Fjala e Kryeministrit Edi Rama në bashkëbisedimin me qytetarë në Elbasan, për ndërveprimin qytetar në Platformën e Bashkëqeverisjes:
Faleminderit shumë për këtë pjesëmarrje kaq të madhe!
Më vjen keq se kur hymë pamë shumë njerëz që kishin mbetur jashtë. Besoj se është një aktivitet që ia vlen, sepse e vërteta është se falë ndërveprimit me platformën e bashkëqeverisjes janë adresuar këtu në këtë qark, shumë probleme të mbartura nga ato problemet “e vogla” të njerëzve të zakonshëm dhe familjeve të zakonshme, por që për njerëzit dhe për familjet janë probleme shumë të mëdha dhe arsye për stres, për humbje besimi dhe për zhgënjime të mëdha.
Përpara sesa të them pse është shumë e rëndësishme që kushdo që ka një problem me administratën të mos dorëzohet, por të bashkohet me ne përmes platformës, unë kam kënaqësinë të jem këtu, bashkë me disa qytetarë, zonja dhe zotërinj të kësaj zone, që më treguan se janë nga ata që kanë marrë mundimin t’i drejtohen platformës dhe faktikisht kanë marrë edhe zgjidhje prej saj. Kështu që po ua kaloj fjalën për t’i dëgjuar historitë e tyre njerëzore dhe shumë të zakonshme, për fat të keq, për shumë njerëz të tjerë që vuajnë me vite, nganjëherë, për një titull pronësie, për një leje legalizimi dhe për gjithfarë shërbimesh që administrata ka për detyrë t’ua japë në kohën e duhur, siç e parashikon ligji dhe siç janë detyrimet e saj.
Unë quhem Florenca Stafa dhe jam me profesion mësuese. Jam sot, këtu, për të ndarë me ju eksperiencën time lidhur me nismën e Zotit Kryeministër për Platformën e Bashkëqeverisjes me qytetarët. Kisha një problem me vëllain tim në Itali, të cilit prej kohësh i kishin skaduar pasaporta dhe dokumentet e tjera dhe konsullata shqiptare në Milano nuk i kishte dhënë zgjidhe problemit. Mendova t’i drejtohem platformës shqiperiaqeduam.al, duke paraqitur aty kërkesën time për një zgjidhje të problemit. Për të qenë e sinqertë, nuk e mendova që problemi im do merrej në konsideratë, por jam befasuar kur brenda fare pak ditëve më kontaktuan nga zyra për bashkëqeverisjen dhe menjëherë, problemin e përshkallëzuan në instanca vertikale, duke zgjidhur atë në një kohë rekord. Mua personalisht nuk mu desh të lëvizja qoftë dhe një ditë të vetme drejt Tiranës, të trokisja në zyra pafund, apo në radhë të gjata, ndaj dua të përgëzoj stafin. Në fakt më ka bërë përshtypje gjuha e profesionalizmit, e korrektesës, e përkushtimit dhe e gatishmërisë. Ndaj dua t’ju them me bindje të plotë, se nisma të tilla e kanë suksesin të garantuar vetëm kur pranë ke njerëz të aftë dhe ashtu siç ky dikaster funksionon më së miri, në fakt ka dhe institucione, të cilat mendoj se duhet ta përmirësojnë punën e tyre. Pak më parë thashë se jam me profesion mësuese dhe ne kemi vendosur të jetojmë dhe të punojmë në Shqipërinë tonë të dashur, kemi vendosur që fëmijët tanë t’i arsimojmë në Shqipëri, ndaj, nëse më lejoni, dua t’ju kërkoj që arsimi të jetë prioriteti juaj primar, ku të zërë vend realisht meritokracia. Sot ka kuadro me integritet të lartë profesional, por që janë lënë në hije.
Kryeministri Rama: Çështja e dokumenteve për shqiptarët në emigracion ka qenë një tmerr i madh, i trashëguar. Natyrisht nuk është një çështje që mund të konsiderohet ende e mbyllur plotësisht, por, duke qenë se pas zgjidhjes së problemit të zonjës dhe ka jo pak raste të ngjashme për dokumente me konsullatat, qëndron personalisht ministri i Jashtëm, sepse sekreti i suksesit të Platformës është se çdo ankesë që qytetari bën në platformë shkon drejtpërdrejtë te ministri ose ministrja, nuk është një ankesë që mbetet në ato kthesat e burokracisë.
Çdo vit, 6.7 milionë euro nga puna dhe gjaku i emigrantëve shqiptarë në Greqi shkonin për dokumente. Falë dialogut dhe këmbënguljes sonë, kuptohet ministrit, në një proces shumë të vështirë, ne arritëm që këto 6.7 milionë euro çdo vit, nga arka e burokracisë greke t’i lëmë në arkën e familjeve të emigrantëve shqiptarë. Është pak, apo është shumë, këtë le ta gjykojnë ata që na bëjnë gjyqet çdo ditë nga kafeneja në Facebook.
Jam këtu për të shprehur mirënjohjen ndaj Kryeministrit dhe zyrës së bashkëqeverisjes për të zgjidhur problemin tim. Unë kam mbaruar për mësuesi, matematikë e fizikë, por nuk pata mundësi të licencohesha në korrik të vitit 2017, sepse u bëra nënë. E për këtë arsye më duhej të licencohesha në dhjetor të vitit 2017. Por pa letrën e licencës nuk mund të aplikoja për punë. Bëra provimin e licencës, u licencova dhe u drejtova sërish në Drejtorinë Arsimore. Por afati i dorëzimit të dosjeve kishte përfunduar. Ky fakt më bënte të humbisja edhe një vit tjetër në pritje. Isha e pashpresë dhe i shkrova Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila i dha zgjidhje problemit tim. Jam shumë e kënaqur, sepse kjo zgjidhje erdhi për 2-3 ditë. U sugjeroj të gjithë shqiptarëve që kanë të tilla probleme, të aplikojnë tek kjo platformë sepse do shikoni që do keni një zgjidhje.
Kryeministri Rama: Unë nuk i pranoj falënderimet që nuk më takojnë, sepse realisht, jo për modesti, por nuk është merita ime. Është merita e ministres së Arsimit. E thashë, sekreti i gjithë këtij sistemi është që ne të bëjmë në çdo ndërveprim me çdo qytetar që hyn në platformë, atë që kemi premtuar, e cila ka qenë, çdo qytetar mund të jetë pjesë e koalicionit tonë qeverisës dhe duke u regjistruar në këtë platformë, ka të njëjtin akses në qeveri, siç e ka një deputet, siç e ka cilido titullar dhe menjëherë për problemin e tij apo të saj interesohet titullari i ministrisë, ministri ose ministrja. Që do të thotë se në këtë mënyrë, nga një anë, qytetarët ngrenë zërin, nga ana tjetër, ministri ose ministrja përkatëse bashkohen me të dhe kështu grabitqari, paraziti apo ai zyrtari që nuk e ka vënë ujin në zjarr për të zgjidhur problemin e qytetarit është në kurth, nuk ka ku shkon. Vetëm kështu, nga njëra anë zgjidhim problemin dhe nga ana tjetër çojmë çdo ditë mesazhin poshtë në zyrat e shtetit, se çdo qytetar që të vjen përpara për të kërkuar të drejtën e tij ka fuqinë të të pushojë nga puna, se ajo që ndodh është që, pasi zyra përkatëse nuk të ka dhënë përgjigjen që ti meriton me ligj dhe ti të drejtën e merr përmes platformës, vazhdon pastaj hetimi mbrapa, pse s’tu dha përgjigja. E nëse përgjegjësia ka qënë individuale e njërit apo tjetrit, ai “njëri” apo “tjetri” largohet nga detyra.
Kjo është mënyra si funksionon dhe unë dua t’i inkurajoj të gjithë. Këtu nuk është puna se do paguash lekë për të bërë ankesat. Këtu nuk është puna se do humbasësh orë apo ditë për të bërë ankesën. Është shumë më e thjeshtë, sesa të marrësh rrugën e të shkosh të mbash radha, të kërkosh miq apo të paguash lekë. Për 3 minuta futesh në platformë, regjistrohesh, çon çështjen dhe do presësh 10 ditë. Madje, përpara 10-ditëshit vjen përgjigja, ankesa u mor dhe po trajtohet. Brenda afatit ligjor, ti merr përgjigje. Në raste kur ka kalim të afatit, për arsye të caktuara objektive, përsëri ti merr një sqarim dhe të kërkohet mirëkuptimi për pak më shumë kohë. Deri më sot, që platforma ka nisur të jetë efektive dhe që është ende në një fazë fillestare, janë mbi 5 mijë raste, por ajo që është dramatike është se shumica e rasteve janë raste skandaloze, për nga fakti se janë me vite dhe janë zgjidhur në një kohë rekord.
Vij nga fshati Qerret, ish komuna Pishaj, Gramsh. Kishim problemin e shtëpive. U munduam prej 25 vitesh dhe asnjë zgjidhje nuk gjetëm. U detyrova i shkruajta bashkëqeverisjes dhe u gjet zgjidhja brenda dy javëve. Ju faleminderit zoti Kryeministër në emër të gjithë bashkëfshatarëve të mi.
Kryeministri Rama: Pjesa më e madhe e problemeve të platformës lidhet me pronën, lidhet me hipotekat, me legalizimet dhe aty është dhe pjesa ku jo vetëm volumi i ankesave, por edhe nevoja për të reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe për t’i pastruar të gjithë këto sisteme nga gjithfarë parazitësh e grabitqarësh që vazhdojnë akoma plot nëpër zyra është akoma më e madhe. Nën drejtimin e ministres së Drejtësisë po përgatitet edhe reforma e bashkimit të këtyre zyrave. Nuk do kemi më, nga njëra anë ALUIZNI, nga tjetra hipoteka e kështu me radhë, por do kemi një Agjenci Kombëtare të Titujve të Pronësisë, ku me një stacion do të trajtohen të gjitha çështjet që lidhen me pronën dhe do marrë fund, njëherë e mirë, edhe ai tmerri i pafund që shkon tek ALUIZNI, ta jep, shkon tek hipoteka, s’ta njeh. Këtu ka plot raste që ne i kemi ndjekur dhe i kemi zgjidhur në hipotekën e Elbasanit. Unë kam parë dosjen pas zgjedhjeve, janë gjendur atje mbi 4000 dosje njerëzish që prisnin të hipotekoheshin, pasi ishin legalizuar. E për çfarë rrinin atje mbi 4000 dosje stivosur që prisnin që secili t’ju dilte për zot, në forma që dihen.
Vetëm në këtë periudhë të shkurtër janë procesuar 520 dhe këtu ka njerëz që do të jenë përfituesit, apo i kanë marrë, a do t’i marrin në ditët në vijim. Kështu do të çmontohet gjithë ai stok i madh dosjesh që prisnin aty me vite, pasi kishin marrë lejen e legalizimit. Kishin shumë të drejtë njerëzit, pasi shkonim ne për të shpërndarë lejet e legalizimit, që na bënin edhe ironi, mirë që na jepni këto, por prapë ne mbetemi pa hipotekë. Kjo reformë do të bëjë që ky të jetë një cikël i mbyllur e që kërkesa të mos shkojë të bëjë xhiron e institucioneve dhe qytetarët të mos bëjnë xhiron e dyerve dhe të xhepave.
Që në vitin 2005 aplikova për legalizimin. Që qeveria e kaluar e të gjithë drejtorët që janë ndërruar më thoshin lëre numrin e telefonit e do të lajmërojmë. Erdhi drejtori i ri, e mora legalizimin kam dy vjet, por tani kam ngelur në hipotekë. Hipotekën nuk e merrja dot. Jo sot, jo nesër, u bënë dy vjet. U drejtova tek drejtori i ri. Arrita që sot më ka marrë në telefon dhe besoj se do e kem certifikatën. Të falënderoj dhe ju përshëndes për gjithë punët që bën e nuk na zhgënjeve që nga viti 2013.
Kryeministri Rama: Në fakt, drejtori ma dha certifikatën mua, para se të hyja këtu dhe mund ta marrësh certifikatën. Drejtori e kuptoi që ose ti merr certifikatën, ose ai merrte lirimin nga puna sot, kështu që erdhi me vrap për certifikatën tënde. Prandaj duhet bashkëqeverisja. Duhet të ruhemi nga drejtorët, por duhet të ruhemi bashkërisht. Se drejtorët e kanë në terezi, kush dëmtohet jemi unë dhe ti. Po nuk punoi drejtori, mua s’më beson më njeri e ty s’të mbaron puna.
Unë jam një shitës mishi. Kam që në 2008-ën me licencë. Në 2014-ën më vjen një gjobë 1 milionë lekë. Në 2018-ën gjobë tjetër, 1 milionë lekë. Mishi i gjithi i vulosur. Ma kanë vënë pa të drejtë gjobën.
Kryeministri Rama: Është shumë e rëndësishme që të ritheksohet, mos prisni, mos humbni kohë, mos kërkoni rrugë të tjera, bjerini shkurt, hyni në platformë dhe bëni ankesën tuaj. Përpara disa ditësh u ankua një sipërmarrës, të cilit i kishte ardhur shpirti në majë të hundës, me sa duket. Sipërmarrësit, si ju që folët tani, përgjithësisht nuk e ndjekin këtë rrugë, janë mësuar të paguajnë ryshfet, për fat të keq. Menjëherë u vunë në lëvizje mekanizmat përkatës dhe inspektori përkatës, një inspektor që i nxinte jetën pikërisht për punë ushqimi, nuk kam parasysh tani cilin produkt, u arrestua. Por ama mjaftoi fakti që ai sipërmarrës denoncoi dhe i doli për zot denoncimit. Kështu që, në rast se juve ju kanë vënë 1 milionë gjobë, që ju e konsideroni të padrejtë, por mund të jetë dhe e drejtë, – ti thua jam në rregull e unë deri tani nuk kam takuar asnjë shqiptar që të thotë s’jam në rregull. Këtu, edhe kryetari i opozitës nuk thotë s’jam në rregull, kur duket që s’është në rregull, – çështja është që, nëse mendon që je në rregull, duhet menjëherë të ankohesh dhe menjëherë të kërkosh të drejtën tënde. Nuk mund të paguash 1 milionë lekë gjobë dhe ta lësh të kalojë, nëse se ke bindjen që je në rregull.