Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në konferencën kombëtare për reformimin e shërbimeve administrative:

Sot u paraqit një përmbledhje shumë e sintetizuar e një pune shumë voluminoze, që ka angazhuar të gjithë qeverinë prej 4 muajsh, për të penetruar në xhunglën e letrave, dokumenteve, lejeve, autorizimeve, licencave, ku janë gjetur edhe gjëra që as nuk dihej dhe ishin harruar që ekzistonin dhe për të nxjerrë prej aty disa përfundime të para e të rëndësishme, lidhur me hapat që duhen ndërmarrë për të prerë sa më shumë dru të shtrembër dhe cungje në me të rrugës në këtë xhungël. Një xhungël që ka tmerruar publikun prej kaq shumë vitesh me labirintet, shtigjet, gropat, pritat dhe në një proces ku publiku presupozohet se merr shërbime, por, në fakt, këto shërbime i paguan shumë shtrenjtë nga pikëpamja e kohës, e stresit dhe ajo financiare. E nuk është vetëm kostoja e këtyre shërbimeve, por dhe kostoja shtesë, shumë më e rendë, e ryshfetit dhe korrupsionit.

Ne besojmë se këtu është një nga ato momente kyçe të një transformimi historik të marrëdhënieve të shtetit me qytetarin dhe të sipërmarrjes me shtetin. Ne besojmë që, duke shkurtuar në mënyrë drastike procedurat, duke ulur në mënyrë drastike numrin e letrave, dokumenteve, licencave, autorizimeve, lejeve apo vërtetimeve të pafundme që kërkohen nga qytetarët dhe nga sipërmarrja, nxisim energji të re në gjithë shoqërinë dhe krijojmë hapësira të panjohura më parë të të jetuarit normalisht në këtë shoqëri e të të bërit normalisht punë dhe biznes.

Mjafton të sjell një fakt, – vetëm me çfarë kemi konstatuar deri tani dhe kjo është vetëm faza e parë, se ka ende plot gjëra për të diskutuar e shqyrtuar e ende plot mundësi për të shkurtuar, – ne shkurtojmë 1360 vjet pritje në një vit të vetëm. Është një volum i paimagjinueshëm kohe, stresi dhe sigurisht, i panevojshëm shpenzimesh mbi dhe nën dorë, prej 1360 vitesh që shkurtohen, që do të thotë se shkurtohet në mënyrë drastike numri i ndërveprimeve mes qytetarit dhe shtetit, mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke shkurtuar duart e shtetit në jetën dhe në xhepin e qytetarëve dhe të sipërmarrjes. Është një reformë anti-tepsi e mirëfilltë. Një operacion anti-tepsi në kuadër të objektivit strategjik të këtij mandati, për ta çuar tepsinë për skrap, sepse shumëkush që vazhdon dhe kërkon një punë shteti, nuk e kërkon për t’i shërbyer shtetit, por e kërkon me idenë e rehatisë dhe mundësisë për të zgjatur duart në drejtim të xhepit të qytetarëve dhe sipërmarrjes.

Shumëkush që punën në shtet e sheh si të vetmen mundësi reale e lidh këtë mundësi reale me shansin për të futur edhe ai dorën në tepsinë e madhe, që për fat të keq u bë gjithmonë e më shumë sheshi për përsheshin e partive dhe arsyeja e moskrijimit të kushteve që shteti ynë, administrata jonë të modernizohet. Nëse flasim për korrupsionin që shqetëson qytetarët, kemi nga një anë, korrupsionin e lartë për të cilin reforma në drejtësi, vetting-u është ilaçi i duhur dhe ndëshkimet që do pasojnë janë ilaçi i duhur, por kemi dhe korrupsionin e gjithëpërhapur të nevojës për ryshfet, që është tipik për vende në zhvillim e që nuk e gjen në vende të zhvilluara ku korrupsioni i lartë është prezent kudo.

Në këtë aspekt, ne besojmë shumë që përgjigja është modernizimi. Modernizimi ka një komponent themelor, shkurtimin e duarve të shtetit në jetën dhe në xhepin e qytetarëve për shërbime që janë të drejta të fituara të qytetarëve apo të sipërmarrjes dhe që shteti duhet t’i garantojë. Ne do të vazhdojmë procesin. Kemi realizuar disa gjëra të rëndësishme. Ndër më të rëndësishmet është realizimi i një ëndrre të paimagjinueshme të të gjithë importuesve, për të hequr figurën e doganierit nga familja e tyre, për të mos e pasur doganierin prezent në jetën e tyre, si një hije në çdo hap dhe sot të importosh në Shqipëri e të eksportosh nga Shqipëria është dhe do të jetë një proces pa doganierin në mes. Mjafton një kompjuter dhe për 20 minuta t’i zhdoganon mallin. Të gjitha këto sëbashku sjellin një ulje të konsiderueshme të një stresi social që krijohet nga shumë arsye, por që një nga arsyet themelore ka qenë dhe mbetet sjellja e administratës, sjellja e shtetit në raport me qytetarin dhe sipërmarrjen.

Në turin paselektoral njëmujor të dëgjesave, ne e konstatuam këtë qartësisht. Të gjitha problemet e tjera, sigurisht janë të mëdha, janë të rëndësishme e duhen adresuar, duhen zgjidhur, por ky problem ishte i kudondodhur; dhuna, presioni, tortura e parazitëve dhe grabitqarëve të zyrave të shtetit ndaj qytetarëve. Kjo për ne është një betejë për jetë a vdekje. Është një betejë dhembë për dhembë dhe një betejë me armikun publik numër 1, sot, të qytetarit dhe të sipërmarrjes shqiptare, që është paraziti dhe grabitqari në zyrën e shërbimit përkatës administrativ.

Reforma do kërkojë kohën e vet, sepse kemi jo thjesht çfarë do bëjmë ne, por dhe çfarë duhet të bëjnë edhe qytetarët e sipërmarrja. Ne do të shkojmë shumë më shpejt e me shumë më tepër forcë në këtë proces, duke shkuar drejt heqjes së mundësisë për qytetarët dhe për sipërmarrjen për të marrë shërbime në dorë me letër, në rastin kur këto shërbime janë të disponueshme në rrugë dixhitale, sepse duke i lënë të dyja mundësitë, vazhdojë kemi problematika të panevojshme, vazhdojmë kemi situata që mund të eliminohen lehtësisht.

Nga ana tjetër është domosdoshmëri që njerëzit të kenë mundësi të marrin atë që ju takon, pa pritur që kjo reformë, ky operacion të përfundojë e të japi të gjithë rezultatet në katër vite. Kjo do të thotë që sot, çdokush duhet të ketë forcën të reagojë dhe të marrë atë që i takon, kur gjen përballë një parazit apo një grabitqar që e pengon të drejtën e tij, sepse pjesa e dokumenteve që hiqen është njëra anë e medaljes, problemi është se me dokumentet që mbeten, kush është sjellja e shtetit. P.sh., kush është sjellja e shtetit me titullin e pronësisë, që është një dokument që mbetet e nuk mund të hiqet.

E për këtë arsye, sot kemi këtë panel që i dedikohet platformës së bashkëqeverisjes, si një tjetër përpjekje për t’i thënë të gjithë qytetarëve se platforma e bashkëqeverisjes është reale, funksionon, mjafton që të marrësh mundimin 3 minuta dhe në vend se të kërkosh mik, në vend se të japësh lekë, të presësh që zgjidhja të të vijë nga rrugë të vjetra, thjesht e vetëm të besosh që t’i e zgjidh vetë problemin tënd, për 3 minuta, duke futur mikun më të madh, Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Duke futur mikun më të lartë, misterin apo ministren përkatëse në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, sipas sektorit ku ti po e kërkon të drejtën dhe sot kemi mbi 2500 raste konkrete, siç janë këto 5 raste këtu, që e provojnë këtë.

Sot kemi 35 punonjës hipotekash që janë në derën e prokurorisë. Nuk i ka dërguar auditi, nuk i ka dërguar kontrolli i shtetit, nuk i ka dërguar një hetim administrativ i ndërmarrë me iniciativë nga ministria. I ka dërguar ai numër qytetarësh që kanë reaguar, kanë ngritur krye e nuk kanë pranuar më të zvarriten, por që kanë marrë ato tre minuta, tek shqiperiaqeduam.al kanë denoncuar rastin. Si çdo rast tjetër që denoncohet në platformën e bashkëqeverisje, rasti është marrë në dorë nga ministrja e Drejtësisë, është hetuar brenda 10 ditëve e si për të gjitha rastet, kur titulli i pronësisë i ka takuar qytetarëve, qytetarët e kanë marrë titullin e pronësisë. Ama është hetuar se kush ua ka penguar me vite dhe të gjithë ata që e kanë penguar janë larguar nga detyra e janë për hetim. Ta provojnë ata, pse e kanë penguar. E kanë penguar se janë parazitë, apo se janë grabitqarë. Në të dyja rastet, qofshin grabitqarë, qofshin parazitë, shtetit dhe administratës nuk i duhen. Në rastin kur janë thjesht parazitë, le të vazhdojë të kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë dyerve të shtetit. Kur janë grabitqarë, le të shkojnë aty ku e kanë vendin. Këtë e provon prokuroria dhe gjykata.

Këtu janë disa persona konkretë, zonja mund të flasë konkretisht për rastin e saj.

Qytetare: Unë pata një problem të madh me certifikatën e pronës. Nuk arrija ta merrja. Kisha që në vitin 2005. Vendimin e gjykatës e kisha dhe ata më sorollatnin. Vajza ime dhe unë arritëm me portal, u regjistruam dhe për 10 ditë e mora certifikatën e pronës.

Kryeministri Rama: Që nga viti 2005, në pritje të zbatimit të një vendimi gjykatë. Që nga viti 2005, në derën e hipotekës dhe natyrisht, për parazitët dhe grabitqarët, më viktimë nuk mund të ketë. Një grua pa miq, pa para, me një familje që nuk arrin dot të marrë një të drejtë që ia ka dhënë gjykata. E kjo, se për ata është një mish për top, si shumë e shumë të tjerë. Ka mjaftuar thjeshtë dhe vetëm hyrja në platformë dhe kjo zonjë, si çdokush tjetër që bën këtë hap, merr në dorë fatin e vet, bashkëqeveris për hallin e vet dhe ministrja e Drejtësisë bëhet drejtpërdrejtë për tre minuta, forca që vihet në shërbim të saj.

Ky është thelbi i platformës së bashkëqeverisjes, që shumë nga këta shkencëtarët e kazanit, çfarë nuk e komentojnë, por nuk arrijnë dot ta shohin siç është. Është një instrument i thjeshtë, për t’i rënë me grusht institucional turinjve, një paraziti apo një grabitqari që është i veshur me kostum, apo që rri mbrapa recepsionit dhe në vend të të japë të drejtën, të nxin jetën, siç ka ndodhur në rastin konkret, për 12 vjet. Në pjesën e titujve të pronësisë ka raste konkrete njerëzish në emigracion, që nga Amerika, me 3 minuta kanë arritur të zgjidhin atë që nuk e kanë zgjidhur me vite, për shkak se nuk ua ka dhënë njeri atë që u takon, titullin e pronësisë.

Ky është një mesazh shumë i qartë për të gjithë ata që janë akoma nëpër zyrat e hipotekave. Ata nuk duhet të ruhen tanimë thjeshtë se mund të shkojë ndonjë kontroll. Ata duhet të ruhen edhe thjeshtë nga një qytetar që i del përpara, edhe nga një grua e pafuqishme që as nuk denjojnë që ta presin. Duhet të ruhen, sepse mjafton që ai qytetari që të del përpara e që të duket sikur  nuk ka pikë fuqie, t’i marri ato tre minuta kohë dhe nuk të mban dot më në karrige asgjë. Nuk ka parti, nuk ka mundësi, nuk ka kushëri që të mban më aty.

Qytetar: Unë jam pjesë e bordit të prindërve. Ne kishim një problem para një muaji. Ishte bërë me dije nga Drejtoria Arsimore që të hapin të gjithë numra llogarie për të tërhequr lekët e transportit për nxënësit që përfitojnë transport nga qeveria. E gjitha kjo bëhej për 12 mijë lekë të vjetra në muaj. U thashë prindërve që është portali. E mora atë nismë dhe ju drejtova ju, shpresojmë që të gjejmë zgjidhje. E kam bërë kërkesën me datë 3 dhe dje jam marrë në telefon që është në proces zgjidhjeje.

Kryeministri Rama: Me siguri do zgjidhet. Çdo çështje, përjashto rastet kur kërkesa apo ankesa nuk qëndron nga pikëpamja ligjore, zgjidhet. Por edhe kur nuk qëndron nga pikëpamja ligjore, merr një përgjigje më në fund.

Qytetare: Në muajin shtator 2017, edhe unë kam vajtur në zyrat e hipotekës për regjistrimin e një kontratë shit-blerjeje me kusht. U bë një muaj jashtë afatit, se afati ligjor është dy javë. Hipoteka nuk më jepte asnjë përgjigje, se ku kishin ngecur dokumentet e mia. Nuk hezitova dhe shkruaja në platformë. Brenda 10 ditësh, mua jo vetëm më bënë dokumentet, por zgjidhja ime mori një përgjigje në kohë rekord. Doja t’i falënderoja pa masë që sot jam tamam në shtëpinë time.

Qytetare: Vij nga Vlora. Shqetësimi ynë si familje kishte një vit, që në shkurt 2017, për marrjen e një licence mjeti transporti. U plotësua dokumentacioni i duhur, u dorëzua në kohën e duhur, u bë pagesa kundrejt detyrimeve të shtetit. Prit një muaj, prit 2, prit 5, absolutisht nuk po e merrnim. Kuptohet shkaku kryesor ishte korrupsioni në ish Ministrinë e Transportit dhe zgjidhja jonë erdhi falë portalit shqiperiaqeduam.aldhe brenda 10 ditësh problemi ynë mori fund. Një mirënjohje pafund për të gjithë personelin e zyrës së portalit për Shqipërinë, që janë përgjigjur për çdo detaj të zgjidhjes së problemit tonë.

Kryeministri Rama: Të gjithë janë të kënaqur, kur iu shprehet mirënjohja. Unë, jo sepse nuk më pëlqejnë, por duhet ta theksoj që është shumë e rëndësishme të mos e harrojmë asnjëherë, që, nëse kjo ndodhi, këtë e bëri të mundur vota e qershorit të kaluar. Është e rëndësishme që njerëzit gjithmonë të kujtojnë që vota vlen. Sot nuk jemi në fushatë, por vota vlen. U desh vota që të ndodhte kjo, u desh vota që të bëhej platforma. Me votën kemi mundësinë që tepsinë ta çojmë tani për skrap dhe jo ta mbajmë në mes të tavolinës së qeverisë dhe secili sheh pjesën e vet.

Ky nuk është një portal i zakonshëm, nuk është një portal si portalet e tjera. Është një ekran që krijon mundësi për t’u bërë pjesë e bashkëqeverisjes. Pas këtij ekrani janë mbi 30 njerëz që punojnë nga mëngjesi në darkë me qendrën në Kryeministri dhe pastaj, me grupe përkatëse në çdo ministri. Në momentin kur ju bëni ankesën, ankesa shfaqet në ekranin e qendrës së koordinimit të të gjithë platformës dhe menjëherë i delegohet grupit të koordinatorëve. Koordinatorët e bashkëqeverisjes nuk janë zyrtarë të zakonshëm.  Ata janë të autorizuar drejtpërdrejtë nga Kryeministri dhe kanë fuqinë e ministrit, kur ngrenë telefonin dhe kërkojnë për llogari të ministrit, pse kjo licencë nuk është dhënë. Ndërkohë, në rastin tuaj, ministri i Transportit e ka kërkesën të paraqitur në mbrëmjen e ditës kur kërkesa ka ardhur te koordinatorët.

Çdo të mërkurë, pas mbledhjes së qeverisë, në fund ndizet ekrani i bashkëqeverisjes në mur dhe kalon raporti i të gjithë kërkesave, ankesave, nismave, ministri për ministri, pasi ka disa rubrika të qytetarëve. Kemi aktualisht kaq ankesa në këtë sektor, kaq janë zgjidhur, kaq janë në proces dhe kaq është afati. Ato jashtë fatit janë minimale. Çdo anëtar i qeverisë e ka prioritetin numër një bashkëqeverisjen me çdokënd që i drejtohet, në funksion të një shërbimi, të një nisme, apo të çfarëdo tjetër që lidhet me sektorin.

Ajo që duhet theksuar është se ju e keni marrë licencën, por më pas ka vazhduar hetimi, pse licenca nuk u dha, kush e mbajti peng atë. Ata që kanë mbajtur peng licencën tuaj nuk punojnë më aty, janë larguar dhe e kanë rrugën tani me prokurorinë, me gjykatat. Kush e di, do dalin edhe ata të dënuar politikë, por kjo është mënyra si veprohet.

Qytetar: Vij nga Berati Unë kisha një problem në lidhje me konfirmimin e dokumentit, pasi vajza ime, studente e vitit të fundit për mjekësi në Ankona, Itali. Meqë unë jam mësues i shkollës profesionale në Berat dhe varësia e shkollës tonë ishte te Ministria e Mirëqenies, me shkrirjen e ministrive ne kaluam në varësi të Ministrisë së Financave, erdha u paraqita për të bërë konfirmimin, por më thanë se nuk e njohim drejtorinë tuaj. Më thanë shkoni njëherë te ish Ministria e Mirëqenies. Shkova atje, ata më thanë se neve na është hequr e drejta e konfirmimit. S’kisha rrugë tjetër, shkova në Berat, u futa në portal, iu drejtova dhe për 6 ditë më morën në telefon dhe puna u zgjidh shumë shpejt. Duke u nisur nga kjo, doja t’i bëja një sugjerim çdo shqiptari, të mos kenë frikë ta shfrytëzojnë portalin.

Kryeministri Rama: Frikë s’kanë pse të kenë. Problemi është të mos kenë dyshim, ose le të dyshojnë, por le ta provojnë 3 minuta, të hyjnë në portal, të vendosin emrin e tregojnë problemin. Jep adresën dhe problemi adresohet. Nëse nuk do kishit shkuar në këtë rrugë, akoma sot, Ministria e Financave dhe Ministria e Mirëqenies do ishin duke ju trajtuar si top pingpongu.

Ky pingpong kokash njerëzish është një sport tradicional i qeverisjes, institucioneve dhe i zyrave në Shqipëri. Invalidë që duhet të shkojnë në 8 drejtime për të marrë thjeshtë e vetëm letrën që janë invalidë. Në 8 drejtime për të provuar që ekzistojnë dhe që kanë një problem. Të verbër që duhet të provojnë se janë të verbër, duke shkuar personalisht në 10 drejtime dhe ka shumë rrezik që në fund të 10 stacioneve t’iu thonë “ti shikon” dhe nuk e merr. E kështu me radhë, në çdo drejtim ku kërkohen jo privilegje, por të drejta që t’i jep ligji.

Qytetarët dhe sipërmarrësit duhet ta dinë që këto nuk marrin fund, nëse nuk këmbëngulin qytetarët dhe sipërmarrësit. Nuk mund të hiqen të gjitha letrat, se shteti i ka të domosdoshme rregullat dhe rregullat janë të përthyera në procedura dhe procedurat janë të përkthyera në dokumentacion. Ama, për çdo dokument që një zyrë shteti të kërkon ta marrësh në një zyrë tjetër shteti, duhet ta refuzosh. Duhet t’i thuash merre ti, se e ke ti për detyrë! Ky është një nga parimet e këtij transformimi. Dokumentet duhen, por, nëse ato i lëshon një tjetër zyrë e shtetit, zyra që t’i kërkon, duhet t’i marrë vetë. Ti thjeshtë duhet të marrësh në fund, atë që ty të takon, të paguash faturën dhe kaq. Në qoftë se një zyrtar të thotë do shkosh ti ta marrësh, në vend që të shkosh atje ku të thotë ai, duhet të hapësh platformën dhe ta denoncosh; më detyrojnë të shkoj në stacione të tjera, ndërkohë që ju na keni thënë që këtë shërbim duhet ta bëjnë ata. Vetëm 3 minuta dhe 10 ditë për të vënë në provë funksionon, apo nuk funksionon.

E njëjta gjë me dokumentet që merren nga shtëpia. Shqipëria prodhonte 4.5 milionë certifikata në vit. Italia, 10 herë më e madhe, 1.8 milionë. Për çdo gjë, këtu kërkohet certifikatë. Vetëm që të provosh se ekziston, duhet certifikatë gjithë kohën, se në çdo procedurë duhet të provosh se ekziston. Domethënë, 4.5 milionë kontakte me punonjësit e gjendjes civile. Kjo tani ka marrë fund. Ti thjesht hap kompjuterin në shtëpi dhe nxjerr certifikatën, të cilën e ke me nënshkrim elektronik.

Kështu duam të bëjmë me çdo shërbim. Vitin e ardhshëm, fermerët që do të aplikojnë, e kanë në telefon aplikimin. As dokumente e asgjë. Nëse fiton, të kërkohet vetëm titulli i pronësisë. Titullin e pronësisë do ta marrësh në hipotekë në këtë formë.

Presioni mbi parazitët e grabitqarët duhet të vijë nga lart dhe nga poshtë. Presion total. Çdo njeri duhet të jetë një kërcënim për çdo parazit e për çdo grabitqar. Ti thjesht merr të drejtën tënde. Më pas vazhdojmë ne punën, për ta çuar përpara drejtësisë. Ai le ta provojë, pse s’ta ka dhënë të drejtën.

Unë jam i bindur se përmes kësaj force të madhe, që mund të krijohet nga bashkëqeverisja, mund të bëhen në një kohë shumë të shkurtër, transformime që jo nuk u bënë, por as nuk i imagjinonte njeri për kaq shumë vite, të bëhet Shqipëria një vend ku korrupsioni, bakshishi, ryshfeti në raportin qytetar-administratë të jetë zero. Të mos ketë më asnjë nevojë që të fusësh dorën në xhep për të marrë një të drejtë, por të drejtën të ta japin, madje të të thonë edhe shumë faleminderit. Kjo është faza e parë. Platforma do të shtrihet shumë më thellë, edhe te sjellja. Nuk mjafton vetëm të ta japin të drejtën, por duhet edhe të sillen mirë, se nuk të kanë bërë kokën dhe nuk i ke borxh jetën. Por kjo është fazë tjetër. Kur të hapet kjo rreze veprimi, do fillojnë edhe ankesat për sjelljen. Edhe për këto do ketë sanksione.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.