Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës dhe takimit me punonjës të kompaninë PSZ Albania, për prezantimin e nismave të qeverisë në kuadër të riintegrimit në tregun e punës për grupet e veçanta:
Përshëndetje të gjithëve!
Dua të përshëndes djemtë që i kanë dhënë jetë kësaj sipërmarrjeje dhe kam shumë dëshirë t’i ftoj ata që takova duke hyrë, që u prezantuan si grupi i pjesës së sipërme të ndërmarrjes, që nga vajza me ngjyrën e rilindjes dhe të gjithë të tjerët. Ishte shumë energjizuese të takoja një grup të rinjsh, që e kanë filluar punën përpara nesh, sot në mëngjes dhe që ndryshe nga ata që rrinë në kafene me lekët e prindërve, me iPhone dhe me ekspres e shfryjnë duke pritur edhe ndonjë lek shtesë nga vëllai në emigracion dhe duke u ankuar se s’ka punë, ja ku janë dhe janë vetëm një pikë uji në një rrjedhë vajzash dhe djemsh që realisht i janë kushtuar shkollës, i janë kushtuar aftësimit dhe i kushtohen punës.
Faktikisht, ky është një realitet që zë pak vend në pasqyrat e kazanëve tanë mediatikë, zë pak vend në hapësirën e debatit tonë, ku rëndom zënë vend gjëra që mund të mos jenë të parëndësishme, por janë vetëm një pjesë e Shqipërisë që jetojmë.
Nga ana tjetër, e gjitha ajo që ne kemi bërë, apo po bëjmë, për të luftuar varfërinë, për të rritur punësimin, nuk është një arsye që ne të themi se kemi bërë ndonjë çudi, apo të kërkojmë duartrokitjet e kujtdo qoftë, sepse është shumë pak në raport me atë që ka ende nevojë vendi dhe në raport me atë që meritojnë edhe ata që janë në punë, rroga më të mira, kushte pune më të mira, siguri më të madhe në punë, parashikueshmëri më të qëndrueshme në vijim, garanci për sigurimet e tyre dhe për pensionet e tyre.
Ama është pak, por e sigurt që varfëria, pikërisht sepse nuk luftohet me propagandë, pikërisht sepse nuk luftohet me lëmosha, pikërisht sepse nuk luftohet duke zgjidhur sot për sot diçka të vogël dhe duke mbyllur sytë ndaj të nesërmes, u ul këmbëkryq për vite e vite të tëra dhe u kthye në një status për shumë e shumë njerëz, për të cilët nuk u mendua kurrë, as se si do të aftësohen për punë dhe as se si falë aftësive do të mund të tërhiqen në tregun e punës.
Ndihma ekonomike nuk është zgjidhje afatgjatë. Ndihma ekonomike është vetëm një moment solidariteti, që duhet të jetë sa më i shkurtër, përgjatë të cilit një shtet i vërtetë dhe një qeveri e përgjegjshme bën gjithçka t’i japë mundësi individit të përgatitet për të ikur nga ai moment dhe për të kaluar në një fazë tjetër përmes punës.
Si mund të kalojnë në një fazë tjetër, përmes punës, burra, djem, gra dhe vajza, që lihen në gjendjen e paralizës me një ndihmë ekomomike të pjesshme, që ka arritur në vite e vite të tëra të jetë edhe 6 mijë lekë të vjetra, të cilën e shpërndanin ata që sot shkojnë shtëpi më shtëpi për të dalë në televizor me të varfrit, e lënë pas dore për 20 e kusur vite me radhë?
Është e pamundur, sepse lënia në mëshirën e lëmoshës dhe përsëritja pa pushim e ciklit të lëmoshës nuk është çështja se nuk të rrit të ardhurat, është çështja se të mpin, të paralizon dhe të përjashton nga rrethi i mundësive që ka vendi dhe shoqëria për të integruar, të zhburrëron, kur i thonë shqip.
Unë nuk dua të flas këtu për shumë e shumë shifra. Dua të them vetëm një gjë, që ta marrin vesh të gjithë e që shpresoj që dhe ata që do të na ndjekin, apo do të na transmetojnë në kronikat e tyre, të na ndihmojnë që ta përcjellim. Sot, kush del nga ndihma ekonomike dhe është i aftë për punë, del nga një situatë ku merrte mesatarisht 35 mijë lekë të vjetra dhe ka menjëherë në dorë, nga shteti, 55 mijë lekë që të shkojë e të bëjë kurs profesional në qendrat e Formimit Profesional. Pra, merr një shumë të barabartë me mesataren e re të ndihmës ekonomike, që do të jetë 58 mijë lekë.
Që do të thotë se në vend që të dilni në televizor, duke u qarë në supet e kujt nuk ju ka zgjidhur kurrë hallin dhe hallin tuaj ka nevojë ta përdori për propagandë, drejtohuni në zyrat e punës. Drejtohuni në zyrat e punës, siç janë drejtuar ata që folën këtu përpara nesh dhe siç drejtohen shumë të tjerë dhe regjistrohuni për punë. E nëse nuk keni aftësinë për punë, pasi askush nuk ka menduar për formimin tuaj profesional, drejtohuni në qendrat e Formimit Profesional dhe merrni çdo muaj 55 mijë lekë për t’u trajnuar jo vetëm falas, por edhe duke marrë një pagesë solidariteti, që kur të riktheheni tek zyrat e punës, kur të shkoni të trokisni tek zyrat e ndërmarrjeve, të mos jeni thjeshtë të papunë që nuk dini të bëni asgjë, por të jeni të papunë që ofroni një aftësi, një dije, një vlerë për ndërmarrjen.
Kjo ndërmarrje këtu është një ndërmarrje e ngritur nga dy njerëz, të cilët e kanë nisur nga zero. Ka 250 punonjës, planifikon të shkojë mbi 300 deri në fund të vitit. Pse nuk shkon 300 deri në fund të muajit? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Sepse nuk ka mundësi të rekrutojë brenda muajit edhe 50-60 apo 70 të tjerë që kanë aftësinë të bëjnë punën për të cilën kërkon punonjës ndërmarrja.
Si zgjidhet?
Këta njerëz të papunë duhen aftësuar, duhen trajnuar. E dëgjuat vajzën që foli këtu, e cila me diplomën e shkollës nuk mund të punësohej menjëherë, pa kaluar në proces trajnimi dhe është trajnuar këtu, në ndërmarrje. Edhe procesi i trajnimit i qendrave të Formimit Profesional bëhet i harmonizuar me ndërmarrjen. Kështu që është koha të flasim më shumë për punësimin, por të flasim edhe më shumë për mënyrën sesi punësimi nuk të vjen në shtëpi, nuk të vjen në kafene, nuk të vjen të të çojë nga gjumi në 9 të mëngjesit, kur gjëja e parë që bën sa hap sytë, shkon tek iPhone. Punësimi kërkohet dhe krijohet duke u aftësuar.
Ne jemi të vetëdijshëm se zyrat tona të Shërbimit Kombëtar të Punësimit do të bëjnë shumë më tepër. Kemi folur për këtë me drejtuesit e zyrave. Çdo zyrë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit do të jetë një zyrë jo që pret e përcjell, por një zyrë që mbështet me të gjithë forcën e solidaritetit, njerëzit që janë në kërkim dhe në nevojë të një pune e po ashtu duhet të jetë në harmoni të plotë me zyrat e Shërbimit Social Shtetëror.
Përmes krijimit të kësaj harmonie e përmes vendosjes së objektivave për çdo zyrë, gjë që e kemi diskutuar me drejtuesit e ri të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për çdo muaj, ne do të arrijmë që shumë njerëz t’i nxjerrim nga qerthulli vicioz i varfërisë si status dhe i ndihmës ekonomike si lëmoshë e përjetshme e t’i përfshijmë në tregun e punës.
Natyrisht, në tregun e punës ka rroga, të cilat janë të pamjaftueshme për të thënë se “uau, mora rrogën e nuk jam më i varfër”, por mos harrojmë, jetojmë në një vend ku deri dje ishim pa asnjë rrugëdalje. Sot, rrugëdaljen e kemi, ama na duhet punë, këmbëngulje dhe durim. Sepse çka u rrënua në sistem për çerekshekulli, nuk mund dot të rindërtohet e të bëhet funksionale në vetëm një mandat.
Ky mandat i ri është thelbësisht mandati i punësimit. Mandati i një ndryshimi të raportit thelbësor me punën dhe të integrimit në punë përmes aftësimit. Shumë cinikë dhe shumë iPhone-istë dhe njerëz që konsumojnë kafe, duke nxjerrë vetëm helm, e përsëritën, e stërpërsëritën dhe e stër-stërpërsëritën atë shprehjen që dikur, me pak sportivitet, siç e karakterizon personazhin, tha Blendi Klosi që punë ka, por nuk ka specialistë.
Në fakt, e vërteta e hidhur është se pikërisht ngaqë për 20 e kusur vite, ne nuk menduam kurrë për arsimin profesional, nuk menduam kurrë për zanatet, nuk menduam kurrë për një të ardhme punësimi të qëndrueshme, siç kanë menduar e vazhdojnë të mendojnë edhe sot, Gjermania, Zvicra e me radhë, por duke marrë këto dy vende, kolosë të zhvillimit ekonomik dhe social, Suedia, Danimarka, Norvegjia, vendet më të pasura të Europës dhe të botës, që nuk i degdisin të gjithë fëmijët drejt universiteteve, por u japin pjesës më të madhe të tyre, një zanat e që me zanatin, jo thjesht të marrin një punë, por të bëjnë dhe biznes, të pasurohen, të zhvillohen, mbetëm në kushtet kur sot, çfarë janë raportet e zyrave të punës janë raporte dëshpëruese për burra nga 25, 30 e 35 vjeç, që shkojnë e thonë, po regjistrohem, por unë nuk di të bëj asgjë, sepse askush nuk u ka mësuar të bëjnë asgjë.
E pra, është koha që gjithkujt t’i japim mundësinë të dijë të bëjë diçka dhe nuk duhen as katër, as pesë vjet, duhet thjesht një kurs formimi profesional për të filluar dhe dyert e ndërmarrjeve janë të hapura. Prandaj, zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit nuk duhet të presin që të shkojnë ndërmarrjet tek ato, por duhet të shkojnë tek çdo ndërmarrje, duhet të njihen me çdo sipërmarrës, duhet të dëgjojnë çdo kërkesë, duhet të kenë të qartë çdo pasqyrë nevojash e duhet t’i shkojnë mbrapa çdo njeriu që është i gatshëm të punojë, që ta përfshinë në pasqyrën e nevojave të sipërmarrjes në çdo bashki e çdo qark.
Shumë faleminderit të gjithëve!