Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Jozefinë përmende shahun, por unë nuk jam i sigurtë që ti loz as “damë”. Se kjo lloj mënyre është si ajo loja “tresh”. Nuk e di a e keni luajtur në Shkodër ju treshin. E ti je për fat të keq e treta në bronz në PD.
Në fakt, unë prisja që dikush sot dhe meqë grupi juaj sot është pa kokë se koka mungon, të takonte ty që të thoshe dy fjalë lidhur me reformën në drejtësi. Megjithatë do ti them vetë. Së pari, dua të falënderoj partnerët tanë SHBA dhe BE për të gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që kanë bërë prej një viti e gjysëm, me një durim të jashtëzakonshëm për të krijuar kushtet për një proces gjithëpërfshirës, ku në fakt të vetmit që nuk deshën asnjëherë të përfshiheshin seriozisht, ishit ju.
Dua të falënderoj po ashtu edhe për deklaratën e djeshme, e cila konfirmon pa asnjë ekuivok se drafti që tanimë ka hyrë në rrugën për të ardhur drejt sallës nuk është drafti i Partisë Socialiste, nuk është drafti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk është drafti i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nuk është drafti i shumicës parlamentare, por është drafti i përbashkët i yni, i shqiptareve, i SHBA dhe i BE.
E faktikisht deklarata e djeshme ishte shprehja kuptimplotë e bashkautorëve të një drafti ku mungon vetëm Partia Demokratike, opozita e sotme e Shqipërisë. Drafti do të vazhdojë në rrugën e vet dhe ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit, duke mbajtur hapur derën e negociatave.
Ne nuk na intereson fitorja politike dhe nuk i gëzohemi disfatës tuaj që tani është e qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve lidhur me “kush është kush” në procesin e përpjekjes për ti dhënë vendit reformën në drejtësi sepse na intereson më shumë një fitore e përbashkët, e jona dhe e juaja, që duhet të kurorëzohet si një fitore e Shqipërisë në vjeshtë për të çelur negociatat me BE.
Por kjo do të ishte vetëm ana simbolike e një suksesi të përbashkët, ndërkohë që thelbi i suksesit do të ishte dhe do të jetë, me ju ose pa ju, shembja e ngrehinës së kalbur të sistemit të sotëm të drejtësisë. Ju kam thënë sot e një vit e gjysëm më përpara se këtë sistem ne do ta shembim përtokë, me ju ose pa ju. E nëse nga dje, sot, nuk jeni akoma të bindur për këtë, prisni se do të bindeni.
Edhe njëherë dua t’ju përsëris. Ne jemi gati t’ju shtrijmë dorën. As nuk diskutohet se reforma me ju ose pa ju do të behet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim sepse sado i lartë të jetë çmimi, është shumë më e lartë kostoja e mbajtjes në këmbë të këtij sistemi horrllëku që materializohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve, në sallat e gjyqeve, që janë salla ku njerëzit e thjeshtë ose duhet ta blejnë drejtësinë, ose duhet ta shohin atë “e ikur nga duart” dhe e shitur me një çmim më të shtrenjtë diku tjetër. Po materializohet patjetër edhe në shfaqet spektakolare të abuzimit me drejtësinë që marrin vëmendje publike për shkak se përfshijnë instanca të larta.
E patjetër që cilido të jetë çmimi, reforma ia vlen këtë çmim. Por sigurisht që ne jemi të vetëdijshëm, ju nuk jeni të vetëdijshëm. Unë shpresoj që koha e mbetur deri kur drafti të vijë këtu , t’u vetëdijësojë që kemi në dorë që çmimin ta bëjmë të përballueshëm dhe reformën ta bëjmë së bashku.
Ju pashë dje në një përpjekje të dëshpëruar, -njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara, parti të dëshpëruara bëjnë shfaqe dëshpërimi të pangushëllueshme, – që mundoheshit të provonit me email-e pune, në bashkëpunim me partnerët se ju keni të drejtë. E flisnit për ca data të fillimit të vitit e për ca propozime të fillimit të vitit. Por ka një vërtetë tjetër që është shumë më e freskët. Ju nuk erdhët në komisionin e posaçëm parlamentar përpara shumë pak javësh për vendet e rezervuara. Ju erdhët në Komisionin e posaçëm parlamentar për ti thënë “Jo” draftit të reformës dhe duke vënë në tavolinë një draft tërësisht të njëanshëm, tërësisht të ri dhe tërësisht tuajin. Çfarë domethënë kjo, që para shumë muajsh ku ishte ende dimër ju paskan ardhur ju disa email-e, ku një ndër opsionet kanë qene vendet e rezervuara, ndërkohë që ju e kaluat të gjithë pranverën, jo duke kërkuar vende të rezervuara, por duke penguar, duke zvarritur reformën në drejtësi me gjithfarë alibish. Ja ku e keni Valentina Leskajn, atje. Çohuni dhe kërkojini falje se nuk latë fjalë pa thënë për atë grua dhe ju premtuat shqiptarëve se do të shpëtonit parlamentin nga ajo grua. Gjykata Kushtetuese ia u dha përgjigjen dhe imagjino tani, kur edhe gjykatat tuaja nuk arrijnë dot të bëjnë atë që ju kërkoni, merreni me mend se çfarë çmendurie keni kërkuar. Njësoj si puna e atij gjykatësit që është një “killer me pagesë” i drejtësisë, ose me flamur partie, njësoj janë për mua, i cili u përjashtua nga këshilli i lartë i kënetës, si një njeri i cili dhe në kënetë ishte i tepërt.
Të qëndrojmë tek çështja më e rëndësishme dhe as nuk diskutohet që ajo që ka ndodhur këto ditë me policinë e shtetit është kundërveprimi i pritshëm, ne presim dhe të tjera, patjetër, presim dhe te tjera, por ju nuk keni parë gjë akoma, dhe e dini pse?! Për një arsye shumë të thjesht sepse nuk keni parë akoma se çfarë do të sjellë reforma në drejtësi.
Shumëkush, edhe unë, deri përpara disa kohësh ka bërë një analizë të paplotë, kur ka thënë që ju e keni frikë reformën në drejtësi. Por nuk është vetëm frika që juve ju shtyn pa pushim në rrugën e bllokimit të reformës, është edhe një anë tjetër e medaljes. Ju i keni varur gjithë shpresat tek aleance me këta horra, me këta që kanë turpëruar Shqipërinë. Me këta që i kanë vënë Shqipërisë damkën e një vendi ku vetëm drejtësi nuk ka.
Ka plot gjykatës dhe prokurorë të ndershëm, por se kush janë ata, nuk i vendosni ju, nuk i vendos unë, se kush janë ata të ndershmit do t’i vendosi radiografia profesionale dhe e etike e vetingut. Kur ta kalojnë radiografinë që parashikon reforma dhe të dalim pa njollë ne radiografi, atëherë patjetër që do t’i quajmë të ndershëm dhe të përkushtuar, por që ta kalojnë radiografinë me sukses duhet, e para të provojnë se pasuria e tyre dhe jo vetëm e tyrja sepse e keni parë mirë se çfarë parashikon vetingu, por dhe të afërmeve është e ligjshme, se karriera e tyre është e denjë, se aftësitë e tyre profesionale janë bindëse dhe se kapaciteti i tyre moral është i pranueshëm.
Kur të kalojnë këtë patjetër që do ti shikojmë me shumë respekt. Ndërkohë unë nuk flas në përgjithësi, unë flas konkretisht. Unë flas për një “killer”, i cili është vendosur në këtë proces pa short, pa radhë dhe jashtë çdo rregulli. Është vendosur në këtë proces, pa short, para radhë, jashtë çdo rregulli nga një kryetar gjykate i Tiranës, i cili, jam shumë i paduruar të shoh si do ta kalojë radiografimin.
Ne duhet të bëjmë reformën në drejtësi së bashku. Është shumë e rëndësishme që keni bërë një avancim shumë të madh në 10 ditët e fundit, që keni braktisur të gjitha pozicionet që kishit para 10 ditësh dhe keni ardhur afër, por jo aq afër sa të mos dukeni akoma si ata që nuk e duan reformën në drejtësi. Sepse jeni kapur pas një pike që është vetëdiskretituese. Vendet e rezervuara ne nuk i pranojmë.
Ju kemi dhënë dy të tretat që i keni kërkuar pa pushim. Mund t’ju bëjmë gati edhe një film me gjithë deklaratat e përmbledhura tuajat që të shikoni se çfarë keni thënë për dy të tretat dhe jemi gati të negociojmë një zgjidhje të arsyeshme dhe ti japim një Shqipërisë një reformë që është reforma themelore në këtë proces ku gjendet sot Shqipëria.
Jozefinë iu referove Watergate dhe unë jam i bindur që ti nuk di çfarë flet edhe nuk është hera e parë, është pjese e konstitucionit tënd politik, por po të them që janë dy drejtorë të përgjithshëm të policisë italiane, – ai që iku dhe që nuk iku për të dalë në pension, por iku për t’u rritur në detyrë dhe ai që erdhi në ditët e fundit, – që kanë dhënë shpjegime shteruese për prokurorinë lidhur më pajisjen e famshme që nuk është asgjë tjetër vetëm një pajisje për trajnimin e forcave tona policore dhe që ka qënë nga sekonda e parë, deri në sekondën e fundit, në dorën e partnerëve.
Në qoftë se ju mendoni që Italia mike është përfshirë në një platformë të përbashkët përgjimi për të dëgjuar çfarë i thotë Saliu, Lulit, çfarë i përgjigjët Luli, Saliut, si ankohet Jozefina për Lulin në telefon dhe si, s’po përmend emra të tjerë, qahen si iu ka ngel partia në dorë të Lulit, i jepni vetes një rëndësi që nuk e keni. Jo vetëm sepse nuk i intereson askujt se çfarë flisni ju me njëri-tjetrin, por sepse nuk ka nevojë t’ju përgjosh juve për të kuptuar se çfarë mendoni për njëri-tjetrin. Është kaq evidente se çfarë mendoni juve për njëri-tjetrin, sa respekt keni ju për Lulin, sa e do Jozefina, Lulin dhe se sa të gatshëm do të ishit për t’ia marrë shpirtin njëri-tjetrit sikur të kishit mundësi ta bënit këtë, por kështu siç keni ngel, një tufë e vogël, s’keni çfarë të bëni se dhe ajo ju duhet, të hani njëri-tjetrin dhe do të ngelemi pa Parti Demokratike pastaj. Mos i hyni fare kësaj historie.
Më vjen shumë keq për këtë shpërthim të shëmtuar. Ditën që do dëgjoni nga unë apo t’i tregoj gishtin ndonjërit nga ju e t’i them kriminel, jeni në të drejtën tuaj të merrni foltoren në krah dhe ta çoni te SHQUP-i. Ditën që do dëgjoni nga unë, fyerje dhe sharje jashtë çdo lloj kufiri, që në këtë foltore i promovoni ju, jeni në të drejtën tuaj që ta merrni foltoren, bashkë me karriget dhe t’i çoni te oborri i SHQUP-it. Por ju nuk mund të shpërtheni këtu dhe të bëni sikur u bë hataja, se ju keni një kuptim të fjalës “tufë” dhe unë kam një kuptim tjetër të kësaj fjale. Ka tufa me lule, ka tufa me poezi, ka tufa me gjithfarëlloj speciesh dhe bimësh, ka edhe tufa me deputetë. Unë thashë vetëm të vërtetën, siç e shoh unë. Në qoftë se ju ndjeheni keq nga kjo, unë do të isha shumë i lumtur të shihja provën e të kundërtës.
E provën e të kundërtës është mirë ta jepni te reforma në drejtësi dhe t’i bëni një shërbim shumë të madh këtij vendi dhe njerëzve të këtij vendi, që sakatohen lart e poshtë nëpër çdo derë gjykate. Nëse ju prekeni se unë flas për horra në sistemin e drejtësisë, më vjen shumë keq për ju. Nëse ju mendoni që ata, të cilët sistemit të drejtësisë në Shqipëri i kanë vënë damkën e një organizate kriminale dhe këtë nuk e them unë, por e thonë gjithë partnerët e Shqipërisë, atëherë, ky është problemi juaj, nuk është problemi im.
Nëse ju mendoni që është pavarësi të përdorësh çekiçin e gjykatësit për të vrarë drejtësinë, kjo për mua nuk quhet pavarësi, kjo quhet vrasje dhe ata që e bëjnë këtë janë “killer”. Në fund të ditës është shumë e thjeshtë, për çfarë arsye në botë, qeveria e Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohej në deklaratën e djeshme, – pas një viti e gjysmë angazhim me gjitha ambasadën këtu, me ekspertët e saj nga misioni i OPDAT-it dhe ekspertë të tjerë, të thirrur për të asistuar reformën në drejtësi, pa llogaritur angazhimin e Bashkimit Europian që është masiv, – të ndanin me publikun, zhgënjimin nga ju.
Sigurisht, zhgënjimi vjen nga ju, por arsyeja nuk vjen nga ju. Arsyeja janë horrat në sistemin e drejtësisë. Ata që e kanë bërë drejtësinë treg. Mendoni ju, për një moment, çfarë ndjejnë nënat e atyre që janë vrarë, kur vrasësit e bijve të tyre lirohen nga gjykatësit. Gjykatësi që unë quajta dhe e quaj prapë “killer” është gjykatësi që ka liruar përdhunues.
Ju që flisni me shumë pasion për krimin, atëherë jini të paktën për sy e faqe të drejtë dhe mos i ndani çështjet që lidhen me krimin në tonat dhe tuajat. Ky është një ndryshim shumë i madh midis nesh. Për ne nuk ka kriminelë tanët dhe tuajit. Për ne nuk ka përdhunues tanët dhe tuajit. Për ne nuk ka grabitës me armë tanët dhe tuajit. Për ne nuk ka as deputetë tanët, kur ata shkelin ligjin. Prova e kësaj këtu jemi ne, nuk jeni ju.
Ju jeni partia që e keni mbajtur në detyrë me masën “arrest shtëpie”, drejtonin e tatimeve. Ju jeni partia që, kur ishit në qeveri, keni mbajtur fjalime me “fjalën e ka drejtësia”. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve në pranga, i çuar në shtëpi me policë te dera, ju e mbajtët në detyrë!
Ju flisni e riflisni për një deputet këtu, deputetin Prenga. Ai është në proces gjyqësor, por është përjashtuar nga Partia Socialiste para se të shpallet i fajshëm apo i pafajshëm. Që ne jemi dy botë këtu, kjo nuk diskutohet. Që ne e shohim botën komplet ndryshe, as kjo nuk diskutohet. Por një gjë është e sigurt, që ne e shikojmë botën me sytë tanë, ju e shihni me sytë e një njeriu të vetëm.
Mos u merrni me sebepe dhe mos u kapni si i mbyturi pas një fijeje bari. Nuk është koha të më tregoni fjalorin e gjuhës shqipe e aq më pak, etimologjinë e fjalëve. Është koha të kuptoni që në lojë është fati i vendit tonë. Unë nuk kam ardhur të bëj të fortin me ju, as të bëj triumfuesin ndaj jush, as t’iu bie daulleve të një fitoreje politike që ka marrë kjo qeveri dje, me vulë. Sot nuk dilni dot t’i thoni popullit shqiptar e kanë fajin ata, se ne e duam reformën në drejtësi. Tani nuk jemi më ne që ju themi se nuk e doni reformën, por është bota mbarë që ju ka treguar me gisht.
Nëse ju, nga fjala ime kuptuat se unë erdha këtu që t’ju jap shkelmin e fundit, keni kuptuar një gjë që nuk ka të bëjë fare me të vërtetën. Jeni në cep sot dhe unë nuk kam ardhur këtu t’ju them, rrini aty në cep. Kam ardhur t’ju them: Ju duhet të dilni nga cepi, të negociojmë dhe të bëjmë bashkë reformën në drejtësi.
Mos kujtoni se këtë e them se nuk bëjmë dot votat. Jo, por sepse besoj shumë që kjo është shumë më e madhe, sesa të gjitha gjërat që mund të na ndajnë neve. Prandaj kam arritur në konkluzionin se nuk është vetëm frika që ju mban juve dhe ju nuk duhet të ofendoheni. Sepse ju nuk keni asgjë në dorë. Po të ishte për ju këtu, ndoshta sot do e kishim bërë reformën. Ju e dini shumë mirë që s’keni asgjë në dorë. Nuk kam parë ndonjëherë një grup parlamentar të marrë pushim, të dalë vetëm njëri për të marrë një telefonatë jashtë shtetit.
Të jeni të sigurt që reforma në drejtësi ka dy rrugë: O do bëhet, o do bëhet! Në pozitën tonë sot, sikur të donim vetëm të kapitalizonim politikisht procesin, unë ose nuk do isha këtu, ose do mbaja një fjalim tjetër. Ajo që po ju them është, thirrini mendjes dhe provoni që nuk jeni tufë lulesh. Provoni që jeni njerëz që kuptoni barrën e madhe që keni dhe peshën e jashtëzakonshme që ka ky proces!
Nuk është puna do kalojë apo nuk do kalojë reforma. Kjo nuk diskutohet. Po jua them prapë, siç jua thashë se reformën administrativo-territoriale do e bëjmë me ju ose pa ju. Edhe atëherë thatë “Jo, nuk e bën dot!” Edhe reformën në drejtësi do e bëjmë me ju, ose pa ju. Do ta shikoni, nëse doni ta shikoni deri aty. Por puna është te çmimi që do ketë kalimi i reformës për këtë vend. Jo për Partinë Socialiste. Partia Socialiste është kaluar sot. Shqiptarët, fatmirësisht janë një popull që e duan shumë anglishten. Kur dëgjojnë anglisht për politikën shqiptare, nuk kanë nevojë të na dëgjojnë as ne, as ju.
Atëherë ç’do bëni, do u tregoni njerëzve, e-mail-et që u ka dërguar juve, ambasadori. E kuptoni sa qesharakë jeni, apo jo?! Ju ka dërguar ambasadori e-mail-e, të cilat në fakt ua ka nisur grupit të punës dhe ju nxirrni e-mail-in dhe thoni më ka dërguar një e-mail në dimër dhe tani në verë, unë u kujtova për e-mail-in. Pse nuk u kujtuat për e-mail-in para dy javësh, kur erdhët në Komisionin e Reformës dhe të thoshit se ne jemi dakord me të gjitha, duam “vendet e rezervuara”. Ju erdhët aty dhe sollët një draft kryekëput kundër filozofisë dhe gjithë qëllimeve të reformës. Sollët një draft ku kërkonit që vetingun, pra, radiografinë profesionale të këtyre gjyqtarëve e prokurorëve për të ndarë të ndershmin nga horrat, ta bënit ju me ne. Domethënë, të bashkoheshim prapë ne e të thoshim: Ky kalon, ky nuk kalon.
E kjo është aq e vërtetë, sa po t’i nxirrni të gjithë e-mail-et mund t’ua tregoni edhe këtë, anglisht, shqiptarëve. Por ju nxirrni vetëm e-mail-et që doni. Nëse nxirrni edhe e-mail-in e Byrosë Kombëtare të Hetimit në dhjetor, mund t’u tregoni prapë shqiptarëve që i gënjyet. Por ne nuk jemi ju! Ne na vjen zor ta mendojmë që mund të nxjerrim e-mail-et e partnerëve, për të luftuar njëri-tjetrin.
Mund të kishim bërë dhe ne, siç bëtë ju. Parafytyroni se çfarë mund të mendojnë miqtë dhe partnerët tanë, kur shohin gjëra të tilla. E paimagjinueshme! A thua se po tregoni sms-të e njeri-tjetrit. Nuk ka turp më të madh! Por kjo është puna juaj, unë nuk jam këtu që t’ju ndihmoj të mos bëni gabime. E përsëris, mos u kapni me alibira, sepse është e qartë, nuk është frika vetëm, frikë që e kanë ata që duhet ta kenë dhe që janë orkestruesit e bllokimit. Shumë nga ju këtu nuk kanë arsye të kenë frikë, se edhe kur ishit në pushtet, prapë këtu në sallë ishit, nuk keni prekur gjë me dorë. Por është ana tjetër që është problemi më i madh; nuk doni të prishni aleancën me të keqen në sistem. Ju duhen ata, për të bërë këto që bëni dhe për të bërë gjëra të tjera. Ju duhen ata, për t’ju bërë shërbime për llogari të interesave tuaja politike, siç ju bënë shërbime kur morët Bashkinë e Tiranës dhe për ato shërbime i keni të gjithë tani, të mbikualifikuar. Ua kujtova Bashkinë e Tiranës, që të mos vazhdoj t’i numëroj të gjitha.
Ne që, sipas jush, duam të kapim sistemin, po ju themi: Dakord me 2/3-at. Unë i bëra një propozim kryetarit tuaj, këtij të administratës, se nëse nuk do 2/3, atëherë, 100% jashtë parlamentit. Le t’i zgjedhin vetë, ne nuk fusim duart fare. Jo, atëherë çfarë doni, vendet e rezervuara? Që t’i jepni mesazhin llumit që sido që të rrotullohet bota, ne i kemi ca vende, ndaj luftoni tani, që të merrni vendet e rezervuara që kemi ne, na tregoni që ju jeni gati ta “kill”-ni drejtësinë, kur na duhet neve që t’i vërsulemi Saimir Tahirit, se po i vërsulemi nga të katër anët dhe është bërë si ai rrapi anë rrugës, që sa më shumë fryjnë furtunat, aq më shumë rritet. Shikojini sondazhet dhe jo tonat, por ato të Bashkimit Europian. Policia e Shtetit është sot, institucioni më i vlerësuar, si shpjegohet? Falë edhe jush, se keni bërë një publicitet të paparë. Vazhdoni!
Tani thoni se do ta thërrasë prokuroria, Tahirin. Doni ta bëni hero? Bëjeni! Është e drejta juaj. Hero bëjeni, s’ka problem. Ju jeni mësuar të bëni heronj në radhët tona.
Një gjë është e sigurt, është shumë qesharake që qeveria italiane, policia italiane, drejtorët e përgjithshme të policisë italiane, njëri që ishte, tjetri që erdhi, qenkan përfshirë bashkë me Saimir Tahirin dhe Haki Çakon, që të dëgjojnë çfarë flisni ju. Për çfarë t’ju përgjosh juve!?
Madje, unë jam i bindur që po t’ju përgjosh, mund të ndryshosh edhe mendje. Ju këtu anormalizoheni, por ju kur flisni me njeri-tjetrin jeni njerëz normalë, ose jeni shumë të shqetësuar se po dolën përgjimet, do t’i dëgjojë Saliu dhe do tmerrohet, do dëgjojë Luli, do tmerrohet, çfarë fliskan këta për ne! Por nuk ju ka përgjuar njeri, rrini rehat. Nuk ka përgjime. Nuk harxhon Italia, asnjë kokërr leku që t’ju përgjojë juve. E paska sjellë Italia makinën, e ka futur pa doganë. Ka bërë kontrabandë policia italiane, në bashkëpunim me shtetin shqiptar, është përfshirë dhe ambasada italiane dhe në fund, për çfarë, për t’ju përgjuar juve! Ose për të përgjuar kë? Kryetarin e gjykatës, kë kryetar të përgjojë?
Pajisja nuk është dhe nuk ka qënë asnjë sekondë në dispozicion dhe e administruar nga policia shqiptare. Është pajisje në regjim diplomatik. Merrni anijen, shkoni në Itali, kapni foltoren atje dhe thojuni, duam pajisjen! Ju jeni qëndrestarë, futuni në këtë betejë edhe me Italinë. Që na keni futur në një siklet shumë të madh, kjo nuk diskutohet.
Pas pak ditësh do vijë avioni që do të fotografojë fushat për drogën. Si të vijë avioni, duhet të marri leje te ju, apo t’i kërkojë prokurorit një vërtetim që është avion? Apo do të akuzoni që e sollën italianët avionin për të fotografuar drogën dhe bënë drogë me Habilajt e Tahirit. Jeni në vete! Çfarë i dini ju shqiptarët, budallenj? Keni bërë 1834 deklarata – shifër e para një muaji e gjysmë – kundër Sajmir Tahirin në parlament, nëpër foltore etj.. Me gjithë këtë që keni bërë, pse ky njeri është sot, kaq i mbështetur nga publiku?! E mbajnë njerëzit, sepse i bindni ju çdo ditë, prandaj.
Vazhdoni luftoni me Sajmir Tahirin, e keni gjetur armikun. Mos lini gjë pa bërë, mundësisht futeni tani në hetim, çojeni edhe tek Krimet e Rënda. Akuzojeni edhe për bashkëpunim me ministrin Alfano, për të dëgjuar çfarë thoni ju në grup parlamentar. Tani ju është prishur edhe magjia, ju dalin fjalët në grupin parlamentar, gjë që e kemi pasur ne gjithmonë. Nuk mblidheshim dot në grup, se të gjitha shkonin të “Panorama”. Tani jeni bërë ju si Panoramë dhe ju marrin të gjithë. Çfarë duhet të përgjosh më! Ja e vinim një çimkë tek SHQUP-i, për çfarë! Tani ju i thoni vetë, janë të gjitha nëpër gazeta. Keni edhe kurajo t’ia thoni edhe amerikanëve, edhe europianëve, keni hapur luftë me gjithë botën, zonja Topalli. Luftë e madhe, kjo.
E di pse i bëni këto? Se kur vjen puna tek ekonomia, ju thoni këta kanë vjedhur 2 miliardë euro dhe e përsërisni njësoj si ato 10 mijë kilometra rrugë. Çfarë të flasim për ekonominë; të themi se këta kanë vjedhur 2 miliardë euro. Dini të bëni llogari ju?!
Thoni do kthehemi te taksa e sheshtë 9%, do ecim një hap përpara, duke u kthyer mbrapa; e kishim 10%, do e bëjmë 9% dhe do i biem edhe më në qafë, atyre që kanë rroga më të vogla. Do i biem edhe më në qafë atyre, se do të çlirojmë ekonominë, sipas jush. Ju duhet të çlironi njëherë veten dhe ndajeni këtë punë se nuk ka përgjime. Nuk ka, se nuk ka arsye.
Sot do të shkoj në Francë dhe do t’i bëj të fala edhe nga ju të gjithë, Ekipit Kombëtar të Futbollit. Juve e di që do ikni pa lejen e Saliut dhe nuk e thoni dot. Jam i bindur që shumë nga ju kanë bileta dhe po thoni ç’po na mban ky këtu, se ne e dimë që nuk përgjohemi, po shyqyr që na siguroi ky. Kështu që të marrim shembull nga Ekipi Kombëtar, ta bëjmë këtë reformë kombëtarisht. Edhe në qoftë se doni të bëni rolin e Zvicrës, kur ne bëjmë rolin e Shqipërisë, do bëjmë çmos, do e gjejmë një vëlla këtej, një vëlla andej dhe ta rregullojmë lojën që të dalim me fitore të përbashkët. Ma besoni këtë gjë, po nuk e besuat, nuk është puna se është më keq për ju, se unë nuk është se dua t’ju shoh mirë e më mirë, që të jemi të qartë, por është më keq për vendin, sepse do të humbasim. Oerd [Bylykbashi] mos rri këtu, por rri në negociata, se kështu e ke marrë porosinë, të negociojmë vazhdimisht. Mi le negociatorët pa punë, duke të pritur ty.
Shumë faleminderit!