Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me 50 punonjës të rinj të administratës, të spikatur në procedurat e konkurrimit:

I kërkova Drejtores së Departamentit të Administratës Publike listën e 50 më të mirëve. Si rezultat i procesit të konkurseve dhe bazuar te rezultate tuaja në konkurset e Departamentit, ju jeni këtu.

Ne kemi filluar një proces rishikimi të plotë të të gjithë administratës. Një proces, i cili ka në konsideratë detyrimisht dy nivele, nivelin e Shërbimit Civil ku ju jeni pjesë dhe që ka një status të posaçëm, të garantuar me ligj dhe niveli i administratës shtetërore, që funksionon me një legjislacion të ndryshëm dhe mbi bazën e Kodit të Punës.

Unë besoj që, pavarësisht shumë boshllëqeve dhe jo pak defekteve që ka sot procesi i garantimit të administratës së nivelit të Shërbimit Civil, është një proces shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të menduar që në një hark kohor 10-vjeçar, nëse ligji do të zbatohet mirë, nëse instrumentet e tjerë që duhet ta shoqërojnë procesin, në radhë të parë, instrumenti i trajnimit të vazhdueshëm, do të funksionojnë siç duhet, të kemi një Shërbim Civil dinjitoz dhe të aftë për të përballuar të gjithë sfidën e mbështetjes cilësore të politikëbërjes.

Pavarësisht boshllëqeve dhe defekteve që ka pasur procesi që nga fillimi i zbatimit të ligjit, statistikat tregojnë që deformimet nuk janë të atilla që të mund të mendohet se e kanë deformuar shtyllën kurrizore të administratës që po ndërtohet. Mbase ka deformime pjesësh të tjera, dytësore, për aq sa mund të quhen dytësore, të skeletit të të gjithë administratës. Natyrisht, edhe pse është një proces ku influenca politike dhe influenca e partive ka qënë goxha e reduktuar, nuk mund të thuhet se ka qenë plotësisht e shmangur. Mjafton të shikohet, jo në numër, por në influencë, gjithë lista e pranimeve nepotike, për të kuptuar që influenca nuk ka munguar. Nga ana tjetër nuk mund të mendojmë që do të mund të kishim në të gjitha rastet një proces 100% perfekt, se do ishte e pamundur. Besoj se të mirat e këtij procesi janë dominante mbi aspektet negative.

Ajo që është me rëndësi në këtë fazë është të kuptojmë si Shërbimi Civil dhe kjo pjesë më cilësore dhe e garantuar edhe me ligjin e administratës mund të jetë më efektive, sepse, pavarësisht cilësive individuale që mund të jenë të mjaftueshme për të kontribuar në një masë të caktuar, masa e kontributit nuk është ajo që do të ishte e dëshirueshme.

Këtu është me rëndësi që ne ta shikojmë këtë marrëdhënie midis nivelit politik dhe nivelit teknik të administratës, jo vetëm me syrin tonë, por edhe me syrin tuaj. Ajo që unë do dëshiroja, do të ishte që secili nga ju të bënte një vlerësim konfidencial të marrëdhënieve të punës. Kjo do të thotë që secili nga ju të na jepte një këndvështrim mbi marrëdhënien individuale të punës me nivelin e politikëbërjes dhe mbi marrëdhënien e institucionit ku ju punoni me nivelin e poltikëbërjes. Çfarë, duke e parë me sytë e nëpunësit civil, nuk funksionon ashtu siç duhet në nivelin e politikëbërjes, për të nxjerrë më të mirën nga ju dhe nga institucioni ku ju kontribuoni bashkë me kolegë të tjerë.

Na duhet kjo, sepse është shumë e qartë për mua se, nëse duam të ngremë nivelin e performancës së administratës, në radhë të parë duhet të ngremë nivelin e performancës së nivelit politik në raport me administratën. Për ta bërë këtë duhet të kuptojmë sa më shumë nga individët që e përbëjnë administratën. Ndjesia ime është që ka një hendek midis nivelit politik dhe administratës, duke filluar që nga ministritë, për të vazhduar te agjencitë dhe tek institucionet e tjera. Niveli politik nuk ka një bilanc, në këndvështrimin tim, pozitiv, në aspektin e përcjelljes së vizionit tek administrata, e përcjelljes së qëllimeve që kërkohet të arrihen, të funksioneve që kërkohen të kryhen nga ana e administratës. E në fund fare, por jo për nga rëndësia, në aspektin e motivimit të punonjësve, jo financiar, por për të ndjerë secili, – përtej pjesës së rutinës, që duhet të shkoj të paraqitem në këtë orë në punë e duhet të iki në këtë orë, duhet të bëj këtë e atë, – të motivimit në funksion të qëllimeve që duhet të arrijë skuadra e përbërë nga niveli politik dhe nga niveli teknik.

Ajo që ne duam, është të kemi prej jush një bazë mbi të cilën të ndërtojmë një pyetësor, për ta dëgjuar në mënyrë konfidenciale, jo në mënyrë të hapur, sepse në mënyrë të hapur ndoshta bëhet më e vështirë, të gjithë administratën dhe për të kuptuar çfarë duhet korrigjuar në nivelin politik, në nivelin e drejtimit të ministrive dhe të agjencive. Kjo në mënyrë që administrata të reagojë në mënyrë më të përshtatshme me vizionin, me qëllimet dhe të rrisë kapacitetin e saj funksional.

Ajo që unë kam arritur të kuptoj në distancë, qoftë më parë, si dhe gjatë këtyre viteve që ne jemi në qeveri, është se nga ministritë e deri te agjencitë e tjera, jeta ndahet në dy pjesë, jeta e një grupi të vogël drejtues, e ministrit, kabinetit, Sekretarit të Përgjithshëm, mbase një, dy apo tre drejtorësh dhe jeta rutinë e gjithë pjesës tjetër të administratës, që as nuk di se çfarë ndodh në të përditshmen, përveç rutinës. E kur ka momente krizash në raport me një problematikë për t’u përballuar, atëherë merr një urdhër nga lart që o burra të gjithë tani duhet të fokusohemi këtu, se na doli kjo krizë, po themi një përmbytje, një shpërthim zjarri, apo një shpërthim i opinionit publik për një problematikë të caktuar. Përndryshe, nëpunësit shkojnë në punë dhe ikin nga puna, sikur jetojnë në një kohë pa kohë.

Koha është si  e ngrirë dhe bëjnë atë rutinën, ku natyrisht, për shkak të mungesës së një sensi përkatësie në një skuadër që ka disa qëllime dhe që punon bashkërisht për ato qëllime, pjesa më e madhe e kohës është si të shtyjmë orët që të ikim në shtëpi.

Ky konstatim, – nëse është i saktë, nuk e di, – nuk mjafton. Na duhet të kuptojmë si ta ndryshojmë këtë marrëdhënie dhe çfarë duhet të bëjë një drejtues politik për ta ndryshuar këtë marrëdhënie. Në nivelin politik jemi mësuar përgjithësisht t’i biem shkurt, që fajin e ka të gjithin administrata. Natyrisht, kur vjen puna tek opinioni publik, kjo është një tezë jo e vështirë për t’u përqafuar, për shkak se administrata ka shumë kusure. Por, nga ana tjetër, kush  i shikon të dhënat e procesit të rekrutimeve në administratën publike kupton që në administratë ka shume asete të vlefshme, ka shumë njerëz të vlefshmëm, të cilët kanë kapacitetin për të bërë shumë më tepër seç bëjnë aktualisht, pasi aktualisht nuk i kërkohet  më shumë, ose ajo që u kërkohet, nuk u kërkohet në mënyrën e duhur.

Kështu që,  në këtë proces që ne kemi nisur dhe që do të jetë një proces prioritar për 4 vitet e ardhshme, për të bërë një kapërcim historik në funksionimin e administratës së shtetit, ne na duhet të ndërtojmë paralelisht me rrugën e goditjeve dhe të spastrimeve të administratës nga parazitët e nga grabitqarët, një partneritet të shëndetshëm me pjesën e shëndetshme të administratës, me burimet njerëzore cilësore.

Për këtë jeni ju këtu, sot, për të dhënë një ndihmë modeste, por shumë të vlefshme për ne, duke na dhënë 50 këndvështrime, siç i shikon secili, të kësaj problematike. Sa të kënaqur jeni me punën që bëni? Sa përputhet puna që bëni me pritshmërinë që keni pasur kur keni shkuar për të konkurruar e për të marrë këtë punë? Cili është raporti midis faktit që në fund të ditës thoni unë e kam një punë, e marr një rrogë dhe në kushtet e sotme jam “i privilegjuar”, sepse kam një karrierë përpara që më mbrohet me ligj dhe durim, sepse më shumë se  kaq unë s’mund të bëj, me pjesën që ju do të donit të bënit, nëse do t’ju jepej mundësia.

Duke qenë se ju vini nga shumë rrugë brenda labirintit të administratës, nga ministri, nga institucione të ndryshme, është me shumë rëndësi për ne, që të kemi opinionin tuaj për drejtuesit dhe për gjithë funksionimin e marrëdhënies mes drejtuesve dhe grupit teknik. Duke filluar nga gjërat më të thjeshta:

E keni takuar ndonjëherë drejtuesin dhe kur e keni takuar, për çfarë;

Keni dëgjuar ndonjëherë nga drejtuesi politik, qoftë ministri, qoftë zëvendësministri, drejtori apo kryeinspektori, keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë gjë tjetër, përveçse urdhrit për të bërë diçka në atë moment, për një gjë që duhet me urgjencë;

Keni dijeni ju për kush janë objektivat e ekipit drejtues;

Keni dijeni për ndonjë axhendë pune dhe kalendar për hapat që ka vendosur ekipi drejtues që duhet të ndjekë institucioni dhe çdo sektor i administratës së atij institucioni, për të arritur këto objektiva;

Keni ndonjë rast kur është bërë mbledhje për objektivat, apo është bërë  takim për të kërkuar arsyet, pse një objektiv i caktuar nuk është realizuar, pra, gjithë mënyra e funksionimit brenda një godine;

Sa kohë e juaja në harkun e një viti është vetëm kohë e shpenzuar individualisht, pra, shkoj në punë dhe iki;

Sa kohë është e shpenzuar në skuadër;

Sa pjesë e kohës së një viti është thjeshtë rutinë në vazhdimësi;

Sa do të funksiononte institucioni për secilin prej jush, nëse s’do kishte fare drejtues politik;

A ka ndonjë ndryshim puna individuale e secilit, sipas jush, po qe se s’ka fare drejtues, në raport me drejtuesin, përsa i përket objektivave;

Është drejtuesi, sipas jush, më shumë një roje, apo më shumë një gjeneral, më shumë një lider, apo më shumë një prezencë thjeshtë formale;

Besoj që duhen disa ditë për këtë dhe do ju lutesha që ta merrni me seriozitet, duke ju garantuar që do të jetë 100% konfidenciale, nuk ka asnjë shans raportet tuajat të bëhen publike, apo të përdoren kundër jush.

Me t’i marrë këto raporte, sigurisht në një grup shumë të ngushtë, ne do t’i analizojmë dhe pastaj do të ndërtojmë një formular në bazën e të dhënave që mund të konsiderohen mesatarisht të përbashkëta dhe do t’ia japim për plotësim të gjithë Shërbimit Civil, të sekretuar, për të kuptuar sa prej këtyre shqetësimeve që ngrini ju dhe në çfarë mase janë të përgjithshme.

Në fund do dëshiroja që të kishte edhe një zë, ku ju të bëni sugjerime, çfarë do të dëshironit ju të ndodhte në marrëdhënien tuaj me punën dhe me drejtimin politik, ose drejtimin ekzekutiv të institucionit. Duke filluar nga raporti midis pritshmërisë tuaj e çfarë është realiteti, marrëdhënia me nivelin drejtues, tek zbërthimi i kësaj marrëdhënieje në elementë të ndryshëm si “jam njohur me vizionin, me qëllimin e objektivat e institucionit”, “kam marrë pjesë në analiza”, “e kam takuar eprorin 1 herë në javë, 1 herë në muaj, 1 herë në vit” e në rastet kur e kam takuar, e kam takuar se ka dashur të më thotë që kam ardhur me vonesë, ose ka dashur të më thotë që  s’i ke punët mirë, më ka dhënë një urdhër, apo na ka thirrur për të na shpjeguar, etj.. Një zbërthim maksimalisht nga të gjitha anët e marrëdhënieve me  nivelin drejtues dhe për të vënë konstatimet tuaja, jo thjesht individuale, por atë që ju ndani me të tjerët, p.sh, si është atmosfera në institucion, si ndjehen punonjësit, sipas jush, etj..

Mbi këtë bazë do të bëjmë një lexim të të gjithë këtyre raporteve, do të nxjerrim të gjitha pikat e përbashkëta, ose edhe ato jo të përbashkëta, por që mund të jenë me interes. Këto do t’i fusim në një pyetësor që do ta shpërndajmë në të gjithë Shërbimin Civil, për të nxjerrë një konkluzion që do të jetë një raport rekomandimesh për lidershipin e ri.

Çdo ministër duhet të marrë rekomandimet për mënyrën sesi do të ndryshojë qasja ndaj administratës, për ta pasur administratën shumë më të motivuar në realizmin e qëllimeve. Po ashtu çdo drejtues institucioni, sepse problematika do të dalë e gjitha nga këto pyetësorë. Neve na duhet problematika konkrete e këtyre marrëdhënieve.

Unë besoj shumë që paralelisht me luftën pa kompromis që duhet të bëhet për të pastruar parazitët dhe grabitqarët nga administrata, duhet të bëhet një aleancë e brendshme mes  drejtuesve politikë dhe administratës, pjesës së shëndetshme të saj, duke i dhënë njerëzve të zot e të aftë, mundësinë që të jenë pjesë e të njëjtës rrugë, të ndajnë vizionin dhe qëllimet, të mos jenë thjesht njerëz që shkojnë në punë dhe pas 5 minutash duhet të shkojnë në kafe, se s’kanë ndonjë gjë të re për të bërë. Ose thjesht “më bëj këtë shkresën për dy ditë”, “më bëj këtë memon për 4 ditë” dhe duhet të presësh dy muaj të tjerë që të vijë një memo tjetër.

Një pjesa e juaja, apo ndoshta të gjithë do shkoni për pushime, por besoj se kjo është një gjë që mund të bëhet edhe duke qenë me pushime. Nëse vendosim një afat, 10 gushtin, besoj se është e arsyeshme, që ne të kemi mundësi të përgatisim formularin dhe me të kaluar faza intensive e pushimeve, 15-16 gushti, ne të mundim t’ia shpërndajmë të gjithë shërbimit.

Shumë faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.