Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Prill 2018:
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË TEATRIT KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Hervin Çuli emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT E TË PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin e znj. Lindita Molla në detyrën e anëtarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TЁ MARRËVESHJES PËR KORRIGJIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË SEKTORIT FINANCIAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, pikat 1 e 2, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për korrigjimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR SHTESËN E FINANCIMIT PËR PROJEKTIN E MODERNIZIMIT TË ASISTENCËS SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale, me një hua në shumën 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) USD, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ MARRËVESHJES PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.89/2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 23, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për ndryshimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes, ratifikuar me ligjin nr.89/2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 28.8.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23, pika 2, 24, pika 4, e 25, pika 4, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin e rregullores bashkëlidhur vendimit nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 8, të kreut II, “Nisma për projektaktin”, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) ndikimet e mundshme ekonomike, financiare, sociale dhe mjedisore;”.
2. Në kreun III, “Përgatitja e projektaktit”, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Pas shkronjës “d”, të pikës 12, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) ndikimet ekonomike, financiare, sociale dhe mjedisore të pritshme;”.
b) Në pikën 16, pas fjalëve “… strukturat përgjegjëse përpilojnë …” shtohen “… raportin e vlerësimit të ndikimit të projektaktit, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij vendimi, …”.
c) Në pikën 17, pas fjalëve “… shqyrtimit të projektaktit …” shtohen “… raportit të vlerësimit të ndikimit të tij …”.
ç) Në pikën 18, pas fjalëve “… projektakti i dërguar për mendim duhet të shoqërohet me …” shtohen “… raportin e vlerësimit të ndikimit të plotësuar …”.
3. Në kreun IV, “Dhënia e mendimeve për projektaktin”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 22/1 shfuqizohet.
b) Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. Nëse projektakti shoqërohet me efekte financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, në çdo rast i dërgohet për mendim ministrit përgjegjës për financat dhe, sipas rastit, ministrit përgjegjës për ekonominë.”.
c) Në pikën 24, fjalët “… Ministrit të Ekonomisë dhe sipas rastit, ministrit të Financave …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për ekonominë dhe, sipas rastit, ministrit përgjegjës për financat …”.
ç) Në pikën 25, fjalët “… ministri/t i/të Integrimit Evropian” zëvendësohen me fjalët “… ministri/t përgjegjës për çështjet e integrimit evropian…”.
d) Në pikën 26, fjalët “… Ministrit të Punëve të Jashtme …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për punët e jashtme …”.
dh) Pika 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“27. Projektaktet me përmbajtje shoqërore, me efekte në burime njerëzore, i dërgohen për mendim ministrit përgjegjës për punën dhe ministrit përgjegjës për çështjet sociale, si dhe Departamentit të Administratës Publike.”.
4. Në kreun V, “Bashkërendimi i projektakteve”, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Fjalia e dytë, e pikës 28, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për ministrin e Drejtësisë, ministrin përgjegjës për çështjet e integrimit evropian dhe ministrin përgjegjës për financat, ky afat është 10 (dhjetë) ditë pune.”.
b) Në pikën 29, pas fjalëve “… për çështje teknike të formës dhe përmbajtjes së projektaktit …” shtohen “… raportit të vlerësimit të ndikimit të tij …”.
c) Në pikën 30, fjalët “… në pikat 22/1 deri 27 …” zëvendësohen me “… në pikat 23 deri 27 …”.
ç) Në pikën 31, emërtimet “Ministrit të Integrimit Evropian” dhe “Ministria e Integrimit Evropian” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “… ministrit përgjegjës për çështjet e integrimit evropian …” dhe “ … ministria përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian …”.
d) Në shkronjën “b”, të pikës 36, fjalët “… ose ministrit të shtetit të ngarkuar me koordinimin qeveritar …” hiqen.
5. Në kreun VI, “Paraqitja e projektakteve për shqyrtim në Këshillin e Ministrave”, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 44, pas fjalës “… projektakti …” shtohen fjalët “… raporti i vlerësimit të ndikimit …”.
b) Në shkronjën “b”, të pikës 45, fjalët “… të kreut të katërt …” zëvendësohen me “… të kreut të tretë …”.
c) Pas shkronjës “ç”, të pikës 45, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Raportin e vlerësimit të ndikimit të projektaktit, sipas formatit në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
ç) Pas pikës 45 shtohet pika 45/1, me këtë përmbajtje:
“45/1. Përjashtohen nga detyrimi i kryerjes së vlerësimit të ndikimit sipas shkronjës “d”, të pikës 45, të këtij vendimi, projektaktet që kanë të bëjnë me një nga kategoritë e mëposhtme:
a) Projektakte që trajtojnë çështje, të cilat lidhen me informacionin e klasifikuar shtetëror, çështje të sigurisë kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë;
b) Projektakte që lidhen me situata emergjente, fatkeqësi natyrore apo gjendje të krizës;
c) Projektakte që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomatike, veçanërisht ratifikime të marrëveshjeve ndërkombëtare apo çështje që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare;
ç) Projektakte që lidhen me menaxhimin buxhetor, projektligji për buxhetin vjetor dhe aktet nënligjore që dalin në zbatim të tij, projektaktet që lidhen me programimin buxhetor afatmesëm, projektaktet që prekin tatimet dhe tarifat doganore;
d) Projektakte që prekin legjislacionin penal;
dh) Projektakte që kanë efekt zbatimi të përkohshëm dhe kalimtar.”.
d) Në shkronjën “b”, të pikës 47, pas fjalëve “… për përgatitjen dhe hartimin e projektakteve …” shtohen “… raportit të vlerësimit të ndikimit …”.
II. Në shtojcën “Modeli i relacionit dhe i tabelës së përputhshmërisë së projektaktit normativ me acquis të Bashkimit Evropian”, që i bashkëlidhet tekstit të rregullores, emërtimi “Ministrisë së Integrimit Evropian” zëvendësohet me fjalët “… ministrisë përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian …”.
III. Dispozita kalimtare
1. Përjashtimisht, për vitin 2018, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të ndikimit vetëm projektligjet e përcaktuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, sipas programit të përgjithshëm analitik të projektakteve për vitin 2018.
2. Deri në vitin 2019, projektaktet që do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të ndikimit, do të jenë vetëm projektligjet.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM, NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 103, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 32, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet prioritare si dhe t’ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se një muaj nga data e miratimit të këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë, në vazhdimësi, mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË QYTETIT FUSHË – ARËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i qendrës së qytetit Fushë – Arës”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fushë – Arës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në listën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë njësi, apartament dhe ndërtesë, me vlerën e përgjithshme të shpronësimit 12 004 549 (dymbëdhjetë milionë e katër mijë e pesëqind e dyzet e nëntë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 12 004 549 (dymbëdhjetë milionë e katër mijë e pesëqind e dyzet e nëntë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Fushë – Arës.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fushë – Arës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fushë – Arës, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fushë – Arës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fushë – Arës dhe Bashkia Fushë – Arës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, PËR SIPËRFAQET QË PREKEN NGA NDËRTIMI I PROJEKTIT TË RRUGËVE PËRGJATË BREGUT JUGOR TË REZERVUARIT TË MOGLICËS, TË PASURIVE ME NUMRAT 407/1, 408/2, 408/1 E 414, ZONA KADASTRALE 3971, DHE TË PASURIVE ME NUMRAT 422/1, 423/4, 423/1, 424, 117/1, 127, 113, 121/3, 111, 109, 23/2, 23/7, 30, 31 E 86, ZONA KADASTRALE 2937, QARKU KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit të tokës, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për parcelat me sipërfaqe të përgjithshme 11 972 (njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) m2, pjesë e pasurive me numrat nr.407/1, 408/2, 408/1 e 414, zona kadastrale 3971, dhe të pasurive me numrat 422/1, 423/4, 423/1, 424, 117/1, 127, 113, 121/3, 111, 109, 23/2, 23/7, 30, 31 e 86, zona kadastrale 2937, me vendndodhje në njësinë administrative Moglicë, Bashkia Maliq, Qarku Korçë, të cilat preken nga projekti hidroenergjetik i Devollit, për ndërtimin e rrugëve përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Moglicës, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë pjesë përbërëse e tij.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Qarkun e Korçës të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, respektivisht për secilën parcelë, për aq sa preket nga ndërtimi i rrugëve përgjatë bregut jugor të rezervuarit të Moglicës, parcelat me numrat e pasurive 407/1, 408/2, 408/1 e 414, zona kadastrale 3971, dhe me numrat e pasurive 422/1, 423/4, 423/1, 424, 117/1, 127, 113, 121/3, 111, 109, 23/2, 23/7, 30, 31 e 86, zona kadastrale 2937, me vendndodhje në njësinë administrative Moglicë, Bashkia Maliq, Qarku Korçë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Drejtoria e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës në Qarkun e Korçës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË URBANE (TRUALL), PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE TË HIDROCENTRALIT “OSOJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, dhe të nenit 59, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit të tokës, nga kategoria “tokë bujqësore” në “tokë urbane” (truall), për parcelën nr.163/7, me sipërfaqe 1 054 (një mijë e pesëdhjetë e katër) m², në fshatin Osojë (ish-komuna Moglicë), Bashkia Korçë, për ndërtimin e objekteve të hidrocentralit “Osojë”.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimin e kategorisë së pasurisë, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen 1 054 (një mijë e pesëdhjetë e katër) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI