Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar me rastin e vënies në funksionim të hidrocentralit të Banjës dhe inaugurimin e rrugës që lidh Banjën me Gramshin:

 

Është një nga ato momente që krijojnë shpresë dhe optimizëm të bazuar tek e ardhmja.

Është një moment historik për të gjithë këtë zonë, e cila sot ndjehet e çliruar nga makthi i izolimit.

Nga sot, nis një rrugë të re drejt së ardhmes për t’u bërë në vitet që vijnë një nga zonat më të vizituara të vendit tonë për potencialin e vet natyror dhe turistik, deri më sot vetëm një ëndërr që i ngjante një iluzioni.

Ky moment është rezultat i një bashkëpunimi shembullor mes qeverisë shqiptare dhe njërës prej kompanive më të shquara në botë në sektorin e zhvillimit energjetik.

“Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm tërësor pa zhvillim të qëndrueshëm energjetik’, – thoshte një politikane e shquar suedeze Margot Ëallström. Ndjesë, nuk gjeta një citim më të përshtatshëm nga një politikane norvegjeze.

Hidrocentrali i Banjës është vepra e parë e përfunduar në projektin e madh hidroenergjetik të kaskadës së Devollit. Deri këtu u punësuan rreth 2 mijë punonjës dhe kapaciteti i rezervuarit të këtij hidrocentali ka një volum total prej 400 miliardë litra ujë, në një sipërfaqe prej 14 kilometra katrorë, e meqë jemi një vend shumë i lidhur me futbollit, sipërfaqja e barabartë me 2 mijë fusha futbolli.

Në përfundim, projekti do të ketë një kapacitet të instaluar që rrit me 17% kapacitetin e përgjithshëm të prodhimit energjetik të vendit. Por, për ne mbetet shumë e rëndësishme që realizmi i kësaj vepre ka lidhur organikisht të gjitha njësitë administrative dhe fshatrat përgjatë rrugës së re drejt Gramshit. Kjo vepër është një shembull fantastik, se si nga një anë interesi privat prodhon energji dhe përfitim, e nga ana tjetër një komunitet i tërë përfiton një cilësi të re jete.

Vetëm në këtë zonë janë ndërtuar dhe janë drejt përfundimit afro 100 kilometra rrugë të reja. E theksoj këtë për të gjithë ata që dëgjojnë lajtmotivin që “në këto 3 vjet s’është bërë asnjë rrugë e re”. Vetëm në këtë zonë, janë 100 kilometra rrugë të reja, për saktësi 97 kilometra dhe 14 ura, ndër të cilat, ura më e gjatë sot në Shqipëri 520 metra, e cila është një vepër vërtet e shkëlqyer inxhinierike, por dhe një urë që ofron një pamje fantastike të liqenit të ri.

Kemi bërë një diskutim të gjatë mbrëmë me miqtë e Statkraft-it lidhur me të ardhmen dhe një nga pikat e diskutimit ka qenë që liqeni ka nevojë për një emër. Debati është a duhet të quhet liqeni i Norvegjisë, apo duhet të quhet liqeni i Devollit. Por këtë mbetet ta zgjidhin autoritetet vendore.

Kjo vepër ka pasur një impakt social të drejtpërdrejtë, tërësor, por dhe konkret për shpërnguljen e familjeve që jetonin në shtëpi, të cilat sot i kanë të reja dhe me standarde shumë më të mira, për ndërtimin e një shkolle te re dhe për fillimin e një procesi transformimi rrënjësor të mjedisit, në këtë zonë.

Rehabilitohen 250 hektarë pyje dhe çelet një mundësi e re peshkimi në zonë. Disiplinohen përfundimisht ujërat e lumit të Devollit dhe evitohen njëherë e përgjithmonë përmbytjet kronike të zonës dhe krijohen mundësi të reja për vaditje deri në fushat e Myzeqesë.

Dy ujësjellës të rinj, secili 10 km për bashkinë e Gramshit dhe për bashkinë e Cërrikut dhe ndërtimi i rrugës, që tanimë e ka lidhur Gramshin me pjesën tjetër të botës, duke filluar nga lidhja me Tiranën që sot është më pak se 90 minuta. Ndërkohë që deri dje për të ardhur në Gramsh nuk duheshin vetëm, të paktën tre ore, por duhej dhe një gjendje optimale e shtyllës kurrizore, -gjë që shënon një transformim të garantuar nga mirëkuptimi që ne gjetëm me kompaninë. Të mos harrojmë që trashëguam një kontratë të nënshkruar dhe një situatë sociale eksplozive që ishte një kërcënim real për mbarëvajtjen e investimit dhe nga ana tjetër, një pikëpyetje të madhe mbi këtë situatë, duke filluar nga rruga.

Bëmë të mundur falë fleksibilitetit, siç u tha këtu më parë nga parafolësit, që tregoi kompania, e cila është një shembull rrezatues i përgjegjshmërisë sociale që me kontributin e përbashkët të qeverisë dhe të kompanisë, duke negociuar, – dhe në këtë pikë ka qënë fat që ministri i energjisë ishte edhe deputet i zonës, – pasi negocionte edhe të ardhmen e tij në marrëdhëniet me zonën duke pasur të qartë që nëse s’do zgjidhte problemin e rrugës këtu, nuk do mund të kthehej dot më dhe ndërkohë ne do përballeshim me një situatë shumë të rëndësishme nga pikëpamja sociale. Por ishte përgjegjshmëria sociale e kompanisë dhe këmbëngulja e ministrit që bënë të mundur që ne ta zgjidhim në një kohe relativisht ë shkurtër, siç e tha dhe miku ynë, moderuesi i këtij aktiviteti kaq të këndshëm, brenda vitit 2014 u deshën disa negociata dhe të jemi këtu sot, praktikisht të gjithë të gëzuar.

Është e gëzuar kompania, është i gëzuar komuniteti që kjo punë e mbarë solli përfitim për të gjithë dhe jo si për fat të keq, jemi mësuar të shohim rëndom në shumë vite dhe të vazhdojmë të përballemi me plagë të hapura ndër vite, që përfiton njëri dhe humbin shumë të tjerë.

Sfida mbetet e hapur pasi, siç e nënvizoi edhe drejtuesi i nderuar edhe miku ynë i kësaj kompanie duhet më patjetër të shkojmë përpara, në zbatimin e reformës në sektorin elektroenergjitik.

Reforma filloi me disiplinimin e marrëdhënieve mes konsumatorëve të energjisë dhe kompanisë të shpërndarjes, por reforma është larg të qenit e përfunduar, pasi ajo në fakt synon një treg të lirë energjie për të bërë të mundur edhe atë që nënvizoi drejtuesi i Statkraft, që nga prodhimi i kësaj vepre, i këtij kompleksi hidroenergjetik apo i hidrocentraleve të tjera, të përfitojë drejtpërdrejtë konsumatori shqiptar, jo në mënyrë indirekte, por energjia të mos shkojë e gjitha për eksport.

Për këtë, paralelisht falë edhe ndihmës së vyer të Statkraft-it dhe mbështetjes shumë të çmuar të qeverisë norvegjeze, ne jemi angazhuar në njërën prej kompanive më të mëdha globale, të kompanisë norvegjeze NORDPOOL për krijimin e bursës energjetike dhe për integrimin e plotë të tregut të energjisë, nga një treg tërësisht i mbyllur, problematik, një farë xhungle ku ligjin e bënte më i forti dhe jo më i miri, në një treg rajonal.

E ardhmja është shumë premtuese për Shqipërinë dhe për shqiptarët sepse zotërojmë një pasuri të madhe, potencialin tonë hidroenergjetik. Por që e ardhmja nga premtuese të bëhet një realitet ekonomik dhe social i transformuar falë shfrytëzimit të këtij potenciali dhe që shqiptarët të jenë bashkëpronarë të kësaj pasurie të madhe, na duhet me patjetër që të krijojmë dhe të jemi aktorë në tregun rajonal, çka e bën sektorin e energjisë  në Shqipëri, një aset prej të cilit  mund të përfitojë e gjithë shoqëria. Por në fund ky investim ka pasur dhe një vlerë të jashtëzakonshme nga pikëpamja e kulturës dhe dijes.

Nuk është vetëm një kompleks hidroenergjetik, por është një shkollë për specialistët vendas që sot janë të kualifikuar dhe të integruar në administrimin e kësaj vepre që është edhe zëri i fundit i teknologjisë bashkëkohore.

Përpara se të vinim këtu, takuam disa djem, të cilët deri dje ishin të papunë dhe sot janë specialistë të kualifikuar që marrin pjesë në administrimin e veprës. Është një nga ato vepra që mund të thuhet me plotë gojën shënon mishërimin e një investimi të suksesshëm që siç e thoshte John Keynes do të thotë t’u paraprish atyre që paraprijnë.

Mirënjohje për gjitha ata që kontribuuan për realizimin e kësaj vepre. Me padurim presim realizimin e pjesës tjetër të veprës, ndërkohë që nga sot kjo vepër fillon të prodhojë energji 100 % të pastër.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.