Në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, një nga akset e rëndësishme nacionale dhe pjesë e Korridorit rrugor 8, drejtuesit e punimeve hasën në vështirësi serioze në zbatimin e projektit. Në mënyrë absurde, në projekt rruga parashikohej me një disnivel prej 24 metrash dhe pjesë të rrugës ishin tenderuar pa përfshirë asfaltimin e saj. Në këto kushte u desh të ribëhej projekti për të përmirësuar të gjithë këto elementë, duke evituar problemin e disnivelit dhe mangësi të tjera në projektim, që për specialistët përbënin një masakër mjedisore. Pas riprojektimit, aksi prej 15.8 kilometrash përfshin përveç tunelit të parë prej 700 metrash, edhe ndërtimin e një tuneli të dytë 300 metra dhe dy ura. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi si dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ishte në kantierin e kësaj vepre.
“Kjo është dalja e tunelit të parë. Ishte parashikuar më parë 404 metra, por pati ndryshime për përmirësimin e projektit, kryesisht për uljen e niveletës dhe u zgjat 700 metra tuneli i parë. U propozua ndërtimi i tunelit të dytë, 300 metra, për të evituar gjithë këtë gërmim që ishte parashikuar në formë U-je, që nuk kishte sens. Një masakër mjedisore. Në vazhdim të tunelit janë edhe dy ura të gjata. Kishte mospërputhje 24 metra disnivel,” – prezantoi ecurinë e projektit një ndër drejtuesit e punimeve.
Projekti parashikon edhe ndërtimin e një tuneli emergjence. “Do të hapet një tunel tjetër emergjence që është 400 metra nga tuneli kryesor. Hapet një tunel i vogël në rast zjarri, ose në rast emergjence dhe e gjithë kjo rrugë do të asfaltohet dhe do të qëndrojë për tunelin e emergjencës,” – shpjegoi një nga projektuesit.
Qafë Plloçë-Qukës nuk është i vetmi aks me mangësi të theksuar gjeometrike e inxhinierike në projektim. Kjo bëri që projektet të rishihen nga e para, çka, theksoi Kryeministri, kërkoi kohë, por që ishte e domosdoshme për të shmangur problematika serioze në të ardhmen.
“Rrugët e Saliut, projektet të gjitha për t’u riparë nga e para, me hata të mëdha topografike, inxhinierike. U humb kohë, por ishte e domosdoshme. Ky ndryshim projekti ka qënë i domosdoshëm, sepse po ta kishim vazhduar me projektin që trashëguam, do ishim në një situate edhe më katastrofike se ajo me rrugën Tirane-Elbasan, që pati gjithë atë rrëshqitje dramatike dhe faktikisht nuk do e kishin përfunduar tamam, do kishin ngecur në gremine,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi përqendrim maksimal për avancimin e punimeve. “Ajo që na intereson ne, kuptohet pa cenuar cilësinë e punës, të ketë ritëm maksimal për të fituar aq sa të mundemi kohën e humbur.”
Qafë Plloçë-Qukës siguron lidhjen rrugore më të shkurtër me Korçën dhe fshatrat në zonën juglindore të vendit. Ajo shkurton kohën e udhëtimit dhe koston e operimit të automjeteve.
* * *
Nga një ngrehinë e braktisur në Korçë që në vitin 1989, në rrënim të përditshëm, po transformohet në “Qytetin e fëmijëve”, një qendër multifunksionale në shërbim të edukimit dhe kohës së lirë të tyre. E vendosur në zonën sportive të qytetit, funksioni i ndërtesës është rikonceptuar si një hapësirë tërësisht dedikuar fëmijëve, ku të kenë mundësi të kryejnë aktivitete të ndryshme sportive, argëtuese dhe edukuese, sipas grupmoshave. Të gjitha këto aktivitete, që sot në Korçë gjenden të shpërndara në ambiente jo cilësore dhe jo të përshtatshme për fëmijët, do të jenë brenda një strukture të vetme polivalente që nxit talentin, vetëbesimin, socializimin dhe ndjenjën komunitare që në mosha të hershme.
* * *
Kryeministri Edi Rama vijoi bashkëbisedimin me fermerë në Dvoran të Korçës për projektet dhe paketën më të madhe financiare në 25 vite për bujqësinë. Mundësi të re për fermerët hap Fondi i Garancisë Kombëtare deri në 300 milionë euro në tre vjet, për të përfituar mbështetje financiare nga bankat me garanci shtetërore.
“Falë përpjekjes që ne kemi bërë për një periudhë jo të shkurtër kohe nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit, është bërë e mundur një marrëveshje e re që hap një perspektivë të re për fermerët që duan të investojnë në bujqësi, që duan të investojnë jo vetëm në linja prodhimi dhe përpunimi, por dhe për zhvillimin e prodhimit të tyre bujqësor apo blegtoral, përmes kreditimin nga banka, që nuk është në këtë rast një kreditim i zakonshëm, por është një kreditim i siguruar nga shteti, pra, i garantuar përmes Fondit të Garancisë Kombëtare, ku shteti zëvendëson fermerin. Në këtë rast, shteti jep garancinë dhe ndërmjetëson mes fermerit e bankës për të marrë kredi të buta, që nga ato me zero interes e deri tek ato me interesa shumë të ulëta. Bashkitë kanë filluar punën për t’u pajisur me strukturën e nevojshme që do të asistojë fermerët që kanë dëshirë të aplikojnë për të marrë këto lloj kredish që janë shumë të favorshme për biznesin në fermë.”
Projekti për ujitjen e kullimit do të bëjë zëvendësimin e sistemit të vjetër me një sistem bashkëkohor hidraulik dhe me mbulim, që aplikohet për herë të parë në vend.
“Kjo që po bëjmë me ujitjen është një fazë e ndërmjetme, sepse ky sistem ujitës është sistem i vjetër. Nuk mund të vazhdojmë me këtë sistem Duhet të kalojmë në ujitjen hidraulike. Kemi filluar me Myzeqenë, në fund të tetorit fillon puna, do bëhet në zonën e Myzeqesë, Divjakë-Lushnje, Roskovec. Në atë zonë do bëhet ujitësi i parë hidraulik në Shqipëri.”
* * *
Mundësitë e reja që hapen për fermerët me Fondin e Garancisë Kombëtare, Kryeministri Rama i diskutoi edhe me fermerë të fshatit Stropckë në Pogradec.
“Me Fondin e Garancisë Kombëtare bëhet e mundur që kreditimi të hapet dhe për fshatin, madje në një masë të gjerë, sigurisht duke qënë ne të përgatitur për të pasur projektet e duhura, për të bërë aplikimet e duhura. Kur them ne, nuk kam parasysh shtetin, por kam parasysh edhe qeverinë edhe ju,” – u shpreh Kryeministri.