Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtues të administratës vendore e qendrore në Berat:

 

Dua ta nis pikërisht me shërbimet ndaj qytetarëve. Dje kemi pasur një diskutim lidhur me këtë çështje edhe në mbledhjen e qeverisë, bazuar tek të gjitha të dhënat e mbledhura në rang territori lidhur me progresin e bërë në funksion të zgjidhjes më të shpejtë dhe natyrisht, të rritjes së reagimit pozitiv ndaj qytetarëve. Vazhdojmë të jemi të shqetësuar për disa aspekte.

Aspekti i parë është se ne kemi bërë të qartë për të gjitha agjencitë dhe zyrat e shërbimeve ndaj qytetarëve se çdo kërkesë për një dokument, për një autorizim, për një licencë, për një certifikatë çfarëdo është absolutisht detyrim i çdo zyre që të mos e refuzojë, apo vonojë, duke kërkuar nga qytetarët të shkojnë në zyra të tjera dhe të marrin dokumentet përkatëse për kërkesën e tyre. Që do të thotë, nëse për një autorizim, për një licencë, për një certifikatë të caktuar që vërteton këtë apo atë, duhen edhe disa dokumente të tjera nga zyrat e shtetit, këto dokumente të tjera duhet t’i garantojë vetë zyra përkatëse. Nuk i thuhet qytetarit “të mungon kjo, shko e merri”, por i thuhet se kur duhet vijë përsëri, ndërkohë që vetë zyra duhet të garantojë marrjen e tyre brendapërbrenda sistemit të administratës shtetërore.

Të vetmet dokumentet që qytetarët duhet të marrin vetë janë dokumente bankarë, apo dokumente që mund të lidhen me të shkuarën e tyre në emigracion. Dokumentet që janë dokumente shtetërorë duhet të garantohen nga vetë zyra përkatëse, ku është bërë kërkesa. Kjo nuk po kthehet akoma në një sistem në të gjithë vendin dhe çka dje është kërkuar në mbledhjen e qeverisë nga të gjithë ministrat është që të marrin masa drastike për çdo drejtues në çdo zyrë të shtetit, që nuk e garanton këtë cilësi dhe seriozitet në shërbimin ndaj qytetarëve.

Kemi një progres të konsiderueshëm përsa i përket gatishmërisë së administratës shtetërore për të ofruar shërbime digjitale, pra, shërbime online. Janë 535 shërbime elektronike sot dhe 47 sisteme shtetërore që bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, që të garantojnë jo vetëm komunikimin në kohë reale, por edhe përgjigjen në kohë reale për qytetarët. Janë 29 dokumente me vulë dixhitale, që do të thotë se mund të gjenerohen drejtpërdrejtë nga sistemi dhe mund të merren drejtpërdrejtë nga shtëpia, duke filluar që nga certifikata e lindjes. Nuk ka më nevojë për të shkuar në gjendjen civile e për të marrë certifikatën, duke mbajtur radhë e duke paguar para. Certifikata e lindjes mund të merret drejtpërdrejtë online. Është një mesazh i qartë që Ministria e Brendshme ka përcjellë për të gjitha zyrat e gjendjes civile, që nuk duhet më të japin certifikuara të printuara në mënyrën e vjetër, por duhet t’i gjenerojnë ato nga sistemi, duke bërë kështu të mundur një ulje të konsiderueshme te kostos, por edhe rritjen e mëtejshme të numrit të qytetarëve që mësojnë njëherë e mirë se nuk ka nevojë më të torturohen për certifikata. Faktikisht kemi çdo muaj rritje të konsiderueshme të certifikatave të gjeneruara në sistemin e ri dhe kursimi, edhe financiar, por edhe i radhëve dhe historive të vjetra, është i konsiderueshëm.

Edhe për vërtetimet e tatimeve, të cilat mund të merren lehtësisht nga sistemi online e-Albania dhe janë rritur me gjashtë herë, nëse do të jem konkret me shifra, janë 134 559 vërtetime tatimore të gjeneruara deri në javën e shkuar, që u kanë kursyer të interesuarve 33 650 orë pritje, nëse llogarisim një pritje 15 minuta, që normalisht është llogari shumë bujare në raport me ne, sepse pritja mund të shkojë edhe një orë.

Po ashtu, vërtetimet e pensioneve mund të merren drejtpërdrejtë nga sistemi online nga shtëpia. Nuk ka nevojë për të shkuar, për të pritur e për të mbajtur radha.

Karta e shëndetit po ashtu mund të merret drejtpërdrejtë nga shtëpia falë nënshkrimit elektronik. 71% është rritja në këtë aspekt, por është shumë e vogël në krahasim me mundësinë, sepse faktikisht mund të kemi çdo kartë shëndeti të gjeneruar drejtpërdrejtë online dhe nuk ka nevojë për të marrë rrugën, për të pritur dhe për të paguar për të marrë kartën.

Edhe Qendra Kombëtare e Biznesit ka një rritje jo shumë të ndjeshme, por sidoqoftë të prekshme të gjenerimit të dokumenteve.

Pra, në këtë aspekt po shikojmë disa hapa përpara që lidhen me uljen e kohës, me uljen e shpenzimeve dhe korrupsionit, pasi e dimë të gjithë që për të kursyer kohë, apo për të shmangur radhë të gjata, njerëzit kanë paguar rregullisht ryshfete në zyrat e grabitqarëve dhe parazitëve të shtetit.

Duke qenë se këtu janë të gjithë drejtuesit e administratës qendrore në Qark, mesazhi është shumë i qartë: Nuk do të ketë asnjë tolerancë për asnjë drejtues që nuk garanton këtë cilësi të kërkuar shërbimi dhe plotësisht të mundur, falë, nga njëra anë, sistemit elektronik që duhet të përdoret gjerësisht nga administrata, nëse qytetarët nuk e përdorin drejtpërdrejtë nga shtëpia për pamundësi, apo për mungesë informacioni, qoftë për atë që thashë në fillim, garantimin e të gjithë dosjes për qytetarin nga vetë zyra, zyrë më zyrë. Nuk duhet të jetë qytetari që të shkojë zyrë më zyrë, por duhet të jetë vetë zyra që duhet t’i japë qytetarit një dokument të kërkuar e që duhet të garantojë që e gjithë dosja të plotësohet brendapërbrenda sistemit të administratës shtetërore.

Së dyti, është e rëndësishme për ne që të ecet çdo ditë me vendosmëri dhe me këmbëngulje nga të gjitha bashkitë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për reformën e ujit. Zgjerimi i bazës së klientëve dhe formalizimi i lidhjeve të paligjshme, shkëputja e lidhjeve të paligjshme, ulja e humbjeve në rrjet për arsye administrative, vendosja e ujëmatësve dhe ristrukturimi i detyrimeve të prapambetura nga të tretët, janë pikat ku duhet synuar fort, bashkërisht, çdo ditë.

Këtu në Qarkun e Beratit, në të gjitha bashkitë, e vërteta është se ka një angazhim të drejtuesve vendorë, të kryetarëve të bashkive, të Prefekturës dhe ka rezultate domethënëse në këtë aspekt. Por të dhënat ilustrative të situatës nga 9-mujori i parë i vitit të fundit flasin qartë sesa shumë nevojë ka në çdo bashki në këtë Qark, për të ecur shpejt dhe me vendosmëri në këtë drejtim, sepse humbjet teknike dhe financiare në rrjetet e të gjitha bashkive janë të konsiderueshme. Natyrisht që kjo duhet shoqëruar edhe me investime. Kam parasysh këtu disa nevoja emergjente, duke filluar nga Bashkia e Skraparit dhe në bashkitë e tjera, ama njerëzit duhet të jenë të qartë, që sa më shumë të kontribuojnë të gjithë, aq më shumë hapet hapësira për të financuar vetë drejtoritë përkatëse të ujësjellësve, por edhe me mbështetjen e qeverisë, ripërtëritjen dhe vënien në funksion 24 orë të furnizimit me ujë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyrë të përsëritur e ka bërë të qartë qasjen tonë, nuk do të japim asnjë qindarkë mbështetje për asnjë ndërmarrje ujësjellësi që nuk performon në funksion të reformës. Rezultatet e arritura në ato pika që përmenda do të jenë baza e mbështetjes financiare nga ana e qeverisë, në shpërndarjen e fondeve shtetërore për ujësjellësit dhe nuk do ketë më asnjë lloj investimi të natyrës elektorale, apo asnjë shpërndarje investimesh, pavarësisht performancës. Çdo investim do të bazohet tek performanca.

Duke ju garantuar të gjithë kryetareve të bashkive këtu të pranishëm, mbështetjen e plotë në kohë reale të të gjitha skuadrave të Policisë së Shtetit, për të siguruar vënien përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që akoma s’e kanë marrë vesh se furnizimi me ujë përmes lidhjes së paligjshme përbën vepër penale dhe njëkohësisht, duke i garantuar dhe mbështetjen çdo bashkie në funksion të rezultateve të arritura në këtë operacion kombëtar, shumë të rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen, jam i bindur që po të nisemi nga çfarë kemi këtu të dhëna deri tani ka arritje domethënëse, jo në funksion të pikës ku duhet të kishim mbërritur, por në funksion të krijimit të bindjes se është plotësisht e mundur që të gjithë konsumatorët të futen në sistem.

Nga ana tjetër është e domosdoshme për të pasur një vetëdije dhe një përgjegjësi të lartë nga ana e gjithë strukturës këtu në Qark, që ka detyrën të merret me zbatimin e skemës së re të mbështetjes së fermerëve, për të kapërcyer në një epokë tjetër, në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale. Në epokën ku çdo qindarkë e vënë në dispozicion nga shteti – kemi fondin më të madh të mbështetjes financiare për fermerët nga Buxheti i Shtetit, por po t’i shtojmë dhe fondin e përfituar për herë të parë nga Komisioni Europian, shkojmë në mbi 100 milionë euro mundësi mbështetjeje për fermerët, – është shumë e rëndësishme që çdo individ që paguhet nga taksat e qytetarëve për të përfaqësuar në çdo qark, edhe këtu në qarkun e Beratit, që është një nga qarqet me potencialet më të mëdha të zhvillimit bujqësor dhe të agropërpunimit, për të informuar dhe për të ndikuar pozitivisht te fermerët që të kenë qartësi sesi mund të kenë akses në këto fonde.

E kemi bërë të qartë e do vazhdojmë ta bëjmë të qartë që ne nuk do shpërndajmë më lëmosha mbijetese, apo lëmosha politike për njerëzit që jetojnë dhe punojnë në fshat. Nuk do ta thërrmojmë më fondin për të shpërndarë lart e poshtë para, duke marrë mbrapa jo atë që mund të merret në funksion të krijimit të vlerës së shtuar, por një pjesë jo domethënëse. Që do të thotë, çdo fermer është i lirë të bëjë çfarë të dojë, por jo çdokush do të mbështet, nëse bën çfarë të dojë. Janë të përcaktuara qartësisht nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kulturat që do mbështeten. Përtej atyre kulturave nuk ka asnjë kacidhe nga shteti për askënd. Janë bërë shumë të qarta dhe do vazhdojnë të bëhen të qarta çdo ditë nga AZHBR-ja, siç duhet të bëhen të qarta çdo ditë nga strukturat këtu përfaqësuese, por edhe në bashkëpunim me bashkitë që kanë tani dimensionin rural që deri dje nuk e kishin, edhe të gjitha rrugët sesi mund të përfitohet financimi. Kemi një trupë të tërë studentësh të Universitetit Bujqësor, që janë në terren, nëpër fusha, edhe tani që flasim, për të përcjellë informacionin. Do ta bëjmë këtë në të gjitha qarqet ku kemi zhvillimin më intensiv bujqësor dhe jemi shumë të bindur që mund të kemi rezultat të konsiderueshëm, nëse do të bëjmë të gjithë sëbashku gjërat e duhura.

Për herë të parë, aplikimi është me zero dokumente. Asnjë fermeri, asnjë grupi fermerësh, asnjë sipërmarrësi në fshat nuk i duhet të shpenzoje asnjë qindarkë për të aplikuar. Deri dje ishte një histori më vete, që kushtonte dhe që përfundonte në zhgënjime të mëdha, sepse s’merrnin as përgjigje ndonjëherë dhe jo më të merrnin subvencione. Me zero dokumente në sportelet unike, agropikat, apo në zyrat rajonale të bujqësisë mund të bëhet lehtësisht aplikimi.

Po ashtu, duke pasur parasysh që në Berat ka një zhvillim të konsiderueshëm të serave në vitet e fundit, duhet ta kenë të qartë të gjithë, se investimet në sera do të jenë masive, ashtu sikundër do të jenë të konsiderueshme edhe investimet në dru frutorë. Parashikojmë që vetëm me mbështetjen financiare të këtij viti të mbjellim gjysmë milionë dru frutorë. Ama, të gjithë duhet të informohen se çfarë ekzaktësisht dhe ku ekzaktësisht. Nëse dikush do të mbjellë mollë afër Divjakës, mund ta bëjë, por s’do marrë asnjë kokërr leku për të mbjellë mollë atje. Nëse dikush do vazhdojë të mbjellë patate në Maliq, mund ta bëjë, por nuk do të vijë të qahet më se s’ka treg, sepse ka arsye strukturale pse kjo është një zgjedhje e gabuar. Nëse dikush do mbjellë perime në Tropojë, mund ta bëjë, por nuk ka asnjë arsye të vijë të kërkojë mbështetje financiare. Se cilat janë kulturat, edhe të rajonalizuara, edhe të specifikuara për çdo zonë e ka përcaktuar qartësisht skema e re e Ministrisë se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Përsa i përket një teme të ditës, që ka të bëjë me ndihmën ekonomike, dje, pasi kemi përfunduar paraqitjen e portofolit të projekteve për Qarkun, në të dalë të sallës së teatrit kam ndeshur me një person, një alamet djali rreth të 40-ve, në formë fizike absolutisht të admirueshme, që kërkonte ndihmë ekonomike. Në mënyrë të përsëritur i kam thënë që nesër ti mund të fillosh punë. E donte punën patjetër në bashki. Ndërkohë që vazhdimisht pyetjes sime, a je gati të fillosh nesër punë në privat (?), i përgjigjej, çfarë janë ata që punojnë në bashki, mos kanë ndonjë gjë më shumë se unë ata (?). Domethënë, ideja që dua 50 mijë lekë, që është mesatarja e ndihmës ekonomike dhe nuk dua të shkoj të punoj as për 300 mijë, as për 350 mijë, as për 400 mijë në privat, nëse nuk më jepni një punë në bashki, është një ide që nuk do të gjejë veshë tek ne, sepse ndihma ekonomike, në radhë të parë dhe në qëllimin e vet thelbësor është ndihmë për familje në pamundësi reale dhe në varfëri reale.

Ndihma ekonomike, siç e thotë qartësisht edhe strategjia globale, por edhe strategjia dhe reforma specifike e draftuar nga ekspertët e Bankës Botërore, në bashkëpunim me ne, adreson varfërinë e thellë, nuk adreson varfërinë që vjen nga pasiviteti, nga mungesa e vullnetit dhe dëshirës për të punuar, nga fakti që sidoqoftë ke të ardhura, sepse ke vëllain, motrën a dajën emigrant dhe ke një bazë të ardhurash që të krijon mundësinë të mos kesh probleme me ushqimin bazë, të mos kesh probleme me jetën bazike dhe kështu të refuzosh të punosh.

Ja çfarë ka në të dhënat e këtushme; 808 familje dhe individë përfitojnë për herë të parë nga kjo skemë. Pse përfitojnë për herë të parë, se u futën në varfëri të thellë këtë vit? Jo, ishin në varfëri të thellë, por nuk hynin dot në skemën e përfitimit, sepse skema e vjetër e përfitimit ishte një skemë subjektive dhe nuk iu jepte mundësi objektive të gjithë atyre që janë thellësisht në nevojë. Kështu që, 573 prej atyre që ishin, janë përsëri, sepse janë thellësisht në nevojë. 808 janë të tjerë. Ndërkohë që sistemi elektronik ka përjashtuar 404 familje, të cilat deri dje merrnin ndihmën ekonomike, duke penguar futjen në ndihmë të këtyre që janë futur sot dhe që janë realë. Pse? Sepse ishin në ndihmë ekonomike me padrejtësi dhe sistemi i ka nxjerrë deklarues të rremë, gënjeshtarë dhe abuzivë.

Si i nxjerr sistemi?

Sistemi është elektronik dhe i kryqëzuar. Në momentin që adresohet kërkesa e një familjeje apo individi, kjo kërkesë kryqëzohet me Drejtorinë e Tatimeve, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe nga të gjitha këto burime merret informacion se kush është ky individ dhe kush është kjo familje. Pa pritur e pa kujtuar dalin me hipoteka, dalin persona me vila, dalin persona me një punë tjetër. 1 milionë në muaj merrte njëri në Korçë, Dragush dhe shkonte merrte edhe ndihmën ekonomike dhe i hiqte bukën e gojës një familjeje thellësisht në nevojë. Me 3 vetura të markës së fundit ishte një Josif në  Fier dhe merrte 50 mijë lekëshin e ndihmës ekonomike. Që të mos them pjesën tjetër, që ka një pjesë tjetër të atyre që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike prej skemës së re, për faktin që janë posedues pronash me kate.

Ndërkohë, çfarë ndodh me një pjesë tjetër?

Një pjesë tjetër shkojnë në punë dhe punojnë në të zezë, qëllimisht, duke bashkëpunuar me punëdhënësin që nga ana e vet është i lumtur që t’i mbajë skllevër në të zezë, që të mos paguajë sigurime shoqërore, duke i rënë vetes, sepse i heqin vetes mundësinë për të akumuluar pension, vetëm e vetëm që të marrin ndihmë ekonomike. Ashtu sikundër ka dëshmi në të gjitha zyrat e ndihmës ekonomike, që shkojnë njerëz dhe marrin 50 mijë lekëshin dhe ofrojnë 10 mijë lekë bakshish, vetëm e vetëm që në bashkëpunim me zyrën e punës të mos u ofrohet punë, se po t’u ofrua punë një herë, mund ta refuzosh, po t’u ofrua herën e dytë dhe e refuzon, del jashtë nga ndihma ekonomike.

Skema është e ftohtë, është kompjuterike. Nuk është siç ishte deri dje, me vendime politike, me vendime administrative. Është e sprovuar skema në Tiranë, në Durrës dhe në Elbasan. Nuk është rastësi që nga Elbasani, dalja prej skemës është minimale. Skema është e ftohtë. Nuk ka dyshim për këtë. Natyrisht që skema ka marzhin e vet të gabimit. Është i parashikuar një marzh gabimi dhe ka raste që realisht janë në nevojë dhe që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Për këtë arsye i kemi dhënë bashkive, jo 3, por 6% të fondit që të adresojnë këto raste dhe për këtë arsye po bëjmë një proces të tërë verifikimi dhe rivlerësimi, që të mos lëmë askënd pa verifikuar dhe rivlerësuar. Por është e padiskutueshme që 70% e atyre që kanë dalë nga skema janë 24-45 vjeç, në formë perfekte për punë.

Në Skrapar, ja ku është kryetari i Bashkisë së Skraparit e le ta thotë edhe ai, nëse dëshiron, është bërë një investim për një fabrikë prodhimi “Made in Albania”. Nuk shkon njeri të punojë. Fabrika rri dhe investitori, që është një nga investitorët më të mëdhenj dhe një nga prodhuesit më të mëdhenj që eksporton jashtë, ka humbur investimin atje dhe praktikisht është në faliment. Sepse nuk shkon njeri të punojë. Atëherë, më falni, po nga 24 deri në 45 vjeç, në formë fizike të plotë, për çfarë arsye duhet të marrin ndihmë ekonomike këta që nuk duan të shkojnë të punojnë?

Në Delvinë, e njëjta histori. Në Gjirokastër, ja ku është ministri këtu, ishte deputet në Gjirokastër, u angazhua, solli investitorë, hapën fabrikën e nuk shkon njeri të punojë. Bosh. Në Berat e kemi këtu afër, herën e fundit kur ishim takuam investitorin italian, i cili thoshte, po vë linja autobusësh për të shkuar e për t’i marrë punonjësit në Lushnjë, sepse nuk vijnë të punojnë. Dje, ai goxha djalë që kisha përballë thoshte, çfarë janë ata të tjerët që punojnë në bashki? Se imagjinata është, po shkoj po marr një rrogë dhe po vazhdoj jetën time nëpër kafene e po bëj sikur po punoj, ose po bëhem punonjës gjelbërimi dhe po rri ulur mbi bar e po pres orën 12:00 që të iki në shtëpi. Qindra vende pune janë vetëm këtu.

Ne do vlerësojmë çdo rast, bashkitë do vlerësojnë çdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të një familjeje. Nëna kryefamiljare me fëmijë janë prioritet. Pastaj, djem e burra që duan ndihmë ekonomike, le të shkojnë të marrin rrugët e protestave dhe le të paguhen nga organizatorët e protestave. Ne ndihmë ekonomike për këta nuk kemi. Këta t’i grahin punës, ose le t’i grahin protestave, se kjo histori duhet të mbarojë njëherë e mirë këtu.

300 mijë lekë nuk janë shumë, por janë shumë më tepër se 50 mijë lekë. 350 mijë lekë, patjetër nuk janë shumë, por janë shumë më tepër sesa 50 mijë lekë. 450 mijë lekë është rroga e një punëtori në një fabrikë të standardeve europiane për përpunimin e aluminit e nuk ka punëtorë. 12 milionë euro investim. E rrinë në radhë përpara bashkisë në Shijak dhe në Durrës dhe thonë, a ka ndonjë vend për mua në gjelbërim? Jo, nuk ka vend për ty në gjelbërim. Ti do shkosh në punë. Nëse nuk do të shkosh në punë, vazhdo jeto në kurriz të atyre që të çojnë lekët nga emigracioni. E vërteta është se, qëkur ka filluar ky proces, ka një numër të konsiderueshëm dhe unë i përgëzoj dhe i inkurajoj, – 1100 ishin para 3 ditësh, – që kanë shkuar pranë zyrave të punës.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit është tërësisht i angazhuar t’ju ofrojë punë, kualifikime dhe trajnime të shpejta, për të pasur një dije se çfarë duhet të bëjmë kur shkojmë në një punë. Një pjesë kanë filluar trajnimet. Janë numra të vegjël, por rëndësi ka që ka filluar. Një pjesë tjetër shkojnë atje dhe thonë nuk dua punë. Atëherë, pse të gjithë shqiptarët që paguajnë taksa duhet të paguajnë dhe për ty ,që ti të rrish parazit?!  Nuk mund të ndodhë kjo. Për parazitët, ne nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marrë nga taksat.

Kemi pasur dje një diskutim me kryetarët e bashkive dhe jemi të qartë edhe për një gjë tjetër, që ne kemi shumë akoma për të bërë. Bashkitë këtu nuk i kanë mundësitë e tyre të pakufizuara, përkundrazi, kanë nevojë shumë për mbështetjen tonë. Ne do t’iu japim mbështetjen maksimale, aq sa të jetë e mundur, të gjithë këtyre bashkive, sepse është një qark me potenciale të mëdha.

Shumë vonë mbrëmë, bashkë me ministrin e Turizmit kemi ndenjur me konsulentët e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që janë të caktuar nga Banka për projektet e programit të BERZH-it për turizmin. Faktikisht, kush më ka dëgjuar dje, mua dhe ministrin në paraqitjen publike të portofolit dhe ka menduar që jemi shumë optimistë, po të kishte dëgjuar konsulentët që janë ndër më të mirët në Europë, për sa optimiste është e ardhmja e Qarkut nga pikëpamja e turizmit, do ishin habitur. Vetëm në Kroaci dhe në Slloveni, sipas tyre, janë potencialisht 100 000 turistë që mund të vijnë vetëm për kanionet. Imagjinoni tani se për çfarë shifrash flasim. Por sigurisht duhet të ecim shumë më tepër me infrastrukturën, duhet të ecim shumë më tepër edhe me iniciativat private për bujtinat dhe për hotelerinë dhe duhet të ecim shumë më tepër me agroturizmin, që të zhvillojmë rrjetin e infrastrukturës së mikpritjes.

Një detaj, lidhur me një problem që është hasur në të gjitha bashkitë, është flagrant në malin e Tomorit, është flagrant në Urën Vajgurore, ka të bëjë me guroret. E kemi bërë të qartë dhe dua ta përsëris, ne nuk do lejojmë më asnjë gurore që barbarizon natyrën. Sigurisht, Shqipëria do ketë gurore. Sigurisht që zhvillimi i guroreve nuk është domosdoshmërisht barbari, por, ama, këto situata dramatike që kemi parë në malin e Tomorit, apo që shohim në Urën Vajgurore, që të mos shkoj deri në Krujë e gjetkë, janë situata shumë të rënda që lidhen me faktin se licencat e marra nuk kanë respektuar asnjë lloj standardi dhe asnjë lloj pike të kontratës për të shfrytëzuar dhe për të rehabilituar.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka detyrën që të adresojë këtë çështje, pasi ka një burim të ardhurash nga shfrytëzimi. Unë jam shumë i kënaqur, sepse, tani që Agjencia ka hyrë në rrugën e duhur, ka një projekt të parë për të fshirë njollën më të madhe të turpit, në këndvështrimin tim, të këtyre 27 viteve, që është ajo faqja e malit të Krujës, duke bërë një rehabilitim total.

Njëkohësisht, sot, ne jemi me ministrin për të bërë një paraqitje të të gjithë situatës kombëtare. Ne do të ndëshkojmë çdo lloj veprimtarie për shfrytëzim guroresh që nuk ka elementët mjedisorë, nga A-ja te ZH-ja, që nga më elementarja, spërkatja me ujë gjatë veprimtarisë për të mos lejuar që pluhuri të kthehet në re dhe reja të shkojë nëpër shtëpitë e njerëzve, siç ndodh në Krujë, siç ndodh në Urën Vajgurore, mbi supet e fëmijëve atje, një llahtar (!), deri te mbjellja e pemëve.

Shumëkush qesh, edhe unë buzëqesh me ambicien e ministrit për 20 milionë pemë deri në vitin 2021, por është plotësisht e realizueshme. Vetëm këtu dhe vetëm nga kontrata e lidhur me sipërmarrjen që ndërton gazsjellësin do të mbillen gjysmë milionë pemë. Vetëm nga një entitet. Edhe gjysmë milionë dru frutorë, u bënë 1 milionë. Ndërkohë që shumë e shumë kompani të tjera janë kontaktuar dhe sot që flasim kemi 7 milionë pemë, potencial gati për t’u mbjellë, pa llogaritur se çfarë vjen më pas dhe të tjerë akoma që nuk janë futur në hartën e kontributorëve.

* * *

Është pak, por e sigurt, që TAP-i duhet jo të kthejë në gjendjen e mëparshme, se gjendja e mëparshme nuk ishte ndonjë gjendje për t’u pasur zili, por duhet patjetër të shtrojë siç duhet rrugën Berat-Çorovodë, një rehabilitim i plotë. Këtë gjë ministri ia ka bërë shumë të qartë kompanisë dhe do t’ia bëjmë aq të qartë, saqë ata nuk do hapin dot gazin, po nuk bënë rrugën. Për ne, rruga Berat-Çorovodë është shumë e rëndësishme, sepse është e gjitha pjesë e strategjisë për zhvillimin ekonomik përmes turizmit.

Në qendrën e Skraparit në Çorovodë është bërë shumë, por shumë në raport me të shkuarën, jo në raport me atë që duhet, se ka shumë akoma. Tani që kemi bërë dhe hyrjen e re nga ana tjetër e bashkisë është absolutisht e domosdoshme që të investojmë për të lidhur hyrjen e re me pjesën e investuar të qendrës, në mënyrë që të kemi një situatë mikpritjeje vizuale për të gjithë ata që vijnë. Sepse midis rrugës, unazës së re dhe qendrës kemi një situatë kandahareske, që duhet ta adresojmë bashkërisht dhe këtë, unë ju thashë që është prioritet.

Ashtu sikundër është prioritet që ne të jemi bashkë të gjithë, në qëndrimin e vendosur për të ndarë njëherë e mirë, kush duhet të marrë ndihmë ekonomike se është thellësisht i varfër dhe kush nuk meriton absolutisht asnjë qindarkë, sepse ka alergji nga puna. Ata që thonë nuk shkoj në punë, sepse kam alergji, është alergji nga puna. Alergjinë nga puna, ne duhet ta luftojmë bashkërisht dhe i vetmi ilaç është që të mos japim asnjë shans që të kenë akses në qindarkat e shtetit, ata që nuk duan të punojnë. Kush nuk do të punojë dhe do të jetojë në kurriz të familjarëve emigrantë mund ta bëjë, për sa kohë familjarët do vazhdojnë ta mbështesin. Kjo duhet të jetë e qartë dhe e prerë.

Duke pasur parasysh që Skrapari është pika fundore, por në fakt është dhe pika ku arrin kulmin, spektakli i natyrës edhe i turizmit në këtë Qark, duke nisur nga hyrja për të shkuar te kanionet, ne bashkërisht duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë për të stimuluar rritjen e kapacitetit të mikpritjes. Nëse Berati shkon deri në sezonin e ardhshëm turistik në njëmijë shtretër, është domethënëse, por është pak akoma.  Ajo që duhet të jetë ambicia juaj është që t’i merrni një pjesë të atyre që qëndrojnë më shumë sesa gjatë ditës dhe t’u krijohet mundësia njerëzve, që të mos jetë vetëm ai hoteli atje që mund të shkosh e të qëndrosh, por të ketë një shtrirje më të madhe. Kështu që duhet të organizojmë, bashkë me ministrin e Turizmit dhe me ministrin e Bujqësisë, një seri konferencash në rang qarqesh për agroturizmin, të ftojmë të gjithë sipërmarrësit që janë nga zona dhe janë bërë milionerë me aktivitetet e tyre dhe janë në Tiranë, të çojmë mesazh edhe tek ata që janë në emigracion, që të investojnë në agroturizëm. Kjo është themelore. Duhet t’ua bëjmë shumë të qartë, duke filluar që nga Salillari, që ai duhet të investojë në agroturizëm këtu, sepse është mirë për të, por është edhe një kontribut për zonën.

Kemi diskutuar për parkun rekreativ të Kuçovës dhe për turizmin industrial në Kuçovë. Patjetër që do të fillojmë procesin. Kemi diskutuar edhe për sallën e kongreseve në Urën Vajgurore, për turizmin kongresual dhe do ta shqyrtojmë me shumë vëmendje, por nuk është projekti më i parë prioritar. Ideja e një turizmi kongresual atje është ide shumë e guximshme, por kërkon pak kohë që ne të gjitha ta tresim.

Përsa i përket Poliçanit jemi shumë të qartë që i gjithë ai aset gjigand, që është aset i përbashkët me Bashkinë e Skraparit, që është parku kombëtar i Tomorit, bashkë me zonën e Qafë Dardhës që është përfshirë në programin e “100 fshatrave”, përbën një potencial shumë të madh për të stimuluar ekonominë dhe zhvillimin social të zonës.

Shumë faleminderit edhe të gjithë drejtorëve këtu të pranishëm ju bëj thirrje që të mos neglizhojnë asgjë nga ato që folëm, sepse masat për këdo që nuk përputh besimin që është dhënë për të bërë detyrën me cilësinë e shërbimit me qytetarët do jenë drastike.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.