Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes hidrokarbure me SHELL për Bllokun 4 në Shpirag, Berat:

Legjenda thotë që mali i Shpiragut, me 23 brinjët e tij të murrme është krijuar nga dyluftimet që kanë bërë dy vëllezër, Shpiragu dhe Tomori, për një vajzë, kalanë. Nga goditjet me shpatë të Tomorit, Shpiragut i dolën brinjët. Ndër shekuj, kjo zonë është njohur për trashëgiminë e saj kulturore, por edhe për pasuri të panumërta natyrore, shumica e të cilave, njësoj si vetë legjenda e malit, qëndrojnë të fjetura. E tillë është dhe rezerva e jashtëzakonshme me naftë, që besohet se fsheh nëntoka e Shpiragut, një rezervë që mund të transformojë njëherë e përgjithmonë të ardhmen, jo vetëm të kësaj zone, por të krejt Shqipërisë. Prandaj, edhe dita e sotme është një ditë e shënuar në rrugën drejt të ardhmes.

Marrëveshja me kompaninë SHELL konkretizon një interes më shumë se 20-vjeçar, qëkur SHELL-i u shfaq për herë të parë në vendin tonë, në vitin 1994, për t’u larguar pas trazirave të tre viteve më pas. Rikthimi i SHELL-it, një kompani me 30 herë më shumë të ardhura vjetore se Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, tregon qartësisht se sot, ne me të drejtë jemi të gëzuar dhe shpresëplotë për të ardhmen e sektorit të naftës dhe të gazit në vendin tonë.

Sikundër vetë miqtë, – sepse jemi bërë miq, përgjatë një negociate shumë të gjatë, më shumë sesa dyvjeçare të kompanisë SHELL, – e kanë bërë me dije, ndërkohë që kanë ndërprerë në tërësi programet e tyre të eksplorimit, për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës në bursat botërore, në Shqipëri, jo vetëm që nuk kanë ndaluar me blerjen e kompanisë “Petromanas”, por na janë prezantuar me kërkesën për të nënshkruar të parën kontratë të drejtpërdrejtë mes tyre dhe qeverisë së Shqipërisë.

Dua t’i falenderoj sot, sepse në negociatat e gjata kanë pranuar një ndryshim të rëndësishëm në qasje të qeverisë shqiptare në këto marrëveshje. Jo vetëm kaq, por kanë marrë përsipër edhe investime të konsiderueshme për përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj zone. Plani i investimeve sociale të SHELL-it parasheh investime për arsimin profesional, sigurinë rrugore, shërbimin shëndetësor parësor dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve të vogla në këtë zonë. Natyrisht që SHELL-i nuk e bën këtë nga ndonjë dashuri nënëtereziane për Shqipërinë, por si pjesë e vizionit të vet të zhvillimit dhe i inkurajuar nga të dhënat e eksplorimeve të fundit dhe treguesit për një rezervë të re nafte, që është padiskutim më e madhja e zbuluar deri më sot në Shqipëri dhe që presim me padurim të mësojmë sesa e komercializueshme do të jetë, shpresoj, deri në fund të këtij viti.

Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për qeverinë shqiptare, sepse i transmeton publikut edhe një shprehje të vendosmërisë tonë për të ndryshuar qasjen në marrëdhëniet me kompanitë që shfrytëzojnë burimet tona natyrore dhe përbën një ndarje nga koha kur buxheti i shtetit përfitonte prej tyre vetëm rentën minerare. Tanimë kemi një marrëveshje që është një garanci e qartë dhe afatgjatë për përfitim reciprok, patjetër në interes të kompanisë, por edhe në interes të popullit shqiptar.

Marrëveshja është rezultat i një procesi interesi të ndërsjellë dhe nga ana tjetër, edhe e një këmbënguljeje të ndërsjellë për të arritur në një proces, ku jo vetëm garantohen përfitime reciproke, por edhe sigurohet gjenerimi qysh në vitet e para i qindra vendeve të punës, ndërkohë që tërësia e projektit vlerësohet të ketë një impakt me një rëndësi të jashtëzakonshëm në ekonominë shqiptare.

Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje të re për Bllokun 4, ne i hapim rrugë një investimi të ri dhe të konsiderueshëm të huaj në territorin e vendit tonë dhe shpresojmë që, duke qenë se kjo Marrëveshje e rrit edhe më shumë praninë e Holandës, si një vend prej ku vjen edhe një sasi e konsiderueshme investimesh të huaja, kjo do të vlejë që në Holandë, Shqipëria të shikohet e plotë, ashtu siç është dhe jo e pjesshme, a thua se këtu nuk ka asgjë tjetër, përveç krimit të organizuar.

Në fakt, siç mund ta dëshmojnë edhe miqtë tanë të SHELL-it, Shqipëria, sot, në raport me të shkuarën jo të largët garanton qartësi, transparencë dhe drejtësi në marrëdhëniet mes qeverisë dhe investitorëve të huaj. Nga ana tjetër, prania e një kompanie si SHELL-i përbën një arsye më shumë për kompanitë e tjera, për ta parë Shqipërinë, jo siç përshkruhet në media të ndryshme në Europë, apo siç e dëshirojnë eksponentë të forcave të ndryshme politike që janë kundër zgjerimit të Bashkimit Europian, por si një vend ku përderisa investon SHELL-i, mund të investojë kushdo.

Përderisa SHELL-i gjen një atmosferë shumë miqësore për të bërë biznes, këtë atmosferë mund ta gjejë kushdo. Përderisa SHELL-i nuk e bën Shqipërinë pjesë të strategjisë së detyruar nga rënia e çmimit në bursë për të ndërprerë programet e veta të eksplorimit, por vazhdon ta përfshijë në programet e veta të eksplorimit, kushdo mund ta shohë Shqipërinë po njësoj, si një vend oportunitetesh të shumta, përfshirë edhe vetë sektorin e naftës, ku, siç e nënvizoi ministri, ka ende shumë për të eksploruar dhe ka ende shumë për të zbuluar pas këtij zbulimi shumë të rëndësishëm, që presim me padurim të provohet edhe i komercializueshëm.

Nuk dua të zgjatem më tutje me përpjekjet tona për ta futur të gjithë sektorin në shinat e një zhvillimi të qëndrueshëm, me kuadrin ligjor bashkëkohor për sektorin, që është tanimë i ndërtuar, me punën e bërë për të ngritur një infrastrukturë të posaçme për zhvillimin e sektorit dhe me sfidat që kemi ende përpara dhe që janë shfaqur edhe së fundmi, qoftë në formën e një shqetësimi serioz, siç është ai i vijimit normal të punës së kompanisë ARMO, qoftë edhe në formën e domosdoshmërisë për të reformuar “Albpetrol”-in dhe qoftë edhe në formën e nevojës jetike për të garantuar balancën midis të gjithë kësaj përpjekjeje për zhvillim dhe qëndrueshmërisë së mjedisit.

Duke e mbyllur, unë dua të sjell në vëmendjen e të gjithëve dhe nuk e di, nëse ky është një informacion i ri për miqtë tanë të SHELL-it këtu të pranishëm, se, këtë vit bëhen 100 vjet nga zbulimi i parë i rezervave të naftës në Shqipëri nëpërmjet shpimit në zonën e Drashovicës të një pusi nga ana e specialistëve dhe punonjësve italianë në vitin 1918. Historia e përpjekjes për të zbuluar naftë është 100-vjeçare, por, padiskutim, kjo pasuri e jashtëzakonshme nuk e ka pasur ende impaktin që duhet dhe mund të kishte dhe duhet e mund të ketë në jetën e popullit tonë.

Ky është qëllimi ynë madhor, që t’i hapim rrugë këtij impakti. Kjo është dhe substanca e Marrëveshjes që ne nënshkruajmë sot me SHELL-in, e cila shënon marrëveshjen e parë në rrugën e një qasjeje të re, ku shqiptarët nuk janë më spektatorë që jetojnë, apo që përfitojnë thjesht një rentë, por janë bashkëpërfitues të proceseve të eksplorimit.

U deshën 100 vjet që të përmbushej profecia e gazetës “Le Petit Parisien”, e cila në vitin 1925 shkruante pikërisht duke u nisur nga pasuritë tona natyrore dhe nafta në veçanti: “Të mëdhenjtë, qofshin këta amerikanë, anglezë, francezë apo të tjerë do të vijnë në Shqipëri, për t’u shndërruar në partnerë për një zhvillim afatgjatë të atij vendi të varfër”.

Sot i kemi britanikë dhe holandezë, më të mirën që mund të gjenim, njësoj si të kishim një skuadër të përbashkët të Ajax-it të Amsterdamit dhe të Manchester City-t të sotëm, që do ishte absolutisht e pathyeshme në të gjitha sfidat e Ligës së Kampionëve.

Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe le të urojmë sëbashku, që fundi i vitit do të na japë dhe përfundimet e shumëdëshiruara. Çka Shpiragu ka mbajtur për kaq shumë shekuj në barkun e tij do të bëhet pasuri e prekshme e popullit shqiptar dhe nuk diskutohet edhe arsyeja që ju të keni bilance edhe më shumë sesa sot, me shpresën që, sidoqoftë, fitimet tuaja nuk do jenë 30 herë sa Prodhimi ynë i Përgjithshëm Kombëtar, por që edhe falë jush, ne do ta ngushtojmë këtë raport.

Faleminderit!

* * *

Kompania SHELL nis kërkimin e naftës edhe në Bllokun 4 në Shpirag të Beratit dhe vijon programin e zbulimit të naftës, mbi bazën e pritshmërive të larta që janë krijuar nga kërkimet e deritanishme në Blloqet 2 dhe 3. Qeveria shqiptare firmosi sot Marrëveshjen hidrokarbure me kompaninë SHELL, e cila rrit edhe më shumë praninë e Holandës me investime të huaja në territorin tonë. Në kuadër të Marrëveshjes, kompania parasheh edhe investime sociale për përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj zone, për arsimin profesional, të sigurisë rrugore, shërbimit shëndetësor dhe për zhvillimin e bizneseve të vogla lokale.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.