Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nënshkrimin e Paktit Kombëtar të Mirëqenies Sociale mes MMSR dhe Bashkisë Vlorë:

 

Përshëndetje të gjithëve! Mirë se ju gjeta përsëri!

Me vjen shumë mirë që këtu në Vlorë, ne kemi një institucion model të shërbimit social edhe për këtë duhet të përgëzoj Inesin [drejtore e Shërbimit Social Vlorë], që vërtetë ka treguar një përkushtim të madh dhe një seriozitet të veçantë në trajtimin e  gjithë problemeve dhe rasteve që realisht janë të vështira. Shteti ynë nuk është i pasur dhe kushtet në të cilat ne e trashëguam vendin ishin larg së qeni të mira, për të na mundësuar më shumë dhe me shpejt, çka do donim të kishim bërë.

Për të marrë vetëm një shembull. Në Britaninë e Madhe, trajtimi i shtresave në nevojë është rregulluar me ligj, në mënyrë të unifikuar për të gjithë mbretërinë, në shekullin XVII. Qysh prej shekullit XVII, Britania e Madhe ka atë që quhet ligji për të varfrit dhe qysh prej shekullit XVII, ky ligj është baza e një zhvillimi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënies mes  shtetit dhe njerëzve më në nevojë.

Ndërkohë, në Shqipëri, vetëm 4 vite më parë ishim 4 shekuj mbrapa, krahasuar me Britaninë, po shekuj mbrapa, krahasuar edhe me shumë vende të tjera të Europës ku duam të bëjmë pjesë. Nuk kishim një kornizë të plotë ligjore dhe praktikat për trajtimin e kategorive në nevojë ishin kaotike, jo të unifikuara, por të fragmentuara. Personat që duhet të përfitonin ndihmë, shpeshherë nuk e përfitonin dot, ndërkohë që një shumë e madhe njerëzish, të cilët nuk duhet ta përfitonin ndihmën, pasi nuk ishin në kushtet e përcaktuara edhe nga vetë ajo kornizë e mangët ligjore, e përfitonin atë në mënyrë shumë abuzive. Për të mos thënë që edhe ajo ndihmë e ato fonde të caktuara nuk jepeshin në kohë.

Kur ne trashëguam malin me borxhe të fshehura, në atë mal, një pjesë e konsiderueshme e borxhit ishte ndaj shtresave në nevojë, ndaj personave me aftësi të kufizuar, ndaj invalidëve e me radhë. Ishte një borxh i konsiderueshëm parash, që ishin shkruar në letër si para që duhet t’u shkonin mijëra e mijëra njerëzve në nevojë dhe që ishin bërë rrush e kumbulla elektorale.

Janë vetëm tre vjet e gjysmë punë dhe është krijuar një kornizë e plotë ligjore. Janë krijuar instrumente jo vetëm ligjorë, por dhe administrativë e financiarë, për të ndërtuar një sistem kompakt të shërbimeve sociale. Pa këtë reformë, që është një reformë e gjerë dhe e thellë, unë dua t’ju siguroj që skemat sociale sot do kishin falimentuar plotësisht. Ashtu sikundër pa reformën e pensioneve, që është pjesë e kësaj reforme tërësore, ne sot, jo vetëm që nuk do të kishim mundësinë për të trefishuar ndihmën ekonomike, por nuk do të kishim mundësinë për të mbajtur në këmbë sistemin e pensioneve.

Sistemi ynë i pensioneve ishte një sistem i ndërtuar si piramidë, që në një moment të caktuar rrezikonte të shembej dhe faktikisht i kishte ardhur dita për t’u shembur. Reforma u vonua për 20 e ca vjet dhe gjatë kësaj kohe, ata që dolën në pension u detyruan të jetonin me tavanin 240 mijë lekë mbi kokë, pavarësisht sa kishin punuar, pavarësisht sa kishin kontribuuar. Fatkeqësisht, sot e gjithë ditën, ata që e morën pensionin përpara reformës vazhdojnë të jenë viktima të keqqeverisjes së 20 e kusur viteve, për shkak se reforma sot u jep diçka krejt tjetër atyre që dalin në pension pas reformës. Ata jo vetëm  nuk janë më të kushtëzuar nga tavani 240 mijë lekë, por, përkundrazi, mund të marrin pensione që shkojnë deri në 40 % më shumë, sesa do të merrnin, nëse ne nuk do kishim reformuar sistemin.

Edhe rritja e pensioneve për të gjithë pensionistët, duke përfshirë edhe ata përpara reformës, që janë edhe pjesa më e madhe, nuk do kishte ndodhur. Patjetër që nuk është e mjaftueshme dhe nuk ka sesi të jetë e mjaftueshme, në kushtet kur gjithë trashëgimia e rëndë e së shkuarës vazhdon të kushtëzojë, për fat të keq, pensionin e tyre.

Sidoqoftë, skema mbijetoi dhe sot, sistemi i pensioneve nuk kërcënohet nga falimentimi, madje garanton që vit pas viti, pensionet të rriten dhe njerëzit që dalin në pension të mund ta përcaktojnë vetë nivelin e pensionit, në bazë të kontributeve. Janë 200 mijë kontribuues që janë shtuar në skemë, falë reformës, duke e bërë më të balancuar raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve. Nuk mundet që raporti të jetë një kontribuues me katër përfitues. Raporti duhet përmbysur, në mënyrë që skema të mbajë dhe që përfituesit, pensionistët, të mund të kenë pensione më të larta dhe përmbysja e raportit ka filluar.

Ashtu sikundër, ne u bëmë të mundur jo pak, por 5 mijë të moshuarve qysh në vitin e parë dhe mijëra të tjerë vitin e dytë, të cilët nuk kishin punuar kurrë në shtet, kryesisht gra shtëpiake, që të kenë një pension social. Një pension social që natyrisht nuk është shumë, por është shumë më tepër sesa zero.

Deri më sot, ngritja e shërbimeve sociale është bërë teorikisht nga qeveria, nga bashkia, nga organizata jofitimprurëse, por kurrë nuk ka pasur ndërveprim dhe një sistem të koordinuar, që do të mundësonte maksimizimin e gjithë këtyre kontributeve në funksion të njerëzve në nevojë. Situata kaotike ishte ndërlikuar edhe më shumë, për shkak të përplasjes së kompetencave. Atë çka një ligj thoshte se do ta bëjë qeveria, një ligj tjetër thoshte do ta bëjë bashkia dhe një tjetër ligj bënte që qoftë bashkia, qoftë qeveria të mos mund të bashkëvepronin me OJF-të në mënyrë efiçente. Kështu me radhë, kaos, rrëmujë, siç i themi ne nga Tirana, një rrumpallë.

Pakti Kombëtar i Mirëqenies Sociale është faktikisht një instrument që i bashkon të gjithë aktorët dhe mundëson një përpjekje të koordinuar, duke mundësuar që bashkive t’ju kalohet një përgjegjësi më e madhe sociale, por edhe t’u jepen instrumente për të menaxhuar shërbimet sociale. Po ashtu, bashkive t’u delegohet Fondi Social, i cili do t’u sigurojë kategorive në nevojë akses më të madh në asistencë, në arsim dhe në shëndetësi.

Vlora është një nga bashkitë për t’u marrë shembull, për shkak të përkushtimit dhe të seriozitetit të drejtorisë së Shërbimit Social. Këtu kemi raste të konsiderueshme ku kemi mundur të ndërhyjmë, për të ndihmuar njerëz, si rastet që dëgjuam apo dhe shumë të tjerë, të gjendur mes vështirësive të mëdha dhe për të cilët, nëse do të niseshim thjeshtë strikt nga ligji, nuk do të kishim mundur të bënim gjë. Por kemi mundur të angazhojmë energji dhe forca, duke përfituar edhe nga vëmendja e veçantë e kryetarit të bashkisë ndaj këtyre rasteve dhe aftësia e tij për të sensibilizuar edhe biznesin, në funksion të zgjidhjes së shpejtë të problemeve të rënda për familje apo individë të caktuar.

Harta e shërbimeve sociale do të zgjerohet me 70 shërbime të domosdoshme në vitin 2018. Nga ana tjetër, ne do bëjmë do bëmë çmos që  të nxjerrim të gjithë fëmijët që janë sot në institute të caktuara, drejt familjeve. Do t’u japim më shumë mundësi këtyre fëmijëve, që të rriten në një familje dhe jo në një institucion që, sado i mirë të jetë, nuk krijon atë atmosferë të pazëvendësueshme të familjes. Edhe kujdestaria e përkohshme e fëmijëve, që tanimë është pjesë e këtij programi, synohet që të kalojë drejt familjeve kujdestare, gjë që deri tani ka katërfishuar numrin e fëmijëve që kanë një përkujdesje nga një familje e caktuar.

Edhe shërbime të tjera, si asistenca për të moshuar apo për persona me aftësi të kufizuar, ka nisur të ofrohet në kushte shtëpie dhe jo më thjeshtë nga institucionet.

Ky është vetëm fillimi dhe asnjëherë nuk mund të harrojmë atë që thashë në fillim, se një prapambetje shekullore nuk mund të kapërcehet me pasionin, vullnetin dhe reformat e tre viteve e gjysmë. E megjithatë, në raport me një vit më parë, shifra e punëmarrësve nga kategoria e personave me aftësi të kufizuar rezulton dy herë më e lartë dhe 43 % e të punësuarve janë femra. Sipas rregullimeve të reja, punësimi i personave me aftësi të kufizuar nuk çon në ndërprerjen e asistencës  ekonomike për katër vitet e para të punësimit. Edhe ky është një element shumë i rëndësishëm social. Katër vite pas momentit të punësimit, personat me aftësi të kufizuar vazhdojnë të marrin edhe asistencën ekonomike të shtetit.

Po ashtu shmangëm historinë e vonesave në pagesa, një histori skandaloze. Mjafton t’ju them se ne trashëguam një borxh ku, nga viti 2005 – 2010, ndaj çdo personi, shteti kishte 720 mijë lekë borxh. Një shumë katastrofike, po të llogarisim nevojën e këtyre njerëzve. Sot, pagesat janë të plota, janë të rregullta dhe këtë vit, 67 mijë persona me aftësi të kufizuara, 18 mijë kujdestarë të angazhuar dhe 72 mijë invalidë punë kanë përfituar edhe bonusin e fundvitit.

Ngritja e regjistrit elektronik kombëtarë për shërbimet sociale dhe për menaxhimin efektiv të rasteve të individëve në nevojë është një bazë e rëndësishme për të fuqizuar këtë politikë, që është pjesa më e vështirë e politikave shtetërore, në kushtet kur shteti nuk është i pasur. Ky regjistër, i lidhur me bazën e të dhënave të pasurive dhe të punësimit, mundëson përcaktimin në mënyrë automatike të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Nuk jemi më në fazën kur familjet me ndihmë ekonomike përcaktoheshin në bazë të interesave elektorale të kryetarëve të të komunave  apo të bashkive. Imagjinoni se çfarë kasaphane sociale është bërë!

20 mijë familje rezultuan nga ky regjistër, i ndërtuar në bashkëpunim  me ekspertët më të mirë të Bankës Botërore në këtë fushë, përfituese abuzive të ndihmës ekonomike. Nga ana tjetër, mijëra familje rezultonin të papërfshira, edhe pse kushtet e tyre ishin të tilla që duhet të hynin automatikisht në ndihmë ekonomike.

Ne për këtë arsye jemi shumë të vëmendshëm edhe ndaj një elementi tjetër. Ka familje që nuk përfitojnë nga sistemi i regjistrit elektronik, por ato nuk do të lihen në mëshirë të fatit dhe do të trajtohen në mënyrë të veçantë nga pushteti vendor, të cilit për këtë qëllim i është dyfishuar fondi, edhe pse nuk mjafton. Evidentimi i rasteve në nevojë për ndihmë ekonomike, por, mbi të gjitha, riaktivizimi i përfituesve të ndihmës përmes futjes në  tregun e punës, ka në këtë reformë një rëndësi themelore. Sot, ne jemi të imponuar nga sensi i së drejtës që, nga njëra anë, atyre që jetojnë me ndihmë ekonomike t’u krijojmë një mundësi për punë, nga ana tjetër, atyre që e refuzojnë këtë mundësi për punë të mos u krijojmë mundësinë që të vazhdon të marrin ndihmë ekonomike. Kjo do të thotë që sot kemi një bazë të drejtë të trajtimit me ndihmë ekonomike dhe të një politike integrimi në shoqëri, përmes punës,  të njerëzve që janë në ndihmë ekonomike, pasi nuk e kanë një punë, por që i kanë kushtet fizike dhe shëndetësore për të punuar.

Ka shumë e shumë gjëra të tjera për të thënë, por thjesht dua që të rinënvizoj faktin kryesor; Që është bërë shumë, nuk diskutohet, që shumë mbetet për t’u bërë, as kjo nuk diskutohet, por po ashtu nuk diskutohet që ka edhe shumë për të humbur, në rast se ne nuk vazhdojmë me këmbëngulje dhe me pasion një proces reformash, të cilat kanë dhimbjen e koston e tyre, sepse reformat janë operacione. Nganjëherë operacione të rënda, por janë e vetmja rrugë për të kuruar sëmundje të rënda kronike, siç ishte sëmundja e rëndë kronike në të gjithë sektorët e organizmit tonë shtetëror.

Sot nuk jemi në kushtet kur mund të themi që sektorët janë ripërtërirë plotësisht dhe të mund të fillojnë të gjenerojnë atë që presim, por jemi në kushtet kur mund të themi që është ndalur njëherë e mirë hemorragjia dhe  janë riaktivizuar funksionet vitale të organizmit të shteti. Tani na duhet vetëm  të vazhdojmë me këmbëngulje, në çdo hap, për të ripërtërirë gjithë organizmin e shtetit. Një shembull ndër shume që mund të merren është sektori i energjisë. Por aty, shembulli vjen më shumë, sepse është më e prekshëm ajo që ka ndodhur dhe është më e kuptueshme ajo që vjen. Ajo që ka ndodhur duke ndaluar një  hemorragji të tmerrshme, që rrezikonte të na çonte në kolaps financiar në vitin 2013 dhe ajo që ndodh duke investuar në sektor. Për pak ditë, në zonën e Orikumit do të ndërtohet nënstacioni i ri, që është një tjetër nyje e rëndësishme e rrjetit të furnizimit cilësor me energji të të gjithë zonës bregdetare.

Patjetër që ne do t’ia dalim. Dhe për t’ia dalë dhe për t’ia dalë siç duhet, në një kohë me një shpejtësi të arsyeshme, na duhet që gjitha këto reforma t’i vendosim mbi themelet e një drejtësie të re. Të gjitha këto reforma do të fillojnë të japin në çdo hap e më shumë rezultate, por janë të kërcënuara në suksesin e tyre të plotë, nëse nuk zbatojmë reformën në drejtësi, nëse nuk çlirojmë drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Nënkupto këtu, edhe nga kthetrat e politikanëve të korruptuar. Që do të thotë se për ne është themelore që të fillojmë zbatimin e reformës në drejtësi përmes Vetting-ut.

Kur them “për ne”, nuk kam parasysh qeverinë, nuk kam parasysh Partinë Socialistë, kam parasysh popullin shqiptar, i cili meriton të ketë shtet, meriton institucione që i shërbejnë. Ndërkohë që po dëshmon në mënyrë të vazhdueshme se është i gatshëm të paguajë kontributet e tij. Sot nuk e diskuton më njeri, a duhen paguar apo jo taksat, duhen paguar apo jo dritat, apo duhen paguar apo jo gjobat për shkelje të rregullave të bashkëjetesës. Kjo është një gjë shume e mirë, por kjo nga  ana tjetër imponon shërbime shumë më cilësore, sepse njerëzit janë kontribuues në funksion të përfitimit të shërbimeve më cilësore. Shërbime që është i detyruar t’i bëjë shteti, pasi nuk mund t’i bëjë dikush tjetër dhe njerëzit  nuk mund t’i sajojnë vetë.

Jam i bindur se pavarësisht vështirësive të mëdha dhe pavarësisht kësaj vështirësie, që për fat të keq është një vështirësi artificiale, e krijuar, për çuarjen më tutje të reformës në drejtësi, kjo është koha që gjërat duhet të bëhen dhe gjërave që u vjen koha, nuk i del dot përpara, për një kohë të gjatë, asnjë forcë, sado e madhe që të jetë.

Me besim të plotë që sëbashku do ta çojmë përpara projektin e Rilindjes Shqiptare dhe me binden e plotë që përmes gjithë vështirësive, përmes gjithë problemeve të trashëguara dhe në kushte jo optimale, për shkak se nuk kemi një shtet të pasur, ne do t’ia dalim! Sepse, sado patetike mund të tingëllojë, e vërteta e thjeshtë është se ne e duam Shqipërinë. Për Shqipërinë që duam, ne do të bëjmë gjithçka, që Shqipëria të ketë shtet, që Shqipëria të ketë ekonomi dhe punësim për të gjithë dhe që në Shqipëri, të gjithë të shikojnë ardhmëri, qofshin të pasur a të varfër, qofshin në Tiranë apo në Vlorë, në qytet apo në fshat.

Shumë Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.