Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme plenare të Kuvendit:
Nuk ka debate të lehta, por debati më i thjeshtë sot, në sytë e të gjithë opinionit publik, është debati për Policinë e Shtetit, e cila sot, pas tre vitesh e gjysmë, është një autoritet tërësisht i rilindur, i respektuar dhe i besueshëm për publikun.
Besueshmëria e publikut për Policinë e Shtetit është e konfirmuar më së miri nga anketimi i përvitshëm që bën Bashkimi Europian, ku në vitin 2016 ishte institucioni më i besueshëm në rankimin e publikut. Ndërsa, sipas të njëjtit anketim në vitin 2013, Policia e Shtetit ishte institucioni më i pabesueshëm për qytetarët shqiptarë, sëbashku me prokurorinë dhe gjykatat. Kjo besueshmëri përbën një arsye shumë të qartë, që ne të ndjehemi krenarë për çfarë kemi bërë me Policinë e Shtetit.
Krenaria jonë nuk është as vetëkënaqësi, nuk është as mungesë vetëdijeje për faktin se akoma shumë ka për të bërë, sepse ambicia jonë, e shpallur që në ditën e parë të qeverisjes së këtij koalicioni, nuk ka qenë thjesht që të ndërtojmë një Polici Shteti shumë të ndryshme nga ajo që trashëguam, por të ndërtojmë një Polici Shteti në standardet e mesatares së lartë të Bashkimit Europian.
Nëse e shohim Policinë e Shtetit sot, me sytë e tre viteve e gjysmë më parë, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm. Nëse e shohim me sytë e ambicies sonë për Shqipërinë që duam, patjetër që ka ende shumë për të bërë. E pikërisht se ka ende shumë për të bërë, të gjithë po e shohin se Policia e Shtetit është në një fazë të re për të realizuar ambicien tonë; Në një fazë të re për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese dhe përfundimtare sfidës së luftës kundër kultivimit të kanabisit; Në një fazë të re për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese e përfundimtare kujtdo që brenda trupës së Policisë së Shtetit abuzon me uniformën e punonjësit të Policisë së Shtetit; Një fazë të re për t’i dhënë një përgjigje të qartë, çdo vit e më të plotë, publikut, lidhur me cilësinë e shërbimit të Policisë së Shtetit.
Nëse do t’i referohemi shifrave të këtyre 3 viteve e gjysmë, ato janë elokuente e nuk kanë nevojë për debat, sepse në këto 3 vite e gjysmë kemi nivelin më të ulët historik të vrasjeve. Kemi nivelin më të ulët historik të grabitjeve me dhunë dhe jemi në një ulje të vazhdueshme të kriminalitetit të vogël. Ndërkohë as nuk diskutohet se sot, Policia e Shtetit ka një kapacitet shumë më të lartë, sesa kishte 3 vite e gjysmë më parë, për të luftuar krimin e organizuar dhe ambicia është që ky kapacitet të rritet sëbashku me kapacitetin për të luftuar korrupsionin.
Thënë të gjitha këto, dua të kthehem në aktualitetin politik, sepse besoj se çdo ditë është një ditë e rëndësishme për të vazhduar përpjekjet, deri në fund, për dialog dhe për të hapur rrugën e arsyes tek lidhja e shkëputur me Partinë Demokratike, disa partive të tjera rreth saj dhe sistemit tonë demokratik.
Nuk ka asnjë diskutim për ne, në fakt nuk ka pasur asnjë ditë, mbi çka ne nuk negociojmë. Ne nuk negociojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që sanksionon lirinë e të drejtën e popullit për të zgjedhur dhe që i detyron partitë politike të paraqiten përpara popullit në datën e përcaktuar nga Kushtetuta.
Ashtu sikundër, ne nuk negociojmë mandatin që na e ka dhënë populli dhe nuk abuzojmë me kontratën që kemi me popullin, e cila skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re. Që do të thotë se të gjitha përpjekjet për të goditur qeverinë dhe për të goditur 18 qershorin, janë në thelb përpjekje për të goditur stabilitetin e vendit, për të marrë peng procesin demokratik e për ta futur Shqipërinë në një rrugë paqartësie, ku pastaj, gjithçka mund të ndodhë.
Ndërkohë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se asgjë nuk do të ndodhë tjetër, përveç asaj që përcakton Kushtetuta, si detyrim për përfaqësuesit e tyre që të paraqiten përpara tyre me ofertat që gjykohen prej tyre.
Ne jemi angazhuar që në fillim, për të bërë një reformë zgjedhore shteruese lidhur me të gjitha rekomandimet e bëra nga arbitri ndërkombëtar, jo i zgjedhjeve në Shqipëri, por i të gjitha zgjedhjeve kudo ku bëhen në botë, OSBE/ODIHR-i. Ne kemi qenë e mbetemi edhe sot, pavarësisht se koha po skadon, të hapur për çdo ndryshim tjetër në ligjin e zgjedhjeve, apo në ligje të tjera të kësaj republike, që mund të lehtësojë psikologjikisht Partinë Demokratike dhe mund të hapë rrugën për të hyrë të gjithë sëbashku në zgjedhje përpara shqiptarëve.
Kjo do të thotë që jo vetëm kemi dakordësuar shumë kohë më parë me OSBE-në, e cila e ka asistuar Komisionin e Reformës Zgjedhore që në krye të herës, çdo pikë të kërkuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it, por kemi pasur të gjithë durimin dhe të gjithë zemërgjerësinë, përtej çdo kufiri të krahasueshëm me vitet e shkuara, për t’i lënë Partisë Demokratike mundësinë që të ulet në tavolinë, të thotë çfarë ka për të thënë, të propozojë çfarë ka për të propozuar, për të votuar Kodin Zgjedhor.
Ne e kemi pasur edhe rrugën tjetër. E kemi edhe sot, që Kodin zgjedhor ta votojmë në mënyrë unilaterale, sepse ne i kemi votat për të adoptuar as më shumë e as më pak sesa rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, një nga një, por nuk kemi preferuar këtë rrugë. Nuk kemi preferuar të thyejmë një traditë, e cila për hir të së vërtetës ka qenë e imponuar edhe nga fakti se nuk është se kanë ekzistuar shumicat e cilësuara dhe për këtë arsye është krijuar kjo traditë. Megjithatë, ne duam t’i qëndrojmë deri në fund këtij parimi, që ligjin e zgjedhjeve ta ndryshojmë sëbashku, ta votojmë sëbashku, sepse është ligji i rregullave të lojës. E për rregullat e lojës është detyrë e shumicës që t’i garantojë pakicës të gjithë hapësirën që të ndihet e barabartë në procesin legjislativ, por mbi të gjitha që të ndihet e barabartë e të jetë realisht e barabartë në procesin zgjedhor.
Kam dëgjuar shumë idiotësira për letrën që ne i kemi dërguar si koalicion, e përsëris dhe e nënvizoj, si koalicion, KQZ-së. Një letër që nuk synon të detyrojë KQZ-në, – larg qoftë! – të marrë një vendim unilateral apo me shumicën e saj, për të prekur afatet zgjedhore, por që synon vetëm të shprehë vullnetin e mirë të këtij koalicioni, që deri në fund t’i japim mundësinë Partisë Demokratike dhe partive që janë rreth saj që të hynë në zgjedhje.
Ne nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicionin, duke i mbyllur përfundimisht rrugën Partisë Demokratike dhe partive të tjera, sepse do ishte njësoj si të mobilizohej gjithë fronti antifashist për të luftuar me një copë kolaboracionist që ka mbetur në fushë.
Ne jemi këtu për të konfirmuar edhe një herë, atë që kemi shprehur vazhdimisht dhe në mënyra të ndryshme, nuk jemi një parti, jemi një koalicion. Aksi strategjik i këtij koalicioni ka qenë, është dhe do të jetë aksi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata që e kanë shpresuar dhe kanë bërë çmos që ta godasin këtë aks që ditën e parë, janë zhgënjyer e do të vazhdojnë të zhgënjehen. Ky nuk është një aks strategjik për të garantuar karriget, por është një aks strategjik për të garantuar reforma. Nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme nga ne dhe nga partnerët tanë strategjikë në koalicion, kjo nuk ka nënkuptuar asnjë sekondë, ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milionë njerëz që na kanë votuar për të qeverisur me këtë koalicion, por ka qenë shprehje e dy opinioneve të ndryshme, lidhur me si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë Partinë Demokratike nga një qorrsokak ku nuk e kemi futur ne, por është futur vetë.
Nuk e kemi futur ne Partinë Demokratike në çadër. Nuk i kemi dhënë ne Partisë Demokratike, arsye për të pasur tmerr nga reforma në drejtësi dhe për t’i ikur seancës për votimin e Vetting-ut si djalli temjanit. Nuk është e mundur që një shqiptar i arsyeshëm, pavarësisht nëse është socialist apo demokrat, pavarësisht nëse na ka votuar, apo nuk do na votojë kurrë, të mund të pranojnë se përfaqësuesit e tij nuk i përgjigjen një nevoje më shumë se çerekshekullore, për t’i dhënë fund kapjes për fyti të drejtësisë në këtë vend nga një kastë gjykatësish dhe prokurorësh të korruptuar, të cilët janë të lidhur si mishi me thoin me Partinë Demokratike, që, nga ana e saj, i frikësohet pikërisht kësaj ndarjeje, që është në thelb ndarje e Shqipërisë që duam me Shqipërinë që kishim.
Të gjitha janë vetëm alibi, janë vetëm përpjekje për të kënduar me zë të lartë në pyllin e frikës, për t’i thënë vetes që ne nuk kemi frikë, sepse në fakt është frika nga drejtësia, thelbi. E pikërisht sepse nuk mund të votonin Vetting-un për shkak të kësaj frike, kanë frikë të shkojnë përpara popullit, se është shumë e vështirë t’ju shpjegojnë njerëzve të tyre, pse duan një mandat tjetër, ndërkohë që refuzuan t’i përfaqësojnë me dinjitet duke votuar Vetting-un dhe duke i hapur rrugë zbatimit të reformës në drejtësi. Është kaq e qartë se kjo është arsyeja themelore, sepse nuk ka motiv tjetër që të shtyjë një parti të madhe politike në aventurën e përplasjes me gjithë planetin, në aventurën e përplasjes me të gjithë miqtë e partnerët tanë, në aventurën e shfrenimit të gjuhës kundër të gjithëve, mbarë e prapë, duke shfaqur për herë të parë në Shqipërinë e këtyre 27 viteve, gatishmërinë për të na ndarë edhe një herë nga Europa.
Të jeni të bindur që, nëse atyre do t’i jepej një zgjedhje midis votimit për Vetting-un dhe shpërbërjes së Europës, do të zgjidhnin shpërbërjen e Europës, për fatin më të keq. Nëse atyre do t’u jepej një zgjedhje midis zbatimit të reformës në drejtësi me të gjithë gjërat që ajo sjell dhe vendosjes së një muri të ri ndarës me Shqipërisë dhe BE-së, ata do zgjidhnin murin.
Të jeni të bindur që e gjitha lidhet me këtë dhe frika nga zgjedhjet nuk është thjesht frika nga humbja e zgjedhjeve. Zgjedhjet mund të fitohen, zgjedhjet mund të humben, por është frika nga ballafaqimi me njerëzit e tyre, pasi do shkojnë përpara tyre, apo do të shkonin përpara tyre pa votuar Vetting-un dhe duke mbajtur peng drejtësinë. Njerëzit do t’i shikonin në tribuna, jo sikur janë përfaqësuesit e popullit, por sikur janë zëdhënësit e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Padyshim që kjo e bën shumë të vështirë sfidën e zgjedhjeve për ta. Natyrisht, nuk ka shans që të ketë kompromis nëse vettingu nuk është pjesë e kompromisit. Dhe kompromisi është që të pranojnë
Kompromisi është që të pranojmë të modifikojmë rregullat brenda kornizës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe të shkojmë në zgjedhje, pasi t’i kemi votuar ato bashkërisht, dhe bashkë me Vetting-un. Jo pa Vetting-un, sepse besoj se nuk ka mik dhe partner të Shqipërisë që do ta pranonte diçka të tillë.
Sidoqoftë, ky është opinioni im.
Përsëri dua ta nënvizoj që vendimmarrja jonë është e përbashkët. Në këtë vendimmarrje të përbashkët, që është një vendimmarrje e koalicionit tonë, që ka përgjegjësinë të vazhdojë të qeverisë Shqipërinë, të vazhdojë të bëjë reforma, të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, për të gjithë ata që duan të hyjnë në zgjedhje të lira e të ndershme dhe e miqve dhe partnerëve tanë. Nëse do të gjejmë edhe me ta një rrugë arsyeje, që gjëja e parë që të votohet në seancën e parë të parlamentit të ardhshëm do jetë Vetting-u, atëherë gjithçka është e hapur.
Përsa i përket përpjekës ku mund të çojë kjo përpjekje, shumëkush flet dhe nuk lë gjë pa thënë, për të bërë bashkë gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Për të thënë se këtu të gjitha palët janë njësoj, të gjitha palët nuk dashkan reformën në drejtësi, gjithë palët nuk dashkan zgjedhje dhe fajin më të madh e paskemi ne. E paskemi ne, që dashkemi të hyjmë në zgjedhje pa opozitën. Kjo është e pavërtetë!
Ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje pa opozitën, sepse nuk kemi bërë asgjë të faktueshme që të mund të konsiderohet një pengesë, që ne e kemi ngritur për të vështirësuar rrugën e hyrjes së opozitës në zgjedhje. E kundërta është e vërtetë. Kemi shkuar edhe përtej, duke thënë jo vetëm ndryshime të natyrës ligjore, por dhe mekanizma që mund t’i gjejmë sëbashku, për të monitoruar policinë, për të monitoruar administratën e gjithçka tjetër që mund ta lehtësojë opozitën.
Partia Demokratike nuk ka monopolin e opozitës në Shqipëri, sepse nuk është Partia Demokratike që e prodhon lirinë në Shqipëri, është liria që ka prodhuar Partinë Demokratike dhe shumë parti të tjera dhe do të vazhdojë të prodhojë oferta, përsa kohë hapësira është e lirë për t’i ofruar njerëzve alternativë.
E në këtë kuptim, unë jam i bindur që të gjithë kërcënimet, të gjitha insinuatat, të gjitha përpjekjet për t’u thënë shqiptarëve se po nuk hyri Partia Demokratike, jo për shkak se nuk e lëmë ne, por për shkak se nuk do vetë të hyjë, këtu do të ndodhi ndonjë hata, janë të gjitha, thjesht dhe vetëm, shprehje e frikës së të mbyturit që kërkon t’i mbysë të gjithë. Por nuk ka shans të ndodhë, nuk ka shans të destabilizohet më Shqipëria, sepse nuk jemi në vitin ‘97-të, nuk ka rënë përtokë ekonomia e njerëzve si pasojë e pabesisë së shtetit. Por, ndërkohë, e kundërta është e vërtetë. Edhe dje, projeksioni më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar e rendiste Shqipërinë ndër të parat në rajon për rritjen ekonomike dhe projeksioni për këtë vit e vendoste Shqipërinë të parën, për rritje ekonomike në rajon, duke parashikuar 3.7%.
3.7% nuk është mjaft, por është shumë më tepër se 0, diçka në vitin 2013.
Shqiptarëve, ne nuk mund t’ju bëjmë peshqesh një histori të re shkeljeje të Kushtetutës, shkeljeje të ligjeve, shkeljeje të së drejtës së tyre për të votuar dhe futjen në një vorbull të pakuptimtë, ku nuk merret vesh kush përfaqëson “kë” dhe kush qeveris “çfarë”. Ne, shqiptarëve do të vazhdojmë t’ju shërbejmë si koalicion, për të luftuar sëbashku, deri në fund, siç po luftojmë për drejtësinë, edhe për ekonominë, edhe për rritjen e mëtejshme të punësimit dhe për të shkuar mbi 5%.
Programi ynë “1 miliard për rindërtim” ka nisur. Rruga e Arbrit është në fazën finale të procedurës dhe me përfundimin e procedurës, investimi do të fillojë. Janë 3 projekte të tjera infrastrukture, që janë duke u shqyrtuar mbi këtë Program, janë 6 shkolla ekselence të arsimit profesional, të projektuara jo vetëm sa i përket infrastrukturës, por dhe menaxhimit, në bashkëpunim me partnerë. Janë shkolla ekselence që do të menaxhohen sëbashku nga zviceranët, gjermanët, italianët, sipas profileve e kështu me radhë. Edhe këto kanë filluar të trajtohen në procedurë dhe do të fillojnë së shpejti të ndërtohen. Pjesë e këtij Programi janë po ashtu, 20 shkolla të reja në Tiranë, që do t’i japin fund mësimit me dy turne dhe që do të garantojnë në gjithë bashkinë e re të Tiranës, për afro 1 milionë banorë, një standard tërësisht të ri të arsimit. Janë dhjetëra shkolla të tjera që janë në proces për t’u rindërtuar.
Të gjitha këto janë ekonomi, punësim, ardhmëri dhe këto, ne nuk i vëmë në diskutim, duke negociuar të panegociueshmen. Këto, ne nuk i vëmë në diskutim, se një katundi mediatik, me çadrën në mes dhe disa humbamenove e lloj-lloj sekserëve e killer-ave të së vërtetës, që paguhen në kanalet e zeza që lidhin çadrën me katundin mediatik, u ka vajtur mendja se këtu duhet bërë hataja, se përndryshe do hyjmë në një periudhë pashpresë, pasi kjo fuqi që qeveris është e pathyeshme.
Ne do jemi të pathyeshëm, deri kur do jemi në gjendje t’u japim njerëzve, atë që njerëzit presin prej nesh. Ne do të jemi të pathyeshëm, deri kur do jemi në gjendje të vazhdojmë me vetëdije të plotë për të metat, për boshllëqet, për mangësitë, të luftojmë bashkë me njerëzit, për të rritur ekonominë e tyre, për të rritur cilësinë e jetës, për të integruar komunitetet ku ata jetojnë në bashkitë e reja, që qysh tani tregojnë se janë histori suksesi.
Pathyeshmëria jonë nuk varet aspak nga kush bëhet kundër nesh. Kush bëhet kundër nesh, me argumentet që përdor, me përpjekjet që bën, është thjesht jashtë historisë së sotme, është thjesht jashtë vëmendjes së njerëzve. E ne e kemi me njerëzit, nuk e kemi me kundërshtarët, të mëdhenj apo të vegjël që iu duket vetja të mëdhenj. Ne e kemi me njerëzit dhe në këtë betejë, ne nuk kemi asnjë arsye, përkundrazi, të mos qeverisim jo me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit. Edhe fakti që ne mund ta kishim zgjedhur dje Presidentin e Republikë, mund ta zgjedhshim sot Presidentin e Republikës, por nuk po e bëjmë një gjë të tillë, është forcë e shembullit, nuk është shembull force. Është forcë e shembullit për të thënë se fuqinë numerike, që nuk është thjesht numerike, por fuqi e një mandati popullor, – të cilin do ta rikonfirmojmë në 18 qershor, – nuk duam ta përdorim për t’i marrë të gjitha për vete, apo për t’i krijuar idenë atyre që mendojnë ndryshe nga ne se nuk kanë asnjë hapësirë për të dhënë edhe ata opinionin e tyre, apo për t’u marrë vesh me ne. Nuk e kemi aspak këtë tendencë.
Për fat të keq, në tre vite e gjysmë në këtë Parlament nuk kemi ndeshur asnjëherë sfidën e ballafaqimit të vizioneve, të programeve, të argumenteve. Nuk kemi ndeshur asnjëherë në asnjë propozim normal, por kjo pak rëndësi ka. Ajo që ka rendësi në këtë moment është që ne përsëri duam t’u japim një shans atyre që sot mungojnë, që të jenë pjesëmarrës në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Nuk duam një president për vete. Mund ta kishim zgjedhur dje. Nuk duam një president të anshëm, apo të perceptuar si të anshëm. Duam një president që të ketë një paanshmëri të paktën relative. Një president që të jetë në gjendje që, kur ka nevojë vendi, apo kur kanë nevojë partitë politike, të mund t’i uli të gjithë bashkë në një tavolinë, që të jetë në gjendje të komunikojë me të gjithë përfaqësuesit e popullit në Parlament, që përfaqësojnë parti të zgjedhura nga populli në Parlament, pa pasur pengesën e anshmërisë. Apo që të jetë në gjendje që axhendën e tij ta ketë axhendë të unitetit kombëtar, axhendë të përbashkët të të gjithëve, jo axhendë gjysmë të dukshme e gjysmë të padukshme të partisë nga ka dalë.
Për gjithë këto, ne nuk kemi arsye që të zgjedhim presidentin në këto kushte, duke përdorur shumicën dërrmuese që kemi në Parlament, por kemi të gjitha arsyet që të presim e të ftojmë në vijimësi kolegët tanë, që të vijnë në punë dhe që të heqin dorë nga marrëzia për të hapur një luftë globale nga një çadër. Të heqin dorë nga marrëzia për të shpallur armiq të Shqipërisë, ata që Shqipërisë i kanë ndenjur afër në ditët më të vështira dhe ata që janë garantët dhe avokatët më të mëdhenj të Shqipërisë, që nga Gjermania, tek gjithë Bashkimi Europian dhe padyshim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo lloj lufte e kjo lloj marrëzie, me idenë qesharake se betejën e brendshme që stimulohet nga frika e drejtësisë do ta transferojnë në Parlamentin Europian, do ta transferojnë në Kongresin Amerikan e në çdo cep të botës, është një halucinacion.
Mbrëmë, ministri ynë i Jashtëm është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëskëshilltarja për Sigurinë Kombëtare e Presidentit të Amerikës dhe ajo që është shumë e qartë, është kërkesa, përveç të tjerave, përveç faktit që nuk është nevojë për kërkesë, se ne jemi krah për krah me SHBA-në në gjithë përpjekjen tonë si anëtar të NATO-s dhe si aleat besnik i SHBA, për zbatimin reformës në drejtësi, e cila është konsideruar nga Shtëpia e Bardhë jetike për vazhdimësinë e procesit demokratik dhe për stabilitetin e Shqipërisë, siç konsiderohet e tillë edhe për të gjithë stabilitetin rajonal. Janë reformat në drejtësi dhe është frika nga drejtësia që ka ndezur fitil edhe në vendet e tjera të rajonit, jo vetëm në Shqipëri.
Ne jemi këtu për ta garantuar reformën në drejtësi dhe ne jemi këtu për të thënë që jo një ditë, por asnjë minutë nuk e shtyjmë formimin e parlamentit të ri, që do të fillojë punë, pikërisht për të rivënë në vend dinjitetin e këtij vendi, dinjitetin e këtij populli, duke çuar përpara reformën në drejtësi.