Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e diplomimit në shkollën “Hermann Gmeiner”:
Së pari, u ndjeva si në shtëpi këtu, se pashë që numri i atyre me klasike lart dhe atlete poshtë ishte i konsiderueshëm. Kështu që insistoni në këtë, se do shikoni që edhe ata që sot na shohin shtrembër, nesër do thonë s’kishte ndonjë gjë, ne ishim bashkë me ju, por nuk ishim aq afër sa t’ju kuptonim.
Është kënaqësi që rikthehemi këtu, në një moment kurorëzimi të një përpjekje në një proces për të ndërtuar një vatër të mirëfilltë ekselence në arsimin profesional. E dimë historinë, nuk ka nevojë t’i rikthehemi gjithnjë, edhe pse historia gjithnjë na ndihmon të kuptojmë arsyet pse jemi aty ku jemi dhe se çfarë duhet të bëjmë për të shkuar më tutje. Historia është e pamëshirshme, kur vjen puna tek arsyet pse në Shqipëri është një problem i madh punësimi dhe kur vjen puna për të ndihmuar, për të mbështetur, për të inkurajuar për punë, njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë për shumë arsye, por në radhë të parë sepse askush në të shkuarën nuk u dha mundësinë të mësojnë të bëjnë diçka.
Më besoni që sado të komentohet me 1001 mënyra të ndryshme, ajo shprehja e popullarizuar që “punë ka, por s’ka profesionistë”, është dramatike e vërteta e shumë ndërmarrjeve, sot, që kanë punë, por nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur për atë punë, njerëzit që i kanë aftësitë ta bëjnë atë punë. Këtu ka disa përfaqësues të sipërmarrjes, të cilët, jam i bindur, mund të dëshmojnë këtë të vërtetë. Nisur nga eksperiencat e tyre, mund të dëshmojnë se në ndërmarrjet e tyre, në kompanitë e tyre ka ende vende që presin njerëzit e duhur, me aftësitë përkatëse për të mbuluar atë nevojë të kompanisë.
E kam përsëritur shpesh dhe nuk do lodhem se përsërituri se, që nga “Zogu i Zi” deri kur shkon në Durrës, në çdo derë që të futesh, në çdo ndërmarrje në dy anët e rrugës do të gjesh punë. Por nga ana tjetër do të gjesh sipërmarrës shumë të shqetësuar për faktin, se për ato vende pune që kanë në dispozicion ende nuk arrijnë dot të gjejnë njerëzit e duhur, me aftësinë përkatëse të atij vendi pune. Ashtu sikundër, ajo që ne po shohim aktualisht në përpjekjen e madhe që po bëjmë për t’i çuar në punë, ata të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike, është se nuk kanë shpeshherë asnjë kualifikim, asnjë aftësi të dedikuar për një punë. Për këtë arsye, ajo që ne kemi vendosur, është që t’i japim 55 mijë lekë në dorë, më shumë sesa shpeshherë ndihma ekonomike që marrin dhe një shifër e barabartë me mesataren e ndihmës ekonomike, për t’u trajnuar 1 muaj, 2 e 3 muaj, sa të jetë nevoja dhe për t’u punësuar.
Thënë këto të gjitha, këtu jemi në një situatë tjetër, sepse ju sot mbaroni një pjesë të rëndësishme të rrugës tuaj shumë të gjatë, që është përgatitja për punë dhe dilni nga shkolla me një aftësi të spikatur për punë, në një sektor ku tregu ka nevoja të mëdha, nevoja që do të vijnë duke u zgjeruar. Kjo padiskutim do të jenë edhe arsyeja pse ata që bëjnë arsimin profesional në këtë drejtim që ju e bëni, do të kenë edhe probabilitetin më të lartë për t’u punësuar ndër të gjithë ata që bëjnë arsimin profesional, që është shumë interesante, por nga statistikat janë 20% më të punësueshëm, sesa ata që bëjnë arsimin e lartë. Nëse do të konsiderojmë që ata që mbeten në nivelin e arsimit të përgjithshëm shkojnë në punë më pak të paguara dhe janë më shumë, atëherë, ata që mbarojnë arsimin profesional janë 12% më shumë, sesa ata që mbarojnë arsimin e përgjithshëm që e gjejnë punën. Pra, arsimi profesional është padiskutim një mundësi, një investim, një shtysë kryesore për punësimin e individit, por edhe për punësimin në tërësi.
Nuk është e rastësishme që vendet më të zhvilluara, edhe Austria që na bëhet sot pjesë e ceremonisë, sepse kjo shkollë është një shkollë ekselence falë binjakëzimit të kryer dhe të mbështetjes së drejtpërdrejtë nga miqtë tanë austriakë, është aty ku është sot me shifrat e punësimit, si pjesë e vendeve më të zhvilluara të Europës, për shkak se ka një sistem të Arsimit Profesional shumë solid. Në vendet më të zhvilluara të Europës, ata që janë me arsim profesional janë shumë më tepër, sesa ata që janë me arsim profesional në vendet më pak të zhvilluara. Nëse vendet më të zhvilluara të Europës e përballuan më lehtë krizën e rëndë që kaloi e gjithë Europa në fund të 10-vjeçarit të parë të viteve 2000 dhe pastaj në fillim të 10-vjeçarit të dytë, kjo lidhet me sistemin shumë solid të punësimit, të bazuar tek arsimi profesional.
Ne jemi larg shumë akoma, por, nëse kthejmë kokën pas, do shikojmë që nga rreth 3000 mijë nxënës që figuronin në arsimin profesional, por të një arsimi profesional komplet fantazmë, pasi shkollat ishin krejtësisht jashtë çdo lloj kushti për të dhënë arsimin e duhur profesional, sot, ne kemi të regjistruar 25 300 studentë në arsimin profesional. Janë afërsisht 20% e totalit, por janë endë pak në krahasim me çfarë duhet të jenë për t’iu përgjigjur tregut të punës.
Është shumë e rëndësishme në këtë kontekst t’ju them se edhe nga një anketim i bërë me sipërmarrjen dhe me investitorët e huaj për pengesat që ata ndeshin për të investuar më shumë në Shqipëri, pengesa e parë që ata identifikojnë nuk janë as taksat, nuk është as legjislacioni, nuk janë as edhe vetë gjykatat që janë problemi më i madh i të gjithëve, por është mungesa e krahut të kualifikuar të punës. Adresimi i kësaj mungese është një domosdoshmëri. Ne kemi nisur ta bëjmë që në fillim të qeverisjes tonë, por nga ana tjetër kërkon edhe kohën e vet që të arrijmë në pikën ku të kemi një ekuilibër midis nevojave të tregut dhe krahut të kualifikuar të punës, që del nga sistemi i arsimit profesional. Edhe kthimi përmbys i sistemit të vjetër, duke përfshirë kohën në ndërmarrje në këtë proces, duke përfshirë përfaqësuesit e sipërmarrjes në bordet e shkollave, ka treguar se ka qenë i domosdoshëm për ta bërë sistemin gjithmonë e më shumë një sistem funksional, të ndërlidhur me tregun e punës.
Unë dua të shpreh të gjithë respektin për drejtuesit, për mësuesit, për të gjithë ekipin e kësaj shkolle, e cila është një nga shkollat më të reja profesionale në vend, por mbase është edhe një nga shembujt më të shkëlqyer për se si duhet të jetë arsimi profesional. Ju që kurorëzoni përpjekjet e nisura po këtu jeni dëshmia e kësaj që thashë, një shkollë vërtetë elite për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, e ideuar dhe e ndërtuar sipas modelit austriak, e cila është një pikë referimi për ne, si duhet të jenë të gjitha shkollat e arsimit profesional që ne kemi qëllimin e padiskutueshëm që t’i shtojmë. E faktikisht, ideja jonë është që deri në fund të këtij 4-vjeçari, ne të kemi një shkollë të arsimit profesional në çdo bashki të vendit, të paktën një dhe nga ana tjetër të kemi sa më shumë nga ato shkolla që të jenë të binjakëzuara, të jenë të bashkuara me një shkollë simotër të një vendi ku arsimi profesional është model i mirëfilltë zhvillimi. Kështu, në këtë logjikë janë konceptuar dhe po ndërtohen edhe 8 shkollat e reja të arsimit profesional që janë në proces dhe në këtë logjikë do të shkohet më tutje.
Nga ana tjetër është një arsye për t’u përulur me respekt përpara të gjithë nxënësve të shkollës këtu, sepse në këtë shkollë, që i ka kërkesat shumë të forta, ka një notë mesatare shumë të lartë dhe ka një kalueshmëri maksimale, gjë që tregon se përzgjedhja bëhet mirë, që tregon se puna bëhet mirë dhe mbi të gjitha që angazhimi i nxënësve është maksimal. Kështu që, meqë deri tani u duartrokitën vetëm ata që morën fjalën, unë mendoj se na takon të duartrokasim ata që nuk do ta marrin dot fjalën, që janë pjesa dërrmuese, nxënësit dhe nxënëset e shkollës, të cilët meritojnë të gjithë respektin tonë për shembullin që japin, në radhë të parë, për të mirën e tyre dhe për të mirën e familjes së tyre, por nuk diskutohet edhe për të gjithë shoqërinë tonë.
Unë dua që t’i uroj sukses në vazhdim të gjithë atyre që sot përgatiten për të qenë brezi i parë që do jetë pjesë e tregut të punës. Jam i bindur që punësimi juaj do jetë çështje muajsh. Më vjen shumë mirë që me ju shtohet numri ende i vogël i atyre që punësimin nuk e quajnë punësim, vetëm nëse është në shtet, por përkundrazi i kanë sytë tek sektori privat, sepse aty ju mund të merrni rroga shumë herë më të larta sesa në shtet dhe aty mund të zhvilloni më tutje edhe ambiciet tuaja për t’u bërë një ditë shumë më të pasur se të gjithë të pasurit bashkë, që janë sot sipërmarrës këtu.
Para jo shumë kohësh kam takuar një djalë, këtu në Shqipëri, që është 21 vjeç e ka një kompani me rreth 9 veta, – ndoshta e ka shtuar tani, se kam kohë që e kam takuar, – i cili aktualisht punon me një kontratë ekskluzive për Google. Kur më tha sa fitonte në vit, realisht pata një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse ishte vërtetë një gjeni, si ata që shikojmë në televizor, sidomos ditët e fundit dhe për shkak të këtyre historive me të dhënat, që janë ana tjetër e medaljes së atij sistemi që prezantuat ju, por nuk po e diskutojmë këtu. Jam i bindur që krijimi i këtij shtrati me siguri do të nxjerrë jo pak njerëz që do kenë mundësi të bëjnë suksese të mëdha në këtë fushë, ku është e qartë që nuk është çështje gjeografie, nuk është çështje mundësish fillestare, por është çështje talenti dhe thjesht instrumentesh që kjo shkollë ia vë në dispozicion kujtdo që mund të ketë ëndërr të bëhet Zuckerbergu shqiptar, me kushtin që të krijojë një sistem ku të dhënat të mos jenë aq lehtësisht të vjedhshme në funksion të axhendave të të tjerëve. Kështu që ky është i vetmi element që duhet të studiojmë te sistemi që na e prezantuat me aq shumë entuziazëm dhe patjetër që mbetet pastaj sqarimi si të fitojë 100%, ai personi, atje në atë platformën tuaj.
Shumë faleminderit!