Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Maj 2018:
P R O J E K T L I GJ
PËR  
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9669, DATË 18.12.2006, “PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 1 bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 1, pas fjalës “… ligjore …” shtohen “… dhe masave të tjera …”.
2. Në pikën 2, pas fjalëve “… me masa ligjore …” shtohen fjalët “… dhe masa të tjera të nevojshme …”.
3. Në fund të pikës 2 shtohen fjalët “… si dhe të çdo grupi tjetër, subjekt të këtij ligji, sipas nenit 3, të tij, që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.”.
4. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 e 4, si më poshtë vijon:
“3. Zbatimi i dispozitave të këtij ligji, veçanërisht masat për mbrojtjen e të drejtave të viktimave, sigurohen pa diskriminim për shkaqet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi ose çdo shkak tjetër.
4. Masat e veçanta mbrojtëse, të parashikuara në nenin 10, të këtij ligji, dhe të ndërmarra nga Policia e Shtetit nëpërmjet UPMM-së, që janë të nevojshme për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në marrëdhëniet familjare, nuk konsiderohen diskriminim nëse zbatohen sipas kushteve të këtij ligji.”.
Neni 2
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. “Dhunë në familje” është çdo akt dhune, sipas pikës 1, të këtij neni, që ndodh brenda familjes ose njësisë shtëpiake, e ushtruar ndërmjet personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare, pavarësisht nga fakti nëse autori i veprës penale ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën.”.
2. Në pikën 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave, nëse janë anëtarë të njësisë shtëpiake;”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b.1”, me këtë përmbajtje:
“b.1) paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet birësimit;”.
c) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) prindërit dhe fëmijët e bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë edhe fëmijët e birësuar prej tyre.”.
ç) Në shkronjën “ç”, fjala “… e adoptuar …” zëvendësohet me “… e birësuar …”.
d) Në shkronjën “d”, pas fjalëve “… bashkëshortit/es ose …” shtohet   “… bashkëjetuesit/es …”.
dh)  Pas shkronjës “dh” shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:
“e) personat, të cilët janë në lidhje afektive në çift, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;
ë) kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi të miturit dhe personit që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes.”.
3. Në pikën 6, pas fjalëve “… masat mbrojtëse për viktimën …” shtohen “… dhe/ose rehabilitimin e dhunuesit …”.
4. Pas pikës 7 shtohen pikat 8, 9 e 10, me këtë përmbajtje:
“8. “Fëmijë” është çdo person nën moshën 18 vjeç. Termi ‘i mitur’, i përdorur në këtë ligj, ka të njëjtin kuptim.
9. “Njësi shtëpiake” quhet banesa ose çdo mjedis i përdorur dhe i përshtatur si i tillë, pavarësisht nëse është në pronësi ose në përdorim të familjes.
10. “Urdhër paraprak i mbrojtjes së menjëhershme (UPMM)” është reagimi i menjëhershëm për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje nëpërmjet një urdhri të arsyetuar e të lëshuar nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose struktura e Policisë së Shtetit që trajton çështjet e dhunës në familje, sipas rregullimeve të nenit 13/1 të këtij ligji.”.
Neni 3
1. Pas nenit 3 shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 3/1
Legjislacioni i zbatueshëm
Ky ligj bazohet në parimet e sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Konventën e OKB-së për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, Konventën e Këshillit të Evropës, “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” (Konventa e Stambollit) dhe në aktet e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.”.
Neni 4
Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 5
Autoritetet përgjegjëse
1. Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është ministria, që, sipas rastit, mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje.
2. Autoritete të tjera përgjegjëse të linjës janë:
a) Ministria e Brendshme;
b) Ministria që mbulon çështjet e shëndetësisë;
c) Ministria e Drejtësisë;
ç) Ministria që mbulon çështjet e arsimit;
d) Ministria që mbulon çështjet e strehimit;
dh) Njësitë e qeverisjes vendore.
3. Lista e autoriteteve të tjera përgjegjëse të linjës, sipas pikës 2, të këtij neni, ndryshon nëse njëri prej tyre merr rolin e autoritetit kryesor përgjegjës. Në këtë rast, ky autoritet ka edhe rol kryesor përgjegjës dhe mbulon çështjet në fushën përkatëse.”.
Neni 5
Në nenin 6 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Shkronjat “c”, “ç” dhe “d” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) mbështetjen në ngritjen e strukturave ndihmëse, në bashkëpunim me mekanizmin e referimit për bashkërendimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave e të masave për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e dhunës, si dhe plotësimin e tyre me gjithë infrastrukturën e nevojshme, që shërben për një mbështetje e plotësim të të gjitha nevojave për personat e dhunuar në marrëdhëniet familjare, përfshi këtu asistencë financiare si dhe shërbime mjekësore e sociale, sipas legjislacionit në fuqi;
ç)  organizimin e kurseve të trajnimit rreth dhunës në familje me ekspertë psikologë dhe punonjës socialë, në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut dhe Urdhrin e Punonjësit Social; me punonjësit e shërbimeve sociale, të cilët janë të atashuar pranë çdo njësie vendore, strukturat e Policisë së Shtetit dhe me punonjësit e OJF-ve të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale, duke përcaktuar standardet minimale, të paktën dy-tre ditë në vit, me tematikë që lidhet me çështje të dhunës në marrëdhëniet familjare për të gjitha autoritetet përgjegjëse administrative, ligjzbatuese dhe gjyqësore;
d) bashkërendimin e punës për mbajtjen dhe mbledhjen e të dhënave statistikore, që rezultojnë nga rastet e dhunës në familje, analizimin dhe publikimin e rezultateve të tyre;”.
2. Në fund të shkronjës “f” shtohen fjalët:
“… si dhe organizimin e kurseve e të programeve të edukimit për rastet e të miturve dhunues, me qëllim riintegrimin dhe rehabilitimin e tyre.”.
3. Shkronjat “g” dhe “gj” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“g) marrjen e  masave për eliminimin e pasojave të dhunimit të fëmijëve prej prindërve ose kujdestarëve ligjorë apo, në rastin kur fëmijët jetojnë në familje ku prindërit ose kujdestarët dhunojnë njëri-tjetrin, nëpërmjet vendosjes në përkujdesje alternative ose  dhënies së masave mbrojtëse emergjente, sipas parashikimeve të legjislacionit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve;
gj) koordinimin dhe monitorimin e ngritjes dhe të funksionimit të qendrave të shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje, që do të krijohen  pranë njësive të qeverisjes vendore.”.
4. Pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:
“h) hartimin, në bashkëpunim edhe me autoritetet e tjera të linjës, të procedurave standarde/protokolle lidhur me vlerësimin e riskut dhe planet e ndërhyrjes në rastet e dhunës në familje.”.
Neni 6
Në nenin 7 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) trajnimin e efektivave të policisë, që do të trajtojnë rastet e dhunës në familje, me qëllim rritjen e kapaciteteve në identifikimin e rasteve të dhunës në familje, vlerësimin e riskut dhe intervistimin e viktimës e të dhunuesit;”.
b) Pas shkronjës “b” shtohen shkronjat “b/1” dhe “b/2”, më këtë përmbajtje:
“b/1) nxjerrjen e  urdhrit të ministrit të Brendshëm për mënyrën dhe modelin e raportit përkatës si dhe të dokumentacionit që do t’i përcillet gjykatës së bashku me kërkesëpadinë;
b/2) miratimin, me urdhër të ministrit të Brendshëm, të protokolleve dhe procedurave standarde për azilkërkuesit dhe emigrantët që janë viktima të dhunës në familje.”.
2. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ministria që mbulon çështjet e shëndetësisë siguron ndihmën mjekësore në familje në shërbimet e urgjencës, të mjekut të familjes dhe në qendrat shëndetësore pranë njësive të qeverisjes vendore:”.
b) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) për të ofruar në çdo kohë ndihmë mjekësore, sociale e psikologjike për viktimat e dhunës në familje;
3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Ministria që mbulon çështjet e shëndetësisë kryen edhe këto detyra:
a) organizon trajnime dhe specializime për stafin mjekësor, psikologjik e të punës sociale në fushën e dhunës në familje, duke përgatitur edhe një listë të profesionistëve të trajnuar e të specializuar në këto fusha, në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut dhe Urdhrin të Punonjësit Social;
b) monitoron përmbushjen e detyrimit nga ana e personelit mjekësor për të raportuar çdo rast të dhunës në familje të konstatuar ose të shqyrtuar nga ky personel, kur ka prova se viktima e paraqitur për ndihmë mjekësore është dhunuar;
c) parashikon ngritjen e qendrave të menaxhimit të krizës, që të sigurojnë mundësinë e funksionimit të dhomave që shërbejnë për emergjenca pranë spitaleve ku viktima trajtohet.”.
4. Në pikën 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b)merr masa për përgatitjen profesionale, aftësimin dhe specializimin e përmbaruesve gjyqësorë në ekzekutimin e urdhrave të mbrojtjes si dhe mbikëqyr e kontrollon veprimtarinë e tyre në realizimin e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj;”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve, merr masa për përfshirjen në programet e trajnimit të temave që lidhen me dhunën në familje si dhe vë në dispozicion të autoriteteve përgjegjëse listën e përditësuar të të trajnuarve për këto çështje;”.
c) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) mbikëqyr funksionimin e sistemit të ofrimit të ndihmës juridike për viktimat e dhunës në familje, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti;”.
ç) Pas shkronjës “c” shtohen shkronjat “ç”, “d” e “dh”, me këtë përmbajtje:
“ç) merr masa për të parashikuar edhe përfaqësuesin procedural të fëmijëve, nga lista e punonjësve të Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në rrethin e subjekteve që mund të përfaqësojnë një fëmijë që kërkon urdhër mbrojtjeje, me qëllim që ai të ketë akses gjithmonë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje përpara gjykatës, si dhe harton modelin e kërkesës që i drejtohet organeve të policisë apo drejtësisë lidhur me kërkesat për përfaqësimin e fëmijëve;
d) përcakton, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, rregulla për krijimin e një baze të dhënash të posaçme për çështjet e dhunës në familje në gjykata, e cila të sigurojë unifikimin e regjistrimit të këtyre çështjeve, si dhe harton formularë të posaçëm për përpunimin e raportimin e të dhënave statistikore për dhunën në familje dhe bën publikimin e tyre në vjetarin statistikor;
dh) merr masa për të siguruar zbatimin e detyrimit të përgatitjes së raportit mjeko-ligjor dhe psikiatriko-ligjor nga ana e stafit të mjekësisë ligjore jo vetëm me kërkesë të institucioneve kompetente, por edhe pas kërkesës së paraqitur nga viktima, duke siguruar marrjen e një kopjeje prej saj/tij. Formati dhe modeli i këtij raporti si dhe mënyra e përpilimit të tij përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.”.
5. Në pikën 3/1, pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) merr masa për të parashikuar programe për arsimimin parauniversitar e profesional të të miturve dhe të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç, që janë dhunues, dhe të të miturve që janë viktima, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre.”.
6. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Njësitë e qeverisjes vendore marrin përgjegjësi dhe luajnë rol aktiv në mbikëqyrjen, monitorimin, zbatimin e ligjit e trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe kanë këto detyra:
a) Angazhimin në krijimin e strukturave të specializuara të shërbimit social për rastet e dhunës në familje, lidhur me mënyrën e referimit të rasteve të dhunës në familje, si dhe monitorimin e ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes e të urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes;
b) Ngritjen e qendrave sociale e të rehabilitimit për viktimat si dhe koordinimin e punës me ato ekzistuese, duke u dhënë përparësi qendrave të specializuara në fushat përkatëse dhe qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje;
c)  Ngritjen e strukturave e të qendrave publike për trajtimin, trajnimin, dhe rehabilitimin e dhunuesve;
ç)  Marrjen e masave për ndarjen e dhunuesit nga familja, me qëllim lënien e banesës familjare viktimës e fëmijëve dhe sigurimin e banesave.”.
7. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Ministria që mbulon çështjet e strehimit social, nëpërmjet programeve sociale të strehimit, ka detyrë të marrë masa për siguruar banesë për:
a) viktimat e dhunës në familje;
b) të miturit, që janë viktima të dhunës në familje.”.
Neni 7
Pas nenit 7 shtohet neni 7/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 7/1
Garancia për mbrojtjen
Çdo organ ose autoritet ku drejtohet viktima garanton mbrojtje sipas këtij ligji, pavarësisht vendbanimit ose vendqëndrimit të viktimës.”.
Neni 8
Në pikën 3, të nenit 8, pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) punonjësi social për çështjet e dhunës në familje pranë njësisë së qeverisjes vendore dhe njësisë së vlerësimit të nevojave e referimit, përgatit një raport për shëndetin mendor e gjendjen psiko-sociale të viktimës dhe rekomandon masat e nevojshme për të minimizuar pasojat e dhunës.”.
Neni 9
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, shkronjat “j” “k” dhe “m” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“j) duke i hequr dhunuesit, përkohësisht, përgjegjësinë prindërore ose, nëse është rasti, kujdestarinë mbi të miturin a personin që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar. Kur gjykata vendos të heqë ushtrimin e përgjegjësisë prindërore nga të dy prindërit ose nga prindi i vetëm, ajo cakton kujdestarinë e përkohshme mbi fëmijët, duke zbatuar rregullat e parashikuara në Kodin e Familjes.
k) duke urdhëruar organet kompetente, shërbimet sociale të njësive përkatëse vendore dhe/ose organizatat që ofrojnë shërbime, që, sipas rastit, të mbështesin me ndihmë psiko-sociale, shëndetësore e financiare personat e dhunuar në familje, si dhe të monitorojnë respektimin e urdhrave të mbrojtjes nga palët, duke paraqitur raportet përkatëse përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare.
m) duke urdhëruar dhunuesin/en, nëse është rasti, të marrë pjesë në programe rehabilitimi psiko-sociale dhe/ose në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Përgjegjësit e programit të rehabilitimit raportojnë përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij, progresivisht, por jo më pak se një raport në përfundim të programit, në të cilin të përfshihen rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit. Nëse dhunuesi/ja nuk merr pjesë në program, atëherë, me kërkesë të mbledhjes ad-hoc të mekanizmit të bashkërendimit të punës për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare ose të subjekteve të parashikuara nga neni 13, i këtij ligji, zbatohen dispozitat e Kodit Penal, për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës për urdhrat e mbrojtjes.”.
2. Pas shkronjës “m” shtohen shkronjat “m/1”, “m/2” dhe “m/3”, me këtë përmbajtje:
“m/1) duke urdhëruar dhunuesin/en, nëse është rasti, të marrë pjesë në programe rehabilitimi pranë qendrave spitalore, qendrave ambulatore ose qendrave komunitare, që japin shërbime të shëndetit mendor. Përgjegjësit e programit të rehabilitimit vënë në dijeni koordinatorin vendor pranë mekanizmit të referimit dhe koordinimit të rasteve të dhunës në familje për pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij;
m/2) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en), nëse është rasti, të marrë pjesë në programe rehabilitimi pranë qendrave spitalore, qendrave ambulatore ose qendrave komunitare, që japin shërbime të alkoologjisë. Përgjegjësit e programit të rehabilitimit vënë në dijeni koordinatorin vendor pranë mekanizmit të referimit dhe koordinimit të rasteve të dhunës në familje për pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij;
m/3) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en), nëse është rasti, të marrë pjesë në programe rehabilitimi pranë qendrave spitalore, qendrave ambulatore ose qendrave komunitare, që japin shërbime të toksikologjisë. Përgjegjësit e programit të rehabilitimit vënë në dijeni koordinatorin vendor pranë mekanizmit të referimit dhe koordinimit të rasteve të dhunës në familje për pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij.”.
3. Pas pikës 3 shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:
“3/1. Gjykata, kryesisht, në urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose/dhe në urdhrin e mbrojtjes, mund të parashikojë masa mbrojtëse për fëmijët që kanë pësuar dhunë ose kanë qenë të pranishëm kur është ushtruar dhunë në familje. Gjykata, sipas vlerësimit të saj, mund të zbatojë edhe masa mbrojtëse e procedura të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, deri sa nuk cenohen afatet e procesit gjyqësor të parashikuara nga ky ligj.
3/2. Vendimi për zgjidhjen e martesës, i shpallur nga gjykata gjatë kohës së zbatimit të UMM/UM-së për pasojat e njëkohshme, fillon të zbatohet nga dita e përfundimit të UMM/UM-së. Në rast se gjykata ka vendosur detyrime të ndryshme ushqimore për fëmijët në këto vendime, zbatohet vendimi më i favorshëm për fëmijët.”.
Neni 10
Pas nenit 13 shtohet neni 13/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 13/1
Urdhri paraprak i mbrojtjes së menjëhershme
1. Organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit, kur vlerësojnë se, bazuar në fakte e rrethana të caktuara, dhuna që ushtrohet paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe lirinë e anëtarëve të familjes, si dhe kur dhuna ushtrohet ndaj fëmijëve, marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës dhe, kryesisht, nxjerrin urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme (UPMM), duke arsyetuar masat e marra.
2. UPMM-ja vendos një ose disa nga masat e parashikuara nga shkronjat “a” deri në “g”, të nenit 10, të ligjit.
3. Ministri i Brendshëm miraton, me urdhër, procedurat për lëshimin e UPMM-së nga organet e policisë dhe zbatimin e respektimin e tij.
4. Brenda 24 orëve, nga lëshimi i UPMM-së, organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit paraqesin përpara gjykatës kërkesë për vërtetimin e UPMM-së dhe lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
5. Të drejtën për të kërkuar vërtetimin e UPMM-së ose për të kundërshtuar UPMM-në përpara gjykatës e kanë edhe palët, brenda 48 orëve, nga dita e lëshimit të tij.
6. Gjykata, 48 orë nga dita e paraqitjes së kërkesës, në seancë gjyqësore vendos:
a) vërtetimin e masave mbrojtëse të vendosura nga UPMM-ja dhe lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes;
b) anulimin e UPMM-së dhe ndërprerjen e pasojave të tij, nëse nuk provon faktet dhe rrethanat për të cilat është lëshuar.”.
Neni 11
Pikat 3, 4 e 5, të nenit 14, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Për hartimin e kërkesëpadisë, përgatitjen e akteve dhe përfaqësimin në procesin gjyqësor, kërkuesi asistohet nga një avokat falas. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe autoriteti përgjegjës për ndihmën juridike, në bashkëpunim me organizatat që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në këtë fushë, u njoftojnë gjykatave listën e avokatëve të trajnuar për dhunën në familje, që autorizohen për dhënien e ndihmës juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Kërkuesi i UMM/UM-së dhe mbajtësi i UPMM-së shkarkohen nga të gjitha detyrimet e taksave e të tarifave gjyqësore, të shërbimeve përmbarimore shtetërore ose private, të shërbimeve për aktet e ekspertimit psiko-social, të ekspertimit mjeko-ligjor, të ekspertimit për vlerësimin e rrezikut të dhunës në familje ose të ndonjë akti ekspertimi tjetër, si dhe për pajisjen me provat e nevojshme. Pas lëshimit të UMM/UM-së, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje.
5. Kërkesëpadia regjistrohet në një regjistër të veçantë, protokollohet ditën e dorëzimit të saj dhe hidhet në short ditën e nesërme. Gjykata kryen gjykimin në afatet e parashikuara nga ky ligj dhe ndjek të gjitha format alternative të njoftimeve për palët ose subjektet e tjera. Moskonfirmimi i njoftimit prej palëve nuk e pengon gjykatën të vazhdojë gjykimin dhe të vendosë për një nga urdhrat e mbrojtjes.”.
Neni 12 
Në pikën 2, të nenit 15, fjalia e fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Moslëshimi i dokumentit të mësipërm, kur nuk përbën vepër penale përbën kundërvajtje administrative dhe personi përgjegjës dënohet nga kjo gjykatë me gjobë, në shumën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.
Neni 13
Pika 1, e nenit 16, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Gjykata vendos për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e regjistrimit të kërkesës.”.
Neni 14
Në nenin 19 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Gjykata lëshon urdhrin e mbrojtjes edhe në rastet kur palët pretendojnë se konflikti është zgjidhur ose duhet të zgjidhet me alternativat e pajtimit a të ndërmjetësimit.”.
2. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe nuk mund të ankimohet. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga organet e policisë, në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit dhe zyrën e shërbimeve sociale të njësisë vendore ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë, të përmendur në vendim.”.
Neni 15
Pika 1, e nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Jo më vonë se 20 ditë, nga dita e lëshimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, Gjykata kryen seancën, sipas nenit 16, të këtij ligji. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata: ”.
Neni 16
Në nenin 21 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 shfuqizohet.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kundër vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes dhe vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes mund të bëhet ankim. Ankimi paraqitet brenda 5 (pesë) ditëve, nga shpallja e vendimit ose nga dita e marrjes dijeni. Gjykata e Apelit vendos, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e regjistrimit të ankimit, me vendim të formës së prerë.”.
Neni 17
Në nenin 23 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Vendimi gjyqësor për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv nga dita e shpalljes së tij. Së bashku me urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, gjykata lëshon edhe urdhrin e ekzekutimit të tij. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga organet e policisë, në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit dhe zyrën e shërbimeve sociale të njësisë vendore ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, si më poshtë vijon:
“3/1. Gjatë kohëzgjatjes së vendimit gjyqësor për UMM/UM-në, zyra e shërbimeve sociale të njësisë vendore monitoron respektimin e Urdhrit të Mbrojtjes nga palët dhe, çdo 60 (gjashtëdhjetë) ditë, përgatit një raport, për të cilin, në çdo rast, vë në dijeni Policinë e Shtetit. Palët përkatëse në vendimin gjyqësor bashkëpunojnë për të siguruar vizitat në banesë të përfaqësuesve të zyrës së shërbimeve sociale të njësisë vendore dhe institucioneve përgjegjëse, sipas vendimit të gjykatës për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe/ose urdhrin e mbrojtjes, duke dhënë edhe informacionin e nevojshëm.”.
3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga palët ose të pengimit të ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes nga organet zbatuese, siç parashikohet në dispozitat e këtij ligji dhe/ose në vendimin e gjykatës, ndaj personave përgjegjës zbatohen dispozitat e Kodit Penal për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrat e lindura nga urdhrat e mbrojtjes.”.
4. Pikat 2 dhe 5 shfuqizohen.
Neni 18
Kudo në ligj, emërtimi “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB)” zëvendësohet me “ministria që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje”.
Neni 19
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9669, DATË 18.12.2006, “PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
P R O J E K T L I GJ
PËR
PAGESËN E DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA NË FAVOR TË BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH) 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Kryerjen e pagesës për aksionet e nënshkruara (paid-in) dhe të papaguara nga shteti shqiptar, të periudhës 1991-1998, që i përkasin Rezolutës 15 – Anëtarësimi i Shqipërisë në vitin 1991, dhe Rezolutës 59 – Rritja e parë e kapitalit në vitin 1996, në favor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Neni 2
Shuma prej 1 288 348.27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë pikë njëzet e shtatë) USD paguhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me dy këste të barabarta, përgjatë periudhës  2018-2019.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
*** 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PAGESËN E DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA NË FAVOR TË BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për pagesën e detyrimeve të prapambetura në favor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7918, DATË 13.4.1995, “PËR MIRATIMIN ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVE TË PRIVATIZIMIT (LEKË PRIVATIZIMI)” DHE DEKRETIT NR.1049, DATË 27.3.1995, “PËR DISA PLOTËSIME NË DEKRETIN NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVE TË PRIVATIZIMIT””, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni  1
Në ligjin nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë privatizimi)” dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit””, të ndryshuar”, fjalia e fundit e nenit 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2020”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R  I
GRAMOZ  RUÇI
*** 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM  NË LIGJIN NR.7918, DATË 13.4.1995, “PËR MIRATIMIN ME NDRYSHIME TË DEKRETIT NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVETË PRIVATIZIMIT (LEKË PRIVATIZIMI)” DHE DEKRETIT NR.1049, DATË 27.3.1995, “PËR DISA PLOTËSIME NË DEKRETIN NR.1030, DATË 23.2.1995, “PËR EMETIMIN DHE SHPËRNDARJEN E BONOVE TË PRIVATIZIMIT””, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë privatizimi)” dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit””, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.