Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, mocion me debat në Kuvend mbi Reformën e Ndihmës Ekonomike:

Ky mocion për debat i kërkuar nga kolegët e Partisë Demokratike është një tjetër mundësi që shqiptarët të shohin qartë dallimin mes atyre që s’dinë ç’kërkojnë dhe nesh, që jemi shumë të vendosur për të çuar përpara edhe këtë reformë të vonuar për më shumë se çerekshekulli.

Në sfond të kësaj reforme ka një histori të qartë; Varfëria nga viti 2008-ta në vitin 2012, bazuar në shifrat e INSTAT-it të kohës dhe të konfirmuara nga Banka Botërore, u rrit nga 12.5% në 14.3% dhe varfëria ekstreme nga 1.2% në 2.3%. Ndërkohë që mbulimi mbi skemën e ndihmës ekonomike ishte vetëm 14%.

Pikërisht mbi bazën e këtyre të dhënave alarmante, Banka Botërore arriti në përfundimin se shënjestrimi i varfërisë përmes skemës së vjetër të ndihmës ekonomike dhe shkalla e përfitimit prej saj ishin tërësisht jashtë kohe dhe i sugjeroi qeverisë së kohës pikërisht këtë reformë që ne po e përshkallëzojmë sot, pas një testimi disavjeçar në 3 qarqe, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, duke përdorur një formulë pikëzimi me variabla dhe koeficientë, të hartuar nga Banka Botërore, bazuar mbi praktikat më të mira dhe të aprovuar nga qeveria e asaj kohe, që sot shfaqet këtu, në formën e një opozite jashtë kohës.

Pikërisht në vitin 2012 nënshkruhet në këtë Kuvend dhe ratifikohet me ligjin Nr. 84/2012, Marrëveshja e Huasë ndërmjet Shqipërisë, Bankës Botërore dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale. Në vitin 2012, qeveria e asaj kohe, që sot është një opozitë jashtë kohe, vendosi përdorimin e një formule pikëzimi, duke parashikuar variablat dhe koeficentët e formulës me një vendim qeverie të dhjetorit 2012-të. Po në atë vendim u përcaktua dhe pilotimi i skemës në 3 rajone, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ku përfshihet rreth 40% e popullsisë.

Por, si me të gjitha reformat e tjera, edhe me këtë reformë, qeveria e asaj kohe, sot një opozitë jashtë kohe, parapëlqeu vijimin e avazit të vjetër në rrugën qorre të skemës së klientelizmit partiak dhe të korrupsionit kapilar. Mjafton të përmendim që këta që kërkojnë sot llogari për skemën e re të ndihmës ekonomike i jepnin vetes ndihmë ekonomike në të gjithë Këshillin Bashkiak të Kukësit, nga i pari tek i fundit. E merrnin ndihmën ekonomike dhe e ndanin me njëri-tjetrit dhe pastaj e çonin kaskadë te fisi, te fara dhe natyrisht, edhe te celulat e klaneve dhe të partisë.

Ne e nisëm reformën menjëherë, pasi hoqëm një sërë kriteresh që i kishte vendimi i qeverisë së asaj kohe, duke përjashtuar televizorin, frigoriferin, bojlerët dhe duke hequr edhe kriterin përjashtues të ndryshmit të vendbanimit, i cili sot është një e drejtë e çdo qytetari, që deri dje mohohej në funksion të ndihmës ekonomike.

Njëkohësisht kujtoj se llogaritë e të ardhurave të pensioneve minimale familjare dhe të ardhurave nga emigracioni shërbenin për të përjashtuar shumicën e familjeve të varfra nga skema e asaj kohe.

Eliminuam po ashtu çdo burokraci që merrte kohë, por kishte dhe kosto për familjet e varfra, 8 dokumente nga 9 u hoqën dhe nëse deri dje, një qytetar i varfër nuk arrinte dot të plotësonte dokumentet, qoftë dhe për shkak financiar, nuk mund të aplikonte për ndihmën ekonomike. U krijua sistemi elektronik për vlerësimin e familjeve ekzistuese me ekspertët e Bankës Botërore, bazuar në praktikat më të mira, i testuar tanimë në terren në të gjitha dimensionet e veta.

Banka Botërore, pak ditë më parë, në ditën e 8 Marsit shprehet: “Praktikat e mira ndërkombëtare tregojnë se formula e unifikuar e pikëzimit është një nga metodat e shënjestrimit, që përdoret me efikasitet për të trajtuar sfidën e informacionit të pjesshëm lidhur me të ardhurat dhe asetet e një pjese të madhe të popullatës, për shkak të një niveli të lartë të informalitetit”. Po ashtu, Banka Botërore qartësisht saktëson se “kjo metodë identifikon nevojat e një familjeje të veçantë, bazuar tek të ashtuquajturit ndërlidhës të varfërisë, atributet e kushteve të jetesës që lidhen me varfërinë.”

Këtu u bë disa kohë që flitet në hava për 20 mijë familje të larguara nga skema, por nuk thuhet asgjëkund se këto ndryshime që ne sollëm përmes fillimit të zbatimit të reformës kanë mundësuar që 18 730 familje të aplikojnë për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike, ndërkohë që me skemën e vjetër nuk mund të përfshiheshin dot dhe praktikisht ishin përjashtuar.

Nuk thuhet po ashtu, që ende pa u përmbyllur përllogaritja e 2 muajve të parë të shtrirjes skemës, janë 10 063 familje që kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike, të cilat deri dje përjashtoheshin vetëm për shkak të gropave dhe shtigjeve të mbyllura të skemës së vjetër, e cila ishte fund e krye në duart e partive, në duart e kryetarëve të komunave e të bashkive, në duart e këshillave që, siç e shohim në shembullin flagrant, i jepnin ndihmë ekonomike vetvetes.

Nuk thuhet po ashtu, se me skemën e re hiqet masa e pjesshme e ndihmës ekonomike. Lotët e krokodilit që derdhen përditë, në mungesë të ideve, në mungesë të programit, në mungesë të lidershipit të një opozite që nuk di ku ka kokën, jo më t’ju gjejë rrugën atyre që kërkojnë rrugë për të ardhmen, pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur; I jepnin ndihmë ekonomike deri dhe 6 mijë lekë të vjetra, këta që sot vijnë këtu dhe kërkojnë llogari për një tjetër nga plagët e rënda, që e hapën dhe e infektuan me keqqeverisjen dhe me verbërinë e shurdhërinë e tyre.

15 000 familje, të cilat më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme nga 6 000 deri në 10 000 lekë të vjetra në muaj, sot përftojnë ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 000 lekë në muaj. Në bazë të kritereve, ndihma ekonomike, sot shkon deri në 110 000 lekë në muaj.

Por nuk është vetëm kaq. Ndihma ekonomike është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër është e gjithë paketa e mbështetjes sociale, që kjo qeveri, saktësisht, qeveria e deridjeshme e koalicionit dhe kjo e sotmja vazhdon ta ketë, ku ka një sërë subvencionesh direkte:

Kompensimi i energjisë elektrike për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, në masën 13 mijë lekë.

Subvencionet për arsimimin dhe vaksinimin e fëmijëve.

Garantimi që familjet në nevojë, si pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, të përfitojnë lehtësi të tjera për frekuentimet në kopsht e çerdhe, për rimbursimin e pagesave të librave, mesatarisht 35 mijë lekë, bursë për ushqim dhe akomodim në arsimin parauniversitar, ku, sipas referencës për të ardhurat për frymë, futen dhe familjet në ndihmë ekonomike.

Përjashtim nga tarifat e arsimit të lartë. Niveli i parë përjashtim të plotë dhe niveli i dytë 50% deri në moshën 25 vjeç, për fëmijët e familjeve me një prind që janë në ndihmë ekonomike.

Sot, ne japim 55 000 lekë në muaj për këdo që del nga ndihma ekonomike, sepse nuk plotëson kriteret dhe është i gatshëm të marrë një kurs trajnimi profesional.

Familjet e ndihmës ekonomike kanë përfituar nga procesi i legalizimit duke paguar vetëm 35% të parcelës, në rastet kur parcela është pronë private.

Pas vitit 2017, familjet në ndihmë ekonomike dhe jo vetëm familjet në ndihmë ekonomike, por të 600 000 qytetarët e pasiguruar përfitojnë mbulimin e plotë të medikamenteve falas për diagnozat e sëmundjeve kronike dhe marrin mbulim të plotë për të gjithë ilaçet e rimbursueshme. Bëhet fjalë për një paketë, e cila shkon në 10 miliardë lekë.

100 milionë dollarë është Paketa e Solidaritetit që kjo qeveri ka ndërtuar qysh në mandatin e shkuar dhe gjer sot e gjithë ditën. Nuk ishin këto para fare. Përpara sesa Partia Socialiste të merrte mandatin e parë për të qeverisur në këtë vend, këta jepnin ndihmë ekonomike edhe 6 mijë lekë të vjetra. Njerëzit duhet t’i harronin të gjitha këto të tjerat, qoftë për ilaçet, qoftë për mjekun e familjes, qoftë për librat, qoftë për energjinë elektrike e kështu me radhë.

Ku është problemi i këtyre?

Problemi i këtyre është që këta nuk e konceptojnë dot një Shqipëri pa abuzues dhe pa abuzime. Problemi i këtyre është që, për këta, pas çdo abuzimi dhe abuzuesi ka një arsye. Arsyeja është varfëria. Arsyeja është pamundësia. Arsyeja është gjithfarë mosarsyeje, përveç arsyes shumë të thjeshtë, që për ne është vijë e panegociueshme ndarëse me këta, në këtë shtet, secili duhet të marrë atë që i takon dhe secili duhet të kontribuojë sipas asaj që i takon dhe pikë.

Nga 20 331, për të qenë të saktë, që janë refuzuar nga sistemi i ri, këta nuk duan t’ia dinë që 3892 aplikantë kanë deklaruar se nuk kanë automjet në pronësi, por në fakt rezultojnë të jenë posedues automjetesh.

7897 aplikantë nuk i kanë deklaruar të ardhurat nga paga, por në fakt rezultojnë se kanë të ardhura nga paga.

3026 aplikantë nuk kanë deklaruar përfitimet nga pensioni dhe 4400 aplikues nuk janë të regjistruar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Të gjitha këto janë parakushte që mos të marrësh ndihmë ekonomike. E sa më sipër, në kundërshtim të hapur me ligjin fusnin duart në arkën e ndihmës ekonomike, e cila është arka e atyre që nuk i kanë këto dhe që kanë të gjitha kriteret e plotësuara për të marrë akses në ndihmën ekonomike.

Nga ana tjetër e kemi thënë që ditën e parë se sistemi është një sistem dinamik. Familjet abuzive, pra, aplikantët abuzivë që nuk janë përfshirë në skemë për arsye të mos marrjes së pikëve, por edhe të tjerët që janë përfshirë, të gjithë janë verifikuar dhe vazhdojnë të verifikohen dhe skema është fleksibël. Faktikisht, për muajin shkurt janë 2900 familje të reja që janë përfshirë në skemë, për herë të parë, nga riaplikimi.

Ndërkohë ka edhe një element tjetër, – e kam thënë këtu edhe herën e shkuar, ia thashë edhe Lulzimit që ta kishte parasysh, por nuk dëgjoi, sepse Lulëzimi kur shkon tek të varfrit, shkon për t’i përdorur, për të dalë në fotografi e nuk e ka mendjen si të ndihmojë të varfrit, por si të gjejë ndihma nga të tjerët që dalin në fotografi me të pasurit, – që ka 6% fond për pushtetin vendor.

Është një 6%, i cili shkon ekzaktësisht për ata në nevojë, që pushteti vendor gjykon se duhen mbështetur me asistencë. Dëgjojeni sa interesant. Në ligjin e vitit 2011, këta vunë 3% për këtë çështje, që do të përdorej nga bashkitë me demek.

3% që këta jepnin për pushtetin vendor, për të përfshirë në skemë njerëz në nevoja sociale dhe për të ngritur shërbime sociale, nuk u përdor kurrë për këtë punë. Ndërkohë që sot, 6% është transfertë e kushtëzuar specifikisht për këtë kategori dhe janë sot, deri në momentin që po flasim, 3402 familje që aktualisht kanë përfituar nga ky fond 6% dhe janë përfshirë në skemë. Nga 61 bashki të vendit, 44 prej tyre e kanë shpërndarë këtë fond. Lulzim, bëji thirrje bashkive të Shkodrës dhe disa bashkive të tjera të PD-së, që të bëjnë të njëjtën gjë. Ndërkohë që thirrja ime edhe për bashkitë jo të PD-së, që kanë mbetur pa e bërë këtë gjë, është ta bëjnë një orë e më parë.

Aspekti tjetër është që ne, ndihmë ekonomike për njerëz që janë shëndoshë e mirë dhe të cilëve u ofrohet punësim, nuk kemi për të dhënë. Ndihma ekonomike është për njerëz, të cilët plotësojnë kriteret dhe nuk kanë për momentin asnjë mundësi punësimi, ndërkohë që mundësia për punësim, edhe me ligj është e barabartë, me një kusht, në rastin e dytë kur nuk e merr, mund të rrish pa punë dhe s’ke për të marrë më asnjë ndihmë.

70% e atyre që merrnin ndihmë ekonomike dhe që pretendojnë ta rimarrin janë nga 25 deri në 40 vjeç. Këtyre njerëzve, ne duhet dhe do t’u japim mundësi për punë.

E faktikisht, sot që flasim, jemi në pak javë nga fillimi i funksionimit të skemës së re dhe janë kryer deri tani 7601 intervista punësimi dhe vetëm në këto pak javë, afro 200 persona kanë filluar punë. Të tjerë janë në pritje, pas intervistave me kompanitë private, për të marrë përgjigje për punësimin. E përsëris, shumëkush nuk ka asnjë aftësi profesionale për të filluar punë menjëherë, por ka mundësinë që të marri 55 mijë lekë në muaj që të trajnohet dhe të bëhet i aftë për të filluar punë.

Kemi marrë rastet një për një, – sepse jemi shumë të vëmendshëm, – që na ka ekspozuar kryetari i partisë tuaj në udhëtimin e tij për të dalë në televizor me të varfrit;

Në njësinë administrativë nr. 2, Lulzim, ke takuar zonjën Burbuqe që ka tre fëmijë minorenë. Të lajmëroj që zonja Burbuqe është përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, në listën e miratuar nga Këshilli Bashkiak me fondin 6%.

Ke vizituar zotin Amarildo Hyso në Gjirokastër. Të lajmëroj që zoti Amarlido Hyso, 55 vjeç, është përfshirë në listën e trajtimit me fondin 6% nga bashkia.

Ke vizituar zonjën Hyrie Berisha në Lezhë. Zonja Hyrie nuk ka marrë pikët e mjaftueshme dhe nga informacioni, ndërkohë që është deklaruar e divorcuar, faktikisht e ka bërë deklarimin e rremë për të përfituar ndihmën ekonomike, por është përfshirë në fondin 6% nga Këshilli Bashkiak Lezhë dhe sot e gëzon ndihmën ekonomike.

Ke vizituar zotin Ardian Dani në Lezhë, është përfshirë dhe sot merr ndihmë ekonomike.

Ke vizituar zonjën Leonora Luka në Lezhë, është përfshire dhe sot merr ndihmën ekonomike.

Të gjitha këto nga fondi 6% dhe siç ta thash këtu herën tjetër, kur të shkosh t’i takosh e bën mirë që i takon, por drejtoi aty ku mund të marrin ndihmën e mos i përdor për të dalë fotografi, që të dukesh sikur qan hallin e të varfërve, ndërkohë që nga ana tjetër e di vetë se çfarë halli ke për të qarë në momentin që po flasim.

Ke takuar zotin Sabri Vironi, në Vorë. Zoti Sabri nuk ka marrë pikët e mjaftueshme, i është ofruar punësim për vete dhe për gruan dhe nuk ka pranuar as njërën e as tjetrën deri në momentin që flasim.

Ke vizituar zotin Kastriot Mihani në Kavajë. Nuk ka marrë pikët e mjaftueshme. Ka riaplikuar përsëri në muajin shkurt. Faktikisht sot është përfshire tek lista 6% e Bashkisë së Kavajës, që duhet ta miratojë Këshilli Bashkiak, – jepi një zë kryetarit të bashkisë, -ndërkohë që edhe ai dhe e shoqja kanë pranuar të punësohen.

Ke vizituar zonjën Liliana Eminaj në njësinë administrativë Synej. Zonja Liljana nuk ka marrë pikët e mjaftueshme, ka aplikuar përsëri dhe përsëri nuk ka fituar, por është e përfshirë edhe ajo në 6% e fondit të pushtetit vendor. Për më tepër ka pranuar të punojë dhe ne do ta sistemojmë në punë.

Ke vizituar zonjën Fatmira Shima dhe familja e saj është rikualifikuar në skemën e ndihmës ekonomike me riaplikimin.

Ke vizituar zotin Bujar Luka në Vorë, si përfundim, është kontaktuar për të marrë punë dhe nuk është i interesuar për punë për momentin. Shpresojmë që me ndihmën tënde ta nxisim që të marri punë.

Ke vizituar zotin Spahi Koçi në Vorë, – shumë ke qenë rreth Vorës, se lodhesh të shikosh pak më larg nëpër Shqipëri, – i është ofruar mundësi punësimi dhe sot është i punësuar.

Ke vizituar zotin Fradiol Luka, si përfundim, është kontaktuar për t’u paraqitur për të kryer një intervistë punë, rezulton që ende nuk është paraqitur, se me siguri pret nga ty që të bësh revolucionin me mbështetjen e miqve që ke gjetur në stepa.

Ke vizituar zotin Artan Xhema në Berat. Zoti Artan Xhema, po të njoftoj, ka filluar punë, të bën edhe shumë të fala.

Ke vizituar zoti Ylber Vocrri në Pukë. Do kishe bërë mirë t’i verifikoje më përpara, unë nuk po them arsyet pse këta nuk kanë fituar, se nuk dua t’i vë në pozitë, por tek zoti Ylber që ke derdhur lot krokodili, zoti Ylber Vocrri po të sqaroj se nuk ka deklaruar mjetin dhe megjithatë, edhe zotin Ylber, zyrat përkatëse e kanë kontaktuar dhe do ta mbështesin për të filluar punë. Ndërkohë që vajzat kanë statusin e marrin pagesë dhe prindërit marrin dhe pagesë kujdestarie për shkak të një statusi verbërie.

Ke vizituar zotin Ilir Brahimi në Kamëz, më saktë, këtë e paska deklaruar partia, se nuk e di a e ke vizituar apo jo, të sqaroj që është përfitues.

Kështu që, në gjithë këtë teatër të madh me të varfrit ka një dallim shumë të qartë, që për fat të keq, Lulzim, ti e bëre edhe më evident me këtë xhiron tënde shtëpi më shtëpi. Ju i doni të varfrit si mish për top, për të dalë në fotografi, për të mbajtur fjalime me ata në krah, ndërkohë që varfëria e tyre është një status, të cilin e konsoliduat me qeverisjen tuaj pa reforma, pa vizion, pa program, pa asnjë lloj gajleje për Shqipërinë.

Ndërkohë që ne, varfërinë duam dhe do ta luftojmë me reforma, jo me lëmosha, dhe kjo reformë, doni apo nuk doni ju, do vazhdojë, do shkojë deri në fund, sepse varfëria nuk është një status që jepet njëherë e përgjithmonë dhe njerëzit në ndihmë ekonomike nuk hynë për të mos dalë kurrë, por është një sëmundje që luftohet me masa afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra.

Ju keni menduar gjithmonë ato afatshkurtrat dhe tek ato afatshkurtrat i keni rënë aq shkurt, sa për këtë arsye do të vazhdoni të shkurtoheni çdo muaj, nga pikëpamja e gjatësisë së valës që keni në raport me zgjedhësit shqiptarë.

Është shumë e thjeshtë, është shumë e qartë dhe diskutimet mund të vazhdojnë, por e sigurt është që sot, skema e ndihmës ekonomike e bën të pamundur që të vidhet, të abuzohet dhe që ata që nuk e meritojnë, të marrin bukën e atyre që kanë nevojë për bukë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.