Nga bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në Lushnje:
Përshëndetje nga ana ime të gjithëve për këtë mundësi, që është një mundësi shumë e mirë për të folur për një temë konkrete, por përpara sesa të hyjmë te tema konkrete, unë dua që të nënvizoj dhe të përcjell tek sa më shumë njerëz që është e mundur mesazhin që sot, gjithsekush që ka një problem me administratën, gjithsekush që ka një të drejtë për të marrë dhe nuk arrin dot ta marrë për shkak se e zvarrisin, e sorollatin ka një mundësi të jashtëzakonshme, që nuk ka qenë kurrë më parë, që ta zgjidhë problemin në kohë reale. Mjafton që t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes www.shqipëriaqeduam.al dhe që në atë moment ka në dispozicion ministrin apo ministren përkatëse të linjës së shqetësimit të tij.
Në vend se të humbasim kohë për të gjetur një mik, apo të presim se kur do t’i dalim përpara deputetit, ministrit, apo Kryeministrit kur vjen në një qytet, apo kur kalon në një zonë, në vend se të fusim dorën në xhep dhe të paguajmë për të marrë atë që na takon, mjafton vetëm që të harxhojmë maksimumi 3 minuta, për të shkuar në platformë dhe për ta depozituar ankesën konkrete, që nuk sorollatet nëpër zyra, por shkon direkt në tryezën e titullarit më të lartë të linjës, ministrit. Është ministri përgjegjësi për të trajtuar çdo ankesë që drejtohet nga një qytetar, apo një grup qytetarësh dhe që ka lidhje me një zyrë që është nën administrimin e asaj Ministrie.
Ministrja e Drejtësisë ka njoftuar dy herë publikun, jo për sa ankesa janë zgjidhur, por për sa individë janë ndëshkuar, zyrtarë, punonjës zyrash të hipotekave, ALUIZNI-t, – po ashtu në ministri e zyra të tjera, – që janë shkaku pse është penguar, pse është vonuar dhënia e një dokumenti që i takon qytetarit. Në momentin kur qytetari bën ankesën, ankesa merret nga ministri dhe menjëherë vihet në lëvizje i gjithë sistemi i koordinimit që është pas platformës. Nuk është një portal i zakonshëm. Është një ekran pas të cilit qëndrojnë dhjetëra njerëz, të ndarë në çdo ministri dhe me një ekip drejtues në Kryeministri dhe sëbashku me drejtuesit përkatës të institucioneve bëjnë të mundur që ankesa brenda 10 ditësh të marrë përgjigje. E në rast se ka ankesa që kërkojnë më shumë kohë, për arsye se nga pikëpamja e procedurës kërkohet më shumë kohë, atëherë brenda 10 ditësh, sidoqoftë, qytetarit i thuhet që po e trajtojmë dhe mos u shqetësoni se do të zgjasë pak më shumë.
Pasi ankesa zgjidhet, – p.sh., nëse dikush nuk e ka marrë hipotekën për 5 vjet dhe e merr për 10 ditë, kjo do të thotë që ka një përgjegjës, ka një fajtor për këtë, – fillon dhe analizohet zinxhiri i dosjes, kush e ka pasur këtë dosje në përgjegjësi. Personat që identifikohen si persona përgjegjës për dosjen ndëshkohen. Janë dhjetëra e dhjetëra punonjës hipotekash që sot janë në hall prokurorie, sepse kanë vonuar përgjigjet. Janë dhjetëra të tjerë punonjës në administratë që kanë marrë paralajmërim për t’u shkarkuar, kur janë gjetur në një përgjegjësi relative, jo të plotë. Ata që kanë përgjegjësi të plotë shkarkohen menjëherë.
Kjo është mënyra si funksionon dhe kjo është mënyra sesi ne bashkërisht të shpëtojnë një orë e më parë nga grabitqarët dhe parazitët në zyrat e shtetit, duke i vendosur në një presion të dyfishtë, presionin nga lart dhe presionin nga poshtë. Duke bërë të qartë se çdo person, edhe ai që mund të duket më i humburi në këtë botë, që të vjen tek sporteli dhe të kërkon të drejtën e tij mund të të shkarkojë nga detyra, sepse mjafton që t’i drejtohet platformës dhe në atë moment nuk është më ai i humburi që ke përpara dhe që të duket se mund ta marrësh nëpër këmbë, por është ministri me të cilin ke të bësh drejtpërdrejtë.
Qytetar: Kam një biznes të vogël familjar. Me ardhjen e PS në pushtet, qeveria zëroi taksën e biznesit të vogël. Me futen e TVSH-së në biznesin e vogël mos vallë biznesi do ta paguajë këtë taksë në një tjetër formë?
Qytetar: Unë nuk kam gjë me taksat, por për garazhin tim, unë paguaj 30 mijë lekë në vit. Për të tjerat nuk kam ndonjë ankesë. Ka 3 vjet që e paguaj. Atë garazh e kam bërë unë, s’ma ke bërë ti që ta paguaj taksën.
Qytetar: Unë 20%-shin e TVSH-së e pranoj dhe nuk ka rritje takse. Për mua ka shtesa taksash që deri dje nuk jemi tatuar për ndërtesën ose tokën. Nuk e kam në drejtim të kësaj. Unë kam një ndërtesë në autostradën e By-Pass-it të Lushnjës. Ka që në 2014-ën, keni nxjerrë një VKM për hyrje-dalje në autostradë. Kam bërë disa herë tentativa me ARRSH-në dhe më është kthyer gjithmonë një përgjigje, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave. Për këtë arsye, unë penalizohem se nuk po nxjerr dot licencën në biznesin tim.
Qytetar: Unë merrem me bujqësi. Taksat janë disi të larta, sepse plehrat janë shumë të larta. Karburanti shumë i lartë për bujqësinë. Rrugë nuk kemi. Unë kërkoj tek toka një urë. Ura është në plan. Banka Botërore e ka në projekt, mirëpo deputetit të zonës elektorale numër 60 e ka bllokuar, sepse te biznesi i vet ai ka ndërtuar një objekt sipër kanalit vaditës. Me vendim Gjykate është prishur dhe nuk na lejon të bëhet ura. Kështu që unë humbas.
Kryeministri Rama: Do të shtoja një element që lidhet me propagandën mbytëse që u bë kundër kësaj mase, që është masë shtetbërjeje në ekonomi. U tha se do rriten çmimet. Po të ishte se çmimet do të rriteshin nga kjo masë, do ishin rritur që nga 1 prilli deri tani. Zero rritje çmimesh në të gjithë artikujt që lidhen me këtë fashë të bizneseve.
Së pari, ka vetëm dy taksa që janë rritur nga ne. Më gjeni të tretën dhe unë do ju them tre. Taksa edhe për ata që fitojnë më shumë ishte 10%, për të gjithë njësoj, si furra e bukës, si 15-katëshi në Tiranë paguanin 10% taksë, që do të thotë që furra e bukës paguante më shumë se 15-katëshi. Ne e bëmë 15% për të gjithë ata që janë të mëdhenj dhe e ulëm 5% për të vegjlit nga 5 milionë deri në 8 milionë xhiro dhe zero taksë për të gjithë bizneset e vogla deri në 5 milionë lekë xhiro.
E dyta, ne kemi rritur taksën e karburantit. Do jua shpjegoj pse. Në vitin 2013 kur kemi filluar detyrën, ne ishim përballë një gremine të vërtetë na pikëpamja financiare. Kur Saliu thoshte ja dhe pak e ju pret fati i Greqisë, e dinte shumë mirë se çfarë fliste, sepse e dinte më mirë nga të gjithë çfarë kishte lënë mbrapa. Kishte lënë një greminë ku Shqipëria mund ta thyente qafën dhe njëherë nga e para. U detyruam të thërrasim “zjarrfikësit” ndërkombëtarë, FMN-në, të cilët në tetor na thanë, e para, ju jeni përballë një gremine dhe rrezikoni që të mos keni mundësi të paguani rrogat dhe pensionet e fundit të nëntorit, prandaj duhet të ulni rrogat dhe pensionet menjëherë. Një tendencë që në kohën e krizës financiare ishte goxha e përhapur dhe në disa vende ndodhi ulja e rrogave dhe pensioneve; E dyta, rrisni TVSH-në 23%”, që do ishte realisht një taksim i drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët. Sepse të jemi të qartë, nuk e paguan TVSH-në as biznesi i vogël, as biznesi i madh, por e paguan çdokush që blen. TVSH-ja është barra e konsumatorit. Kjo është arsyeja, pse ai 20%-shi nuk është taksë e shtuar, nuk është se biznesi i vogël që është me TVSH do shkojë në fund të vitit dhe do paguajë 20% më shumë taksë. Nuk ekziston kjo. Në fund të vitit, biznesit të vogël mund t’i rezultojë zero-zero, mund t’i rezultojë dhe të kreditohet për TVSH-në, sepse fut aty edhe shpenzime të tjera që deri sot nuk ua llogarit njeri, edhe ujin, edhe dritat etj…
Ne në ato kushte duhej patjetër të rrisnim të ardhurat. Arsyeja që na thoshin, ulni rrogat, ulni pensionet, rrisni TVSH-në, ishte të mbushnim arkën e shtetit. Saliu na kishte lënë një gropë nga e cila kemi dalë vetëm vitin e kaluar. Na u desh një mandat për të mbushur gropën. E para na u deshëm masat për të mos rënë brenda, pastaj për ta mbushur dhe tani jemi matanë, sepse kishte lënë të gjitha rrugët rrugëve. Saliu thotë, kam bërë mijëra kilometra rrugë. Por nuk ka bërë mijëra kilometra rrugë, ka bërë mijëra kilometra tendera rrugësh. Rrugët vazhduam ne t’i paguajmë dhe vazhdojmë t’i paguajmë edhe sot. Po të shohim sa kilometra reale ka bërë dhe sa kilometra reale kemi bërë ne, janë më shumë tonat sesa të atij, duke hequr Rrugën e Kombit mënjanë.
Në momentin kur ne kemi pasur këtë problem, ne kemi menduar, çmimi i naftës kishte rënë, pra, duke taksuar tek nafta, ne nuk do t’iu merrnim qytetarëve diçka plus nga ajo që qytetarët ishin mësuar të paguanin për shkak të një çmimi më të lartë. Nga ana tjetër, duke taksuar tek nafta, ne nuk rëndonim të gjithë qytetarët, por rëndonim ata që kanë një makinë, që janë edhe ndotësit më të mëdhenj, në një kuptim. Pra, ajo është një taksë edhe për mjedisin. Është e vërtetë që për shkak të taksimit të naftës, çmimi këtu nuk ra, siç ra në vendet e tjera, sepse u rrit nga taksimi, por në raport me çmimin që ishte për vite e vite të tëra, janë rreth 100 milionë dollarë në vit më pak, që paguhen tek nafta. Me gjithë taksën e rritur, çmimi mbetet më i ulët, sesa ai që ishte për vite të tëra. Ky është kuptimi i asaj që po them.
Këto janë taksat që kemi rritur ne. Është edhe akciza e duhanit, por aty pastaj nuk besoj që ia vlen të zgjatemi, sepse kush e pi, mirë t’i bëhet.
Nuk ka taksë tjetër.
Zotëria thotë se paguan për garazhin. Unë po ju them, taksa e pronës është taksë qysh nga viti kur Shqipëria vuri taksat. Nuk është taksë e re. Ka qenë aty dhe është në çdo buxhet të çdo viti që miraton çdo Këshill Bashkiak i Republikës së Shqipërisë. Është taksë që i shkon bashkive. Kontrolli i qeverisë mbi këtë taksë është vetëm për të mos lejuar që të ketë ngritje të pakontrolluara, që mund të rëndojnë njerëzit.
Kur thotë zotëria, çfarë është kjo që më ka ardhur rrufe nga qielli, se unë nuk kam paguar ndonjëherë, do të thotë njësoj si ata që e përjetuan si rrufe nga qielli pagimin e energjisë. Fatura e energjisë është një faturë që nga dita kur është bërë elektrifikimi i vendit, por një pjesë e madhe nuk e kishin paguar dhe ajo u duket si gjë e re. Edhe ajo nuk është gjë e re, është shumë e vjetër. Edhe taksa e pronës nuk është gjë e re, është aty, por është taksa më e pambledhur në Republikën e Shqipërisë.
Të gjitha bashkitë e botës së zhvilluar, të ardhurën kryesore e kanë nga taksa e pronës. Zotëria thotë, e kam ndërtuar vetë garazhin e ç’punë keni ju me të. Taksa e pronës është kontribut. Çdo metër katror të ndërtuar që posedon, qoftë garazh, biznes, apo apartament, hyn në sipërfaqen që ti përdor në territorin e republikës ku jeton dhe taksohet. Pra, nuk është taksë e re.
A është rritur taksa e pronës, siç pretendohet? Nuk është rritur taksa e pronës, ka ndryshuar vetëm mënyra se si kalkulohet, pra është vënë mbi bazën e vlerës e jo thjesht mbi bazën një metër katror është kaq dhe të gjithë njësoj. Është vënë mbi bazën e vlerës, pasi tjetër vlerë ka garazhi në Lushnje e tjetër vlerë ka garazhi tek sheshi Skënderbe e tjetër vlerë ka garazhi në fshat.
Ne jo që nuk kemi rritur taksën e pronës, por ne e kemi bërë zero taksën e pronës për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike dhe për të gjithë pensionistët kryefamiljarë, për të gjithë ata që janë invalidë dhe janë të vetmuar, që nuk janë pjesë e një familjeje.
Por çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur diçka që duhet parë në dy aspekte.
Ata që ankohen për taksa, janë ata që nuk paguajnë asnjë taksë. Dikush thotë “e mbyte këtë popull me taksa”, ndërkohë që ai vetë nuk paguan asnjë taksë, është në Australi dhe shkruan nga aty. Ose dikush tjetër është në kafene dhe thotë “e mbyte këtë popull me taksa”. Ai nuk shkon as në punë e as nuk ka paguar ndonjëherë taksë, se çfarë taksash ka për të paguar, i paguan babai i vet, por ai nuk do t’ia dijë fare se çfarë ka për të paguar babai i vet për taksa, ai do lekët që të shkojë në kafe.
Kjo është njëra anë; Çdo gjë që njerëzit po detyrohen ta paguajnë sot, energjinë, ujin, tarifa të tjera shërbimesh, që të tjerë i kanë paguar gjithmonë, i quajnë taksa të reja.
Fatura e energjisë nuk është taksë. Fatura e energjisë është pagesë për një mall.
Taksa nuk është pagesë për një mall. Taksa është kontribut.
Secili sipas kategorive kontribuon për vendin e përbashkët, që ka nevojë për shkolla, për rrugë, për spitale. E të gjitha këto bëhen me paratë që shteti mbledh nga kontributet.
Aspekti tjetër është se na ka ndodhur që bashkitë kanë rritur tarifat. Për shembull, nëse një biznes i vogël në Tiranë nuk e ndjen zerimin e taksës nga ana jonë është sepse ka një tarifë më të lartë sot për shërbimet bashkiake, e cila është analizuar dhe është vendosur për të bërë më shumë për Tiranën, gjë që po ndodh, por kjo nuk ka lidhje me rritje taksash kombëtare.
Këtu, nuk është “taksë, taksë, taksë”, këtu është “shtet, shtet, shtet”. Ky është ndryshimi.
Kush është mësuar me rrumpallë dhe tani po futet në kornizën e shtetit thotë ”më mbytën”. E para, nuk të kanë mbytur, se derisa flet dhe ankohesh, je në rregull. E dyta, nuk mund të jetë që disa paguajnë e disa nuk paguajnë. Kjo është që të gjithë paguajnë atë që u takon. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet sot.
Ne nuk kemi rritur taksa, ne kemi ulur taksa. Kush është mësues/e, kush është infermiere, kush është mjek, kush është punonjës në sektorin privat, ose punonjës shteti me pagën deri në 600 mijë lekë ka sot më pak taksa. Mësuesja, infermierja paguante 10%, paguante më shumë taksë nga rroga sesa paguante kryeministri. Sot është e kundërta. Sot, unë, ministrat, deputetët, paguajmë taksat më të larta. Ndërkohë që deri dje ishim më rehat me taksa, sesa njerëzit që merrnin më pak.
Ndërkohë nuk ka asnjë taksim mbi rrogën deri në 300 mijë lekë. E përsëris, dritat nuk janë taksa. Nëse një shtëpi ka për të paguar dritat, do i paguajë se nuk ka shans të mos i paguajë. Por ajo nuk është taksa. Uji do paguhet, por nuk është taksë. Merr mallin dhe e paguan.
Këto janë të vërtetat e thjeshta, që janë komplet të ndryshme nga perceptimi “taksa, taksa, taksa”, perceptim që është krijuar për shkak se njerëzit nuk ishin mësuar të paguanin.
Taksa të reja nuk ka. TVSH-ja është shumë e vjetër. Tek TVSH-ja nuk ka asnjë rritje të ngarkesës. Nuk do nxjerri biznesi i vogël që futet në TVSH, rreth 10 000 biznese, asnjë lek më shumë për tatimin. Thjesht do mbajë llogaritë, sepse duam të kapim të madhin që fshihet pas tij, ose duam që kush është i madh të mos bëjë si i vogël.
Bashkë me ministrin kemi pasur një takim dy orë, pa kamera, me rreth 30 biznese të vogla në Tiranë. Të gjithë gënjejnë. E pranojnë vetë. Këtu nuk ka biznese të vogla e nuk çohet njeri ta thotë, sepse është me kamera. Ne kemi analizuar edhe arsyet pse gënjejnë, por në radhë të parë duhet kuptuar që kush thotë kam xhiro 40 milionë të vjetra, nuk e ka 40 milionë, e ka shumë më tepër. Kush thotë e kam 70 milionë, nuk e ka aq, e ka shumë më tepër. Bizneset e vogla që thonë kam xhiron 70-75 milionë, janë mbi 100 milionë. Gënjejnë për shkak se nuk duan të kalojnë pragun e duke kaluar pragun bëhen të mëdhenj e paguajnë një taksë më të lartë, pra, për të mbajtur taksën e ulur. Gënjejnë edhe për shkak se janë në një marrëdhënie mëkati me biznesin e madh, se i madhi i jep pa faturë dhe duke ia dhënë pa faturë, grabitet publiku, grabitet dhe shteti. Sepse biznesi i madh e shmang atje ku ne e kemi synimin kryesor, kontributin e vet. I vogli thotë ma jep pa faturë. Edhe në rastin kur biznesi i madhi do ta japi me faturë, i vogli ka tendencën të thotë, ma jep pa faturë, se pa faturë, unë rri fshehur. Po i faturova të gjitha, dal sipër e po dola sipër, nuk jam më biznes i vogël, jam i madh.
Është e gjitha një lojë që ne do t’i japim fund, së pari, duke vendosur TVSH-në për të gjithë. Kush është deri në 2 milionë xhiro nuk ka as taksë, as TVSH, nuk ka asgjë. Bëhet fjalë për mikrobiznese. Ata që janë mbi 2 milionë, të gjithë me TVSH. Kjo do bëjë që loja të mbarojë, sepse biznesi i madh nuk ka lidhje me ata deri në 2 milionë. Ata janë njerëz që kanë mikrobiznese mbijetese.
Nga ana tjetër, ne po punojmë për një skemë që t’jua heqim të vegjëlve të sotëm, që nuk janë të vegjël në fakt, stresin e kapërcimit të pragut. Nëse rrinë të gjithë poshtë tavanit 8 milionë dhe gënjejnë, ne do t’ua ngremë tavanin, do t’i bëjmë që të rrinë drejt. Deri ku do jetë, këtë po e analizojmë, por do t’ua ngremë tavanin. Nuk do t’i konsiderojmë biznese të mëdha në momentin kur kalojnë 8 milionë, që mos kenë asnjë nevojë që të gënjejnë e që të mos kenë problem që ta deklarojnë siç e kanë xhiron. Po e bëjmë analizën e do të shkojmë në një tavan ku shumica dërmuese nuk do kenë më problem të thonë të vërtetën, sepse nuk do e kalojnë pragun për të ngrënë taksën 15% e për të shkuar nga 5% në 15%. Do mbeten tek 5%, por do kenë tavan më të lartë. Kjo besoj që na zgjidh përfundimisht një problem 20 e kusur vjeçar gënjeshtrash, gënjen ky, gënjen ai e pastaj të gjithë dalin në televizor si viktima të politikës së egër, arrogante të qeverisë që vë vetëm taksa. Nuk është kështu.
Politika jonë është shtetbërëse. Natyrisht që kur janë mësuar pa shtet, çdo shfaqje e shtetit duket si arrogancë. Kur je mësuar që të pish alkool e të bësh xhiro me makinë në Bllok me altoparlant me muzikë, natyrisht të duket shumë arrogant një polic, i cili të thotë “ndalo”. Natyrisht që semafori të duket një fyerje e madhe e dinjitetit tënd si kalorës që kërkon Dylqinjën nëpër Bllok dhe të duket një bllokim i madh i lirisë tënde për dashuri. Natyrisht që kur je mësuar të mos kesh limit, as në shpejtësi e për shkak të shkeljes së limitit merr gjobë, të duket taksë. Po gjobat nuk janë taksa. Gjobat i zgjedh vetë. Nëse nuk do t’i paguash, ec normal.
Besoj shumë që shumë shpejt do ta kemi gati masën që po them dhe shumë shpejt do t’i japim të gjithë biznesit të vogël, që është në tmerrin që mund të shfaqet si i madh po qe se kalon tavanin, që të jetë krejtësisht i relaksuar e pastaj të mos bëjnë asgjë tjetër vetëm të deklarojnë çdo faturë dhe në atë moment nuk kanë më asnjë interes të bëjnë lojë me të mëdhenjtë, nuk kanë më asnjë interes të gënjejnë. Thjesht e vetëm do jenë ata aleatët tanë, për të kapur të mëdhenjtë e për të mos lejuar që të mëdhenjtë të përdorin të vegjlit që t’i shmangen detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Nuk do kenë më stres, sado të faturojnë, do mbeten biznes i vogël si kategori e do paguajnë të njëjtën taksë.
Qytetar: Mirë për biznesin dhe taksën ndaj pronës, se pa taksa nuk ka shtet, jam dakord, por me ato taksat që kanë vënë më përpara ata para teje, shit naftë e prish fabrika. Ku do vejë ky shtet që ta la skëterrë? Nga ikën kjo naftë?
Kryeministri Rama: Përsa i përket shqetësimit tënd lidhur me të shkuarën, ai është një shqetësim që nuk lidhet me taksat. Lidhet me drejtësinë dhe lidhet me reformën në drejtësi, me vetting-un dhe me pastrimin e sistemit të drejtësisë. Sepse edhe këtu dëgjoj shumë njerëz që thonë, kjo është një poshtërsi, është një pabesi, ç’do të thotë që këta që janë pasuruar duke bërë zullume në prokurori dhe gjykata thjesht ikin nga puna? Jo, nuk është kështu. Vetting-u është për t’i larguar nga puna dhe duke i larguar ata nga puna, sistemi i drejtësisë të pastrohet dhe të jetë një sistem drejtësie me prokurorë dhe gjykatës që nuk janë të korruptuar dhe pastaj sistemi i pastruar i drejtësisë, të merret me ta e t’u thotë ku i gjetët këto lekët? Deri tani, pyetja është ku i gjete lekët. Nëse ti nuk je i besueshëm, ikën, por je që në atë moment i dyshuar i drejtësisë. Sot për sot nuk ndodh që t’i thërrasë njeri. Në momentin kur sistemi do pastrohet, do thërrasë edhe ata, do thërrasë edhe të gjithë ata politikanë, zyrtarë të lartë që kanë hesape për të dhënë, siç përmende ti shqetësimin, edhe gjithë të tjerët. Pra, është proces. Sigurisht që pas 28 vitesh që njerëzit janë thinjur e kanë të vështirë që të durojnë akoma e të thonë, po kur? Dhe thonë pastaj pse nuk i fut ti këta në burg. Kë të fus në burg? Ku jemi këtu? Jemi në një sistem që nuk të fut në burg as parlamenti, as qeveria, as kryeministri. Të fut në burg drejtësia. Ne jemi për të bërë ligje, që përcaktojnë se deri ku shkohet e përtej atyre kufijve të ligjeve, ti pastaj ke punë me drejtësinë. Kjo është pak a shumë përgjigja.
Qytetar: Në lidhje me dy gjëra që keni bërë me OSHEE-në. Në radhë të parë, edhe këngëtarët paguhen me OSHEE-në dhe e dyta, vende pune ka, por specialiste mungojnë. Një nga ata jam edhe unë. Specialist, elektricist dhe me arsim profesional. Edhe tek portali kam parë, 15 vende që nga shkurti i 2017-s në Lushnje, por iku edhe 2018 dhe hiç asgjë dhe me të drejtë thua ti që s’ka. Tani, se si do vejë kjo punë, të paktën unë jam edhe hallexhi se kam edhe nevojë. Nuk e kam çuar fëmijën për master se nuk kam lekë. Zyrat e punës janë, qoftë ministri Gjiknuri, qoftë Ardian Çela, pse nuk i sjell tek zyrat e punës që të pasqyrohet kjo gjë e ti jepet fund. Ikën edhe 8 muaj. Se mirë ky vit, iku u dogj çuni. Por do vijë shtatori përsëri. Tani të them edhe përgjigjen që më dha titullarja e OSHEE. “Ne marrim çuna të rinj” – më tha, a thua se ishte trajner futbolli dhe herën e dytë, “unë s’të marr në punë tha, merru në Tiranë”. Tani këto gjëra kontradiktore nuk i kuptoj. Kjo i bie që duan lekë, por unë lekë skam.
Kryeministri Rama: Mendoj që mos i bjer kaq shkurt se nuk është kaq shkurt, se është gjëja më e kollajshme për të thënë marrin lekë. Kur vjen puna që të thuash kush, jo unë nuk e di, po kështu thuhet. Për sa kohë në këtë vend nuk do përmbyset koncepti që punë është vetëm kur ta jep shteti, shumë njerëz do vazhdojnë të jenë pa punë.
Isha në atë panairin e punës sot në Fier, përpara se të vija këtu dhe po diskutoja me ata të zyrës së punës. Problemi më i madh tani i zyrave të punës – që janë totalisht të angazhuara e që kanë objektivin të fusin në punë 25000 njerëz brenda këtij viti e do realizohet ky objektiv, 1369 veta janë futur në punë nga zyrat e punës vetëm në muajin mars, në prill, ka objektiv me numra dhe ne e ndjekim atë përditë në ekran në Kryeministri dhe do ta realizojmë objektivin, – pra problemi janë refuzimet. Refuzojnë punën dhe ne i kemi me shkrim, sepse zyrat e punës kanë detyrë që në rast se të ofrojnë punë, ti nuk pranon, bëjnë atë dëshminë e shkruar sepse në rast se ty shteti të ofron punë e ti nuk pranon, ti nuk ke më shans ndonjëherë të pretendosh ndihmë ekonomike dhe nëse do punë ti, personalisht, 24 orë më duhet mua të ta gjej punën, por ama jo në shtet. Po e deshe në privat, për 24 orë unë të garantoj punën. Ja ku më ke, për 24 orë, unë ty të gjej punën. Nuk ka asnjë problem dhe ta gjej jo me ndonjë mik por ta gjej kollaj fare, me sistemin se zyrave të punës. Por historia që janë 15 vende në OSHEE dhe janë 1000 veta që i duan ato 15 vende dhe ndërkohë rrinë duarkryq edhe nuk shkojnë të punojnë në privat, nuk funksionon.
Shqipëria ka një problem shumë të madh me profesionet, me zanatet. Raporti i Dhomës Gjermane të Tregtisë i para katër viteve, gjermanët e kanë shkruar, nuk kam shkruar unë, nuk e kemi shkruar ne, është pasqyra më kuptimplotë e tmerrit që ka ndodhur në këtë vend prej 20 e kusur vite, kur të gjithëve ju hap rruga për të shkuar për të marrë diploma tek Kristali dhe u mbyll komplet rruga e arsimit profesional. Po të shohësh listën e mungesave që ka tregu i punës në Shqipëri në atë raport, është katastrofë. Si mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme e si mund të këtë paga më të larta vendi kur i mungojnë një zinxhir i tërë zanatçinjsh. Si mundet? Tek stadiumi Arena Kombëtare në Tiranë që është një punë inxhinierike shumë e sofistikuar, duhen saldatorë. E dini ju që janë saldatorë turq? Ja po jua them unë. Janë marrë nga Turqia saldatorët se ose në Shqipëri nuk gjenden, ose ata që gjenden thonë, është punë e lodhshme shumë. E kam provuar personalisht në dy raste. Mua personalisht më kanë ardhur ankesa, jam saldator dhe i kam drejtuar tek zyra e punës për t’i çuar atje. Atje jo, shumë punë e lodhshme, – thoshte njëri, – nuk hipi dot lart se më merren mendtë. Pra, ky është një problem serioz. Një tjetër thoshte, nuk kemi bukë. I propozuan 4 oferta pune. Këtë nuk e pranonte, atë nuk e pranonte, pastaj tha nuk e dua për veten, e dua për djalin. Të paktën të punojë djali. I thanë, sa klasë ka djali? 8 klasë. I ofrojnë në ngarkim shkarkim dhe tha, çfarë e kam djalin unë. Ai ka bërë edhe 8 klasë shkollë. Për hamall i ka bërë?”
Këto duken për të qeshur por nuk janë kështu. Këto janë shprehje e një realiteti që ne kemi filluar ta ndryshojmë, sepse kishim vetëm 3000 nxënës në arsim profesional që ishin komplet të vdekur, të pakallur, që nuk bënin asnjë lloj arsimi profesional, se shkollat profesionale ishin zero. Sot kemi 19000 plus 6000 në formim profesional. Kemi vënë edhe fondin për këdo që nuk di të bëjë asgjë, por s’ka gjë, do të trajnohet për të bërë një punë bazike. Merr edhe 55 mijë lekë që është më e lartë se sa mesatarja e ndihmës ekonomike në muaj, që të mësosh ti ato 5 gjëra që duhet ti dish për t’u futur në një punë bazike dhe realiteti është ky që po ju them. Nëse do punë në shtet, patjetër që është punë e komplikuar. Por, nëse do punë dhe pranon të shkosh në privat, punë ka. Kjo nuk diskutohet për këdo që bën punë dhe nuk i bën naze. Mund të kesh mbaruar shkollën e lartë, por në sektorin privat do fillosh nga poshtë. Nuk ke se si pretendon të shkosh të punosh drejtor. Kudo në botë është e njëjta gjë. Po të shikoni Italinë sot e po të shikoni debatin sot në Itali, debati sot në Itali dhe gjithë ecuria dhe rezultati i fushatës elektorale në Itali lidhet me problematiken e vendeve me pagë të ulët për njerëzit me shkollë të lartë, që mbarojnë universitete dhe shkojnë e marrin rrogë 400-500 euro si stazhierë. Sidomos në zonën e jugut. Shqipëria natyrisht nuk ka rroga të larta, në raport me botën, por po të shikojmë rajonin, ku ishim para 4 vitesh, ishim të fundit për rrogën më të ulët, të fundit për rrogën e mesme dhe të fundit për rrogën e lartë. Këtu në rajon, në Ballkan. Sot nuk është kështu. Sot jemi tek mesatarja. Bëhen investime në Serbi, i njëjti problem. Fiks i njëjti problem. Nga njëra anë, vështirë për të gjetur njerëz të gatshëm për të punuar me ato rroga, nga ana tjetër njerëz që thonë, “jo nuk punoj unë atje”. Në Maqedoni, i njëjti problem. Ky është realiteti.
Qytetar: Ne fermerët e Fier-Sheganit dhe të gjithë Lushnjës, të gjithë mallin po e hedhim në kanal sepse nuk e merr njeri. Unë dëgjova edhe ministrin që tha janë hedhur 20 milionë për rimbursim të fermerëve. Nëse e kanë marrë këta të LSI se ne në Fier-Shegan nuk kemi marrë kokërr leku. Nuk më kanë zënë sytë si kjo qeverisja që bëri LSI-ja ato katër vjet. Se kam 20 dynym frutikulturë, kam aplikuar e nuk kam marrë asgjë. Dhe mos kujto se administratën e ke të kulluar.
Kryeministri Rama: Unë kam ardhur këtu e më ra goja pikërisht për këtë. Që të kullojë administrata duhet që askush të mos pranojë ti nënshtrohet parazitëve dhe grabitqarëve por të shkojë aty tek platforma dhe ta shikojë, e kullojmë apo nuk e kullojë. Por ne nuk mund ta kullojmë nga Tirana ndërkohë që këtu të tjerët pranojnë, “hajde se po japim lek, hajde se po fusim këtë”. Jo, bëjeni ju këtë dhe shikoje se sa shpejt kullohet administrata.
Qytetar: Ministrin e Bujqësisë e kemi këtu. Për ta menaxhuar pak më mirë bujqësinë, çfarë mund të mbjelli zona jonë? Dhe e fundit, na e hapni atë gjuetinë se jemi bllokuar nga gjunjët.
Kryeministri Rama: Tani, unë nuk do ta jap përgjigjen vetë, megjithëse e di përgjigjen por s’do ta jap vetë se del profesor Panariti dhe më kritikon sikur nuk marr vesh. Do ta jap përgjigjen nëpërmjet zëvendës ministrit që nuk mund ti thotë njeri që nuk e di këtë unë se ka qenë vetë prodhues dhe vjen nga prodhimi. Që ta kuptoni njëherë e mirë që historia e hedhjes së produkteve në lum, nuk është një histori që e zgjidh shteti, por e zgjidh truri. Dhe patjetër që nëse mbillet për lumë, në lum do shkojë. Sepse mbillet duke pasur parasysh tregun. Nuk mbillet hajde të mbjellim, se nuk funksionon dot.
Edhe një gjë të fundit për ta mbyllur, që ka të bëjë me masën që ne kemi marrë dhe e kemi vendosur dje në qeveri, është vendim tani, për bashkimet. Pra, kush bashkohet s’ka TVSH. Zero. Kush kalon atë 5 milionëshin, i fillon historia, e dini ju edhe pastaj i kemi familjet fermerë me, babai ka NIPT më vete, mamaja ka NIPT më vete, dy djemtë me NIPT më vete, edhe gjyshes i japin një NIPT, edhe i deklarojnë ato të ndara që të rrinë poshtë 50 milionëshit dhe të thonë “ne s’kemi detyrime ndaj askujt, ne jemi prodhues të vegjël”, ndërkohë që nuk janë kaq të vegjël.
Ne themi, nuk ka nevojë fare të gënjeni shtetin dhe njëri-tjetrin, mjafton të bashkoheni. Këtu nuk bëhet fjalë të bashkoheni siç ishin bashkimet përpara. Këtu bëhet fjalë vetëm të bashkoni mendjen dhe të organizoni punën, që do të thotë, në vend se të ndarë, njeri mbjell patate, tjetri mbjell domate, tjetri mbjell luleshtrydhe, tjetri mbjell arra dhe të gjithë janë me kufizim, sepse ato janë sipërfaqet, të bashkoheni dhe të thoni, në këtë sipërfaqe, secili te e vetja do mbjellim këtë gjë. Në atë moment kemi një volum prodhimi të madh me të cilin shesim bashkë. Pra nuk vjen një grosist nga Tirana, ose nga Shkupi, ose nga Prishtina edhe të thotë, “sa e ke ti?” “Kaq”. “E mirë se shkoj e marr te komshiu më pak, ti hidhe në lumë po deshe. Nuk bëhet gara midis prodhuesve kush e shet më shpejt dhe më lirë që ta heqë qafe prodhimin, por negociohet mbi baza force: kemi kaq prodhim dhe kemi këtë çmim dhe të gjithë marrin pjesën e tyre.
Nuk është bashkim që të fut në një histori sherri si puna e atij me kushërinjtë. Është thjesht bashkim i mendjes, organizim i përbashkët dhe secili merr pjesën që i takon. Kaq tokë ke. Kaq prodhon. Kaq kushton. Ti merr tënden, vazhdon punën.
E për të gjithë këtë zero TVSH-ja. Kjo është masa që kemi marrë.
Shumë faleminderit!