Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë dhënies së Medaljes së Mirënjohjes për disa punonjës të Policisë së Shtetit:

Është një kënaqësi, por edhe një nder i posaçëm për mua, që sot të jem këtu me ju, për të nderuar kolegët tuaj, të cilët u bënë shembulli i shkëlqyer i kurajos dhe i integritetit të policisë që duam.

Një shtet mund të rrisë pagat, mund të miratojë ligje dhe strategji për rritjen e profesionalizimit, mund të përmirësojë kushtet materiale dhe logjistike, gjëra që ne i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë edhe në vijim, por, në fund të ditës, ajo që e bën dallimin final në përballjen me krimin është trimëria dhe karakteri i atyre që janë në fushën e kësaj beteje të përditshme. E pamë së fundmi edhe në një vend si Franca. E shohim përditë në Shqipëri, në një shumëllojshmëri veprimesh dhe aktesh në përmbushjen e detyrës nga individë dhe njësi të Policisë së Shtetit, që shpeshherë i kryejnë këto veprime dhe akte larg vëmendjes së publikut dhe të mediave, por që në vazhdimësi na japin provën se investimi ynë për të mbështetur rritjen e mëtejshme të forcës goditëse të Policisë së Shtetit është i duhuri.

Mirënjohja ndaj të gjithë atyre që i shërbejnë interesit publik në Policinë e Shtetit dhe në këtë rast, dhënia e Medaljes së Mirënjohjes të Kryeministrit për disa prej jush është vetëm një gjest shumë modest, por besoj i domosdoshëm kur bëhet fjalë, jo vetëm thjesht për njerëz në uniformë, por për kryefamiljarë që janë gati të vetëmohohen, për prindër që janë gati të sakrifikohen, për njerëz të zakonshëm të këtij vendi që i bën të pazakonshëm fakti se i shërbejnë një trupe si ajo e Policisë së Shtetit, që nuk ngurrojnë ta vënë dhe jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e bashkatdhetarëve, bashkëqytetarëve, për të mbrojtur liritë, të drejtat dhe pronën e tyre.

Prandaj, sot unë shpreh jo vetëm në emër të qeverisë, por edhe të shumë e shumë njerëzve të zakonshëm, qytetarë të këtij vendi, admirimin dhe mirënjohjen më të thellë për pesë ndër ju, të cilët ia dolën ta përmbushnin detyrën e tyre me nder, edhe kur, edhe pse një tufë grabitësish lëshuan mbi ta plumba, duke e kthyer fushën e veprimtarisë suaj në një fushëbetejë për jetë a vdekje dhe duke ju bërë ju, shpresën e fundit dhe fatmirësisht, mbrojtjen e një çifti të moshuar bashkëshortësh, Minella dhe Elsa Muçi. Ishte po kjo patrullë që, për koincidencë, rreth një muaj më parë u angazhua në një ndjekje me shpejtësi të lartë, derisa realizoi edhe arrestimin e grabitësve të armatosur që i morën jetën, fatkeqësisht, një qytetari, po në Fier.

Janë të tillë heronj, heronj të përditshmërisë së punës së Policisë së Shtetit, heronj që nuk i njohim, sepse nuk shfaqen nëpër ekrane, apo nëpër gazeta, që çdo ditë dhe çdo natë zhvillojnë një betejë të pabarabartë me krimin, sepse është krimi dhe jo policia që vendos vendin, kohën dhe mënyrën e përballjes dhe është pikërisht gatishmëria dhe aftësia e mbështetur nga kurajoja dhe vendosmëria e këtyre heronjve që përcakton fatin e betejës së pabarabartë.

E vetmja gjë që mund të zgjedhë punonjësi i policisë, patrulla e policisë, apo policia në tërësi në fushën që krimi përcakton, në kohën që krimi dikton dhe në mënyrën se si krimi shfaqet është karakteri dhe bindja e paqortueshme, se e drejta, drejtësia dhe përpjekja me zemër dhe me mendje, në funksion të Kushtetutës dhe të ligjit janë në fakt, instrumenti që përbën edhe armën e superioritetit të Policisë së Shtetit ndaj çdo krimi, ndaj çdo organizate kriminale, ndaj çdo orvatjeje apo aktiviteti kriminal.

Sot është pikërisht karakteri, bindja e vendosmëria e këtyre pesë kolegëve, që ka vendosur që në shtëpinë e familjes së çiftit të moshuar të mos kishte tragjedi, por jeta të vazhdojë normalisht. Është vetëm merita e tyre, siç është edhe merita e të gjithë atyre që militojnë 24 orë çdo ditë, pa të shtunë e pa të diel, në Policinë e Shtetit, që ata të dy të moshuar, por edhe shumë e shumë të tjerë të zgjohen të qetë në mëngjes e ta kalojnë pas tmerrin që mund të kthehej në tragjedi e më pas në një makth për familjen e tyre.

Përtej faktit se, siç ndodh për fat të keq, çdo herë që Policia e Shtetit bën një operacion të suksesshëm, apo zhvillon një aksion të lavdërueshëm, disa kazanë zhurmëmëdhenj rendën përsëri ta trajtonin këtë ngjarje, si ngjarje ku e dyshuara ishte Policia e Shtetit, e vërteta është ajo që na ngushëllon të gjithëve këtë herë dhe në çdo herë dhe na bën të ndihemi krenarë për çdo arritje dhe rezultat, duke qenë të vetëdijshëm se arritjet dhe rezultatet e Policisë së Shtetit nuk janë si të tjerat, janë arritje dhe rezultate që kapen me një vështirësi shumë të posaçme dhe që kërkojnë një sakrificë të përditshme shumë të posaçme.

Pikërisht për këtë, sot më vjen shumë mirë që ne jemi në kushtet kur, në momentin e dhënies së një Medaljeje Mirënjohjeje për disa punonjës policie, kemi në sfond bilancin e një pune të jashtëzakonshme të bërë nga Policia e Shtetit.

Padyshim do kishte qenë shumë më mirë, nëse grabitësit do të ishin dorëzuar pa qenë nevoja që njëri prej tyre të humbte jetën, por, nëse keqbërësit nuk pranojnë të ulin armën dhe me armë kërcënojnë jetën e qytetarëve dhe të punonjësit të policisë, kjo ishte dhe mbetet e vetmja përgjigje që ata mund të marrin dhe e vetmja përgjigje që ata do të meritojnë në çdo rast.

Koha kur qytetarët ishin rëndom në mëshirën e kriminelëve, kur grabitësit hynin dhe dilnin nga banesat dhe bizneset e qytetarëve si në një han pa porta ka marrë fund dhe ka marrë fund njëherë e mirë! Patjetër që ka dhe do vazhdojë të ketë grabitës që do synojnë banesat, do synojnë bizneset e qytetarëve, por ka çdo ditë e më shumë dhe do të ketë në çdo hap e më shumë, një Polici Shteti të gatshme për t’i zbuluar dhe për t’i vendosur prapa hekurave.

Ashtu sikundër ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, edhe koha kur efektivët e policisë braktiseshin në rrugë përballë krimit, koha kur komisarët e policisë vriteshin sistematikisht, koha kur forcat politike shkonin rregullisht te godina e deridjeshme e Shtëpisë së Ushtarakëve për të kryer homazhe për komisarët e vrarë, sepse policia e ka bërë përfundimisht ndarjen e saj me tradhtinë, me anarkinë, me pasigurinë, falë vendosmërisë tonë dhe të lidershipit politik në Ministrinë e Brendshme, për ta vënë politikën, qeverinë, shtetin njëherë e mirë, 100% në mbështetje të Policisë së Shtetit.

Sigurisht që në këto raste nuk është e tepërt që të kthehet koka pas, në përpjekje për të kuptuar se në çfarë pike të rrugës tonë jemi, ndërkohë që objektivi i rrugës tonë dihet, ne duam që brenda këtij mandati qeverisës, Policia e Shtetit të radhitet me dinjitet mes uniformave blu të Bashkimit Europian. Është një rrugë ende e përpjetë, me shumë vështirësi, që do kërkojë punë të madhe, durim të madh dhe sakrifica të mëdha, por duke e kthyer kokën pas, ne jemi të bindur se jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por se ne do ta arrijmë këtë objektiv të madh, historik, për Policinë e Shtetit dhe për Shqipërinë, sepse nuk ka qenë 500 vjet përpara, ka qenë vetëm 4-5 vjet më parë, kur policisë i kërkohej të ndiqte makinat sportive të kriminelëve me mjete që në 80% të tyre ishin jashtë gjendjes së punës, apo me mjete të cilave u mbaronte karburanti në ndjekje e sipër.

Fotografitë që kanë bërë xhiron e botës me punonjës Policie që shtynin makinat e Policisë të ngecura në rrugë nuk i takojnë arkivave të 100 viteve më parë, por i takojnë një kohe që e kemi jetuar dhe që është ende shumë e freskët. Ashtu sikundër është shumë e freskët edhe koha, kur Policia e Shtetit patrullonte në rrugë me armë pa fishekë, patrullonte me uniforma të katandisura si mos më keq dhe mbi të gjitha, kryente një punë shumë të vështirë, duke qenë policia më e keqfinancuar në rajonin ku jetojmë, lëre më pastaj në Europën ku duam të bëhemi pjesë.

Edhe atëherë kishte padiskutim shembuj të jashtëzakonshëm përkushtimi edhe heroizmi, por sot jemi në një situatë kur kushtet janë të tilla, falë punës së përbashkët, që forca e shembullit të drejtuesve dhe të punonjësve me integritet të Policisë së Shtetit është busulla për të gjithë angazhimin dhe mbështetjen tonë. Sot jemi në kushtet kur makineria shtetërore është e tëra në mbështetje të Policisë së Shtetit, për të garantuar hap pas hapi që nevojat e Policisë së Shtetit, në çdo aspekt, në përballimin e sfidave dhe veprimtarinë e përditshme në çdo element të kësaj veprimtarie të përmbushen sa më mirë.

Reforma në Policinë e Shtetit nuk është një proces që ka përfunduar, është një proces që vazhdon, por rezultatet ka kohë që ka nisur t’i japë dhe po vazhdon e do të vazhdojë t’i japë gjithmonë e më shumë, me forcën e fakteve dhe të të vërtetave. Rezultatet janë në sytë e të gjithëve, për të gjithë ata që duan t’i shikojnë, ashtu sikundër në sytë e të gjithëve, por, në radhë të parë, në sytë tanë janë dhe dobësitë që duhen adresuar. Nëse viti 2017 shënoi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e këtyre 27 viteve, më saktë 25 vite qëkurse mbahen statistika dhe shihen si pika referimi, por jo vetëm kaq, por dhe numrin rekord të veprave penale të zbuluara nga ana e Policisë së Shtetit, kjo nuk është rastësi. Trendi rënës i vrasjeve dhe trendi rritës i zbulimeve është disavjeçar. Kulmimi i vitit 2017 është vetëm një moment në këtë histori ku ne kemi të gjitha arsyet të besojmë që ky vit do të shënojë një rritje të mëtejshme të këtyre rezultateve.

Zbulimi i 85% të veprave penale në fushën e luftës kundër narkotikëve dhe nxjerrja përfundimtare e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese e trafikuese të kanabisit nuk është një rezultat i rastësishëm dhe mbi të gjitha nuk është rezultati thjesht i një viti të suksesshëm, por është baza mbi të cilën është ndërtuar një projeksion i ri i punës së Policisë së Shtetit dhe mbi të cilën ka nisur një betejë e re, në kuptimin e një strategjie të re e një organizmi të ri, e një force të re operacionale që ka dhe emrin kuptimplotë “Forca e Ligjit”.

Shkalla e parandalimit, gjë për të cilën nuk flasin mediat, sepse askund nuk e bëjnë një gjë të tillë, për hir të së vërtetës, por që tregojnë shifrat, rezultatet e Policisë së Shtetit, është rritur ndjeshëm në të gjitha fushat ku operon Policia e Shtetit, ashtu sikundër dhe reduktimi i krimeve ndaj personit, apo i grabitjeve të banesave e të biznesit është i lexueshëm. 40 milionë euro pasuri kriminale e sekuestruar. Mbase nuk janë aq shumë, sa për t’u hedhur përpjetë nga entuziazmi, por besoj se janë nja 40 herë më shumë se 1 milionë euro të sekuestruara në vitin 2013, pa llogaritur vitet 2012, 2011 e kështu me radhë, kur shkojmë poshtë e më poshtë.

Nuk diskutohet që ka vend për më shumë, ka vend për më mirë dhe nëse ka sot një forcë që e kupton se sa vend ka për më shumë dhe se sa vend ka për më mirë, është përsëri kjo qeveri dhe është nën lidershipin e ministrit të Brendshëm, që ka nisur një proces që nuk na e ka kërkuar njeri, por që na e kërkon pikërisht bindja se ka vend për më shumë dhe ka vend për më mirë: Vettingu në Policinë e Shteti, një proces shembullor. Asgjë e re në kuptimin e botës ku jetojmë, por një gjë e re në të gjithë rajonin tonë, siç është një gjë e re në të gjithë rajonin tonë edhe reforma në drejtësi, edhe vettingu në drejtësi, të cilat sot i kërkohen t’i fillojnë edhe vende në rajon, që janë duke e negociuar anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Baza ligjore është ndërtuar në një kohë rekord, falë edhe të gjithë eksperiencës së përfituar nga hartimi i ligjit të vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve, edhe pse nuk janë e njëjta gjë. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare dhe brenda pak ditësh nis puna konkrete për të vettuar 300 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, për të ndarë shapin nga sheqeri, siç i thonë shqip dhe brenda pak javësh nis një tjetër proces, që është përsëri shprehje e bindjes tonë. Nuk na e ka kërkuar njeri, as ndërkombëtarët, as opozitarët, as qytetarët, por na e kërkon bindja jonë, që ka vend për më shumë dhe ka vend për më mirë. Proces ku drejtuesit vendorë të policisë në 12 qarqe do të fillojnë një ballafaqim publik me qytetarët në kuadrin e një aspekti të rëndësishëm të reformës të Policisë së Shtetit, që synon forcimin e rolit të policisë në komunitet dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me Policinë e Shtetit.

E kjo nuk është një shpikje, por është një risi e pamendueshme më parë për njëmijë e një arsye, të cilës i ka ardhur koha për ta jetësuar në realitetin tonë, ku publiku dhe media do të kenë mundësinë, jo thjeshtë të dëgjojnë nga drejtuesit e policisë shifra apo statistika, por edhe të ballafaqohen me ta për gjithçka që kanë dëshirë të pyesin, apo për çdo gjë që për ta përbën shqetësim për t’u adresuar nga drejtoritë përkatëse të policisë në çdo qark, po pse jo, madje edhe nga vetë lidershipi në Ministrinë e Brendshme dhe nga vete qeveria.

Roli i komunitetit në këtë element të rëndësishëm të reformës shihet si një rol aktiv dhe komuniteti shihet si një forcë bashkëpunuese e Policisë së Shtetit, që do të thotë se ky proces do të jetë dhe një proces vlerësimi nga publiku dhe për pasojë, edhe reflektimi nga ana jonë, nga ana e qeverisë, nga ana e ministrit të Brendshëm, nga ana e drejtuesve të lartë të policisë mbi vetë suksesin dhe rezultatet dhe mbi vetë aftësinë komunikuese të trupave të ndryshëm të policisë në çdo qark.

Struktura e re, e cila parashikon një rishpërndarje të policisë në terren e ka synim, afrimin e policisë me komunitetin dhe me qytetarin, si dhe çuarjen më tej të një procesi nxjerrjeje të policisë nga zyra, në funksion të bashkërendimit të forcave për të luftuar jo thjesht krimin, por edhe të gjitha aspektet e shkeljes së ligjit që cenojnë rendin, cenojnë qetësinë, cenojnë jetën e përditshme dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Nuk ka diskutim që ky vit do të jetë një vit që do të shënojë një marrëdhënie të re në përballjen e policisë me krimin e organizuar, sepse patjetër që do të jetë viti më i zi për krimin e organizuar. E vitet do të shkojnë duke u nxirë për krimin e organizuar dhe për të gjithë elementët kriminalë që janë të përfshirë në veprimtari të strukturuar kriminale. Operacioni “Forca e Ligjit” sapo ka nisur dhe vetëm në 4 muaj ka dhënë rezultate, që në mos tregofshin suksesin final, se nuk kanë si ta tregojnë, tregojnë ekzaktësisht atë që ne kemi pritur, tregojnë rezultate shumë premtuese për hapat në vijim.

Shumë e rëndësishme të theksohet se pak ditë më parë, Policia e Shtetit në bashkëpunim me prokurorinë finalizoi një operacion të pazakonshëm në traditën e saj, – nuk ishte i pari, ishte i dyti pas operacionit të Kavajës, të pronave në bregdet, – operacioni i Lezhës.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë që në këtë aspekt ka një qasje të re, për ta shtrirë veprimtarinë e Policisë së Shtetit aty ku deri dje është dukur sikur zona është e lirë dhe për t’u dhënë një përgjigje të merituar të gjithë abuzuesve me pushtet, apo me para, me pronat e shtetit apo me pronat e pronarëve të ligjshëm. Ne kemi marrë një vendim, të bllokojmë regjistrimin e akteve të pronësisë gjatë gjithë vijës bregdetare, jo për të penalizuar pronarët e vërtetë, por për t’u dhënë më në fund, përgjigjen e merituar pas 27 vjetësh, zyrtarëve të lartë, zyrtareve të mesëm dhe të gjithë bandave të të gjitha natyrave, me kostume apo me pantallona të shkurtra, që me lloj-lloj manovrash, kanë arritur të grabisin shtetin, të grabisin pronën shtetërore dhe të grabisin qytetarin, pronën private, duke bërë regjistrime pronash në rërë, regjistrime në zonat e gjelbëruara pranë bregut, që janë absolutisht krime.

E një nga elementët më të përhapur të kësaj veprimtarie kriminale është trajtimi i këtyre territoreve si toka bujqësore dhe marrja e ca letrave, akteve të marrjes në përdorim të tokës bujqësore për t’u kthyer në pronarë të rërës, ka raste në pronarë të detit, të pishave, në pronarë të kënetave, në pronarë të moçaleve, në pronarë të çdo hapësire, ku s’ka pasur kurrë pronarë, ose ku ka patur pronarë krejt të tjerë, dhe duke u kthyer në pengesë gjigande për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Jam i bindur që operacioni “Forca e Ligjit”, edhe me rritjen e mëtejshme të kapaciteteve brenda, apo të kapaciteteve të huaja, ekspertë ndërkombëtarë që në vijim dhe në vazhdimësi do të punojnë me këtë operacion, do të japë një përgjigje shumë të merituar edhe në këtë drejtim.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por dua të kthehem tek arsyeja që na ka mbledhur, për ta mbyllur aty ku e nisa sepse kam bindjen se patjetër strategjitë, ligjet, reformat, planet e masave dhe të gjitha përpjekjet që ne bëjmë, kanë një rëndësi të veçantë, por të gjitha këto nuk e vendosin në fund, fatin e betejës sonë. Atë e vendos karakteri i Policisë së Shtetit. E jam shumë krenar të them se sot, Policia e Shtetit është më e fortë në karakter, më e vendosur në bindjet e veta dhe e gatshme për t’u përballur me çdo rrezik, sepse përtej të gjitha tyre që thuhen e për fat të keq e rëndojmë moralisht dhe psikologjikisht Policinë e Shtetit në mënyrën më të padrejtë, punonjësit e Policisë së Shtetit, ata që janë aty për t’i shërbyer shtetit, janë mjaftueshmërisht të vetëdijshëm, mjaftueshmërisht të mençur për të kuptuar se, nëse qeveria, ministri i Brendshëm, pra ne, pjesa civile e kësaj përpjekjeje mund të bëjmë dhe gabime, nuk janë kurrë gabime të qëllimshme, nuk janë kurrë gabime që vijnë nga nevoja për të përfituar duke shkelur ligjin, por janë thjesht pjesë e një procesi ku punohet shumë, ku luftohet shumë dhe mund të gabohet.

Gjithkush mund të gabojë, por e rëndësishme është që jemi në një proces ku brenda Policisë së Shtetit do të ndahen përfundimisht ata që mund të gabojnë në punë, nga ata që kanë gabuar qëllimisht, për të përfituar në kurriz të të tjerëve, duke e njollosur uniformën e Policisë së Shtetit. Garancia më e madhe, më e sigurt dhe më frymëzuese në këtë proces janë pikërisht ata që ne sot, këtu nderojmë, 5 punonjës policie, – janë shumë më tepër se 5, – që janë brumi i mirë i një policie shteti që çdo ditë e më shumë është gatshme të japë përgjigjet e duhura për ambiciet dhe nevojat e vendit dhe të qytetarëve.

Tani siç është zakon ndërkombëtar në këto raste, për të respektuar dhe mbrojtur identitetin e 5 kolegëve, pjesën ceremoniale, ne do ta zhvillojmë pa kamera dhe unë ju falënderoj të gjithëve për praninë dhe i përgëzoj të gjithë për gjithçka kemi mundur të bëjmë deri më sot.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.