Nga interpelanca e parë me qeverinë në Platformën e Bashkëqeverisjes me Njerëzit, sipas modelit të interpelancës parlamentare:
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një interpelancë e kërkuar nga një grup përfaqësuesish të naftëtarëve në Ballsh me mua, me ministrin e Energjisë dhe të Infrastrukturës dhe Ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, duke shfrytëzuar platformën e bashkëqeverisjes, www.shqipëriaqëduam.al. Është praktika e parë, kështu që do na vlejë edhe neve për të kolauduar modelin, por modeli është sipas interpelancës parlamentare; Një grup bën kërkesën, përcaktohet dita dhe ora, pastaj kërkuesit e interpelancës bëjnë parashtrimin e tyre, siç ata vetë e preferojnë, përmes një personi, apo disa personash, me një minutazh të caktuar. Më pas, pala jonë kthen përgjigje, duke dhënë një pasqyrë të këndvështrimit mbi çështjen. Pas nesh, edhe njëherë, ju keni të drejtën e një replike dhe në fund fare, ne japim përgjigjen konkluzive, që mbyll edhe interpelancën.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Kamber Iliazi: Përshëndetje për nismën! Zoti Kryeministër, zotërinj ministra, dua t’u bëj me dije se problemet tona janë të shumta. Kërkesat tona, unë po i përmbledh në disa pika:
1. Fillim dhe vazhdim i punës me cikël të mbyllur të naftës së vendit, sipas premtimit tuaj zoti Kryeministër; 2. Të garantohen detyrimet e punonjësve për pagat e prapambetura dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; 3. Implementimi i Statusit të Naftëtarit, që u miratua para 1 viti.
Punonjësit janë me kredi në masën 39% nëpër banka. Shpresën dhe besën e kemi tek ju. T’i japim fund njëherë e mirë drejtimit korruptiv të kompanisë ARMO, ta kthejmë në jetë industrinë e përpunimit të thellë të naftës, si i vetmi aset në llojin e vet në të gjithë vendin tonë. Punonjësit e uzinës së Ballshit, si sektori më i vështirë në ekonominë e vendit janë të ngarkuar nga ana shëndetësore me karbon në gjak. Është paradoks dhe fatkeqësi e madhe që 120 shokët tanë, pa dalë në pension kanë kaluar në atë jetë. Nuk funksionon si duhet as qendra shëndetësore. Edhe i vetmi repart i sëmundjeve profesionale që ka qenë në Tiranë është mbyllur. Prandaj kemi kërkuar që nëpërmjet jush, edhe pak kontribut që mund të jepet nga donatorë të ndryshëm, të hapet sa më shpejt ky repart i domosdoshëm, që ne ta shijojmë këtë jetë. Gjithashtu, nëpër sektorë të naftës, ku ndotja është prezente, është e nevojshme që qendra shëndetësore të mos rrijë si karakatinë, por të jetë në funksion.
Para 1 viti u votua Statusi i shumëpritur dhe qe dëshira juaj për ta bërë atë status. Por shikojmë me keqardhje që implementimi i tij është i vonuar. Unë pyes, kush i pengon organet ligjzbatuese për ta vënë në jetë këtë status?
Zoti Kryeministër, morët një barrë të madhe për CEZ-in, ndërsa për ARMO-n e quaj barrë të vogël, por jo e papërfillshme, që t’i kthehet Albpetrolit, pasi duke qenë se është pionierja e përpunimit të thellë të naftës, do të thotë që me vënien në eficensë të kësaj rafinerie prodhohet një gamë e gjerë produktesh me standarde europiane dhe i kthehet ekonomisë së vendit një e ardhur e konsiderueshme. Ju bëj me dije se kjo rafineri është në gjendje të mirë teknike. Ajo është në gjendje të përpunojë 1 milionë ton naftë vendi në vit. Mban 57% të nevojave për karburante në vend dhe siguron rreth 37% të prodhimit të vendit.
Kemi pasur një kërkesë të kahershme, të realizohet një mundësi për një hetim nga momenti i privatizimit deri më sot. Kush ka përgjegjësi të mbajë përgjegjësi.
Gëzim Malkaj: Pyetje drejtuar ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri. A keni dijeni për investime konkrete në rafinerinë e Ballshit? Sipas aktmarrëveshjes duhet të investoheshin 240 milionë dollarë në një periudhë të caktuar. Pse është toleruar në këtë abuzim? A është e mundur zgjidhja e varësisë së aseteve të ARMO-s nga bankat tek një pronar i besueshëm, ose mundësia e rikthimit në pronë publike?
Gjergji Selmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të Naftës në Ballsh: Një pyetje për zotin Gjiknuri. A mund të na thoni konkretisht kush është fati i 15% të aksioneve të shtetit në kompaninë ARMO? Sa rol luajnë këto 15% të aksioneve? Pyetja e dytë për zotin Ahmetaj. A mund të na informoni sa janë këto borxhe të krijuara nga kompania ARMO, që kur flitet për shuma të mëdha, 500 milionë, 600 milionë, duam ta dimë konkretisht? A ka një mekanizëm ligjor, nga ana juaj, për lirimin e kësaj kompanie nga këto borxhe?
Genci Myftaraj: A është e mundur që në sektorët e naftës të ngrihen qendra shëndetësore dhe reparte të sëmundjeve profesionale në Tiranë, ose në Fier?
Jemi në pritje të fillimit sa më shpejt të rafinerisë së naftës në Ballsh, për arsye se e vetmja mundësi financiare që kemi ne, për të ushqyer familjet tona. A i përmbahesh zoti Kryeministër atij premtimi që bëre gjatë fushatës për ciklin e mbyllur të naftës? A i përmbahesh zoti Kryeministër atij premtimi që iu bëre punonjësve të uzinës së Ballshit, se do t’u japim lekët e prapambetura?
Skënder Canaj: Ne kemi problemet tona, se 29 muaj pa u paguar. Problemet tona kanë rënë gjithmonë në vesh të shurdhër.
Përparim Hasani: Përfaqësoj Sindikatën e Zjarrfikësve. Nënstacioni 110 kilovat, nënstacioni 85 kilovat, nënstacioni i pompave të ujit të Poçemit dhe reparti zjarrfikës, kemi mendimin të kalojë në varësi publike, sepse kemi shkuar disa herë te ministri Gjiknuri dhe nuk e kemi gjetur zgjidhjen për repartin zjarrfikës.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri: Kemi komunikuar vazhdimisht në zyrën time me shumë nga ju. Me shumë nga këto probleme kemi pasur rastin dhe i kemi trajtuar gjithmonë në mënyrë shumë transparente dhe me vullnetin e mirë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare, e qëndrueshme, për një problem të vështirë, jo të krijuar nga kjo qeveri dhe këtë duhet ta pranojmë dhe ju këtë e dini. Një privatizim i shkuar dëm, i bërë keq. Shumë nga pyetjet që ju ngrini këtu kanë të bëjnë me mënyrën sesi është gjeneza e këtij privatizimi. Po e nis nga një problem që ju e ngritët në fund, nënstacionet, pompat dhe zjarrfikëset, të gjitha qenë pjesë e paketës së privatizimit, që normalisht nuk duhet të ishte kështu, sepse nënstacioni elektrik i shërben edhe qytetit, ashtu si dhe pompat e ujit i shërbejnë bashkisë atje. Fatkeqësisht edhe këto janë asete që u privatizuan. Megjithatë, ky është një problem i filluar keq nga një privatizim. Që në momentin që qeveria e sotme shqiptare mori pushtetin në 2013-n, kjo kompani kishte falimentuar. Përpjekjet tona kanë qenë brenda një hapësire ligjore, që të bëjmë të mundur që kushdo që merrte përsipër të investonte në këtë rafineri të kishte mundësi edhe për furnizimin me naftë, por të kishte një mjedis normal të punës.
Përsa i përket ciklit të naftës, ne e kemi vënë në program qeveritar dhe fakti që gjithmonë i kemi kushtuar vëmendje një problemi, megjithëse vjen nga një sektor i privatizuar, ka qenë qëllim që nafta të përpunohej në vend. Vetëm shifrat që do u jap për vitin 2017-të, janë 450 mijë ton naftë, pra, afërsisht 50% e naftës që prodhohet në Shqipëri është përpunuar në vend. Edhe nafta që ka pasur në dispozicion Albpetroli gjithmonë ka qenë me destinacion tregun e brendshëm, për t’u përpunuar në vend. Fatkeqësisht, uzina nuk është menaxhuar siç duhet, por menaxhimi është privat. Duhet ta kuptoni që edhe shteti në një ekonomi tregu ka limitet e tij. Është çështje tjetër që ia vlen debati, a duhet të kishte kompani shtetërore për përpunimin e naftës, por shteti e bëri një zgjidhje që kur e privatizoi.
Së pari, keni pasur të drejtë për punën e statusit dhe jo më larg se para disa ditëve, përfaqësuesit e Sindikatës kanë qenë në Ministri dhe ne kemi thënë, përgatisni dokumentacionin. Keni ngarkuar përfaqësues të Sindikatës. Ne jemi të gatshëm të kryejmë edhe hapin e fundit të një vendimi dhe ju do të jeni grupi i parë që do trajtoheni me precedencë dhe me shpejtësi. Të vijnë dosjet atje dhe automatikisht, të gjithë ata që i takon statusi do trajtohen me shpejtësi. Kjo zgjidh edhe një problem tjetër tuajin, që në momentin kur uzina nuk punon, ka falimentuar, apo njerëzit dalin të papunë, përfitojnë nga statusi ato elementë që ua jep statusi, pra, janë ato 3 pagat e para që i parashikon statusi, deri në 3% mos gaboj dhe pjesa tjetër, trajtimi, siç përcakton legjislacioni në fuqi, për statusin. Në vazhdën e takimit që kemi bërë ditën e enjte, unë ju pres, njerëzit janë në gatishmëri, po ju presin. Së bashku me ministrin e Financave diskutuam edhe sot në mëngjes, të përshpejtojmë pjesën e fundit. Jeni të parët që ai komision do trajtojë me shpejtësi, me precedencë. Kështu që çështja e statusit merr zgjidhje, është çështje vetëm vullneti, komunikimi, të ngarkoni disa perona. Ne jemi në dispozicion. Unë jam i gatshëm të vë gjithçka në dispozicion.
Përsa i përket çështjeve të nënstacionit, – është edhe problemi i popullatës së Mallakastrës, – do fillojë nga OST ndërtimi i një nënstacioni të ri përforcues, sepse edhe gjendja e nënstacionit pa investime është kthyer në një rrezik.
Për problemet që keni pasur, pagesa për sigurimin, zjarrfikëset, unë vetë kam bërë edhe ndërhyrjet e mia te bankat, në mënyrë që këta persona të paguhen, sepse është problemi i sigurisë së objektit. Besoj dhe këtë e dini, edhe nga komunikimi që kemi pasur, e kemi realizuar që stafi minimal të paguhet, sepse aseti duhet të jetë i mbrojtur mbi të gjitha. Nuk është vetëm çështja e asetit, por jeta e njerëzve dhe rrezikohet i gjithë vendi aty, nëse nuk do të tregohet kujdes. Disa probleme kanë qenë të bëra mbrapsht me privatizimin.
Pjesën e rrjetit elektrik po e shikojmë. Kam autorizuar Operatorin e Shpërndarjes. Meqenëse kompanitë që kanë qenë, kanë krijuar borxhe, po shikojmë mundësinë që këto stacione t’i marrë shteti, pra, OSHEE, sepse janë asete të energjisë elektrike që i shërbejnë edhe uzinës, edhe bashkisë.
Përsa i përket pompave duhet edhe pushteti vendor në Mallakastër. Edhe për këtë jemi të gatshëm të bëjmë çfarë është e mundur, t’i marrim në administrim ato, nëse do gjendet dhe aty një zgjidhje nga pikëpamja ligjore, por një rol duhet ta ketë pushteti vendor.
Përsa i përket aksioneve të shtetit, po ju them që kompania ARMO ka falimentuar. Ajo nuk ekziston më si kompani operative. Është një kompani e zhytur në borxhe. Por çfarë ka bërë shteti? Ne kemi filluar të gjitha proceset tona ligjore, për t’i shkuar mbrapa çfarëdolloj aseti që është i mundur të rikuperohet. Ju e dini që pak kohë më parë, edhe organet tatimore kanë vënë sekuestro për një pjesë të aseteve, edhe unë kam autorizuar Albpetrolin që për gjithë borxhet që ka krijuar kjo kompani të shkojë në procedura gjyqësore dhe të verë sekuestro, aq sa ka mundësi, brenda procedurave ligjore, për të rikuperuar çfarë mundet të rikuperojë. Por janë disa gjëra që duhet të na mirëkuptoni, bëhen në kohën e duhur. Këto gjëra nuk u bënë në vite, kur ARMO fillojë të akumulojë borxhe të mëdha e praktikisht, kur erdhëm ne në pushtet, ARMO iku bashkë me Rezart Taçin, ju e dini shumë mirë, nuk ekzistonte më. Ne jemi munduar brenda një kuadri, pasi i kemi pasur duart e lidhura nga ana ligjore, që të kemi mundësi të ketë investitorë që të investojnë aty dhe të bëjmë çmos që ajo uzinë të punojë brenda hapësirave që ka shteti. Pasi ajo nuk është ndërmarrje shtetërore, duhet të na mirëkuptoni. Ne kemi bërë çmos që, sa herë kemi pasur mundësi, të sigurojmë furnizimin me naftë, t’i krijojmë lehtësitë e nevojshme, që ajo uzinë të punojë. Por ne nuk do të heqim dorë. Ne do përpiqemi që në çdo rast të gjejmë investitorët e duhur, që kësaj radhe, ai që investon atje ta marrë përsipër, sipas kuadrit ligjor dhe njëkohësisht, personat që kanë fituar statusin, një pjesë prej tyre, ata që janë afër pensionit, do të gëzojnë statusin, pjesa tjetër do të kenë mundësi të punësohen në mënyrë të qëndrueshme.
Problemi nuk është i thjeshtë, se nuk është njësoj si me energjinë elektrike. Nafta është e rëndësishme dhe përpunimi i saj është i rëndësishëm, por është njëra nga industritë. Shqipëria ka shumë nevojë për përpunimin edhe të naftës, edhe të mineraleve dhe ne duhet të nxisim çdo lloj investimi dhe e kemi nxitur, qoftë në naftë, qoftë në minerale, por energjia elektrike ishte jetike, sepse ajo është e pazëvendësueshme. Një rrjet ka vendi, prandaj u mor ai vendim, se pa energjinë elektrike është si të lësh veten tënde pa oksigjen, apo pa ushqim.
Ne na keni të gatshëm, po punojmë përditë e ju bëj thirrje si drejtues të sindikatës, ejani që këtë javë të fillojmë me dosjet e para. Janë shumë pak dokumente e nëse keni dokumente për të cilat keni nevojë për ne, jemi të gatshëm të vënë në dispozicion njerëzit që duhen, në Fier, në Ballsh, për t’i bërë ato, në mënyrë që të shikoni se e kemi seriozisht punën e statusit.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj: Më lejoni t’i kthehem të kaluarës, sepse aty e kemi gjenezën e gjithë problematikës. Kemi trashëguar një privatizim jo të duhur, shumë të keq madje, nga një investitor aspak serioz dhe ju me të drejtë e theksoni çështjen që duhet të kemi investitorë seriozë. Nafta, përpunimi i saj është komplekse dhe do edhe kapital, edhe dituri, edhe seriozitet. Ju e mbani mend, që ARMO pas privatizimit, ku Kryeministri, të gjithë ne në parlament e kundërshtuam, rezultoi në krye të një viti i gabuar dhe në 2013-n, vetëm dy banka i kishin dhënë borxh Rezart Taçit, pa verifikuar shpenzimet në atë aset strategjik, gati 100 milionë. Këtë situatë falimentimi me borxhe ndaj bankave, me borxhe ndaj punonjësve, me borxhe ndaj tatimeve, trashëgoi qeveria “Rama 1”.
Lidhur me statusin, unë sugjeroj që të ngremë një njësi ndihmëse, për të përgatitur aplikimet tuaja, se mund të jetë një proces jo i lehtë për ndonjërin nga ju. Të bëjmë një grup të përbashkët me zyrat e punës dhe strukturat e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që t’ju ndihmojnë me statusin. Ne shumë shpejt kalojmë aktet nënligjore dhe ju të gjithë jeni drejtpërsëdrejti të mundshëm të kaloni menjëherë në përfitimet e statusit që nuk janë të vogla. Kuptohet që nuk e zëvendësojnë dot pagën, atë pagë që kemi ne si qëllim që të merrni në vazhdimësi, por gjithsesi zgjidhin një problem goxha serioz.
Së dyti, ne kemi marrë të gjitha masat ligjore, sepse nuk kemi qenë dakord me atë shpërdorim që i është bërë asetit për shkak të trashëgimisë. Kur ne skanuam çfarë po ndodhte aty, pjesën më të madhe të aseteve e kishin siguruar bankat për shkak të kredisë. Pra, nuk është se kemi një situatë që e morën bankat tani, apo e morën pastaj. Bankat e kishin marrë që në momentin 1, kur Rezart Taci kishte marrë borxhe nga bankat, 100 milionë. Më mirëkuptoni, ka një kuadër ligjor që e drejton gjithë këtë marrëdhënie midis kreditorëve, midis bankave, midis aseteve dhe shteti ka distancë nga marrëdhënia private midis bankave dhe kompanisë. Ndërkohë që unë besoj se aty nuk është investuar asnjë lek, gjatë kohës që u privatizua. Kur zoti Iliazi thotë që është në gjendje teknike të mirë, – po është në gjendje teknike të mirë, – por jeta juaj, e minatorëve vlen shumë më shumë se çdo lloj e mire tjetër që mund të vijë atje. Ne i kemi marrë të gjitha masat ligjore, për të ndjekur të gjitha ato që ne mendojmë, duke filluar që nga asetet, nga borxhet, nga detyrimet e tjera. Po ashtu do krijojmë njësinë e përbashkët me ministrin Gjiknuri për statusin. Ndërkohë ju e dini që Kryeministri ka dhënë urdhër për të parë mundësinë e hapjes së repartit të sëmundjeve profesionale, që ju e keni të rëndësishme.
Naftëtar: Duke qenë se jemi në këto kushte, përsëri gjej momentin t’ju falënderoj që po na dëgjoni, por falënderimin më të madh do ta merrni kur ta zgjidhni. Jo më kot jemi rropatur lart e poshtë në këmbë, deri në Tiranë, jo për të rrëzuar pushtetin, por për të ngritur pushtetin. Ky pushtet erdhi nga duart tona e do të mbahet nga ne, duke udhëhequr, duke u drejtuar e duke zgjidhur problemet nga ju. Ajo uzinë, ai kompleks industrial është projektuar për naftën e vendit. Për shembull, nga viti 2008 që është privatizuar e deri sot që po flasim, ne nuk kemi kërkuar rritje page, sepse kemi dhënë gjykimin njerëzor. Por, nëse nuk vihet dorë nga ju, unë kam bindjen e plotë që nuk ka për t’u zgjidhur. Nuk ka asnjë lloj serioziteti nga pronarët që marrin këtë kompani, që rrinë në hije, që nuk derdhin detyrimet në shtet. Prandaj ju lutem ta merrni seriozisht. E para, pronari të njihet kush është, të reflektojë para jush e para nesh të gjithë kapacitetin financiar, gjithë detyrimet ligjore, a ka licencë apo jo. Sa më seriozitet të ketë, sa më e qartë të jetë zgjidhja, aq më e gjatë do jetë vazhdimësia. Ne duam punë, na mbështesni të punojmë.
Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për këtë komunikim.
Më lejoni t’ju them disa fjalë fillimisht, duke qenë se kjo është dhe eksperienca e parë e interpelancës përmes platformës shqiperiaqeduam.al dhe vlen për t’ju thënë të gjithëve, që mund të jenë grupe interesi, mund të jenë komunitete, shkolla, që kanë një çështje me interes publik për të ngritur, që mjafton të regjistrojnë interpelancën në platformë dhe ministri përkatës, unë apo dy ministra do të jenë në dispozicion në këtë sallë interaktive. Kjo vlen edhe për protestat e kësaj natyre, flas për protestat që kanë synime, siç është synimi juaj. Natyrisht, nëse ju doni të vini prapë në këmbë në Tiranë, është e drejta juaj. Nuk është diçka që më takon mua ta vendos, por besoj që, njëkohësisht, shfrytëzimi i kësaj mundësie për të shtruar problemin dhe për të dëgjuar pikëpamjen e qeverisë, lehtëson shumë komunikimin, lehtëson shumë edhe mirëkuptimin dhe mund të mos jemi dakord, por të paktën kuptojmë njëri-tjetrin.
Ndërsa me ju drejtpërdrejtë, unë nuk kam asgjë tjetër për të thënë, përveç se jam shumë darkod. Së pari, për t’u kthyer pak në kohë. Privatizimi i ARMO-s ishte kriminal, jo i gabuar apo i dështuar, por kriminal. Ne e kemi ngritur këtë atëherë dhe nuk po i kthehem privatizimit për të lënë topin jashtë fushës tonë, por për të thënë që, si pasojë e atij privatizimi kriminal të atyre që sot bërtasin për të drejtat tuaja, operacioni doli me sukses dhe pacienti vdiq, kështu filloi historia. E çfarë ne morëm, ishte praktikisht një i vdekur që duhej ringjallur.
Nga pikëpamja e pronarit, pronari i ARMO-s është banka. Pronari i ARMO-s nuk është shteti dhe nuk është as ai që e privatizoi, që ju e dini, nuk dimë as ku është. Është banka. Ajo çka ne kemi bërë, pikërisht sepse nga njëra anë jemi shumë të vetëdijshëm për vlerën kombëtare që ka ai aset, por dhe për vlerën strategjike që ka ai sektor, ka qenë që të bëjmë çmos për të nxitur interesimin e investitorëve të mundshëm, që ajo të vihet në punë dhe në atë të investohet. Ju thoni që gjendja teknike është e mirë, por, në fakt, gjendja teknike, sipas parametrave normalë të sigurisë, nuk është dhe aq e mirë. Problemet e sigurisë aty janë serioze e për këtë arsye duhet patjetër që të investohet për sigurinë.
Elementët e tjerë që ju përmendët, unë jam absolutisht plotësisht me ju, pra, qendra shëndetësore, nënstacionet elektrike, uji, është e pakuptueshme dhe e paimagjinueshme, sesi u futën të gjitha në atë privatizim kriminal dhe sot janë të gjitha pjesë e problemit që ne kemi nisur të adresojmë jo sot, por kemi nisur të adresojmë me kohë, në mënyrë që të realizojmë ndarjen e qartë të përgjegjësive. Nuk mundet dot t’ia lëmë përgjegjësinë e nënstacioneve, bankës.
Në të njëjtën kohë, mos harroni që jemi në një sistem ku e drejta e pronës është një e drejtë që e ka ai që është pronari. Skema alternative e shtetëzimit është një skemë që ne nuk është se e kemi përjashtuar. E kemi vënë në tavolinë, e kemi studiuar, nuk e kemi mbyllur si mundësi, por nga konsultimet me ekspertë ndërkombëtarë të fushës dhe me ekspertë vendas nuk është se kemi një pamje të qartë dhe nuk duam të kalojmë nga një qorrsokak në një qorrsokak tjetër. Aq më tepër që është një skemë me një kosto që sot për sot, ne nuk e marrim dot përsipër.
Për pyetjen, a i qëndroj unë premtimit; Unë i qëndroj të gjitha premtimeve. Pra, premtimi për të krijuar kushtin themelor të ciklit të mbyllur, sepse, siç e tha dikush nga ju, ajo është një rafineri që qysh në gjenezën e vet është projektuar dhe është ndërtuar për të shfrytëzuar burimet, me të gjitha karakteristikat që ka nafta në atë burim. E për këtë është e domosdoshme që rafineria të garantohet me furnizim të pandërprerë nga burimi, që edhe ai nuk është një burim shtetëror, në kuptimin e operimit, por është një operator privat, Bankers Petrolium. Edhe në këtë aspekt, unë mund t’ju them se, nëse do të numëroja takimet që personalisht kam bërë, pa llogaritur takimet që ka bërë ministri i Energjisë, apo ministri i Financave me Bankers-in qysh ditën e parë, për të nxitur pikërisht këtë, planifikimin në funksion të ARMO-s, ju do të çuditeshit nga numri i takimeve dhe nuk është se nuk kemi pasur fare sukses, por nga ana tjetër ka munguar disponibiliteti në vazhdimësi i atyre që e kanë operuar, për t’ju përgjigjur financiarisht Bankers.
Në ndërkohë nuk është se e kemi mbyllur këtë sy dhe e kemi mbajtur vetëm hapur syrin e statusit dhe të pagesës së papunësisë dhe të gjithë këtyre të tjerave. Ne nuk jemi dorëzuar. Unë nuk hyj tek ata që dorëzohen. Ne kemi vazhduar të bëjmë të gjitha komunikimet e mundshme, me kontakte të ndryshme serioze, për të parë disponibilitet. Nga ana tjetër duam që, nëse do të rifuten në proces për të nxitur një tjetër operim, pra, për të nxitur rindezjen e rafinerisë, ta bëjnë me garanci të plota financiare, në raport me bankën, në raport me ju, në raport me shtetin, jo me thjesht kënaqësinë se po rindizet, po fillon puna dhe të shikojmë rrugës. Të shikojmë rrugës nuk ka më. Ne nuk do shikojmë më rrugës, ne do luftojmë për të dhënë një zgjidhje përfundimtare, cilado qoftë ajo.
Nga ana tjetër, statusi është gati për ju. Ju jeni informuar nga ministri që duhet të plotësoni dokumentacionin. Kur po përgatisnim interpelancën, u hodh mendimi që ne jemi gati të ngremë edhe një njësi që t’ju ndihmojë për plotësimin e dokumentacionit, për çfarëdolloj problemi mund të ketë nga pikëpamja e plotësimit të dokumentacionit. Por statusi është gati për ju, ka kohë. Ju thjesht duhet të plotësoni dokumentacionin, sepse ne kemi parasysh që në kuadrin e statusit duhet të përfitojnë naftëtarët, pasi janë bërë dhe disa propozime aty, që njerëz që kanë qenë nëpër zyra dhe që kanë qenë specialistë në ministri për naftën dhe qenkan me status naftëtari. Këto janë gabime që ne do t’i korrigjojmë. Ndërkohë, çdo naftëtar, çdo punonjës në naftë do të bëjë statusin dhe ju jeni naftëtarët konkretë, që jepni dhe merrni përditë atje, qoftë kur ajo rri ndezur, qoftë kur ajo fiket, se prapë aty jeni dhe mezi prisni që ajo të rindizet. Kështu që ju lutem shumë, për statusin mos ta diskutojmë fare. Ministria është në dispozicion, ju vetëm plotësoni dokumentacionin dhe nuk keni asnjë problem tjetër. Nëse dikush do të dëshmojë kundër, unë do t’i kërkoj falje publikisht, por kjo është e vërteta.
Më bëtë një pyetje për hetimin. Miqtë e mi, hetimet nuk i bën qeveria, hetimet i bën një institucion tjetër dhe në Shqipëri, vetëm përpara pak javësh, besoj edhe ju mund ta keni ndjekur, u tentua të mbyllej hetimi për një tjetër krim si ky, për privatizimin e CEZ-it. Prokuroria kërkoi të mbyllte dosjen, prokuroria vetë shkoi në gjykatë të tërhiqej. Një gjë e paimagjinueshme. Këtu, akoma nuk po hetohet diçka që është një nga faktet më tronditëse në historinë e marrëdhënieve të qeverive me pronën e popullit. Kështu që nuk e di, a do ndodhi ndonjëherë hetimi për ARMO-n, por unë jam absolutisht me ju, që është një privatizim kriminal, për të cilin nuk ka pasur asnjë ndëshkim deri më sot.
Këtu ndëshkueshmëria ka qënë vetëm për ata që s’kanë pasur pushtet dhe prandaj, ne jemi shumë të impenjuar për të çuar deri në fund Reformën në Drejtësi dhe prandaj edhe kërcasin çizmet dhe shishet, pse emërohet një Prokurore e Përgjithshme që për herë të parë nuk është nën kontrollin e atyre që kanë mbajtur në kontroll, historikisht, drejtësinë dhe kanë mbajtur mbyllur kapakët e zullumeve të të gjitha qeverive, po të doni.
Nuk dua të them as data, as afate, por jam shumë shpresëplotë, që shumë shpejt do të takohemi prapë, unë do të vij në Ballsh, siç erdha herën tjetër, për ta rivënë në punë rafinerinë tjetër. Për këtë po punojmë.