Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi i Kryeministrit Edi Rama me mediat:

Kryeministri Rama: Besoj se është përsëri dhe përsëri, momenti për të këmbëngulur në domosdoshmërinë e dialogut. Ka një nismë të Presidentit të Republikës, që ne e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim, duke nënvizuar se jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte. Siç ndodhi edhe në përpjekjen e mëparshme, përsëri ka një vonesë që shpresoj të mos jetë vonesa që paralajmëron dështimin e kësaj përpjekjeje tjetër. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se përsa më takon dhe përsa na takon, dialogu është preferenca e parë, ka qenë dhe do të mbetet preferenca e parë. Koha nuk pret.

Partia Demokratike dhe kryetari  i saj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu, nuk duhet të kenë frikë nga tryeza ku të gjitha partitë parlamentare mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe nga këmbimi i opinioneve, që mund të sjellë progres në çdo drejtim. Kështu që është një frikë tërësisht e pajustifikueshme në raport me opinionin publik dhe mbi të gjitha, në raport me vetë zgjedhësit e Partisë Demokratike.

Ndërkohë që shqetësimi im është se jemi në një situatë ku po rritet në mënyrë shumë të ndjeshme vëmendja e miqve dhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë, jo për mirë natyrisht, po për faktin se askush nuk arrin dot ta perceptojë se çfarë domethënë e gjitha kjo dhe ndërkohë gjithkush pret që ne të kryejmë zgjedhje të lira dhe të ndershme në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Zoti Rama nga Brukseli eurodeputeti Kukan dha mesazhin se Zoti Rama, Zoti Meta dhe Zoti Basha duhet mbyllur në një dhomë dhe të jenë atje, derisa të gjejnë një zgjidhje për situatën dhe ngërçin. Ju do të ishit i gatshëm që të mbylleshit në një dhomë të tre, të gjenit një zgjidhje dhe të mos dilnit derisa të dali tymi i bardhë?

Kryeministri Rama: I bie që dhoma të jetë me oxhak. Unë nuk mund ta vë këtë kusht. Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo godinë dhe në çdo dhomë që kryetari i Partisë Demokratike ndjehet në komoditetin e tij për të zhvilluar dialog.

Zoti Rama po afrohet afati për të regjistruar koalicionet në KQZ dhe ka një ndjeshmëri publike në raport me komunikimin mes jush dhe aleatit tuaj. A do të jetë ky momenti i regjistrimit të partive, edhe një çast për të bashkuar votat për Presidentin e ardhshëm të republikës, meqenëse javën e ardhshme fillon raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit? A do të jetë opozita pjesë e këtij procesi?

Kryeministri Rama: Dua ta përsëris që në gjithë  këtë proces, unë jam shumë i qetë, sepse unë nuk shoh krizë politike, as krizë shoqërore. Shoh një krizë dramatike të Partisë Demokratike, për të cilën sigurisht jemi të gjithë të shqetësuar dhe të gjithë duam kontribuojmë që Partia  Demokratike të dalë nga qerthulli ku ka hyrë. Kjo do të thotë se nuk kam asnjë shqetësim për ecurinë e mëtejshme të një procesi reformash, të një procesi bashkëpunimi dhe partneriteti, që sigurisht do të konfirmohet në momentin e duhur, sipas pikëpamjes time. Por, në të gjitha rastet,  ajo që mbetet është se ky vend ka zot dhe zot në këtë vend është populli sovran, që në 18 qershor duhet të bëjë zgjedhjen e tij.

A jeni dakordësuar me LSI për Presidentin?

Kryeministri Rama: E kam thënë dhe e përsëris që i takon këtij koalicioni dhe në radhë të parë, aksit strategjik të këtij koalicioni, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të përcaktojë në këtë moment se kush është zgjedhja më e mirë dhe natyrisht, me vullnetin e plotë për t’u hapur edhe ndaj të gjithë palëve të tjera, në mënyrë që t’i japim vendit një president sa më dinjitoz dhe sa më përfaqësues, ku kush më shumë e kush më pak ta gjejë veten e tyre.

Zoti Rama, a e shqetëson Kryeministrin e vendit, fakti që opozita mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Kryeministri Rama: Opozita është një koncept që unë nuk e përputh me një parti, me disa parti, me një simbol, me disa simbole, me një fytyrë, me disa fytyra. Opozitën e prodhon liria dhe nuk e prodhon opozita lirinë. Kështu që, unë nuk kam asnjë shqetësim që parlamenti i ri do të mbetet pa opozitë, edhe në rast se Partia Demokratike do të vendosi të mos hyjë në parlamenti ne ri.

 

Zoti Rama, a keni një marrëveshje ne LSI me një mandat të dytë, apo i keni nisur bisedimet?

Kryeministri Rama: Mandatin e dytë do ta përcaktojë populli shqiptar në 18 qershor.

 

Zoti Rama, meqenëse jeni kaq i qetë, do të thotë se ka një marrëveshje mes jush dhe LSI-së, për të gjitha pjesët e rëndësishme të procesit që vijnë nga pikëpamja e ligjbërjes dhe e zgjedhjes së institucioneve, kam parasysh Presidentin?

Kryeministri Rama: Qetësia ime përcaktohet nga vetëdija se kemi bërë shumë, kemi shumë për të bërë dhe mezi presim të vazhdojmë të flasim me shqiptarët, sepse për ne, fushata e 18 qershorit ka filluar, pavarësisht se jo zyrtarisht dhe jo me intensitetin maksimal. Kështu që, unë nuk shoh asnjë arsye për t’u shqetësuar dhe askush nuk duhet të shqetësohet. Madje mendoj që edhe për demokratët e zakonshëm, njerëzit që duan drejtësi, njerëzit që duan barazi, njerëzit që duan një Shqipëri më të mirë, siç e duam të gjithë, oferta jonë do të jetë mjaftueshmërisht bindëse.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.