Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me përfaqësues të dhomave të tregtisë të vendit dhe rajonale:
Përshëndetje të gjithëve!
Është kënaqësi e veçantë e natyrisht edhe një vlerësim i posaçëm që ne i kemi bërë këtij aktiviteti me këtë prani të pazakonshme të përfaqësuesve të qeverisë. Nuk është vetëm shprehje e kësaj kënaqësie, por njëkohësisht edhe e bindjes sonë se, rruga përmes së cilës duhet dhe do të kalojmë me patjetër për të realizuar objektivin ambicioz, të një rritje ekonomike që në harkun e dy viteve të ardhshme duhet të preki 5%, kalon pikërisht nëpërmjet rritjes së investimeve, fuqizimit të biznesit, për të cilat ne kemi, në këndvështrimin tim, një plan shumë të qartë.
Nuk diskutohet që për çdo ekonomi, por posaçërisht për ekonominë tonë, investimet e huaja direkte janë një domosdoshmëri jetike, dhe sot përbejnë prioritetin e prioriteteve tona.
Nëse do të kthenim kokën pas për të parë se ku e nisëm rrugëtimin për të qenë sot këtu, me një pasqyrë të dhënash inkurajuese, pa dyshim që është bërë shumë.
E nuk është e rastit, por është rezultat edhe i një politike të fokusuar tek nxitja dhe mbështetja e biznesit, që sot ke kemi rreth 50 mijë biznese më shumë që operojnë në Shqipëri, se sa katër vite më parë.
Kemi qenë të imponuar nga kushtet me të cilat morëm drejtimin e vendit, për të bërë operacione shumë të vështira, përmes reformash që kërkonin një kurajë të veçantë dhe që patjetër sollën edhe dhimbje të posaçme. Por sot, falë këtyre reformave, dhe falë bazës që kemi vendosur, mund te them me plot gojën se jemi në kushtet kur mund të zhvillojmë një model të ri ekonomik, jo më të bazuar tek bumi i ndërtimeve dhe tek dërgesat e emigrantëve, por të bazuar tek investimet prodhuese që krijojnë punësim real.
E nga ana tjetër, besoj që paçka se ka ende shumë për të bërë në raport me qasjen dhe sjelljen e administratës në tërësi dhe të asaj tatimore në veçanti, kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara dhe sot nuk kemi më një administratë, e cila është për definicion, një problem për sipërmarrjen, për shkak të arbitraritetit, për shkak të ushtrimit brutal të pushtetit të firmës dhe të vulës, dhe për shkak të injorancës mbresëlënëse që e karakterizonte deri në disa vite më parë.
Sigurisht, patjetër që ka ende probleme për të zgjidhur, jo thjesht probleme ad-hoc , por probleme që ka të bëjë me qasjen, me sjelljen, me shpejtësinë, për të krijuar një situatë në të cilën sipërmarrja të ndihet zot në vendin e vet dhe në të cilën çdo sipërmarrës të bëjë më të mirën nga vetja.
Kjo është edhe arsyeja pse sot, në qeverinë tonë ka një Ministre Shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes, e cila trajton në kohë reale çdo problem të madh apo të vogël, të trashëguar, apo që lind sot, midis sipërmarrjes dhe burokracisë.
Mund t’ju them se në këto pak javë të qeverisë së re, janë 49 raste të trajtuara dhe në trajtim nga Ministrja e Shtetit, e cila ka pikërisht këtë detyrë, që të kapërcejë në funksion të çdo sipërmarrje që ka një problem me shtetin, me administratën, me burokracinë, qoftë edhe me një skuadër tatimorësh, të gjitha shkallët, për të mos lejuar që koha të humbasë, energjitë të konsumohen dhe njëkohësisht edhe gjendja e sipërmarrjes për një arsye apo një tjetër të rëndohet, duke kaluar filtër pas filtri.
Kjo është një praktikë e saponisur, ku sigurisht dhe ne jemi duke mësuar. Ama unë do t’i ftoja të gjithë pa përjashtim që të mos ngurojnë ta përdorin këtë instrument të ri. Ashtu sikundër ministrja nënvizoi, është edhe një platformë e bashkëqeverisjes, online tanimë, e cila ka një dritare të posaçme për çdo biznes, dhe pas asaj dritare qëndron një skuadër e tërë, e cila është aty për t’i ardhur menjëherë në ndihmë biznesit, në raport me çdo problem të madh apo të vogël, legjislativ apo thjesht administrativ ose të raportit me një tatimor të vetëm.
E të jeni të sigurt, siç po e provojnë sipërmarrësit që e kanë ndërmarrë këtë hap, se Ministrja e Shtetit është aty për të qenë avokatja e sipërmarrjes brenda në qeveri dhe për të bërë betejën e vet në emër të çdo sipërmarrje, në raport me të gjithë kolegët e tjerë, çdo ministër, që sot janë në detyrimin për të dhënë përgjigje me përgjegjësi personale dhe për të ndjekur personalisht çdo problem që shtrohet në nivelin më të lartë të qeverisë nga ana e çdo sipërmarrësi.
Kështu besoj që ne mund t’i japim dërrmën të gjithë atyre situatave që krijohen nga sjellje brutale, nga vendimmarrje të gabuara, të qëllimshme apo të paqëllimshme të administratës poshtë.
Kështu çdo punonjës i administratës nëse sipërmarrësit bashkëpunojnë vijimësisht dhe intensivisht për ta përdorur këtë urë, do të kuptojë që nuk mund të gjejë më shesh për të bërë përshesh, duke trokitur në derën e një kompanie dhe duke filluar nga ato historitë e vjetra për qëllime fitimi ose si rezultat i paaftësisë. Vendosja përpara përgjegjësisë e këtyre figurave të rëndësishme të shtetit siç janë tatimorët, siç janë doganierët, siç janë inspektorët e strukturave të ndryshme, është themelore. Vendosja përpara përgjegjësisë mund realizohet shumë lehtë nëse çdokush prej tyre e ka të qartë se sipërmarrësi nuk është vetëm dhe që në kohë reale nuk ka nevojë të kërkojë asnjë mik, as ta ftojë atë bandën që i vjen aty të dali mbrapa për të bërë ndonjë marrëveshje korruptive, por mjafton t’i çojë një mesazh Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe menjëherë ka avokatin në dispozicion.
Nga ana tjetër, natyrisht që kaq nuk mjafton. Është njëra anë e medaljes, ana e pasme e saj. Ndërsa ana e përparme e medaljes është ajo çka ne po bëjmë për të lehtësuar në vijimësi burokracinë. Për të hequr gjithfarëlloj detyrimesh për dokumente të tepërta. Në një tufë dokumentesh që u eliminua në fillim të punës sonë, iu kursyen sipërmarrjes 56 vjet, në vit. Është një shifër katastrofike pritjeje, zgjatjeje, radhësh. E do vazhdojmë të ecim në këtë drejtim për të pasur numrin më të ulët të dokumentave që i kërkohen një sipërmarrjeje në Europë ose të paktën të barabartë me më të ulëtin.
Nuk ka asnjë arsye, pse Shqipëria të ketë më shumë dokumente si detyrim për sipërmarrjen, sesa çka në vende të mëdha me administratë, me legjislacion të komplikuar dhe me pesha shumë më të mëdha.
Përveç kësaj, ne besojmë që sot jemi në kushtet kur pavarësisht se çfarë thuhet dhe pavarësisht se çfarë këndohen nëpër frëngjitë e medias, Shqipëria është një vend i sigurtë për të bërë biznes. Është një vend i sigurt dhe mbi të gjitha është një vend me potenciale të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara duke filluar nga turizmi. Ministri i ekonomisë preku pak këtë fushë. Unë do të thoja thjeshtë dy gjëra.
Së pari, për të dytin vit radhazi, ne kemi qënë dëshmitarë të një rritje eksponenciale të kërkesës dhe për të dytin vit radhazi është rreth 25% më e ulët oferta sesa kërkesa, çka do të thotë se ka nevojë, sot që flasim, për 25% më shumë kapacitet për të përballuar kërkesën, nga pikëpamja e infrastrukturës së mikpritjes. Por, nga ana tjetër ka një pjesë të kësaj kërkese, e cila po vjen duke u rritur, që ka të bëjë me turizmin e nivelit më të lartë. Me infrastrukturën me 4 dhe 5 yje që në Shqipëri mungon dhe ku ne do të vendosim një vëmendje prioritare sepse është aty që faktikisht vijnë dhe të ardhurat më të mëdha dhe krijohet edhe punësimi më cilësor. E pikërisht për këtë, pasi kemi aprovuar një legjislacion shumë të favorshëm për investimet në turizëm duke e përfshirë turizmin në sektorë strategjikë, jemi duke përgatitur një paketë të re, e cila do të krijojë mundësinë që për çdo investim me 4 dhe 5 yje, të ketë një periudhë 10 vjeçare – pastaj këtu është akoma në diskutim, sa për 4 dhe sa për 5, – pa taksa.
Sepse besojmë që kjo është rruga, jo thjeshtë për të qënë konkurrues, por edhe për të patur një impakt të shpejtë, pozitiv në sektor dhe për të patur një rritje punësimi cilësisht të konsiderueshme përmes këtij sektori. Nuk po hyj të them sa shumë kemi përparuar me Doing Business, sa shumë kemi përparuar me indeksin e lirisë ekonomike e kështu me radhë, por me siguri Shqipëria është një vend ku nuk mungojnë problemet nëse ju do të dëgjoni sidomos ambasadorët e huaj, të cilët me shumë të drejtë janë shumë kërkues dhe e shikojnë Shqipërinë, jo thjeshtë si vendin ku mund të bëhet biznes, por si vendi që duhet të anëtarësohet në BE dhe duhet të përmbushë një sërë standardesh. Ama nëse do dëgjoni sipërmarrësit që operojnë në Shqipëri me siguri do të keni një pamje shumë më inkurajuese dhe shumë më optimiste sesa ajo që mund të ofrohet nga perceptimi i përgjithshëm apo nga thashethemet e mediave.
Kështu që me sugjerimin që kush ka ardhur sot t’i gëzohet këtij vendi të bekuar dhe kaq të bukur dhe me këshillën miqësore që as mos të takoni gazetarë dhe as të mos lexoni gazeta sepse ju pengojnë në gjithë aparatin tretës, ju uroj mirëseardhjen dhe ju siguroj që kush investon sot në Shqipëri, nuk do të pendohet kurrë nesër.
Dhe kush nguron sot, nesër do thotë “si ka mundësi që ma morën radhën disa të tjerë përpara”.
Ky është momenti për t’i dhënë vetes shtytjen për të investuar në Shqipëri.
Është një vend që kthen shumë më tepër sesa çka jep, kur di ti japësh aty ku duhet dhe ashtu siç duhet.
Shumë faleminderit!