Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2030:

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë, mirënjohje të gjithë atyre që na ndihmuan dhe na mbështetën në këtë proces të rëndësishëm të hartimit të një Strategjie Kombëtare të Energjisë, natyrisht qeverisë amerikane dhe misionit të USAID-it, në radhë të parë, që me ekspertizën e tyre bënë të mundur materializimin e ambicies tonë në një dokument me një rëndësi strategjike për sektorin e energjisë, por dhe për ekonominë e shoqërinë shqiptare në tërësi.

Vetëm pak vite më parë do të ishte e pamundur të imagjinohej ky moment, pasi sektori i energjisë gjendej në një kolaps të plotë dhe kërcënimi kryesor për financat dhe për ekonominë tonë vinte pikërisht nga ky sektor. Simboli më domethënës i këtij kërcënimi ishte kompania e shpërndarjes së energjisë, e cila kalonte një fazë dramatike në të gjitha aspektet, por edhe në aspektin e vetë ekzistencës së vet nga pikëpamja legale.

Besoj që ajo çka ne bëmë, ishte një transformim i rëndësishëm në çdo aspekt, duke filluar nga aspekti më thelbësor, vendosja e ligjshmërisë në sektorin e energjisë e faktikisht, transformimi i kompanisë nga një aset i rrezikshëm për ekonominë dhe për financat në një aset që sot rivlerësohet ditë pas dite, falë riorganizimit tërësor dhe punës së përditshme të ekipit drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të vetë kompanisë.

Mjafton të kujtojmë që, për të mbajtur në këmbë sistemin e shpërndarjes dhe për të mundësuar furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, buxheti i shtetit subvenciononte mesatarisht 150 milionë euro në vit, si kompensim i humbjeve nga vjedhjet masive dhe nga rrjeti tërësisht i amortizuar, apo mjafton të kujtojmë se trashëguam një situatë ku humbjet i afroheshin 50%-shit, ndërkohë që sot, ato janë përgjysmuar dhe Strategjia parashikon që ato të shkojnë në 10%, çka do të ishte norma mesatare e të gjitha vendeve të Bashkimit të sotëm Europian. Pa folur pastaj për tregun e energjisë, ku ne ndërmorëm një proces kurajoz liberalizmi dhe ku parashikojmë që në harkun e pak viteve të kemi një hapje 100% të tregut të energjisë.

Sot, falë këtij procesi, ne kemi nisur përgatitjet për një tjetër hap shumë të rëndësishëm që besoj do të krijojë një atmosferë të re në marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë, por dhe do ta çojë në një shkallë tjetër organizmin e kompanisë, transparencën e punës së kompanisë dhe efikasitetin e saj.

Kemi nisur punën për një IPO dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti të jemi gati t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, me ambicien që vitin e ardhshëm, kompania të kthehet në një kompani ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok për kompaninë dhe për qytetarët, të cilët do të mund të përfshihen në aksioneratin e kompanisë si kontribuues dhe si përfitues. Këtë nuk do të mund ta imagjinonte askush vetëm pak vite më parë. Ndërkohë që sot, kjo është jo vetëm e mundshme, por ne besojmë fort se është edhe e nevojshme për ta çuar kompaninë në një stad të ri.

Jemi shumë të bindur që liberalizimi i tregut do të sjellë përmirësime të jashtëzakonshme në çdo aspekt të veprimtarisë së sektorit, ashtu sikundër jemi të bindur që investimet në interkonjeksione, nga ai tanimë i bërë realitet me Kosovën, – me shpresën që do të zhbllokohet në fazën operacionale përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, – tek ai me Maqedoninë, që është një fond i konsiderueshëm i përfituar në kuadrin e procesit të Berlinit, do të rrisin në mënyrë të konsiderueshme edhe peshën e faktorit “Shqipëri” në tregun e përbashkët energjetik të rajonit, që për ne është e vetmja perspektivë e qëndrueshme për të rritur fuqinë ndikuese të sektorit në ekonominë e financat e vendit dhe të familjeve tona.

Nuk diskutohet që jemi shumë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të kapaciteteve. 400 megavat kapacitete të shtuara nuk janë pak, por janë ende të pamjaftueshme për të siguruar plotësimin e të gjithë nevojës së brendshme, ashtu sikundër rritja e sigurisë së furnizimit me energji përmes rritjes së mëtejshme të investimeve, përmirësimit të eficencës së energjisë, përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe marrjes së masave të mëtejshme për mbrojtjen e mjedisit janë sfida që parashikohen, besoj, më së miri në këtë dokument të rëndësishëm strategjik.

Futja e elementit të ri për sektorin, si një element me ndikim të konsiderueshëm, siç është gazi dhe gazifikimi në tërësi, përbëjnë nga njëra anë, një potencial të madh dhe nga ana tjetër, një sfidë të madhe për të shfrytëzuar maksimalisht, qoftë gazsjellësin Trans-Adriatik dhe qoftë për të vijuar më tej, me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, si dhe lidhjen e mundshme të Shqipërisë me Kosovën edhe me linjën e gazit natyror.

Ajo çka besoj vlen të theksohet në fund është harmonizimi i tregut tonë të brendshëm me tregun rajonal të energjisë dhe më tej, me tregun europian. Një proces aspak i lehtë, me shumë sfida dhe të panjohura, por i domosdoshëm. E për këtë, çuarja përpara e liberalizmit në tregun e brendshëm, nëpërmjet garantimit të një konkurrence të plotë, të një transparence të lartë dhe patjetër inkurajimit të prodhimit të energjisë diellore, apo energjisë së erës janë mjaftueshmërisht mirë të përshkruara, qoftë nga pikëpamja e potencialit, qoftë edhe për hapat që duhen ndjekur në shfrytëzimin e këtij potenciali në dokumentin e ri strategjik.

Nëse do ta përmblidhja atë që ka ndodhur dhe atë që ne duam të bëjmë të ndodhë, është shumë e thjeshtë: Sektori i energjisë në Shqipëri ishte problemi më i madh, një gropë prej ku buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit dhe edhe një kërcënim i vazhdueshëm. Sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit, që mbetet një sfidë e hapur dhe pikërisht këtë sfidë të hapur adreson në mënyrë të qartë ky dokument strategjik, që shtrihet në harkun e një kohe që, nëse i referohemi vitit 2030, mund të duket një kohë e pafundme, por në fakt është as më shumë e as më pak, por vetëm një duzinë vitesh.

Tanimë, eksperienca na tregon se koha kalon shumë shpejt, vitet ikin shumë shpejt dhe nëse na u deshëm 25 vjet për kthyer timonin në drejtimin e duhur dhe për të shmangur humnerën përpara së cilës u gjendëm, 12 vjet janë shtrirja në kohë e një sfide transformuese, ku çdo ditë ka një rëndësi themelore, pasi janë vite që kalojnë shumë shpejt. E rëndësishme është që në çdo ditë dhe në çdo vit, rezultatet vijnë në përmirësim të vazhdueshëm dhe në një përmirësim që është i qëndrueshëm.

Edhe njëherë shumë faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan për hartimin e këtij dokumenti strategjik! Shumë faleminderit të gjithë ekspertëve vendas, që kanë qenë vlerë e pazëvendësueshme në këtë proces dhe të gjithë të pranishmëve, ku kush më shumë dhe kush më pak kanë kontribuar në vazhdimësi, për ta futur këtë sektor në drejtimin e duhur!

Jam i bindur që me këtë strategji në dorë, të gjithë do të ndihen më të motivuar dhe më të sigurt në vazhdimin e punës së përbashkët dhe në investimet e reja, qofshin ato investime që vijnë nga bashkëpunimi rajonal, apo nga bashkëpunimi bilateral, qofshin ato investime që vijnë nga sektori privat.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.