Deklarata e Zv/ministrit të Brendshëm Julian Hodaj:
Sot, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”.
Qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. Në radhët e këtyre institucioneve ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohen institucionet e së ardhmes.
Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht largimi i disa individëve nga këto struktura. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi, korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e këtyre institucioneve.
Ky projektligj përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.
Është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin.
Janë konsideruar me kujdes të gjitha aspektet organizative dhe financiare, për një proces të paanshëm, cilësor e transparent, të shpejtë në kohë dhe me kosto të përballueshme, duke qenë se flasim për vlerësimin e rreth 13,000 punonjësve.
Drafti u hartua me bashkëpunimin e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, PAMECA dhe ICITAP, të cilat ishin pjesë e grupit të punës.
Projektligji ka kaluar edhe një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke filluar nga konsultimi me vetë punonjësit që do ti nënshtrohen këtij vlerësimi, për të kaluar në konsultimin me përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe përfaqësive, apo misioneve diplomatike prezente në Shqipëri.
Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt vetë punonjësve dhe publikut.
Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vetingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi.
Ministria e Brendshme falënderon të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e këtij projektligji për qasjen pozitive, konstruktive dhe për kontributet e dhëna në përmirësimin e cilësisë së kësaj nisme.