Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga llogaridhënia publike e Kryeministrit Edi Rama në Gjirokastër:

Më vjen shumë mirë që jemi këtu, sot dhe më vjen shumë mirë që ka një pjesëmarrje më të lartë, sesa çfarë ishte llogaritur nga organizatorët. Të mundohemi që të nxjerrim maksimumin nga ky mundim i juaji për të ardhur dhe për të na dëgjuar.

Kjo është një fushatë llogaridhënie siç e kemi quajtur. Programi i takimeve të mëdha dhe të vogla në të gjithë territorin arrin në rreth 1000 takime dhe kontakte, për t’u dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve, jo vetëm në qendrat e mëdha, por dhe nëpër njësi administrative më të thella, por dhe nëpër fshatra ku s’ka shkelur ndonjëherë ndonjë ministër apo ndonjë qeveritar, që të mund të na dëgjojnë dhe të na shprehin edhe opinionet e tyre.

Ne bëjmë këtë edhe me një bindje tjetër, se asgjë e mirë nuk i vjen një qeverie, apo një force politike, në rast se kujtohet për të shkuar te njerëzit vetëm kur do vota. Pavarësisht se çfarë të metash mund të ketë kjo fushatë dhe se si mund të bëhet më mirë, një gjë është e sigurt, që është hera e parë që qeveria që në fillim, pa mbaruar ende vitin e parë të mandatit shkon te njerëzit, jo për të kërkuar vota, por për t’iu dhënë shpjegime, për të dëgjuar opinionet e tyre dhe për të marrë kritikat e tyre, apo për të marrë dhe ndonjë sharje, që nuk bën keq në këto raste.

Unë dua të përqendrohem tek 3 gjëra, për të mos u shtrirë në të gjitha të tjerat, për t’i lënë kohë secilit prej jush të marrë mikrofonin dhe të thotë apo të pyesë çfarëdo qoftë.

Së pari, ne kemi nisur të bëjmë një përpjekje shumë serioze për shërbimet administrative. E dimë shumë mirë të gjithë që është një sëmundje e vjetër, është një problem i madh për njerëzit, kur iu duhet të shkojnë në një zyrë, në hipotekë apo çfarëdo qoftë, – por hipoteka është simboli në këtë pikë, – për të marrë një dokument. Ne kemi siguruar një mekanizëm që për çdo njeri, pavarësisht se jeton në qytet, jeton në fshat, është i pasur, apo është i varfër,  njeh apo nuk njeh njeri, të ketë mundësinë që brenda 10 ditësh të marrë zgjidhe për problemet e tij me administratën. Platforma www.shqiperiaqeduam.al është një adresë ku çdo qytetar i këtij vendi mund të marrë zgjidhje, edhe për probleme që kanë vite dhe që nuk janë zgjidhur.

Çdo muaj, ne zgjidhim rreth 1000 probleme njerëzish me hipotekën, me tatimet, me OSHE-në, ALUIZNI-n, probleme njerëzish me dokumentet e pensionit dhe me gjithfarëlloj zyrash. Çdo kërkesë dhe çdo ankesë që kalon përmes platformës nuk ndjek rrugën e zakonshme, tradicionale, të burokracisë, por shkon direkt tek ministri apo ministrja që ka detyrë të mbulojë atë sektor. Është detyra e tyre ta ndjekin, duke u bërë krahu i personit që ankohet.

Ka raste kur kërkesa nuk është e drejtë dhe thuhet kjo nuk bëhet, por, sidoqoftë, kur dikush pret me vite një përgjigje, edhe “Jo”-ja është më e mirë sesa mospërgjigja, ka raste kur kërkesat nuk lidhen me qeverinë, lidhen me gjykatën dhe e kemi të pamundur që t’i zgjidhim, por shumica janë raste kur kërkesat janë të drejta dhe lidhen me administratën, atëherë, për çdo rast si ky, pasi personi merr të drejtën e vet, bëhet një hetim administrativ, pse është penguar dhe kur konstatohen shkelje, apo kur dyshohet për korrupsion nga ana e atyre punonjësve që kanë pasur detyrë të japin përgjigjen, ka largime nga puna, ka ndjekje penale, ka edhe paralajmërime për largime nga puna. Pra, nuk është se mbetet gjëja pa u hetuar dhe pa u ndëshkuar, kur është fala për ndëshkim. Janë rreth 120 persona që janë ndëshkuar për mospërgjigje ndaj qytetarëve.

Kjo është një gjë e re e sigurisht njerëzit mund të kenë mosbesim, mund t’iu vijë më për mbarë të ndjekin atë rrugën e vjetër, kap deputetin, gjej mikun, mundohu të japësh lekë etj., por ajo që unë di është se kjo nuk ka asnjë mundim. Janë vetëm 3 minuta në kompjuter. Nëse dikush nuk e ka internetin në shtëpi, në çdo njësi administrative mund të përdorë internetin për të bërë ankesën e vet, apo mund ta të bëjë tek Posta dhe vetëm10 ditë për të vënë në provë nëse kjo funksionon, apo nuk funksionon.

Unë them me fakte që kjo funksionon. Prandaj, ju lutem të gjithëve të ndiqni këtë rrugë, në mënyrë që të merrni zgjidhjen dhe në mënyrë që të ndihmoni të zgjidhim edhe problemin tjetër të përgjithshëm, të pastrimit të administratës nga ata që janë mësuar të jetojnë si parazitë, duke mos iu përgjigjur njerëzve dhe si grabitqarë duke futur duart në xhepat e njerëzve dhe të disiplinimit të administratës, në kuptimin që administrata të fillojë ta kuptojë se çdo njeri që kërkon diçka potencialisht mund t’i hapë një problem në rast se administrata nuk përgjigjet si duhet.

E dyta që dua të përmend janë taksat. Ne kemi pasur dhe kemi një debat jo të mbështetur mbi fakte, por të mbështetur mbi një perceptim të krijuar nga shumë arsye, të cilave nuk po i hyj, se kjo qeveri ka rritur taksat.

E vërteta është se kjo qeveri i ka ulur taksat.

Ka vetëm dy taksa që ne kemi rritur; Taksën për më të pasurit dhe këtë e kemi thënë qysh në programin e 2013-ës, që kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe sot, në Shqipëri, në krahasim me sistemin e vjetër të taksave, paguajnë më shumë taksa, ata që fitojnë më shumë, jo ata që fitojnë më pak.

Nëse marrim pagat, deri në një pagë që shkon mbi 1 milionë lekë, kemi taksa më të ulëta sesa më parë. Të gjithë mësuesit paguajnë më pak taksa mbi rrogën e tyre, paguanin 10% taksë, sot paguajnë më pak, infermierët paguajnë më pak, punonjësit e tjerë, në shtet, apo në privat, paguajnë më pak taksa.

Biznesi i madh paguan më shumë. Neve që na thonë këta janë të të pasurve, janë të oligarkëve, ne e kemi rënduar biznesin e madh me më shumë taksa. E kemi thënë dhe e kemi bërë. Biznesi i vogël sot, në krahasim me më parë, sipas xhiros paguan ose zero nga 10% që e kishte, ose 5% nga 10% që e kishte. Vendosëm TVSH-në për biznesin e vogël, jo për të rritur taksën mbi biznesin e vogël, por për të mos lejuar që të mëdhenjtë të bëjnë si të vegjël, ose të përdorin të vegjlit për të bërë evazion.

Ajo që po bëjmë tani dhe që do të jetë ligj në muajt që vijnë, përpara mbylljes të këtij sesioni të Parlamentit, është që, nëse deri më sot, kush ka një biznes të vogël deri në 80 milionë lekë të vjetra në vit xhiro paguan 5% taksë dhe ka frikë se nga sistemi i TVSH-së i dalin të vërtetat dhe rritet mbi 80 dhe pastaj shkon në mbi 15% taksë, ne këtë tavan do ta rrisim. Ne do të trajtojmë, siç trajtohet sot biznesi i vogël, të gjitha bizneset deri në 140 milionë, që do të thotë se kush ka xhiro deri në 140 milionë do paguajë vetëm 5% taksë. Që do të thotë se për ata, të cilët sot paguajnë 15% dhe që janë midis 80 dhe 140 do të ketë përgjysmim të taksës. Kjo është politika jonë e taksave.

Ne  kemi rritur edhe taksën e karburantit dhe e kemi bërë me vetëdije, duke pasur parasysh rënien e çmimit të karburantit. Jemi të gjithë dëshmitarë që sot, me gjithë taksën brenda, çmimi i karburantit është më i ulët sesa ishte përpara rritjes, përpara vitit 2013, për arsye ndërkombëtare, jo për arsye të ndonjë merite të qeverisë.

Por, sidoqoftë, duhet të kemi parasysh që vendi mbahet me taksa. Punët bëhen me taksa. Nëse kërkojmë ujësjellës, nëse kërkojmë rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, nëse kërkojmë të gjitha gjërat, -me të drejtë dhe duhen, – këto financohen nga taksat.

Është tërësisht e pavërtetë dhe është një manipulim i madh që ne paskemi dhënë qindra milionë oligarkëve për koncesione, sepse duket sikur ne kemi marrë nga arka e shtetit disa qindra milionë, i kemi futur në thes, ua kemi dhënë atyre.

Në fakt e vërteta është ndryshe. E vërteta është që ne kemi paguar dhe paguajmë çdo vit, pjesë-pjesë, sipërmarrje që kanë marrë koncesionin për të bërë shërbime publike më të mira. Kishim kontrollin shëndetësor bazë, ishte 81 mijë lekë. Askush nuk e ka bërë, as unë, askush nga ju, që të shkojë të bëjë kontroll shëndetësor dhe të paguajë pa qenë i sëmurë, sepse ne nuk e kemi as për kulturë. Shteti e ka për detyrë ta bëjë dhe vendet europiane e bëjnë me detyrim. Në institucionet europiane nuk mundet dot të fillosh punë, nëse nuk bën kontrollin mjekësor bazë dhe nuk të rinovohet kontrata, nëse nuk e bën këtë rregullisht. Duke të çuar te kontrolli mjekësor bazë, e para, ndihmohesh që t’i dalësh përpara gjithçkaje që t’i mund ta kesh në organizëm, por akoma nuk të është kthyer në sëmundje, si dhe i ulen kostot vetë shërbimit shëndetësor të një vendi, sepse në vend që të kurojë një numër të caktuar sëmundjesh që shfaqen dhe merren vesh kur s’ke çfarë u bën për t’i parandaluar, harxhon më shumë për parandalimin. Ky është një financim i shtetit për një aspekt falas të shërbimit shëndetësor. Sigurisht që për këtë “falas” dikush paguan dhe paguan shteti.

Shërbimin e bën shërbimin një privat, sepse i është kërkuar të bëjë investimin. Sot në të gjithë territorin e Shqipërisë janë 380 qendra shëndetësore që bëjnë kontroll mjekësor bazë dhe është i gjithë rrjeti, i cili është investuar me laboratorë analizash të standardeve më të larta ndërkombëtare. Këto para shteti nuk i ka. Privati e bën investimin dhe shteti fillon e shlyen investimin në vite. Pra, nuk bëhet fjalë në këtë rast për 60 milionë euro që janë dhënë me një dorë. Bëhet fjalë për 10 vjet, çdo vit afërsisht nga 6, për të marrë këtë shërbim. Pastaj të gjithë laboratorët dhe i gjithë rrjeti bëhet pronë e shtetit.

Po kështu dializa, po kështu instrumentet mjekësore. Ne kishim një situatë ku në 50 mijë operacione që bëhen në Shqipëri në një vit, infeksionet post operatore për shkak të instrumenteve mjekësore ishin më të larta sesa në të gjithë rajonin, lëre pastaj Europën. Duhet të ndërronim të gjithë sistemin e instrumenteve mjekësore. Është goxha investim dhe nuk kishim lekë për ta bërë këtë menjëherë. Ia dhamë një privati që të bëjë investimin dhe sot, në maternitete dhe deri në shtator, në të gjithë spitalet e Shqipërisë do të shtrihet ky sistem. Dhe është fakt që ka një rënie të ndjeshme të infeksioneve post operatore. Infeksionet post operatore nga instrumentet mjekësore të vjetra dhe të pasterilizuara siç duhet janë përsëri kosto në shëndet dhe kosto në xhep për qytetarët. Kjo është ajo që kemi bërë ne.

Së treti, dua të flas për zonën. Gjirokastra dhe e gjithë zona ka nevojë për shumë gjëra e kjo nuk diskutohet. Por, nëse kthehemi mbrapa në pak vite, do shikojmë që sot jemi në një pozicion tjetër. Deri pak vite më parë, këtu numëroheshin me gjysmat e gishtave të njërës dorë, hotelet e bujtinat. Sot janë mbi 15 dhe të tjera po hapen. Fluksi i turistëve është në rritje. Po të shikosh vetëm të ardhurat nga kalaja e Gjirokastrës, nga turistët, është në rritje të konsiderueshme dhe trendi do jetë në rritje të vazhdueshme. Po të shikojmë vlerën e shtëpive, vlera e metrit katror është rritur. Në një ekonomi që bie, nuk rritet vlera e shtëpive.

Potenciali është shumë i madh, për të vazhduar për të shtrirë këtë rrjet mikpritjeje që sjell të ardhura në ekonominë familjare, sepse Gjirokastra pasurinë e vet e ka tek turizmi. Krijimi i kushteve për të pasur më shumë turizëm dhe për ta shtrirë përtej një harku të ngushtë sezonal, është detyrë e qeverisë, por në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe në bashkëpunim me individët.

Ka përfunduar faza e parë e restaurimit të thellë në Qafën e Pazarit. Janë 10 blloqe që janë transformuar rrënjësisht, janë zëvendësuar të gjitha çatitë e vjetra, janë zëvendësuar dritaret, janë zëvendësuar vetratat, do fillojë faza e dytë. Duhet të fillonte tani, por për shkak se po të hapeshin të gjitha rrugët e zemrës së qytetit për të bërë infrastrukturën nëntokësore, për të futur të gjithë sistemin e ndriçimit, mund të bëhej një rrëmujë e madhe dhe të prishte punë për sezonin, ndaj do fillojë në shtator. Gjithçka është gati.

Në Libohovë duket qartë që është nata me ditën kur hyn dhe patjetër më shumë njerëz do shkojnë. Nuk bëhet fjalë të krahasosh Tepelenën ku jemi sot, me Tepelenën e deri para 4 viteve, ku mezi shkoje se turist nuk shkelte në Tepelenë. Patjetër edhe Përmeti, Këlcyra, Dropulli.

Ajo që ne tani duam të bëjmë dhe ta nxisim shumë është agroturizmi. Të gjitha zonat përreth Gjirokastrës, përreth Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Libohovës e me radhë kanë një potencial të madh për të bërë biznes me agroturizëm, për të bërë biznes me bukurinë dhe me traditën e mikpritjes. Për këtë arsye, të gjithë atyre që kanë disa dhoma dhe do investojnë për t’i kthyer në agrobiznes, pra, në bujtina, apo për të ndërtuar edhe hotele pak më të mëdha, por flasim njëherë për shtëpitë ekzistuese që kthehen në bujtina, me një mundësi për të ngrënë, me një fermë të vogël, do t’u japim një paketë mbështetje, ku TVSH-në do ta kenë 6%, njësoj si sistemi i mbështetjes së hoteleve me 4 dhe me 5 yje, ku tatim-fitimin do ta kenë 5% që është minimumi dhe ku  do kenë të ardhura, siç tregon historia e shumë shembujve që janë këtu. Nuk është diçka që e kemi parë jashtë dhe duam ta bëjmë këtu, por është diçka që e kemi parë këtu, e kemi parë në Përmet, në Tepelenë dhe në shumë zona të Shqipërisë.

Duhet vetëm pak imagjinatë, kurajo dhe vullnet për punë, në mënyrë që edhe ata që jetojnë në një zonë të mrekullueshme nga ana e natyrës, po të varfër, të mund të bëjnë biznes dhe të fitojnë shumë më tepër saç do fitonin nga një rrogë shteti, ashtu sikundër për të krijuar punësim real dhe punësim që sjell të ardhura shumë më të larta, sesa punësimi tjetër që sot është problem edhe për shkak të të ardhurave më të ulëta. Por edhe në këtë aspekt, në Gjirokastër, në dy muajt e fundit kemi 340 punësime vetëm nga zyra e punës. Ama kemi dhe numrin më të lartë të refuzimeve për punë. Shumica duan të punojnë në shtet, pjesa tjetër kanë të ardhura nga emigracioni. Gjirokastra është zonë kufitare. Gjithmonë do jetë e lidhur shumë më tepër sesa zonat e tjera me anën tjetër dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por unë jam i bindur që kthesa që ka filluar, do sjellë gjithmonë e më shumë pozitivitet në ekonominë e zonës dhe në ekonominë familjare të të gjithë atyre që nuk rrinë ta presin punën që t’ju vijë nga kthesa e sokakut, por e krijojnë punën, sepse mundësi për të krijuar punë këtu ka, për shkak se ka dhe do të ketë gjithmonë e më shumë turizëm.

Zoti Kryeministër, unë jam një nga banoret e dëmtuara të pallatit në lagjen Kodra e …

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi bërë studimin gjeologjik, e kemi mbaruar projektin, është i shtrenjtë, por nuk kemi rrugën tjetër. Ne do ta financojmë projektin dhe do ta bëjmë. Qëllimi ynë ta përfundojmë përpara sesa të fillojë dimri. Ky është qëllimi. Shpresoj që t’ia arrijmë qëllimit.

Unë kam shqetësim me shtëpinë. Akoma nuk ka mbaruar problemi i shtëpisë. Vajta 6 muaj që më kanë hequr dritat. Gjithçka ka ngecur te Gjykata e Lartë në Tiranë. Kam bërë një rekurs, vajta 4 vjet dhe nuk më është kthyer përgjigje. Dua të falënderoj shumë prokurorinë, policinë se më kanë ndihmuar jashtë mase dhe jam në proces gjyqësor akoma.

Kryeministri Rama: Për rastin tënd konkretisht s’kemi çfarë shtojmë, sepse është në Gjykatë. Si ky rast ka plot. Por është rasti për të përsëritur atë që shumë njerëz nuk e kuptojmë, ose nuk duan ta kuptojnë, ose janë të mërzitur dhe nuk kanë më durim dhe refuzojnë që ta dëgjojnë. Ne nuk kemi mundësi të zëvendësojmë gjykatat. Qeveria nuk bën dot gjykatat. Kryeministri nuk bën dot prokurorin, se shumë herë i dëgjoj që thonë “fut në burg këtë apo atë”, apo “po nuk u fut në burg ai, edhe ti je si ata”. Ne e kemi ndërruar këtë sistem. Që kur kemi vendosur të hyjmë në këtë sistemin e ri, ia kemi hequr mundësinë dhe shumë mirë kemi bërë, qeverisë, partisë, kryeministrit, që të caktojë kush hyn në burg, kush del nga burgu. Ashtu sikundër gabojnë ata që thonë që qeveria kap të varfrit, por s’kap dot ata që janë të fortë. Nuk është kështu. Këtë punë duhet ta bëjë sistemi i drejtësisë. Ajo që qeveria mund të bëjë, që qeveritë e tjera nuk e bënë dhe që ne po e bëjmë, është të reformojë sistemin e drejtësisë dhe ta bëjë sistemin e drejtësisë të aftë dhe të gatshëm që të bëjë gjënë e duhur. Ne po bëjmë vetting-un. Ka filluar një pastrim i sistemit të drejtësisë, që deri përpara një viti nuk imagjinohej se mund të ndodhte në Shqipëri. Njerëz të fuqishëm që kanë pasur në dorë fatin e njerëzve, që nuk i ka parë njeri në televizor, se ishin mbi të gjithë, sot kanë dalë jashtë sistemit. Një pjesë e tyre do japin llogari nesër përpara sistemit të ri për pasurinë që kanë vënë në mënyrë të paligjshme, apo për vendimet që kanë marrë në mënyrë të paligjshme.

Kjo është ajo mund të bëjmë ne. Ne nuk mundet dot të ndalojmë orën. As ta kthejmë orën mbrapsht dhe të fillojmë historitë me kapje politike. Është prokuroria që duhet të bëjë detyrën e vet. Janë gjykatat që duhet të bëjnë detyrën e tyre. Fatkeqësisht, sot ka akoma raste, përditë, nëpër gjykata ku shkelen të drejtat e njerëzve. Por kjo nuk duhet që t’i bëjë njerëzit të mendojnë se këtu e ka fajin qeveria, sepse qeveria dhe kjo shumicë ka bërë atë që nuk e ka bërë askush tjetër më parë, ka garantuar kthesën në sistemi e drejtësisë. Natyrisht do kërkojë kohën e vet. Nuk ndërtohet dot një sistem i tërë drejtësie, aq më tepër duke përmbysur një tjetër, sa hap e mbyll sytë. Por progresi në këtë drejtim është i përditshëm. Ju e shikoni, çdo ditë në televizor dalin gjykatës e prokurorë përpara ligjit. Ai është gjyq, gjyq i pasurisë, gjyq i integritetit, gjyq i aftësisë profesionale. Ju shikoni se si një pjesë e madhe e tyre rrëzohen në atë gjyq. E këtë bëri reforma në drejtësi.

Natyrisht, për ata që e kanë problemin sot, këto të gjitha janë llafe. Por nuk ka një zgjidhje tjetër. Nuk ka një mundësi që qeveria të marrë kompetencat e prokurorisë e të gjykatës dhe të bëjë drejtësi vetë, se këtë nuk e lejon ky sistem dhe kjo në pamje të parë të duket sikur mund të zgjidhë problemin, por kjo krijon probleme shumë më të rënda, sesa vetë këto probleme të rënda që ne kemi.

Vij nga një familje ushtaraku, rënë në krye të detyrës. Më ka ardhur një dokument, “e rënë në krye të detyrës dhe e dalë në pension të parakohshëm”. Këto dy gjëra nuk ka mundësi të jenë. Sigurimet shoqërore nuk e kanë kërkuar ta gjejnë me kohë këtë gjë. E kam kërkuar vetë dhe e kam gjetur, ua kam sjellë. Tani nuk ma japin pensionin që nga 2009-ta që më takon, por ma japin nga 2014-ta. E kam fituar edhe këtu në Gjirokastër. Tani më dërgojnë në Tiranë. Unë nuk kam mundësi të bredh në Tiranë.

Kryeministri Rama: Nuk do lëvizësh nga vendi fare. Nëse nuk e përdor dot kompjuterin, një nip apo mbesë të shkruaj tek platforma. Për 10 ditë do e kesh të zgjidhur këtë punë.

Unë kam një dyqan prej 25 vitesh. Para 25 viteve më është dhënë ok nga të gjithë institucionet, nga ministria e Ekonomisë, e Shëndetësisë, Kryeministria, ndërsa ministria e Financës më nxjerr në ankand pas 25 vitesh. Dhe në ankand vajti shuma për 38 metra katror, 150 milionë. Kush vallë e ka blerë në Gjirokastër 150 milionë? Ai që kam unë në krah e ka blerë 150 milionë, që ka bërë një ndërtesë 5-kate. Pse për mua është kjo padrejtësi? Ministria e Financës më ka marrë 10 milionë që në korrik të 2017, duke më nxjerrë në ankand. Pse duhet të dal në ankand?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di konkretisht rastin, por në ankand del se me sa duket, nuk është e jotja, apo jo?

Është e shtetit. Po dhe unë e shtetit jam.

Kryeministri Edi Rama: E shtetit je dhe ti, por po atyre që i lind e drejta të marrin pjesë në ankand, nuk janë të shtetit? Të gjithë të shtetit janë.

Disa zona tona kanë shqetësim furnizimin me ujë. Kur do të ndërhyhet në rrjetet e ujësjellësit për Memaliajin dhe Këlcyrën?

Kryeministri Rama: Pak më parë përmenda edhe Këlcyra, edhe Memaliaj dhe janë projektet në vazhdim.

Çfarë projektesh ka qeveria për fshatrat e Kurveleshit? Çfarë ke menduar për pensionet e fshatit?

Kryeministri Rama: Përsa i përket Kurveleshit kemi bërë rrugën. Përsa i përket pensioneve është me shumë vend shqetësimi, por pyetja që duhet bërë është, a ka ndonjë kryeministër në botë që nuk do t’i rrisë pensionet? Nuk ka. Atëherë, si shpjegohet kjo situatë? Kjo situatë shpjegohet me faktin që në 25 vjet nuk u bë reforma e pensioneve dhe ne rrezikuam që të na bjeri komplet skema e pensioneve, se u rrit e u rrit numri i pensionistëve dhe ra numri i kontributorëve dhe më e keqja, mbeti ai tavani 220 mijë lekë dhe nuk u rrit. Reforma që bëmë ne është që secili tani merr pension sipas kontributeve. Mirëpo ka dy probleme. Këtë e përfitojnë të gjithë pensionistët pas reformës, sepse të tjerët më parë, për shkak se sistemi nuk u reformua, nuk e përfitojnë dot, nuk futen dot në këtë sistem të ri, ku pensioni mund të shkojë deri në 350 mijë lekë sot që flasim. E dyta, për pensionet e fshatit ka qenë problem i madh çështja e kontributeve. Kështu që të premtosh që do t’i rrisim, kush e premton, gënjen. Unë nuk gënjej dot.

Vajza në krah është vajza ime. Të falënderoj për onkologjikun e Tiranës. Këtë vit që bëra rrezet në korrik dhe gusht ishte një aparat i kohëve më moderne, krahasuar me aparatin e mëparshëm. Problemi dhe ankesa ime si nënë që më shqetëson është kjo vajzë, e cila që nga klasa e parë fillore është një nxënëse dhe studente e ekselencës. Është trajtuar me bursë nga Juridiku shtetëror i Tiranës. Ka tituj dhe grada. Po rrit e vetme dy vajza të mitura. Ka punuar 7 vjet në Ministrinë e Drejtësisë si specialiste e të përndjekurve politikë. Ka dy vite pa punë. Arsyeja pse është pa punë, ish ministri i Drejtësisë Nasip Naço, kur vajza ime lindi fëmijën e dytë, e hoqi nga puna në lejen e lindjes, e nxori në listë pritjeje.

Kryeministri Rama: Pas takimit, këtu është zëvendësministri i Drejtësisë, takohuni dhe sqarojeni këtë çështje.

Unë kam ikur në Greqi këtu e 28 vjet. Kam një shtëpi dhe sa herë vete e vij, shtëpinë e gjej të vjedhur. Në radhë të parë, e vjedhin me karta, nga hipoteka, kanë ndodhur mbivendosje. Ata persona që punojnë në hipotekë lëvizin nga hipoteka tek ALUIZNI dhe nga ALUIZNI në hipotekë dhe nuk gjej dot të drejtën time.

Kryeministri Rama: Këtë nuk e zgjidhim dot këtu. Po të jap të njëjtin sugjerim. Shkruaj tek platforma, sqaroje këtë gjë dhe të të japim përgjigje zyrtare, të shohim si janë letrat.

Unë jam një tregtar ambulant dhe kam 25 vjet që punoj nëpër rrugët e Gjirokastrës. Si përfundim na u bë një treg. Unë e di që taksa duhet paguar. Na është vendosur një taksë 780 mijë lekë në vit, përveç pagesa sigurimesh. Si ka mundësi që një ambulant paguan më shumë se biznesi i vogël?

Kryeministri Rama: Unë po i jap Zamirës fjalën, por kini parasysh që është autoriteti i bashkisë, tregjet dhe bashkia, këshilli bashkiak vendos tarifa.

Ju keni dalë në televizor se çfarë janë tregtarë ambulantë varen nga bashkia dhe kanë çmime më të ulëta, kurse ne i kemi më të larta se biznesi i vogël.

Kryeministri Rama: Unë kam thënë që nuk jeni subjekt i TVSH-së, se vajtën ata mbyllin qepenat e tregjeve, të kujtohet. Unë thashë u mbyllën qepenat e atyre që nuk kanë lidhje fare me TVSH-në, por jo se tarifat e bashkisë i ka qeveria, nuk i kemi ne.

Për biznesin e vogël, taksat paguhen në bashki?

Kryeministri Rama: Tek biznesi i vogël, nëse është deri në 20 milionë, nuk paguan asgjë për shtetin.

Unë bëj 2 milionë xhiro në vit, të vjetra.

Kryeministri Edi Rama: 2 milionë xhiro në vit nuk ka. Këto tregoja ndonjë tjetri, jo mua. Nuk ekziston. Edhe gjirokastriti më gjirokastrit, 2 milionë të vjetra xhiro në vit nuk ka.

Problemi që kam unë është se ligjet dhe VKM-të e qeverisë nuk zbatohen si duhet nga administrata që është përsëri e shtetit dhe fjala bëhet për Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër. Mua më janë bërë që nga 15 prilli i vitit 2015 deri më sot, 4 rillogaritje pas ankesave që kam paraqitur. Të katërta mbajnë firmën e inspektores dhe kryeinspektores. Jam ankuar se nuk kanë qenë të rregullta dhe përfundimisht ju jam drejtuar juve me një letër para 10 ditëve.

Kryeministri Rama: Duhet të shkruani tek adresa që ju dhashë. Nuk ka nevojë të shkruash shumë fjalë me letër. Mjafton të çosh rastin dhe aty mund të shkarkosh dokumentacionin dhe për 10 ditë ka pasur mjaft raste të tilla që janë zgjidhur. Çoje se do merret vetë ministri me atë punë.

Para disa muajsh të ngrita problemin e rrugës dhe më the që sot për sot nuk ta jap fjalën. Sot është bërë një projekt i rrugës, kam biseduar dhe me kryetaren dhe projekti është gati. Ne jemi një fshat që kemi potencial të madh blegtorie. Ne nuk kemi sinjal telefonik. Ne nuk kemi ujësjellës. Nuk kemi qendër shëndetësore. Nuk kërkojmë as punë e as bukë.

Kryeministri Rama: Për rrugën nuk di të të them ekzakt, por për telefonin do shikojmë me ata të kompanisë se është punë kompanish.

Një gjë dua t’ju them të gjithëve, që këto takime do vazhdojnë në të gjitha njësitë administrative. Do keni mundësi t’i ngrini këto pyetje më shumë dhe do t’i sqarojmë të gjithë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.