Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane në zonën e Urës Vajgurore po i jep zgjidhje përfundimtare të problemit 25-vjeçar të përmbytjes së rrugës nacionale dhe të lagjes pranë lumit Osum.
Përmes një investimi prej 180 milion lekësh është vënë në zbatim projekti i ri i digës mbrojtëse në dy anët e lumit Osum, që mundëson shpëtimin njëherë e përgjithmonë të qindra familjeve nga përmbytja e përvitshme. Gjithashtu me anë të këtij projekti bëhet e mundur edhe krijimi i një hapësirë të re publike përgjatë shëtitores buzë lumit, parku i fëmijëve, si dhe terrenet e reja sportive për të rinjtë.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj, ministra dhe deputetë të zonës ishte në Urën Vajgurore, ku pa nga afër ecurinë e punimeve.
Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore informoi se deri tani ka përfunduar pjesa më e madhe e punimeve të projektit, rreth 90% e tij. Ajo shpjegoi se financimi i projektit të lumit nga qeveria bëri të mundur riaktivizimin e një projekti tjetër, atë të fushës së sportit, si dhe projekteve të tjera në qytet, që synojnë krijimin e hapësirave çlodhëse dhe argëtuese për banorët. “Me financimin e projektit të lumit nga qeveria bëhet i mundur riaktivizimi edhe i projektit të fushës së sportit. Ata shpëtojnë nga një problem i mbartur 25 vjeçar. Me këtë projekt bëhet i mundur dhe legalizimi i banesave të këtyre familjeve. Qyteti pas 23 vjetësh do të marrë jetë në fazën e dytë të projektit të lumit. Kemi një kënd për fëmijët, kemi edhe një rrugë biçikletash, është e integruar dhe me shumë pemë të mbjella.”
Kryeministri Rama vlerësoi mbarëvajtjen e projektit, i cili i jep zgjidhje një problemi që ekziston prej dekadash. “Kjo është një zonë që ishte një tmerr dhe faktikisht 25 vjet rresht përmbytej çdo vit e më shumë.”
Ndërsa banorët e rastësishëm i shprehën kryeministrit mirënjohjen për premtimin e mbajtur nga qeveria. “E mbajte premtimin që na dhe”.
Ndërkohë, ka përfunduar faza e parë e kthimit të rrugës kryesore në një bulevard këmbësorësh. Gjithashtu, ka filluar puna për ndërtimin e 8 kopshteve dhe 6 qendrave të reja shëndetësore. Në dhjetor përfundon edhe digjitalizimi i shërbimeve publike të Bashkisë që do të sjellë një standard e cilësi të re shërbimesh për banorët e Urës Vajgurore, si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale.
Rilindja urbane në Urën Vajgurore, e shndërroi lagjen “18 Tetori” në një mjedis të ri, krejtësisht modern, me infrastrukturë funksionale, të përmirësuar në themel.
Projekti i rehabilitimit, ndriçimit dhe gjelbërimit të kësaj lagjeje i përfunduar plotësisht, iu ka dhuruar qytetarëve një mjedis atraktiv, çlodhës dhe argëtues. Përmes investimit, me vlerë rreth 61 milion lekë, u përmirësua rrjeti inxhinierik, trotuaret, sinjalistika horizontale dhe vertikale, ndriçimi, mobilimi urban me stola, kosha, etj., si dhe gjelbërimi.
Infrastruktura e re i ka dhënë më shumë jetë dhe ka rigjallëruar biznesin pranë kësaj zone, gjithashtu.
Kompleksi modern sportiv në lagjen “18 Tetori”, në Urën Vajgurore është investimi më i ri për sportin, vepër e Rilindjes Urbane në qarkun e Beratit.
Projekti, në realizim e sipër, me vlerë afro 21 milion lekë, parashikon një fushë sportive të standardeve bashkëkohore, e cila do t’i ofrohet jo vetëm komunitetit, por edhe sportit profesional, për të zhvilluar aktivitetin stërvitor dhe lojëra të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama inspektoi në terren punimet për këtë projekt i cili synon jo vetëm të argëtojë, por edhe të rrisë interesin për sportin dhe cilësinë e ushtrimit të tij.
***
Rilindja urbane në Berat ka transformuar rrënjësisht akse rrugore dhe lagje në të cilat nuk ishte ndërhyrë që në vitet ‘70. Nga një infrastrukturë rrugore e çorientuar dhe kaotike, me mungesë të plotë respekti të standardeve më elementare, sot Berati po rijetëzon hapësirat publike dhe akset kryesore, duke marrë gradualisht pamjen dhe kuptimin e një qyteti europian.
Lulishtja perëndimore dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka” është rikonstruktuar dhe rikualifikuar tërësisht, përmes një investimi me vlerë 60 milionë lekë, duke sjellë për qytetarët rilindjen e vlerave urbane të qytetit, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Projekti ka bërë të mundur restaurimin e lulishtes, sistemimin e rrugicave, bordurave, ndriçimit, gjelbërimit dhe sistemimit dekorativ të sheshit me gurë të zonës. Lulishtet janë konceptuar me forma të ndryshme, bordura të larta që shërbejnë njëkohësisht edhe si stola për pushuesit. Njëkohësisht, janë sistemuar rrjetet inxhinierike nëntokësore dhe mbitokësore, si edhe sinjalistika vertikale dhe horizontale.
Një projekt tjetër i rëndësishëm urban që ka nisur në Berat është edhe ai për rikualifikimin dhe rikonstruksionin e disa rrugëve që ndodhen rreth stadiumit “Tomori”, gjendja aktuale e të cilave është jashtë çdo norme urbane, me gropa dhe dëmtime të shumta të asfaltit, të cilat, përveçse shëmtojnë pamjen e qytetit, përbëjnë edhe rrezik potencial për automjetet.
Investimi i parashikuar me vlerë 300 milion lekë përfshin ndërhyrje në disa rrugë, konkretisht: rruga “Stadiumi i vjetër – Stadiumi i ri” që fillon tek Stadiumi i vjetër, duke vazhduar në drejtim të stadiumit të ri, përfshirë edhe sheshin para tij. Kjo rrugë është njëkohësisht pjesë e Bulevardit “Republika”. Hapësirat janë totalisht të lira, por shtresat e trotuarit dhe të rrugës janë të dëmtuara. Zona ka probleme me ujërat e larta që zbresin nga pjesa lindore e qytetit. Aktualisht këto ujëra në këtë pjesë të qytetit, grumbullohen në një seksion të përzier, i cili në ditë me reshje sjell daljen e tyre mbi sipërfaqen rrugore, duke shkaktuar dëme të mëdha edhe në banesat apo bizneset përgjatë rrugës në një territor urban mbi 10 ha.
Projekti parashikon krijimin e një rruge me parametra bashkëkohore, me segment lëvizës për automjetet, korsi biçikletash, lëvizje komode edhe për këmbësorët, si dhe akset lidhëse. Gjithashtu, parashikohen ndërhyrje totale në sistemin e ujërave të shiut dhe atyre të përdorura, për t’i dhënë fund përgjithmonë përmbytjeve dhe dëmtimeve në ditë me shi.
Ndërsa sistemimi i sheshit para stadiumit, do të japë zgjidhje funksionale, jo vetëm për ditë të zakonshme, por edhe për raste ngjarjesh sportive. Një vëmendje të posaçme do t’i kushtohet edhe sistemit të ndriçimit për një funksion sa më të mirë, jo vetëm automobilistik, por edhe pedonal, si dhe rrjetit inxhinierik, së bashku me kullimin e ujërave sipërfaqësorë.
***
Transformimi urban i Poliçanit, ka nisur pas më shumë se 20 vitesh lënie në harresë të vlerave të këtij qyteti, i cili po rilind përmes projekteve që rikonceptojnë që nga themelet infrastrukturën e rrugëve, aspak funksionale dhe me rrezikshmëri për automjete dhe këmbësorë.
Rruga hyrëse e qytetit të Policanit është një prej infrastrukturave që do t’i nënshtrohet rikonceptimit dhe rikonstruksionit të plotë të saj, përmes një investimi prej 61 milion lekë.
Kjo rrugë, e cila është konceptuar dhe ka funksionuar si rrugë kombëtare, që destinacionin përfundimtar kishte qytetin e Çorovodës, aktualisht, është vështirë që të përcaktohet se cilës kategorie i përket, kjo për faktin se në perimetrin e jashtëm të kësaj rruge është ndërtuar pas viteve ’90 dhe sot ajo është bërë pjesë e qytetit dhe nuk ka funksionalitetin e një rruge kombëtare.
Për këtë arsye rruga shndërrohet në rrezik potencial për banorët e Poliçanit, që jetojnë në perimetrin e jashtëm të saj, veçanërisht për fëmijët e shkollave fillore, 9-vjeçare dhe gjimnazit. Në këto kushte, kjo rrugë më shumë se një segment i rrugës kombëtare është transformuar në rrugë të brendshme qyteti sa edhe në nivel planifikimi rajonal ka dalë si nevojë rishikimi i këtij “bypass-i”, duke propozuar një gjurmë alternative në orientimin Perëndimor, si pjesë e rrugës interurbane Berat – Çorovodë.
“Kryetar bashkës Poliçan, Këtu janë prishur rreth 21 ndërtesa, që kanë qënë objekte të paligjshme, është hapur gjithë hapësira, është bërë rikualifikimi i gjithë qendrës. Një projekt shumë i madh që do t’i japë gjallëri qyteti dhe imazhit. Është dhe hyrja e qytetit me terminalin ku tashmë kanë filluar punimet. 8 vjet qeverisje Poliçani nuk ka marrë asnjë lekë. Tani falë jush janë gati 2 miliard lekë investime të cilat po vazhdojnë.” – tha Kryetari i Bashkisë Adriatik Zotkaj.
Shëtitorja “Miqësia” në qytetin e Poliçanit, është një prej hapësirave kryesore publike dhe vendi i ritualit shëtitës për banorët e qytetit, e cila i është nënshtruar rehabilitimit të plotë të saj, përmes një investimi me vlerë rreth 28 milion lekë.
E pozicionuar pranë sheshit qendror, shëtitorja përbën atraksionin kryesor turistik për qytetin. Projekti, i cili është në zhvillim e sipër synon të organizojë në mënyrë sa më efikase shëtitoren, si një hapësirë multifunksionale për komunitetin.
***
Çorovoda, qyteti i vogël dhe i pozicionuar bukur në raport me natyrën rreth e rrotull, deri dje nuk përmbushte asnjë standard urban, duke ofruar për banorët një infrastrukturë të rrënuar dhe aspak të sigurt për këmbësorët. Sot Çorovoda i është nënshtruar ndërhyrjeve intensive urbane në rrugë dhe sheshe që synojnë t’i japin qytetit, vlera bashkëkohore urbane.
Një prej projekteve të zbatuara është edhe ai për Sistemimin, asfaltimin dhe ndriçimin e segmentit rrugor “Arkitekt Kasemi”. Projekti ka realizuar punime si gërmim, realizim i shtresave të trupit të rrugës, ndërtim muresh mbajtës betoni, bordurë trotuari, kanalizime, sistemim i ujërave të shiut, si dhe punime elektrike për realizimin e ndriçimit të segmentit rrugor.