Në përfundim të seancës së sotme parlamentare, Kryeministri Rama pati një komunikim me gazetarët ku theksoi se asnjë deputet sot nuk ka imunitet për tu hetuar nga Prokuroria. “Së pari, imuniteti i deputetit ka rënë prej kohësh. Nuk jemi këtu në një situatë kur diskutojmë t’ia heqim apo t’ia lëmë imunitetin!”, – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama tha qartë se nuk mundet që asnjë qytetar i këtij vendi të arrestohet pa u bazuar në fakte e prova konkrete të cilat vërtetojnë akuzat e ngritura mbi të. Kreu i qeverise gjithashtu tha se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për imunitetin, – “Po ua përsëris. Këtu bëhet fjalë për një gjë shumë ekstreme. Arrestin me burg. Ju kam dëgjuar edhe ju. Ju jeni më të pafajshmit në këtë histori, kur them juve se me ju personalisht e kam fare të thjeshtë ta anashkaloj, por ato kokat e mëdha që tundin dynjanë nëpër klubet e katundit mediatik. “Po mirë, pse çfarë ka? Le të shkojë njëherë në burg tjetri, pastaj shohim e bëjmë”. Ku jemi këtu ne? Në çfarë epoke jemi këtu, në epokën e drurit apo të gurit?!”
Në përgjigje të një nga pyetjeve që iu bënë, Kryeministri shprehu qartë vullnetin e tij për të vërtetën deri në fund. “Dua të vërtetën dhe vetëm të vërteten sa më parë që të jetë e mundur dhe e dua këtë nga drejtësia.” – tha kreu i Qeverisë, Rama.