Kryeministri Edi Rama, në kuadër të punimeve të Samitit të Triestes, u takua me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Forcimi i miqësisë dhe thellimi i bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve ishte në fokus të takimit.
Dy homologët ndanë urimet për përmbushjen me sukses të detyrës dhe sfidave të rëndësishme në rrugën e zhvillimit të vendeve të tyre. Duke përshëndetur angazhimin e Kryeministrit Zaev për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet ndëretnike mes dy popujve që formësojnë Maqedoninë mike, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë që ky angazhim të kthehet në akte të prekshme për të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj.