Shkolla e mesme “Miti Zaka” në Divjakë nuk ka asgjë të ngjashme me ambientet ku 500 nxënësit e saj kanë zhvilluar mësim. Godina është ristrukturuar plotësisht, me një investim prej mbi 86 milionë lekë. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ishte në këtë shkollë, ku zhvilloi edhe një bisedë me maturantët mbi sistemin e ri të aplikimit për studimet e larta.
“Sistemi duhet t’i shërbejë më të mirëve dhe më vjen shumë mirë që pas 25 vjetësh, ne e kthyem sistemin në një sistem që i shërben më të mirëve dhe që sot të gjithëve u garanton një gjë, e kanë në dorë vetëm vetë. Nuk e ka në dorë askush tjetër. As miku, as partia, as leku,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi se ky sistem u dëshmua se funksionon dhe të gjitha kuotat e vëna në dispozicion për arsimin e lartë do të plotësohen.
“Fakti që dhe këtu nga Divjaka, në raundin e parë kanë fituar 55 studentë, e kanë zgjedhur tani atë që kanë dashur, tregon që sistemi funksionon. Ashtu sikundër nuk do mbetet njeri që e meriton dhe që plotëson kriteret pa shkuar në shkollë, sepse ata që fituan në raundin e parë, praktikisht zunë nga 10 degë, apo 9 ose 8, vetëm një vend. E janë vetëm pesë mijë e pak vende të zëna. Të gjitha vendet e tjera janë të lira dhe për vendet e lira tani konkurrohet në raundin e dytë e pastaj nuk ka më raund të tretë, por ka një sistem të vijës së kuqe që zbret në mënyrë kompjuterike. Kështu gjithë kuotat e vëna në dispozicion do të plotësohen.”
Aplikimi për herë të parë këtë vit i këtij sistemi ka nxjerrë si nevojë korrigjimin e detyrimit që ka nxënësi të përcaktojë lëndët me zgjedhje që në vitin e parë. Ky problem, bëri të ditur Kryeministri, do të adresohet me reformën e shkollës së mesme.
“Tani sistemi me reformën e gjimnazit korrigjohet. Ndërkohë që ju mblidheni mirë mendjen, sepse vitin e ardhshëm do të përballeni me një maturë shtetërore dhe me një aplikim që nuk do të jetë i lehtë,” – nënvizoi Kryeministri.
Reforma e shkollës së mesme, tha ministrja Nikolla, do të lehtësojë nxënësit gjithashtu nga mbingarkesa, duke i orientuar nga lëndët që pëlqejnë.
“Është një reformë që ju do ju japi shanse të reja dhe mundësi të reja për të gjetur veten në lëndët që jepen në gjimnaz, duke ju lehtësuar nga mbingarkesa e tepërt dhe duke ju orientuar drejt karrierës dhe lëndëve që ju pëlqejnë më shumë.”
Rikosntruksioni i shkollës ka përfshirë ambientet e brendshme, klasat, laboratorët, si dhe ambientet e jashtme me rikualifikimin e terreneve sportive, ndërtimin e palestrës, të fushave sportive dhe amfiteatrit. E veçanta në projektimin e ambienteve të jashtme është konceptimi i tyre në formën e pallatit të sportit, që do të shërbejë edhe si qendër komunitare. Edhe 200 vogëlushë të kopshtit tw Divjakws. do ta kalojnë ditën në ambientet e reja pas rikonstruksionit. Për t’u ardhur në ndihmë nënave, kopshti ka kaluar edhe në kopsht me drekë. Po ashtu, 700 nxënësit e shkollws “Koli Sako” kanë në dispozicion një palestër të re, e cila do të jetë e hapur për ta edhe pas orëve të mësimit, sikundër edhe për komunitetin. Investime këto prej 60 milionë lekë.
* * *
Divjakës, edhe pse ndodhet vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, i ka munguar pamja e një qyteti bregdetar. Këtë imazh, qyteti e ka marrë me përfundimin e projektit për rivitalizimin e përgjithshëm urban. Në qytet ka në filluar punimet për rikualifikimin e sheshin qendror, ndërtimin e pistës së biçikletave, të lulishtes dhe sistemit të ndriçimit. Vlera e investimit është rreth 186 milionë lekë. Punimet përfshijnë edhe ndërtimin e rrethrrotullimeve në kryqëzimet kryesore të qytetit edhe rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore.
Sheshi qendror lidhet përmes shëtitores Pishaj-Divjakë, një tjetër investim prej 46 milionë lekë, me Parkun Kombëtar të Karavastasë. Pedonalja prej 2 kilometrash, përgjatë së cilës ngrihet një brez i gjelbëruar dhe disa sheshpushime të pajisura me stola e kthejnë atë në një rrugë turistike drejt Lagunës së Karavastasë, një nga parqet natyrore më të bukur të zonës dhe të vendit.
***
Në Divjakë, një tjetër investim i rëndësishëm, i pari që prej viteve 70’-të, ka nisur në rrjetin elektrik. OSHEE po bën zëvendësimin e të gjitha kabinave elektrike me kabina të reja elektronike, të cilat bëjnë regjistrimin dhe kontrollin e energjisë në mënyrë elektronike. Matësit e energjisë lidhen direkt me këto kabina, duke shmangur abuzimet e mundshme nga ana e faturuesve. Në një nga pikat ku po punohej për zëvendësimin e kabinës ishte Kryeministri Rama, për t’u informuar mbi ecurinë e këtij investimi. “Që nga koha e elektrifikimit këtu kanë qenë vetëm shtylla druri. Nuk është vënë dorë që në vitet ’70-të kur u bë elektrifikimi. Zona Divjakë, 15 kabinat e fundit mbarojnë brenda dhjetorit,” – tha drejtori i OSHEE për Divjakën.
Një tjetër problem që ka gjetur zgjidhje është edhe ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës në rrjet si rezultat i pajisjes së vetëm një fideri. Edhe më i ndjeshëm bëhej ky problem gjatë sezonit turistik. OSHEE ka futur në funksionim dy fidera që garantojnë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike. “Ka qenë vetëm një fider, problem shumë i madh dhe për sezonet verore. Arritëm e ndamë e futëm në punë dy fidera të rinj. U nda ngarkesa dhe sot e kemi ndarë zonën. Nëse do ketë probleme një fidër, kalohet tek linja tjetër për të furnizuar qytetarët me energji,” – tha drejtori i OSHEE.