Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

 

Sapo asistuam në një garë të ndezur për lidershipin e Partisë Demokratike në rrjetet sociale, ku kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri legjendar garuan secili në ekranin e mrokllës së vet digjitale, se kush shan, shfryn dhe lëshon më shumë batë nga goja. E për fat të keq u larguan pa pritur të dëgjojnë atë që iu takon, qoftë për rastin në fjalë, qoftë edhe për atë çka fshihet, por fshihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie.

Dje, ministri i Brendshëm foli dhe në fakt nuk tha asgjë të re, përsëriti çfarë ka thënë disa herë në harkun e më shumë se 15 viteve. Ndërkohë që pasqyrat mediatike e përcollën rizbulimin si një zbulim, fatkeqësisht, pa u thënë shikuesve dhe lexuesve të tyre se më parë, jo një herë, por disa herë në vetë ato pasqyra, kjo çështje ka dalë dhe ridalë.

Ka dalë dhe ridalë kur është dashur të sulmohet drejtpërdrejtë Fatmir Xhafaj, apo qeveria, ose grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në momente ngacmuese për këta që sot një avaz të vjetër përpiqen t’ua shesin shqiptarëve si një zbulim të ri. Rasti më i fundit dhe më i freskëti, kur kjo çështje është shfaqur në mediat pranë SHQUP-it, ka qenë në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë.

Fakti është i njohur botërisht, por fakti është i njohur jo vetëm për të gjithë ata shqiptarë që e kanë pasur mendjen në atë moment kur ky fakt është shfaqur, sepse s’janë të detyruar shqiptarët ta kenë gjithmonë mendjen tek e gjithë kjo  tollovi e madhe, por është i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Nëse në këtë zurrna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të Brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta, do të kishte folur miku ynë, protagonist i jetës tonë publike, ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata, të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar.

Ata as kanë folur dhe as kanë çfarë të thonë fare, sepse, për ta, ky është një fakt i njohur dhe nuk përbën asnjë implikim direkt ose indirekt, qoftë të qeverisë së këtyre, sepse kjo ndodhi, e publikuar dje me bujën e një lajmi sensacional, i përket kohës kur qeverisnin këta, as për qeverinë tonë të parë, as për këtë qeveri dhe as për personalisht ministrin e Brendshëm.

Është për të ardhur keq, por në këtë llum ku përpëlitemi çdo të enjte dhe fatkeqësisht ku përpëlitet politika çdo ditë për shkak të këtyre njerëzve që kanë shumë halle dhe prandaj ulërijë kështu, e vetmja referencë e besueshme janë ata, të cilët na vëzhgojnë, na monitorojnë, na gjykojnë dhe nuk përtojnë as të na kritikojnë, herë me të drejtë, herë dhe pa të drejtë, por ama rast nuk lënë t’iu shpëtojë.

E si ka mundësi, ndërkohë që shpërtheu ky “zbulim senancional”, ambasadori amerikan nuk iu referua hiç këtij fakti kaq tronditës, sipas këtyre, por u detyrua të mbajë qëndrim publik lidhur me një fakt tjetër, për të cilin këta përsëri na akuzuan neve, më akuzuan mua personalisht pas lëvizjes së kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda?!

A mund ta përfytyrojë kush, që, nëse do të kishte një fije të vërtete në goditjen e këtyre për lëvizjen e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do kishte dalë miku ynë i shtrenjtë, njohësi i kudondodhur i të gjithë proceseve tona, për të vënë drejtësi në këtë vend?!

Nuk diskutohet.

Atëherë, pse del sot, ky fakt?

Kjo është pyetja.

Pse del sot ky fakt?

Natyrisht ka arsye që kanë qenë, janë dhe do të jenë aty për sa kohë këta do të jenë këta, sepse këta nuk kanë as vizion, as program, as ide, as skuadër, as lidership dhe asnjë lidhje me hallet dhe problemet e njerëzve, përveçse me hallet dhe problemet e tyre.

Por ky fakt rishfaqet sot, edhe për një arsye tjetër, që është aktuale. Këta duan të vazhdojnë atë që kanë nisur, të pengojnë çeljen e negociatave, duke vazhduar të helmojnë sa të munden gjakun dhe mendjen e kujtdo, në çdo parlament të atyre vendeve që sot mbeten kyçe për të marrë vendimin, që mund të jetë i interesuar për të thënë “jo”.

Nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë. Nëse nuk ka kërkesë, nëse nuk ka asnjë përgjegjësi të lidhur me qeverinë, apo me personalisht ministrin e Brendshëm dhe nëse bëhet fjalë në fund të ditës për vëllanë, jo për të, në një sistem ku secili përgjigjet individualisht përpara ligjit, pse del sot?

Sepse duhet goditur Shqipëria kudo ku është e mundur.

Dosja e rizbulimit, në të njëjtën kohë që ka dalë në televizor, ka filluar të shpërndahet në anglisht dhe unë e kam mësuar se çfarë do thoshin këta në televizor, se nuk i ndjek këta, nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht dhe që më pyetën, si ka mundësi dhe pse sot, kur ne presim që Shqipëria, politika shqiptare të provojë çdo ditë, pretendimin e argumentuar për të hapur negociatat, ne na vënë përpara një dosje që na e kanë vënë përpara shumë kohë më parë, për një fakt që ne e njohim, për një çështje që ne e kemi analizuar dhe e kemi ezauruar?

Si ka mundësi?

Pyetje e të huajve për mua, që të përgjigjem për këta që janë gjaku ynë.

Ka edhe një element tjetër në këtë orvatje që do shkojë duke u bërë edhe më e shfrenuar deri ditën kur do merret vendimi. Përgatituni të dëgjoni çudira mbi çudira e çudira pas çudirash, të thëna e të stërthëna, të ripaketuara, të riformatuara, të rizbuluara, për ta bërë baltë, baltë e baltë Shqipërinë, sa të munden, sepse në fund të ditës, për të huajt, këto muhabete nuk janë muhabete që ndajnë në Shqipëri kush është i miri, kush është i keqi, kush është i korruptuari, kush është i ndershmi, kush është engjëlli, kush është djalli. Këto muhabete për të huajt janë, shihni Shqipërinë, çfarë bëhet!

Ata, të cilët për arsyet e tyre, jo për arsyet tona, janë skeptikë, apo janë kundër zgjerimit të Bashkimit Europian dhe nuk lënë rast dhe ky është një rast, pa e shfrytëzuar për të bërë fjalimet e tyre e për të dalë në televizor andej, – në televizor andej xhanëm nuk dalin dot, se s’janë fare aq të rëndësishëm, sa të dalin në televizor, – por për të dalë lart e poshtë, për të shfryrë nëpër korridore, jo vetëm që nuk kanë kohë, por as dëshirë nuk kanë që të hyjnë më thellë dhe të thonë si është kjo çështje.

E gjithë përpjekja jonë ka kohë që është jo për të diskutuar thelbin e proceseve që kemi përpara, por për të shpjeguar dhe rishpjeguar dhe stërshpjeguar ato që në fakt janë muhabetet e këtij kazanit këtu që quhet Parlamenti i Shqipërisë dhe që këta e kanë kthyer në një kazan, duke na futur dhe neve brenda dhe duke na bërë dhe neve që njerëzve t’ju dukemi sikur jemi të gjithë njësoj këtu.

Është e pabesueshme se çfarë i punojnë këta Shqipërisë në gjuhë të huaj!

Këta e dinë atë që di dhe unë, atë që di edhe ministri i Jashtëm, atë që dinë edhe disa të tjerë që janë drejtpërdrejtë të lidhur, që në Gjermani këta e kanë humbur betejën. Këta e dinë këtë dhe prandaj kisha një pyetje për atë që nuk i përgjigjet asnjëherë pyetjeve. Nuk do i thosha sa bëjnë 7×7, se përgjigjen e di, “42”. Por do ta pyesja këtë që po mundohet të lobojë për Shqipërinë, nëse do kishte kurajën të dilte këtu, se këtë herë e kemi me dëshmitarë dhe të thoshte, çfarë ju tha faktmbledhësve nga Holanda në drekë, kur vajti atje i paftuar?

Çfarë ju tha?

Ndërkohë që për hir të së vërtetës, qëndrimi publik i zonjës Tabaku, madje edhe i zonjë Gjosha ishte korrekt. Por ç’ju dëgjuan veshët atyre brenda, kur filloi të bilbilonte miku im, i shtrenjtë dhe i pashpresë, Lulzim Basha?

Një gjë desha t’ju them këtyre dhe po jua them sot, shqiptarëve; Çështja e kokainës, se këtyre u ka mbirë kokaina në gojë, tani që lufta me kanabisin është histori, i takon të shkuarës, është problem i këtyre dhe kjo nuk është pjesë e asaj politikës kush të shajë më shumë e kush të akuzojë më shumë. Sepse historia e kokainës së kapur së fundmi nga ne, nga agjencitë tona ligjzbatuese nuk ka filluar dje dhe arrestimi i atij personit është i lidhur me një histori që ka filluar më parë. Një historia që ka filluar më parë, të cilën Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte hetuar më parë.

Ne nuk jemi si këta. Ne nuk marrim informacione në copa letrash nga institucionet e të dalim këtu e të bëjmë gjyqin e këtyre. Ne presim. Ne kemi durim të madh, për të mbajtur dhe për të dhënë me gjithë koston e madhe të perceptimit të opinionit se këtu jemi të gjithë njësoj e jo vetëm jemi të gjithë njësoj, por këtu problemi tani qenka kjo qeveri, kjo shumicë, se kanabisi u njoh si farë kur fituam ne zgjedhjet në 2013-n, u mboll, u kultivua, u korr, u trafikua dhe u kthye në një fenomen nën qeverisjen tonë.

Ne hapëm luftën që këta dhe askush përpara nesh nuk guxoi ta hapte. Ne e nxorëm fenomenin nga errësira në dritë. Morëm edhe kostot, patëm sukseset dhe dështimet tona, por unë kam shumë besim që e vërteta vonon, po nuk harron.

E vërteta e lidhur me trafikun ë kokainës, e vërteta e lidhur me operacionin që çoi në pranga një eksponent të rëndësishëm, por jo të vetmin të këtij trafiku, e vërteta lidhur me taposjen e kanalit të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë çështje do dali, mund të vonojë, por do dali, siç kanë dalë shumë të vërteta të tjera.

Ajo që sot përbën shqetësimin tim më të madh të çdo dite nuk është çfarë ndodh në raport me opinionin e brendshëm publik për shkak të gjithë këtij llumi që derdhet përditë nga gojët e shthurura të tyre, por është fundi i qershorit. E për fatin më të keq të këtij vendi, për fatin më të keq të fëmijëve të tyre, të fëmijëve tanë e të fëmijëve të të gjithëve, ne në këtë proces nuk kemi problemin më të madh skeptikët në Bashkimin Europian, kemi problemin më të madh baltën, midis nesh dhe atyre që duhen bindur, që qëndron aty në mes, para syve e që ne duhet të ulim kurrizin e ta pastrojmë, për t’u thënë atyre mos u merrni me këtë. Të ulim kurrizin për të pastruar një baltë që eksportohet nga këtu, për diçka që nuk është një çështje e brendshëm e Partisë Socialiste, për diçka që nuk është një arritje e radhës e zakonshme e qeverisë sonë, për diçka që nuk lidhet me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, por që lidhet me fatin e gjeneratave të ardhshme.

Për diçka që lidhet me historinë tonë, nëse Shqipëria, sot do të bëjë kapërcimin historik e do të regjistrohet në klubin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke filluar negociatat apo nëse Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas dere, në pritje që dera të hapet herës tjetër.

Këta, të paktën disa nga këta, se ata të tjerët janë këtu për të mbajtur celularët dhe ato mrrokllat e tjera për këtë garën që bëhet këtu mes Saliut dhe Lulit, se kush shan më shumë në pushim, e dinë që viti i ardhshëm është shumë më i vështirë. Vitin e ardhshëm ka zgjedhje në të gjithë Europën për Parlamentin e ri Europian. Vitin e ardhshëm forcat antieuropiane, forcat populiste, forcat që janë shumë herë më rixhide për arsyet e tyre mund të shtohen në numër. Vitin e ardhshëm rikrijohen të gjitha institucionet e Bashkimit Europian.

Këta i dinë të gjitha, por këtyre nuk u ka interesuar Shqipëria, as kur midis Sudes dhe fëmijëve të këtij vendi zgjodhën Suden, as kur midis ecurisë dhe progresit të ekonomisë shqiptare dhe bixhozit të tyre elektoral zgjodhën bixhozin elektoral dhe krijuan një gropë sa një humnerë në 2013-n kur ne e morëm qeverinë dhe Saliu thoshte, ja do të shikoni për pak skenarin grek, sepse  e dinte shume mirë se çfarë kishte lënë.

Këtyre nuk u intereson Shqipëria, aq më pak sot që revolucioni në sistemin e drejtësisë ka filluar e nuk ndalet më. Aq më pak sot që të gjithë ata, të cilët ishin pushteti okult në këtë vend, që nuk i shkonte mendja njeriu ndonjëherë se mund të dilnin nga dyert e gjykatave dhe prokurorisë të përzënë.

Lidhet me këta e gjithë ajo që po ndodh.

Ndërkohë që për ne ka qenë dhe mbetet e qartë. Ne nuk duam një drejtësi që të jetë drejtësi kur është fjala për kundërshtarët dhe padrejtësi kur është fjala për veten.

Në duam një drejtësi që të jetë e barabartë për të gjithë.

Ne duam një drejtësi ku metri fizik, kush është më i gjati e kush është më i shkurtri, nuk ka asnjë vlerë. Ku të gjithë maten me një metër, e ke respektuar apo ke shkelur ligjin.

Mbi të gjitha, ne duam të çelim negociatat, për të garantuar një herë e mirë se ky vend nuk kthehet më mbrapa. Unë kam besim që ne do t’ia dalim. Kam besim që do ta kapërcejmë varganin e kodrave dhe të maleve me baltë, që na kanë vënë këta dhe që ndërtojnë këta, çdo ditë, në rrugën drejt fundit të qershorit.

Kam shumë besim, por dua ta ndaj me të gjithë, që është rraskapitëse të mendosh që për këtë objektiv të madh kombëtar, kundërshtia më e madhe vjen nga brenda familjes sonë si shqiptarë. Është rraskapitëse të mendosh që për këtë arritje strategjike për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, pengesa më e lartë është këtu. Nuk është as në Berlin, nuk është as në Paris, nuk është as në Hagë e nuk është në asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian.

Është vërtetë sëkëlldi e madhe, ndjenjë turpi, jo të mendosh, por të shikosh, të provosh, të shijosh baltën e prodhuar këtu për qëllime të këtushme dhe të kuptosh se asnjë nga këta deputetë, as gjermanë, as holandezë, as çfarëdo qofshin, nuk ju afrohet në kundërshti këtyre ndaj Shqipërisë dhe ndaj këtij procesi, as tek gishti i vogël i këmbës. Ata janë në të drejtën e tyre. Këta janë sot flamurtarët e një padrejtësie historike ndaj Shqipërisë dhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi, përfshirë dhe fëmijët e tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.