Parku Arkeologjik i Orikut, një destinacion turistik i preferuar për natyrën e tij detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, ka hyrë në proces rikualifikimi. Gjatë vizitës së tij, Kryeministri, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u njoh me planet dhe projektet për transformimin e këtij parku, në një park natyror dhe arkeologjik njëkohësisht.
“Bashkë me Komisionin e Gërmimit të Institutit të Studimeve Arkeologjike po vazhdojnë gërmimet dhe ndërkohë jemi duke bërë një projekt për të propozuar organizmin e një sipërfaqeje më të madhe të parkut e për të propozuar një park natyror e arkeologjik njëkohësisht. Projekti është në bashkëpunim e sipër duke u kryer me universitetin e Gjenevës, Fakultetin e Arkitekturës dhe Arkeologjisë”, – informoi ministrja Kumbaro.
Parku i Orikut, i njohur për rolin e rëndësishëm që luajti në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeu, në vitet 49-48 para erës sonë, ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve në vitet e fundit. “Në 2017, krahasuar me 2013, kemi 110% rritje të numri të turistëve” – tha ministrja Kumbaro.
Pjesë të rëndësishme të këtij parku arkeologjik janë “Fontana Monumentale”, “Hyrja Veriore2, e zbuluar gjate viteve te fundit dhe “Rrënojat e Kishës mesjetare”. Ndërkohë që nga gërmimet e reja që po kryen kanë dalë në dritë pjesë të tjera të rëndësishme të këtij qytetërimi antik. “Është zbuluar një kullë e periudhës bizantine, si dhe pjesa e murit rrethues të periudhës bizantine të qytetit antik. Gërmimet janë zhvilluar dhe në hyrjen veriore të qytetit ku është zbuluar pjesë tjetër e murit rrethues, si dhe në pjesën e akropolit të qytet ku është zbuluar një kishë e periudhës paleokristiane, por dhe me faza të mëvonshme rindërtimi. Gërmimet arkeologjike tregojnë se ky qytet është unik përsa i përket urbanistikës dhe arkitekturës,” – u shpreh drejtori i Parkut Arkeologjik.