Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me koordinatorët e zyrës së bashkëqeverisjes me njerëzit:
Mirëdita të gjithëve!
Më vjen mirë që sot, këtu nga biblioteka publike e Kryeministrisë, ne mund të bëjmë me dije, përmes syve dhe veshëve të publikut, jo vetëm që jemi gati me një rrjet anëtarësh dhe anëtaresh të ekselencës për të vijuar punën e nisur, për ta kthyer platformën online të bashkëqeverisjes me njerëzit në një instrument në dorën e çdo shqiptari dhe shqiptareje, që dëshiron të kontribuojë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Nga ana tjetër, në përpjekjen për Shqipërinë që duam, me shtet, me punë dhe mirëqenie, të bëhet palë kundër çdo zyrtari, çdo nëpunësi që e pengon për të zgjidhur problemet e veta dhe për të përmbushur shpresat dhe ëndrrat e veta.
Qysh në 31 korrik, ne kemi çelur procesin e aplikimeve për anëtarët e këtij rrjeti ekselence, që janë sot të gatshëm të fillojnë punën si pjesë e zyrës së bashkëqeverisjes me njerëzit. Deri në 27 gusht, mbi 800 kandidatë dhe kandidate kanë aplikuar me një letër motivimi, përveç kurrikulumit dhe me dy letra rekomandimi, sipas standardeve të rekrutimit për çdo post. Një komision i posaçëm organizator i kësaj zyre ka vlerësuar në bazë të kandidaturave të ardhura, të cilat, – më vjen shumë mirë ta nënvizoj, – ishin në një përqindje të konsiderueshme shumë cilësore, me kualifikim akademik, eksperiencë profesionale, por dhe përshtatshmërinë me misionin e kësaj organizate.
Pasi në një fazë të parë u seleksionuan 120 kandidatë, nga të cilët u short-listuan 45, u bënë edhe intervistat përfundimtare që na sollën në këtë rezultat. Të gjithë koordinatorët e kësaj zyre po trajnohen intenisivisht për gjithë procesin dhe për mënyrën si do trajtohet në të gjitha rubrikat e platformës së bashkëqeverisjes çdo kërkesë, çdo ankesë dhe çdo kontribut i qytetarëve.
25 anëtarët dhe anëtaret e kësaj organizate, e cila sa është një strukturë brenda shtetit, aq është dhe një rrjet vullnetarësh, për të shtyrë përpara një proces kaq të rëndësishëm sa ndërveprimi me njerëzit, vijnë si profesionistë të suksesshëm në sektorin privat, apo si individë që kanë kontribuar në sektorin publik. Vajza dhe djem, burra dhe gra të shkolluar më së miri, brenda apo jashtë vendit, me entuziazëm që është shumë e rëndësishme për këtë punë dhe me një background që lë shumë për të shpresuar. Njëri prej tyre vjen nga Indonezia, me një eksperiencë 15-vjeçare në organizatat ndërkombëtare.
Ka filluar aktiviteti i platformës. Është ende në embrion, por edhe me kaq, ne kemi mundur të konstatojmë vlerën e shtuar të këtij instrumenti, për t’i dhënë përgjigje në kohë reale dhe për t’i dhënë zgjidhje ankesave dhe kërkesave të qytetarëve.
Ajo çka nuk ka funksionuar deri më sot, në të gjithë historinë e këtij tranzicioni, duke filluar nga kjo godinë, është pikërisht kjo, që nuk është arritur që as godina më e rëndësishme e ekzekutivit shqiptar t’u japë njerëzve përgjigje përfundimtare për mijëra e mijëra kërkesat apo ankesat e tyre, për arsye se procesi ka qenë i ndërtuar pa një pikë në fund. Shumë njerëz çojnë letra, shumë njerëz çojnë ankesa, shumë njerëz bëjnë kërkesa në derën e kësaj godine, përmes Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, që është një transformim mekanik i të famshmes “zyra e letrave nga populli”. Por ajo që ka ndodhur deri më sot është që të gjitha këto letra, nga zyra këtu iu çohen zyrave të tjera dhe njerëzve iu thuhet “shkoi letra atje”.
Pra, këtu është bërë një dispeçeri që nuk ka arritur dot të ngrihet në nivelin e aftësisë së qeverisë, për të dhënë përgjigje përfundimtare. Njerëzit duan përgjigje. Faktikisht, kjo dispeçeri më shumë u ka shtuar kohën e pritjes, sesa u ka zgjidhur problemin, apo u ka dhënë përgjigjen në kohë.
Sistemi, sot që do të vihet në funksion, është krejt i ndryshëm, që do të thotë se përmes platformës, njerëzit do të marrin përgjigje. Përgjigjes të drejtpërdrejtë për çdo ankesë, për çdo kërkesë dhe për vlerësimin e çdo shprehjeje, dëshire për kontribut, janë ministrat dhe ministret, jo zyrat e marrëdhënieve me publikun.
Është përgjegjësi e çdo anëtari dhe anëtareje të kabinetit qeveritar, që të garantojë që nga dikasteri që drejton dhe për të gjitha strukturat e varësisë, të jepet përgjigje dhe të jepet zgjidhje për gjitha rastet kur zgjidhja është e mundur. Natyrisht ka raste që përgjigja është se kjo çështje nuk i takon këtij dikasteri, nuk i takon qeverisë, mund t’i takojë pushtetit gjyqësor, mund t’i takojë pushtetit legjislativ, sepse ka një mangësi ligjore.
Në këtë platformë, çdo qytetar mund të realizojë atë që kërkon të realizojë, kur aktivizohet për të bërë një denoncim në media, për të bërë një denoncim përmes kanaleve të tjera të komunikimit me qëllimin që të sensibilizojë qeverinë.
Natyrisht, të gjitha denoncimet në media, apo kudo tjetër, janë të mirëseardhura, por kjo platformë të krijon mundësinë për ta zgjidhur me përgjegjësit direkt, që sipas Kushtetutës dhe ligjit janë aty për të zgjidhur problemin, qofsh një familjar, qofsh një sipërmarrës që pengohesh në rrugën e zgjidhjes së një problemi nga një nëpunës, zyrtar apo strukturë e shtetit.
Duke e përdorur këtë platformë njerëzit marrin në dorë një armë për të luftuar për të drejtat e tyre dhe i japin vetes mundësinë që në këtë luftë të jenë me qeverinë në krah.
Kjo ndihmon që qeveria, qeverisja si proces, të përmirësohet cilësisht, në funksion të njerëzve, sepse vë përpara përgjegjësisë qeverinë për të dhënë përgjigje. Kjo garanton në të njëjtën kohë, që, përpjekja për një problem të trashëguar me korrupsionin në çdo zyrë të shtetit, ku një apo tjetër punonjës a drejtues kërkon ryshfet për të të dhënë të drejtën tënde, të jetë një përpjekje e suksesshme.
Me hyrjen e platformës me fuqi të plotë, çdo nëpunës, çdo agjent tatimor, çdo agjent doganor, çdo punonjës policie, çdo zyrtar në një sportel do ta ketë shumë të qartë, se cilindo që ka përpara si qytetar i zakonshëm është potencialisht një anëtar apo anëtare e këtij koalicioni dhe se për mospërgjigjen e paarsyetuar alertohet drejtpërdrejtë eprori më i lartë, ministri ose ministrja.
Jo rastësisht, këtu janë edhe një pjesë e anëtarëve të kabinetit, për të marrë menjëherë kontakt me koordinatorët që do të vendosen në ministritë e tyre, të cilët janë koordinatorë të Këshillit të Ministrave, nuk janë punonjës të ministrisë dhe janë krahu i djathtë i ministrit në raport me qytetarët, në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
Nga ana tjetër është e domosdoshme që të ndërtojmë në radhë të parë, besimin dhe kjo është shumë e qartë për të gjithë anëtarët e kësaj organizate të re. E quaj organizatë, sepse, siç e kemi nënvizuar qysh në ditën e parë, nuk është thjesht një çështje e një mekanizmi shtetëror brenda administratës, por është edhe një element vullnetarizmi i të gjithë këtyre njerëzve që do t’i njihni dhe do të shikoni që nuk vijnë nga rruga e kërkesës banale “dua një vend pune”, por vijnë nga punë që i kanë bërë më parë, me frymëzimin dhe me dëshirën për të shërbyer që ky shtet të funksionojë shumë më mirë për qytetarët.
Njerëzit nuk kanë faj, nëse nuk besojnë se kjo platformë është ndonjë gjë e re dhe nëse mendojnë se kjo është një tjetër faqe online, apo një tjetër portal ku mund të shkruash sa të duash, ku fjalët e tua as nuk i lexon njeri, jo më t’i marrin në konsideratë dhe t’i shikojë si detyrim për t’i trajtuar me respektin më të madh. Besimi do të krijohet vetëm nëpërmjet historive të suksesit dhe nëpërmjet raportimit transparent të të gjithë veprimtarisë së kësaj organizate.
Nuk është një ekran, nuk është një website, nuk është një tjetër faqe për të bërë chat, por është fytyrë pas së cilës ka një trup të gjallë njerëzish, një armatë njerëzish që do të punojnë ditë-natë, vetëm që çdo gjë që hidhet në atë platformë si mendim, si kërkesë, si ankesë, të konsiderohet me respekt të plotë.
Ata që janë pjesë e kësaj organizate e që do t’i japin jetë kësaj beteje dhe kësaj përpjekjeje janë në pararojë të kësaj përpjekjeje, që këtë inovacion të mos e lëmë të dështojë, por ta kthejnë në një instrument të ri, modern, falë teknologjisë të lartë të qeverisjes së mirë. E kësaj qeverie t’i japim mundësi që të mësojë, të kuptojë dhe të reagojë bazuar në një lidhje direkte me njerëzit dhe njerëzve t’i japim mundësinë që të ndjehen pjesë e kësaj përpjekjeje.
Sot, me këtë platformë, privilegjin që ligji, Kushtetuta ia jep çdo deputeti, për të pasur akses të shpejtë në të gjithë veprimtarinë qeverisëse, por edhe për të pasur influencë për t’u futur “mik” për njërin apo për tjetrin, e bënë të mundur për çdo njeri, për çdo shqiptar. Çdokush që do bëhet pjesë e kësaj platforme do të ketë akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e kësaj qeverie. Do të ketë akses të plotë në të gjithë dokumentet e projektvendimeve, projektligjeve, do të marrë në kohë reale vendimet e qeverisë, njësoj siç ndodh me deputetët, kur ata, sigurisht janë të interesuar për t’i pasur këto gjëra. Do të jetë një platformë për të diskutuar për çështjet e aktualitetit, për të marrë mendimin e njerëzve që i konsiderojmë anëtarë të koalicionit, për të bërë interpelanca me kërkesën e tyre në atë platformë e me radhë.
* * *
Deri më sot, sistemi ka qenë shumë i varur nga subjektivizmi, ose dëshira e mirë. Ndërkohë që platforma nuk lë më vend për dëshirën, apo për subjektivizmin, sepse ekspozon të gjitha pikat e një procesi dhe nxjerr në pah përgjegjësinë në çdo pikë të procesit, jo thjesht si një përgjegjësi ligjore, por edhe si përgjegjësi e drejtpërdrejtë ekzekutive dhe individuale për çdo drejtues në një zyrë, për çdo ministër, natyrisht, edhe për mua personalisht.
Në këtë platformë është përfshirë drejtpërdrejtë Këshilli i Ministrave. Kjo zyrë e bashkëqeverisjes nuk është një zyrë klasike e Marrëdhënieve me Publikun, që bën më të mirën, kur e bën dhe prapëseprapë nuk ia del. Kjo zyrë është zyra ekzekutive e Këshillit të Ministrave, në funksion dhe në mbështetje të njerëzve të zakonshëm, është ura që krijon komunikimin e drejtpërdrejtë mes çdo qytetari të Republikës, në Shqipëri ose jashtë, me ministrin përkatës, për një çështje të interesit të tij.
Çështja mund të jetë e interesit të tij, në kuptimin që “kam dëshirë të them dhe unë mendimin tim për një temë të madhe”. Çështja mund të jetë në interes të tij, në kuptimin e fëmijës autik, i cili nuk mund të presë sa të arrijnë letrat, apo të varen nga dëshira e mirë, apo nga mungesa e dëshirës së “x” apo “y”. Janë qindra mijëra probleme të vogla, kur i shohim nga lart, por që janë jetike për personin apo familjen që i ka. Ne nuk mund të lejojmë që këto probleme jetike të jenë në mëshirën e dëshirës së mirë, apo të disponibilitetit subjektiv të një zyrtari, të një drejtori, të një inspektori, apo kujtdo qoftë.
Unë dua t’ju them njerëzve: E urreni korrupsionin (?) luftojeni! Nëse kjo deri dje ishte një fjalë që mbetej në erë, sot është një mundësi reale, që çdo njeri, korrupsionin në rrugën e jetës së vet ta luftojë jo më thjesht duke e denoncuar diku për të sensibilizuar qeverinë, por duke e bërë ministrin a ministren përkatëse aleatin e tij, mikun e tij. Kjo është platforma që e bën qeverinë mikun më të madh. S’ka nevojë të kërkosh lart e poshtë, kë t’i fusësh mik dikujt në qeveri, sepse e ke qeverinë mikun më të madh, që e vë në lëvizje menjëherë. Mjafton që ta bësh me dije problemin tënd dhe më shpejt se kurrë më parë në historinë e këtij vendi do kesh përgjigje.
Megjithatë këto janë fjalë. Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë, ku ne do të provojmë përditë, se këto fjalë janë pasqyrë e veprave.
Duke i falënderuar edhe njëherë të gjithë që janë sot të pranishëm, u jam shumë mirënjohës. Nuk jeni ju që duhet të më falënderoni mua. Jam unë që kam mirënjohje për të gjithë ju që vutë në dispozicion të këtij projekti inovativ, eksperiencën tuaj dhe mbi të gjitha, besimin tuaj. Besimi juaj se ky instrument vlen është vlerësimi më i madh për të. Besimi juaj, jo vetëm që nuk duhet zhgënjyer, por duhet forcuar, prandaj jemi këtu, unë dhe koleget e mi të kabinetit, por besimi juaj duhet të bëhet përditë besimi i dikujt tjetër.
Do të jetë një fazë e parë skepticizmi, komplet natyrshëm, por me rastet e suksesit që ne do t’i publikojmë vazhdimisht, me raportet e transparencës që do bëjmë vazhdimisht, njerëzit do ta kuptojnë pak nga pak, që qeverinë e kanë në xhep. Nuk kanë nevojë që të fusin dorën në xhep, për t’i dhënë ryshfet dikujt që abuzon me detyrën dhe dikujt që na turpëron të gjithëve. Kjo është një thirrje për qytetarët. Kjo është një thirrje për kompanitë. Kjo është një thirrje për pronarët e kompanive. Ne duam që çdo biznes të zgjedhë një rrugë, për t’i shporrur njëherë e mirë nga oborri i kompanisë të gjithë ata që shfaqen në emër të shtetit dhe përdorin në mënyrë abuzive pushtetin e vulës dhe të firmës së tyre, për të marrë ryshfete. Jo vetëm për të marrë ryshfete, por dhe duke dhunuar dinjitetin, qetësinë e nevojshme që njerëzit të bëjnë punë e tyre.
Me shumë besim tek të gjithë ju dhe me sigurinë që në çdo organizatë ku gratë janë shumicë, gjyma e punës është bërë, unë ju uroj sukses në punën tuaj!
Shumë faleminderit!