Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Prill 2017
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM-NDRIÇIM I AKSIT RRUGOR, BLLOKU 11.2 HA, NË LAGJEN “BESËLIDHJA””, FAZA E TRETË, BASHKIA E LEZHËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim-ndriçim i aksit rrugor, blloku 11.2 ha, në lagjen “Besëlidhja””, faza e tretë, Bashkia e Lezhës.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Lezhës.
3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë “truall”, me sipërfaqe 62 (gjashtëdhjetë e dy) m2, “ndërtesë”, me sipërfaqe 71.24 (shtatëdhjetë e një pikë njëzet e katër) m2, si dhe “njësi”, me sipërfaqe 62 (gjashtëdhjetë e dy) m2, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 9 751 976 (nëntë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 751 976 (nëntë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Lezhës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Lezhës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Lezhës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurive: “truall”, me sipërfaqe 62 (gjashtëdhjetë e dy) m2, “ndërtesë”, me sipërfaqe 71.24 (shtatëdhjetë e një pikë njëzet e katër) m2, si dhe “njësi”, me sipërfaqe 62 (gjashtëdhjetë e dy) m2, për realizimin e projektit “Sistemim, asfaltim-ndriçim i aksit rrugor, blloku 11.2 ha, në lagjen “Besëlidhja””, faza e tretë, të bëhet në favor të Bashkisë së Lezhës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë dhe Bashkia e Lezhës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË KREDISË PËR EKSPORT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË VEPRON NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PËRFAQËSOHET NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, LIDHUR ME FINANCIMIN E PROJEKTIT “MODERNIZIMI I SISTEMIT ARSIMOR NË SHQIPËRI NËPËRMJET E-EDUKIMIT”,
TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.79/2014”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, të ratifikuar me ligjin nr.79/2014”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK PËR PROJEKTIN “FONDI PËR STUDIME DHE EKSPERTË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik për projektin “Fondi për studime dhe ekspertë””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ndryshuar, të pikave 1, shkronja “a” dhe 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë dhe shtesave mbi pagë, për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
2. Struktura dhe nivelet e pagave bazë për gradë, për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për çdo vit vjetërsi shërbimi, përfitojnë shtesë mbi pagë, në masën 1 për qind për çdo vit, deri në 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi vlerën e pagës bazë të gradës “Asistent zjarrfikës”. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi, në strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
5. Vendimi nr.438, datë 13.7.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, i ndryshuar, shfuqizohet.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit të “Fletore zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 mars 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2017-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.
2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare minimale për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017-2018, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
3. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.
4. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë strukturave të ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
5. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe te strukturat e ngarkuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.970, DATË 2.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E LICENCAVE PËR TREGTIMIN E NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19, 20 e 21, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.970, datë 2.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I, pika 3, shkronja “ç”, ndryshohet, si më poshtë:
“ç) Dokumentacioni që vërteton se depozitat dhe linjat përkatëse teknologjike që realizojnë funksionimin e tyre si dhe magazinat në rastin e tregtimit të vajrave lubrifikante janë ndërtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit.”.
2. Në kreun II, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
– Shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 2, ndryshohen, si më poshtë:
“a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku në objekt të ketë të përcaktuar veprimtarinë e tregtimit të naftës bruto dhe/ose nënprodukteve të saj;
c) Dokumentacioni që vërteton se stacioni i shitjes së karburantit është ndërtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit ose që është në procedurë legalizimi në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
– Shkronja “ë”, shfuqizohet.
– Pas pikës 6, shtohet pika 6.1, me këtë përmbajtje:
“6.1 Në rast se personi juridik nuk riparaqet dokumentacionin e kërkuar, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, autoriteti licencues në përputhje me parashikimet ligjore ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për bllokimin e aktivitetit tregtar, deri në riparaqitjen e dokumentacionit të plotë nga ana e personit juridik, për pajisjen e tij me licencë për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë.”.
– Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës për automjetet dhe vajrat lubrifikante, është 3 000 000 (tre milionë) lekë për Bashkinë e Tiranës dhe 1 000 000 (një milion) lekë për bashkitë e tjera.”.
– Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të tyre për përdorim nga konsumatorët fundorë, është 500 000 (pesëqind mijë) lekë për Bashkinë e Tiranës dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për bashkitë e tjera.”.
– Pas pikës 15, shtohen pikat 15.1 dhe 15.2, me këtë përmbajtje:
“15.1 Në përputhje me legjislacionin në fuqi, organi që ka për detyrë të japë licencën informon, menjëherë, inspektoratin shtetëror përgjegjës dhe bashkëpunon me të për marrjen e masave të bllokimit të veprimtarisë së subjekteve që ushtrojnë, pa licencë, aktivitetin e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse, për përdorim nga konsumatorët fundorë.
15.2 Në përputhje me legjislacionin në fuqi, organi që ka për detyrë të japë licencën informon Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për subjektet e licencuara dhe vendndodhjen e pikave të depozitimit apo të tregtimit, në mënyrë që këto të fundit të kontrollojnë zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi.”.
II. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.728, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, dhe 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në fund të pikës 1, shtohen fjalët “… si dhe 1 (një) ushtarak oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë:
“3. Kohëzgjatja e pjesëmarrjes në këtë operacion për personelin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është, si më poshtë vijon:
a) Për 21 (njëzet e një) ushtarakët dhe anijen e klasit “Iliria”, deri në 30 nëntor 2017, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit është çdo 2 (dy) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës.
b) Për ushtarakun oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare, deri në 31 dhjetor 2017, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit është çdo 3 (tre) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me përfaqësuesin e radhës.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.614, DATË 7.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË BANESAVE DHE OBJEKTEVE TË KTHYERA NË FOND BANESE, ME VENDIME TË ORGANEVE TË QEVERISJES VENDORE, NË PRONËSI TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE DHE TË SHTETIT, KU JANË SISTEMUAR ME STREHIM BANORË TË PAJISUR ME AUTORIZIM NGA ORGANET KOMPETENTE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 39/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.614, datë 7.7.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Brenda 1 (një) viti, nga miratimi i këtij vendimi, bashkia njofton qytetarët me mjete të njoftimit publik, ku përfshihen afishimi i njoftimit në mjediset e bashkisë, në vende publike ose botimi i njoftimit në gazetën e pushtetit vendor, njoftimi me postë, postë e thjeshtë ose e porositur, dorëzimi personalisht i njoftimit, nëpërmjet të tretit apo postës, për të paraqitur kërkesat e tyre për privatizimin e banesave, objekteve të kthyera në fond banese dhe për procedurat që duhet të ndjekin.”.
2. Në pikën 4, fjalët “…brenda 1 (një) viti, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi…”, zëvendësohen me “…brenda 1 (një) viti nga njoftimi publik i bashkisë…”.
3. Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Pas kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të njësive të qeverisjes vendore, kjo e fundit nis procedurat për regjistrimin e pronës në emër të saj, sipas afateve të përcaktuara në ligjin nr.33, datë 21.3.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar. Pas regjistrimit në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, bashkia bën njoftimin me mjete publike për fillimin e procedurës së privatizimit.”.
4. Në pikën 10, fjalët “…për pikat 4 e 16…”, zëvendësohen me “…për pikat 4 e 15…”.
5. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje :
“11/1. Në rastet kur banesës apo objektit që kthehet në fond banese nuk mund t’i përcaktohet data e ndërtimit, për shkak të mungesës së dokumentacionit, koefiçenti i amortizimit të llogaritet me datën e lëshimit të autorizimit të dhënë familjes për strehim në këtë banesë apo objekt.”.
6. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Njësitë e qeverisjes vendore, brenda 1(një) muaji, nga dorëzimi i dokumentacionit nga qytetarët, shqyrton dosjen e privatizimit dhe vendos pranimin ose refuzimin e saj.”.
7. Në pikën 17, fjalët “Nëse familja…” zëvëndësohen me “Nëse subjektet, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 3, të këtij vendimi…”.
8. Pas pikës 23 shtohen pikat 23/1 dhe 23/2, me këtë përmbajtje:
“23/1. Nëse subjektet përfituese nuk respektojnë afatet e përcaktuara në pikat 4 e 15, për paraqitjen e kërkesës për privatizim dhe lidhjen e kontratës së privatizimit me bashkinë, banesa ose objekti i kthyer në fond banese kalon në banesë sociale me qira, me vendim të këshillit bashkiak. Bashkia duhet të lidhë kontratat e qirasë me qytetarët, banorë në këto objekte.
Nëse familja nuk pranon të qëndrojë më gjatë, në cilësinë e qiramarrësit, në banesë sociale, atëherë bashkia ndjek procedurat e përcaktuara për programin e banesave sociale me qira, për qëllime të strehimit social për familjet në nevojë.
23/2. Për përcaktimin e masës së qirasë, bashkia vepron sikurse për përcaktimin e qirasë në banesat sociale me qira, sipas pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar. Kontratat e qirave rinovohen çdo vit pranë bashkive përkatëse.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.303, DATË 5.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË PRONËS SHTETËRORE ME EMËRTIMIN “KLUBI SPORTIV DINAMO”, TIRANË, MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR DHËNIEN NË PËRDORIM FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.303, datë 5.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshon, si më poshtë:
“1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të pronës shtetërore me emërtimin “Klubi Sportiv Dinamo”, Tiranë, aktualisht në pronësi të Bashkisë Tiranë, me numër pasurie 832, të komponentëve të saj me numrat rendorë 1, 2, 3, 5, 6, 7, 8 e 9, sipas formularit 3, bashkëlidhur këtij vendimi, për t’ia dhënë në përdorim Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim ndërtimin e kompleksit të zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, për ushtrimin e funksioneve të veta kulturore e sportive.”.
b) Pika 3, shfuqizohet.
2. Ngarkohen ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Financave, kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.175, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË PUNONJËSVE MËSIMORË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011,“Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në fund të pikës 3.a, të vendimit nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Punonjësit aktualë mësimorë/edukatorë të cilët zotërojnë diplomë të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”, ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe deri para datës 1 mars 2017, kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit deri në momentin e ndryshimit të nivelit të diplomës, apo ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me institucionin arsimor përkatës.
Punonjësit mësimorë/edukatorë që fillojnë punë për herë të parë si punonjës mësimorë/edukatorë në arsimin parauniversitar pas datës 1 mars 2017, do të trajtohen me pagë grupi sipas përcaktimeve të lidhjes nr.2 të vendimit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, LIDHUR ME OFRIMIN E NDIHMËS TEKNIKE DHE FINANCIARE PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MBETJEVE TË NGURTA NË QARKUN E BERATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike, lidhur me ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN,PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, ISH-REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË-REPUBLIKA E SHQIPËRISË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Republika e Shqipërisë 2014-2020, alokimet për vitin 2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2016 PËR PROJEKTIN “FONDI ARSIMOR PËR FORMIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Fondi arsimor për formimin profesional dhe punësimin”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SKRAPAR, NJËSIA ADMINISTRATIVE POTOM, TË QARKUT TË BERATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Skrapar, njësia administrative Potom, të Qarkut të Beratit, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Lista e inventarit të njësisë administrative Potom, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përbëhet nga 20 (njëzet) fletë dhe përfundon me numrin rendor 98 (nëntëdhjetë e tetë).
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Skrapar dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS NDRYSHUESE TË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “LIBEREST”, SH.P.K., PËR PASURINË “AGJENCIA E REZERVAVE TË SHTETIT DORËZ, KOMUNA QENDËR, LIBRAZHD”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës ndryshuese të qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Liberest”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Agjencia e Rezervave të Shtetit Dorëz, komuna Qendër, Librazhd”, të miratuar me vendimin nr.637, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA FINIQ, TË PRONËS NR.646, ME EMËRTIM “ISH-GRUP ARTILERI TOKËSORE”, ME VENDNDODHJENË KRANE, FINIQ, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Finiq, të pronës nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një qendre të shërbimeve publike dhe për vendosjen e shërbimit zjarrfikës, MZSH, për realizimin e funksioneve të veta e të shërbimeve në territorin që përfshin Bashkia Finiq.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqet prona nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave paluajtshme shtetërore publike, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Finiq.
3. Bashkisë Finiq i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës nr.646, me emërtim “Ish-grup artileri tokësore”, me vendndodhje në Krane, Finiq, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Finiq për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NGA BUXHETI I VITIT 2017, PËR BASHKËSITË FETARE TRADICIONALE QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, datë 15.12.2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, nga buxheti i vitit 2017, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 416 000 (tridhjetë e një milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 11 748 000 (njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës;
ii. 19 668 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë në:
i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës;
ii. 5 280 000 (pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë në:
i. 5 676 000 (pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës;
ii. 20 196 000 (njëzet milionë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 840 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:
i. 3 696 000 (tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës;
ii. 15 144 000 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, përkatësisht,:
– 10 144 000 (dhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
– 3 000 000 (tre milionë) lekë, për ndërtimin e Teqesë në Shtufit, Gjirokastër;
– 2 000 000 (dy milionë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Martaneshit.
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2017, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara.
2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet brenda muajit prill të vitit 2017.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.