Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Prononcim i Kryeministrit Edi Rama në përfundim të seancës plenare në Kuvend:

Ata që bëjnë këto akuza janë të njëjtët. Këtë punë kanë bërë qysh në 1 prillin e 2013-ës, këtë punë do vazhdojnë të bëjnë, sepse këtu koalicioni i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk është gjëkundi problemi ynë.

Unë e kam thënë këtë gjithmonë dhe po ua them përsëri, këtu bëhet fjalë për një sforco vullnetmirë nga ana jonë, për të krijuar një hapësirë mundësie për opozitën zyrtare, konkretisht Partinë Demokratike, me shpresën që do kthehet në rrugën e arsyes dhe për t’i dhënë një shans edhe përpjekjes, që me gjasë do të ndodhë pas këmbënguljes sonë dhe letrës së bërë nga Kryetari i Kuvendit drejt Partive Popullore Europiane, në funksion të një dialogu që, për fat të keq, ne nuk arritëm me gjithë përpjekjet tona ta bëjmë të mundur, sepse hasëm në murin shurdh të Partisë Demokratike.

Kështu që mos kini asnjë merak, sepse, nëse ata do të duan të shkojnë deri në fund me këtë sjellje, ku ne përpiqemi me bukë, ata vazhdojnë me gurë, do të jetë deri në fund përgjegjësia e tyre.

 

A duket se në 18 qershor, Zoti Rama, do të kemi një garë të partive politike, jo të koalicioneve, sepse afatet janë skaduar?

Mos u shqetësoni! Lërini të shqetësohen ata që kanë arsye të shqetësohen, apo ata që mezi presin që të mos hyjë Partia Demokratike, që të kapin ndonjë deputet më shumë. Ne nuk jemi të shqetësuar. Ne do bëjmë çmos deri në fund që të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë të kenë mundësi të dalin para gjykimit të shqiptarëve. Por, sigurisht, që çdo përpjekje e ka një fund. Patjetër që fundi i të gjitha përpjekjeve do të jetë momenti i regjistrimit të kandidatëve, të ekipeve që do të garojnë për 18 Qershorin.

 

Zoti Rama, sot ishte raundi i parë për Presidentin…

Faleminderit, se për këtë dola në fakt. Sot ishte një tjetër shprehje, shumë kuptimplotë, besoj, e vullnetit tonë të mirë. Në sallë janë numrat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ju e dini këtë. Megjithatë, ne, sikundër e kemi thënë më parë, për t’i dhënë të gjithë hapësirën e mundshme brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike, Partisë Demokratike dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar në çadrën e frikës nga drejtësia, nuk paraqitëm një kandidat, sepse duam të krijojmë mundësinë që të mund të gjemë së bashku me atë pjesë që na mungon në Parlament, mundësisht konsensus rreth një figure që të jetë sa më përfaqësuese, sa më gjithëpërfshirëse.

 

A e keni identifikuar Zoti Rama, profilin e kësaj kandidature, për të cilën edhe opozita mund të japë konsensus në raundin e dytë, të tretë, të katërt?

Unë e di që ju çuditeni nga durimi im, por unë jam shumë më i duruar, sesa ç’ju jam dukur juve dhe shumë të tjerëve, sepse unë besoj tek durimi deri kur është kufiri i durimit, në kuptimin e Kushtetutës dhe të ligjeve. Ndërkohë që përsa i përket Presidentit të Republikës, e përsëris, ne duam t’i rikthejmë atij institucioni dinjitetin. Duam t’i japim atij institucioni mundësinë që të ngihet mbi palët. Duam një figurë që të mund të ketë një paanshmëri, qoftë edhe relative, por sidoqoftë paanshmëri, jo një figurë të anshme si kjo që kemi.

 

A do ketë në raundet e tjera ndonjë kandidat?

Ne do presim. Nuk na nxiton asgjë. Më mirë një president i duhur dhe i pranuar nga sa më shumë, sesa një president i zgjedhur në një sallë ku opozita që duhet të vinte në punë, nuk vjen të punojë.

 

Zoti Rama, duket sikur ju e keni identifikuar këtë kandidaturë, e cila mund të kënaqë dhe interesat e opozitës, meqenëse ju shpreheni i sigurt dhe me durim.

Secili ka idetë e veta, por durimi vjen nga fuqia që kemi. Ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si një motiv për të qënë arrogantë. Ne e kemi kuptuar fuqinë tonë, si një arsye më shumë për të qëndruar, pavarësisht se kemi mënyra të ndryshme shprehjeje midis meje dhe kryetarit të Kuvendit, që do të dalë pas meje. Nuk diskutohet që kemi qasje të ndryshme komunikimi, por në thelb është e njëjta gjë, më besoni, është komplementare.

 

Nëse opozita nuk do të kthehet deri në raundin e pestë, cili do jetë qëndrimi juaj?

Unë asnjëherë nuk shkoj me “nëse”, ju e dini, sepse nuk shkohet me “nëse”. Unë di të them që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, sepse e meritojnë shqiptarët, ndoshta ata që janë në çadër nuk e meritojnë. Jo ndoshta, por nuk e meritojnë. E meritojnë shqiptarët, e meritojnë demokratët që i kanë votuar që të vijnë në punë, e meritojnë të gjithë ata që kanë të drejtë që në 18 qershor të gjykojnë të gjitha ofertat. Kështu që për ata e bëjmë këtë. Sigurisht edhe për Shqipërinë, që duhet me patjetër që të konsumojë këto zgjedhje, pa u bërë një vend i parë me dyshim nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

 

Zoti Rama, a jeni gati t’i ofroni si mazhorancë institucionit të Presidentit të Republikës, një kandidaturë që mund të mos jetë një emër që vjen nga shumica, por një emër që mund të vijë nga bota opozitare?

Bota opozitare, ju e shikoni që është një koncept që po zgjerohet. Opozita e parlamentit të ri do jetë shumë më e larmishme. Jam i bindur edhe shumë më sfiduese, sesa kjo opozita që është një mikrobotë opozitare, për fat të keq, e mbyllur në një çadër, që edhe pse e madhe është mikroskopike në raport me botën opozitare. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Ne duam që t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz, që të mund të qëndrojë sa më mbi palët, për aq sa Shqipëria, sigurisht, e bën të mundur këtë gjë, sepse të gjithë këtu jetojmë. Presidentin nuk po e presim të na vijë nga materniteti, po e presim ta gjejmë midis nesh. Ama është shumë e rëndësishme që të kemi një president që, kur jemi në situata si kjo, të ketë minimalisht autoritetin që t’iu bëjë një telefon të gjithëve dhe t’iu thotë “ejani të flasim njëherë se çfarë ndodh’, jo një president që nuk e bën dot këtë gjë, sepse është i njëanshëm.

 

Presidenti aktual nuk e ka këtë autoritet Zoti Rama?

Mesa duket nuk e ka, përderisa nuk e bën. Nuk e bën se nuk e ka.

 

A mund ta zgjedhë parlamenti i ri një president të tillë, me këtë dinjitet?

Mos kini merak! Vendi nuk do ngelet asnjë ditë pa president. Presidentin ne e duam për vendin, nuk e duam për vete. Po ta donim për vete, sot do ishit duke intervistuar këtu presidentin, jo mua.

 

Domethënë, 18 qershori mbetet, Zoti Rama, një axhendë e përcaktuar?

18 qershori nuk diskutohet, ashtu sikundër nuk diskutohet zbatimi me rigorozitet i të gjitha rregullave të përcaktuara nga Kushtetuta, nga ligji zgjedhor. Por, e përsëris, jemi në një kontekst politik të veçantë dhe kemi të bëjmë me një krizë dramatike të Partisë Demokratike. Po mundohemi të bëjmë çmos t’ia lehtësojmë sa më shumë rrugën Partisë Demokratike, për të dalë nga kjo krizë. Do bëjmë deri në fund të pamundurën. Por të jeni të bindur që Shqipëria në të gjitha rastet nuk do mbetet as pa parlament, as pa opozitë, as pa koalicionin që e qeveris dhe që do vazhdojë ta qeverisë. Të jeni të bindur për këtë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.