Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Maj 2018:
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 1078 (një mijë e shtatëdhjetë e tetë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve, është, si më poshtë vijon:
a) Për qarkun Elbasan (ZVRPP Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Peqin), numri i parcelave ndërtimore është 416 (katërqind e gjashtëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 113 337 (njëqind e trembëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë) m².
b) Për qarkun Berat (ZVRPP Berat, Skrapar dhe Kuçovë), numri i parcelave ndërtimore është 29 (njëzet e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 6 210 (gjashtë mijë e dyqind e dhjetë) m².
c) Për qarkun Durrës (ZVRPP Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 16 (gjashtëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 317 (shtatë mijë e treqind e shtatëmbëdhjetë) m².
ç) Për qarkun Tiranë (ZVRPP Tiranë dhe Kavajë), numri i parcelave ndërtimore është 298 (dyqind e nëntëdhjetë e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 83 599 (tetëdhjetë e tre mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m².
d) Për qarkun Korçë (ZVRPP Korçë dhe Pogradec), numri i parcelave ndërtimore është 20 (njëzet), me sipërfaqe të përgjithshme 5 488 (pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e tetë) m².
dh) Për qarkun Fier (ZVRPP Lushnje dhe Fier), numri i parcelave ndërtimore është 101 (njëqind e një), me sipërfaqe të përgjithshme 27 300 (njëzet e shtatë mijë e treqind) m².
e) Për qarkun Vlorë (ZVRPP Vlorë dhe Sarandë), numri i parcelave ndërtimore është 39 (tetëdhjetë e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 13 982 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) m².
ë) Për qarkun Shkodër (ZVRPP Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 28 (njëzet e tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 6 623 (gjashtë mijë e gjashtëqind e njëzet e tre) m².
f) Për qarkun Gjirokastër (ZVRPP Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet), numri i parcelave ndërtimore është 85 (tetëdhjetë e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 18 413 (tetëmbëdhjetë mijë e katërqind e trembëdhjetë) m².
g) Për qarkun Dibër (ZVRPP Dibër), numri i parcelave ndërtimore është 46 (dyzet e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 1 1391 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e një) m².
3. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-së, është 17 774,46 (shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër presje dyzet e gjashtë) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 311 249 398,98 (treqind e njëmbëdhjetë milionë e dyqind e dyzet e nëntë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tetë presje nëntëdhjetë e tetë) lekë.
4. Vlera e miratuar e kompensimit financiar për numrat rendorë dhe pasuritë e mëposhtme vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas kushteve vijuese:
a) Për numrin rendor nr.577, pasuria nr.7/19, në zonën kadastrale 8 591 dhe për numrin rendor nr.653, pasuria nr.155/82, në zonën kadastrale 3550, pas miratimit nga kreditori të vënies në dispozicion të shumës, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
b) Për numrin rendor nr.811, pasuria nr.5/501, në zonën kadastrale 8190 dhe për numrin rendor nr.819, pasuria nr.2/28, në zonën kadastrale 8110, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
c) Për numrin rendor nr.612, pasuria nr.1/61, në zonën kadastrale 8180 dhe për numrin rendor nr.848, pasuria nr.8/649, në zonën kadastrale 8222, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mosmarrëveshjes mbi të drejtat për këtë shumë (mes zotëruesve të titujve që krijonin mbivendosje), sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Elbasan, Librazhd, Peqin, Dibër, Bulqizë, Durrës, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Has, Tropojë, Lezhë, Lushnje, Fier, Berat, Kuçovë, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Tiranë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, të regjistrojë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16 të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
6. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
7. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfitues, për 242 (dyqind e dyzet e dy) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Numri i parcelave ndërtimore për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve është, si më poshtë vijon:
a) Për qarkun Durrës (ZVRPP-ja Durrës) numri i parcelave ndërtimore është 2 (dy), me sipërfaqe të përgjithshme 775 (shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë) m²;
b) Për qarkun Elbasan (ZVRPP-të Elbasan, Librazhd dhe Peqin) numri i parcelave ndërtimore është 101 (njëqind e një), me sipërfaqe të përgjithshme 24 533 (njëzet e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e tre) m²;
c) Për qarkun Tiranë (ZVRPP-të Tiranë dhe Kavajë) numri i parcelave ndërtimore është 27 (njëzet e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 8 492 (tetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e dy) m²;
ç) Për qarkun Kukës (ZVRPP-të Kukës, Tropojë dhe Has) numri i parcelave ndërtimore është 34 (tridhjetë e katër), me sipërfaqe të përgjithshme 10 187 (dhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m²;
d) Për qarkun Shkodër (ZVRPP-ja Shkodër) numri i parcelave ndërtimore është 49 (dyzet e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 13 223 (trembëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e tre) m²;
dh) Për qarkun Vlorë (ZVRPP-të Vlorë dhe Sarandë) numri i parcelave ndërtimore është 27 (njëzet e shtatë), me sipërfaqe të përgjithshme 9 562 (nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy) m²;
e) Për qarkun Fier (ZVRPP-ja Fier) numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 321 (treqind e njëzet e një) m².
9. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-së, është 8 718,61 (tetë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë presje gjashtëdhjetë e një) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 35 729 979,15 (tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë presje pesëmbëdhjetë) lekë.
10. Vlera e miratuar e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pasurinë nr.4/204, me numër rendor nr.129, në zonën kadastrale 3234, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
11. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës, Elbasan, Librazhd, Peqin, Tiranë, Kavajë, Kukës, Has, Tropojë, Fier, Vlorë, Sarandë dhe Shkodër të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 dhe 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
12. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E DISA PRONAVE, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronjat “a” e “ç”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e disa pronave në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, sipas lidhjes nr.1 dhe formularëve që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim realizimin e funksioneve administrative dhe ekonomike.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të qarkut të Tiranës”.
3. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Kamzë Vorë, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Korçë, Durrës dhe Sarandë.
2. Masa e kompensimit është 76 535,39 (shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e tridhjetë e pesë presje tridhjetë e nëntë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 083 745 912,78 (një miliard e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e dyzet e pesë mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë presje shtatëdhjetë e tetë) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
i. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
Prona nr.1, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
ii. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
Pronat 14, 17 dhe 44, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pasi të ketë përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas pikës 14, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
iii. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
Pronat 4, 5, 6, 13, 17, 19, 28, 31, 37, 40, 63, 194 dhe 206, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
ç) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
Pronat 8, 153 dhe 164, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Kamzë Vorë, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Korçë, Durrës dhe Sarandë, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUFIRIT MAKSIMAL TË TARIFËS VJETORE TË SHKOLLIMIT PËR STUDENTËT QË NDJEKIN STUDIMET NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE ME KOHË TË PLOTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kufiri maksimal i tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë, pasqyrohet në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Institucionet publike të arsimit të lartë, brenda muajit prill, por, në çdo rast, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë para fillimit të vitit akademik, me vendim të organeve kolegjiale, miratojnë tarifën vjetore të shkollimit për çdo program studimi brenda kufirit maksimal të përcaktuar në këtë vendim. Tarifat vjetore të shkollimit, të miratuara me vendim të bordit të administrimit, bëhen publike në faqen zyrtare të institucioneve publike të arsimit të lartë.
3. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
4. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
5. Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin transferohen dhe ndjekin studimet.
6. Kandidatët/aplikantët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi dhe, në këtë rast, aplikantët fitues përballojnë koston e plotë të studimeve, me përjashtim të studentëve të shkëlqyer. Kufiri maksimal i tarifës vjetore të shkollimit për studentët që vijojnë një program të dytë studimi pasqyrohet në tabelën nr.1 të këtij vendimi.
7. Shtetasit e huaj, që vazhdojnë studimet në një program të parë apo në një program të dytë studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen të njëjtës tarifë vjetore të shkollimit, si shtetasit shqiptarë që vazhdojnë studimet në këto programe studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me përjashtim të rasteve kur, me marrëveshje zyrtare shtetërore, janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave vjetore të shkollimit. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dërgon për çdo vit në institucionet publike të arsimit të lartë listën e studentëve të huaj që përfitojnë nga marrëveshjet zyrtare shtetërore.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
****
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIMIN, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE EUROJUST-IT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË NJË STUDIMI FIZIBILITETI PËR PROJEKTE TË INFRASTRUKTURËS SË TRANSPORTIT, NË ZONAT BREGDETARE JUGORE TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit, në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë, me një grant në shumën prej 200 000 (dyqind mijë) KD (dinarësh kuvajtianë), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.167, DATË 19.2.2009; NR.286, DATË 18.3.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.61, DATË 23.1.2013; NR.117, DATË 17.2.2011; NR.490, DATË 18.6.2013; NR.686, DATË 16.8.2013; NR.713, DATË 29.10.2014; NR.42, DATË 24.4.2015; NR.446, DATË 15.6.2016, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar”, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet e mëposhtme të Këshillit të Ministrave bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në vendimin nr.1481, datë 12.11.2008, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për dy parcela ndërtimore me nr. pasurie 153/124, 8/155, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në vendimin nr.1657, datë 24.12.2008, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 7/42, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Në vendimin nr.100, datë 27.1.2009, ndryshon sipërfaqja për katër parcela ndërtimore me nr.pasurie 155/210, 213/2, 6/381, 7/262 dhe ndryshohen gjenealitetet për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 6/315, 7/236, sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.167, datë 19.2.2009, ndryshohen gjenealitetet për tri parcela ndërtimore me nr.pasurie 151/30, 151/300, 1/816, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në vendimin nr.286 datë 18.3.2009, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 16/109 dhe ndryshohen gjenealitetet për parcelën me nr. pasurie 8/749, sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Në vendimin nr.450, datë 6.5.2009, ndryshon sipërfaqja për gjashtë parcela ndërtimore me nr.pasurie 7/282, 2/283, 3/310, 3/309, 1/372, 4/206, ndryshohen gjenealitetet për tri parcela me nr. pasurie 4/349, 3/303, 4/335 dhe shfuqizohet kalimi i pronësisë për parcelën me nr.pasurie 29/93, sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Në vendimin nr.611, datë 11.6.2009, ndryshohen gjenealitetet për dhjetë parcela ndërtimore me nr.pasurie 15/187, 120/36, 14/97, 5/156, 5/618, 13/91, 3/619, 7/331, 2/697, 11/468, shfuqizohet kalimi i pronësisë për tri parcela ndërtimore me nr.pasurie 6/98+1-2, 2/92, 2/13+1-1, dhe ndryshon sipërfaqja për nëntë parcela me nr.pasurie 1/134, 1/136, 14/161, 2/532, 3/742, 3/577, 12/68, 5/483, 2/499, sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Në vendimin nr.677, datë 18.6.2009, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për njëzet parcela ndërtimore me nr. pasurie 3/294, 8/412, 80/193, 80/194, 80/121, 8/896, 3/196, 4/288, 8/1034, 440/830, 440/352, 2/313, 1/237, 8/844, 5/671, 5/664, 5/489, 2/879, 1/571, 3/586, 11/357, 5/641, sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Në vendimin nr.706, datë 23.6.2009, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për shtatëmbëdhjetë parcela ndërtimore me nr.pasurie 4/381, 4/413, 4/383, 10/426, 4/502, 3/755, 12/374, 6/323, 6/544, 8/1074, 6/518, 400/33, 2/249, 1/314, 400/379, 400/27, 13/606, sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Në vendimin nr.805, datë 22.7.2009, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për dymbëdhjetë parcela ndërtimore me nr.pasurie 12/288, 16/336, 93/9, 85/95, 85/97, 187/16, 6/927, 8/677, 7/643, 3/357, 7/522, 3/522, sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Në vendimin nr.1038, datë 14.10.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit dhe sipërfaqja për tridhjetë parcela ndërtimore me nr.pasurie 9/957, 15/19, 5/968, 7/452, 1/430, 7/673, 1/447, 8/1020, 7/472, 3/854, 11/233, 3/451, 3/463, 1/830, 1/430, 3/743, 1/427, 3/203, 5/193, 7/405, 7/348, 7/447, 7/467, 3/359, 9/464, 5/172, 7/307, 8/1101, 6/298, 1/856, sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Në vendimin nr.1134, datë 18.11.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për tri parcela ndërtimore me nr.pasurie 123/11, 11/179, 51/26, sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Në vendimin nr.1283, datë 23.12.2009, ndryshon sipërfaqja për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 4/690, 3/276 dhe ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për katër parcela ndërtimore me nr.pasurie 245/16, 136/233, 231/138, 291/421, sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Në vendimin nr.125, datë 17.2.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për nëntë parcela ndërtimore me nr.pasurie 4/780, 9/346, 4/500, 1/317, 4/284, 1/808, 5/417, 2/418, 8/223, sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Në vendimin nr.247, datë 13.4.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për gjashtë parcela ndërtimore me nr.pasurie 10/123, 19/92, 2/529, 393/164, 1/851, 9/642/1 dhe shfuqizohet kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 29/380, sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Në vendimin nr.404 datë 26.5.2010, ndryshon sipërfaqja për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 4/788, 2/769, sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Në vendimin nr.549 datë 7.7.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për pesë parcela ndërtimore me nr. pasurie 17/40, 5/203, 258/220, 111/629, 2/620, sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Në vendimin nr.646, datë 28.7.2010, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për tridhjetë parcela ndërtimore me nr.pasurie 5/249, 3/169, 3/398, 3/177, 2/443, 7/585, 34/207, 80/1288, 1/223, 8/629, 400/1408, 400/1404, 3/695, 7/571, 1/735, 6/601, 3/667, 3/593, 34/137, 34/138, 4/379, 8/240, 6/637, 3/688, 10/242, 438/31, 34/143, 1/1131, 3/905, 10/500, sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Në vendimin nr. 118, datë 17.2.2011, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 29/198, sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Në vendimin nr.359, datë 4.5.2011 ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 5/170, 302/6, sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Në vendimin nr.822, datë 23.11.2011, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për katër parcela ndërtimore me nr.pasurie 24/88, 43/9, 7/327, 8/506, sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Në vendimin nr.513, datë 1.8.2012, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 5/426, 8/571, sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Në vendimin nr.61, datë 23.1.2013, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 7/275, sipas lidhjes Z, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
24. Në vendimin nr.117, datë 17.2.2011, ndryshohen gjenealitetet dhe konfigurimi për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 4/485, 2/294, sipas lidhjes ZH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
25. Në vendimin nr.490, datë 18.6.2013, ndryshon sipërfaqja dhe gjenealitetet për dy parcela ndërtimore me nr.pasurie 7/168, 4/691, sipas lidhjes AC, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
26. Në vendimin nr.686, datë 16.8.2013, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr. pasurie 3/431, sipas lidhjes AE, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
27. Në vendimin nr.713, datë 29.10.2014, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/1207, ndryshohen gjenealitetet për parcelën me nr. pasurie 17/502 dhe shfuqizohet kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 58/600, sipas lidhjes AG, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
28. Në vendimin nr.42, datë 21.1.2015, ndryshohen gjenealitetet dhe konfigurimi për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 1/102, sipas lidhjes AH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
29. Në vendimin nr.446, datë 15.6.2016, ndryshohen gjenealitetet për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 6/202, sipas lidhjes AI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA RREGULLA TË VEÇANTA PËR PUNËMARRËSIT E PËRKOHSHËM, TË CILËT PUNËSOHEN NGA AGJENCITË E PUNËSIMIT TË PËRKOHSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, pika 2, dhe 18/1, pika 5, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punëmarrësi i përkohshëm punësohet nga një agjenci për punësim të përkohshëm (në vijim, “agjencia”) pasi nënshkruan një kontratë pune me këtë agjenci, me qëllim punësimin e tij pranë një ndërmarrjeje pritëse, për një periudhë kohe të përkohshme, nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e agjencisë dhe të ndërmarrjes pritëse. Kontrata e punës me agjencinë lidhet për një periudhë kohe jo më shumë se 2 vjet.
2. Punëmarrësi i përkohshëm nuk i paguan tarifë agjencisë për punësimin e tij në ndërmarrjen pritëse.
3. Ndërmarrja pritëse duhet t’u sigurojë edhe punëmarrësve të përkohshëm akses për t’u trajnuar si punëtorët e përhershëm, me qëllim përmirësimin e aftësive dhe të njohurive të tyre për fushën e pozicionit ku janë punësuar.
4. Në bazë të marrëveshjes së punësimit me ndërmarrjen pritëse, agjencia vendos punësimin e punëmarrësit të përkohshëm në rast:
a) zëvendësimi të një punëmarrësi, i cili mungon përkohësisht;
b) rritjeje të vëllimit të punës, përkohësisht;
c) rritjeje të vëllimit të punës stinore;
ç) realizimi të një projekti me afat të përcaktuar;
d) realizimi të një projekti jashtë veprimtarisë që kryen ndërmarrja pritëse.
5. Punësimi i punëmarrësit të përkohshëm pranë ndërmarrjes pritëse ndalohet nëse:
a) me anë të punësimit të tij zëvendësohen punëmarrës, të cilët ushtrojnë të drejtën e grevës;
b) punëdhënësi, gjatë 6-mujorit të fundit ka kryer largime nga puna të punëmarrësve me të njëjtin profesion, për arsye ekonomike, ose gjatë 12-mujorit të kaluar ka kryer largime kolektive nga puna, për të njëjtat profesione;
c) puna, për shkak të natyrës së saj, paraqet rrezik për shëndetin dhe sigurinë e punëmarrësit.
6. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore kryen inspektime periodike për të përcaktuar përputhshmërinë e veprimtarisë së agjencisë me legjislacionin përkatës.
7. Punëmarrësit e përkohshëm punësohen nga agjencitë e pajisura me licencën e kategorisë X.2.A, “Ndërmjetësim në tregun e punës”, në zbatim të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregulla të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.
8. Agjencia, ҫdo gjashtë muaj, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për strukturën dhe veprimtarinë e vet.
9. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe agjencitë e punësimit të përkohshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RI I SHKOLLËS TIP 1 + TIP 4, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR.9, SHESHI 9/1”, NË BASHKINË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i ri i shkollës tip 1 + tip 4, në njësinë administrative nr.9, sheshi 9/1”, në Bashkinë Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, me një vlerë të përgjithshme prej 46 741 296 (dyzet e gjashtë milionë e shtatëqind e dyzet e një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë.
5. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
7. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 46 741 296 (dyzet e gjashtë milionë e shtatëqind e dyzet e një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
8. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
9. Shpronësimi të fillojë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA