Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

 

Më bëri përshtypje gjithë ligjërata e parafolëses lidhur me investimet e huaja dhe gjithë recitimi i lotëve të krokodilit lidhur me sipërmarrësin që u bë lajmi i ditëve të fundit, për shkak të dhunës së ushtruar mbi të.

Së pari, investimet e huaja, sipas bilancit të pagesave, në tremujorin e dytë janë 261 milionë euro, që do të thotë tre mujori më i lartë i tre viteve të fundit, nga pikëpamja e parasë së injektuar drejtpërdrejtë në ekonomi falë investimeve të huaja. Por kështu është kur as lexon dhe as kupton. Sali, koha jote ka vdekur. Lërë kohën tënde tani, se sa herë merr fjalën, do të na çosh për vizitë në varrezën e kujtimeve të tua. Ato kujtime mbaji dhe thuaja vetes përpara pasqyrës, ndërkohe që sot, përpara pasqyrës, sipërmarrësi që u largua mund të shikojë plagët e sistemit që ngrite ti.

E vërteta është që sipërmarrësi ka ardhur në zyrën time, pasi ne kemi marrë detyrën dhe më ka parashtruar nga a-ja tek zh-ja, të gjithë kalvarin e zvarritjeve dhe tmerreve të vite e viteve të tëra, kur nuk merrte dot zgjidhje për probleme që ishin thjesht e vetëm të natyrës administrative. Sikundër ai vete e ka nënvizuar në deklaratën e bërë, qeveria jonë ia ka zgjidhur një më një të gjitha problemet. Pas zgjidhjes së gjithë problemeve administrative, papritur e pakujtuar del dhe jep “dajak” një gjykatëse, e cila kthen në mënyrën më abuzive dhe të paimagjinueshme, pronë brenda zonës së investimit  dhe e kthen pronën në korrik të këtij viti, që bëhet shkaku i shpërthimit të konfliktit.

Atë goditje, ata që ia dhanë, ia dhanë sepse fuqinë e morën nga gjykatat e tua dhe nga gjykatësit e tu, Sali dhe nga sistemi i drejtësisë që ngritët ju, të gjithë bashkë. Sistem që me reformën në drejtësi, ne duam ta përmbysim jo vetëm në letër, por një orë e më parë, me procesin e vetting-ut, që si ajo gjykatësja që bën një kthim prone me motivacionin që ata që e marrin pronën kanë korrur barin aty, si dhe të tjerë të dalin dhe të japin llogari.

Kjo është e vërteta, në qoftë se doni të vërtetën!

Unë nuk po hyj të diskutoj çfarë është thënë, diskutuar dhe përcjellë nëpër media, lidhur me gjykatësen dhe me fijet e interesave të errëta që lidhin vendimin e gjyqit me kositësit  e barit dhe me ty që nuk ke lënë gjë pa thënë dhe shpifje pa bërë, por nuk pate kurajon të ngrihesh e ta mbrosh atë. Hera e parë!

Të mos flasësh ti për një njeri që masakrohet jo nga ata që e goditën, – ata ishin arma, dora që e goditi ishte gjykatësja – këtë duhet  të jesh thjesht e vetëm qorr që mos të kuptosh se ku i ka rrënjët.

Është shumë e lehtë të çohesh sot dhe të ngresh gishtin e akuzës, kushdo qofsh, ndaj kësaj qeverie, por kjo qeveri ka përgjegjësinë e barrën që të merret çdo ditë, jo vetëm me ndërtimin e të ardhmes, por edhe me çminimin e zonës ku operojnë. Kjo ishte një nga ato mina që i vuri pushteti juaj dhe që plasën në këmbët e atij sipërmarrësi. Mjafton t’u referosh fakteve dhe faktet flasin shumë qartë.

Më vjen keq për deputeten parafolëse, që del këtu e reciton gënjeshtra, shpifje dhe me paturpësinë më të madhe ngre gishtin e akuzës ndaj qeverisë për atë që ndodhi atje. Një pyetje duhet t’ua bëni vetes. Si ka mundësi që barbarizohet një sipërmarrës dhe Saliu që flet për çdo gjë dhe nuk lë shpifës digjital pa e promovuar në tabletën e fletërrufeve digjitale, nuk hap gojën për atë që barbarizohet?

Sepse Saliu ka një arsye për të mos e hapur gojën. Goditja e sipërmarrësit nuk i ka ardhur nga klima e biznesit që ka krijuar qeveria, nuk i ka ardhur as nga interesa të dukshme e të padukshme të kësaj qeverie, por i ka ardhur nga gjykatësja, e cila në korrik të këtij viti ka dhënë një vendim që është një nga skandalet më të mëdha në historinë e abuzimeve me të drejtën në Shqipëri. Kositësi i barit bëhet pronar dhe i kthehet prona aty brenda ku do zhvillohej investimi dhe nga kositës fiton të drejtën që, si pronar i revoltuar, të ngrihet ndaj sipërmarrësit.

Ai është viktimë  e sistemit të drejtësisë që ngritët ju dhe nuk ka lidhje asfare, as me qeverinë, as me vullnetin e qeverisë për të mbështetur investitorët e huaj. Për këtë lexo deklarimin e sipërmarrësit, se çfarë thotë për marrëdhënien me këtë qeveri. Kjo qeveri i ka zgjidhur një më një, të gjitha nyjet që i kishte lidhur qeveria juaj dhe që nuk e linin të lëvizte prej vitesh të tëra. Faktikisht ka pasur të gjithë dokumentacionin në dispozicion për të filluar punën dhe papritur e pakujtuar, kur i zgjidhen të gjitha problemet, i shfaqet një gjykatëse, të cilën Saliu e njeh mirë dhe ekzaktësisht në të njëjtën formë që ka operuar pushteti i Saliut me pronat, vazhdon të operojë edhe në rastin konkret.

Sa u përket investimeve të huaja, mos ngatërroni statusin e investitorit strategjik, se është qesharake, me investimet e huaja. Statusi i investitorit strategjik është një status shumë i veçantë, që jepet me një ligj të veçantë. Fakti që janë dy vetë dy kompani, dy subjekte që marrin statusin, nuk do të thotë që kanë ardhur dy investitorë të huaj në Shqipëri. Referojuni bilancit të pagesave, referoju shifrave të tremujorëve dhe do shikoni se në tre mujorin e dytë është niveli më i lartë i investimeve të huaja në Shqipëri, 261 milionë.  Ju që merrni përsipër ta gjykoni qeverinë, duke e parë atë sipas asaj që do të donit ju të ishte, e morët përgjigjen në Dibër dhe priteni sërish në qershorin tjetër, edhe më spektakolare se ajo që morët në Dibër dhe qark më qark, nga Kukësi deri në Vlorë.

***

Duke qenë se nuk jam fan i yti në Facebook, Sali, më kishte shpëtuar statusi për sipërmarrësin. Kurse oratoria jote lidhur me të provoi edhe një herë se ti të vret natën e të qan ditën si askush tjetër. Gjithçka the lidhur me procesin është e gjitha në lartësinë e autoritetit tënd si shpifës. Fole shumë për temën tënde të preferuar, drogën dhe sinqerisht më dukesh si guvernatori i “bankës së Lazaratit” në mërgim. Të sugjeroj të shikosh një film të fundit për Pablo Eskobar. Kur i bëje thirrje sot aleancës euroatlantike, dukeshe tamam si Pablo Eskobar që i bënte thirrje botës së lirë për të mbrojtur familjen e tij, përpara sesa të përfundonte në duart e policisë.

Nuk po i hyj debatit me ty lidhur me ISIS, sepse as nuk e dyshoj fare që, nëse midis Trump dhe teje, unë të zgjedh ty, midis ISIS dhe meje, ti zgjedh ISIS. Ju i drejtoni thirrje botës, ndërkohë që bota i ka sytë këtu. Nuk është se bota nuk e sheh, nuk e ndjek dhe nuk e di atë që ndodh dhe posaçërisht për çështjen që, në një përpjekje tipike për ty dhe partinë tënde, keni tre vjet që përpiqeni ta ngrini, duke besuar që sa më shumë ta përsërisni, sa më shumë ta godisni policinë dhe ministrin e Brendshëm, sa më shumë ta ushqeni publikun me këto idiotësira, aq më shumë publiku do besojë që këto janë të vërteta.

Fatmirësisht që në këtë mes nuk jemi vetëm ne dhe vetëm ju, por në këtë mes është pikërisht ajo bota që ti i bën thirrje, është ajo bota që këtë vit si asnjë vit më parë ka marrë lirinë e plotë në të gjithë hartën e vendit, për të kryer fluturime me avionët e monitorimit të plantacioneve të kanabisit dhe ka zhvilluar orë fluturimi, me një teknologji edhe më të avancuar sesa ajo e një viti më parë të lenteve të avionëve.

I bëre thirrje policisë italiane që të sjellë këtu informacionin. Duro edhe pak ditë. Guardia di Finanza i ka kryer të gjitha operacionet e vëzhgimit dhe do të raportojë publikisht. Unë jam shumë dakord me ty që, nëse kryetari i Kuvendit merr iniciativën, me mbështetjen e të gjithëve ne, ta shfaqim këtu në këtë sallë,  raportin vizual të Guarda de Finanza. Besoj se midis fotokopjove që flasin këtu në emrin tënd dhe raportit të Guardia di Finanza, bie dakord që ai raport është pikë referimi për objektivitetin mbi situatën.

I bëre thirrje aleancës euroatlantike që të mbrojë Shqipërinë. Nga kush dhe nëpërmjet kujt? Departamenti Amerikan i Shtetit është një nga mekanizmat më të fuqishëm brenda aleancës euroatlantike dhe përpara se t’i bësh thirrje, jep një shpjegim, sipas informacioneve që ti ke nga bota jote e fantazive me shërbime sekrete, sesi shpjegohet që Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportet e vitit 2014 dhe të vitit 2015 flet për rezultate mbresëlënëse, citoj “falë angazhimit të lidershipit politik”. Ose Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndonjë parcelë, këtu, që e mbron, ose ti dhe ju, siç është në fakt e vërteta, jeni kyçur në parcelën tuaj, që po ju zvogëlohet muaj pas muaji dhe kur ta matim në vitin 2017, do ta shikoni vetë sa keni humbur në raport me vitin 2013.

Jam i gatshëm që bashkërisht të bëjmë një përpjekje zyrtare, nëpërmjet kryesisë së Kuvendit dhe kryetarit të Kuvendit, që raportin e operacionit të Guardia di Finanza mbi gjithë territorin e Shqipërisë, të ekspozohet këtu në këtë sallë, që të mbarojë kjo histori pafund shpifjesh, akuzash, balte, ekzagjerimesh të pafundme, që për më tepër vijnë nga bashkëpronarët dhe guvernatori i “bankës së Lazaratit”.

Vini vërdallë e tregoni fotokopjet tuaja. Më shpjegoni vetëm kaq, si ka mundësi që aleanca euroatlantike, të cilën Saliu thërret në ndihmë, nëpërmjet institucionit më të fuqishëm të saj, Departamentit Amerikan të Shtetit, nxjerr raporte për të cilat, ne sinqerisht ndjehemi krenarë, ndërkohë, ju minimalisht nuk duhet të flisni. Unë nuk po them që ju të na përgëzoni për raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, po ku e gjeni kurajën që gjithë ditën e Perëndisë bombardoni publikun me “droga, droga”. Vazhdoni bëjeni Partinë Demokratike si plakën Nurihan, me batanije, që pret zbarkimin anglo-amerikan që të shpëtojë Saliun nga unë.

Lidhur me çka thatë për ARMO-n.

A ka në botë, një kryeministër, që mbasi ka qeverisur tetë vjet, të mos dijë dallimin midis një kompanie private dhe një kompanie shtetërore? Nuk po i hyj se çfarë i bëri ARMO-s qeveria juaj, që e ktheu në një skelet. Thjesht e vetëm po ju them: Çfarë flisni!

Qeveria shqiptare as ka pasur, as ka asnjë të drejtë mbi ARMO-n. I ka shitur të gjitha të drejtat, Saliu dhe tani i kërkon llogari qeverisë tonë. Ia shiti atij, të cilin e quante Nastradini.

Kompani e zhytur nga të katërta anët në borxhe me bankat, bankat e rrezikuara nga borxhet e kompanisë, investitorët e huaj mund të vinin në çdo kohë, kanë ardhur e kanë ikur dhe gjithë çështjen nuk e kishin me qeverinë, por e kishin me bankat. Zgjidhja e problemit varej nga marrëveshja mes investitorëve dhe bankave. Ku hyn qeveria këtu! Një kompani private në dorë të bankave. Nxirrini një copë letër ku qeveria të ketë ndërhyrë në këtë proces dhe thoni ka ndërhyrë me këtë apo atë vendim.

E vetmja gjë që na ka shqetësuar që ditën e parë, të cilën e them me plotë gojën dhe me krenari që e kemi zgjidhur, ishte fati i 1200 familjarëve. Sot, 1200 familje në atë zonë, që vuanin pasojat e vendimit tënd, jo që janë të siguruar, por çojnë rrogën në shtëpi. Unë do të shkoj në Fier, javës tjetër. Mund të vini, ose shkoni vetë dhe përballuni me ta. Tregojuani atyre përrallat tuaja, këto broçkulla që u thoni gjithë ditën shqiptarëve.

Ju ka ngelur në mendje, vetëm ajo gjë që keni bërë vetë; vjedhja.

Edhe me drogën, e keni shprehje të dhimbjes së madhe që humbët “bankën e Lazaratit”. Ju i mbronit protektorët zyrtarë të Lazaratit. Shqiptarëve, ne ia kemi vënë të gjithë pamjen në tavolinë, jo vetëm për kanabisin, por për çdo vepër tjetër, kurse ju, kanabisin e trajtonit në komunikata sekrete. Ne, komunikatat e policisë i kthyem nga sekrete në publike, ju bënit komunikata sekrete. Ndërkohë janë aty hartat e operacionit të Guardia di Finanza në kohën tuaj dhe hartat nuk thonë që ju kishit vetëm Lazaratin.

Lazarati ishte banka, por kishit degë në të gjithë Shqipërinë. Hektarët e mbjellë në vitin 2013, nga ju, bashkë me Gaten dhe me gjithë kryetarët e degëve të tjera të bankës, janë rekord në Shqipëri. Vini këtu kërkoni llogari dhe bëni edhe moralistin.

Nuk e kemi thënë kurrë, as unë dhe as ne, që ky nuk është një problem. Nuk e kam thënë dhe as nuk e them sot, që ne, këtë problem e kemi neutralizuar. Por lufta që po i bëjmë sot këtij fenomeni, as nuk mund të imagjinohej deri tre vjet përpara. Do të shikoni në raportin e Guardia di Finanza, sa plantacione të detektuara janë shkatërruar.

Ndërkohë që ju, sipas raporteve të Guardia di Finanza, në vitin tuaj më të mirë keni shkatërruar 7%. Në vitin 2012 keni shkatërruar 0%. 232 hektarë i kishit në Lazarat.

Kam edhe një parantezë tjetër. Po maturantëve, çfarë do t’u thoni, pasi u bëtë gjithë atë lloj thirrje, të përzierë me vajtim? Ç’nuk thatë e ç’nuk bëtë në ato kanalet e komunikimit! Si ka mundësi që ndodhi ekzaktësisht gjëja që ne ju thamë? Vetëm ¼ e kuotave janë zënë nga më të mirët dhe gjithë pjesa tjetër e kuotave janë të lira për pjesën tjetër dhe rankimi, përsëri, sipas më të mirëve.

Megjithatë do të presim të mbarojë procesi dhe do të shikoni me sytë tuaj, edhe faturën që do merrni edhe për maturantët, edhe për ARMO-n, edhe për të gjitha këto të tjerat, në qershorin e vitit 2017.

Të vijmë tek ligji në rendin e ditës.

Nëse i referohemi vendimit të tre viteve përpara, po ju them se po të ktheheshim përsëri atje, unë do të bëja të njëjtën gjë. Kjo, për arsyen e thjeshtë sepse gjithçka ishte jashtë kontrolli dhe sepse ligji nuk garantonte mbrojtjen e Shqipërisë nga plehrat e rrezikshme. E kam thënë këtu në këtë parlament, mos sillni shembull Europën, por shikoni që nuk kemi asnjë instrument kontrolli dhe ligjzbatimi.

Po shpjegoj se çfarë ka ndryshuar qoftë nga pikëpamja ligjore, qoftë nga pikëpamja e strukturës;

Në vitin 2013 nuk kishte asnjë lloj kapaciteti në infrastrukturë dhe në burime njerëzore, që të mund të garantonte zbatimin e ligjit, ashtu sikundër ligji vetë ishte problematik në aspektin e garancive të kontrollit.

Nëse tre vjet më parë nuk kishte as dhe një laborator të vetëm për këtë punë, sot ka një laborator të standardeve më të larta europiane, të certifikuar nga Bashkimi Europian.

Nëse në vitin 2013, sipas ligjit, mbetjet mund të hynin nga çdo pikë doganore dhe dihet se çfarë ishin pikat doganore në vitin 2013, sot është e qartë në ligj se mbetjet hyjnë vetëm në tre pika, që disponojnë kapacitet të plotë kontrolli.

Sot nuk kemi thjesht një laborator modern, të investuar nga Bashkimi Europian, që bën të mundur të gjithë kontrollin dhe analizat fizike, kimike dhe mikrobiologjike të çdo materiali që hyn në Shqipëri, por kemi edhe një ekip njerëzish, edhe ata të trajnuar nga Bashkimi Europian. Një program i tërë i Bashkimit Europian është vënë në punë vetëm për rritjen e kapaciteteve fizike dhe njerëzore, në këtë fushë.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm. Në ligjin e sotëm, po ta shikoni dhe jo t’i referoheni mundësisë për të bërë “poemën e mjerimit” të radhës, duke i marrë shqiptarët për budallenj, përjashtohet çdo lloj mbetjeje për arsye incenerimi, përveç pjesës së listës.

Çdo mbetje importohet vetëm nga industria e riciklimit, që ka sot 3200 punonjës të siguruar dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të bëjë asnjë lloj eksporti nga andej-këtu, apo importi nga këtu. Kjo është një masë, së pari, në linjë të plotë me direktivën e Bashkimit Europian dhe së dyti, në linjë të plotë me nevojën tonë për të stimuluar riciklimin, tanimë që kemi kontroll të plotë mbi gjithë pjesën tjetër.

Do t’ju mjaftonte një bisedë me industrinë, për të kuptuar thelbin e këtij ligji dhe për të kuptuar që ky ligj, jo vetëm nuk kërcënon asgjë, siç kërcënonte ligji i përpara tre viteve, por stimulon zhvillimin e një industrie që sot e ka të domosdoshëm importin e këtyre mbetjeve të ngurta të listës së gjelbër, të reduktuar në maksimum. Në vitin 2010, kur bëhej beteja kundër këtij fenomeni, ju e kishit listën me 500.

Sot është e qartë se, nëse nuk do të bënim këtë ndërhyrje, do të falimentonim industrinë e riciklimit, do të linim rrugëve 3200 punonjës të punësuar direkt, – nuk bëhet fjalë për të punësuarit indirektë që ka industria, me rrjetet që mbledhin mbetjet e riciklueshme, – nuk do të ishim në pajtim me direktivën europiane dhe do të mbyllnim një front punësimi dhe pastrimi mjedisor.

Masa paralele që ne do të marrim është heqja e taksës 50 lekë [të reja] për kg plastikë, e cila pengon stimulimin e mëtejshëm të mbledhjes së mbetjeve brenda.

Duke hequr taksën për mbetjet brenda, nuk do të lëvizim taksën për mbetjet nga jashtë, që është 100 lekë [të reja] për kg. E pavarësisht se për mbetjet nga jashtë është një taksë dyfish në raport me mbetjet e brendshme, nuk ka stimul dhe kapacitet financimi për rrjetin e brendshëm me taksën 50 lekë për kg.

Heqja e kësaj takse dhe lënia në fuqi e taksës së importit do të rrisë kapacitetet e brendshme dhe do të bëjë që në një hark trevjeçar të kemi një pamje krejt tjetër të kapacitetit të kësaj industrie për të ricikluar mbetjet që janë brenda. Sot industria nuk e bënë dot këtë gjë, sepse nuk ka interes dhe kostoja e ndërtimit të të gjithë network-ut për mbledhjen e plastikës, të letrës etj. është shumë më e lartë sesa përfitimi, nëse paguan këtë taksë.

Ky ligj është hapja e rrugës për t’i dhënë një impuls të domosdoshëm industrisë. Ju shikoni vetëm plantacionet, por flasim për një industri që tre vitet e fundit ka vazhduar të kryej investime serioze në infrastrukturën e vet. Në Shqipëri ka fabrika të përpunimit të mbetjeve të certifikuara nga Bashkimi Europian.

Nuk ka asgjë më të papërgjegjshme, sesa këto fabrika t’i lëmë të mbyllen për shkak të kësaj nevoje. Nuk ka asgjë më të përgjegjshme, sesa të çelim këtë rrugë sot që kemi mundësi të kontrollojmë dhe që disponojmë atë që kemi punuar dy vjet e gjysmë për ta ndërtuar. Sot disponojmë edhe për mbetjet, si për të gjitha të tjerat në zonat urbane, hartën dixhitale të strukturës fizike, tokësorë dhe nëntokësore të vendit tonë. Me hartën dixhitale të mbetjeve urbane, që është një nga dhjetëra e dhjetëra hartat e kontrollit të territorit, sot, ne kemi një pamje të qartë të gjithçkaje që ka në territorin e Shqipërisë në raport me mbetjet.

Kush do të ketë këtu kurajon të marrë fjalën, – kurajon në raport me veten, jo me mua, sepse kur njeriu kapërcen raportin me pasqyrën, nuk e ka problem të bëhet lolo në publik, se të kesh ndërtuar Lazaratin dhe të flasësh sot për fenomenin e marijuanës, sikur të ka rënë barra të çlirosh Shqipërinë, është një maskaradë e madhe, – të kujtojë fushën e plehrave të Elbasanit dhe ta shikojë si është sot.

Ka edhe “Sharrë”, patjetër. S’kemi pretenduar se i kemi bërë të gjitha, sepse po t’i bënim të gjitha, nuk do merreshim këtu me ju, por kushedi ku do na kishin marrë, për të zgjidhur problemet e botës. Ne nuk jemi magjistarë, por kemi bërë atë që ju as nuk e çonit nëpër mend. Kur të merrni fjalën, kujtohuni se atje në Elbasan kishit lënë një mal kërme, që iu merrte frymën të moshuarve dhe fëmijëve çdo natë dhe sot po mbillet një pyll i tërë. Të gjitha plehrat janë spostuar që aty dhe po ndërtohet një impiant model, siç do të ndërtohet edhe në zonat e tjera.

***

Po përfitoj nga rasti për të përsëritur disa koncepte shumë të thjeshta përballë shakaxhinjve të përparimit.

Së pari, nuk u heq asnjë presje atyre që citoni nga fjala ime këtu, kur ne e anuluam ligjin që bëtë ju. E përsëris prapë sot, që ishte e vërtetë dje, është e vërtetë sot dhe besoj do jetë e vërtetë gjithmonë që ka një mafie të plehrave, e cila synon territore pa kontroll dhe bashkëpunon me qeveri që nuk kanë interesat e publikut në qendër të vëmendjes së tyre. Këtu jemi plotësisht dakord dhe e rifirmos atë që kam thënë.

Por nuk kam çfarë t’ju bëj as juve dhe akujt tjetër që këtu ka thjesht e vetëm një arsye për të marrë fjalën, për të çuar përpara axhendën e vet të helmimit sa më intensiv të atyre që na dëgjojnë. E vërteta është gjëja e fundit që ju shqetëson kur dilni këtu dhe i tregoni popullit shqiptar, broçkulla nga më të hatashmet.

Në ligjin tuaj kishte hapësirë të plotë për dy gjëra që ky ligj i përjashton kategorikisht; kishte hapësirë të plotë për djegien e plehrave të importuara dhe kishte hapësirë të plotë për varrosjen e plehrave të importuara. Ky ligj nuk ka një hapësirë të tillë. Shqipëria nuk hapet ndaj importit të plehrave.

Ky ligj krijon hapësirë shumë të kufizuar, më të kufizuar sesa Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Serbia, më të kufizuar sesa të gjitha vendet që kanë qenë në bazë të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të detyruara të adoptojnë një listë të gjelbër komuntare.

Kush thotë që këtë ligj nuk e kanë të tjerët, nuk di se çfarë flet. Dhe ata që nuk dinë çfarë flasin, këtu shquhen për cicërima të gjata.

E dyta, është e qartë që mafia nuk punon me qeveritë për të ricikluar letër, nuk punon me qeveritë për të ricikluar karton, për të ricikluar plastikë, apo për të ricikluar metale të lehta, që janë mbetjet e ambalazheve ushqimore.

Mafia punon me qeveritë për të ricikluar predha dhe për të vënë në punë fëmijë e gra si fatkeqët që vuri në punë qeveria jote. Ai është shembulli tipik i bashkëpunimit të mafies me një qeveri që nuk ka në zemër interesat e vendit dhe të popullit të vet. Të ndërtosh punishte fantazmë, jashtë kontrollit të të gjithë institucioneve, për të ricikluar armë luftarake, predha dhe gjithfarë lloj municionesh, këtë e bën mafia. Ashtu sikundër mafia bën edhe të tjera gjëra në këtë fushë, që ligji juaj u hapte rrugë.

E para është e vërtetë dhe e dyta është po kaq e vërtetë.

Ne kemi adoptuar një variant të kufizuar ekzaktësisht të njëjtit ligj që kanë vendet e rajonit.

Kush thotë që pse vendet e pasura nuk marrin, nuk e dinë fare historinë e vendeve të pasura. Përpunuesi më i madh i lëndëve radioaktive në Europë është Gjermania. Importuesi më i madh lëndëve radioaktive në botë është Gjermania.

Ndërkohë që ne nuk importojmë as lëndë radioaktive, as importojmë plehra, pra, mbeturina të pa seleksionuara në blloqe, me tonelata, që ngarkohen nëpër trajlera dhe varrosen në zonat e Gomorrës së Savianos.

Ashtu sikundër, ky ligj nuk lejon as ndërtimin e inceratorëve me volum të madh, që vendet e pasura i ndërtojnë bazuar në kuota importi. Sepse jemi të vetëdijshëm që, nëse hapim këtë rrugë, e kemi të pamundur ta kontrollojmë. Kjo është e vërteta.

Sigurisht qeveria ka arsye të marrë këtë hap, edhe për një shkak tjetër. Unë, larg qoftë, ndonjë ditë të mendoj e jo më ta shpreh, që për të bërë populizëm dhe për t’u rrotulluar thikën në plagë, atyre që janë në situatë të vështirë dhe të gatshëm, sipas jush, të thithin helmet tuaja, që ne jemi qeveri absolutisht në mbështetje të biznesit.

Të mos harrojmë se janë 130 milionë euro investime në këtë industri. Shqipëria ka 4 fabrika të mëdha riciklimi për listën e gjelbër dhe ka një dyzinë të tjera më të vogla, të certifikuara nga Bashkimi Europian. Po flas për biznese të certifikuara nga BE. Janë 3200 familje, të paguar direkt nga kjo industri.

Flisni për të varfrit dhe punësimin, por të varfrit ju duhen vetëm për një gjë, që të hidhni sa më shumë helm kundër qeverisë, me idenë se do gjeni budallenj që të mendojnë se ato që nuk po ua bën kjo qeveri, do ua zgjidhni ju.

Indirekt janë të punësuar shumë më tepër.

Pse është e nevojshme dhe pse vendet e tjera që janë jo në standardet më të larta bëjnë të njëjtën gjë?

E bëjnë për një arsye shumë të thjeshtë; E para, sepse kjo industri është plotësisht miqësore me mjedisin; E dyta, që kjo industri të zhvillohet e ka të pamundur të zhvillohet me atë pamjen që shohim nga dritarja, ne kemi shumë plehra, kështu që të përpunojmë këto tonat. Përpunimi i mbeturinave ka një kosto shumë të lartë. Ka një arsye pse vendet më të pasura janë më të pastra, i përpunojnë plotësisht, që përveçse e natyrës ligjore dhe kulturore për shkak të implementimit të ligjit ndër vite, është edhe e natyrës financiare.

Nëse sot do t’i thoshim kësaj industrie, nuk keni pse të importoni karton, plastikë apo metale të lehta nga jashtë, pasi i keni rrugëve të vendit, kjo industri do të vdiste, sepse kostoja e mbledhjes së këtij materiali është shumë e lartë për ta përballuar në këtë fazë që është industria. Ka edhe një taksë mbi çdo kilogram të importuar që është 100 lekë. Ka po ashtu një taksë mbi çdo kilogram të mbledhur këtu, që është 50 lekë.

Ligji që vjen këtu është një ligji i diskutuar një vit. E falënderoj Eduard Shalsin, sepse ka koordinuar një proces më shumë se 6-mujor diskutimi me të gjitha shoqatat, me të gjitha grupet e interesit. Pjesa më e madhe e ambientalistëve profesionistë, sot jo nuk janë atje për të bërtitur, jo që nuk janë kundra, por e mbështesin këtë ligj pikërisht se është bërë një diskutim shumë i thellë për këtë çështje.

Sigurisht juve ju intereson që Shqipërinë ta pikturoni me ngjyrat më të errëta të mundshme, që njerëzve t’u thoni se jetojnë në vendin e kiametit dhe që siç tha zonja parafolëse “thuhet se 4 milionë euro u dhanë për këtë punë”. Kur arrin banaliteti i të menduarit deri në këtë pikë, normalisht nuk duhet fare të flasësh.

Asnjë vend i rajonit, as Mali i Zi, as Sllovenia, as Kroacia, as Serbia, Maqedonia jo e jo, se Maqedonia është e para në këtë industri, nuk e ka të lidhur importin e këtyre mbetjeve të gjelbra me licencën dhe me infrastrukturën. Në ato vende mund të marrësh një licencë dhe mund ta bësh këtë gjë për t’i shërbyer industrisë. Këtu nuk e bën dot. Këtu, nëse ke fabrikën të certifikuar nga Bashkimi Europian, mund të marrësh licencën që fabrika të realizojë të gjithë orët e punës së planifikuar.

Paralelisht, ne do bëjmë heqjen e taksës për mbetjet e brendshme këtë vit, që është një problem shumë i madh dhe ne kemi pasur debate shumë të mëdha me FMN-në. Ne kemi marrë disa prej masave që kanë qenë arsye konflikti dhe janë reflektuar në formë vërejtjesh nga FMN për heqjen e taksave për një sërë importesh.

Me heqjen e taksës, me bërjen e saj zero, do krijojmë mundësinë që të inkurajohet mbledhja në territor dhe të racionalizohet maksimalisht marrja nga jashtë territorit. Por nuk mund ta bëjmë këtë duke i thënë industrisë ta bëjë pa vënë në punë fabrikën, sepse nuk funksionon nga pikëpamja kontabël. Do të thotë t’i thuash falimento e dil mblidh kanoçe në rrugë.

Sot ka shumë më tepër arsye për të besuar që gjithë ky proces është i kontrolluar. Kemi tre pika doganore të përcaktuara dhe nuk janë përcaktuar kot, as gjeografikisht e as politikisht. Janë përcaktuar me një plan të studiuar shumë në detaje, për të kontrolluar imtësisht procesin.

Dikush këtu tha se nuk është punë laboratori e doganash. Atëherë është puna të ikim ne e të vini ju?

Bashkimi Europian nuk do të financonte me paratë e taksapaguesve të vet, një laborator të standardeve më të fundit për këtë punë.  Ju mendoni se Bashkimi Europian financon një laborator për Shqipërinë, që të stimulojë këto marrëzitë që thoni ju!

Sasia e mbetjeve që parashikohet për t’u ricikluar është qesharake në raport me Bashkimin Europian si tërësi interesash. Është sasi e barabartë me mbajtjen në punë të katër fabrikave të mëdha për Shqipërinë,  por jo të mëdha për vendet e tjera dhe të një dyzinë fabrikash më të vogla, punishtesh riciklimi. Nuk ka shans që të ketë një sasi më të madhe, sepse i gjithë procesi është zinxhir dhe është i kontrolluar.

Kjo industri është një nga industritë më të subvencionuara,  të sponsorizuara, të stimuluara në axhendën globale për mjedisin. Është industri e superavancuar. Vendet që nuk e kanë këtë industri janë të destinuara të vuajnë shumë më tepër nga sa parafytyrohet dot prej jush dhe janë të destinuara që kurrë mos të arrijnë të ngrenë një sistem riciklimi. Madje po të shikosh gjithë mbështetjen që i bëhet vendeve të varfra nga strukturat e organizuara për mbrojtjen e mjedisit, për nxjerrjen nga varfëria, për rritjen e punësimit, nxitja e  industrisë së lehtë të riciklimit të këtyre mbetjeve është ndër zërat kryesor. Fondacioni Clinton, për çfarë arsye ka dhënë qindra milionë për të bërë ekzaktësisht këtë gjë në shumë vende nga më të varfrat në botë, që të çojë mafien atje?

Procese të nisura nga ju, për të ndërtuar këtu inceneratorë që përfshinin nga 4-5 rajone, me bazë importin e plehrave që vinin nga jashtë, i kemi ndaluar ne. Procese të filluara, memorandume mirëkuptimi të nënshkruara nga ju me kompani, për të siguruar lejet këtu dhe për të importuar plehrat nga jashtë. Ky është dallimi. E nëse djalli fshihet në detaje, më vjen shumë keq, por tek ligji juaj nuk ishte detaj. Ishte një gropë mu në mes të ligjit. Ne nuk mund ta amendonim ligjin, se në atë kohë nuk kishim asnjë kapacitet të bënim këtë që po them sot.

Kemi ngritur dy struktura të specializuara. Struktura që janë sot nën varësinë e Ministrisë së Mjedisit dhe që merren me këtë çështje janë në një proces të kahershëm trajnimi nga Bashkimi Europian. Nëse ne nuk bëjmë këtë gjë për të gjitha ato arsye, ka edhe një element tjetër, që jemi jashtë detyrimeve të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Thënë të gjitha këto, ju do vazhdoni t’i thoni njerëzve se erdhën plehrat. Kjo është fusha më e vështirë, më e kushtueshme dhe nuk është pa arsye që raporti i Prodhimit të Brendshëm Kombëtar me cilësinë e mbrojtjes së mjedisit është në çdo vend i  ndërlidhur drejtpërdrejtë. Ne në tre vjet nuk kemi bërë asnjë mrekulli në këtë drejtim, por së pari i mbyllëm derën katastrofës që kishit përgatitur ju.

E nga ana tjetër ju kujtoj Elbasanin. Nuk është një landfill i zakonshëm, se Shqipëria ka një sërë landfill-esh që janë larg së qeni të standardeve normale. Bëhet fjalë për një mal me plehra që kalbej dhe digjej në qytet, që asfiksonte banorët e një qyteti të tërë.

Mbas pakë javësh, ne do të jemi përsëri aty për fazën tjetër. Vendi ku sot bëhet mbledhja dhe përpunimi i plehrave në Elbasan është një model. Ne e bëmë një model. Kemi nisur punën për të njëjtin model të replikuar në zonën e Fierit.

Ju çfarë bëtë?!

Po ndërtojmë  një landfill për të gjithë zonën e Korçës. Tërësisht i ndryshëm nga i vetmi landfill që ju ndërtuat dhe që nuk funksionon, landfill-i i Bushatit ku u harxhuan paratë dhe është jashtë funksionit, është parking.

Kur dilni këtu dhe u thoni shqiptarëve mbrohuni, kujdes, mbylluni nëpër shtëpi, sepse këtu është krimi, droga, po vijnë edhe plehrat. Nga lartësia e së cilës eksperiencë dhe moral diskutoni dhe ngrini akuza, të cilat mua më bëjnë të qesh. Arsyeja pse po përgjigjem janë ata që dëgjojnë, të cilët ju i trajtoni vetëm si një kope që duhet me patjetër ç’orientuar dhe dërguar në drejtim të paditur. Bëni politikë vetëm me plagët e njerëzve. Jo për t’jua lehtësuar ato, por vetëm për t’jua bërë që t’i përcëllojnë deri ku i mban shpirti.

Unë e kuptojë që të veshë gishtin në plagë është pikënisja, por do edhe një diagnozë se përse dhe nga vjen kjo, do edhe një recetë. Përndryshe për çfarë flasim, përndryshe ju jeni të vetëdiskretituar. Sepse, ndonëse nuk e thoni, por e mendoni, e jetoni, që po të mos të ndodhin vrasje, ngjarje tragjike, gjëra të rënda, ju nuk keni arsye fare të merrni fjalën, sepse nuk dini se çfarë të thoni. Ju e keni lidhur jetën tuaj, si përfaqësues të atyre që ju kanë sjellë këtu, me fatkeqësinë e tyre. Ju ushqeheni nga fatkeqësitë e tyre, nuk përpiqeni për t’i lehtësuar fatkeqësitë e tyre. Ju doni që t’u thoni atyre se fatkeqësitë tuaja, sado të mëdha,  nuk janë asgjë, ka të tjera që nuk i dini dhe vazhdoni hidhni baltën.

Sa për fushën e Sharrës, të arrini ju ta diskutoni atë, është përsëri niveli i paturpësisë që arrin njeriu, kur nuk ka më raport me veten në pasqyrë. Kur unë mora drejtimin e Bashkisë së Tiranës, e gjithë zona e Kombinatit ishte ekzaktësisht si Elbasani. Çdo pasdite, në Kombinat nuk mundet të kaloje me pamje të pastër, sepse ishte i veshur me një mjegull që krijohej nga kodra e plehrave që digjeshin në lum. Patjetër është diçka e rëndë që të mitur apo edhe jo të mitur të punojnë të pasiguruar. Por e kuptoni që për kohën për të cilën po flas, “Sharra” ishte një barbari jashtë çdo lloj imagjinate. E kemi sistemuar dhe e kemi kthyer në normalitet landfill-in, duke qënë shumë të qartë që periudha që landfill-i do të përballonte me atë investim që kishim mundësi, i cili ishte një investim modest, ishte deri në vitin 2010. Kam kërkuar me insistim të zgjerohej projekti. Nuk u bë.

Kur morët ju bashkinë,  jo vetëm që nuk zgjeruat landfill-in, por filluat negociatat për të ndërtuar inceneratorin e madh, që do sillte plehra edhe nga jashtë, sepse me mbeturinat e Tiranës është e pamundur të ndërtosh një incenerator të madh dhe nuk bëtë asgjë. “Sharrën” e latë të degradojë fare.

Do të ishte e jashtëzakonshme sikur në një periudhë të shkurtër, dikush që merr detyrën, – kryetari bashkisë apo qeveria, – të zgjidhte plagë që janë hapur me vite të tëra. Nuk mund të ndodhë kjo, sepse për të rehabilituar gjithë atë plagë duhet një qasje komplet tjetër. Do ta shikoni jo më larg se pranvera e ardhshme se çfarë do të ndodhë në bashkinë e re të Tiranës në raport me mbetjet.

Nuk po hyj se çfarë bëtë ju dhe ata që sot flasin dhe kanë pasur mundësi t’i bëjnë kur ishin, për të futur të paktën qytetet në procesin e ndarjes së diferencuar dhe për të lehtësuar proceset e tjera. Nuk po bëj këtu edhe asnjë akuzë, sepse ka qënë e lidhur edhe kjo me kostot. Kërkon buxhete që nuk kanë qenë të mundura, por të paktën kini minimumin etik që mos bëni sikur keni ardhur këtu, sot.

Jetojmë në një kohë e jo këtu, por kudo, ku çdo gjë bën lajm. Para pak orësh pashë një fotografi që po i marrin gjak deles në spital dhe lihej të nënkuptohej se gjaku po merrej fshehurazi dhe do t’i futej njerëzve. Në fakt nuk ka lidhje fare. Një ndryshim ka. Në kohën tuaj, në QSUT kishte një stallë, sot nuk ka. Marrja e gjakut të bagëtive për arsye laboratorike, shkencore, që i ka çdo spital, është normalitet dhe nuk ka asgjë tjetër. E solla këtë shembull, sepse është shumë lehtë të nisesh nga nja pamje, nga një ngjarje, nga një situatë dhe të ngresh këtu një poemë të mjerimit. Të paktën duke qenë në këtë sallë, njeriu, besoj, duhet të ketë një minimum etik në raport me njerëzit. Të lexojë diçka, të konsultojë diçka dhe pastaj të flasë.

Dëgjova të thoni se ngjarja tragjike që ndodhi me nënën dhe foshnjën ishte si rezultat i shkatërrimit të shërbimit të urgjencës. Një mashtrim i paparë! E vërteta është që ne po e riorganizojmë sistemin e urgjencës dhe shumë shpejt, të gjithë do të kenë mundësi të shikojnë që sistemi ynë i urgjencës do të jetë funksional në të gjithë territorin. E kjo nuk është ndonjë shkencë e madhe, është thjeshtë plotësimi i flotës. Kemi investuar në autoambulanca të reja dhe ndarja gjeografike e sistemit të urgjencës do të jetë jo sipas ku është spitali, është dhe autoambulanca, por sipas banorëve. Atu ku janë banorët, duhet të kemi dhe autoambulancën. Në një numër standard, 25 mijë banorë. Ju e latë Shqipërinë, me 1 autoambulancë për 43 mijë banorë, po sjell si shembull qarkun e Elbasanit. Ka qarqe ku ka një autoambulancë për 70 mijë banorë.

Kjo është çfarë bëtë ju. Ajo që kemi bërë ne me riorganizimin është që në të gjithë territorin e Shqipërisë do të ketë një autoambulancë për 25 mijë banorë. Shërbimi i urgjencës nuk do të jetë më një shërbim në dorë të çdo spitali, por do të jetë Shërbimi Kombëtar i Urgjencës, me një njësi qendrore në Tiranë, të dixhitalizuar, që hyn në punë brenda 5 muajve të ardhshëm. Këto kërkojnë punë e jo fjalë. Është dashur të bëhet studimi, të bëhet projekti dhe duhet të bëhet implementimi.

Sot, ndryshe nga dje, ka vetëm një numër telefoni dhe nuk ka njeri që të marri në telefon 112-n dhe të mos e ngrenë telefonin. Është e gjitha njësi e kompjuterizuar që lidhet me rendin dhe sigurinë, me zjarrin, me shëndetin. Momentin që do të ngrihet njësia e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, çdo familje nga Vermoshi deri në Konispol do të ketë vetëm një numër (112) dhe automatikisht njësia qendrore në Tiranë nuk do të lajmërojë spitalin, por do t’i çojë sinjal autoambulancës që mbulon 25 mijë banorët e asaj zone. Përjashto disa zona shumë të thella të Shqipërisë, për shkak të infrastrukturës, autoambulanca nuk do të vonohet më shumë se 15 minuta. Ndërkohë që nuk do të ketë më autoambulanca që shkojnë nëpër varrime dhe dasma. Të gjitha autoambulanca do të jenë të pajisura me sistemin GPS dhe gjithë lëvizja e tyre do të jetë e monitoruar. Që nga momenti kur lajmërohet, autoambulanca ndiqet në kompjuter nga u nis dhe ku arriti.

Ju vazhdoni merrini shqiptarët për budallenj, bëni politike me çdo fatkeqësi që ndodh, flisni me ta sikur ju keni ardhur nga ndonjë organizatë ndërkombëtare për të bërë këtu monitorim dhe jo sikur jeni shkaktarët kryesorë të Shqipërisë që ne gjetëm para tre vjetësh dhe bashkë do të takohemi prapë në qershor.

Meqë e kishit merak takimin tim dje me kryetarin e Kuvendit dhe aleatin e partisë tjetër të koalicionit, po ju them se nuk ishte as për mbetjet, as për kanabisin. Ishte për të diskutuar për si do të ndërtojmë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Kur të mbarojmë diskutimin, do t’ju njoftoj për dhimbjen tuaj, që dhe ju të flini mendjen, sepse jeni bërë kaq qesharakë, sa dukeni si një komshi që thotë mua nuk më merr njeri, por ishalla po ndahen komshinjtë e mi, që të më marri ndonjëri prej tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.