Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u takua në Portin e Peshkimit të Durrësit me peshkatarë dhe sipërmarrës së industrisë së përpunimit nga Shkodra, Saranda, Lezha, Vlora. Kthimi përfundimtar i këtij porti, por jo vetëm, nga një hapësirë kaotike jahtesh e varkash në një port të mirëfilltë për peshkatarët është një prej objektivave të qeverisë, pranë realizimit.

Ashtu siç dëshmojnë edhe vetë peshkatarët, sektori i peshkimit në tre vitet e fundit, falë heqjes së akcizës së naftës për anijet e peshkimit, heqjes së TVSH për materialet e bordit, luftës kundër informalitetit në sektor, peshkimi ka njohur një bum të paparë zhvillimi, me rritje eksportesh nga 15 milionë euro në vit në 82 milionë euro vitin e fundit. Por, sipas Zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, ky është fillimi i një procesi zhvillimi të mëtejshëm, pasi nisma të reja do të vihen në zbatim së shpejti që mbështesin rritjen e prodhimin dhe hapjen e vendeve  të reja të punës.  “Një prej nismave që bëhet për herë të parë në Shqipëri, nëpërmjet AZHBR do të jepen 20 lekë/kg. për peshkimin e sardeles dhe açuges, e cila shkon për prodhimet e shitura tek stabilimentet e peshkimit. Vetëm nga kjo nisëm fitohen minimalisht 250 vende pune të reja, sepse është prodhim i destinuar për eksport. Sivjet fillon programi IPA, i cili do të japë 50 % mbështetje për ndërrimin e motorëve të anijeve të peshkimit, për gjithë frigoriferët në anijet e peshkimit dhe për të gjithë pjesën elektronike në të gjithë flotën tonë të peshkimit.”

Në perspektivën e zhvillimit të sektorit është edhe modernizimi i kushteve të tregtimit të peshkut, i konceptuar në ndërtimin e një rrjeti markatosh të standardeve bashkëkohore. “Në Portin e Durrësit do të nisim sivjet investimin për të përmirësuar markaton e peshkut. Këtyre investimeve do t’i shtohet markatoja e parë që po ndërtohet në Shëngjin. Gjithashtu për vitin e ardhshëm mbeten markatoja e Vlorës dhe e Sarandës, të cilat do t’i fillojmë. Në këtë mënyrë problemet madhore të peshkimit zgjidhen,” – u shpreh zëvendësministri Kristo.

Ndërsa Drejtorja e AZHBR,  Frida Krifca bëri të ditur se një mbështetje e rëndësishme do të jepet për ndërtimin e vend ankorimit të anijeve të vogla, si dhe ndërtimin e pikave të grumbullimit dhe atyre frigoriferike. “Ne do të mbështesim me 70 % të vlerës për ndërtimin e bankinave, në të cilat mund të ankorojnë anijet e vogla. Gjithashtu do të ketë investime në pika grumbullimi dhe në pika frigoriferike për gati 20 milionë lekë të reja.”

Kryeministri Rama premtoi se qeveria nuk do të mjaftohet me kaq, por shumë më tepër do të bëhet për sektorin, në aspektin e konkurrueshmërisë së produkteve, në tregun rajonal, sistemin e merkatove dhe ndërtimin e porteve. “Pavarësisht se ju jeni të kënaqur me këto që janë bërë, unë i konsideroj këto që janë bërë  zgjidhje të mbijetesës. Pra, pa këto ju ishit në një luftë, jam sot, s’jam nesër, dal sot, ngec në rërë nesër. Sigurisht janë të rëndësishme, sepse është vënë një bazë, por ne do të shohim në këtë 4 vjeçar për shumë më tepër  për zhvillimin e sektorit, për konkurrueshmërinë e sektorit me rajonin. Të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me fuqizimin e sistemit. Subvencionimi i açuges dhe i sardeles është hapi i parë, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me prodhimin, jo t’i marrim peshkatarit në prodhim, por t’i japim. Nga ana tjetër duhet të krijojmë sistemin e markatove, pra, të bëjmë bursën e peshkut. E më tutje të bëjmë gjithçka mundemi, por të zgjidhim patjetër portet. Së pari, atë portin e Shëngjinit që akoma sot ka një dryn. T’i japim komplet autonominë zonës së peshkimit.” ​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.