Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projekteve për zhvillimin rajonal të Lezhës:

Përshëndetje të gjithëve!

Më vjen shumë mirë që vazhdojmë sot, këtë pjesë të fushatës tonë të llogaridhënies publike me projektet konkrete që kemi për zhvillimin e mëtejshëm të Lezhës, ku ka një potencial shumë të madh që mbetet për t’u trajtuar dhe për t’u shfrytëzuar, duke u vënë në dispozicion të komunitetit, por edhe të ekonomisë kombëtare.

Në janar, ne kishim këtu mbledhjen e qeverisë dhe morëm disa vendime të rëndësishme, ndër të cilat dua të risjell në vëmendje vendimin për përkrahjen e agroturizmit, me synim nxitjen dhe zhvillimin e një rrjeti agroturizmi, duke u nisur nga shembujt e shkëlqyer që janë pikërisht këtu në Lezhë. Në ditët në vijim, qeveria do të miratojë edhe një paketë të veçantë mbështetjeje, duke krijuar lehtësira të ndjeshme fiskale për agroturizmin, që do të thotë, duke nxitur investimet në agroturizëm me garancinë që kontributet në sistemin tonë të taksave do të jenë shumë më të ulëta, sesa çfarë janë sot.

Agroturizmi është një potencial i madh për zonat ku duket sikur bujqësia, apo zhvillimi i fermave dhe i blegtorisë në funksion të tregut mbetet një sfidë shumë e vështirë, por ku natyra është e mrekullueshme, traditat janë të jashtëzakonshme dhe prirja e njerëzve për të kthyer mikpritjen në një biznes është e admirueshme. Këtu kam parasysh jo vetëm këtë zonë, por edhe Mirditën ku ka stacione me një bukuri mahnitëse natyrore , kam parasysh edhe pjesën e thellë të Kurbinit dhe të gjitha zonat e Shqipërisë ku duket sikur lufta kundër varfërisë në fshat është një mision i pamundur. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.

Agroturizmi është një instrument shumë efikas, i provuar dhe i sprovuar në vendet e tjera si një mënyrë jo vetëm për të dalë nga varfëria, por edhe për të bërë një biznes shumë të shëndetshëm dhe fitimprurës. Ajo që ne duam është që përmes kësaj pakete mbështetjeje, ku do të kemi një ulje të TVSH-së njësoj si për hotelet me 4 dhe me 5 yje, pra, në vetëm 6%, t’i japim mundësi fantazisë dhe vullnetit të sipërmarrësve, në radhë të parë, për të filluar për të krijuar modelet e para, që pastaj jam i bindur, sepse këtë tregon edhe eksperienca botërore, do të ndiqen nga vetë familjet. Mjafton të kesh një banesë në një zonë me një natyrë të bukur dhe të tilla ka plot, mjafton të ngresh një mikrofermë në funksion të agroturizmit, duke e transformuar banesën, apo duke ndërtuar një ngrehinë tjetër me disa dhoma, jo një hotel të mirëfilltë, por një bujtinë, për të pasur mundësinë që të krijosh një biznes goxha fitimprurës, siç e tregojnë të gjitha eksperiencat.

Po këtu kemi marrë edhe vendimin për listën e 100 fshatrave që do të mbështeten me prioritet, duke u bazuar te resurset e tyre. Në këtë Qark janë 5 prej tyre pjesë e kësaj liste.

Po ashtu kemi 31 investime të nisura në këtë territor, të cilat janë në punë e sipër dhe kemi 3 ndërhyrje shumë të rëndësishme, njëra më e vogël në përmasa, por shumë e rëndësishme për të gjithë zonën e plazhit të Shëngjinit, që është rruga lidhëse prej rreth 3 kilometrash, për të cilën pas mbledhjes së qeverisë dhe pasi kemi dëgjuar me shumë vëmendje edhe biznesin, – por kemi pasur edhe gjithë atë presionin pozitiv të deputetëve, të Linditës, të Pjerinit, – kemi bërë projektin. Tani është vetëm çështje vendimmarrjeje, sepse së shpejti mbyllet edhe gara, por duhet të vendosim nëse do ta fillojmë punën menjëherë, apo nëse do ta lëmë pas sezonit, për të mos krijuar më shumë konfuzion dhe më shumë probleme, duke pasur një kantier të hapur në një rrugë që është super ngarkuar gjatë sezonit.

Dy projekte të tjera shumë më të rëndësishme për nga dimensionet, por edhe shumë të rëndësishme për nga impakti ekonomik dhe social, janë projekti i autostradës Milot-Balldren dhe rruga strategjike Shëngjin-Velipojë.

Milot-Balldren, me tunelin do t’i japë fund një historie të pabesueshme për një vend ku rruga nacionale kalon tek një kthesë qorre tek ura dhe duket sikur të gjitha makinat futen aty për atë shprehjen “mbaje shofer 1 minutë se kam punë”.

Rruga Shëngjin Velipojë është një aks shumë prioritar për shkak se hap një hapësirë të re me një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit, krijon një lidhje shumë të shpejtë midis këtyre dy pikave që sot lidhen përmes një krahëmarrjeje që shkon gati 1 orë e gjysmë. Mbi të gjitha jep një akses të shpejtë dhe shumë të bukur për të gjithë pjesën e turistëve matanë kufirit. Në disa takime me autoritetet e Malit të Zi, ne e kemi hasur këtë kërkesë, nisur nga fakti që shumë turistë që vizitojnë zonën matanë kufirit janë shumë të interesuar për të kaluar kufirin për një apo dy ditë dhe ka po ashtu turistë nga Mali i Zi vetë që janë të dëshiruar për të ardhur dhe për të kaluar pushimet në krahun tonë, gjë që është e natyrshme, sepse vendin e tyre aty e kanë dhe është si edhe ne që shkojmë në krahun tjetër.

Këto janë projekte të një rëndësie të posaçme.

Unë e di shumë mirë që njerëzit kanë një pritshmëri shumë të lartë prej nesh dhe po ashtu kanë një padurim të madh. Pritshmëria sigurisht është shprehje e një besimi se në fund të fundit, prej nesh do ta kërkojnë, se s’kanë nga kush ta kërkojnë tjetër, se ata që kishin në dorë t’i bënim këto gjëra për aq shumë vite, jo vetëm nuk i bënë, por lanë pas shumë probleme dhe padurimi po ashtu është i mirëkuptuar.

Por një gjë nuk duhet ta harrojnë, ne kemi kaluar një fazë jashtëzakonisht të vështirë me mbushjen e gropës së madhe të borxheve që gjetëm. Borxhe, të cilat na kanë detyruar që të çojmë, si të thuash, jo për punë konkrete, por për t’i shlyer ato, një shumë të barabartë me shumën që do të na kishte mjaftuar për t’i bërë të gjitha këto që po flas, edhe shumë më tepër se kaq. Sidoqoftë kjo është një fazë e kapërcyer. Tani jemi gati për t’i hapur këto kantiere të mëdha.

Më vjen shumë mirë, megjithëse kjo nuk ka lidhje direkte me Lezhën, por është një legjendë e tranzicionit, që të them se brenda majit, ne do të çelim më në fund, kantierin e Rrugës së Arbrit.

Kantieri i Rrugës së Arbrit është një nga kantieret e Programit tonë “1 Miliardë për Rindërtim” dhe do të fillojë e nuk do të ndalet më puna, deri kur të ketë mbarur përfundimisht aksi strategjik i asaj rruge që do ta bëjë Dibrën zonë të integruar me kryeqytetin. Rruga do krijojë një akses me një shpejtësi të lartë dhe nga ana tjetër do të çelë një potencial shumë të madh edhe për zhvillimin e agroturizmit në të gjithë atë krah që lidh Tiranën me Dibrën ku po ashtu ka bukuri përrallore të paprekura, madje që shumëkush as nuk i ka parë dot për shkak të mungesës së rrugës.

Ndërsa rruga Milot-Balldren që është pjesë e Programit do të fillojë besoj, nëse të gjitha procedurat do të shkojnë ashtu siç duhet, brenda parashikimeve deri në muajin shtator, fundi i gushtit-fillimi i shtatorit.

Kemi aksin tjetër strategjik për të gjithë këtë lidhje në pjesën e sipërme të Shqipërisë, Thumanë-Kashar, që do të bëjë të mundur që i gjithë komunikimi mes Lezhës, Shkodrës, pjesës së sipërme, Kukësit dhe atyre që vijnë nga Kosova për në Tiranë të jetë tërësisht me standarde të tjera.

Rrugët do të jenë të standardeve ndërkombëtare të mirëfillta, ku nuk do ketë më histori se kush do kalojë përpara, dhia apo Mercedesi. Të gjithë atyre që vazhdojnë të bëjnë atë teorinë e tmerrshme të ndarjes së Veriut me Jugun dhe që përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë hileqare të na lënë neve atë faturën e një imazhi sikur jemi më pak të interesuar për Veriun, po ju them që pjesa më e madhe e programit “1 Miliard për Rindërtim” është nga Tirana e lart, sepse përfshin tre vepra madhore, të cilat i takojnë pikërisht këtyre territoreve dhe kjo flet vetë.

Ndërkohë me Programin “1 Miliard” do ketë vetëm një aks që do të financohet në pjesën e poshtme, që është aksi nga dalja e Vlorës deri në tunelin e Llogarasë.

Faktet flasin vetë.

Patjetër që zona nuk ka vetëm nevojë për infrastrukturë, ka nevojë për një mbështetje të rëndësishme edhe për zhvillimin rural. Ne kemi miratuar për këtë vit fondin më të madh të mbështetjes financiare të familjeve fermere. Aplikimet këtë vit janë bërë për herë të parë me zero dokumente dhe kemi një numër aplikimesh më të lartë se çdo vit tjetër, por kemi edhe mundësinë që të akomodojmë më shumë aplikime se çdo vit tjetër. Së shpejti, edhe në këtë zonë do të ketë një numër të konsiderueshëm përfituesish nga këto aplikime, që do të nxisin më tej krijimin e zinxhirit të vlerës në bujqësi.

Nuk e kam harruar aspektin e furnizimit me ujë të pijshëm. Kemi bërë goxha progres në këtë drejtim. Në Lezhë, ju e dini shumë mirë që ka një përmirësim të ndjeshëm falë përfundimit të një investimi shumë të rëndësishëm për ujësjellësin. Por ka zona të tëra që ende kanë nevojë për të ndërhyrë me investime të reja, ndërkohë, edhe ndërtimi i linjës së furnizimit me ujë për qytetin Rrëshen dhe për Mamurrasin shkon në këtë drejtim.

Më vjen shumë mirë që po shikojmë një ndryshim të rëndësishëm që në hapat e para në industrinë e peshkimit. Industria e peshkimit ka pasur nevojë për mbështetje dhe kemi dhënë disa mbështetje të rëndësishme, që janë kthyer pastaj në rritjen e konsiderueshme të eksporteve, por për herë të parë, me programin e ri të mbështetjes financiare për zhvillimin rural, për bujqësinë dhe peshkimin, ne kemi futur edhe skemën e financimeve direkte për produktet e peshkimit që janë me vlerën më të madhe të shtuar në eksport.

Sot, bujqësia shqiptare është në rritje përsa i përket eksporteve, por ajo që ne shohim si një potencial shumë të madh është një rritje shumë më e madhe e eksporteve të peshkut. Kemi shumë besim se në fund të katërvjeçarit të këtij mandati, ne do të kemi një shifër të eksporteve të peshkut shumë të afërt me shifrën e eksporteve të bujqësisë, për të treguar se çfarë potenciali i jashtëzakonshëm është.

Sigurisht që kjo përkthehet në zhvillim ekonomik.

Sigurisht që kjo përkthehet në punësim.

Sigurisht që kjo përkthehet në mundësi për familjet, të cilat jetojnë përmes punës, apo janë në nevojë për punë.

Për ta vazhduar me investimet. Ju e keni parasysh më mirë se të gjithë, sepse ju jeni përdoruesit e thuajse të përditshëm të rrugës Milot – Lezhë – Shkodër, e cila është një plagë e hapur prej nuk e di se sa vitesh. Dublimi i saj është një domosdoshmëri për të zgjidhur një ngërç kaq shumëvjeçar, duke e bërë aksin tërësisht të sigurt dhe duke garantuar përfundimisht lëvizshmërinë e tij. Gjithashtu vendosja e mbikalimeve edhe në aksin rrugor Thumanë – Milot do të zgjidhë një pjesë të madhe të këtij problemi të rëndë, të trashëguar, që e bën këtë aks ndoshta aksin më të rrezikshëm në qarkullimin rrugor në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu kemi një program shumë të rëndësishëm të ndërtimit apo rindërtimit të 300 qendrave të reja shëndetësore.

Këto janë një domosdoshmëri dhe sot është e mundur që ne të financojmë edhe për to, pasi kemi kapërcyer atë fazën e parë të zgjidhjes së nyjës nga fyti, nyjes së borxheve marramendëse që na mbajtën për një periudhë kohe larg ritmit të investimeve që ne do të kishim dëshiruar.

Por më lejoni t’ju them se shifrat thonë diçka shumë të vërtetë dhe shumë të rëndësishme.

Keni dëgjuar që shpesh herë thuhet se ne nuk bëmë një metër rrugë. Në fakt, qeveria e mëparshme tenderoi shumë kilometra rrugë, por kilometrat e ndërtuara dhe të financuara nga ato tendera janë më shumë në katër vitet e shkuara, sesa në 8 vitet e tyre, të marra sëbashku, përjashto Rrugën e Kombit, e cila ka dhe ajo të gjitha problematikat e veta, por sidoqoftë është një vepër që në një masë të konsiderueshme u krye përpara se ne të vinim në qeveri. Nuk ka një aks të vetëm rrugor, të tenderuar nga qeveria e mëparshme, që të ishte kryer të paktën deri në gjysmë. Të gjitha, rrugë të lëna rrugëve dhe ka vazhduar ndërtimi i tyre. Edhe segmentet e rrugëve që shikoni këtu në aksin Lezhë – Tiranë janë rrugë që ata i kanë quajtur të bëra dhe të përfunduara prej tyre, por ndërkohë janë punime që vazhdojnë sot e gjithë ditën, pasi u bllokuan për një periudhë kohe, sepse duheshin shlyer borxhet dhe tani kanë rifilluar. Është e njëjta logjikë në të gjithë Shqipërinë.

Ajo që vlen sot të përmendet është se ne jemi në fazën kur mund t’i japim një shtysë shumë të fortë investimeve publike dhe faktikisht kemi volumin më të madh të investimeve në infrastrukturë të bëra ndonjëherë në historinë e qeverive shqiptare, si rezultat i kombinimit të investimeve direkte nga buxheti dhe i Programit “1 Miliard për rindërtim”.

Ndërkohë do të vazhdojmë të rindërtojmë gjatë këtij viti rreth 60 shkolla dhe po ashtu do të vazhdojmë të mbështesim projektet e bashkive për Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane. Në këtë zonë kemi kryer disa punime realisht jetike të pastrimit të kanaleve të bllokuara prej çerekshekulli dhe mjafton t’ju them se janë rreth 15 kilometra në Drin që janë pastruar dhe janë kthyer nga një tapë që përmbyste dynjanë, në një aks që ke kënaqësi ta shikosh për të thënë se sa shumë gjëra, të cilat nuk janë çdo ditë para syve tanë, janë bërë e po vazhdojnë të bëhen jo vetëm në këtë Qark, por në të gjithë Shqipërinë.

Sigurisht që ka nevojë për shumë më tepër, kjo nuk diskutohet, por kam bindjen se me këto investime që folëm sot, do të kemi një rritje të rëndësishme ekonomike.

Ne kemi thënë gjatë fushatës se duam të shkojmë mbi 5%, sepse nëse shkojmë mbi 5%, rritja ekonomike fillon dhe ndjehet në çdo familje. Ndërkohë që 1%, 2%, 3%, janë shifra të rëndësishme nga pikëpamja statistikore, por nuk është se i thonë ndonjë gjë të madhe pjesës më të madhe të familjeve.

E po ashtu besoj se me ndërhyrjen e domosdoshme për ripërtëritjen e plotë të memorialit të Skënderbeut do të plotësojmë një boshllëk që është i papranueshëm dhe njëkohësisht do t’i japim një tjetër atraksion të rëndësishëm turistik qytetit, ku këtë vit pritet numri më i madh i turistëve të ardhur ndonjëherë dhe jo vetëm në Shëngjin, në Lezhë, por në gjithë Shqipërinë. Kjo është një sfidë shumë e madhe, sepse ka gjithmonë e më shumë kërkesa për të ardhur në Shqipëri. Janë 10 linja të reja fluturimesh nga destinacione që deri vjet nuk ishin të lidhura direkt me Shqipërinë, pikërisht sepse ka një numër të madh turistësh nga vendet të reja origjin,e që do të vijnë gjatë këtij viti në Shqipëri. Kjo do të sjellë më shumë punësim, do të sjellë më shumë ekonomi dhe do të sjellë një kontribut të rëndësishëm edhe në forcimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë kombëtare.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.