Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Qytetarët në Krujë, për të marrë një shërbim publik nuk presin në zyra e radhë të gjata e të lodhshme, por tashmë e marrin atë në një sportel të vetëm. ADISA, qendra e shërbimeve të integruara, që ka nisur së fundmi funksionimin u ka shmangur qytetarëve sorollatjet në zyra. Drejtori i ADISA-s në Krujë u shpreh se ky lloj shërbimi i integruar shkurton kohë dhe qytetarët e marrin dokumentin e kërkuar në dorë tek ADISA, ose u shkon me postë në shtëpi. “Këtu ofrohen rreth 233 shërbime nga 6 institucioneve. Qytetari paraqitet te “Info Point”, merr informacionin e duhur, pajiset me një biletë dhe paraqitet pranë sportelit. Maksimumi një aplikim shkon nga 5-10 minuta. Një pjesë përgjigjet i marrin këtu, një pjese i kalon me postë”, – u shpreh ai.

Kryeministri tha se ky është modeli i shërbimit që duhet e do të shtrihet në të gjithë administratën shtetërore ku ofrohen shërbime për qytetarin. “Ky është modeli që na duhet për ta shpërthyer komplet atë gangrenën e zyrave të shërbimit për qytetarët dhe për ta kombinuar pastaj me shërbimin online, që të çlirohen komplet njerëzit nga ky maskarallëk e e vështirësitë e pafundme. Çfarë nuk kemi hequr me këto historitë, jo kush parti e ka, jo e ka partia tjetër, por që nëse ne integrojmë këtë në sistem bëjmë një revolucion të madh”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Në të 14 sportelet e ADISA-s në Krujë ku ofrohet shërbim i standardeve europiane, në shumë pak kohë nga hapja, janë kryer 10 024 aplikime. ADISA tashmë gjendet në 5 qytete të vendit, të cilat pritet të shtrihen në të gjithë territorin.

***

Falë Rilindjes Urbane, Kruja po rifiton shkëlqimin e humbur si një nga destinacionet e rëndësishme të turizmit kulturor në vend, që pret çdo vit mbi 20 mijë turistë. Ka nisur rikualifikimi urban i Krujës përmes disa projekteve të Rilindjes Urbane, duke nisur nga hyrja e qytetit, pazari dhe qendra. Rivitalizimi i qendrës po e kthen atë në funksion qytetarëve, por edhe të ekonomisë lokale, veçanërisht të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin aty. Në projekt përshihet edhe zgjerimi i rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, rehabilitimi i fasadave të godinave, rindërtimi i rrjetit të kanalizimeve, sistemi i ndriçimit dhe gjelbërimi. “Fasadat do të unifikohen e do bëhet hyrja e pazarit, ndriçim, gjelbërim,” – shprehet ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Po ashtu ka nisur edhe zgjerimi i rrugës hyrëse të qytetit dhe ndërtimi i parkimit. Këto ndërhyrje do të sjellin jo vetëm rigjenerimin e zonës, por dhe përmirësimin e qarkullimit, edhe për shkak të flukseve turistike. “E gjithë sipërfaqja e parkimit është pothuajse 8000 metra katror. Ky niveli këtu është për autobusë, kati nëntokë dhe sipër është vetëm për vetura. Është edhe pjesa që do jetë pedonale, me pemë, me kalldrëm e stola,” – shpjegon drejtuesja e projektit.

Rilindja e qyteteve tashmë po jep efektet e saj në ekonomi, turizëm dhe gjallërimin e jetës aktive në qytete. Pjesë të këtyre projekteve në muajt në vazhdim pritet të bëhen dhe zonat periferike dhe ato jashtë qyteteve, duke u ofruar kështu qytetarëve më shumë mundësi për t’u bërë pjesë aktive e komunitetit ku jetojnë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.