Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me maturantët e ekselencës:

Unë në fakt kërkova që të ftonim këtu rreth 150 maturantët më të mirë të vitit që sapo u mbyll. Jo ata që domosdoshmërisht kanë fituar, por ata që janë më të mirët. Dhe çfarë mësova?! Që nga më të mirët që jeni ju këtu, jo vetëm që askush nuk ka mbetur jashtë, por në më të paktën ka fituar 4 degë.

Kjo është e vërteta kuptimplotë e faktit që kjo reformë shumë e vonuar për vite e vite të tëra e domosdoshme, kurajoze dhe shumë e vështirë, për shkak të një sistemi praktike dhe mendësie të ndërtuar së prapthi për vite të tëra, funksionon më së miri, në radhë të parë për më të mirët.

Secili prej jush, secila prej jush, jam i bindur, mund të dëshmojë që reforma funksionon.

Së pari, sepse ka një transparencë të plotë dhe çdo maturant apo maturante e ka sistemin para syve.

Së dyti, sepse është e bazuar në konkurrencën që diktohet nga rezultatet dhe bën të pamundur interferencën – në procesin e konkurrencës – të faktorëve të jashtëm, të natyrave të ndryshme që kanë qenë gangrena e sistemit tonë universitar, por edhe e këtij kapërcimi jetik mes maturës dhe universitetit.

Besoj se ju duke qënë më të mirët, jeni edhe të mirinformuar se si ka funksionuar sistemi i mëparshëm. Një sistem me zgjedhje të detyruar të alternativës më të lartë ku maturantët detyroheshin që në moshën 15 vjeç të bënin llogari sipas koeficientëve dhe të bënin një zgjedhje duke përcaktuar në një moshë krejtësisht të brishtë dhe të papërshtatshme fatin e jetës së tyre për shkak të kalkulimeve, pra, matematika ka kaq, fizika ka kaq, ajo ka kaq, dhe që unë të shkoj në universitet mbas 3 vjetësh duhet të bëj këtë zgjedhje. E faktikisht, gjimnazi për ju ka qënë një torturë.

Ju torturën e kaluat me sukses, por nuk do të thotë që nuk ishte torturë dhe për më tepër deri vjet, pasi bëje zgjedhjet nuk mund të ndryshoje më as degën, as mendjen sepse ishte thjesht e pamundur.

Llogariteni tani, kur është kaq e vështirë për të zgjedhur degën dhe programet, sa e komplikuar është që të bësh renditjen e tyre njëra pas tjetrës me atë sistem ku çdokush kishte vetëm një mundësi për të zgjedhur dhe jo 10, sepse në të gjitha rastet, pavarësisht se bënte dhe 9 të tjerat, fitonte gjithmonë alternativa e parë që zgjidhte. Ashtu sikundër, edhe po të kishte mundësi për ta vazhduar garën, s’kishte mundësi korrigjimi sistemi. Gjithmonë ishte i destinuar apo e destinuar, maturanti apo maturantja, që të shkonte në të njëjtën degë që e kishte përcaktuar nga halli, nga imponimi, për shkak të sistemit, që në moshën 15 vjeç.

Fakti është që me një fjalë të vetme mund të thuhet se nëse sot nga burime të ndryshme, për arsye të ndryshme ngrihet pretendimi se u penalizuan ekselentët. E vërteta është se ne kemi shembur një sistem që ngrihej mbi penalizimin e ekselentit. E ju që jeni ekselentë nga i pari te i fundit këtu, e dini shumë mirë se ky sistem që ne kemi nisur të ndërtojmë ju ka dhënë mundësinë që sot të jeni të çliruar krejtësisht për shkak se keni marrë frutin e parë në jetë të suksesit të ndërtuar me punë 3 vjet rresht dhe askush dhe asgjë s’ka mundur t’ia u devijojë rrugën e suksesit që përcaktojnë vetëm rezultatet tuaja, asnjë faktor tjetër.

Sistemi i vjetër ishte i ndërtuar në dy faza, vetëm se në fazën e dytë t’i s’mund të ndryshoje as degën, s’mund të ndryshoje as renditjen dhe kjo sillte që një pjesë e konsiderueshme maturantësh të tejkaloheshin nga më të dobët për shkak vetëm të sistemit dhe të pamundësisë që sistemi i jepte për fleksibilitet gjatë rrugës. Pra renditja, mbi bazën e kalkulimeve të imponuara nga sistemi, ishte shumë më e rëndësishme se sa merita dhe kështu jo gjithmonë më të mirët shkonin atje ku dëshironin. Lëre pastaj që të shkonin atje ku prirja e tyre natyrale, zhvillimi i tyre gjatë 3 viteve, perceptimi i tyre për vetveten mund t’i çonte sepse ishin skllevër të zgjedhjes që kishin bërë që kur ishin 15 vjeç.

Nga ana tjetër, edhe diçka. Kandidatët fitues të fazës së dytë e fillojnë shkollën më vonë se të tjerët dhe madje ishte dhe diçka tjetër që ishte pastaj shqelmi përfundimtar brenda sistemit; shtesat, shto këtu, e shto atje. “Ky është ai, ajo është ajo, ai është i këtij, ajo është e asaj, etj, etj” dhe përfundonte historia që deri në janar apo deri në shkurt të vazhdonin shtesat nëpër universitete. Një farsë kjo, e paimagjinueshme për një vend serioz, për një shtet serioz për një sistem universitar normal.

Për sistemin aktual, faktikisht, unë nuk pretendoj që sistemi është i përsosur. Çdo sistem sado i përsosur të jetë ndërtuar në mendjen e njeriut që e koncepton dhe përpiqet ta vërë atë në jetë, është gjithmonë i përmirësueshëm për shkak se njeriu gjithmonë ka një kufizim në forcën e imagjinatës së tij për të parashikuar çdo gjë.

Ama, ky sistem me krenarinë më të madhe, e them, për herë të parë mbas nuk e di se sa vitesh e vitesh garanton më të mirët. Hera e parë me siguri që nga viti 1990 që më të mirët janë të privilegjuar. Ne nuk e kemi fshehur këtë. Ne nuk mendojmë që bërja e gjithë nxënësve siç thotë dhe shprehja “si këmbët e dhisë” përbën ndonjë vlerë demokracie, barazie, solidariteti etj. Barazi mundësish për të gjithë, por ama, më të mirët të privilegjuar për shkak të rezultatit të tyre, garanci për meritën.

Sot, ju akoma jeni në kushtet kur mund të reflektoni mbi bazën e alternativave që keni në dorë dhe deri në fund të bëni një zgjedhje përfundimtare të mirëpeshuar, sipas gjithë arsyetimit që në këtë moshë mund ta bëni shumë më mirë se sa në moshën 15 vjeç dhe në këto kushte që sistemi garanton mund ta bëni shumë më të balancuar, duke marrë në konsideratë shumë faktorë të tjerë.

Ka një lojë kungulleshkash që ju e keni dëgjuar, “Pse 10? 5! Po pse 5? Të jenë 3! Po pse 3? Të jenë 7!. Pyetja ime është shumë e thjeshtë. Jashtë shtetit sa aternativa ka? Pa kufi! Maturantët mund të zgjedhin dhe 100 po të duan. Atëherë për çfarë i hyjmë kësaj loje kungulleshkash? Për faktin e thjeshtë se ata që flasin përgjithësisht në Shqipëri për fat të keq që e kanë një mikrofon dhe që kanë një penë dhe që kanë akses në kanalet e informacionit, në të shumtën e herës nuk dinë çfarë flasin dhe nuk iu intereson fare për kë flasin. Iu intereson vetëm që të çojnë përpara axhendat e tyre sipas nevojës së momentit, por jo sipas nevojës së grupit të interesit apo individëve për të cilët pretendojnë se flasin.

Parashikohet një raund i dytë, ku ju keni të drejtë të ndërroni zgjedhjet tuaja dhe sistemi i ri ka mundësi ankimimi në çdo raund.  Përpara nuk ekzistonte ankimimi.

Sot kuotat e deklaruara nuk mund të ndryshojnë. Deri kur ishte në funksion sistemi i vjetër parafytyroni ka pasur raste të rëndomta që një degë në një fakultet fillonte me 70 vetë dhe në janar katandisej me 150 vetë. Shtesa, shtesa, shtesa, kjo nuk ndodh dot më.

Ashtu sikundër, ka dhe një moment tjetër që duhet sqaruar mirë sepse e keni dëgjuar se thonë se po qe se në raundin e dytë mbasi këta që janë më të mirët do të lirojnë degët që nuk i zgjedhin, të tjerët do të zënë nga 10 degë etj etj, kjo është prapë një gjë që vjen si rezultat i mosnjohjes, i mosleximit, i mosinformimit, i mosdëshirës për të marrë vesh se nuk janë ndonjë shkencë e madhe. Kjo nuk do të ndodhë sepse për raundin e dytë ka një protokoll të mirëpërcaktuar, ku çdo universitet do të zbresë vizën e kuqe në funksion të plotësimit të kuotave. Pra, nuk do të ketë një raund të tretë, ku përsëri ata që do të ngelen jashtë të bëjnë nga 10 zgjedhje, por mbasi ata që fitojnë zgjedhjen që dëshirojnë në raundin e dytë, të gjithë të tjerët do t’i nënshtrohen pozicionit ku i çon viza e kuqe.

Një arsye tjetër pse ky sistem funksionon është vlerësimi i punës së bërë në 3 vite. Pra, i mesatares të gjitha viteve, por dhe balancimit të mesatares me peshën e maturës shtetërore sepse çfarë ndodh. Ne jemi të vetëdijshëm që jo të gjitha shkollat kanë një kapacitet të barabartë. Ka shkolla që kanë kapacitet më të lartë, ka shkolla që kanë kapacitet më të ulët dhe 10-ta në një shkollë nuk është më të njëjtën peshë si 10-ta në një shkollë tjetër, sot që flasim. Edhe kjo do të korrigjohet hap pas hapi. Atëherë 10-ta që pavarësisht kësaj që thashë ka të njëjtë vlerë në të gjithë hartën e territorit të Shqipërisë, testohet sot me peshën 50% që i jepet maturës shtetërore dhe matura shtetërore me mesatare arrin të japin një pamje të qartë të çdo maturanti që synon të hyjë në universitet. Pra, vlerësojmë shumë më mirë dhe i japim shumë rëndësi mundit të tre viteve, por nuk lëmë mënjanë testimin e këtij mundi përmes maturës shtetërore dhe ju jeni përsëri shembulli i shkëlqyer për këtë.

Nga ana tjetër, reforma synon t’i japi autonomi të plotë universiteteve. Janë universitetet sot që kanë shumë më tepër peshë, shumë më tepër rol dhe shumë më tepër përgjegjësi në këtë proces. Viti akademik fillon njësoj për të gjithë. Sot asnjëri nuk përjashtohet në errësirën totale të deri vjetshme dhe secili ka jo vetëm mundësinë të vlerësojë veten, por ka mundësinë të shohë të gjithë ata që ka rreth e rrotull në sistem. Pra, askush s’e krahasonte dot deri dje mesataren e vet me të atij që kishte konkurrent në krah, në rankimin përkatës. Sot krahasimi është plotësisht i mundur, sepse sistemi është i hapur për të gjithë. Deri dje, sistemi elektronik vendoste arbitrarisht dhe askujt nuk i jepte mundësi që të gjykonte mbi vetveten dhe mbi të tjerët.

Sot, sistemi është një instrument në dorën e çdo maturanti për të bërë llogari, për të llogaritur veten, për të llogaritur konkurrentin dhe për të mos ia lënë veten në dorë të panjohurës, të kombinuar me faktorë të tjerë, të natyrave të ndryshme, që nga influencat politike, tek korrupsioni, tek lidhjet familjare, etj, etj. Të gjitha këto sot, kanë rënë. Nga ky sistem merr të gjitha mundësitë në dorë që të mos ta humbasësh shansin që të takon ta fitosh.

Tani deri në 20 shtator ju duhet të vendosni se në cilën degë do të vijoni rrugën e jetës dhe do të kryeni regjistrimet pranë universiteteve. Universitetet do të shpallin vendet bosh në 22 shtator dhe nga 23 deri 1 tetor ata që nuk kanë fituar raundin e parë apo dhe që mund të mos kenë aplikuar fare për këtë raund – se dhe kjo është shumë e rëndësishme – bëjnë aplikimin përsëri me 10 preferenca që mund të jenë pjesërisht apo totalisht të reja në portalin e maturës shtetërore. Brenda datës 4 tetor agjencia kombëtare e provimeve dërgon listat pranë universiteteve dhe në 6 tetor universitetet shpallin rankimin e dytë, deri në mes të tetorit. Faktikisht 16 tetor kryhen të gjitha procedurat e ankimimit, shqyrtimit dhe regjistrimit të raundit të dyrë.

Më lejoni t’ju them një fakt që është shumë domethënës. Faktin që pavarësisht të gjitha zhurmave dhe historive, ankimimet e raportuara, pra ato zyrtare, jo ato të portaleve e të kanaleve të baltës, janë 0.06% ose një ankimim në 1655 raste, që është një rezultat spektakolar për faktin që sistemi është me integritet të plotë dhe me besueshmëri shumë të lartë, sepse mund të ndodhte dhe nuk do ishte ndonjë çudi. Më kujtohet, nuk e di a e keni ju parasysh kur u lançua sistemi i ri i mbulimit universal të Presidentit Obama dhe u ftuan të gjithë njerëzit të fillonin aplikimet në portalin e madh të qeverisë amerikane, ra sistemi, u bllokuan aplikimet, në elementin më kyç të mandatit të parë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Parafytyroni këtu çdo të kishte ndodhur sikur të binte sistemi. Do thoshin: Krimi, droga, kartelet, rrëmbyen sistemin. Pra, çdo sistem ka nevojë të kolaudohet aq me tepër kur bëhet fjalë për një sistem të teknologjisë së re, që duhet të implementojë një sistem të ri në gjithë procesin e hyrjes në universitet. Fakti që kemi pasur 0.06% ankimime është një sukses, por akoma më e rëndësishme, shumë e rëndësishme, të gjithë ata që janë ankuar, kanë marrë përgjigje dhe sistemi është sprovuar edhe në verifikimin e ankimimeve, duke dhënë provën që nuk ka bërë gabime në kalkulim. Kështu që, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ka parashikuar që vendet e lira që do të mbeten nga raundi i dytë, do të plotësohen nga vetë universitetet, me një protokoll shumë strikt, regjistrimi, pranë sekretarive dhe raportimi online që do ndihmojë dhe do garantojë transparencë të plotë për të respektuar meritën dhe për të garantuar vijën e kuqe, që të mos ulet dhe të ngrihet sipas qejfit.

Vetëm këtu, në këtë sallë, po të llogarisim ata që kanë fituar pesë degë, duke i liruar pesë degët, dalin 600 vende bosh.

Së fundi, ka dhe një element tjetër që ka një rëndësi themelore që nuk ka të bëjë me maturantët vetë, ka të bëjë me sistemin në bazë, pra në gjimnaz. Procesi i kësaj reforme është kompleks. Ky element që është bërë sot tema e ditës, është vetëm një moment i procesit shumë i rëndësishëm, i kalimit nga gjimnazi në universitet, por që procesi të funksionojë duhet gjimnazi të transformohet, pra reforma shtrihet që në ditën e parë të gjimnazit dhe procesi do të ndryshojë rrënjësisht në vitin e parë të gjimnazit. Na falni që nuk erdhëm më parë në qeveri se ju e hëngrët pjesën tuaj të çorbës së sistemit, por parafytyroni që sot ata që kanë filluar shkollën në gjimnaz nuk do kenë më zgjedhje në një mori lëndësh ku do llogarisin koeficientin më të madh dhe nuk do jenë më të imponuar që të bëjnë zgjedhjen e jetës së tyre tani që janë në moshën 15 vjeç. Gjimnazi i ri do të jete një gjimnaz i unifikuar. Në dy vitet e para të gjithë do të jenë në të njëjtat kushte, me një program të unifikuar. Vetëm në vitin fundit të maturës do të fillojë lidhja me universitetin, me vetëm 5 lëndë bazë, plus lëndët me zgjedhje.

Pra, ju e kuptoni më mirë se të tjerët se çfarë po flas. Është një lehtësim i jashtëzakonshëm, por është dhe një hapje e një horizonti mundësish për të gjithë, që dy vitet e para të fokusohen në të njëjtin program dhe pastaj duke vlerësuar veten në raport me të tjerët, duke vlerësuar rezultatet në një aspekt tjetër, duke bërë balancën midis atyre që arrijnë dhe atyre që ëndërrojnë, në vitin e fundit të mund të bëjnë zgjedhjet, duke pasur vetëm 5 lëndë. E gjëja që realisht me bën krenar për këtë reformë, është që futen dy lëndë të domosdoshme në gjimnaz, gjuha shqipe dhe filozofia.

Në moshën 15 deri 18 vjeç një shtet që i lë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër pa gjuhë shqipe dhe pa filozofi dhe gjuhën e pasurojnë nga portalet, nga parlamenti, nga debatet në televizor, nga shkara-shkrimet lartë e poshtë dhe sigurisht edhe nga sms-të që ju i bëni me rendiment të lartë, si gjithë ne që jemi shqiptarë të etur për komunikim, ku është fakt botërisht shqetësues që shkurtimet e vazhdueshme dhe e folura me një zhargon të veçantë, deformon njohuritë e kapacitetin për gjuhën tende.

E dyta, filozofia, që është një instrument i pazëvendësueshëm për moshën tuaj, për të mundur që të ndërtoni gjykimet tuaja mbi veten dhe mbi botën në mënyrë të pavarur. Kjo është një reformë komplekse që nëse do të ishte bërë vite më parë, sot nuk do kishim një administratë që në të shumtën e herës ka probleme të rënda me shkrimin e gjuhës shqipe.

Ashtu sikundër, nuk do kishim një komunitet lehtësisht të influencueshëm nga gjithë kjo vorbull ku janë rrënuar për vite të tëra vlera, norma, dhe mësime elementare edukate të marra në familje. Lavdi Zotit që janë familjet! Lavdi Zotit që janë prindërit, gjyshet, gjyshërit! Lavdi Zotit që pavarësisht të gjitha vështirësive, ka ky vend kaq shumë njerëz si ju!

Thuhet shpesh një parullë që “të rinjtë janë e ardhmja, e ardhmja është e të rinjve”, por faktikisht nëse e ardhmja ka një garanci sot, garancia e të ardhmes janë më të mirët e moshës suaj, jeni ju, jo kategoritë e përgjithshme.

Unë jam i bindur që këtu mes jush ka vajza dhe djem që i kanë pasur të gjitha arsyet që të mos mësojnë. Me prindër të papunë, prindër të sëmurë, familje në vështirësi ekonomike dhe në realitete të vështira dhe të varfra të Shqipërisë, probleme të mëdha të cilësisë së jetës komunitare. Çfarë duhet më shumë për një vajzë dhe për një djalë të thotë “nuk mësoj”?!

Edhe shumë më pak mjafton. Por ju keni zgjedhur rrugën e përballjes me vështirësitë dhe nuk i jeni referuar vështirësive si justifikim për të mos marrë 10-at tuaja. Keni bërë dy gjëra shumë të rëndësishme. Të parën, për veten tuaj, sepse duke investuar këtu, po mblidhni një kapital që nesër do t’ju kthehet në një cilësi jete shumë më të mirë se ajo e prindërve tuaj, në të gjitha rastet. Por e dyta, që për mua ka një vlerë shumë të madhe, keni dhënë një provë të jashtëzakonshme ju, dhe të gjithë ata si ju, në të gjitha klasat, në të gjitha vitet, – që vështirësitë nuk janë alibi, dhe yjet shkëlqejnë në çdo errësirë. Që është gjëja që ju siguroj që edhe Shqipëria mund të bëjë, nëse do të ketë forcën që të mendojë si ju dhe të luftojë si ju.

Unë jam krenar që pavarësisht gjithë vështirësive të trashëguara, dhe gjithë këtyre problemeve që hasen në çdo element të çdo sistemi, jo vetëm në sistemin arsimor, por edhe në sistemin shëndetësor, edhe në çdo sistem tjetër, ne po punojmë çdo ditë, jo për të marrë qetësinë e ditës. Të tjerët para nesh e kishin zgjidhur ndryshe. Siç shumëkush ma ka kërkuar dhe mua, ia ka kërkuar dhe Linditës: “ta zgjidhim këtë punë me ca rregullime. Mbyllim sytë dhe të themi, hajt se s’ka problem, mbyllim pak këtu, lëshojmë pak atje, bëjmë pak kështu”. Por duke bërë kështu 20 e kusur vite, Shqipëria e ka djegur një gjeneratë. Ne po punojmë çdo ditë që gjenerata juaj mos digjet. Dhe nuk do digjet, pikërisht sepse po bëjmë reforma që mbase nuk janë të këndshme. Përkundrazi, ndonjëherë kanë dhimbje. Unë e di shumë mirë çfarë do të thotë për një familje që ka vështirësi ekonomike, të fillojë të paguajë energjinë pasi është mësuar 25 vjet mos ta paguajë. Por fëmijët e asaj familje mund të kenë të ardhme vetëm nëse familja e paguan energjinë, dhe s’kanë të ardhme nëse familja vazhdon mos ta paguajë. T’u shkelësh syrin prindërve me idenë se po iu lehtëson dhimbjen, do të thotë t’ju fikësh dritën e syve dhe të së ardhmes së fëmijëve. E njëjta gjë funksionon horizontalisht, në të gjitha sistemet që kanë nevojë të reformohen.

Ne mbyllëm 18 universitete. S’ishte e lehtë, sepse ishin mijëra e dhjetëra mijëra prindër, e mijëra e mijëra studentë që kishin investuar. Por “më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund”, thotë një fjalë e mençur. Ne zgjodhëm “fundin e tmerrshëm” për të gjithë ata që të hapim mundësitë që janë hapur sot për ju.

Nuk e di a ka këtu, dhe me siguri duhet të ketë, studentë që kanë aplikuar në universitete private. E keni dëgjuar këtë melodinë që “po i jepet rëndësi privatit”. Jo, fare! Një gjë tjetër ka ndryshuar. Nuk ka universitete të nënës dhe universitete të njerkës, sepse nuk ka fëmijë të nënës dhe të njerkës, kur bëhet fjalë për fëmijët e Shqipërisë. Ne kemi përgjegjësinë që çdo fëmijë, pavarësisht se shkon në universitet publik apo në universitet privat, të garantohet për cilësinë. Ajo që ne kemi bërë është që kemi ndryshuar thelbin e të qenit universitete private, nga universitete private fitimprurëse, në institucione publike të financuara nga privatët pa qëllim fitimi. Pra, gjithçka që universiteti merr nga kontributet e riinveston atë aty, siç janë plot institucione publike në botë që financohen nga privati. Për çfarë duhet të kemi ne kompleks?! Përkundrazi, fakti që të tjerët që e ngrenë këtë tezë absurde nuk e kanë kompleks, flasin me gjuhën e padijes, është problemi i tyre.

Por ne e kemi detyrë që në çdo universitet, i financuar nga shteti apo i investuar nga privati, fëmijët e Shqipërisë të marrin maksimumin e cilësisë. Për këtë arsye, praktika është sot sipas reformës tërësisht e unifikuar. Standardet janë tërësisht të unifikuara dhe kërkesa e llogarisë është tërësisht e unifikuar. Nuk ka më universitete që të japin diploma në natyrë.

Mbase e keni dëgjuar historinë. Unë kam një zakon të vjetër nga koha kur isha kryetar bashkie.

1 apo 2 herë në vit dal natën i pashoqëruar. U iki dhe atyre të gardës që nuk e kuptojnë ku shkoj, dhe marr një taksi. Kam shumë qejf të flas me njerëzit që janë shoferë taksish, sepse ata janë barometri më i mirë. Në një taksi mund të dëgjosh në 2 orë gjithçka dhe mund të kuptosh shumë më tepër se nga analizat, analistët, debatet, portalet, onlinet për vendin ku jeton dhe për problemet që kanë njerëzit. Shyqyr që s’po gjej më problemin që çdo taksist të jetë me master. Çdo taksixhi që takoja me master, me doktoratura. Dhe e tregonin se i merrnin në natyrë. Nuk shkonin në universitet. Njëri i shërbente gruas së pronarit të universitetit. Merrte, i çonte fëmijët në shkollë, dhe ai i jepte master, doktoraturë. Sot s’ka më të tilla, dhe këto janë hapa shumë të rëndësishëm.

Sigurisht që ju keni të drejtën të thoni “ne duam më shumë”, dhe padyshim që duhet bërë shumë më tepër. Por koha është një element shumë i rëndësishëm. Zhbërja e një sistemi apo e një kompleksi sistemesh të ndërtuara siç ishte ndërtuar ky sistem që ne sot e kemi lënë pas, është jo aq e vogël sa të hapësh dhe të mbyllësh sytë.

Unë ju falenderoj dhe një herë për gjithçka ju keni bërë. Ju nuk jeni njerëz të njohur. Ju nuk dilni në televizor dhe bëmat tuaja, që janë bëmat më të rëndësishme që ndodhin në këtë vend çdo ditë, janë rezultatet tuaja, sot i dini ju, i di familja, i di rrethi shoqëror, shokët e shoqet e klasës.

Por ju siguroj që për mua takimi me nxënësit e 10-ve, që kohë më parë, – kur kam futur për herë të parë në pushtetin vendor në Shqipëri, bonusin për ata të 10-ve, – është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një njeriu që është në detyrë si kryetar bashkie, si ministër, si kryeministër, sepse ju jeni me kokën plot.

Mjafton të shikoni të enjteve në televizor dhe e kuptoni që ka një problem të madh në këtë drejtim. Ndërkohë që respektin më të madh për ju, respektin më të madh për prindërit tuaj që kanë bërë një investim të jashtëzakonshëm, me shumë sakrifica, dhe që juve keni pasur aftësinë dhe mirësinë t’jua ktheni me këtë rezultat fantastik që keni arritur. Ju jeni dëshmia fantastike që reforma është e duhura, dhe jeni nxitja më e fortë për mua, për ministren, për të gjithë ne që të vazhdojmë të punojmë për ju.

Më çonte një mesazh një prind. Kam marrë shumë mesazhe këto kohë, por ishte mesazhi më i bukur. “Kjo reforma jote, – thoshte, – ma dogji të madhin, por ishallah iu vijnë mend këtyre dy të tjerëve që kam në radhë. Njërin e kam për vit të parë gjimnaz, tjetrin e kam në klasë të shtatë. Që të paktën ta kuptojnë se çfarë i pret.” Në fakt unë e mora në telefon. Kërkova informacion për të madhin, dhe i madhi nuk është djegur. Unë besoj që nuk do digjet me rezultatet që ka. Po thjesht i ati, bashkë me të madhin, kishin rënë viktimë e këtyre altoparlantëve që kemi mirësinë t’i kemi dhe poshtë penxheres. I falënderoj se na e japin më qartë pamjen e kohës ku jetojmë. Një palë që e kanë seriozisht dhe mendojnë seriozisht si t’i përmirësojnë gjërat, dhe një palë tjetër që bërtet dhe ulëret pa ditur fare se për çfarë flet.

Unë doja t’ju shoqëroja më pas që t’ju tregoja disa gjëra të bukura në këtë godinë, por pastaj më thanë që përpara se unë të bëj këtë, ministrja duhet të jetë në dispozicionin tuaj këtu ku jam unë tani, për t’ju përgjigjur ndonjë pyetjeje, ndonjë meraku që ju mund të keni, dhe ta bëjmë këtë fazë të ndërmjetme për t’ju respektuar të gjithëve ju, dhe pastaj bashkarisht pa kamera të bëjmë dhe pak muhabet më shumë, sepse është e rrallë që nën këtë çati të ketë kaq shumë koka të mëdha në të njëjtën orë. Jam shumë i privilegjuar që ju kam juve këtu. Sinqerisht! Shumë faleminderit për këtë nder të madh që i bëtë kësaj godine!

-Më lejoni që të falënderoj Ministren. E kam uruar këto ditë, disa herë, sepse e kanë sulmuar shumë. Unë besoj se kjo është prova e sigurt që Ministrja po bën gjënë e duhur. Kështu matet në mjedisin tonë, të paktën, unë kështu e mas. Kur bën një punë, po nuk të sulmuan ata që dinë të bëjnë vetëm atë punë, ka diçka që nuk shkon në punën që po bën.

Falenderoj Ministren dhe ekipin e Ministrisë, sepse po përballojnë një proces shumë të vështirë, për shkak se është hapi i parë i zbatimit të një reforme rrënjësore që ne e kaluam në Parlament para disa kohësh, pasi punuam me të, intensivisht, në dy vitet e para.

Po e mbyll, duke i thënë një fjalë vajzës që tha se unë dua të shkoj në mjekësi, por pse nuk shkoj dot aty, ndërkohë që ka mundësinë të shkojë në degë të tjera, sepse është ndër ekselentët; Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ata që deri tani kanë shkuar në mjekësi janë më të mirë. Sepse edhe mes më të mirëve ka prapë, me presje dhjetore, disa më të mirë.

Çfarë t’i themi atyre që në fakultetin e Farmacisë kanë dalë fitues nga raundi i parë dhe e kanë mesataren 10-të. Unë e kuptoj që dikush që e ka mesataren 9.99-të mund të thotë “si mund të mos bëhem farmacist dhe si mund të mos ta marr të drejtën që në raundin e parë”. Por ja që Shqipëria për një gol iku nga Kampionati Europian. Kishte pikë të barabarta, por golavarazhi e ndëshkoi. Të gjithë, sa herë i kthehemi asaj historie, themi sikur të mos ta kishim marrë atë gol. Ndërkohë që, ai gol ishte tamam si ajo presja dhjetore që e nxori Shqipërinë nga faza tjetër.

Megjithatë ka edhe një të mirë shumë të madhe, siç thoshte një prind, që ata të tjerët që vijnë më mbrapa, kur të thonë që do të shkoj në mjekësi, ta dinë mirë që për të shkuar në mjekësi duhet të jesh vërtetë Gjermania.

Faleminderit shumë dhe shumë suksese!

Faleminderit edhe atyre që na ndoqën! Besoj që ishte ndihmuese. Mos e harroni atë që tha Ministrja, ende nuk ka asnjë fitues përfundimtar, sepse edhe ju duhet të vendosni se ku do të shkoni përfundimisht, jo më të tjerët që duhet të plotësojnë të gjithë hapat. Unë e kam thënë që në fillim, pjesa dërrmuese e atyre që kanë rezultate normale, jo ekselente, do ta kuptojnë edhe vetë që i gjithë ky ishte një mundim që ia vlente. Ndërkohë që i gjithë ankthi dhe frika ishin thjesht sajesë e konsumimit të tepërt të lajmeve politike në Facebook.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.