Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:
Jemi këtu për të thënë disa fjalë lidhur me një moment të rëndësishëm të kësaj periudhe, që ishte Samiti i Triestes dhe për të dhënë disa informacione që, besoj, kanë rëndësi për opinionin publik, edhe nën dritën e faktit që mediat kanë pasqyruar përgjithësisht aspektin e kronikës së Samitit, pa hyrë në elementët kryesore të përmbajtjes.
Natyrisht, aspekti themelor i Procesit të Berlinit mbetet në planin politik, si një plan ku është bërë një progres i paimagjinueshëm deri përpara sesa ky Proces të iniciohej nga kancelarja Merkel, një progres, falë të cilit, tanimë, jo vetëm nuk përbën asgjë historike takimi i liderëve të rajonit, por është rutinë, siç, normalisht duhet të jetë dhe nga ana tjetër, për faktin se jetojmë në një fazë historike të zhvillimit të rajonit, ku vullneti polik për të avancuar qoftë axhendën individuale europiane të çdo vendi, qoftë axhendën e bashkëpunimit rajonal, është në nivelin e vet më të lartë.
Përpara se t’i jap fjalën Majlindës, e cila e ndjek procesin nga Kryeministria, në funksion të detyrës së saj si drejtuese e një departamenti të posaçëm për gjithçka ka të bëjë me ndihmën e huaj, me planifikimin strategjik në tërësi të ndihmës dhe me programet e veçanta që lidhen me donatorët, dua të nënvizoj rëndësinë e një hapi të hedhur në këtë Samit për organizimin e tregut të përbashkët rajonal. Duke hedhur poshtë të gjitha kundërshtitë qesharake ndaj këtij projekti, për të nënvizuar atë që është thelbësisht e vërteta e thjeshtë e projektit: Një rritje e kapaciteteve tona, si vende të rajonit, për të pasur një treg shumë më të madh sesa tregjet tona të vogla; një rritje e kapaciteteve eksportuese dhe importuese brenda për brenda rajonit, duke hequr barriera penguese jo tarifore dhe një rritje edhe në aspektin e përgatitjes së rajonit për t’ju bashkangjitur tregut të përbashkët europian.
Kështu që besoj se është e kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që janë dëgjuar lidhur me këtë projekt. Projekti është thelbësisht një projekt europian. Mbështetet thelbësisht dhe tërësisht në frymën europiane të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit. Nuk përbën absolutisht një zgjidhje alternative, por përkundrazi përbën një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të rajonit në Bashkimin Europian. Nuk ka broçkull më të madhe, për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë në interpretimin e këtij projekti, sesa broçkulla e rikrijimit të Jugosllavisë.
Ajo që ka rëndësi është se jemi duke hedhur hapa përpara në një proces tërësor bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes vendeve të rajonit, që deri përpara fillimit të Procesit të Berlinit ishte e paimagjinueshme se mund të ndodhte në një hark kohor kaq të shkurtër dhe përmes këtyre hapave jemi duke zhvilluar në mënyrë tërësisht komplementare me axhendën e integrimit në Bashkimin Europian, një axhendë rajonale, ashtu siç axhenda të tilla janë zhvilluar më parë mes vendeve fqinje të Bashkimit të sotëm Europian.
Edhe sot e gjithë ditën, gjurmët apo vazhdimësia e këtyre lloj bashkëpunimeve në rajone të caktuara të Europës janë të prekshme dhe evidente për këdo që do të kuptojë dhe do të mësojë, pa thënë fjalën e fundit të parën dhe pa folur broçkulla, siç është bërë rëndom zakon në katundin tonë politik dhe në katundin tonë mediatik, po ashtu.
Majlinda do të japë një informacion më përmbajtësor përsa i përket aspekteve të tjera të procesit, që lidhen me shtyllat e programit të këtij procesi dhe me projektet sipas këtyre shtyllave.
Majlinda Dhuka, Drejtore e Departamentit i Zhvillimit dhe Ndihmës së Huaj:
Faleminderit Zoti Kryeministër!
Fokusi i këtij Samiti ishte zona ekonomike rajonale dhe axhenda ekonomike midis vendeve. Procesi i Berlinit, krahas zonës ekonomike rajonale dhe axhendës ekonomike, mbështet të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor edhe me atë që njihet si axhenda e konektivitetit, ose e ndërlidhjes rajonale.
Kjo axhendë ka në përmbajtje një numër projektesh të rëndësisë strategjike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë të lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe gjithashtu me Bashkimin Europian.
Fokusi është kryesisht në projekte të transportit, por dhe të ndërlidhjes energjetike. Një theks i veçante i është vendosur rishtazi dialogut midis vendeve, por dhe tryezës së Samitit, në lidhje me konektivitetin dixhital dhe tregun dixhital.
Procesi i Berlinit ofron për vendet një instrument financues, që është instrumenti i investimit të Ballkanit Perëndimor, në të cilin vendet kanë mundësi të aksesojnë mbështetjen nga Komisioni i Bashkimit Europian me grante dhe në bashkëpunimin me institucione të tjera financiare, siç janë bankat e zhvillimit, me kredi.
Në këtë proces, sigurisht që Shqipëria ka qenë një nga vendet më aktive. Shqipëria ka lëvizur nga vendi i katërt, para dy viteve, në vendin e dytë në vitin 2016-2017, në lidhje me aplikimin dhe thithjen e fondeve që ofron instrumenti i Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria qëndron në vendin e dytë, pas Serbisë, me 36% të fondeve dhe në thirrjen e fundit të instrumentit të Ballkanit Perëndimor, që mbështet përgatitjen me asistencë teknike të disa projekteve të rëndësishme të vendit, Shqipëria u rendit në vendin e parë.
Shqipëria fitoi mbështetje për 4 projekte, për përgatitjen e tyre, të cilat unë do t’i përmend shkurtimisht, si dhe një projekt rajonal, pra, 5 projekte, e ndjekur nga vendi i dytë me dy projekte.
5 projektet, të cilat morën mbështetje nga instrumenti i investimit të Ballkanin Perëndimor për Shqipërinë për t’u përgatitur janë:
Rindërtimi i kalatave 1 dhe 2 në portin e Durrësit;
Ndërtimi i by-pass-it të Lezhës;
Mbështetje për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës, një nga veprat më të mëdha energjetike të vendit dhe të Ballkanit Perëndimor;
Zhvillimi i sipërmarrjeve dhe turizmit ndërkufitar në Liqenin e Shkodrës dhe infrastruktura e biznesit;
Projekti rajonal i sektorit energjetik për linjën e transmetimit me OST.
Siç e shpjegova, Shqipëria u rendit në këtë thirrje në vendin e parë, me 4 projekte, ose rreth 3.33 milion euro, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e dytë me dy projekte, e kështu me radhë vendet e tjera.
Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ajo që duhet marrë në thelb nga çka është zhvilluar deri tani në këtë Proces, është se Procesi ka marrë kohën e nevojshme europiane për të përgatitur të gjitha projektet e nevojshme për implementimin e të gjithë axhendës së ndërlidhshmërisë, apo të konektivitetit sic quhet.
Ndërkohë është avancuar me financimin e projektit të fizibilitetit për Korridorin Blu, apo për Korridorin e Kaltër, i cili është projekt madhor infrastrukture, ku Shqipëria ka një pjesë të konsiderueshme dhe që do të lidhë, më në fund, jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë me atë që quhet Unaza Turistike Mesdhetare.
Po ashtu, ne jemi në fazën e çuarjes drejt implementimit të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë. Së shpejti do të çelet gara për segmentin e parë modern hekurudhor, Tiranë-Durrës dhe që përfshin edhe aeroportin e Rinasit dhe një sërë projektesh të tjera, të cilat janë tani në fazën e përgatitjes përfundimtare.
Ndërkohë që, për projektet që nënvizoi Majlinda është marrë gatishmëria për financim dhe pastaj do të kalohet në fazën tjetër, që do të jetë financimi i realizmit të projekteve. Këto janë kohët europiane dhe gjithçka shkon sipas të gjithë standardeve dhe procedurave që ka vetë Bashkimi Europian në realizimin e projekteve, që është një kohë që varion nga 3 deri në 5 apo 7 vite, sipas madhësisë së projektit.
Besoj se jemi në drejtimin e duhur. Ashtu sikundër besoj që me fillimin e realizimit të Programit “1 Miliardë për Rindërtim” të qeverisë shqiptare, që nis në këtë vjeshtë me Rrugën e Arbrit dhe vazhdon me një sërë segmentesh të tjera të rëndësishme strategjike infrastrukturore, deri poshtë në rrugën lidhëse Delvinë-Kardhiq që krijon një situatë të re ndërlidhshmërie në të gjithë jugun, bashkë me projektet që prekin veriun, nga Lezha në Shkodër, përmes lidhjes së plazhit të Shëngjinit me atë të Velipojës dhe të tjera, në 4 vitet e ardhshme do të kemi një transformim të rëndësishëm dhe një injektim shumë të rëndësishëm financiar në ekonomi.
Natyrisht nuk është vetëm infrastruktura rrugore. Është edhe infrastruktura shkollore. Programi ka filluar me projektin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 20 shkollave të reja, do të vazhdojë me bashkitë e tjera dhe synimi është që brenda 4-vjeçarit, ne të përmbushim objektivin e ndërtimit të 100 shkollave të reja dhe pastaj të rindërtimit të të gjithë shkollave ekzistuese që kanë nevojë për ndërhyrje.
Jemi edhe në fazën e finalizimit të procedurave për projektin e spitalit të ri rajonal të Fierit, i cili do të jetë i pari spital ekselence që do të ndërtohet nga themelet në Republikën e Shqipërisë, me standarde plotësisht europiane, jo vetëm nga pikëpamja e infrastrukturës, por edhe nga pikëpamja e menaxhimit.
Këto të gjitha përbëjnë një kornizë optimiste, edhe në kuadrin e ambicies tonë për ta rritur brenda mandatit të ri ekonominë mbi 5%, duke bërë të mundur që impakti i rritjes ekonomike të ndjehet në të gjitha shtresat e popullsisë.
Për zonën ekonomike rajonale, skeptikëve në Shqipëri ua dhatë përgjigjen pak më parë, por në artikullin që kishit shkruar për “Wall Street Journal”, ju vetë pranonit se ka skeptikë edhe në rajon për këtë projekt. A mendoni se pas Samitit arritët t’i bindni?
Kryeministri Edi Rama: Është normale dhe e shëndetshme që të ketë skepticizëm të arsyeshëm. E rëndësishme është që projekti është aprovuar. Mbi të gjitha, ajo që është e rëndësishme është që ne të ndërveprojmë për të lehtësuar marrëdhëniet tregtare mes vendeve, se ky është thelbi. Pra, thelbi është që si të bëjmë që çdo kompani që operon në këtë treg të ketë rrugë të hapur për të operuar, pa qenë e detyruar të kalojë nëpërmjet kaq shumë barrierash jo tarifore dhe pa qenë e detyruar të marrë 7 palë dokumente për të njëjtën gjë, por të kemi një treg të unifikuar. Kjo është e mira e ekonomisë, është e mira e të gjithë sipërmarrjes, është e mira e publikut. Këtu nuk ka lidhje fare me broçkullat e nostalgjikëve të titizmit.
Në Shqipëri, të paktën deri në momentin e kësaj konference, simboli i Samitit të Triestes, ju e dini besoj, mbeten atletet tuaja. Nuk e di se si u komentuan atje, por këtu kemi dëgjuar komente deri në nivelin “mungesë respekti ndaj kombit”. A keni përgjigje ndaj këtyre komenteve?
Kryeministri Edi Rama: Jo. Atje është një botë ku njerëzit e kanë mbyllur me kohë çështjen e lirisë së veshjes, si e drejtë themelore e njeriut dhe nuk merren me këtë aspekt. Kështu që, unë nuk kam ndërmend të merrem me ata që vazhdojnë jetojnë në kohën e shfaqjeve të huaja, koha e Saliut të vjetër.
Pak pas emërimit të ministrave teknikë, ju u zotuat para shqiptarëve se në datë 26 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, do t’i shkarkonit ministrat teknikë. Nga 26 qershori kanë kaluar sot 18 ditë, ata janë akoma në qeveri, bëjnë punën e tyre, marrin vendime, bashkë me ju. Si do të veproni me ta?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, të jemi korrektë dhe kjo është detyra juaj, për respekt të profesionit tuaj. Unë nuk jam zotuar që do t’i shkarkoj. Unë kam thënë që do të largohen. Nuk kam thënë që do t’i shkarkoj. Pres që të largohen, sepse nuk kanë më arsye që të qëndrojnë. Misioni i tyre ka mbaruar me sukses të plotë dhe pres që të largohen.
Përsa i përket procesit të çeljes së negociatave, a është e mundur që gjatë vitit që vjen të kemi të mundur çeljen e negociatave, pra, të bëjmë hapin e radhës drejt integrimit dhe që të ndodhë kjo, çfarë pritet që të plotësohet ende nga Shqipëria?
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha ato që i janë kërkuar. Komisioni e ka bërë rekomandimin. Ka kërkuar çeljen e negociatave me mirëkuptimin që procesi i Vetting-ut do të nisë. Procesi i Vetting-ut ka nisur, siç e dini, kështu që, përsa na takon, ne i kemi kryer detyrat tona. Edhe zgjedhjet që sapo përfunduan, janë konsideruar si një histori suksesi. Kështu që i takon Bashkimit Europian të mbajë fjalën. Ne i kemi kryer detyrat tona.
Bashkimi Europian mund të vazhdojë të bëjë atë që bën zakonisht, kur kërkon të shikojë gishtin, ndërkohë që gishti tregon hënën dhe të nxjerrë gjëra të reja. E ka bërë edhe me vende të tjera. E bën për arsye politike, për arsye të dinamikave të brendshme, që janë të njohura. Por ne jemi gati për t’i hapur negociatat, i kemi kryer të gjitha detyrat që na janë dhënë për hapjen e negociatave. Nëse Bashkimi Europian do t’i shtyjë përsëri, kjo nuk do të na pengojë që ne të vazhdojmë me këmbëngulje procesin, sepse, unë e kam nënvizuar vazhdimisht, për ne, procesi i integrimit nuk është një udhëtim për të shkuar në Bruksel, është një rrugëtim për të ndërtuar Shqipërinë europiane këtu në atdheun tonë. Kjo është vlera themelore e procesit.
Natyrisht, hapja e negociatave do të ishte një stimul i fortë. Por me negociata, pa negociata, siç bëmë një Reformë në Drejtësi, që, për kuriozitetin tuaj, pritet ta bëjnë edhe vende që po negociojnë, ne do vazhdojmë. Negociatat fillojnë me kapitullin e 23 dhe 24, që janë kapitujt e drejtësisë dhe duhet ta dini që në kapitujt e drejtësisë, kur të fillojnë negociatat, ne praktikisht do të kemi bërë pjesën më të madhe të punës, që e kemi kryer tanimë. Ndërkohë që disa vende që negociojnë në rajon duhet të bëjnë reformën që ne e kemi bërë në drejtësi. Këto janë paradokset e Bashkimit Europian, por s’ka problem. Ne bashkëjetojmë qetësisht me këto paradokse.
Zoti Kryeministër, ju gjatë fushatës bëtë një deklaratë për të cilën më pas kërkuat ndjesë. Ishte rasti i deklaratës për policët në fushatë. A mendoni se kjo çështja e “listës”, është një nga ato rastet kur përsëri duhet të kërkoni ndjesë? Nëse më lejoni, mund t’ju them edhe se çfarë më bën që t’jua kërkoj një gjë të tillë. Ju keni deklaruar për 4 vite se shpesh herë ju kanë akuzuar për gjëra, të cilat nuk janë faktuar kurrë, me idenë “shpif se diçka do mbetet”. Besoj se për këtë jemi dakord. Sot, nga Librazhdi sqaruat se këto ishin akuza, emra të hedhur aty në publik nga njerëz me profile të vërteta, por pranuat që disa ishin dhe profile të rreme. A menduat se me hapësirën që keni ju në kanalin tuaj online i dhatë rrugë, i dhatë hapësirë pikërisht denigrimit të figurës së të tjerëve, shpifjes pa fakte për gjëra të pavërtetuara?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë listë të publikuar nga unë. Nuk ekziston. Emrat që janë publikuar në atë përmbledhje janë pjesë e një raporti të bërë nga skuadra e shënimeve që kemi ne, në mënyrë mekanike, për ndjekësit e postimeve në faqen time. Asnjë nga personat që janë aty nuk është as në akuzë, as pjesë e një liste që ka lidhje me ndonjë qëndrim, me ndonjë opinion, me ndonjë vlerësim nga ana ime, apo nga ana e qeverisë, apo e shtetit, as kjo listë nuk është bazë për ndonjë procedurë administrative. Është thjesht përmbledhja besnike e komenteve të bëra në të njëjtën faqe. Pra, emrat nuk janë shpikur, nuk janë marrë nga burime të tjera. Thjesht janë mbledhur nga komentet. Është një përmbledhje e komenteve të njerëzve që kanë ndjekur postimin dhe të gjithë këtë peshë, që realisht nuk e ka, ia keni dhënë ju, natyrisht, jo vetë, por edhe ata që duan të bëjnë politikë opozitare dhe s’dinë se çfarë politike opozitare të bëjnë. Përsa më takon, kjo është e gjitha dhe të gjitha të tjerat janë dokrra.
A ndjen përgjegjësi Kryeministri që ndoshta ka bërë në këtë përmbledhje me dashje, apo pa dashje …
Kryeministri Edi Rama: Kryeministri nuk ka bërë asnjë përmbledhje. Unë s’kam bërë asnjë përmbledhje.
Po i keni dhënë hapësirë Zoti Rama, një përmbledhjeje ku mund të ketë gjëra të vërteta, por ndoshta dhe shpifje…
Kryeministri Edi Rama: Unë s’kam bërë asnjë përmbledhje. Edhe njëherë tjetër po të them, është raporti i bërë nga skuadra e shënimeve, të cilin unë e kam lexuar njësoj siç e keni lexuar ju, kur është publikuar. Është shumë e thjeshtë. Lulet “mos më prek” nuk duhet të preken fare, sepse nuk kanë parë gjë akoma. Të jeni të sigurt për këtë.
Ne po ndërtojmë një mekanizëm ferri për të gjithë ata që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe në vend që t’iu shërbejnë shqiptarëve, i grabisin, ose i poshtërojnë me sjellje të padenja. Ky mekanizëm ferri nuk do të jetë ferr dixhital, as ferr prokurorësh e gjykatësish dixhitalë anonimë, por do jetë një mekanizëm ligjor, demokratik dhe transparent i koalicionit tonë me njerëzit e zakonshëm.
Platforma e koalicionit do të jetë online në momentin e krijimit të qeverisë së re. Të gjithë njerëzit që duan të bashkohen me mua dhe me ne, për të luftuar parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit, do të jenë të ftuar të bëhen anëtarë realë të koalicionit qeverisës. Për ne, në 4 vitet e ardhshme, opozita janë parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit. Opozita që është në parlament ka punën e vet, ka detyrën e vet, zgjedh e bën çfarë të dojë. S’janë as armiqtë tanë, as kundërshtarët tanë. Janë konkurrentë. Ndërsa armiqtë e shpallur publikë do të jenë parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit.
Për t’u ndalur pak pikërisht te koalicioni që thoni ju, Zoti Kryeministër, me qytetarët e thjeshtë…
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e përdor fjalën “qytetarë të thjeshtë”. Qytetarët janë njësoj. Kur thua qytetarë, janë të gjithë njësoj. S’ka qytetarë të thjeshtë dhe qytetarë të komplikuar. Unë përdor fjalën njerëz të zakonshëm. Ka rëndësi që të mësoheni të citoni në mënyrë korrekte të tjerët.
A mendoni që me njerëzit e zakonshëm, pikërisht këtë koalicion, po anashkaloni disi atë që quhet edhe qeverisja e përfaqësuar, duke kaluar në qeverisje të drejtpërdrejtë me qytetarët, po i anashkaloni institucionet?
Kryeministri Edi Rama: Jo nuk mendoj. Kjo është një tjetër broçkull.