
Shijaku falë Rilindjes Urbane ka edhe një qendër tërësisht të re dhe funksionale, ndërkohë puna vazhdon në kantiere të tjera për rivitalizimin e qytetit. Në këto kantiere ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe deputetë.
Pas rikualifikimit të sheshit qendror, ndërhyrjet urbane janë shtrirë në hapësirat publike në lagjen Lugina. Ardian Kokomani, kryetari i bashkisë së Shijakut shpjegon se me këtë projekt synohet jo vetëm rikonstruksioni i shesheve të pallateve, plotësimi i rrugës me shtresat e nevojshme, ndriçimi dhe sinjalistika rrugore, por krijimi i hapësirave rekreative për të gjitha grupmoshat. Për realizimin e këtij projekti, nënvizon ai, ka pasur mbështetjen e gjithë komunitetit.
“Gjithë qytetin e Shijakut e kemi kthyer në kantier, për të rehabilituar gjithë hapësirat ndërmjet pallateve. Të gjitha këto hapësira do kthehen në rekreacion për gjithë grupmoshat, stola, parqe, kënd lojërash për fëmijë. Kjo pjesë kur kemi qenë në fushatë elektorale ka qenë vetëm ferra.” – u shpreh Kokomani.
Investimet në këtë qytet, sipas kryetarit të bashkisë, do të vazhdojnë me 9 projekte të tjera ndër të cilat parku, ndërtimi i pedonales në qendër, unaza e vogël etj.. Kryeministri Rama garantoi mbështetjen për çdo projekt që zhvillon qytetin dhe rrit cilësinë e jetës urbane.
* * *
Kryeministri Edi Rama diskutoi me fermerë të Shijakut, nismat për zhvillimin e fshatit dhe bujqësisë, duke filluar nga zgjidhja e problemeve të trashëguara si pronësia mbi tokën bujqësore dhe sistemi i ujitjes e kullimit, ashtu dhe incentivën më të re, Fondin e Garancisë Kombëtare për nxitjen e prodhimit bujqësor dhe agro-përpunimit.
Qeveria, theksoi Kryeministri, është e angazhuar për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtyre dy problemeve madhore që kanë penguar zhvillimin normal të fshatit.
“Në 25 vjet nga dalja e ligjit, jo vetëm që nuk u shpërndanë titujt e pronësisë, por përkundrazi, situata vetëm u ngatërrua. Ne kemi ndërmarrë një operacion masiv në gjithë territorin dhe me bashkitë e reja kemi filluar procesin e dhënies së pronësisë bazuar në ligjin 7501. Qysh prej vitit 1991, kanalet vaditës e kullues u lanë në mëshirë të fatit. Ne jemi angazhuar edhe këtu. Në këtë aspekt me bashkitë po bëhet një punë e madhe dhe do vazhdojmë me këtë operacion deri kur të mos mbetet asnjë metër katror tokë bujqësore e pa ujitur apo e pa garantuar për kullimin. Është njëkohësisht dhe paketa më e madhe financiare që një qeveri ka vënë në dispozicion të ujit në parcelë qysh nga viti 1991.”
Në mbështetje të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit të agro-përpunimit, qeveria ju ofron fermerëve një mundësi të re financimi përmes Fondit Kombëtar të Garancisë, për të cilin, Kryeministri theksoi se krahas buxhetit të shtetit, ky Fond përbën një tjetër linjë financimi.
“Ne kemi krijuar një Fond Kombëtar të Garancisë për fshatin, për prodhimin bujqësor, për t’i dhënë akses fermerëve për të financuar zhvillimin e prodhimit, apo elementë të ndryshëm të ciklit të prodhimit, duke marrë kredi të garantuara nga shtetit. Këtu nuk bëhet fjalë për të zëvendësuar buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit për fshatin në këto 3 vjet është rritur dhe do vazhdojë të rritet. Këtu bëhet fjalë për të pasur edhe një linjë tjetër financimi, që është komplementare me të parën, si kudo në çdo vend normal dhe bëhet fjalë për kredi, të cilat në rastin e bujqësisë garantohen nga shteti.”
Përmes këtij mekanizmi, shteti do të jetë garanti i kredisë, me interesa të favorshme dhe jo fermeri apo grupi i fermerëve të interesuar për të marrë një kredi.