Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Janar 2017
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË SEKTORIT FINANCIAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar, me një shumë prej 100 000 000 (njëqind milionë) USD-sh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË HUNGARISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE E AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Hungarisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve e aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s dhe Notës së Pranimit për t’u bërë pjesë e saj, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e aktiviteteve ushtarake të NATO-s dhe Notës së Pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË NDËRVEPRUESHMËRISË TË TË DHËNAVE, GRUPEVE TË TË DHËNAVE DHE SHËRBIMEVE GJEOHAPËSINORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të ndërveprueshmërisë të të dhënave, grupeve të të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF019228, TË FONDIT TË BESIMIT ME SHUMË DONATORË “REPARIS”, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË PËRMIRËSIMIT TË CILËSISË SË RAPORTIMIT FINANCIAR, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.749, DATË 16.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së grantit nr.TF019228, të fondit të besimit me shumë donatorë “Reparis”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të përmirësimit të cilësisë së raportimit financiar, të miratuar me vendimin nr.749, datë 16.9.2015, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF013972, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E DYTË TË BESIMIT SHUMËDHURUES PËR SHQIPËRINË, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR (SPI) 2
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së grantit nr.TF013972, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën fondin e dytë të besimit shumëdhurues për Shqipërinë, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar (SPI) 2, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.612, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108 e 109, të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në nenin 43 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Paragrafi i dytë, i nënndarjes “iii”, të shkronjës “ç”, të pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“iii. Karta teknologjike sipas teknologjisë përkatëse dhe e verifikuar nga autoriteti kompetent doganor.”.
b) Në pikën 3, shkronjat “a” dhe “b”, ndryshohen, si më poshtë:
“a) Sasia e lëndëve djegëse të konsumuara për produktet e prodhuara dhe të shitura me fatura tatimore me TVSH, llogaritet jo më shumë se normativat bazuar në kartën teknologjike sipas industrisë si dhe normativave bazuar në aneksin 10, “Tabela referuese e normativave të harxhimit të lëndës djegëse”. Vlera e akcizës së rimbursueshme nuk do të jetë më shumë se 50% e akcizës së paguar për blerjet e kryera të lëndës djegëse të përdorur për nevoja teknologjike sipas përcaktimeve në ligj dhe në këtë dispozitë.
b) Sasia e lëndëve djegëse produkte të akcizës solar dhe mazut, të prodhuara nga vetë rafineria dhe të konsumuara brenda rafinerisë për përpunimin e produkteve ose të nënprodukteve të akcizës, rimbursohet për akcizën e paguar në masën 100%, me kusht që konsumi i këtyre lëndëve djegëse të jetë sipas sasive faktike të konsumuara, por jo përtej kartës teknologjike.”.
c) Në pikën 5, të nenit 43, pas fjalëve “…brenda datës 10 të muajit pasardhës…” shtohen fjalët “…ose të muajit pasardhës të tremujorit të cilit i përkasin blerjet…”.
ç) Pika 7 e nenit 43 ndryshon me këtë përmbajtje:
“7. Autoriteti doganor nëse pas verifikimit të dokumentacionit të paraqitur, si dhe bazuar në kriteret e analizës së riskut, gjykon të nevojshme të verifikojë situatën në vend dhe/ose të ushtrojë kontroll, atëherë kjo procedurë kryhet përpara miratimit të rimbursimit. Në këtë rast kjo procedurë nuk mund të zgjasë më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i paraqitjes së kërkesës për rimbursim. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave harton një udhëzim të përbashkët mbi elementët e riskut për këto raste.
Në rast të kundërt, brenda 10 (dhjetë) ditësh, miraton ose refuzon rimbursimin e kërkuar, bazuar në kriteret e përcaktuara më sipër dhe kontrolli në vend kryhet sipas planifikimit ose procedurave të autoritetit doganor edhe pas kryerjes së rimbursimit të akcizës.”.
2. Në nenin 44 bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, hiqet përcaktimi “Nr.9876, datë 14.2.2008”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë:
“3. Për efekte fiskale përqindja e pranuar e mishelimit nuk mund të jetë mbi 5% përmbajtje BIO për çdo lloj nënprodukti nafte.”.
c) Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Përqindja maksimale e lejuar për efekt të rimbursimit të akcizës për praninë e përbërësve BIO në karburant sipas standardeve EN: 590 për gazoilin ose EN: 228 për benzinën, përkatësisht është jo më shumë se 5 (pesë) për qind. Rimbursimi aplikohet vetëm për produket e biokarburantit që mishelohen në territorin shqiptar.
5. Kushtet që duhet të plotësohen për qëllime të zbatimit të këtij neni, përpara se të miratohet rimbursimi janë, si më poshtë:
a) Biokarburanti për të cilin është kërkuar rimbursimi duhet të përdoret si lëndë djegëse në sektorin e transportit.
b) Rimbursimi i akcizës përfitohet në masën e përmbajtjes faktike, por jo më shumë se 5 % të produktit BIO në përmbajtjen e biokarburantit të deklaruar për konsum, pasi ky fakt të jetë konfirmuar nga laboratori kimik doganor dhe pas verifikimit nga autoriteti doganor.”.
3. Në nenin 46 bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 9, shprehja “…një herë në muaj…” zëvendësohet me “…çdo muaj ose çdo tremujor…”
b) Pika 10 ndryshon, si më poshtë:
“10. Autoritetet doganore kompetente, gjatë shqyrtimit të kërkesës për rimbursim të akcizës, kur e gjykojnë të nevojshme kryejnë, gjithashtu,veprimet e mëposhtme:
a) Krahasohen të dhënat e deklaruara me rezultatet e laboratorit doganor;
b) Kryhet kontroll në vend dhe verifikohen lëndet e para, sasitë e prodhuara dhe sasitë e shitura sipas faturave të shitjes së produktit biokarburant, inventarin, pasqyrat financiare si dhe cdo dokumentacion tjetër të nevojshëm.
Kur vlerësohet nga autoriteti doganor, referuar qëllimit të përdorimit të biokarburantit për përdorim në transport kryhen, gjithashtu, edhe verifikimet në zinxhirin e transaksioneve të shitjes deri tek shitja për konsum;
c) Nëse është e nevojshme, procedura e verifikimit ose e kontrollit në vend kryhet në bashkëpunim me autoritetin tatimor të juridiksionit përkatës.
Kur kryhen verifikimet e mësipërme, procedura nuk mund të zgjasë më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i paraqitjes së kërkesës për rimbursim.
Në rast të kundërt, brenda 10 (dhjetë) ditësh, autoriteti doganor miraton ose refuzon rimbursimin e kërkuar, bazuar në kriteret e përcaktuara më sipër dhe kontrolli në vend kryhet sipas planifikimit ose të procedurave të autoritetit doganor edhe pas kryerjes së rimbursimit të akcizës.”.
4. Në nenin 48/1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas fjalëve “…magazinë fiskale stokimi…” shtohen “…/magazinë doganore…”.
b) Pas fjalëve “…magazinë fiskale…” shtohet “… /doganore…”.
c) Pas fjalëve “…depozituesi i miratuar…” shtohet “…/ importuesi…”.
ç) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:
“2. Vendosja e pullave të akcizës në ambientet e magazinave fiskale të stokimit/ magazinave doganore kryhet sipas kërkesës së operatorëve dhe në prezencë të autoriteteve doganore mbikëqyrëse. Depozituesi i miratuar/administratori i magazinës doganore duhet të depozitojë një kërkesë, me shkrim, pranë zyrës doganore mbikëqyrëse, të paktën 48 orë përpara fillimit të vendosjes së pullave të akcizës, për sigurimin e pranisë së autoriteteve doganore gjatë procesit të vendosjes së pullave. Procesi i vendosjes së pullave të akcizës, në çdo rast, fillon pas sigurimit të prezencës së autoriteteve doganore.”.
d) Pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Në rastet e funksionimit të sistemeve on-line të monitorimit me kamera pranë magazinave fiskale të stokimit/doganore, mbikëqyrja e procesit të vendosjes së pullave të mundësohet edhe në distancë duke bërë regjistrimin përkatës të procesit.”.
5. Në nenin 96/1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë:
“1. Produktet energjetike sipas aneksit 24, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të cilat importohen (hidhen për qarkullim të lirë) ose blihen pranë magazinave fiskale të prodhimit brenda vendit dhe që kanë destinacion mbajtjen (magazinimin) e tyre nën pezullim të detyrimeve të akcizës me qëllim lëvizjen e mëvonshme drejt pikave të shitjes me shumicë/pakicë, futen në një magazinë fiskale stokimi.”.
b) Në pikën 3 shtohet shkronja “e”, me përmbajtjen e mëposhtme:
“e) Për lëvizjen nga importi të produkteve me detyrime akcize të paguara drejt pikave të shitjes me shumicë/pakicë – DAV importi për hedhje në qarkullim të lirë me akcizë të paguar.”.
c) Në pikën 5 përcaktimi “…në pikën 2 të këtij neni…” zëvendësohet me “…në pikën 3 të këtij neni…”.
ç) Pas pikës 8, shtohen pikat 9 dhe 10, me përmbajtjen e mëposhtme:
“9. Për qëllime mbikëqyrjeje dhe kontrolli, subjektet e akcizës që tregtojnë produktet e kategorisë E500, gaz për përdorim për mjete motorike, brenda datës 31.1.2017 duhet të vetëdeklarojnë dhe të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave inventarin gjendje të datës 31.12.2016. Një kopje e këtij inventari duhet të dorëzohet në adresë të degës doganore territorialisht kompetente. Autoritetet doganore, në cdo rast, kryejnë verifikimet e nevojshme.
10. Pikat e tregtimit me shumicë të produkteve të kategorisë E500, gaz për përdorim për mjete motorike, brenda datës 10 të çdo muaji, depozitojnë pranë degës doganore teritorialisht kompetente, regjistrin e shitjeve ku kanë të pasqyruar të dhëna mbi blerësin dhe sasitë e shitura.”.
6. Në aneksin 10, “Tabela referuese e disa normativave të harxhimit të lëndës djegëse” tabela e tretë “Industria”, zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Në aneksin 24, shtohen kategoritë e produkteve E500, si më poshtë:
Kategoria |
Përshkrimi |
Kodi NK |
E500
|
Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për përdorim si lëndë djegëse për motor automjetesh. |
27111211
27111219
27111291
27111293
27111294
27111297
27111310
27111330
27111391
27111397
27111400 |
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE ARTIGIANCASSA S.P.A., PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FUQIZIMI I QENDRËS TRAUMATOLOGJIKE KOMBËTARE TË TIRANËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa s.p.a., për financimin e programit “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË PËRMETIT DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës , Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Përmetit, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Përmetit dhe të zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E REGJISTRIMIT, TË ORGANIZIMIT DHE KLASIFIKIMIT TË VEPRAVE TË TË DREJTAVE TË AUTORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË TË DREJTAVE TË AUTORIT
1. Procedurat e regjistrimit dhe të pajisjes me certifikatë të të drejtave të autorit kryhen nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit (DDA) pranë ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit.
2. DDA-ja shqyrton dhe regjistron çdo aplikim për regjistrim të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, për subjektin aplikues, autor apo mbajtës/titullar i të drejtave të autorit mbi një vepër.
3. Regjistri i të drejtave të autorit është elektronik dhe dokumentar, i krijuar për të mbajtur të dhënat e të gjitha aplikimeve, regjistrimeve, depozitave, pajisjeve me certifikata dhe të çdo veprimi të ndërmarrë nga DDA-ja.
4. Administrimi i regjistrit të të drejtave të autorit bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore. Rregulloret për organizmin e funksionimin e brendshëm të tij miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit.
5. Regjistri dhe çdo informacion ruhen dhe administrohen nga DDA-ja, në përputhje me ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, ligjin nr.9154, datë 16.11.2003, “Për arkivat”, dhe u vihen në dispozicion palëve të interesuara, në përputhje me ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”.
6. Regjistri i të drejtave të autorit është i organizuar në klasa administrative dhe organizohet (indeksohet) në bazë të qëllimit dhe aplikimit në DDA, në përputhje me ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
7. DDA-ja, nëpërmjet strukturës përgjegjëse, vë në dispozicion të aplikantëve/ subjekteve të interesuara, pa pagesë, formularët-tip të aplikimit. Këta formularë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit, në përputhje me klasën administrative, sipas qëllimit të aplikimit nga subjekti.
8. Çdo aplikant/subjekt duhet të paraqesë:
a) formularin-tip, ku kërkohet regjistrimi/pajisja me certifikatë e të drejtave të autorit (e cila do të ketë të dhëna standarde: emër, mbiemër, data e aplikimit, titulli i veprës dhe kategoria e veprës etj);
b) deklaratë me shkrim, përpara nëpunësit civil të ngarkuar me regjistrimin e të drejtave të autorit, ku autori deklaron, në përgjegjësinë e tij, se ai është autori, krijuesi për veprën ose bashkëautor, në rast se ka më shumë se një autor;
c) fotokopje pasaporte ose ID;
ç) mandatin e pagesën për regjistrim të të drejtave të autorit;
d) kopje të veprës në formë të shkruar ose CD, e cila duhet të jetë sa më e detajuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit krijues;
dh) çdo dokument tjetër shtesë, të nevojshëm për vërtetimin e të drejtave, objekt regjistrimi.
9. Tarifa për regjistrimin e veprës është e përcaktuar sipas tarifave për shërbimet e ofruara nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit.
10. DDA-ja depoziton të gjitha aplikimet, regjistrimet dhe ndryshimet e të drejtave të autorit, të cilat i mban në bazën e të dhënave që administrohen në Regjistrin e të Drejtave të Autorit.
11. Procedura e regjistrimit pranë DDA-së zgjat në një afat maksimal prej 45 ditësh. Konkretisht, kjo procedurë përfshin:
a) paraqitjen e kërkesës për regjistrim;
b) shqyrtimin e kërkesës (30 ditë);
c) regjistrimin e veprës të së drejtës së autorit (5 ditë);
ç) pajisjen me certifikatë nga ana e DDA-së (10 ditë).
12. DDA-ja vendos pullën artistike të saj, të pakonsumuar, dhe depoziton një kopje origjinale të mbajtësit fonografik/videogramit të veprës ose të mjetit të ngjashëm me të, për riprodhimin e saj.
13. Aplikanti (autori/ët, përfaqësuesit e tyre ligjorë, trashëgimtarët, titullarët e të drejtave të tyre apo agjencitë e administrimit kolektiv) plotëson formularin përkatës dhe ia paraqet DDA-së, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, dhe rregulloren e brendshme të ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit, si dhe çdo informacion tjetër të vlerësuar nga DDA-ja, të vlefshëm për veprën dhe të drejtat mbi të.
14. Certifikata e lëshuar për regjistrimin e të drejtave të autorit dëshmon regjistrimin e një të drejte autori, që gëzon mbrojtje, në zbatim të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, por nuk provon autorësinë e saj.
15. Pajisja me certifikatë bëhet nga struktura përgjegjëse e DDA-së dhe nënshkruhet nga drejtori i saj për titullarët e regjistruar të të drejtave të autorit, që dëshmojnë ndaj të tretëve të drejtat e tyre të regjistruara.
16. Certifikata përmban të dhënat e deklaruara në aplikim, së bashku me numrin dhe datën e regjistrimit, sipas formatit të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit.
17. Data e regjistrimit të të drejtave të autorit është data kur aplikimi dhe tarifa janë depozituar për regjistrim në DDA.
18. Vendosja e pullës artistike nga DDA-ja është një akt i domosdoshëm. Çdo prodhim i kopjes private duhet të ketë identifikimin e prodhuesit, me shenjën e tij mbrojtëse “P”, të deklaruar pranë DDA-së. Botuesi/prodhuesi i kopjes private, për çdo prodhim/riprodhim, duhet të jetë i pajisur me autorizim nga mbajtësi/titullari/ët e të drejtave të autorit ose agjencitë e administrimit kolektiv. Po ashtu, çdo prodhim ose çdo kopje private, që hyn nga jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, duhet të pajiset me pullën e DDA-së. Kjo pullë duhet të ketë të gjitha elementet e sigurisë, bazuar në numrin serial dhe logon e integruar brenda pullës së prodhuar. Pulla mund të përmbajë edhe çdo element tjetër që rrit origjinalitetin e saj, e cila mund të prodhohet brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë, me garancitë e duhura identifikuese.
II. PROCEDURA E ORGANIZIMIT DHE E KLASIFIKIMIT ADMINISTRATIV TË TË DREJTAVE TË AUTORIT
1. Organizimi (indeksimi) dhe klasifikimi administrativ i regjistrit të të drejtave të autorit bëhen, si më poshtë vijon:
a) Regjistrimi i të drejtave të autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura me to;
b) Regjistrimi i kontratave dhe marrëveshjeve që kanë objekt të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to (të shoqëruara me dokumente shtesë, që provojnë kalimin e të drejtave nga pronari ose autori i veprës kundrejt titullarit të të drejtave të fituara);
c) Regjistrimi i agjencive të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të lidhura me të, të licencuara, si dhe çdo informacion që këto agjenci detyrohen të paraqesin në DDA;
ç) Pajisja me certifikatë për çdo të drejtë të regjistruar dhe/ose i çdo kalimi të të drejtave, sipas kërkesave të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”;
d) Depozitimi, sipas nenit 104, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.
2. Në çdo rast të parashikuar në pikën 1, të këtij kreu, strukturat përgjegjëse të DDA-së bëjnë organizmin (indeksimin) e të dhënave për çdo ndryshim të ndodhur, të bërë nga subjektet dhe/ose organet gjyqësore dhe të pasqyruar në regjistrin e DDA-së.
3. Organizimi (indeksimi) i të dhënave në regjistrin e të drejtave të autorit rrit, por nuk zë vendin e të dhënave përmbajtëse në regjistrimin e mëparshëm.
4. Dokumentet e paraqitura nga aplikantët për regjistrimin e të drejtave të autorit dhe të të drejtave të lidhura me to duhet të jenë origjinale ose kopje të njësuara me origjinalin, sipas legjislacionit në fuqi, të tre muajve të fundit.
5. Deklaratat që depozitohen nga autorët, përfaqësuesit e tyre ligjorë apo titullarët e të drejtave duhet të jenë origjinale dhe të nënshkruara nga vetë këto subjekte.
6. Struktura përgjegjëse që shqyrton aplikimin, dokumentacionin dhe të dhënat e kërkuara në këtë kre, ka të drejtë të kërkojë plotësimin e dokumentacionit dhe korrigjimin e të metave mbi regjistrimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të.
7. Struktura përgjegjëse në DDA, që shqyrton aplikimin, dokumentacionin dhe të dhënat e kërkuara në këtë kre, ka të drejtë të refuzojë regjistrimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to dhe të njoftojë me shkrim aplikantin për këtë refuzim.
8. DDA-ja refuzon regjistrimin dhe pajisjen me certifikatë të çdo kontrate, e cila është bërë në kundërshtim me nenet 60 dhe 104, të ligjit, si dhe me ato dispozita ligjore në fuqi që përcaktojnë depozitimin e detyruar të kopjes origjinale të veprës.
9. Ankimi për refuzimin e këtij regjistrimi bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.
10. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MBULIMIN E SHPENZIMEVE FINANCIARE TË PERSONELIT TË SHËRBIMIT TË JASHTËM DHE FAMILJARËVE QË I SHOQËROJNË ATA GJATË KOHËS QË DËRGOHEN ME SHËRBIM NË MISIONET DIPLOMATIKE DHE POSTET KONSULLORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË JASHTË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 50, 53, 54 e 55, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 126, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për efekt të këtij vendimi, personel i shërbimit të jashtëm janë:
a) personeli diplomatik në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja;
b) personeli administrativo-teknik në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, pa përfshirë personelin teknik vendas, të emëruar sipas parashikimeve të nenit 33, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.
2. Për efekt të këtij vendimi, familjarë të personelit të shërbimit të jashtëm janë bashkëshorti/ja, fëmijët nën moshën 18 vjeç si dhe persona të tretë, në kujdestari të personelit të shërbimit të jashtëm, që e shoqërojnë personelin në detyrë.
3. Ministria e Punëve të Jashtme përballon shpenzimet për sigurimin e jetës së personelit të shërbimit të jashtëm dhe të familjarëve të tyre në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë. Sigurimi i jetës do të paguhet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë. Në rastet kur familjarët nuk e shoqërojnë personelin e shërbimit të jashtëm në vendin pritës, ata nuk e përfitojnë sigurimin e jetës. Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat kur:
a) në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme;
b) në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqsuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën.
Procedurat e përzgjedhjes së kompanive të sigurimit dhe prokurimi i fondeve për sigurimin e jetës kryhen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe i nënshtrohen legjislacionit në fuqi.
4. Ministria e Punëve të Jashtme mbulon shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të bashkëshortit/es të personelit të shërbimit të jashtëm për periudhën që ai e shoqëron personelin në shërbim. Masa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortin/en e personelit të shërbimit të jashtëm të llogaritet, përkatësisht, si më poshtë vijon:
a) Për bashkëshortin/en, i cili/e cila, përpara emërimit të personelit të shërbimit të jashtëm me detyrë jashtë vendit ka qenë në marrëdhënie pune, e barasvlershme me masën që është paguar në momentin e shkëputjes së marrëdhënieve të punës;
b) Për bashkëshortin/en, i cili/e cila nuk ka qenë në marrëdhënie pune, në masën e pagës minimale të sigurueshme në Republikën e Shqipërisë;
c) Në rast se bashkëshorti/ja punësohet me kohë të pjesshme në misionet diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen nga MPJ-ja, në përputhje me parashikimet e shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike;
ç) Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortët e personelit të shërbimit të jashtëm i nënshtrohet rishikimit, në të njëjtën formë siç rishikohet pagesa e kontributit për sigurimet shoqërore e shëndetësore të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë;
d) Në rastet kur bashkëshorti/ja nuk e shoqëron personelin e shërbimit të jashtëm në detyrë, ai nuk përfiton sigurimin shoqëror dhe shëndetësor të parashikuar në këtë pikë.
5. Personeli i shërbimit të jashtëm dhe familjarët e tyre kanë të drejtë që, për raste urgjencash të jashtëzakonshme, të cilat vënë në rrezik shëndetin e tyre, me miratim të titullarit të misionit ose postit, të mjekohen në vendin pritës, kur një shërbim i tillë nuk është parashikuar në kontratën e sigurimit shëndetësor. Në këtë rast, shpenzimet përballohen nga buxheti i misionit diplomatik ose postit konsullor.
6. Bashkëshorti/ja i personelit të shërbimit të jashtëm përfiton shpërblim mujor në vlerën 50 për qind të pagës së pozicionit të punës, grada “Atashe”, të vendit të emërimit të personelit të shërbimit të jashtëm. Pagesa e shpërblimit mujor fillon pas paraqitjes nga titullari i misionit diplomatik ose postit konsullor në MPJ të vërtetimit të shoqërimit të personelit të shërbimit të jashtëm nga bashkëshorti/ja në detyrë, në vendin pritës.
Ky shpërblim i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Shpërblimi derdhet në llogarinë e bashkëshortit/es, në një nga bankat e vendit pritës, ku bashkëshorti/ja ka llogarinë personale.
Në rast se bashkëshorti/ja emërohet në një nga pozicionet e stafit teknik në mision/post konsullor, humbet të drejtën e përfitimit të shpërblimit mujor.
Bashkëshorti/ja i personelit të shërbimit të jashtëm, cili/e cila nuk e shoqëron atë në detyrë në vendin pritës, nuk përfiton shpërblimin e parashikuar në këtë pikë. I ndërpritet e drejta për shpërblim mujor bashkëshortit/es, i cili/e cila nuk shoqëron personelin e shërbimit të jashtëm për më shumë se tre muaj rresht në detyrë.
7. Çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, që jeton me personelin e shërbimit të jashtëm në vendin pritës, përfiton shpërblim mujor me vlerën 20 për qind të pagës së gradës “Atashe”, të vendit të emërimit të personelit të shërbimit të jashtëm. Ky shpërblim i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Shpërblimi i fëmijës derdhet në llogarinë e personelit të shërbimit të jashtëm.
8. Në rastet kur në vendin pritës shkollat publike janë me pagesë, shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të personelit të shërbimit të jashtëm përballohen nga buxheti i misionit diplomatik ose postit konsullor përkatës deri në përfundimin e arsimit të mesëm. Pagesa kryhet me miratimin e MPJ-së, pas paraqitjes nga titullari i misionit/postit konsullor të dokumentacionit, si më poshtë vijon:
a) Vërtetim, nga autoritetet e vendit pritës, që shkollat publike në këtë vend janë me pagesë;
b) Vërtetim të masës së pagesës mujore/vjetore që duhet të paguhet për shkollimin e fëmijës, të lëshuar nga institucioni arsimor publik i vendit pritës ku do të studiojë fëmija.
9. Në rastet kur në shtetin pritës gjuha e shkollimit në shkollat publike nuk është anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, shkollimi i fëmijëve të personelit të shërbimit të jashtëm mund të bëhet në shkolla private të licencuara. Në këto raste, me miratimin e ministrit të Punëve të Jashtme, mund të mbulohet tarifa për shkollimin e fëmijëve deri në masën 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në vit. Mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet nga buxheti i misionit diplomatik ose postit konsullor përkatës. Shpenzimet e tjera të shkollimit, si pagesa e librave, transporti, pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive, etj. përballohen nga personeli i misionit ose postit konsullor.
10. Gjatë ushtrimit të detyrës në misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, përveç pagës së përcaktuar me ligj, personeli i shërbimit të jashtëm dhe familjarët që e shoqërojnë gjatë shërbimit përfitojnë trajtim financiar të posaçëm, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Punëve të Jashtme mbulon shpenzimet e transportit të personelit të shërbimit të jashtëm dhe familjarëve të tyre nga Shqipëria në misionin diplomatik ose postin konsullor, në kohën e emërimit, si dhe shpenzimet e transportit nga vendi i emërimit për në Shqipëri, kur ata mbarojnë detyrën;
b) Ministria e Punëve të Jashtme mbulon shpenzimet e transportit të sendeve personale të personelit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, në momentin e emërimit dhe kthimit në atdhe. Transporti i sendeve dhe orendive personale të personelit të misionit diplomatik ose postit konsullor bëhet me miratimin e MPJ-së, deri në masën 7,5 m3 për anëtar familjeje, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje. Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi;
c) Gjatë kohës së ushtrimit të detyrës në misionet diplomatike dhe postet konsullore jashtë vendit, personeli i shërbimit të jashtëm, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qirasë së banesës, energjisë elektrike, ujit, gazit dhe ngrohjes. Fondet dhe masa e mbulimit të këtyre shpenzimeve përcaktohen nga MPJ-ja, në përputhje me parashikimet e ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
ç) Ministria e Punëve të Jashtme përcakton, periodikisht, kushtet kryesore të qiramarrjes, listën e orendive të nevojshme për ambientin e banimit dhe limitet e qirapagesave për banesat e punonjësve të përfaqësive, në përputhje me tregun e pasurive të paluajtshme në vendin pritës dhe nevojat për prezantim. Rregullat e përcaktuara në këtë paragraf do të zbatohen vetëm për kontratat e qiramarrjes, të lidhura pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
d) Kur punonjësi i shërbimit të jashtëm, i emëruar në misionin diplomatik ose postin konsullor transferohet në atdhe, përfiton një shpërblim nga Ministria e Punëve të Jashtme, në masën 50 për qind të pagës referuese, sipas postit të emërimit në mision ose post.
11. Për përmbushjen e duhur të detyrimeve protokollare në prezantim për kreun e misionit ose të postit, Ministria e Punëve të Jashtme pajis me orenditë e nevojshme ambientin e tij të banimit, që shërben si rezidencë. Këto pajisje përfshihen në inventarin e përfaqësisë.
12. Në rastet kur misioni diplomatik ose posti konsullor ka në gjendje pajisje, automjete, inventar ekonomik dhe materiale të ndryshme, përdorimi i të cilave është pa efektivitet ose i panevojshëm, me miratim të nëpunësit të autorizuar të institucionit ose punonjësit të autorizuar prej tij, ato mund të shiten, të kthehen në atdhe, të kalohen në një mision tjetër diplomatik ose post konsullor, apo të dalin jashtë përdorimit, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë menaxhimin e aktivëve në sektorin publik.
Të ardhurat e përfituara derdhen në llogarinë e misionit diplomatik ose postit konsullor, duke vënë menjëherë në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi.
13. Të ardhurat në valutë, që sigurohen nga shërbimi konsullor në misionet diplomatike ose postet konsullore jashtë vendit, përdoren si likuiditete, në zbatim të planit të buxhetit të misionit diplomatik ose postit konsullor, duke pakësuar, për të njëjtën shumë, transferimin e fondeve të misionit diplomatik ose postit konsullor nga Ministria e Punëve të Jashtme.
14. Me miratimin e ministrit të Punëve të Jashtme, për raste fatkeqësish (vdekja e prindërve, bashkëshortit/tes, fëmijës, vëllait dhe motrës), për anëtarin e personelit të shërbimit të jashtëm dhe bashkëshortin/en, nga Ministria e Punëve të Jashtme mund të mbulohen vetëm shpenzimet e udhëtimit për kthimin në atdhe dhe rikthimin në shtetin ku është misioni diplomatik ose posti konsullor.
15. Në rastet e paaftësisë së përkohshme në punë të personelit të shërbimit të jashtëm, pagesa e tij bëhet sipas legjislacionit në fuqi, nga fondet e misionit ose postit konsullor përkatës.
16. Në rast humbjeje të jetës së anëtarit të personelit të shërbimit të jashtëm apo të pjesëtarit të familjes që e shoqëron në detyrë, shpenzimet për transportin e trupit në atdhe si dhe ato të ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
17. Në rastet e një barrë-lindjeje të diplomates gjatë kohës që është në detyrë në një mision diplomatik ose post konsullor, për periudhën 63 ditë nga lindja e fëmijës, ajo paguhet me pagë të plotë. Diplomatja njofton titullarin e përfaqësisë dy muaj përpara përfitimit të lejes së barrë-lindjes.
Gjatë kohës së përfitimit të së drejtës së barrë-lindjes, pas kalimit të periudhës 63-ditore nga lindja e fëmijës, pagesa e barrë-lindjes mbulohet nga sigurimet shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Sqipërisë.
Në rast se diplomatja vendos të vijojë lejen e barrë-lindjes pas periudhës 63-ditore, nga lindja e fëmijës, diplomatja dhe familjarët e saj humbasin të gjitha të drejtat e trajtimit financiar në vendin pritës, të parashikuara në këtë vendim.
18. Vendimi nr.673, datë 11.9.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për të drejtat e punonjësve të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja”, vendimi nr.865, datë 18.6.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të kushteve dhe të mënyrës së financimit për arsimin e detyrueshëm dhe të mesëm, të fëmijëve të personelit të emëruar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja”, dhe çdo dispozitë tjetër, që bie ndesh me këtë vendim, shfuqizohen.
19. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 110/20 KV GJIRI I LALËZIT, DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i nënstacionit 110/20 kV Gjiri i Lalëzit, Durrës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë totale të shpronësimit prej 152 567.1 (njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë një) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 152 567.1 (njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë një) lekësh dhe vlera e shpenzimeve procedurale të përballohen nga fondet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
5. Shpronësimi të fillojë brenda muajit janar 2017.
6. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë, të pasurive të shpronësuara, në favor të OSHEE, sh.a.-së.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS SË TRANSMETIMIT 110 KV LAÇ-SKURAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës së transmetimit 110 kV Laç-Skuraj, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë arë” dhe “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 665.5 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë pesë) m², me vlerë totale të shpronësimit prej 194 197.2 (njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e njëqind e nëntëdhjetë e shtatë pikë dy) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 194 197.2 (njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e njëqind e nëntëdhjetë e shtatë pikë dy) lekësh dhe të gjitha shpenzimet procedurale të përballohen nga fondet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
5. Shpronësimi të fillojë brenda muajit janar 2017.
6. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundimin e procesit të kalimit të pronësisë, të pasurive të shpronësuara, në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.824, DATË 6.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E INSTITUCIONEVE TË AUTORIZUARA PËR VERIFIKIMIN, NË MËNYRË ELEKTRONIKE, TË GJENDJES GJYQËSORE, SI DHE TË FORMULARIT TË VETËDEKLARIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 7, 8 e 11, të ligjit nr.9614, datë 21.9.2006, “Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun I, të vendimit nr.824, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet kjo shtesë:
1. Pas pikës 44 shtohet pika 45, me këtë përmbajtje:
“45. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT, PËR SHLYERJEN E DETYRIMEVE QË RRJEDHIN NGA ZBATIMI I VENDIMEVE GJYQËSORE PËR VIKTIMAT E NGJARJES SË 21 JANARIT 2011
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, i shtohet fondi prej 160 011 479 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, akordohet për Gardën e Republikës së Shqipërisë, për shlyerjen e detyrimeve sipas vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË TË KONCESIONIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË MARRËVESHJEN E KONCESIONIT LIDHUR ME PROJEKTIMIN, FINANCIMIN, NDËRTIMIN, PRONËSINË, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE TRANSFERIMIN E NJË PROJEKTI PËR NJË HIDROCENTRAL TË RI NË ASHTË, REPUBLIKA E SHQIPËRISË, NDËRMJET MINISTRISË SË ENERGJISË DHE INDUSTRISË (AUTORITETI KONTRAKTUES) DHE VERBUND AG (KONCESIONARI) DHE ENERGJI ASHTA, SH.P.K. (SHOQËRIA E PROJEKTIT)”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.1363, DATË 17.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 50, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes shtesë të koncensionit “Për disa ndryshime dhe shtesa në marrëveshjen e koncesionit lidhur me projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një projekti për një hidrocentral të ri në Ashtë, Republika e Shqipërisë, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (Autoriteti kontraktues) dhe VERBUND AG (Koncesionari) dhe Energji Ashta, sh.p.k. (Shoqëria e projektit)”, miratuar me vendimin nr.1363, datë 17.10.2008, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SIGURIMIN SHËNDETËSOR TË VEÇANTË TË PUNONJËSVE TË DISA STRUKTURAVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 68, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbime shëndetësore të cilat nuk janë pjesë të paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
2. Kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit që përfitojnë sigurimin shëndetësor të veçantë janë, si më poshtë:
a) Forcat speciale;
b) Forcat operacionale të ndërhyrjes së shpejtë;
c) Forcat e posaçme operacionale;
ç) Punonjësit e policisë që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive homologe të shteteve të huaja, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë.
3. Punonjësit e policisë të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor i veçantë, shërbim shëndetësor:
a) për kontrollin parandalues;
b) diagnostikues;
c) kurues.
4. Policia e Shtetit, për shërbimet shëndetësore të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor, që ofrohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidh kontratë me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
5. Policia e Shtetit, me qëllim ofrimin e shërbimit shëndetësor të veçantë, kryen procedurat, si më poshtë vijon:
a) Brenda muajit korrik të çdo viti, parashikon fondet buxhetore, duke përllogaritur një prim sigurimi jo më shumë se 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë për çdo punonjës që do të sigurohet;
b) Brenda muajit dhjetor të çdo viti, harton listën e punonjësve përfitues, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi;
c) Përzgjedh shoqërinë e sigurimit sipas rregullave të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik;
ç) Njësitë buxhetore i dërgojnë shoqërisë së sigurimit, brenda dy ditëve, çdo ndryshim që ndodh në listën emërore të përfituesve.
6. Fondi i përcaktuar për këtë qëllim, planifikohet për çdo vit, në programin buxhetor të Policisë së Shtetit.
7. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.