Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të Pallatit të Sportit “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, Durrës:

Së pari, shumë faleminderit për ftesën!

Me thënë të drejtën nuk e prisja këtë surprizë, sepse nuk mendoja që do gjeja këtu në këtë vend një infrastrukturë kaq dinjitoze, një pallat sporti në kuptimin e plotë të fjalës.

Më thanë që ka dhe një sallë tjetër për stërvitje, po kaq të bukur, kështu që i takon ideatorit dhe financuesit të idesë, Iglit, një shprehje mirënjohjeje dhe respekti për këtë investim fantastik, që shpresoj shumë të frymëzojë edhe të tjerë, për të shtrirë këtë infrastrukturë në vende të tjera, pasi është e vërtetë që në Durrës ka pasur basketboll, por s’ka pasur vetëm në Durrës, ka pasur edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, në Tiranë po e po.

Nga an tjetër shpresoj që zëvendësministri i Sportit, një basketbollist shumë i njohur, Kostandin Shkurti, do jetë në lartësinë e detyrimit tonë për t’i mbështetur këto nisma dhe sëbashku me komunitetin e basketbollit, por jo vetëm, t’i hapim rrugë edhe një ligji bashkëkohor për sponsorizohet, në mënyrë që sponsorizimi në sport e në kulturë të stimulohet dhe të jetë një rrugë për të krijuar më shumë mbështetje financiare për sportin, veçanërisht për sportet e tjera, sepse futbolli nuk diskutohet e që sidoqoftë i ka disa mundësi që sportet e tjera nuk i kanë dhe është shumë më tepër një industri sesa thjesht një sport.

Duke parë angazhimin e madh të shumë figurave të njohura të sportit, sidomos në komunitetin e basketbollit, është vërtetë një mundësia e madhe që përmes gjetes së rrugëve për të stimuluar financiarisht këtë aktivitet, ne të tërheqim shumë më tepër fëmijë drejt këtij sporti. E vërteta është që sot ka një numër mbresëlënës fëmijësh që janë të regjistruar në rrjetin e shoqatave dhe të iniciativave të ndryshme, falë edhe pjesëmarrjes së këtyre figurave.

Unë me shumë respekt e me shumë mirënjohje do doja të veçoja sot, profesor Astritin, i cili kur doli këtu në fushë, mu duk njësoj si 30 vjet përpara. Nuk e di kush është sekreti. Ka një diskutim mbi sekretin e formës së profesorit. Shumica mendojnë që sekreti është Terezina që i qëndron shumë pranë, por unë besoj që patjetër është Terezina, por dhe pasioni i tij i jashtëzakonshëm për basketbollin, që ka bërë që nga trajneri i një ekipi super kampion, ai të vazhdojë me shumë pasion të mësojë edhe fëmijët e vegjël, larg vëmendjes së publikut, larg syve të mediave, me shumë përkushtim. Ky është një shembull i jashtëzakonshëm qytetarie dhe njëkohësisht kontributi për pasionin dhe për shoqërinë. Kështu që, profesor shumë respekt, shumë mirënjohje dhe vlerësim maksimal për ju.

Me urimin që ë gjithë kalamajtë e tu, që i ke gjetur nga Partizani, jo nga Terezina, Pjerini, Gazi e të tjerët të ndjekin gjurmët e tua e të rriten duke i shërbyer komunitetit.

Së fundi do doja patjetër që t’i jepja një vlerësim maksimal krijuesit të këtij pallati fantastik, Iglit, i cili ka nderuar një emër të madh, një legjendë të basketbollit, Dhimitraq Gogën, i cili ka qene plejada e parë, menjëherë pas luftës, që e ka ngritur emrin e basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Uroj e shpresoj që stërnipat e Dhimitraqit ta çojnë përpara këtë iniciativë të nisur nga babai i tyre.

Shumë fat dhe shumë sukses për të gjithë vajzat, djemtë, kalamajtë dhe ata që janë më të rritur, këtu prapa meje, që janë në fund të fundit edhe arsyeja e gjithë këtij investimi të madh.

Shumë faleminderit të gjithëve, shëndet dhe sukses në gjurmët e profesor Astritit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.