Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e lejeve të legalizimit falas, për qarkun e Kukësit:

Mirëdita të gjithëve dhe shumë faleminderit që keni ardhur!

Më vjen shumë mirë që sot është dita për të shpërndarë edhe 200 legalizime të tjera për këtë zonë, ku në 8 vitet e qeverisë së mëparshme u shpërndanë gjithsej pak më shumë se 200 legalizime. Ndërkohë që deri tani, ne kemi bërë 1170.

Ka ende shumë për të bërë, por duke pasur parasysh që procesi i verifikimit të të gjithë vetëdeklarimeve që janë rreth 2800 ka përfunduar, atëherë faza e përpunimit të të dhënave dhe e dorëzimit të lejeve përkatëse do të jetë e shpejtë, që do të thotë që procesi në të gjithë Kukësin do të mbyllet me shpejtësi.

E kam dëgjuar shpeshherë kritikën, pse ne organizojmë këto tubime për të dhënë lejet e legalizimit dhe shumëkush e quan diçka të ekzagjeruar, shumëkush thotë ku ka kryeministra në Europë që shpërndajnë leje legalizimi. Por në Europë nuk ka ndërtime pa leje.

Ajo që është më e rëndësishme dhe që nuk kuptohet nga shumë njerëz, është ajo që lejet e legalizimit nuk janë thjesht dhe vetëm kthimi i shtëpisë nga një strehë pa leje, në një strehë me leje. Janë shumë më tepër se kaq, sepse të gjithë ato investime që janë bërë nga shqiptarët në gjithë këto vite për të ndërtuar qindra, mijëra shtëpi, janë investime të vdekura në rast se këto shtëpi janë pa letra. Që do të thotë se gjithë ai kapital i investuar nga kursimet e sakrificat e pafundme, në emigracion kryesisht, por edhe nga kursimet e të ardhurave të familjeve këtu, është një kapital që në momentin kur shtëpia legalizohet, nga një kapital i vdekur, tullash, llaçi, tjegullash, kthehet në një kapital të gjallë. Shtëpia nuk është më një strehë për t’u mbrojtur nga shiu, apo për të kaluar natën, por një kapital që çdo familje mund ta përdorë, duke filluar nga shitja, duke vazhduar me marrjen e një kredie në bankë, ku shtëpia vendoset si vlerë.

Kjo do të thotë që gjithë ky proces është në fakt procesi i zgjimit të një kapitali të fjetur apo të vdekur në Shqipëri, prej kaq shumë vitesh. E faktikisht, nëse shumë familje, sot të varfra, kanë shtëpi të mira, sepse gjithçka kanë pasur e kanë investuar në atë shtëpi, kanë një mundësi të dalin nga varfëria, duke e kthyer shtëpinë nga strehë në kapital. Kjo është vlera e madhe ekonomike e këtij procesi. Nuk është thjesht një vlerë ligjore, për t’i dhënë fund një historie shumë të pajustifikueshme në Europën dhe në Shqipërinë ku jetojmë, në shekullin e XXI, me kaq shumë njerëz e kaq shumë familje që jetojnë në strehë që nuk figurojnë asgjëkund, por është një operacion i rëndësishëm për ekonominë familjare të njerëzve.

E për këtë arsye, ne e kemi konsideruar gjithmonë shumë të rëndësishëm aspektin e komunikimit, në mënyrë që të gjithë njerëzit ta kuptojnë pse është e domosdoshme që të legalizohen. Ka shumë rëndësi për shtetin, sepse nga një territor pa inventar, ku ne nuk kemi pasur të regjistruar as njerëzit, e jo më pasurinë e patundshme, Shqipëria kthehet në një shtet me inventar. Nga njëra anë, shteti kërkon kontributet e secilit, por, nga ana tjetër, secili, me vënien në lëvizje të pasurisë së vet të patundshme, mund të rrisë kontributet në ekonominë e vet familjare.

Për këtë arsye ka një rëndësi themelore ky proces dhe për këtë arsye ka rëndësi themelore edhe kjo që ne e bëjmë mediatike, ose në këto tubime, sepse rrisim shumë, besojmë ne, ndjeshmërinë e njerëzve ndaj këtij procesi dhe mirëkuptimin për këtë proces. Një proces që deri dje ishte jashtëzakonisht i vështirë. Parafytyroni që në 8 vitet e qeverisë së shkuar u bënë gjithsej 21 mijë legalizime, nga të cilat mbi 85% ishin magazina, hotele, motele, pishina, trampolina, biznese, kryesisht në anë të rrugëve, nëpër fusha sporti, nëpër parqe, në zonat ku normalisht nuk duhet të ishin legalizuar fare. Legalizime që kanë rritur jashtëzakonisht shpenzimet tona, shpenzimet e popullit që paguan taksa, sepse për të zgjeruar një rrugë duhen shembur ato magazina e ato biznese dhe për t’i shembur pasi legalizohen, duhen shpronësuar sikur të ishin pronarë të ligjshëm. Janë kthyer në pronarë të ligjshëm në hapësirat tona të përbashkëta dhe sot na kushtojnë shumëfish ato investime që do të bëjmë për zgjerimin e rrugëve, për lirimin e mjediseve publike, për lirimin e zonave arkeologjike, për lirimin e territorit të spitaleve e me radhë. Mbi 85% e atyre legalizimeve kanë qenë të tilla.

Ndërkohë, ne, në 2 vjet e gjysmë mbasi ka filluar procesi, mbasi i vumë bashkë të gjithë dokumentet e dosjet, kemi arritur sot në 130 mijë legalizime. Nga këto 130 mijë, 93% janë shtëpi. Janë shtëpi të njerëzve nga Kamza, nga Paskuqani, deri këtu e deri poshtë në Sarandë, që kanë investuar kursimet e tyre për të pasur këtë pasuri, që tani kthehet nga një strehë për të futur kokën në një pasuri e patundshme.

Nga ana tjetër, procesi në të kaluarën dhe këtu besoj ka njerëz që e kanë provuar në kurriz, ishte një proces i korruptuar, kushtonte shumë ligjërisht, po kushtonte shumë edhe nën dorë.

Prandaj edhe nuk kishte interes të madh për të legalizuar shtëpitë e njerëzve të varfër, apo e njerëzve me të ardhura normale, sepse kishte shumë më tepër interes që të legalizoheshin hotele dhe motele, magazina dhe pishina, ku kuptohet, paraja që lëvizte nën dorë ishte e konsiderueshme.

Ju keni qenë në Tiranë dhe keni parë sesi nga krahu i universitetit, që është zona më e rëndësishme e trashëgimisë tonë kulturore, ishin ndërtuar gjithë ato godina lokalesh, që ne u detyruam t’i shpronësojmë. Me lekët që paguam për të shpronësuar këto godina dhe për të çliruar hyrjen e parkut të madh të Tiranës ne mund të kishim rindërtuar gjithë parkun e Tiranës.

Ndërkohë që jeni këtu dëshmitarë, procesi i legalizimit, sot është falas. Dhe jo vetëm kaq, por nuk keni shkuar më ju te ALUIZNI. Ka ardhur ALUIZNI te ju dhe ju ka ndihmuar të bëni procedurën dhe për këtë gjë, duke mos ju kërkuar asnjë lek. E gjithë procedura e legalizimit është falas.

Natyrisht, aty ku shtëpia është ndërtuar në tokën që zotëron i zoti i shtëpisë nuk ka asnjë detyrim. Aty ku shtëpia është ndërtuar në një tokë që e zotëron dikush tjetër ka një detyrim për tokën, sepse ne nuk duam ta lëmë litarin jashtë, nuk duam që nesër a pasnesër, fëmijët apo nipërit e atyre që janë të zotët e tokës të shkojnë tek nipërit tuaj e të thonë “kjo është toka ime”. Ne duam që ta mbyllim këtë proces qartësisht dhe që ta mbyllim qartësisht, duhet që edhe atyre familjeve t’i bëjmë kompensimin financiar për tokën, që tanimë nuk është me e përdorshme prej tyre, pasi aty ka një shtëpi që e ka ndërtuar një familje tjetër.

Të gjitha këto janë arsye shumë të forta për të bërë një dallim shumë të qartë midis qasjes tonë dhe qasjes në të shkuarën, midis vullnetit tonë për të bërë gjithçka kemi mundësi për familjet në nevojë për legalizim, që jo rrallë janë edhe familje në nevojë ekonomike dhe qasjes së atyre që deri dje kishin mundësi të bënin shumë. Patën edhe shumë kohë që të bënin shumë dhe praktikisht, jo vetëm bënë shumë pak, por bënë shumë keq.

Edhe njëherë, duke e mbyllur, u shpreh të gjithëve atyre që nuk e kanë marrë lejen, vullnetin tonë që ky proces do të shkojë deri në fund, deri kur të legalizohet shtëpia e fundit në Shqipëri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.