastet e flagrancës, në rast ndjekjeje të personit, si dhe kur ka prova apo informacione të besueshme se është duke u përgatitur një akt terrorist dhe kur nga vonesa e ushtrimit të kontrollit mund të zhduken ose të humbasin mjetet ose gjurmët e kryerjes së krimit.
 
4. Pas ushtrimit të kontrollit, punonjësi i policisë harton procesverbalin përkatës dhe ia dërgon brenda 48 orëve prokurorit të vendit ku është bërë kontrolli. Një kopje e procesverbalit i lihet pronarit ose poseduesit të objektit apo personit të kontrolluar.
 
5. Personi i kontrolluar nga policia ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatën e kompetente ku ndodhet struktura policore, nëse e konsideron kontrollin si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.
 
Neni 119
Largimi nga vendndodhja
 
Për të shmangur kërcënimin për rendin ose sigurinë në mjedise publike, punonjësi i policisë mund të urdhërojë personin të largohet nga vendndodhja ose mund ta ndalojë atë të hyjë në mjedise, për aq kohë sa ky kërcënim vazhdon. 
 
Neni 120
Bllokimi i rrugëve
 
Për nevoja të rendit e sigurisë publike dhe të zbatimit të ligjit ose në rastet e fatkeqësive natyrore apo të aksidenteve, punonjësi i policisë bllokon pjesë të rrugëve ose të mjediseve publike deri në kryerjen e veprimeve të nevojshme ligjore.
 
Neni 121
Bllokimi i sendeve
 
1. Sendet bllokohen ose konfiskohen vetëm në rastet kur lejohet me ligj dhe në përputhje me procedurat përkatëse ligjore.
 
2. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, sendet mund të bllokohen vetëm nëse është krejtësisht i pashmangshëm evitimi i kërcënimit të çastit ndaj rendit dhe sigurisë publike. Punonjësi i policisë, që vepron, harton procesverbalin përkatës, i cili i jepet poseduesit nëse ai njihet.
 
3. Sendet bllokohen vetëm për aq kohë sa është e nevojshme. Pas kësaj, sendet i kthehen poseduesit nëse është identifikuar ose nëse identifikohet pa vonesë. Nëse brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve, siç mund ta kërkojë natyra e sendit, poseduesi i sendit nuk mund të identifikohet ose nuk kërkon me dëshirën e tij kthimin e sendit, sendi i bllokuar kalon në favor të shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
4. Policia ka përgjegjësinë të kryejë verifikime për identifikimin e pronarit të sendeve të bllokuara.
 
Neni 122
Masat mbrojtëse
 
1. Masat mbrojtëse merren ndaj personit të sëmurë mendor, në gjendje të dehur, nën efektet e lëndëve narkotike ose ndaj personit me sëmundje ngjitëse. Në këto raste, punonjësi i policisë e dërgon personin në ambientet e Policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit apo e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës.
 
2. Punonjësi i policisë merr masat e nevojshme për mbrojtjen:
 
a) e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike apo të përbëjë rrezik për jetën e tij apo të të tjerëve. Zbatimi i masës në ambientet e Policisë vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme, por jo më shumë se 10 orë;
b) e të miturit që nuk mbikëqyret më ose është larguar nga prindi apo kujdestari i tij, duke ia rikthyer prindit, kujdestarit apo duke e dërguar në qendrat e përkujdesjes për të miturit, sipas afatit të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike.
 
3. Për të ushtruar përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, punonjësi i policisë mund të bëjë kontrollin dhe këqyrjen fizike të këtyre personave.
 
Neni 123
Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale
 
1. Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale nga Policia kufizohet vetëm me ato të dhëna që janë të nevojshme për ndalimin e një rreziku real ndaj rendit e sigurisë publike, si dhe për parandalimin, zbulimin, ndjekjen dhe hetimin e veprave penale.
 
2. Për të realizuar mbledhjen e të dhënave, Policia mund të përdorë edhe bashkëpunimin e fshehtë me individë, regjistrimin me kamera në mjedise publike dhe private, vëzhgimin në mënyrë të fshehte të personave dhe mjediseve, si dhe pajisjet gjurmuese të vendndodhjes.
 
3. Të dhënat personale të mbledhura për qëllime policore ruhen në dosje përkatëse, të ndara nga dosjet administrative, të cilat u nënshtrohen dispozitave të përgjithshme të legjislacionit në fuqi.
 
4. Të dhënat personale të mbledhura për qëllime policore përdoren vetëm për atë qëllim, pa cenuar dispozitat në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
 
5. Të dhënat e ruajtura për qëllime policore evidentohen me një shenjë që tregon besueshmërinë dhe saktësinë e tyre. Për këtë qëllim, miratohet dhe zbatohet një sistem kodimi.
 
6. Ndalohet mbledhja e të dhënave të subjekteve të të dhënave vetëm për shkak se i përkasin një origjine ose etnie të caktuar, bindjeje të veçantë fetare, orientimi seksual ose bindjeje politike apo i përkasin një lëvizjeje ose organizate e cila nuk parashikohet me ligj.
 
7. Organet e administratës publike, personat fizikë dhe juridikë, janë të detyruar t’i paraqesin të dhënat identifikuese dhe informacionet e mbledhura në mënyrë të ligjshme, kur u kërkohet nga Policia, përjashtuar të dhënat, shpërndarja e të cilave është e ndaluar me ligj.
 
8. Gjatë përmbushjes së funksioneve të saj, Policia respekton të drejtat e subjekteve të të dhënave personale, të parashikuara në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, deri në masën që nuk cenohen përgjegjësitë e saj.
 
9. Të dhënat personale fshihen apo bëhen anonime, kur nuk janë më të nevojshme për qëllimin për të cilin janë mbledhur. Nevoja e vazhdimit të ruajtjes së çdo grupi të caktuar të dhënash personale do të vlerësohet në mënyrë periodike sipas legjislacionit përkatës.
 
Neni 124
Të drejtat e subjektit të të dhënave personale
 
1. Çdo person ka të drejtë pa pagesë të kërkojë me shkrim informacion për të dhënat personale, që përpunohen nga Policia.
 
2. Kërkesa refuzohet në rast se ky refuzim është i nevojshëm për të bërë të mundur që Policia të përmbushë detyrat e saj.
 
3. Çdo person ka të drejtë të kërkojë nga Policia korrigjimin apo fshirjen e të dhënave të pasakta në lidhje me të.
 
4. Në çdo rast, Policia i kthen përgjigje me shkrim subjektit brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune.
 
5. Rregullat, procedurat e pranimit, shqyrtimit e të kthimit të përgjigjes së kërkesës për informacion mbi të dhënat personale përcaktohen sipas legjislacionit përkatës.
 
Neni 125
Komunikimi i të dhënave personale te palët e treta
 
1. Komunikimi i të dhënave me agjencitë e tjera ligjzbatuese lejohet vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për raste të tjera, kur ekziston detyrim i qartë ligjor ose autorizimi që lejon komunikimin është i domosdoshëm për parandalimin e një rreziku serioz potencial apo kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij.
 
2. Të dhënat e komunikuara nuk do të përdoren për qëllime të tjera përveç atyre për të cilat ato janë marrë. Policia jep pëlqimin për përhapjen e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin përkatës.
 
Neni 126
Siguria dhe konfidencialiteti
 
1. Policia merr masa organizative dhe teknike për mbrojtjen e të dhënave personale nga shkatërrimi i jashtëligjshëm ose aksidental, aksesi ose përhapja te persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave kryhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër përpunimi të jashtëligjshëm.
 
2. Çdo person që ka akses në të dhënat personale të mbledhura, të ruajtura dhe të përpunuara nga Policia, gjatë ushtrimit të detyrës i nënshtrohet detyrimit të ruajtjes së konfidencialitetit edhe pas përfundimit të ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç kur parashikohet me ligj.
 
Neni 127
Transferimi ndërkombëtar i të dhënave
 
1. Transferimi ndërkombëtar i të dhënave bëhet duke respektuar parimet dhe rregullat, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
 
2. Transferimi i të dhënave tek autoritetet e huaja kufizohet vetëm për organet policore dhe është i lejueshëm vetëm nëse:
 
a) ekziston një dispozitë ligjore në legjislacionin kombëtar dhe në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë;
b) në mungesë të kësaj dispozite, transferimi është i nevojshëm për parandalimin, hetimin, zbulimin e veprave penale ose për zbatimin e ndëshkimeve penale dhe shteti marrës duhet të garantojë një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje për përpunimin e të dhënave personale;
c) në përjashtim nga rregulli i mësipërm, transferimi është i nevojshëm për parandalimin e një krimi.
 
3. Përshtatshmëria e nivelit të mbrojtjes, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij neni, vlerësohet nga Komisioneri i Mbrojtjes të të Dhënave Personale, në bazë të rrethanave në të cilat ndodhet procesi i transferimit të të dhënave.
 
Neni 128
Detyrimi i institucioneve shtetërore dhe private 
për dhënie informacioni
 
1. Institucionet shtetërore dhe subjektet private, që kanë apo krijojnë bazë të dhënash për identitet të shtetasve, të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të shtetasve apo subjekteve tregtare, për regjistrimin e automjeteve dhe lejeve të drejtimit, për subjektet tregtare dhe për eksportet apo importet e tyre, të identitetit të abonentëve telefonikë, identifikimin e pajisjes fundore dhe vendndodhjen etj, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, janë të detyruar t’i japin akses për njohjen dhe përpunimin e tyre nga punonjësit e policisë.
 
2. Drejtori i Policisë së Shtetit jep autorizimin për punonjësit e policisë për njohjen e përdorimin e të dhënave.
 
3. Punonjësi i policisë në njohjen dhe përdorimin e këtyre të dhënave respekton parimet dhe rregullat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave.
 
Neni 129
Bashkëpunimi i fshehtë me individë
 
1. Punonjësi i policisë detyrohet të pranojë dhe të vlerësojë çdo informacion që vjen nga persona dhe që lidhet me mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe/ose parandalimin dhe zbulimin e veprave penale.
 
2. Kur një person vendos marrëdhënie të fshehta bashkëpunimi me Policinë për të informuar për çështje që lidhen me mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe/ose për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprave penale, është i detyruar të ruajë sekretin e këtij bashkëpunimi dhe të informacioneve të klasifikuara, derisa të përfundojë detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit.
 
3. Punonjësi i policisë ka detyrimin të ruajë fshehtësinë e identitetit dhe të rrethanave të tjera për personin që bashkëpunon në mënyrë të fshehtë me Policinë.
 
4. Rregullat e bashkëpunimit përcaktohen nga ministri.
 
Neni 130
Masa të veçanta
 
1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:
 
a) Përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti;
b) Përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës;
c) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjislacionin përkatës.
 
2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.
 
3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
4. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të  prokurorit të Përgjithshëm, strukturat e Policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental.
 
5. Rregullat teknike për realizimin e vendimit të përgjimit ambiental procedural dhe parandalues, si dhe për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impianteve stacionare të përgjimit ambiental përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe prokurorit të Përgjithshëm.
 
Neni 131
Përpunimi i informacionit policor
 
1. Përpunimi i informacionit policor është procesi i grumbullimit, sistemimit, vlerësimit, analizimit, shpërndarjes dhe përdorimit të informacionit për nevoja të mbrojtjes së rendit e të sigurisë publike ose për nevoja të parandalimit e zbulimit të veprave penale.
 
2. Përpunimi i informacionit policor bazohet vetëm në të dhënat e marra në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
3. Rregullat konkrete për realizimin e përpunimit të informacionit policor prej strukturave përkatëse, si dhe masat për ruajtjen e të dhënave e për kontrollin e kësaj veprimtarie informative përcaktohen nga ministri.
 
Neni 132
Përdorimi i forcës
 
1. Punonjësi i policisë përdor forcën për të përmbushur detyrën vetëm kur kjo është e nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura.
 
2. Punonjësi i policisë përdor forcën në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
 
3. Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri.
 
4. Të dëmtuarit i jepet ndihmë, ku përfshihet edhe ajo mjekësore, pas përdorimit të forcës, në rast se kjo është e nevojshme dhe e mundur.
 
5. Punonjësi i policisë duhet të paralajmërojë se do të përdorë forcën para përdorimit të saj. Ky paralajmërim mund të mos kryhet nëse rrethanat nuk e lejojnë, veçanërisht kur përdorimi i menjëhershëm i forcës është i nevojshëm për të parandaluar një rrezik real dhe të çastit.
 
6. Grupe personash paralajmërohen sa më shpejt të jetë e mundur se do të përdoret forcë ose forma e forcës së përdorur do të ndryshohet, në mënyrë që pjesëmarrësit të lejohen të largohen.
 
Neni 133
Përdorimi i armëve të zjarrit
 
Punonjësi i policisë ka të drejtë të përdorë armën e zjarrit sipas legjislacionit për përdorimin e armëve të zjarrit.
 
Neni 134
Kryerja e operacioneve speciale
 
1. Për kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë, përdoren struktura speciale operacionale të Policisë.
 
2. Përgjegjësitë e këtyre strukturave janë:
 
a) çlirimi i pengjeve;
b) kapja e personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë dhe transportimi i tyre në mjediset e Policisë;
c) mbështetja e strukturave, të cilat sigurojnë personalitetet e larta shtetërore, të vendit ose të huaja, në rastet kur ka të dhëna për akte terroriste ndaj tyre;
ç)  rivendosja e rendit dhe e sigurisë publike, kur kjo është e pamundur vetëm me strukturat e tjera policore;
d) marrja në ruajtje e personave  të cilëve u kërcënohet jeta për shkak të detyrës.
 
3. Punonjësve të strukturave speciale operacionale u garantohet fshehtësia e identitetit për veprimtarinë operacionale.
 
4. Funksionimi i strukturave speciale operacionale, si dhe procedurat, rregullat dhe kriteret e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Policisë së Shtetit.
 
Neni 135
Rregullorja e Policisë
 
Rregullorja e Policisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
KREU XV
BURIMET FINANCIARE
 
Neni 136
Buxheti i policisë
 
1. Buxheti i Policisë së Shtetit është program i veçantë brenda buxhetit të ministrisë, të emërtuar “Policia e Shtetit”.
 
2. Drejtuesi i këtij programi është drejtori i Policisë së Shtetit  dhe buxheti  i këtij programi miratohet në ligjin vjetor të buxhetit.
 
3. Përgjegjësitë e drejtorit të Policisë së Shtetit si drejtues i programit buxhetor, si dhe të drejtuesve të njësive shpenzuese në përbërje të këtij programi për hartimin e zbatimin e buxhetit, menaxhimin financiar dhe kontrollin, ruajtjen e mbrojtjen e aktivëve në përdorim ushtrohen sipas legjislacionit financiar në fuqi.
 
Neni 137
Fondi i veçantë
 
1. Buxheti i Policisë ka një zë të veçantë për pagesën e personave për rastet e operacioneve të veçanta policore, për informatorët, burime të tjera dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.
 
2. Byroja Kombëtare e Hetimit ka një fond të saj për shpenzime të veçanta në buxhetin vjetor, të miratuar për programin “Policia e Shtetit”.
 
3. Fondi i veçantë administrohet nga drejtori i Policisë së Shtetit, në bazë të rregullave dhe kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
 
4. Fondi i veçantë për mbulimin e efekteve financiare të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, nuk mund të jetë më pak se 1 % e buxhetit vjetor të policisë.
 
Neni 138
Donacionet
 
Policia e Shtetit pranon donacione. Pranimi, administrimi dhe përdorimi i tyre bëhen në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi. 
 
KREU XVI
CERTIFIKATAT
 
Neni 139
Certifikata vlerësimi
 
Drejtori i  Policisë së Shtetit jep certifikata për punonjësit e policisë të dalluar në kryerjen e detyrave.
 
Neni 140
Llojet e certifikatave
 
1. Drejtori i Policisë së Shtetit jep këto certifikata:
 
a) Certifikatë për shërbime të dalluara.
b) Certifikatën e karrierës.
 
2. Motivimi, rregullat, kriteret dhe procedurat për dhënien e certifikatave përcaktohen në rregulloren e Policisë.
 
KREU XVII
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
 
Neni 141
Trajtimi i punonjësve të policisë
 
1. Trajtimi i punonjësve të policisë në karrierë, deri në miratimin e akteve nënligjore përkatëse, të parashikuara në këtë ligj, bëhet sipas dispozitave të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij.
 
2. Trajtimi ekonomiko – financiar i punonjësve të policisë, që ndërpresin karrierën me hyrjen në fuqi të këtij ligji, deri në miratimin e akteve nënligjore, bëhet sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
 
3. Punonjësi i policisë do të ruajë të njëjtën gradë që ka edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse funksionit, në të cilin është emëruar, i është caktuar një gradë më e ulët në zbatim të nenit 59, të këtij ligji, punonjësi i policisë do të mbajë këtë gradë më të lartë dhe do të trajtohet financiarisht sipas kësaj grade për një periudhë deri në 1 (një) vit.
 
4. Gjatë periudhës 1-vjeçare, funksioni i lirë që i korrespondon gradës që mban punonjësi nuk shpallet funksion i lirë për konkurrim dhe në këtë funksion emërohet punonjësi që ka gradë më të lartë se funksioni për shkak të zbatimit të këtij ligji.
 
5. Në përfundim të periudhës 1- vjeçare, nëse punonjësi i policisë nuk është i  emëruar në funksion në përputhje me gradën që mban, ai merr gradën korresponduese të funksionit. Nëse punonjësi nuk pranon të mbajë gradën korresponduese të funksionit, ai lirohet nga Policia.
 
6. Punonjësve të policisë që kanë gradën “Nëninspektor” dhe “Kryeinspektor”, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do t’u jepet grada policore “Inspektor”. Afati i qëndrimit në gradë për punonjësit me gradë “Kryeinspektor”, për efekt konkurrimi për fitimin e gradës “Nënkomisar”, fillon nga momenti që punonjësi ka marrë gradën “Kryeinspektor”.
 
7. Punonjësit që është në periudhë prove, pavarësisht nga marrja e gradës “Inspektor”, periudha e provës 2-vjeçare i fillon nga momenti që ka përfunduar arsimin policor.
 
8. Punonjësi i policisë, që ka ndërprerë marrëdhëniet e punës për t’u punësuar në strukturat operacionale me gradë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe është në marrëdhënie pune në këto struktura në monentin e hyerjes në fuqi të këtij ligji, ka të drejtë të rikthehet në Polici me të njëjtën gradë brenda një periudhe 3- vjeçare nga momenti i hyrjes në fuqi  të këtij ligji.
 
Neni 142
Trajtimi i punonjësve të Gardës së Republikës
 
1. Trajtimi ekonomiko-financiar i punonjësit të Gardës së Republikës, që ndërpret marrëdhëniet e punës për shkak të implementimit të këtij ligji dhe nuk emërohet në strukturat e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, bëhet sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
 
2. Punonjësi i Gardës së Republikës i punësuar në strukturën e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë emërohet në strukturat e tjera të Policisë vetëm nëse ka përfunduar arsimin policor përkatës, të përcaktuar në rregulloren e Policisë.
 
3. Kalimi nga sistemi i gradave të Gardës së Republikës, në sistemin e gradave të Policisë, si dhe tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
4. Punonjësi i strukturës së ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, që, për shkak të implementimit të këtij ligji, ka gradë të konvertuar më të lartë se ajo që ka funksioni ku do të emërohet, do të mbajë gradën dhe do të trajtohet financiarisht për një periudhë deri në 1 (një) vit.
 
5. Në përfundim të periudhës 1-vjeçare, nëse punonjësi nuk emërohet në funksion me gradë të njëjtë, ai lirohet nga Policia.
 
Neni 143
Nxjerrja dhe miratimi i akteve nënligjore
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 14, pika 2; 18, pika 6; 21, pika 2; 39, pika 4; 59, pika 1; 60, 63 pika 4; 64, pika 3; 65, pika 3; 66, pika 2; 68, pika 2; 75, shkronja “ç”; 81, pika 2; 97, 98, pika 1; 100, pika 1; 101, 136, 142, pika 3, dhe 143, pika 3.
 
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 18, pika 7; 26, pika 4, dhe 130, pika 4.
 
3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe ministri të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e tij.
 
Neni 144
Shfuqizimi i akteve
 
Ligji nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, ligji nr.8869,  datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës”, i ndryshuar, ligji nr.31/2014, “Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”, si dhe dispozita të tjera ligjore e nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Policisë, por që bien ndesh me këtë ligj, shfuqizohen.
 
Neni 145
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E T A R I 
 
ILIR META
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ZHVILLIMIN DHE PJESËMARRJEN E FORCAVE USHTARAKE TË BRITANISË SË MADHE DHE NJË NJËSIE DETARE GJERMANE NË STËRVITJEN 
E PËRBASHKËTDETARE “ALBANIAN LION 2014””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Britanisë së Madhe dhe një njësie detare gjermane në stërvitjen e përbashkëtdetare “Albanian Lion 2014””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I G J
 
PËR
 
ZHVILLIMIN DHE PJESËMARRJEN E FORCAVE USHTARAKE TË BRITANISË SË MADHE DHE NJË NJËSIE DETARE GJERMANE NË STËRVITJEN E PËRBASHKËTDETARE “ALBANIAN LION 2014”
 
Në mbështetje të neneve 12, pika 3, 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Britanisë së Madhe dhe një njësie detare gjermane në stërvitjen e përbashkët detare “Albanian Lion 2014”, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.
 
Neni 2
 
Lejimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të 1500 (njëmijë e pesëqind) trupave ushtarakë të Britanisë së Madhe dhe të një njësie detare gjermane.
 
Neni 3
 
Qëllimi i kësaj stërvitjeje është planëzimi dhe realizimi i operacioneve të zbarkimit nga deti, operacionet e kërkim – shpëtimit dhe ato të evakuimit të personelit civil nga zonat e operacionit.
 
 
Neni 4
 
Stërvitja “Albanian Lion 2014” zhvillohet në periudhën 1 shtator – 31 tetor 2014, në bazën detare Pashaliman, bazën e Porto – Palermos, gadishullin e Karaburunit, kepin e Palit, bazat ajrore të Kuçovës dhe Rinasit, poligonet e qitjes në rajonet stërvitore Zall – Herr, Poshnjë, Bizë, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone. 
 
Neni 5
 
Në këtë stërvitje angazhohen 1500 (njëmijë e pesëqind) trupa ushtarakë të Britanisë së Madhe, një njësi detare gjermane që do të jetë pjesë e forcave britanike, 4 anije zbarkuese (3 anije britanike dhe 1 anije gjermane), mjete ushtarake që do të vijnë të imbarkuara në anije, 2 avionë ushtarakë “Hawk Jet”, 4 helikopterë transporti (2 helikopterë “Sea King” dhe 2 helikopterë “Chinook”), të cilët do të kryejnë lëvizje në rajonin e përcaktuar të stërvitjes, sipas nenit 4, të këtij projektligji. 
 
Neni 6
 
Trupat britanike dhe gjermane, gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave të tyre, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009.
 
Neni 7
 
Gjatë hyrjes, qëndrimit e daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë trupat britanike dhe gjermane të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. 
 
Neni 8
 
Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Financave dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij ligji.
 
Neni 9
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR  META
 
***
 
V E N D I M
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR AKREDITIMIN E ORGANEVE TË VLERËSIMIT TË KONFORMITETIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
#
 
P R O J E K T L I G J
 
PËR
 
AKREDITIMIN E ORGANEVE TË VLERËSIMIT TË KONFORMITETIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Qëllimi
 
Ky ligj përcakton rregulla për krijimin, organizimin dhe funksionimin e sistemit të akreditimit të organeve të vlerësimit të konformitetit që kryejnë aktivitetetë vlerësimit të konformitetit. 
 
Neni 2
Fusha e zbatimit
 
Ky ligj zbatohet në çdo rast akreditimi, pavarësisht nëse organi i vlerësimit të konformitetit kryen aktivitet të vlerësimit të konformitetit në fushën vullnetare apo të detyrueshme dhe pavarësisht nëse vlerësimi është i detyrueshëm apo vullnetar. 
 
Neni 3 
Përkufizime
 
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: 
 
1. “Akreditim”, dëshmia/certifikata e lëshuar nga organizmi kombëtar i akreditimit për organin e vlerësimit të konformitetit, që përmbush kërkesat e përcaktuara në standardet e harmonizuara dhe, sipas rastit, çdo kërkesë shtesë, përfshirë ato të vendosura në skemat përkatëse sektoriale, për kryerjen e një veprimtarie specifike të vlerësimit të konformitetit.
 
2. “Organizëm kombëtar i akreditimit”, organizmi i vetëm që kryen akreditimin me autoritetin e dhënë nga ligji.
 
3. “Certifikatë akreditimi”, një dokument ose një tërësi dokumentesh zyrtare, që deklarojnë akreditimin për një fushë të përcaktuar.
 
4. “Simbol i akreditimit”, simboli i miratuar nga organizmi kombëtar i akreditimit, i cili përdoret nga organet e vlerësimit të konformitetit të akredituar për të treguar statusin e akreditimit të tyre, sipas rregullave të vendosura nga organizmi kombëtar i akreditimit. 
 
5. “Vlerësim konformiteti”, procesi që provon nëse janë përmbushur kërkesat e specifikuara për një produkt, proces, shërbim, sistem, person ose organ.
 
6. “Organ i vlerësimit të konformitetit”, çdo organ që kryen veprimtari të vlerësimit të konformitetit, përfshirë kalibrimin, testimin, certifikimin dhe inspektimin. 
 
7. “Mbikëqyrje”, tërësia e veprimtarive, me përjashtim të rivlerësimit, për të kontrolluar plotësimin e vazhdueshëm të kërkesave të akreditimit nga organi i vlerësimit të konformitetit, i akredituar.
 
8. “Reduktim i akreditimit”, procesi i tërheqjes së akreditimit për një pjesë të fushës së tij.
 
9. “Pezullim i akreditimit”, procesi i deklarimit të pavlefshmërisë së përkohshme të akreditimit për një pjesë ose për të gjithë fushën e tij.
 
10. “Tërheqje e akreditimit”, procesi i ndalimit të vlefshmërisë së akreditimit për të gjithë fushën e tij.
 
11. “Zgjerim i akreditimit”, procesi i shtimit të numrit të shërbimeve të akredituara ose të fushës së akreditimit.
 
12. “Apelim”, kërkesa e një organi të vlerësimit të konformitetit drejtuar organizmit kombëtar të akreditimit për rishikimin e vendimit për akreditimin e tij, të pafavorshëm për të, të marrë nga ky organizëm.
 
13. “Ankesë”, shprehja e pakënaqësisë, e ndryshme nga apelimi, nga një person ose organizatë, tek organizmi kombëtar i akreditimit për veprimtaritë e këtij organizmi apo të organit të vlerësimit të konformitetit, të akredituar, për të cilën pritet një përgjigje.
 
14. “Konsulencë”, pjesëmarrja në një nga aktivitetet e organeve të vlerësimit të konformitetit që janë objekt i akreditimit.
 
15. “Vlerësim i ndërsjellë”, procesi i vlerësimit të një organizmi kombëtar të akreditimit nga organizma të tjerë kombëtarë të akreditimit, që kryhet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj dhe, sipas rastit, edhe me specifikimet teknike sektoriale.
 
16. “Ministria” është ministria përgjegjëse për çështjet e tregtisë.  
 
 
KREU II
ORGANIZIMI
 
Neni 4
Parime të përgjithshme
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është i vetmi organizëm kombëtar që kryen akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit. 
 
2. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është institucion buxhetor  që varet nga ministria përgjegjëse për çështjet e tregtisë.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit kryen veprimtarinë e saj mbi baza jofitimprurëse. 
 
4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit nuk kryen aktivitete ose shërbime që kryhen nga organet e vlerësimit të konformitetit. Ajo nuk ofron shërbime të konsulencës, nuk mund të ketë aksione ose interesa financiarë apo drejtimi në ndonjë organ të vlerësimit të konformitetit. 
 
5. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili është nëpunës civil dhe ka autoritetin e përgjegjësinë për marrjen e vendimit për akreditimin. Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me ligjin nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”. Për punonjësit administrativë, marrëdhëniet e punës rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
 
6. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit siguron paanshmëri dhe objektivitet në marrjen e vendimit për akreditimin. Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit miratohet me urdhër të Kryeministrit. 
 
7. Ministria mbështet Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në anëtarësimin e saj në strukturat e Organizatës Evropiane për Akreditimin dhe në organizmat ndërkombëtarë të akreditimit.
 
8. Organizimi dhe mënyra e funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 
 
Neni 5
Procesi i akreditimit
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit akrediton:
 
a) laboratorë testues, mjekësorë dhe kalibrues;
b) organe certifikuese të sistemeve të menaxhimit;
c) organe certifikuese të personelit;
ç) organe certifikuese të produkteve;
d) organe inspektuese;
dh) organe që realizojnë teste zotësie dhe krahasime ndërlaboratorike;
e) organe që prodhojnë materiale referuese të certifikuara.
 
2. Akreditimi për çdo fushë të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet kundrejt tarifave të akreditimit të paguara nga organi i vlerësimit të komformitetit. Llojet, masa dhe mënyra e pagesës së tarifave për çdo fushë akreditimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit kryen trajnime për palët e treta, kundrejt tarifave përkatëse. Llojet, masa dhe mënyra e pagesës së këtyre tarifave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit vlerëson nëse një organ i vlerësimit të konformitetit është kompetent për të kryer aktivitete specifike të vlerësimit të konformitetit dhe lëshon një certifikatë akreditimi për ta zyrtarizuar këtë.
 
5. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit mbikëqyr çdo organ të vlerësimit të konformitetit të cilit i ka lëshuar certifikatë akreditimi.
 
6. Për vlerësimin/mbikëqyrjen e kompetencës teknike të organeve të vlerësimit të konformitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit krijon një grup me specialistë vlerësues të institucionit dhe/ose të jashtëm, vendas apo të huaj, të cilët veprojnë gjithmonë në emër të këtij institucioni. 
 
7. Shpenzimet e akreditimit, kur vlerësuesi teknik është i huaj, përfshijnë:
 
a) pagesën e vlerësuesit, sipas tarifave të vendit të origjinës, por, gjithmonë, në marrëveshje me organin e vlerësimit të konformitetit që ka aplikuar për akreditim; 
b) shpenzimet e akomodimit (fjetje, ushqim) dhe transport; 
c) si dhe çdo tarifë tjetër të procesit të akreditimit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
8. Kur vlerësimi teknik bëhet nga vlerësues vendas, tarifa e akreditimit përfshin tarifat e përcaktuara sipas pikës 2, të këtij neni. Masa e pagesës së vlerësuesve vendas që nuk janë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
9. Pagesat e vlerësuesve teknikë, të huaj dhe atyre vendas, që nuk janë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, nga të ardhurat, sipas pikës 2 të nenit 13, të këtij ligji.
 
10. Në rast se Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit konstaton që një organ i vlerësimit të konformitetit nuk është më kompetent për të kryer një veprimtari të veçantë të vlerësimit të konformitetit ose kur ai ka një shmangie serioze nga detyrimet e tij, ajo merr masat e duhura brenda një kohe të arsyeshme për të reduktuar, pezulluar ose tërhequr certifikatën e tij. 
 
Procedurat e reduktimit, pezullimit ose tërheqjes së akreditimit miratohen nga drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit dhe bëhen publike.
 
11. Procedurat për trajtimin e apelimeve përcaktohen me udhëzim   të ministrit përgjegjës për tregtinë dhe bëhen publike.  
 
Neni 6
Përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit
 
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ka këto përgjegjësi:
 
a) Përfaqëson Republikën e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë dhe evropianë të akreditimit;
b) Bashkëpunon me organizmat kombëtarë të akreditimit në vendet e tjera për arritjen e marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë, rajonale ose ndërkombëtare, apo për të arritur marrëveshje dypalëshe;
c) Këshillon administratën shtetërore për çështje që lidhen me akreditimin dhe vlerësime të tjera të kompetencës teknike, për kryerjen e procedurave të vlerësimit të përputhjes me standardet dhe rregullat teknike;
ç) Mban, përditëson dhe jep të dhëna për statusin e akreditimit të organeve të akredituara;
d) Bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara për çështjet e akreditimit;
dh) Kryen trajnime për fushën e akreditimit;
e) Merr të dhëna nga organizmat akreditues të vendeve të tjera për organet e akredituara prej tyre, të cilët kryejnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë;
ë) U vendos gjoba subjekteve të paakredituara apo atyre  që u ka mbaruar akreditimi, në rastet kur ato përdorin simbolin e akreditimit;
f) Trajton ankesat dhe apelimet për akreditimin, të dërguara në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit;
g) Mbështet autoritetet miratuese në procedurat e miratimit dhe mbikëqyrjes së degëve të organeve evropiane që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kreun V, të ligjit nr.10489/2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”. 
 
Neni  7
Parimet e jokonkurrueshmërisë
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit nuk konkurron me organet e vlerësimit të konformitetit.
 
2. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit nuk konkurron me organizmat kombëtarë të akreditimit në vendet e tjera.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ofron shërbimin e akreditimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duke respektuar parimet e Organizatës Evropiane për Akreditimin për marrëdhëniet ndërkufitare midis organizmave akreditues.
 
4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit operon jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me kërkesën e një organi vlerësimi konformiteti që është në rrethana të njëjta me një organ vlerësimi konformiteti shqiptar, referuar pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji, ose me kërkesën e një organizmi akreditues të huaj.  
 
Kur Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit merr një kërkesë për akreditim nga një organ vlerësimi konformiteti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ajo informon organizmin kombëtar të akreditimit të vendit ku është vendosur organi i vlerësimit të konformitetit. Në të tilla raste, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit fton organizmin akreditues të vendit përkatës të marrë pjesë si vëzhgues në procedurën e vlerësimit. 
 
Neni 8
Marrëdhëniet ndërkufitare midis organizmave akreditues
 
1. Një organ i vlerësimit të konformitetit i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë mund të kërkojë akreditim në një organizëm akreditues të huaj në rastet kur:
 
a) Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitnuk ofron akreditim për fushën ku organi i vlerësimit të konformitetit dëshiron të akreditohet;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitnuk ka kryer vlerësim të ndërsjellë ose nuk ka nënshkruar marrëveshje të njohjes së ndërsjellë, në fushën ku organi i vlerësimit të konformitetit kërkon të akreditohet.
 
2. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitmund të kërkojë një organizëm akreditues të huaj të kryejë një pjesë të vlerësimit në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit. Cerifikata e akreditimit lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. 
 
KREU III
KRITERET PËR ORGANIZMIN KOMBËTAR TË AKREDITIMIT
 
Neni 9
Kërkesat për organizmin kombëtar të akreditimit
 
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:
 
1. Organizimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimitsiguron pavarësinë nga organet e vlerësimit të konformitetit.
 
2. Çdo vendim në lidhje me akreditimin merret duke ruajtur parimin e kompetencës profesionale.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitsiguron që çdo vendim në lidhje me akreditimin është marrë nga persona kompetentë të ndryshëm nga ata që kryejnë vlerësimin.
 
4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitka marrëveshje të përshtatshme për të mbrojtur konfidencialitetin e informacionit të marrë.
 
5. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitorganizohet dhe vepron në mënyrë që të mbrojë objektivitetin dhe paanshmërinë e aktiviteteve të saj.
 
6. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitidentifikon aktivitetet e vlerësimit të konformitetit për të cilat është kompetente për të ofruar akreditimin, sipas legjislacionit dhe standardeve përkatëse të Komunitetit Evropian ose atyre kombëtare.
 
7. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitkrijon procedurat e nevojshme për të siguruar menaxhim efikas dhe kontrollet e duhura të brendshme.
 
8. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitka në dispozicion një numër personeli, kompetent dhe të mjaftueshëm, për kryerjen në nivelin e duhur të detyrave të saj.
 
9. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitkrijon, zbaton dhe mban procedurat për monitorimin e performancës dhe kompetencës së personelit të përfshirë në procesin e akreditimit.
 
10. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitpërcakton detyrat, përgjegjësitë dhe autoritetet e personelit, që mund të ndikojnë në cilësinë e vlerësimit dhe njohjes së kompetencës.
 
11. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitverifikon që vlerësimet e konformitetit kryhen në mënyrën e duhur, pavarësisht nga madhësia e një organi të vlerësimit të konformitetit, sektori në të cilin ai vepron, struktura e tij, shkalla e kompleksitetit të teknologjisë të produktit apo natyra e procesit të prodhimit.
 
12. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimitpublikon llogaritë e shpenzimeve vjetore dhe tëardhurat.
 
13. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit krijohet bordi i akreditimit, i cili ka këto detyra kryesore:
 
a) Merr pjesë në hartimin estrategjisë së zhvillimit të akreditimit, që është pjesë e strategjisë kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) Përcakton objektivat kryesorë të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit; 
c) Analizon përmbushjen e detyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit,  në zbatim të programit të saj të punës;
ç) Trajton ankesat dhe apelimet në lidhje me akreditimin. 
 
14. Bordi ka 16 anëtarë, përfaqësimi i tyre është i balancuar dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara. 
 
Bordi i Akreditimit përbëhet nga:
 
§ 6 (gjashtë) përfaqësues, nga ministria përgjegjëse për ekonominë e tregtinë, bujqësinë, ushqimin, çështjet e mjedisit, ndërtimin, sigurinë e shëndetit dhe të jetës në punë; 
§ 2 (dy) përfaqësues nga shoqatat profesionale të laboratorëve testues dhe kalibrues;
§ 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve; 
§ 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë; 
§ 2 (dy) përfaqësues nga organizatat e biznesit;
§ 2 (dy) përfaqësues nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve; 
§ 2 (dy) përfaqësues nga institucionet shkencore. 
 
Bordi i Akreditimit funksionon në bazë të rregullores, që miratohet nga ministri përgjegjës për çështjet e tregtisë. Në rregullore përcaktohen edhe kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve, si dhe mënyra e organizimit të bordit. Masa e shpërblimit për anëtarët e bordit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Përbërja nominative e anëtarëve të bordit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për tregtinë. 
 
15. Për nevojat e veta, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit mund të krijojë grupe teknike pune të përhershme apo ad-hoc të përbëra nga specialistë të fushave të caktuara, të cilët hartojnë kërkesat e veçanta për akreditimin në fushën përkatëse. 
 
Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojnë specialistët për anëtarë të grupeve teknike të punës përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për tregtinë. Masa e shpërblimit të anëtarëve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. 
 
Përzgjedhja e anëtarëve dhe ngritja e grupeve teknike bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, mbështetur në nevojat konkrete. 
 
Neni 10
Përputhshmëria me kërkesat për organizmat kombëtarë të akreditimit
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ndërton, vë në funksionim dhe mirëmban sistemin e menaxhimit të cilësisë së saj në përputhje me legjislacionin në fuqi, standardet ndërkombëtare dhe dokumentet e organizatave evropiane e ndërkombëtare të akreditimit.Ajo demonstron përputhshmërinë me kërkesat e përcaktuara në standardet përkatëse të harmonizuara nëpërmjet rezultateve pozitive nga vlerësimet e ndërsjella.
 
2. Ministria siguron që Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimittë ketë burime të përshtatshme financiare dhe personeli për kryerjen e saktë të detyrave të saj, duke përfshirë edhe plotësimin e detyrave të veçanta, si veprimtari për akreditimin evropian e ndërkombëtar dhe veprimtari që kërkohen për të mbështur politika publike të cilat nuk janë të vetëfinancueshme.
 
3. Ministria kontrollon veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit për të siguruar përmbushjen në mënyrë të vazhdueshme të kërkesave të referuara në nenin 9, të këtij ligji. Në rastet kur vlerëson se kjo veprimtari nuk përputhet me këto kërkesa, ajo merr masa korrigjuese. 
 
4. Për vlerësimin e rezultatit të kontrollit, të përmendur në pikën 3, të këtij neni, ministria mbështetet maksimalishtnërezultatet e vlerësimit të kryer nga Organizata Evropiane për Akreditimin. 
 
5. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, nëpërmjet bordit,trajton ankesat kundër organeve të vlerësimit të konformitetit, që ajo ka akredituar. 
 
Neni 11
Vlerësimi i ndërsjellë
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimiti nënshtrohet vlerësimit të ndërsjellë, siç përcaktohet nga Organizata Evropiane për Akreditimin.
 
2. Ministria siguron kryerjen e vlerësimeve të ndërsjella apo në mënyrë periodike në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit. Palët e interesuara kanë të drejtë të marrin pjesë në fazën e plotësimit të kërkesave të Organizatës Evropiane për Akreditimin nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, por nuk marrin pjesë në procesin direkt të vlerësimit të ndërsjellë të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit njeh barasvlerën e shërbimeve të kryera nga organizma kombëtarë të akreditimit të vendeve të tjera, të cilët kanë rezultate pozitive në vlerësimet e ndërsjella.
 
4. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit informon të gjithë organizmat kombëtarë të akreditimit të vendeve të tjera në lidhje me aktivitetet e vlerësimit të konformitetit që ajo akrediton dhe ndryshimet në to.
 
5. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit informon në lidhje me rezultatet e vlerësimeve të ndërsjella për aktivitetet e vlerësimit të konformitetit të cilat ajo akrediton. 
 
Neni 12
Prezumimi i konformitetit për organizmat kombëtarë të akreditimit dhe detyrimet e informimit  
 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit prezumohet se plotëson kërkesat e përcaktuara në nenin 9, të këtij ligji, kur ajo demonstron përputhshmërinë me standardet e harmonizuara shqiptare përkatëse dhe kur ka kaluar me sukses vlerësimin e ndërsjellë, të organizuar ngaOrganizata Evropiane për Akreditimin. 
 
2. Autoritetet kombëtare njohin barasvlerën e shërbimeve të ofruara nga organizmat akreditues të cilat kanë kaluar me sukses vlerësimin  e ndërsjellë, sipas nenit 11, dhe pranojnë në bazë të prezumimit të përmendur në pikën 1, të këtij neni, certifikatat e akreditimit dhe dëshmitë të lëshuara prej tyre.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit informon organizmat e tjerë kombëtarë të akreditimit në lidhje me akreditimin e aktiviteteve të vlerësimit të konformitetit me të cilat ajo operon dhe çdo ndryshim të tyre.
 
Neni 13
Të ardhurat
 
1. Të ardhurat e krijuara nga aktiviteti i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit derdhen në buxhetin e shtetit. 
 
2. Të ardhurat e krijuara sipas pikave 7 dhe 8, të nenit 5, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit për pagesën e vlerësuesve teknikë vendas që nuk janë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, apo vlerësuesve teknikë të huaj, si dhe për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit e transportit të vlerësuesve teknikë të huaj.
 
KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
 
Neni 14
Kundërvajtjet
 
Përdorimi i simbolit të akreditimit nga subjekte të paakredituara apo që u ka mbaruar afati i akreditimit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë. Gjobat vendosen nga punonjësi i autorizuar i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit. Të ardhurat e mbledhura nga gjobat derdhen në buxhetin e shtetit. 
 
Neni 15
Ankimi administrativ
 
1. Ankimi kundër vendimit të dënimit administrativ mund të bëhet, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja etij,te drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, i cili duhet të përgjigjet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e ankimit.
 
2. Kundër vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit ose kur ai nuk përgjigjet ndaj ankimit të depozituar, mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
 
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
 
Neni 16
Aktet nënligjore
 
1.Këshilli i Ministrave miraton, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore të parashikuara në pikën 8, të nenit 4, në pikat 2, 3 dhe 8, të nenit 5, dhe në pikat 14 e 15, të nenit 9.
 
2. Ministri përgjegjës për tregtinë nxjerr aktet nënligjore të parashikuara në pikën 11, të nenit 5, dhe në pikat 14 e 15, të nenit 9.
 
Neni 17
Dispozitë kalimtare
 
Certifikatat e lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji mbeten të vlefshme deri në përfundimin e rregullt të afatit të përcaktuar në to.
 
Neni 18
Shfuqizime
 
Ligji nr.9824, datë 1.11.2007, “Për akreditimin e organizmave të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, si dhe aktet nënligjorë që bien ndesh me të, shfuqizohen.
 
Neni 19
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.