Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Ministrit të Financave Arben Ahmetaj, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

 

Përshëndetje!

Sot përfitoj nga rasti për të komunikuar me qytetarët një vendimmarrje shumë të rëndësishme të Këshillit të Ministrave, por dhe për të ilustruar rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje, disa referenca ekonomike që tregojnë sa të lidhura janë reformat me njëra-tjetrën.

Sot, Këshilli i Ministrave ka kaluar nga ana financiare dhe nga anët e tjera, paketën e reformës në drejtësi, ku pikat më të rëndësishme janë financimi i reformës në drejtësi.

Vlen të përmendet se ka pasur një proces të gjatë e të vështirë në negociatën me Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi. Me rëndësinë që qeveria i jep reformës në drejtësi, sot paketa kaloi e plotë, me një kosto financiare të domosdoshme prej 1.8 miliardë shtesë, në funksion të të gjithë elementëve që duhen përmirësuar në sistemin e drejtësisë, kuptohet në formatin financiar të cilit i referohem unë. Për qytetarët, paketa ka të bëjë me rritjen e pagave, me rritjen e numrit të punonjësve dhe mbi të gjitha, me koston e ngritjes së institucioneve të reja që janë referuar në gjithë paketën kushtetuese të reformës në drejtësi. Pra, sot qeveria kaloi financimin e plotë të reformës në drejtësi.

E gjithë kjo atmosferë e një reforme tejet të rëndësishme, siç është ajo e drejtësisë, natyrshëm duhet ta lidhim me imazhin e vendit dhe me përmirësimin e indikatorëve ekonomikë. Kemi thënë që reforma në vite do të reflektojë në ekonominë shqiptare, në investimet e huaja, në besimin e qytetarëve, në radhë të parë dhe në besimin e investitorëve.

Gjej rastin të sjell në vëmendje të qytetarëve se indikacionet ekonomike që furnizojnë trendin e rritjes ekonomike janë të gjithë  pozitivë.

Sot, qytetarët kanë parë një botim përsa i përket konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Për ta thënë më thjesht për qytetarët, konkurrueshmëria e Shqipërisë ka të bëjë me faktin se sa tërheqës është vendi për të bërë  biznes dhe sa e lehtë është jeta e një sipërmarrësi vendas apo i huaj në Shqipëri.

Më duhet të them se ky dokument është bërë nga një forum shumë i rëndësishëm dhe prestigjioz që quhet Forumi Ekonomik Botëror dhe i referohet dokumentit indeksi i konkurueshmërisë globale 2016-2017. Shqipëria ka një përmirësim serioz prej 13 vendesh, nga vendi 93 është përmirësuar me 13 vende dhe ka shkuar në vendin e 80. Kemi lënë mbrapa vendet e rajonit siç është Greqia, siç është Serbia, Bosnje Hercegovina dhe sigurisht që kemi edhe akoma më shumë rrugë për të bërë. Nuk dua të lë pa përmendur që tashmë nuk është më një klishe politike, por është një realitet ku sipërmarrësit dhe qytetarët pranojnë edhe për shkak të ndjesisë së tyre të përditshme që klima e biznesit është përmirësuar dhe sigurisht që edhe ekonomia e vendit ka filluar të reflektojë drejtpërsëdrejti përmirësimin nga shifrat makro, në detajet e përditshme të jetës ekonomike të familjeve dhe të qytetarëve dhe për këtë arsye për ta ilustruar kam sjellë edhe indeksin e tregtisë me pakicë. Indeksi i tregtisë me pakicë është një statistikë indirekte shumë e rëndësishme për të treguar se çfarë ndodh aty tek rrënjët e ekonomisë së Shqipërisë, tek konsumi, tek fuqia blerëse. Nuk është një statistikë e jona pra e qeverisë, por është një statistikë e INSTAT-it dhe në tremujorin e dytë të vitit 2016 indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 6.2 % një rritje e konsiderueshme që vlen të përmendet dhe të ndahet me publikun.

I solla këto elemente, jo pa qëllim, por për të treguar se të gjitha këto paketa reformash të bëra deri tani nga qeveria, që kulmojnë me reformën në drejtësi, midis shumë e shumë të mirave, mbi të gjitha kanë këtë të mirën ekonomike që reflektohet në përmirësimin e përditshëm të jetës së qytetarëve.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.