Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në vijim të dialogut të nisur me biznesin e vogël, për të shpjeguar deri në fund se përfshirja në TVSH e çdo biznesi mbi 2 milionë lekë xhiro në vit nuk sjell asnjë efekt negativ mbi biznesin e vogël, po mbyll kanalet e evazionit të biznesit të madh, Kryeministri Edi Rama u takua sot me përfaqësues të biznesit të vogël. Në takim u diskutua edhe rritjen e pragut të xhiros mbi 10 milionë lekë  në vit, me qëllim mosrritjen e taksës aktuale të fitimit për të gjitha bizneset e vogla. Ishte pikërisht kalimi i pragut aktual prej 8 milionë, edhe shqetësimi më i shprehur nga biznesi i vogël në takim. Po ashtu u ngritën problematika që lidhen me administratën tatimore.

 

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Unë dua të hapim një diskutim edhe nisur nga fakti se gjatë kësaj periudhe kam bërë disa takime me grupe të vogla të përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe disa prej atyre që kam takuar, janë edhe këtu në këtë tryezë. Nuk e di sa të gatshëm do të ishit që gjërat që më keni thënë në sy t’i thoni edhe në sy të gjithë opinionit publik, se këtu jemi me media, ndërsa takimet i kemi bërë pa media. Por ajo çka unë kam nxjerrë si përfundim thelbësor nga këto takime është se problemi juaj nuk është TVSH-ja, problemi juaj është tavani 8 milionë, sepse duke kapërcyer tavanin 8 milionë, ju ktheheni në subjekt që është i detyruar të paguajë një taksë nga 5% në 15%. Kjo bën që shumë prej jush e thonë vetë që gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan, ndërkohë që xhiron e kanë më të lartë sesa 8 milionë, jetojnë në stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme.

Këtë çështje mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë siç duhet, në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos jetë i detyruar të gënjejë. Tavani të rritet mbi 100 milionë dhe me rritjen e tavanit mbi 100 milionë, ju nga gënjeshtarë të ktheheni në aleatë të shtetit për të realizuar qëllimin e të gjithë kësaj lëvizjeje. Sepse qëllimi i të gjithë kësaj lëvizjeje nuk është për të marrë më shumë lekë nga ju për buxhetin e shtetit. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është për të mos lejuar që të mëdhenjtë t’i shmangen detyrimeve ndaj shtetit, se në fund të ditës e dimë shumë mirë se çfarë bëjnë të mëdhenjtë me ju dhe çfarë bëni ju me të mëdhenjtë, duke u bërë bashkëpunëtorë për t’ia hedhur shtetit. Ata jua japin pa faturë dhe ju pranoni,  se thoni po e morëm me faturë, do kaloj 8 milionëshin e po kalova 8 milionëshin u mora në qafë se  duhet të paguaj në taksë sikur jam i biznes i madh. E kësaj historie të shëmtuar, ne duhet t’i japim një fund logjik, edhe një fund ligjor.

Gjatë të gjithë takimeve këtë kam nxjerrë si konkluzion themelor, që biznesi i vogël nuk e ka problemin te TVSH-ja, e ka problemin te tavani. Nëse çlirohet nga ankthi i kapërcimi të tavanit dhe dalja në fushën ku detyrohet të paguajë 15% në vend që të paguajë 5%, e ka shumë më të lehtë që të përballojë të gjithë këtë pjesë. Kështu që, duke hapur këtë diskutim dhe duke shpresuar që ju të jeni po aq të sinqertë saç keni qenë, të paktën kur kemi folur bashkë, unë dua t’ju siguroj se ne jemi shumë më të interesuar që sëbashku me ju të arrijmë në një përfundim sa më të arsyeshëm dhe sa më shumë logjik se deri ku duhet të shkojë mbi 100 milionë, që të garantojmë që të gjithë ju dhe e gjithë kategoria juaj të funksionojë duke marrë frymë lirisht dhe të mos humbasim më kohë e të mos jetë më në stres për si të gënjejë dhe pastaj të rrijë duke u dridhur kur vijnë inspektorët, por ta shtypë kasën sa herë bën një transaksion pa pikën e shqetësimit. Sepse në fund fare do të jetë përsëri brenda një pragu të arsyeshëm, që nuk do jetë i detyruar të paguajë më shumë se 5% taksë, se kjo është në fund të fundit, e gjithë logjika e kësaj bote gënjeshtrash ku jetojmë prej kaq shumë kohësh, për ta thënë copë.

Dëgjoj që janë rritur taksat. Më thoni një taksë që është rritur. Më thoni çfarë takse u rrit për biznesin e vogël. E vërteta është që taksat për biznesin e vogël janë ulur, nuk janë rritur. Unë këtu flas si Kryeministër, flas për taksat kombëtare. Tarifat e bashkive janë një temë tjetër. Nëse ju dëshironi të bëni takim me kryetarët e bashkive e të më ftoni edhe mua, unë jam i gatshëm të vij dhe t’ju them se çfarë mendoj për këtë punën e tarifave. Por, ama, qeveria që unë drejtoj ka ulur taksa, nuk ka rritur taksa. Taksa e biznesit të vogël u bë zero. U hoq tatimi i dyfishtë i tmerrshëm që ishte. U bë zero deri në 5 milionë xhiro dhe u bë 5% nga 5 deri në 8 milionë. Kjo është 100% ulje dhe 50% ulje e nuk flasim për ulje të vogla.

Për karburantin është e vërtetë, ne kemi vendosur te karburanti një taksë, për të mos vendosur taksa të tjera. Kur ne kemi marrë qeverinë në 2013-ën ishim në buzë të greminës dhe rrezikonim që të mos paguanim dot rrogat e pensionet në fund të nëntorit dhe në dhjetor. E kam thënë disa herë këtë. FMN-ja na tha ulni rrogat e pensionet se nuk keni lekë dhe rrisni taksat.

Ne kemi rritur taksën e karburantit për një arsye shumë të thjeshtë. Më thoni sa e paguanit karburantin si biznes i vogël në vitin 2005, në vitin 2006, në vitin 2008, 2009 dhe 2010. E paguanit më shumë seç e paguani sot. Sot ka brenda edhe taksën. Është e lehtë të thuash që është më shtrenjtë sesa në vendet e tjera dhe e vërtetë, është më shtrenjtë, por është më shtrenjtë, sepse është brenda një taksë për ata që konsumojnë karburant, që shlyen një domosdoshmëri që ka buxheti për të mos rritur taksa tek të tjerët. Sot që flasim, krahasuar me sa paguhej karburanti kur çmimi ishte më i lartë, janë rreth 100 milionë dollarë çdo vit që në vend se të paguheshin për karburant, rrinë në xhepat e njerëzve.

Kështu që, gjërat t’i diskutojmë duke parë edhe kontekstin e përgjithshëm. Me logjikën “hiqni taksat” do ishte lumturi e madhe ta bënim pa taksa botën, por botën pa taksa e pamë 50 vjet. Ajo është bota pa taksa. Kjo është bota e taksave. Këtu çështja është si të bëjmë më të mirën e mundshme që edhe ju, edhe shteti të dalin të fituar. Nuk mund të humbasë njëri dhe të fitojë tjetri.

Administrata tatimore sot ka shumë probleme, por nuk krahasohet me administratën tatimore që kishit deri para 5 vjetësh. Nuk krahasohet fare-fare. Vërtet ka tensione, ka probleme, ka kontrolle, vërtetë ka dhe parazitë, ka edhe grabitqarë, por ata janë kollaj nëse ju doni t’i luftoni. Sot ju keni një mundësi, pa u lodhur fare. Të gjithë keni kompjuter. Tre minuta në platformën www.shqiperiaqeduam.al dhe denoncojini.

Kemi pasur shumë pak denoncime për inspektorët. Nuk ka asnjë denoncim ku të ketë fituar inspektori. Për çdo denoncim, inspektorët, ose janë arrestuar, ose janë larguar, qoftë edhe pse nuk dinë të thonë mirëmëngjes. Por ju duhet t’i denonconi. Jo t’i bini rrugës më të shkurtër “të të hap një kafe”. Ata ta mësojnë që kur vijnë tek një biznes nuk shkojnë në shtëpinë e babait, por shkojnë diku ku punohet, ku krijohet punë dhe ku krijohen të ardhura edhe për shtetin dhe duhet të jenë në maksimumin e respektit. Por këtë respekt nuk mund ta imponoj as unë, as ministri nga zyra. Ne bëjmë maksimumin duke i trajnuar, duke i porositur, por që ata ta kuptojnë tamam, duhet që ta dinë që çdo biznes është jeta e njerëzve që e kanë ndërtuar. E jetën e njerëzve që e kanë ndërtuar biznesin, ata nuk mund ta prekin arbitrarisht. Ju duhet ta mbroni. Nuk keni nevojë as të prisni të takoheni me Kryeministrin, as të prisni të dini në televizor, ju thjesht provojeni. Edhe shoqata mund të bëjë një punë të mirë, duke i mbledhur shqetësimet e denoncimet dhe le ta bëjë shoqata këtë punë. Shikoni pastaj, është kështu si them unë, apo jo. Por vëreni në provë. Futuni në platformë, shkruani denoncimin dhe shikoni për 10 ditë, e merrni, apo nuk e merrni përgjigjen e çështjes.

Përsa i përket asaj që këtu është bërë hataja, janë mbyllur biznese dhe ka rënë konsumi, këtu jemi në botën e fantazive, sepse sot, ne kemi shumë më tepër biznese të vogla, seç kishim përpara 4 vitesh e gjysmë. Janë mbyllur biznese, por biznese mbyllen, biznese hapen. Kjo është kudo në botë. Në fund të ditës, llogaria është shumë e thjeshtë; Sot kemi më shumë biznese. Sot kemi më shumë konsum, nuk është e vërtetë që ka rënë fuqia blerëse. Konsumi është qysh prej disa viteve në trend rritës të vazhdueshëm, me shifra.

Vetëm në janar-mars, 5663 biznese të reja të hapura. Shifrat zyrtare. Vitin e shkuar, 14 mijë të reja. Shifra totale është më e lartë. Ky është fakt!

Ju vazhdojeni protestën, por dy gjëra dua të them; Protesta është e dështuar, sepse e vërteta është që shumica dërrmuese e bizneseve të vogla e dinë shumë mirë se për çfarë flitet. Kështu që nuk i ha njeri këto historitë e qepenave dhe të goditjeve nga larg me çizme. Se ku rreh pulsi i kësaj historie e di shumë mirë çdonjëri, se ju bëni llogari, ju jetoni me llogari, nuk jetoni me propagandë. Të mbyllësh qepena në tregjet bashkiake që s’kanë lidhje fare me TVSH-në është kollaj. Shkon atje, i gënjen dhe i mbyll qepenat. Por ata nuk kanë lidhje, ata nuk janë fare në skemën e TVSH-së. Por protesta duhet të vazhdojë, s’ka problem. Puna juaj, nuk është puna jonë. Ne s’kemi asnjë problem se çfarë votoni ju, se me kë jeni ju, se çfarë thoni ju në televizor, se nuk është ky problemi ynë.

Kështu që unë e di shumë mirë që kjo qeveri nuk ka rritur taksa. Çmimet nuk janë taksa. Çmimi i energjisë nuk është taksë. Sa i përket taksave, kemi rritur taksën për biznesin e madh dhe taksën tek karburanti dhe janë të dyja të arsyetuara nga fillimi deri në fund. Po më treguat taksën e tretë që kemi rritur, atëherë do t’ju them po, qenka edhe kjo.

Taksën e pronës nuk e kemi rritur. E kemi kthyer në bazë të vlerës. Nuk është më me metra katror, por është në bazë të vlerës. Por nuk është rritur.

Këtu ka ndodhur diçka tjetër. Ne ul, bashkitë ngri dhe kur vjen puna tek llogaria juaj, ju thoni unë po paguaj, ç’rëndësi ka se kush ma bën. Por kjo është temë tjetër. Dakord jam se te pjesa e tarifave vendore kanë ndodhur rritje. Por dhe bashkitë kanë arsyet e tyre që rrisin, që të jemi realistë. Nuk është se janë gjëra që nuk kanë arsye. Megjithatë, përsa i përket kësaj qeverie, kjo qeveri nuk ka rritur asnjë taksë tjetër dhe mbi të gjitha, ju e dini më mirë se unë, që tek të punësuarit tuaj, tek pagat, taksat janë ulur.

E theksoj sërish, nëse ju keni një herë problem me inspektorët dhe me mënyrën sesi sillen, unë personalisht kam 10 herë. Nëse ju jeni një herë të fyer, unë jam 10 herë i shqetësuar, sepse është fytyra e shtetit, por ilaçin e keni në dorë. Doni t’i vini në rresht, që të vijnë atje e të kujdesen për çdo fjalë që thonë e të merren me punën e jo me kush jam unë e kush je ti, e keni shumë kollaj; platforma shqiepriaqeduam.al është si ajo spruco që i ngordh të gjithë mushkonjat, por duhet ta përdorësh. Po nuk e përdore, nuk funksionon. Tradita është e tillë, kultura është e tillë, edukata është e tillë, kaq shumë vite janë mësuar ashtu, kanë ndryshuar shumë dhe këtë e thoni edhe ju, por janë akoma larg asaj që duhet të jenë.

Edhe përsa i përket kontrolleve, e vërteta është që mund të ketë raste abuzimi, por në tërësi nuk është kështu. Kontrollet janë të sistemuara nga Drejtoria e Përgjithshme, nuk është se ata mund të bëjnë kontrolle sa herë të duan. Po ashtu sa i përket faktit që ka disa agjenci që vijnë e hyjnë, ne kemi filluar ta bëjmë këtë reformë e do ta çojmë deri në fund, duke i bashkuar kontrollet, që të mos vijë njëherë njëri e njëherë tjetri. Këtë jemi duke ndërtuar. Për shembull, inspektorët e mjedisit nuk kanë ardhur më që t’ju thonë qoftet e tua nxjerrin më shumë tym seç duhet dhe ndotet Ballkani. Ky është proces.

Për t’u kthyer tek TVSH-ja, gjithë llogaritë që bëjmë ne, tregojnë që nuk ka xhiro 2 milionë. Edhe ata që thonë jemi 5 milionë, nuk janë 5. Është e gjitha një botë gënjeshtrash, që lidhet me atë që, nëse shkon më lart, ajo që paguan si taksë është më e madhe sesa fitimi që ti ke, duke ndenjur më poshtë. Pra, është një lloj situate ngërçi që lidhet më këto fasha. Kështu që ne po e studiojmë dhe kemi vendosur të shkojmë mbi 100 milionë. Sa do jenë mbi 100 milionë, do jetë 120, do jetë 130, apo 140, kjo është një gjë që po bëjmë kalkulimet e duhura, sepse nuk duhet të rregullojmë diçka e të prishim diçka tjetër. Por ajo që na bën ne aleatë strategjikë për formalizmin e ekonomisë me biznesin e vogël nuk është çfarë do marrim më shumë nga ju. Është të mos lëmë të mëdhenjtë që duke ju përdor juve, të na godasin ne si shtet. Kjo është ajo që e bën strategjike aleancën me biznesin e vogël dhe prandaj ne nuk kemi ndërmend që të rrisim më shumë forcat e të shtojmë energjitë për të kontrolluar biznesin e vogël. Ne duam ta çlirojmë biznesin e vogël nga këto gënjeshtra, se nga gënjeshtrat vijnë dhe kontrollet dhe të fokusohemi tek të mëdhenjtë. Sepse problemi i ekonomisë në kuptimin e informalitetit janë të mëdhenjtë, ata që ta japin pa faturë, ose bashkëpunimi me ju që u thoni ma jep pa faturë, se unë do kapërcej tavanin, pastaj dal i madh e nuk përballoj dot 15% taksë.

Edhe një herë e ritheksoj, në raport me qytetarët dhe me biznesin, ne vetëm kemi rritur taksën e biznesit të madh, por të askujt tjetër. Ajo që themi se 97% e kanë më pak sesa e kishin, është e vërtetueshme. Edhe nëse marrim taksën e karburantit që është një taksë e rritur, po të  shikojmë bilancin në raport me disa vite me parë, kur çmimi ishte më i lartë, prapë nga pikëpamja e shpenzimeve të brendshme të çdokujt që konsumon karburant është më pak dhe ne kemi shfrytëzuar uljen e çmimit ndërkombëtar, për të futur aty një detyrim që përndryshe do e fusnim diku tjetër, përndryshe nuk do ulnim dot taksën tuaj, përndryshe nuk do ulnim dot taksat e të tjerëve, por kemi ngarkuar ata që shpenzojnë për karburant dhe që janë dhe ndotës më të mëdhenj.

Po ashtu, sëbashku duhet të luftojmë që administrata të përmirësohet në vazhdim. Administrata përmirësohet në vazhdim, nëse nga njëra anë rrisim cilësinë e kapaciteteve njerëzore që kemi në administratë dhe nëse ju nga ana tjetër i vini kufi çdo lloj sjellje dhe çdo lloj veprimi abuziv të administratës. Për këtë të dytën, unë ju sfidoj të gjithëve që ta vini në provë fjalën time. Keni platformën e bashkëqeverisjes, mjaftojnë 3 minuta që ta çoni problemin dhe me problemin nuk merret administrata, merret personalisht ministri.

Ne kemi çdo javë mbledhje qeverie dhe në fund të mbledhjes së qeverisë dalin shifrat e ankesave dhe shifrat e zgjidhjeve dhe aty përgjigjet ministri personalisht. Kjo është mënyra për të pasur ministrin në krah për të zgjidhur çdo problem. Nuk ke nevojë as për miq, as për të kërkuar kushëri dhe shok për të gjetur mikun, as për të dhënë kafe pa zemër.

Së fundi, ne jemi të bindur për ta rritur tavanin, për ta kaluar mbi 100 milionë e do ta bëjmë shpejt, do ta bëjmë në maksimumi dy muajt që vijnë. Nuk kemi akoma të saktë që t’jua themi sot se sa, por mbi 100 milionë nuk diskutohet, në mënyrë që të mos gënjeheni më dhe të ktheheni në aleatë të interesuar vetë të qeverisë, që t’i thoni biznesit të madh “stop, çdo gjë me faturë”. E kam dëgjuar dhe në takimet e tjera që kam bërë, kur vjen kontrolli të duket sikur vjen gogoli se e di që ke gënjyer. Dhe pastaj filloni, korrupsioni, Departamenti i Shtetit e ku di unë se çfarë. Ndërkohë që këtu nuk ka lidhje fare as me korrupsion, as me Departamentin e Shtetit, përtej asaj që ata kanë ato kusuret e tyre, por ka të bëjë me faktin që ti e di dhe thua a po shkoj aty ku kapem apo jo. Ndërkohë që nëse bëhet kjo, zgjidhet dhe formalizimi që kërkojmë ne, që të shtypni kasën sa herë bëni një transaksion. Vjen vetvetishëm, nuk ka më nevojë të vijë me kontrolle e me histori, se flasim për lloj-lloj biznesesh. Edhe ata që kanë lokale, mashtrojnë klientë e mashtrojnë shtetin. Nëse shkon xhiroja aty ku është vija e arsyeshme nuk ka nevojë pse të mashtrojnë. Këtë gjë, ne do ta bëjmë në dy muajt që vijnë, përpara se të mbyllet qershori dhe të hapen negociatat. Kështu që kjo është gjëja që vlen për takimin e sotëm.

Ndërkohë unë jam i vetëdijshëm dhe për një problem tjetër, për koston e kasave, që është një histori më vete. Edhe për cilësinë e shërbimit, edhe për historitë e mirëmbajtjeve, edhe për faktin që paguan dhe në fund nuk dihet e more, apo nuk e more atë mirëmbajtjen që ke nevojë. Edhe për këtë jemi duke punuar me një sistem alternativ që nuk përjashton kasën, por që do ta bëjë shumë më të lehtë punën tuaj. Kush e do, e mban, kush nuk e do, nuk e mban kasën, por që është me një kosto shumë më të ulët, duke përfituar nga teknologjia, nëpërmjet “spiunit” që kemi në xhep të gjithë. Kjo është ajo që po mundohemi të vëmë në vijë e besoj që brenda këtij viti do ta finalizojmë dhe do ta lehtësojmë edhe këtë aspekt.

Në mbyllje, mos ma thoni më këtë historinë që futja në TVSH do rrisë çmimin e do rrisë koston, se ju llogaritë tuaja i keni fiks. Domethënë, kush është burrë këtu, kur shkon tek gruaja, qindarka nuk i shpëton, apo jo? Tek tatimet pastaj është histori tjetër.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.