Bashkëbisedim i Kryeministrit Rama me fermerë në fshatin Mashan, në Gramsh:
Mirëmëngjes!
Shumë faleminderit që jeni këtë në këtë takim, ku dëshira është për të vazhduar një bisedë sensibilizuese duke përfituar edhe nga prania e mediave për të gjithë ata që jetojnë në fshat, për të gjithë ata që e kanë jetën e tyre të lidhur me tokën dhe që kanë nevojë për mbështetje për të zhvilluar prodhimin dhe ekonominë e tyre familjare. Ne jemi sot në një fazë të ndërmjetme të zhvillimit të fshatit.
Nga njëra anë, kemi investuar një volum shumë të madh financiar për buxhetin e shtetit shqiptar dhe në raport me të shkuarën, për pastrimin e të gjitha kanaleve të ujit drejt parcelave dhe për të siguruar edhe kullimin, çka ka qenë një problem madhor i gjithë këtyre 20 e ca viteve, kur, vetëm për shkak të mungesës së ujit dhe për probleme të rënda me kullimin, qindra, mijëra hektarë në të gjithë Shqipërinë kanë mbetur pa u punuar dhe dhjetëra e mijëra familje fermere kanë mbetur në mëshirë të fatit, për shkak të mungesës së ujit, apo për shkak të përmbytjeve, qoftë dhe nga një shi i zakonshëm, në mungesë të plotë të infrastrukturës së kullimit.
Është një volum i madh pune që është bërë në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtu në bashkinë e re të Gramshit është punuar për të siguruar që asnjë familje të mos mbetet pa ujë. Në këtë mënyrë, të paktën të sigurohet kushti themelor i punës së çdo fermeri, pra uji në parcelë.
Ne jemi përkohësisht të kënaqur lidhur me çka është bërë, them përkohësisht, pasi ka ende një pjesë të punës që mbetet për t’u bërë deri në prag të sezonit të ardhshëm bujqësor. Por ajo që është e rëndësishme është që me këtë program, ne përfundimisht do të realizojmë një nga zotimet themelore të qeverisë sonë për fshatin, që është uji në çdo parcelë.
Nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm se kjo është baza elementare e munguar për shumë vite, por nuk është gjithçka duhet. Ajo që ka munguar dhe mungon në shumë familje, është mundësia për të investuar më shumë për zhvillimin e prodhimit dhe për zhvillimin e ekonomisë familjare, për shkak se ju e dini shumë më mirë se unë, nuk ka mundësi që në fshat të bëhet sukses, në bujqësi, në blegtori, në agropërpunim, pa mbështetje financiare nga shteti.
Nga ana tjetër, buxheti i shtetit tonë, edhe po të llogarisim çka shteti do të ketë në dispozicion për 50 vitet e ardhshme, nuk mjafton për të përmbushur të gjitha nevojat. Ashtu sikundër, edhe buxheti i shteteve që janë superfuqi ekonomike nuk mjafton për të përmbushur të gjitha nevojat që kanë fermerët.
Fshati nuk mund të bëjë sukses vetëm dhe bujqësia nuk mund të bëjë sukses nëse nuk mbështetet me instrumente të tjerë financiarë. Ne, për këtë qëllim kemi ndërtuar një fond kombëtar të garancisë për fshatin, duke bërë të mundur që të vihemi në kontakt me bankat dhe përmes bashkëpunimit me BERZH të çelim një linjë kredie për fshatin, që potencialisht mund të shkojë deri në 300 milion euro për 3 vitet e ardhshme.
Kjo do të thotë që ndryshe nga deri më sot, kur për familjen fermere ka qenë e pamundur të shkojë në bankë dhe të marrë një kredi për shkak të interesave dhe për shkak të kushteve të pafavorshme, që do të thotë që, nuk i del llogaria fermerit që të kreditohet nga banka, – ne kemi ndërhyrë me këtë instrument që garanton kreditë e fshatarëve. Qëllimi nuk është vetëm për të garantuar kreditimin e sipërmarrjeve të mëdha apo të mesme, por për ta çuar këtë mundësi deri te çdo familje.
Në bashkëpunim me pushtetin vendor, me të gjitha bashkitë e reja, ne do të bëjmë të mundur që të gjithë ata që janë të interesuar për të investuar, këtu potenciali është i konsiderueshëm sidomos në frutikulturë dhe në blegtori, të mund të informohen dhe të mund të asistohen për të aplikuar me projekte konkrete për marrjen e këtyre kredive shumë të favorshme, të cilat do të vihen në dispozicion nga bankat, falë garancisë që vë shteti. Pra, nëse dikush shkon në bankë dhe duhet të garantojë ai vetë kredinë, në këtë rast është shteti garanti i kredive tuaja. Kjo do bëjë të mundur që shumë më tepër njerëz, shumë më tepër familje të kenë një mundësi financiare ekstra dhe të mos jenë të varur nga pamundësia që ka buxheti i shtetit për t’i kënaqur të gjithë, e as nga kushtet shumë të shtrënguara që i detyrojnë shumë familje që thjesht të punojnë për të siguruar mbijetesën e tyre.
Sigurisht që ky është një proces që kërkon përgatitje, sepse nuk mund dot të kesh akses në para pa pasur një projekt, pa pasur një aplikim që përmbush kushtet, por nga ana tjetër është një hap shumë i madh drejt një epoke të re në bujqësi e në zhvillimin e fshatit.
Po ia kaloj fjalën Taulantit për të bërë dhe ai një përshkrim të situatës në tërësi, jo vetëm këtu në këtë bashki, por dhe në këtë qark, lidhur me nevojat, por edhe për të përforcuar mesazhin që sot një mundësi e re është dhënë nga qeveria shqiptare në dispozicion të fshatit. Qeveria është më shumë se asnjëherë tjetër në krahun tuaj për të hapur rrugë për financime shumë më të konsiderueshme të prodhimit, të agropërpunimit, të grumbullimit, me qëllim rritjen e eksporteve që garantojnë edhe një rritje të ekonomisë kombëtare dhe të ekonomisë së çdo familjeje.
Ndoshta është më mirë ta bëjmë në formë bashkëbisedimi, në mënyrë që çfarë meraku apo shqetësimi keni ju, të mund ta adresojmë duke përsëritur edhe njëherë që të dyja këto procese janë procese që po të ishin bërë 20 vjet përpara, sot do të ishim në një situatë krejt tjetër. Kemi humbur shumë vite nga mungesa e reformave reale dhe nga mungesa e një plani strategjik zhvillimi për fshatin. Fshati për 20 e kusur vite është parë vetëm si depozitë elektorale, janë shtruar rrugë për qëllime elektorale nëpër fshatra, por asnjëherë nuk është menduar për bazën, për themelin mbi të cilin ngrihet familja në fshat, prona dhe prodhimi. Këto të dyja kanë qënë tërësisht jashtë vëmendjes. Edhe paratë e shpenzuara nga shteti, ato pak para që ka patur shteti si buxhet për bujqësinë dhe blegtorinë, kanë qënë thërrime thjesht dhe vetëm për të mbajtur një gjendje shumëvjeçare lëmoshe. Nuk ka fshatra të varfëra në Evropë dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse në fshat prodhohet ushqimi i një populli që jeton në një shtet. Fshati është aleati kryesor i një qeverie për të garantuar ushqimin e popullit të vet dhe si aleat qeveria fshatin nuk e mban në një gjendje lëmoshe permanente, por e mbështet duke siguruar bazën. Pastaj sigurisht ka njerëz që ecin më shpejt, zhvillohen më shumë, bëhen më të pasur, ka njerëz që ecin më ngadalë, por ama familja fermere duhet të jetë një familje që është njësoj, minimalisht si një biznes i vogël në qytet, – familje që prodhon të ardhura dhe jo thjesht që prodhon bukë për të mos lënë fëmijët që të vdesin për bukë.
Sot, ne po vendosim këtë themel, duke hapur nga njëra anë procesin e dhënies së titujve të pronësisë, ai 7501 i famshëm, që ua dha, ua shpërndau tokat në përdorim, por asnjëherë nuk e ktheu përdoruesin e tokës në pronar, duke bërë që mos ketë treg toke në fshat, duke bërë që njerëzit që e kanë tokën në përdorim, të mos kenë mundësi ta shesin, mos kenë mundësi ta përdorin si bazë garancie për të marrë kredi, mos kenë mundësi të bëjnë asgjë tjetër, përveçse ta përdorin vit pas viti për të nxjerrë bukën e përditshme.
Nga ana tjetër, që të mund të bëhej kjo që ne po bëjmë, do duhej të ishte bërë me kohë reforma territoriale administrative, jo të mbahej Shqipëria peng e qindra-qindra njësive administrative që s’kishin as fuqi ekonomike as kapacitete menaxhuese, dhe absolutisht asnjë komunikim me njëra-tjetrën.
Sot kemi 61 bashki të reja që janë struktura të konsoliduara ekonomike në radhë të parë. Kjo që ka filluar është hapja e një epoke të re, që sigurisht do kërkojë kohë, sigurisht do kërkojë punë të madhe, sigurisht do kërkojë disa vite për t’ia parë frytet e para të një ndryshimi historik, por ama është çelur kjo rrugë.
Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit në fshat të mos rrinë të presin, por e para të sigurohen në pronën e tyre. Pra të shkojnë në njësitë administrative dhe të depozitojnë kërkesën bazuar vetëm mbi aktin e përdorimit në pronësi të tokës dhe gjithçka e bën shteti falas, njësoj si legalizimet. Nuk paguani më asnjë lek. As jeni të detyruar të merrni topograf. As jeni të detyruar të bridhni nga zyra në zyrë e nga një vend në një vend tjetër për të përfunduar pastaj në labirinthet e Hipotekës. Ju vetëm aplikoni në Njësinë Administrative dhe Bashkia është e detyruar t’ju dorëzojë certifikatën e pronësisë, titullin tuaj të pronësisë.
Ashtu sikundër, nga ana tjetër, uji, një skandal i madh, një vend me gjithë këtë potencial zhvillimi në fshat, i mbetur në dhëmbët e varfërisë sepse nuk e çau kokën njeri për kaq shumë vite që të pastrojë kanalet.
Përpara tre ditësh ishim në Vaun e Dejës, për 22 km kanal, 30 vjet pa vënë dorë njeri. Jo që nuk punonin dot tokën 31 mijë fermerë, por përmbyteshin mijëra shtëpi, përgjatë kanalit, nga çdolloj shiu, në verë, në vjeshtë, në pranverë, në dimër, sepse kanali ishte kthyer në një rrugë të mbushur me llum, të mbushur me ferra që thjeshtë ua përcillte ujin të gjithëve te dera e shtëpisë.
Këto janë çudira që nuk mund të imagjinohen ne një vend që jeton në mes të Europës dhe për një popull që i ka të gjitha, përsa i përket atyre që i ka dhënë Zoti dhe natyra, edhe diellin, edhe tokën, edhe ujë kudo, kudo dhe vetëm s’ka pasur shtet që t’i rrijë në krahë.
Sot, ne po përpiqemi me të gjitha mundësitë që për këtë shtet për të cilin ka nevojë fshati, për të cilin ka nevojë qyteti, për të cilin ka nevojë fermeri, qytetari, nxënësi, maturanti, studenti, sipërmarrësi, ta bëjmë dhe po e bëjmë hap pas hapi, por ju jeni njerëzit që e dini më mirë se kushdo sepse jeni njerëzit që e ndiqni gjithë ciklin e prodhimit, nga fara e vogël, deri tek pema dhe tek fruti që për ta bërë farën pemë duhet mund, duhet kohë, duhen sakrifica dhe duhet dije dhe jo më për të bërë një shtet që e gjetëm copë – copë, që nuk është se po e bëjmë nga hiçi, por duhet të shembim struktura të vjetra, të kalbura, te korruptuara dhe të ndërtojmë struktura të reja, njësoj si të shembësh një shtëpi që rrezikon të zërë brenda dhe të bësh një shtëpi të re.
Është një proces dhe ky proces ka punë, ka lodhje, ka dhimbje, por ama është e vetmja rrugë për t’ju siguruar fëmijëve që jetojnë sot në fshat që nesër mos të ikin nga sytë këmbët se është kollaj sot të thuash pse ikin të rinjtë. Po çfarë të bëjnë të rinjtë, ku të rrinë? Sidomos ata që janë në fshat, ku të rrinë? Të rrinë të shikojnë dhe të përfytyrojnë të ardhmen e atyre si jeta e babait sot që robtohet për të sjellë bukën dhe djathin në shtëpi, në një toke që ka 25 vjet që e punon dhe nuk e ka të vetën dhe që s’ka asnjë mundësi ta zhvillojë ashtu si do donte për shkak se nuk ka pasur asnjë mbështetje reale financiare. Ku? Si? E pra të gjitha këto ne tani po përpiqemi t’i bëjmë bashkë dhe duke i vënë në dispozicion njerëzve në fshat, struktura të reja qeverisëse, bashkitë e reja dhe duke punuar fort me bashkitë e reja, siç po punojmë përditë për kanalet. Ne po hapim në fakt jo kanale për ujin, por po hapim rrugë zhvillimi dhe pa diskutim që nëse do jemi bashkë dhe të vendosur për të kapërcyer me durim pengesat dhe për të kompensuar dhe boshllëkun e madh në dijen qe kemi do jemi në gjendje të thithim para shumë më tepër edhe nga bankat edhe nga BE. BE nuk jep kokërr leku në qoftë se nuk je në gjendje t’i trokasësh në derë me projekte bindëse të mirë argumentuara dhe me projekte që sjellin sukses. Për ti bërë këto projekte që sjellin sukses duhet dije, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se si u shkatërruan në gjithë këto vite strukturat që administrojnë marrëdhënien mes shtetit dhe fshatit, në gjithë hierarkinë e sektorit të bujqësisë.
Drejtori bujqësie që u kthyen në banda me injorantë, që s’kishin asnjë lidhje me dijen dhe me raportin real, jetësor me fermerin. Ne i kemi ristrukturuar, por jemi ende shumë larg sepse krijimi i dijes së nevojshme bëhet shtresë pas shtrese, vit pas viti. Një kanal për të sjell ujin e pastron kollaj edhe pse sado kollaj që pastrohet – u lanë kanalet të mbushen me plehra dhe me llum, – por ama një kanal që përçon dijen, do kohë që ta hapësh, ashtu siç duhet, dhe prandaj për këtë arsye nuk jemi angazhuar shumë fort edhe për arsimin sot. Nuk është një farë që i sjell frutet menjëherë, por ama që nesër gjenerata e fëmijëve që lindin dhe që janë sot të miturit e fshatit, të mos jenë si ata që u bënë 20 e ca vjeç me shkolla tërësisht jashtë funksionit të tyre dhe me diploma komplet të pavlefshme. Nga ana tjetër, patjetër që fshati nuk është vetëm ujë dhe prodhim. Fshati është jo vetëm ujë dhe prodhim, por është edhe domosdoshmëri për të siguruar arsimin, për të siguruar kujdesin shëndetësor, për të siguruar një jetë normale publike dhe sociale që ishte e pamundur të behej me komunat që ishin. Ca do bënin më përpara komunat? Dhe mbi të gjitha si do ta bënin me këtë shterim të burimeve njerëzore neper zonat e varfëra. Sot, ne kemi mundësi të shpresojmë shumë më tepër dhe të bëjmë shumë më tepër sepse kemi bashki të reja të konsoliduara, ku mund të shfrytëzojmë burimet më të mira njerëzore të zonës dhe në mbështetjen shumë të fortë të qeverisë mund të hapim rrugë që deri dje, as s’mund të imagjinoheshin e jo me të hapeshin.
Prandaj, është një fazë e ndërmjetme aspak e lehtë, por absolutisht është një fazë kthese historike për fshatin dhe familjet tuaja. Sigurisht, për ata që janë më në moshë është një fazë sakrificash të mëtejshme, por për ata që janë më të rinj është një fazë që hap një perspektive.
–Në radhë të parë ju falënderojmë juve zoti kryeministër që gjeni kohën të bisedoni me ne për problemet që ka bujqësia sot. Siç e thatë edhe ju, problemet ne bujqësi janë shumë të mëdha, të trashëguara këtu e 20 e ca vjet, të cilat kanë sjellë prapambetje pothuajse të theksuar, po ta krahasojmë edhe me kohën e kooperativave. Prodhimi në fshatin tonë në kohën e kooperativës ka qënë disa herë më i madh. Të themi realitetin. Tani ju e thatë, problemet janë të mëdha, por mendoj se duhet dhe ne si fermerë patjetër t’i kthehemi bujqësisë më mirë se deri tani, të punojmë më shumë pasi është e vetmja rrugë për ne që jetojmë këtu të dalim nga kjo gjendje. Mendoj që përveç problemeve që thatë ju, vaditja, kanalet të gjitha këto, problem i madh është edhe një fenomen që varet shumë edhe nga ne. Faktin që të rinjtë nuk po venë më në shkollë për agronom. Nuk kemi ne sot nga fshati një të ri që vazhdon shkollën për agronom. Me padije nuk mund të ecim. Mendoj gjithashtu se ne këtu si zonë duhet te kemi dhe një orientim për kulturat që do mbjellim pasi zona jonë nuk është njësoj si Lushnja apo Korça. Duke parë këtë problem mendoj se vreshtaria, pemëtaria nëqoseftëse do i gjendet pika e grumbullimit të prodhimit duhet vlerësuar shumë nga ana jonë dhe nga qeveria pasi edhe në të kaluarën kryesisht merreshin me blegtori zonat e larta të malësisë dhe zona kodrinore me pemëtari. Mendoj që këto duhet të jenë prioritete për ne si fermerë.
Kryeministri Rama: Ne kemi bërë një hartë të rajonizimit të prodhimit duke dhënë qartësisht orientime për kulturat dhe për qasjen që duhet të ketë çdo zonë lidhur me çfarë duhet të prodhojë dhe me çfarë faktikisht mbështesim ne. Sigurisht që të gjithë janë të lirë dhe nëse njërit i shkon mendja që të mbjellë grurë, aty ku faktikisht harta thotë që duhet mbjellë vreshta apo duhet zhvilluar blegtoria, është i lirë ta bëjë, por ne nuk i mbështesim këto lloj zhvillimesh individuale. Ndërkohë që harta e realizimit të prodhimit është përgatitur nga ministria e bujqësisë për mëse dy vjetësh, pra është e qartë. Absolutisht një nga problemet themelore jo të fshatit, por të vendit tonë është mungesa e zanatçinjve, e profesionistëve në zanat. U shkatërrua e gjithë struktura e arsimimit të njerëzve specialistë të fshatit. Nuk mbeti një shkollë profesionale bujqësore, për teknikë te mesëm bujqësorë që ju e dini më mirë se unë, janë kyç, pra nuk është vetëm agronomi por edhe tekniku i mesëm. Po financojmë intensivisht dhe po punojmë intensivisht për arsimin profesional. Jemi një vend që kemi mangësi të mëdha. Ja ku e keni këtu afër hidrocentralin e ri që po ndërtohet. Kur vjen puna për teknikët e mesëm, shkoni pyetni, janë të gjithë të huaj, s’ka asnjë teknik të mesëm shqiptar. Kur vjen puna për specialistë të lartë, janë të gjithë ata të kohës që iu referove. Ky është dështimi më i madh i 20 e ca viteve, që s’kemi krijuar asnjë gjeneratë kompetente, qoftë specialistësh të lartë, qoftë teknikësh të mesëm, pra njerëzish me arsim profesional dhe për këtë arsye, ne kemi një plan të qartë të zhvillimit të shkollave profesionale, që këtë vit kanë njohur një hop të jashtëzakonshëm në kërkesë të të rinjve dhe të të rejave për të hyrë në to sepse i mësoi Saliu – shkoni të gjithë në universitet se e merrni kollaj diplomën për tu bërë juristë dhe faktikisht i përvëloi ata që ndoqën atë rrugë pas berihait nëpër universitete që thjeshtë dhe vetëm shisnin diploma përkundër lekëve dhe i përvëloi njësoj si me piramidat e Sudes dhe Vehbiut dhjetëra, mijëra prindër, çdo vit, duke ia u marrë kursimet e jetës së tyre dhe duke ua u vrarë ëndrrën e tyre me iluzionet që po i bëjnë fëmijët të gjithë me shkollë të lartë.
Por, kjo është tanimë një fazë që ne e kemi lënë pas, të paktën nga filozofia dhe nga drejtimi që po i japim arsimit, duke ndarë qartë, universitetin dhe arsimin profesional dhe po shikoj me shumë kënaqësi që kërkesat për arsimin profesional që në vitin 2013 ishin pothuajse zero, po rriten dyfish, trefish, pesëfish, çdo vit. Nga ana tjetër, sigurisht që kjo punë do kohë por s’kemi çfarë presim në këtë aspekt që po flas.
Nëse ka nevojë për një pikë grumbullimi, mundësia është që bashkia sëbashku me një grup fermerësh të interesuar të bëjnë projektin, dhe t’i adresohen strukturave që financojnë për të ndërtuar një pikë grumbullimi. S’duhet pritur që pika e grumbullit të vijë nga qielli. Duhet të jemi aktivë dhe të avancojmë me projekte dhe me kërkesa konkrete të argumentuara. S’është asnjë shkencë e madhe kjo, kërkon vetëm organizim. Ashtu sikundër bashkia ka detyrimin që të bëjë çmos që të nxisë interesin e atyre që janë sipërmarrës të mesëm ose të mëdhenj që të afrohen për të ndërtuar pikat e grumbullimit, gjë që po e bëjmë me shumë sukses në disa zona të Shqipërisë. Kemi një rritje të konsiderueshëm të pikave të grumbullimit që shërbejnë shumë edhe për formalizmin e prodhimit, por nga ana tjetër, është e domosdoshme që të nxisim ndërveprimin edhe midis fermerëve. Nuk mund të bëjmë kooperativat me dhunë, por interesi i përbashkët duhet ti çojë njerëzit drejtë shkurtimit të shpenzimeve, të kostove. Nëse çdokush merr, po marr një shembull banal, një traktor për një parcelë kostot janë marramendëse, por nëse bashkohemi dhe marrim vetëm një traktor, e bëjmë dhe punën, dhe kostot i ulim bashkërisht. Por të gjitha këto nëse dikur, i nxiste ideologjia dhe i impononte sistemi një shtet, një parti, sot i nxit interesi dhe i imponon nevoja për të rritur prodhimin dhe për të rritur mirëqenien.
Nuk po flas për gjëra që thjeshtë i imagjinoj, po flas për gjëra që ndodhin sot në Shqipëri. Ka plot realitete ku këto gjëra janë fakt dhe s’ ka asnjë dallim të pakapërcyeshëm midis një zone dhe një tjetër për t’i bërë këto në të gjithë Shqipërinë, kështu mendoj unë.
–Kisha dhe një kërkesë. Fshati ynë ka rreth 120 shtëpi. Kemi problem një rrugë që lidh rrugën kryesore me fshatin lart. Na kanë premtuar shumë, mendojmë se e meritojmë ne si fshat.
Kryeministri Rama: Po e meritoni ju, patjetër, por po me gjete një, që nuk e meriton nga Tropoja deri në Konispol, më trego kush është.
-Të gjithë e meritojnë, por mendoj se na ka kaluar radha.
Kryeministri Rama: Miku im, unë e di që secili qan hallin e shtëpisë së tij dhe secili e lidh marrëdhënien me shtetin dhe me qeverinë me rrugën e shtëpisë së tij, por po të tërhiqemi pak dhe ta shikojmë më gjerë këtë punë nuk duhet harruar që ne gjetëm një shtëpi. Shtëpia jonë e përbashkët Shqipëria, është si çdo shtëpi e juaja, nuk është e pasur. Është një shtëpi që ne e gjetëm rrëmuje dhe të zhytur në borxhe. Është njësoj si t’ju them unë juve, – po mirë-, pse nuk dilni në qytet të merrni borxhe dhe të bëni qejf. Sepse jeni të vetëdijshëm që po morët borxhe që nuk i shlyeni dot, ata që ju japin borxh vijnë ju marrin shtëpinë. Mirëpo i zoti i shtëpisë tonë deri në 2013-ën se kishte problem këtë gjë. E la shtëpinë në kumarin e shiritave elektorale dhe ne e gjetëm radhën e atyre që na kërkonin borxhin te dera. 720 milionë dollarë. Po të mos i kishim pasur borxh ato 720 milionë dollarë, sot do ishte bërë dhe rruga e fshatit tuaj, por, ose do të shlyenim borxhet ose do të shtonim radhët e atyre që na kërkonin borxhe për të bërë dhe rrugën e fshatit dhe të mbyteshim që të gjithë pastaj.
Ne e zgjodhëm të bëjmë atë që duhet të bënim, të shlyenim borxhet. Tani pak nga pak jemi në fazën që po marrim frymë lirisht. Ekonomia që e gjetëm me 0%, këtë vit shkon mbi 3. Është shumë në raport me ku ishte, por është shumë pak në raport me nevojat e familjeve, por nuk ka mrekullira në këtë punë. Dini ju ndonjë mundësi që ara të prodhojë aq sa dëshironi, thjeshtë dhe vetëm sepse ju dëshironi që të prodhojë? Jo. Kjo është e pamundur dhe ekonomia është njësoj.
Nuk është e mjaftueshme dëshira, por duhen plotësuar një sërë kushtesh dhe mbi të gjitha kushti i parë është që duhet mundim, sakrifica dhe reforma të thella që janë të dhimbshme. Sot dhe këtu – në fakt se s’ju takon fare kjo bisedë juve se Gramshi është një nga zonat më korrekte në pagesën energjisë elektrike, historikisht, pra është një shembull sesi varfëria nuk ka qënë asnjëherë arsyeja as për ta vjedhur energjinë, as për të mos e paguar energjinë, – ama deri dje paguanit edhe për ata që e vidhnin. Sepse ju e paguanit, të tjerë e vidhnin dhe shteti një është, detyroi të nxirrte nga buxheti – që duhet të shkonte për rrugët, për shkollat, për kopshtet, duhet të shkonte për spitalet, – mesatarisht 150 milionë dollarë në vit dhe kishim bërë ne 200 rrugë si kjo e juaja, për çfarë? Për të mbushur gropën që hapej çdo vit nga hajdutët e energjisë elektrike. Sot jemi në kushte të tjera, nuk i nxjerrim më këto para dhe për këtë arsye sot po investojmë shumë më tepër për sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike që kishte mbetur në pjesën më të madhe të vendit me shtyllat që nguli shoku Enver në kohën e elektrifikimit. Të gjitha këto janë të lidhura.
Kur unë them po bëjmë këtë, po bëjmë këtë, vërtetë po i bëjmë, por askush s’duhet të mendojë se mua më gënjen mendja se këto që po bëjmë janë mjaft dhe me këto që po bëjmë ne jemi të larë me ju dhe ju duhet të jeni sipas nesh, sipas meje, te lumtur me ne. Absolutisht jo, e kam shumë të qartë unë se çfarë është jeta e një familje në këtë zonë apo në çdo zonë të varfër të Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, duhet të jemi të qartë bashkërisht që nga varfëria nuk dilet, duke refuzuar realitetin, nga një sëmundje si varfëria nuk dilet duke refuzuar ilaçet, duke refuzuar operacionet. Këtë bëmë ne, kjo ndodhi 20 e ca vite. Refuzuam operacionet, refuzuam ilaçet dhe politika u tha njerëzve: Mos kini merak se gjërat do bëhen vetë. Mos e paguani energjinë, ndërtoni pa leje ku të mundeni, bllokojeni kanalet, bllokojini ujësjellësat, bëni çfarë të doni se diçka do ndodhi dhe mrekullia do bëhet realitet, por ja që nuk bë, përkundrazi, rezultati kush është? Rezultati është turpi i pashembullt i mishëruar në fjalën që the ë në kohen e kooperativave, që ishte një kohë skllavërie, prodhohej shumëfish dhe sot ne kohën e lirisë pas 25 vjetësh prodhimi eshtë shumë më i ulët dhe ndërkohë mundësitë janë shumë më të mëdha për secilin, nëse ka, jo vetëm vullnetin, por edhe mbështetjen e nevojshme. Këtë ne po mundohemi të garantojmë, mbështetjen e nevojshme. Sot bashkitë janë vendi ku po përgatitet e ardhmja e fshatit, ndryshe nga deri dje, sepse në bashkëpunim me bashkitë mund të ndodhi ajo që thashë. Mund të vëmë ne dispozicion te fshatit 300 milionë euro për tre vjet. Si bën kurrë buxheti i shtetit, merreni buxhetin e shtetit shikojeni. E kemi rritur ne, do ta rrisim prapë, por sado ta rrisim është shumë pak në krahasim me çfarë duhet për të bërë një kapërcim historik ne prodhim. Këtë do bëjmë.
– Ujë të pijshëm faktikisht kemi, por na del jo i rregullt nga ana shëndetësore, sepse kur u bë atje, futën tuba çeliku dhe me të stakuar ujin, ndryshken. Kërkojmë që ata tuba të na ndryshojnë, se nuk kemi ku të mbushim në vend tjetër. Po na e bëtë, faleminderit, po nuk e bëtë prapë faleminderit, se ne jemi gënjyer gjithë jetën.
Kryeministri Rama: Për të gënjyer nuk po të gënjej fare. E keni lehtë, adresa është “Bulevardi Zhan Dark”, ish Shtëpia e Oficerëve, Tiranë, ose po përtove të shkosh në Tiranë, qytetar digjital, fans i Sali Berishës në Facebook dhe komuniko me Saliun. Të gënjen Saliu, të shqep çdo ditë.
Ajo që unë them është se kjo nuk bëhet dot sot, sepse ajo që u bë me ujësjellësit ishte një masakër, edhe më e madhe se ajo që u bë me kanalet. Nëse kanalet nuk u pastruan, tubat e ujësjellësve u bënë lesh e li në gjithë Shqipërinë. Nuk mundet një sistem ujësjellësi të copëtohet në katërqind e ca copa, siç ishte bërë për shkak të gjithë atyre komunave dhe historive dhe nuk mund të funksionojë një sistem ujësjellësi, nëse uji vjen nga mali dhe kalon tek një komunë atje, tek komuna tjetër aty, ndërkohë që njëri e bën tubin të madh, tjetri të ngushtë, tjetri e le pa tub fare dhe tjetrit i vjen me baltë. Bashkitë e reja kanë tani, administrimin e ujësjellësit. Çdo bashki ka ujësjellësin e vet dhe çdo bashki duhet të bëjë programin e administrimit të ujit. Qeveria sigurisht ka për detyrë të mbështesë, por historia hidh pesë lekë këtu, shtatë lekë atje, vër një tub, saldo një tjetër, apo zëvendëso një tub andej, domethënë, një rrëmujë njëzet e ca vjeçare nuk mund të vazhdojë më, sepse ja në ç’situatë jemi! Po të marrësh paratë që janë shpenzuar për ujësjellësit në njëzet e ca vite, do ishte ndërtuar dy herë ujësjellësi për gjithë Shqipërinë. Jo që nuk është ndërtuar, por është bërë copë.
Tirana ka një nga burimet ujore më të mira të Shqipërisë për ujë të pijshëm, por çatitë janë të mbushura me fuçi. Një çmenduri! Edhe kjo është një gjë për të cilën ne kemi filluar të punojmë dhe hap pas hapi do përmirësohet. Por mrekullira nuk ka. Duhet t’i bëjmë gjërat me shumë mundim dhe me shumë durim.
-Pse nuk vihen para ligjit ata persona që e çuan Shqipërinë tonë në këtë fazë? Pse rrinë si ferrë nëpër këmbë?
Kryeministri Rama: E para duhet të shkojnë gjykatësit para ligjit, pastaj gjykatësit të çojnë para ligjit të tjerët. Ferrat pastrohen me kosë, thatë. Kosa është sistemi i drejtësisë. Atë po bëjmë, por jemi në fazën që kemi bërë mbjelljen. Është njësoj si të mbjellësh grurin dhe unë të të them më bëj bukën, ndërkohë që do të më thuash se tani është nën tokë, do ta kultivojmë, do bëhet filiz dhe pastaj do hamë. Ne e bëmë reformën kushtetuese në 21 korrik, kaluam ligjin për “kosën” që do pastrojë ferrat në sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjykatësit, që do dalin të pastër dhe të gatshëm, do fillojnë me kosën e drejtësisë në dorë të bëjnë këtë punën tjetër. Po të mos ishte kështu, nuk kishim ardhur në këtë situatë. Njëzet e pesë vjet dhe duket sikur po i fillojmë gjërat nga e para. Madje as nga e para jo, sepse këtu duhet prishur, pastruar, ndërtuar, mobiluar e pastaj të futemi brenda të jetojmë. Ajo kohë, që, siç tha dikush, kur edhe kosën e bënte kryetari i kooperativave, ka ikur.
-Unë jam një fermer që kam katër hektar vreshta, për dhjetë minuta mua më mbaroi. E gjithë djersa ime atje ishte.
Kryeministri Rama: Miku im, prodhimi duhet siguruar. Në çdo vend të botës është kështu. Ti kur fillon prodhon, edhe e siguron prodhimin tënd dhe nëse të bie breshëri, merr paratë. Nuk mundet dot që për çdo gjë t’i drejtohemi shtetit, sepse shteti jemi ne, është shtëpia jonë e përbashkët. Nëse secili nuk bën detyrën e vet, si i bëhet? Në ligjin për sigurimet, ne do fusim një element për të lehtësuar pjesën në fshat, që mos të jenë në të njëjtën vështirësi. Aktualisht ka njerëz që e sigurojnë prodhimin dhe janë të qetë. Edhe nëse prodhimi iu dëmtohet, marrin paratë.
-Këtu ku jemi ne tani, ndahet uji një kilometër lart, p.sh, dhjetë litra do marr unë dhe që atje dhe deri këtu duhet dy orë të vijë. A ka mundësi që Ministria e Bujqësisë apo bashkia të mund të na bëjnë kanalizime brenda fshatit?
Kryeministri Edi Rama: Të gjitha këto diskutimet janë absurde mbas njëzet e ca vitesh, sepse normalisht bëjmë një bisedë që nuk duhet të ekzistonte sot, por duhej të flisnim për gjëra komplet tjera. Pasi dolëm në ’90-ën dhe thamë duam lirinë, sot, me lirinë duhet të kishim bërë mrekulli. Sot jemi në kushte kur flasim për kanale, për ujin që duhet të shkojë në parcelë. Në një vend ku uji është në katër anët, ne diskutojmë për ujin sikur jemi në Sahara. Këtu na sollën. Tani ose të vazhdojmë me durim, këmbëngulje, punë, vështirësi dhe me shpirt ndër dhëmbë t’i bëjmë këto punë që duhej të ishin bërë, ose të fillojmë nga e para të gënjejmë veten. Boll e kemi gënjyer veten! Duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë gjërat si duhen dhe sipas radhës. Sigurisht që këto të gjitha duhen, por të gjitha përnjëherë nuk bëhen dot. Edhe në shtëpitë tuaja ju mungojnë gjëra, sepse nuk i bëni dot të gjitha. Këto janë mundësitë. Por, nëse i bëjmë mirë këto dhe nëse shfrytëzojmë mundësitë që kemi, shumë shpejt do kemi mundësi shumë më të mëdha.