Komunikimi me mediat i Kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në Elbasan:
Faleminderit shumë që keni ardhur deri këtu. Shpresoj që edhe ju të jeni të surprizuar nga ky investim fantastik që është bërë në këtë zonë, deri dje tërësisht të braktisur mes gërmadhave të një i sh reparti ushtarak, ku një sipërmarrës i njohur shqiptar ka sjellë një transformim realisht mbresëlënës, duke ngritur një infrastrukturë bashkëkohore që eksporton në Europë produktet e peshkut, duke krijuar punësim dhe njëkohësisht, duke e shoqëruar të gjithë këtë investim edhe me një resort të ri turistik.
Kështu që, me kënaqësinë e kësaj pamjeje të papritur për mua, por edhe për të gjithë ne që erdhëm këtu, sot, dëshiroj të ndaj me ju disa momente të mbledhjes së Këshillit të Ministrave që sapo përfunduam. Sipas kalendarit të përmuajshëm, çdo muaj, ne jemi në një qark, jo për ekskursion, jo për turizëm, por për të qëndruar dhe për të shkuar në çdo pjesë të aktivitetit të zonës, për të kontaktuar drejtpërdrejtë me njerëzit, për të dëgjuar dhe mësuar prej tyre, për të mbajtur shënim çfarë dëgjojmë dhe njëkohësisht, për të përcjellë edhe mesazhet tona, për të bërë me dije projektet tona dhe për t’u mbajtur fort të lidhur me realitetin, pra, për të qëndruar me këmbë në tokë, siç i thonë shqip.
Kemi dy probleme të trashëguara, dy gropa, të cilat kemi bërë përpjekje për t’i mbushur, por ende nuk i kemi mbushur dot plotësisht, qoftë për arsye të marrëzive të së shkuarës, qoftë për arsye të shfaqjes së babëzisë të së shkuarës së afërt. Kam parasysh rrugën Elbasan-Tiranë, kam parasysh edhe rrugën tjetër, Qukës-Qafë Plloçë. Projekte skandaloze. Kontrata skandaloze. Menaxhim skandaloz. Rritje kostosh skandaloze. Sidoqoftë, ajo çka ne jemi angazhuar dhe jemi të vendosur të realizojmë, është që rruga më në fund të finalizohet brenda këtij viti, pra, të hapet përfundimisht dhe të lidhet përfundimisht, përmes kësaj rruge të re, Elbasani me Tiranën. Ndërkohë që të ecet më tutje me segmentin Qukës-Qafë Plloçë, që lidh Elbasanin me Korçën.
Po ashtu është shumë e rëndësishme që po finalizohet një aks i ri rrugor, i nisur në mandatin e parë, që krijon kushtet për përforcimin e një poli të natyrshëm ekonomik mes Elbasanit dhe Beratit, duke bashkuar Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që janë zona ku ka një zhvillim të vazhdueshëm e të rëndësishëm bujqësor dhe ku iu jepet një mundësi e re dhe e shumëpritur të gjithë sipërmarrjeve bujqësore, për një lëvizje normale drejt tregjeve.
Një sërë projektesh të tjera në portofolin e katër viteve të ardhshme për qarkun lidhen me infrastrukturën, me ujësjellës dhe me energjinë; Fjala vjen, projekti i interkonjeksionit 400 kilovolt Fier-Elbasan-Manastir, që do të sjellë një tjetër zhvillim pozitiv në sektorin energjetik dhe në lidhjen e rrjetit tonë me Maqedoninë e më tej, me zonën lindore të Ballkanit.
Kemi diskutuar edhe për projektin e transformimit të zonës së ish-Metalurgjikut, një tjetër gangrenë e së shkuarës, ku jemi shumë të fokusuar në çuarjen përpara të vizionit të kompleksit të parqeve industriale, gjë për të cilën po punojmë intensivisht nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Elbasani do të jetë një prej qarqeve që ka përfitueshmërinë më të alartë nga programi i ri i fshatrave turistikë. Janë 8 qendra rurale në qark, që janë bërë pjesë e këtij programi. Janë zona fantastike, Gjinari, Shushica, Shtërmenji, Seferani, Sotirasi, Stërbleva, Dardha dhe Pajova, që kanë nevojë për ndërhyrje në mënyrë që të kthehen në zona të zhvilluara ku të krijohet punësim, të krijohet ekonomi, përmes shfrytëzimit të pasurive fantastike natyrore.
Po ashtu dua të nënvizoj se kemi marrë vendimin për të finalizuar reformimin e strukturës së vjetër dhe të degraduar të drejtorive të bujqësisë. Më në fund, nga sot nuk do kemi më Drejtori të Bujqësisë dhe kalojmë nga 13 drejtori bujqësie, që ishin një sistem parazit, i degraduar, atavizëm i të shkuarës, në 4+4 agjenci rajonale: 4 Agjenci Rajonale të Seksionit Bujqësor dhe 4 Agjenci Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Njëra prej këtyre Agjencive të Veterinarisë dhe të Mbrojtjes së Bimëve do të ketë si qendër Elbasanin. Nëpërmjet këtij procesi reformimi, ne do të forcojmë Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural më shumë, do të organizojmë shumë më mirë shërbimin e këshillimit bujqësor dhe do të krijojmë një instrument real në duart e atyre që kanë nevojë për këshillim bujqësor dhe kanë nevojë për garanci nga pikëpamja e shërbimit veterinar dhe e mbrojtjes së bimëve.
Jemi të bindur që këto Agjenci do të sjellin një vlerë të shtuar, në një proces ku jemi shumë të vendosur të përmirësojmë në vazhdimësi sigurinë ushqimore, jemi shumë të vendosur të garantojmë në tërësi të gjithë zinxhirin që e përbën këtë sektor jetik për vendin dhe këtë motor kaq potencial, ende të pashfrytëzuar si duhet për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Besoj se ju kujtohet historia e mësueses nga Mirdita. Ju kujtohet që zgjidhëm përkohësisht problemin e saj dhe të grave, të cilat kishim ndërprerë terapinë. Sot jam shumë krenar të them se i kemi shkuar deri në fund dhe me një vendim qeverie kemi arritur të hyjmë në një fazë të re përsa i përket trajtimit me këto medikamente specifike, që kanë kosto shumë të larta, duke hapur një kanal të drejtpërdrejtë negocimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanive të mëdha mëmë. Është bërë një provë, e cila ka dalë me sukses dhe duke iu drejtuar kompanisë mëmë me të gjithë argumentet për pamundësinë e buxhetit të shtetit tonë për të përballuar të gjithë koston e kurës për të gjitha gratë që kanë nevojë të kenë kurë të pandërprerë për kancerin e gjirit, kemi marrë mbrapsht një sinjal tejet pozitiv për një ulje të rëndësishme të çmimit, që e bën të mundur marrjen e këtij medikamenti dhe mbylljen njëherë e mirë, pas një çerekshekulli të këtij problemi kaq jetik dhe kaq thelbësor për gra, për vajza dhe për familje shqiptare.
Kjo është qeveria jonë. Ne vërtet nuk mund t’i bëjmë dot të gjitha, por nuk i ndahemi deri në fund, gjithçkaje që ne mund dhe duhet të realizojmë.
Elbasani, sa për të dhënë një pamje, është një territor ku janë financuar dhe realizuar 374 projekte në 4 vitet e para, nga të cilat 79 vetëm në infrastrukturë. Se si ka ndikuar dhe se çfarë kanë sjellë, për këtë janë dëshmitarë vetë banorët, për këtë flasin statistikat e ekonomisë, statistikat e punësimit e kështu me radhë, por Elbasani ka nevojë për shumë më tepër akoma. Ndaj ne do t’i japim edhe më shumë vëmendje, edhe më shumë investime, edhe më shumë rëndësi, ecjes përpara drejt një rruge ku duhet të vazhdojmë të luftojmë papunësinë dhe të gjithë pasojat e saj, në një zonë që ka shumë nevojë për zhvillim dhe punësim.
Elbasani është vendi ku kemi provën e prekshme të suksesit dhe të drejtësisë së skemës së re të financimit të ndihmës ekonomike, e cila në Elbasan testohet prej dy vitesh. E nëse do të shikoni hyrjet dhe daljet nga skema, Elbasani nuk ka pasur thuajse asnjë lëvizje, sepse skema është konsoliduar dhe ndihma ekonomike shkon tek ata që janë më të varfër dhe nuk shkon ca andej e ca këtej, siç ka vazhduar të shkojë për 27 vjet. Ka ardhur koha që kjo të mbyllet, siç është mbyllur në Elbasan, siç është mbyllur në Durrës dhe në 9 qarqet e tjera të Shqipërisë dhe ne do ta mbyllim. Vizioni ynë është i qartë, linja jonë është e qartë, cilido që del nga ndihma ekonomike dhe është i fizikisht i aftë për punë, ne jemi gati ta mbështesim që të fillojë një punë, nëse ka vullnetin dhe një minimum dije për punën, ose t’i japim mundësinë e një trajnimi.
Dua ta ritheksoj sot dhe kushedi, ndonjëri merr mundimin ta konsiderojë një informacion të arsyeshëm për ta transmetuar, që qeveria jep 55 mijë lekë të vjetra, që është mesatarja e ndihmës ekonomike, për çdokënd që del nga ndihma ekonomike dhe është gati të trajnohet, pra, për kurs profesional. Kështu që, në vend se të qajnë në supet e krokodilit që loton, të drejtohen në zyrat e punës, të drejtohen në kurse profesionale. Do të vazhdojmë të fusim në punë njerëz që nuk mund të lihen gjithë jetën me statusin e të varfrit dhe të paralizohen duke qenë në gjendje të mirë fizikisht dhe me punë të mbajnë familjen e tyre, me një rrogë që mund të jetë e vogël, por që është shumë herë më e madhe se ndihma ekonomike.
Përshëndetje Zoti Kryeministër! Dje keni qene në televizionin tonë ku keni lajmëruar arrestime të bujshme. Sot ndodhemi në këtë kompleks, ku në një nga ambientet e tij ndodhej një karikaturë me disa peshq të mëdhenj që përbënin kabinetin qeveritar. A ishte një surprizë për ju, fakti që këta peshq të mëdhenj janë pikërisht ministrat e kabinetit tuaj qeveritar, Zoti Rama?
Kryeministri Rama: Unë nuk kam lajmëruar asnjë arrestim të bujshëm, se unë nuk lajmëroj arrestime, pasi nuk kam detyrë të arrestoj njerëz. Kur të zgjoheni nga ëndrra ku më keni parë duke arrestuar njerëz, mund të bëhemi bashkë për një konferencë tjetër shtypi.
Zoti Rama, ju përmendët në fakt, afatin përfundimtar të rrugës Elbasan –Tiranë, por, sipas ekspertëve, kjo rrugë kërkon shtesë financimesh. A janë këto të vërteta dhe sa shkon vlera e tyre. Ju përmendët Metalurgjikun si një njollë e zezë për Elbasanin dhe në fakt ka qenë e tillë përsa i përket ndotjes që ka shkaktuar jo vetëm për zonën, por për të gjithë Elbasanin. E së fundi, ministria e Mjedisit ka bërë monitorime për atë zonë, ka lënë dhe afate, por asnjëherë nuk ka pasur sanksione konkrete për ato kompani që kanë ndotur mjedisin e asaj zone dhe të gjithë Elbasanit.
Kryeministri Rama: Po, është e vërtetë që është çështje financimi dhe ne do të marrim përsipër financimin. Thashë që rruga Tiranë-Elbasan është gropa e një marrëzie të shkuar dhe e një babëzie të freskët. Për marrëzinë e shkuar kanë paguar qytetarët, ka paguar buxheti i shtetit. Shpresoj që për babëzinë e freskët do të paguajnë përgjegjësit, të cilët janë në hetim, ndërkohë që ne do të duhet të mbarojmë rrugën. Ajo që ne besoj kemi detyrë dhe do të bëjmë, është që deri në fund të vitit të mbarojmë rrugën. Përsa i përket Metalurgjikut, unë nuk thashë “njollë e zezë”, thashë “gangrenë”, – unë kam shumë dashuri për gjuhën shqipe, kështu që jam shumë xheloz kur ma keqpërdorni. Është një gangrenë e vjetër. Sigurisht ka shumë probleme komplekse dhe ajo ndotje që ju thatë dhe ajo gjendje që ne e dimë, pengon edhe investitorët që të gjejnë arsye të mjaftueshme për t’u frymëzuar për të investuar në atë zonë. Ne do të merremi shumë seriozisht me atë punë në këtë mandat dhe besoj do të fillojmë të bëjmë kthesë dhe aty.
Zoti Kryeministër, këtë mandat, ne ju kemi parë që të ndiqni me vëmendje rekrutimet në administratë dhe kryesisht drejtuesit e institucioneve. Mund të na thoni se çfarë mënyre rekrutimi keni përdorur për ish deputetin e PD-së, Mëhill Fufi, i cili sot është Drejtor i Transporteve në Laç?
Kryeministri Rama: Ju më keni parë mua, duke ndjekur rekrutimet, por do më keni parë në ndonjë ëndërr, se unë nuk ndjek rekrutimet. Rekrutimet i bëjnë institucionet dhe janë ato që ndjekin të gjitha procedurat.