Kryeministri Edi Rama takim me kryetarët e bashkive për planin e masave për garantimin e një sezoni turistik cilësor:
Mirëdita të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë tuaj!
Sot jemi këtu për të folur për një program, i cili nis me atë çka ministri i Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë, por përfshin të gjithë ne, qeverinë, institucione të tjera, pushtetin vendor, kryetarët e bashkive dhe prefektët, në një sfidë reale për të siguruar që ky sezon turistik të ketë një cilësi të re përsa i përket rolit dhe ushtrimit të detyrave të të gjithë institucioneve dhe aktorëve shtetërorë.
Është një sfidë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, zhvillimi i turizmit në kushtet kur përballemi me një rritje të përvitshme të kërkesës dhe gjendemi me një ofertë që është nën kërkesën, shumë nën kërkesën, kur vjen fjala për infrastrukturën e mikpritjes. Sot që flasim, të gjitha agjencitë dhe të gjithë operatorët turistikë po konfirmojnë se çdo hotel dhe çdo dhomë në dispozicion të sezonit, nga veriu në jug, është e prenotuar. Nga ana tjetër, rritet larmia e grupeve turistike, në kuptimin e shteteve prej nga ato vijnë dhe nuk diskutohet që mbetemi ende larg gatishmërisë nga pikëpamja e numrit të hoteleve, e kategorive të ndryshme të shërbimeve hoteliere, në raport me këtë kërkesë në rritje.
Sidoqoftë, nëse për këtë aspekt ne po punojmë intensivisht, për të nxitur më shumë investime të huaja dhe të brendshme në sektorin e turizmit, në aspektin e pastërtisë, në aspektin e sigurisë dhe në aspektin e përmbushjes së programit të familjeve apo të individëve që kalojnë pushimet në Shqipëri, me një gamë më të gjerë aktivitetesh sesa thjesht rutina e përditshme e plazhit, duhet me patjetër, duke filluar nga ky sezon, të bëjmë shumë më tepër. Për këtë arsye, prej fillimit të mandatit të dytë, ne kemi krijuar grupin ndërministror të punës, ku janë të përfshirë përveç ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, edhe ministri i Brendshëm, ministrja e Mbrojtjes, ministrja e Shëndetësisë, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, ministrja e Kulturës dhe Ministria e Ekonomisë dhe e Financave.
Jam i bindur se me planin e bërë, kemi në dorë një instrument shumë të rëndësishëm dhe të besueshëm, për të arritur që t’i çojmë përpara pozicionet e prapambetura, me thënë të drejtën, të shtetit në tërësi, në raport me këto aspekte, të kemi një sezon turistik shumë më të pastër, shumë më të sigurt dhe me shumë më tepër mundësi për aktivitete të natyrave të ndryshme për të gjithë pushuesit.
Në ditët dhe në javët në vijim do duhet të flasim më shumë dhe më në detaje për gjithë këtë plan, por një gjë dua ta theksoj dhe kjo është domosdoshmëria për një motivim shumë më të madh të bashkive që mbajnë peshë në sezonin turistik, për një koordinim shumë më të mirë të punës mes bashkive dhe institucioneve qendrore apo ministrive, për një përfshirje shumë më cilësore të të gjithë komponentëve që përbëjnë bazën logjistike dhe bazën e burimeve njerëzore të çdo bashkie, në mënyrë që të krijohet një sinergji e domosdoshme për t’ia dalë.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që jo të gjitha bashkitë kanë mundësitë për të përballuar këto sfida vetëm. Marrim si shembull pastrimin e vazhdueshëm dhe cilësor në kohën e sezonit, ku është e qartë që me të ardhurat e tyre dhe me kontributet e qytetarëve për arkën e bashkisë nuk mund të përballohet shumëfishimi i numrit të banorëve të zonës që mbulon bashkia në atë periudhë kohe.
Për këtë arsye, ne kemi parashikuar disa masa shumë konkrete mbështetëse nga ana e qeverisë dhe po ashtu jemi të vetëdijshëm që, nëse në aspektin e sigurisë, të shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes së turistëve nga kërcënimet e ndryshme, që nga kërcënimet që vijnë nga abuzimi me mjetet e ujit, që këtë vit do të kufizohen në mënyrë drastike në hapësirën e veprimtarisë së tyre, deri tek kërcënimi i mjedisit nga zjarret, janë bërë hapa përpara, por krejt të pamjaftueshëm.
Kam bindjen që ky do të jetë një vit kthese për një cilësi të re në këtë angazhim të përbashkët e të përgjithshëm, ashtu sikundër kam bindjen që bashkëpunimi me pushtetin vendor, edhe në funksion të krijimit të një game aktivitetesh argëtuese, kulturore, sportive, është një domosdoshmëri, në mënyrë që ata që vizitojnë Shqipërinë të kenë mundësi të shkojnë përtej kufirit të hotelit e të zonës së plazhit, të mund të vizitojnë pika të trashëgimisë kulturore, të mund të marrin pjesë në festa lokale të traditës ushqimore, apo të mund të kenë një itinerar të mirëpërcaktuar për të hyrë më thellë në jetën e banorëve të zonave, si dhe të kenë hapësira, qoftë për argëtimin e fëmijëve, qoftë për argëtimin e familjes në aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, sportive.
Kjo është pak a shumë një pamje e parë e një plani vërtetë të gjerë dhe të mirëdetajuar. Kam bindjen se, nëse do të bashkojmë të gjitha forcat e nëse do t’i përkushtohemi ashtu siç duhet zbatimit të këtij plani, sipas detyrave të secilit, do të kemi një sezon turistik me një përparim të ndjeshëm nga vetë turistët, në radhë të parë dhe do të vendosë një bazë të mirë për të përsosur më tutje, hap pas hapi, në sezonet e ardhshme, këtë punë të përbashkët.
Është e udhës që ashtu siç është punuar deri më tani, do vazhdojë të intensifikohet puna dhe ndërveprimi mes kryetareve të bashkive dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila luan edhe rolin koordinues me ministritë e tjera, për të vendosur të gjitha piketat e e dakordësuara në raport me çfarë duhet të bëjmë. Sepse fjala vjen, nëse një problem i madh, i përvitshëm, një sëmundje kronike e sezonit tonë turistik janë zhurmat vend e pavend, që krijojnë shpesh herë tension, stres dhe në vazhdimësi pakënaqësi për pushuesit, ky problem nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Ai zgjidhet duke përcaktuar qartësisht në secilën bashki, zonat dhe oraret mbi të cilat duhet të vigjilojnë forcat që kanë përgjegjësinë shtetërore për ta bërë këtë punë dhe për të garantuar qoftë që jashtë këtyre zonave dhe jashtë këtyre orareve të mos shqetësohet askush, qoftë ata që duan të bëjnë zhurmë e të kënaqen me zhurmën gjithë natën, ta kenë këtë mundësi në pika të specifikuara dhe larg atyre që me të drejtë nuk duan të shqetësohen.
E të tilla ka plot e plot detaje. Besoj që ne i kemi parë të gjitha me kujdes, por kemi dhe disa ditë për të vendosur çdo pikë mbi “I”, për të filluar punën e përbashkët.
Ndërkohë që pjesa e programit që ka të bëjë me pastërtinë na kujton faktin se turizmi nuk është një aktivitet i izoluar dhe se njerëzit që vijnë në Shqipëri, apo qytetarët e vendit që lëvizin përgjatë Shqipërisë për pushime meritojnë të kenë një mjedis të pastër edhe përgjatë akseve ku ata lëvizin. Kështu që besoj se është gjëja e duhur që të nisë ky program me këtë projekt të parë. Ashtu sikundër jam i bindur që, nëse do të kemi bashkëpunim të përditshëm dhe cilësor, do të mund të bëjmë shumë më tepër sesa kemi bërë deri më sot dhe sigurisht të mësojmë edhe shumë gjëra që nuk i dimë dhe që duhet t’i bëjmë edhe më mirë në sezonin pasardhës.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Kosi: Sot duam të paraqesim një plan të detajuar, të bërë pas një pune 6 mujore në të 61 bashkitë vendit dhe duam të fillojmë brenda kësaj jave, në kuadër edhe të 22 prillit, që është ditë e shpallur si Dita Ndërkombëtare e Tokës, një aksion për të filluar pastrimin me një shpejtësi të madhe, në koordinim me të gjithë faktorët dhe aktorët dhe për të shkuar pastaj në një aksion nonstop, për të pasur mundësi që të kemi një Shqipëri më të pastër.
Kemi përcaktuar sëbashku me prefekturën, një plan të detajuar, të qartë për Bashkinë e Tiranës dhe për gjithsecilën nga pikat e përcaktuara, se kush janë personat përgjegjës, kush janë mjetet që duhet të përdorin për të pastruar. Këtu kemi një rakordim shumë të mirë me Ministrinë e Mbrojtjes, kemi dakordësi me të gjithë institucionet lokale dhe ajo që na duhet është një përpjekje që duhet të shkojë në rakordimin me gjithë faktorët dhe aktorët. Është bërë një thirrje publike nga ana e Ministrisë së Turizmit për të gjithë bizneset, për shoqërinë civile dhe kemi një dakordësi me ta, për të marrë pjesë në këtë aksion njëjavor, por, padyshim, detyra e vazhdueshme e kryetarëve të bashkisë është që brenda kësaj jave të kemi mundësi të angazhojmë të gjitha mjetet dhe forcat tona të pastrimit.
Mbas datës 22, edhe forca e ligjit do duhet të jetë shumë më e fortë dhe forca e ligjit duhet të veprojë e të godasë këdo që do vazhdojë të trajtojë me të njëjtën logjikë trajtimin e mbetjeve urbane, hedhjen e mbetjeve urbane vend e pa vend, mosdakordësinë me institucionet ligjzbatuese për të përcaktuar mënyrën e trajtimit të këtyre problematikave. Është një përpjekje që nuk mund t’i mbetet vetëm bashkive.
Përsa i përket bregdetit kemi një ndarje të gjithë ministrive, kemi bërë një patronazhim të të gjithë institucioneve qendrore për një nga plazhet e vendit. Këtu kemi jo një detyrë që do zgjidhet vetëm këtë javë, por një përkujdesje nga një institucion qendror, i cili sëbashku me institucionet e varësisë do kërkojë që brenda javës që vjen të kemi një pastrim të parë, për të pasur mundësinë që të kemi një pastrim gjeneral. Kjo do të jetë një përpjekje, e cila duhet të vazhdojë edhe në dakordësi me faktorët dhe aktorët e tjerë, bashkuar këtij aksioni.
Ne nuk mund të kufizohemi vetëm në datën 22. Pas kësaj fillon aksioni i madh, të pastrojmë Shqipërinë që duam, i cili kërkon të thellohen masat dhe objektivat kryesore që kemi për sezonin turistik.
Tre janë problematika kryesore;
Ndalimi i zhurmave apo ndotjen akustike, që e kemi bashkërenduar me prefektët. Duhet të bëjmë një plan sëbashku me kryetarët e bashkive, për të pasur dakordësi se në kë nga zonat do të lejohet në bazë të ligjit, i cili flet për ndotjen akustike. Është një detyrë e kryetarit të bashkisë të përcaktojë zonat në të cilat lejohet ose jo muzika dhe për këtë duhet të kemi një plan të miratuar.
Ndalimi i ujërave të zeza në det. Kemi evidentuar qartazi se kush janë lokalet, ambienteve që kanë lidhje me lumenjtë apo me detet. Kemi bërë një thirrje publike deri në datën 1 qershor, e cila do të jetë data e fundit që në zbatim të lejes mjedisor do të jetë data ku do të lejohet një aktivitet të ushtroje veprimtarinë e tij, nëse nuk ka një pastrim të ujërave të zeza. Vendosja e depuratorëve, që është një detyrë e dakordësuar me këto biznese qëkur kanë marrë lejen e mjedisit, do të jetë një obligim i gjithsecilit nga ne. Edhe këtu, pa kryetarët e bashkive dhe pa ndihmën e drejtpërdrejtë të tyre do ta kemi të pamundur të evidentojmë çdo shkelës të kësaj problematike dhe çdo njërin prej këtyre bizneseve, që në fund të fundit bën një krim mjedisor. Ky krim mjedisor do të jetë heqja e lejes mjedisore e më pas do të hyjë në penalitetet e një krimi mjedisor të vërtetë.
Po ashtu shumë e rëndësishme, ku do të doja bashkërendimin e drejtpërdrejtë me gjithë kryetarët e bashkive dhe prefektët e vendit, është problemi i sigurisë në plazhe, duke filluar që nga siguria fizike, ku ne po punojmë me Ministrinë e Brendshme, për të shtuar forcat e sigurisë në plazhet tona, me problematikat që kanë të bëjnë me mbrojtësit e plazhit. Edhe këtu kryetarët e bashkive që kanë zona bregdetare dhe zona plazhi duhet të zbatojnë ligjin, për të pasur ruajtësit e jetës në plazh.
Mjetet motorike nuk është e mundur të stabilizohen vetëm nga forcat e rendit. Nuk mund të zgjidhet vetëm nga inspektoratet, nëse nuk ka një dakordësim me bashkitë, të cilat e kanë një detyrë funksionale të përcaktojnë qartazi vendet se ku mundet dhe ku nuk mundet të kemi mjete lundruese dhe zbavitëse në detet tona.
Përsa i përket operacionit “Clean and Green”, kemi disa operacione që kanë të bëjnë me venddepozitimet e mbetjeve. Gjithsecili nga kryetarët e bashkive ka qenë në dakordësi për të evidentuar zonat, të cilat kanë problematika përsa i përket mbetjeve urbane. Kemi një masterplan të darkodësuar me partnerët e institucionit tonë, për të vepruar me shpejtësi.
Është edhe problemi i mbetjeve spitalore. Kemi nisur një aksion sëbashku me Ministrinë e Shëndetësisë për të evidentuar të gjithë shkelësit, pasi ky është një krim mbi krimet e tjera mjedisore. Është një situatë, e cila është e papranueshme, duke filluar që nga spitalet shtetërore dhe për të shkuar tek spitalet private. Të 6 kompanitë që kanë marrë trajtimin e këtyre mbetjeve, kanë nevojë të kenë një super vëmendje. Edhe ky aksion është i rëndësishëm që të ketë një sy të plotë nga pushtetit vendor.
Që në datën 22, aksioni “Smile Albania” do të koordinohet me 100 të rinj që do të rekrutohen për të qenë aktivistë të përpjekjes sonë mjedisore në të gjithë vendin. Kemi përcaktuar 9 pika që do të jenë pikat kufitare, për të mirëpritur turistët që do të vijnë. Në 33 pika në të gjithë vendin kemi kërkuar të ngremë pika për informacionin turistik dhe edukimin mjedisor, ku kryetarët e bashkive janë të lutur të bëhen pjesë e këtij programi të përbashkët për të rritur arsyet për të pasur një turizëm pozitiv në Shqipëri, për t’i dhënë turistëve mundësinë për të qeshur e për të pasur mundësinë që në gjithë këto pika të kemi një edukim më të fortë mjedisor.
Kryeministri Edi Rama: Unë dua t’i ftoj të gjithë kryetarët e bashkive që t’u drejtohen këshillave bashkiakë. Është diçka që e kemi folur dhe më parë, – disa e kanë bërë, disa nuk e kanë bërë akoma, – për të forcuar masat kundër ndotësve, me gjoba si ato që vendosen në çdo vend normal që zhvillon turizëm. Janë gjoba të kripura, që ndëshkojnë këdo që i bie ndesh këtij interesi të madh kombëtar, që i bie ndesh interesit komunitar dhe që i bie ndesh dhe interesit legjitim të çdokujt që paguan për të bërë turizëm në vend.
Hedhja e mbeturinave vend e pa vend, nga njëra anë, ndotja përmes derdhjes së ujërave të zeza nga hotelet apo nga lokalet, nga ana tjetër, si dhe zhurmat duhen sanksionuar në mënyrën më ekstreme dhe nuk ka ekstrem që të jetë i mjaftueshëm karshi këtyre karshillëqeve ekstreme, të zhvilluara e të kthyera në traditë për kaq shumë vite.
Këshillat bashkiakë mund dhe duhet ta marrin një masë të tillë, në mënyrë që të gjitha forcat tona, të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ushtrojnë të gjithë kontrollin e nevojshëm dhe të gjitha të ardhurat nga gjobat për këto dëme t’i kalojnë çdo bashkie, sikundër është e merituar. U kemi dhënë prej muajsh, hoteleve dhe lokaleve që derdhin ujëra të zeza në det, mesazhin e qartë që pas 1 qershorit nuk do tolerohen. Sigurisht që ne do t’i shmangemi çdo lloj forme inspektimi apo kontrolli që krijon pakënaqësi tek pushuesit, por sanksionet për këto struktura do të jenë shumë të rënda. Gjëja që duhet të bëjnë është të futen në kornizën e kontratës që kanë me shtetin, kur kanë marrë lejen për të ndërtuar në këto territore dhe ku kanë kusht të shkruar në lejen mjedisore, depurimin e ujërave të zeza me instalime të brendshme të tyre, siç e bën e gjithë bota, aty ku nuk ka një infrastrukturë të lidhur të sistemit të ujërave të zeza me infrastrukturën e përgjithshme.
E njëjta gjë vlen përsa i përket respektimit të ligjit për interesin e çdo konsumatori, kur vjen puna tek kontributet e hotelerisë. E kemi ulur 6% TVSH-në për hotelet në rang republike. Nuk mundet më të tolerohet asnjë mashtrim me numrin e pushuese, aq më tepër që të dhënat i kemi shumë të qarta, janë të gjitha plot e përplot përgjatë gjithë sezonit turistik.
Sikundër, ne do t’i shmangim të gjitha llojet e inspektimeve shqetësuese edhe për lokalet, por të gjithë duhet ta matin mirë veten kur të shesin pa kupon, sepse mbyllja për një muaj e një lokali në kulmin e sezonit, siç e parasheh legjislacioni dhe siç ndodh me ata që shkelin këtë ligj, është një dëm shumë herë më i madh sesa çfarë mund të fitohet duke ia hedhur konsumatorit e duke ia hedhur edhe shtetit. Mos harrojmë që taksa për biznesin e vogël deri në 5 milionë është zero. Taksa për biznesin e vogël deri në 8 milionë është vetëm 5%.
Grupi i të rinjve që do të përbëjë edhe atë shtyllën e skeletit mbështetës në terren për sezonin, për bashkitë, është mirë që të shtohet në numër, me kontribute burimesh njerëzore nga vetë bashkitë, që i ftoj të angazhojnë grupe të rinjsh për të bërë këto detyra të thjeshta, që me siguri do të sjellin një vlerë të shtuar në këtë proces.
Ashtu sikundër, duke qenë se ne kemi edhe në atë rregullin e brendshëm që asnjë ministër i qeverise sonë nuk mund të bëjë pushime jashtë shtetit, do të përpiqemi që të mbulojmë me zona kujdestarie, – që nga ministrat dhe të tjera autoritete, – të gjitha ato zona turistike përgjatë vijës bregdetare, për të bërë atë që na takon në funksion të mbështetjes dhe të ndihmës që secili nga ne mund të japë për të realizuar me sukses këtë sezon turistik. Po ashtu për të ndikuar që të gjitha këto ingranazhe, që në vetvete kanë një potencial shumë të madh, por që po nuk u koordinuan dhe po nuk funksionuan sëbashku, nuk arrijnë dot të na japin produktin që kërkojmë, të na çojnë aty ku dëshirojmë për këtë sezon, i cili edhe nga pikëpamja e shërbimit shëndetësor, shërbimit të urgjencës do të jetë shumë më i mirëorganizuar, jo vetëm sepse njësitë mobile, që kanë funksionuar dhe kanë sjellë një ndryshim të madh, do të jenë aty përsëri, por edhe sepse çdo qendër shëndetësore në të gjithë vijën e aktivitetit turistik do të jetë e rikonstruktuar e do të jetë në dispozicion të pushuesve.
Ndërkohë që sëbashku me ministrat përkatës, ne do të zhvillojmë edhe takime të tjera, të planifikuara në periudhën më pas, qoftë me autoritetet vendore, qoftë me të tjera struktura, publike apo private, që janë të përfshira në këtë proces, për të shpjeguar deri në fund se çfarë qëllimesh kemi, sesi kemi planifikuar t’i realizojmë këto qëllime dhe për të shpjeguar deri në fund që pse në këtë proces, suksesi mund të jetë vetëm nëse të gjithë bashkë japim secili kontributin e vet.
Kështu funksionon kudo, kështu besoj, duhet dhe shpresoj, do të funksionojë edhe në këtë sezon, që është një sfidë e madhe, pasi numri i turistëve do të jetë më i madh se asnjëherë tjetër dhe domosdoshmëria për të pasur një Shqipëri shumë më dinjitoze, pavarësisht problematikave të veta, që në pikat kufitare. Për këtë është angazhuar Ministria e Brendshme, jo vetëm në raport me çfarë duhet të bëjmë në çdo pikë kufitare, por dhe në raport me të gjitha vendet me të cilat jemi të lidhur me kufij tokësorë apo detar prej ku vijnë turistët, në mënyrë që të kemi disa risi të mirëpritura dhe të shumëpritura, që do të vënë një bazë për të përmirësuar më tutje punën në sezonet pasardhëse.
Është e pashmangshme që njerëzit të bëjnë çfarë kanë bërë gjithmonë dhe është shumë e pamundur që të sanksionohen për atë punë, përsa kohë nuk kanë një pikë referimi të qartë e të përcaktuar dhe askush nuk shkon dot t’ju kërkojë llogari. Mjafton një furtunë, që gjithçka që ne bëjmë të përmbyset nga gjithë zogjtë e qeseve, nga qeset e kthyera në zogj që fluturojnë mbi kokat e pushuesve. Është një gjë shumë e rëndë. Nuk i zgjidhim dot të gjitha në një sezon, por të vendosim disa piketa të rëndësishme që hap pas hapi të shkojmë drejt zgjidhjes ë tyre. Ministria dhe personalisht ministri po bëjnë gjithçka që është në mundësitë njerëzore për një institucion të vetëm dhe për një grup njerëzish, por kjo kërkon një shtrirje të gjerë dhe një qilizmë të thellë që lidhet drejtpërdrejtë edhe me bazën, që është edukata qytetare. Për këtë arsye janë përgatitur edhe shumë materiale prezantuese, materiale orientuese, materiale promovuese dhe materiale që do kenë brenda dhe lutjen, – jemi ne shqiptaret që e ndotim dhe e bëjmë pis Shqipërinë, nuk janë turistët e huaj, – për të gjithë patriotët shqiptarë, që patriotizmin ta tregojnë në radhë të parë, duke mos hedhur plehrat ku të dalë. Ky është akti më i thjeshtë, por edhe më thelbësor patriotik ndaj tokës mëmë.
Shumë faleminderit dhe të vazhdojmë këtë punë të nisur, sepse kam shumë besim që është një punë që ia vlen dhe që do të na japi rezultate.