Fjala e Kryeministrit Edi Rama në llogaridhënien publike në Kuçovë:
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Unë jam këtu, bashkë me kolegët në kuadrin e fushatës së llogaridhënies, që është një proces që nuk është zhvilluar kurrë më parë nga qeveritë. Shumëkush e shikon si një proces propagande, disa të tjerë e përqeshin si një shfaqje gju më gju me popullin. Unë nuk e di ku është problemi, në rast se do ishte gju më gju me popullin dhe mendoj që, sa më shumë gju më gju me popullin, aq më mirë është për çdo qeveri, jo në Shqipëri, por kudo.
Në fakt është një proces shumë i rëndësishëm për të folur drejtpërdrejtë me njerëzit, pa ndërmjetësinë e agjentëve të mjerimit dhe të dezinformimit, që për fat të keq janë një shumicë e madhe në kanalet e komunikimit përmes mediave. Kështu krijojnë edhe mjegulla ku nuk arrijmë dot të komunikojmë ashtu si duhet me njëri-tjetrin dhe ku shumë të vërteta deformohen, shumë gjysmë të vërteta marrin një forcë që është dëmtuese, sepse, me të drejtë, dikush ka thënë që gjysmë e vërteta është një gënjeshtër më e madhe se vetë gënjeshtra dhe për të dëgjuar njëkohësisht dhe për të kuptuar në kontaktin e drejtpërdrejtë perceptimin real dhe sigurisht për të qenë edhe në një puls me njerëzit.
Unë personalisht e konsideroj nga eksperienca dhe nga dobia e këtyre kontakteve një proces shumë pozitiv dhe të domosdoshëm për një qeveri dhe për çdo drejtues që ka përgjegjësi të çojë përpara politika dhe programe që lidhen me interesat dhe me mirëqenien e njerëzve.
Së pari, dua të trajtoj deformimin e parë të madh; A janë rritur, apo s’janë rritur taksat në Shqipëri nga qeveria jonë dhe a është e vërtetë që qeveria jonë është “taksa-taksa-taksa”?
Faktet dhe shifra flasin krejt ndryshe. Ne kemi ulur taksat masivisht për 97% të qytetarëve shqiptarë që punojnë në shtet apo në privat. Ky është fakt. Të gjithë ata që marrin një pagë nën 1.6 milionë lekë të vjetra, sot paguajnë më pak taksë nga rroga e tyre. Për të mos diskutuar pagat më të ulëta që paguajnë shumë më pak taksë dhe për të mos kaluar te paga deri në 300 mijë lekë që nuk paguajnë asnjë taksë.
E dyta, ne kemi ulur taksat për biznesin e vogël. Sot, çdo biznes që ushtron një aktivitet në fashën e biznesit të vogël, deri përpara futjes së TVSH-së edhe për pjesën tjetër, ishte zero taksë deri në 5 milionë lekë dhe mbetet zero taksë deri në 5 milionë lekë xhiro. Çdo biznes që ka xhiro deri në 5 milionë lekë të reja s’ka taksë. E kishte 10% taksën. Paguante më shumë se biznesi i madh.
Çdo biznes, nga 5 milionë lekë të reja deri në 8 milionë lekë të reja sot që flasim ka 5% taksë. Me paketën e re që do hyjë në fuqi në 1 Janar, pasi të kalojë në Parlament, besoj, përpara mbylljes së këtij sesioni të parë të Legjislaturës, fasha do të shtrihet në 14 milionë lekë të reja xhiro. Pra, çdo biznes deri në 14 milionë lekë të reja xhiro do ketë vetëm 5% taksë, nga 15% që e ka sot, se pas 8 milionëshit futesh në tjetër skemë dhe paguan 15%. Është një ulje drastike e taksës nga ku përfitojnë të gjitha bizneset e vogla, të cilat u përfshinë në skemën e TVSH-së dhe një pjesë tjetër e bizneseve që ishin në skemën e TVSH-së, pasi ishin futur tek biznesi i madh.
Ne kemi bërë edhe shumë ulje të tjera taksash në shumë nënsektorë të ndryshëm. Nuk po i numëroj të gjitha, por po kthehem te taksat që kemi rritur.
Çfarë taksash kemi rritur ne?
Ne kemi rritur vetëm dy taksa. Ju e dëgjoni që unë e përsëris këtë dhe askush nuk del dot ta kundërshtojë dhe të thotë “jo, janë 3”. Ne kemi rritur vetëm 2 taksa.
Kemi rritur taksën mbi të pasurit. Çdokush që ka një rrogë mbi 1.6 milionë lekë të vjetra paguan më shumë seç paguante dhe çdokush që ka një biznes të madh paguan më shumë seç paguante. Këto ne i kemi thënë qysh përpara se të merrnim mandatin e parë, që kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Sot, unë dhe të gjithë të tjerët që jemi këtu paguajmë më shumë taksa seç paguanim. Ndërkohë që ne akuzohemi sikur jemi qeveria e oligarkëve, të pasurve e ku di unë, ne jemi qeveria që kemi vendosur më shumë taksa dhe më shumë ngarkesë fiskale mbi më të pasurit, pa llogaritur pjesën e atyre që janë në biznesin e ndërtimit, që janë dhe pjesa më e pasur, që paguajnë sot një super taksë që as nuk e imagjinonin deri më parë.
Taksa e dytë që kemi rritur është taksa e karburantit. Kjo është e vërtetë. E kemi rritur taksën e karburantit, duke shfrytëzuar faktin që u ul në mënyrë të ndjeshme çmimi në tregun ndërkombëtar. Sot që flasim, pavarësisht se ka brenda një taksë të rritur, çmimi i karburantit është më i ulët seç ishte deri përpara vendosjes së taksës, jo për meritën tonë, por për shkak të tregut ndërkombëtar. Që do të thotë se çdo vit, nga rënia e çmimit, pavarësisht taksës, janë kursyer nga xhepat e atyre që konsumojnë karburant 100 milionë dollarë mesatarisht. Pra, nuk janë shtuar shpenzimet për karburant, janë ulur. Sigurisht që ne nuk e fshehim, që kemi rritur taksën aty, sepse shteti mbahet me taksa, nuk mbahet me frymën e shenjtë, por për të mos rritur ama taksa tek të tjerët, ose për të mos prekur me taksa sektorë dhe individë që kanë nevojë për mbështetje.
Ah, normale, nëse 50% e njerëzve ishin mësuar që të vidhnin energjinë elektrike, apo të mos e paguanin energjinë elektrike dhe sot e paguajnë e ju duket se është rritur ndonjë taksë, ky s’është problemi ynë. Nëse njerëzit ishin mësuar të mos e paguanin ujin dhe sot po detyrohen gjithmonë e më shumë ta paguajnë dhe iu duket sikur është rritur taksa, ky nuk është problemi ynë.
Kujt ankohet me iPhone” në dorë nga Facebook-u për rritje taksash, që zakonisht është dikush që nuk paguan ndonjë taksë në jetën e vet, unë i them, si ka mundësi që në një Shqipëri, me një situatë shumë më të keqe ekonomike, siç ishte Shqipëria e 4-5 viteve më parë dhe në një Shqipëri ku ka pasur situata shumë më të këqija më parë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, apo familjet e zakonshme dhe të urta të këtij vendi kanë paguar rregullisht drita, kanë paguar rregullisht ujë, kanë paguar rregullisht taksa dhe tarifa dhe ti ankohesh?! Për çfarë ankohesh?!
E dyta, punësimi. Ne kemi një betejë shumë të madhe dhe komplekse për të garantuar punësim real për të gjithë, jo të pamundur. Përpara se të vinim këtu, ishim në zyrat e punës dhe të gjitha zyrat e punës të Qarkut kanë realizuar objektivat e muajit mars, muajit prill dhe deri tani janë përtej objektivit të majit me punësime, vetëm nga zyrat e punës. Sigurisht bëhet fjalë për disa qindra, por në të gjithë Shqipërinë kemi arritur të prekim limitin e 10 mijë të punësuarve. Diçka më shumë, por do ta bëjmë llogarinë në fund të majit.
Objektivi ynë është që deri në fund të vitit të punësojmë 25 mijë njerëz, vetëm nga zyrat e punës. Ne nuk diskutojmë këtu se kush punësohet drejtpërdrejtë nga ndërmarrjet. Ky është fakt. Sigurisht që është një fakt që nuk të vjen në kafene dhe nuk del në televizor, se televizorët janë të interesuar jo për të treguar se kush u punësua, por për të treguar se kush është pa punë dhe është puna e atyre. Ama fakti është që në Shqipëri punësohen përditë njerëz nga zyrat e punës, ashtu sikundër është fakt që ajo që tha dikur Blendi Klosi kur ishte ministër në atë sektor dhe që pastaj u kthye në barsaletë nga shumë njerëz, që në vend se të bëjnë ndonjë punë rrinë dhe bëjnë barsaleta në kafene me Facebook në dorë, problemi ynë janë aftësitë për punë, pra, specializimi për të bërë një punë. Kemi sot një barrë shumë të madhe, sepse kemi dhjetëra-mijëra të rinj që pasi kanë marrë diploma nëpër “Kristale” e nëpër “Vitrina” nuk dinë të bëjnë asnjë punë. E nuk është faji i tyre. Është faji i një sistemi të tërë që i futi në një rrugë qorre, në vend se të kishin pasur gjatë gjithë këtyre viteve, paralelisht me një universitet që jep arsim të lartë dhe jo diploma false, edhe arsimin profesional, shkolla profesionale, njerëz me zanate, të cilët të gjejnë punë.
Këtu në Berat, ne kemi ndërtuar Qendrën e re të Formimit Profesional dhe ne bashkëpunim me “Shell”-in do çelim Akademinë Shell për të trajnuar dhe për të specializuar vajza e djem që do punojnë në sektorin e naftës dhe të gazit, që është në zhvillim e sipër.
“Shell”-i po bën një operacion të jashtëzakonshëm këtu në këtë zonë. Shpresojmë që deri në fund, pritshmëria dhe optimizmi do të konfirmohen. Presim në vjeshtë rezultatin përfundimtar të shpimeve, sepse është gjetur një sasi e madhe nafte dhe gazi, më e madhja ndonjëherë e zbuluar në vendin tonë, me një cilësi shumë të mirë, që nuk është karakteristike e naftës së zbuluar deri tani. Përgjithësisht është një naftë e rëndë, kjo është shumë e lehtë dhe i gjithë problemi është te komercializimi ose jo, pasi është shumë thellë dhe ata duhet të arrijnë të bëjnë deri në fund llogarinë, nëse do të jetë një naftë që të komercializohet, pra, mund të dalë në treg, apo është shumë e kushtueshme dhe do mbetet poshtë. Të gjitha të dhënat janë optimiste. Nëse kjo konfirmohet, do duhen shumë njerëz për t’u futur në këtë industri, që ne nuk i kemi dhe që duhet t’i përgatisim. Flasim për zanate bazike, se nuk po hyjmë tek pjesa e sipërme e inxhinierëve të naftës e kështu me radhë. Kjo përbën problem për punësimin.
Ne kemi shumë punësime që janë në nivel pagash të ulët. Patjetër që pagat janë të pamjaftueshme dhe të pakënaqshme, por ne nuk jetojmë në hënë, jetojmë në një vend që kishte paga, deri përpara 4-5 vitesh, edhe 130, 140 mijë lekë të vjetra. Sot shkon nga 240 mijë në 300 mijë lekë pjesa më e ulët. Nuk ka më paga nën 240 mijë lekë në Shqipëri. Ka problem me pjesën jo formale, sepse kemi 41% të pagave në biznesin e madh që janë paga minimale. A ka mundësi të ndodhë kjo?
Nuk ka mundësi. Kjo është gënjeshtër. Gënjejnë, sepse paguajnë më shumë dhe shkruajnë 300 mijë lekë, në mënyrë që të mos paguajnë taksa. Ky është problemi ynë, është çështje e qeverisë si do e zgjidhë këtë problem me biznesin e madh, se nuk mund të ketë ekonomist me 300 mijë lekë pagë. Këto janë paga që regjistrohen të tilla për arsye informaliteti. Kemi arritur të luftojmë informalitetin me një farë suksesi te pjesa që kishim një gjysmë Shqipërie në të zezë dhe sot nuk e kemi, por brendapërbrenda strukturës së pagës kemi informalitet që është problemi ynë. Në bashkëpunim edhe me kompanitë do të arrijmë që ta adresojmë këtë problem.
Kur diskutohet për pagën mesatare me rajonin, paga jonë mesatare nuk del aq saç është në të vërtetë, por, sidoqoftë, sot është shumë më në ekuilibër me rajonin seç ishte deri para 4 vitesh, kur kishim pagën e ulët më të ulëtën në rajon, pagën mesatare më të ulëtën në rajon, pagën e lartë më të ulëtën në rajon. Në sektorin publik ishim mizerje fare. Sot ne jemi lart në rajon me pagën e ulët, – flasim për sektorin publik, – sot ne jemi aty-aty me pagën e mesme dhe jemi më poshtë me pagën e lartë. Kjo është e vërtetë.
Së treti, dua të prek çështjen e shërbimeve. Jemi angazhuar për një betejë shumë intensive kundër grabitqarëve dhe parazitëve në administratë. Jemi shumë larg fitores së kësaj beteje, sepse grabitqarët dhe parazitët në administratë nuk janë të të tjerëve dhe ne, partia që qeveris, nuk jemi të imunizuar nga virusi i grabitqarëve dhe i parazitëve në të gjitha nivelet e administratës. Është fakt, për fat të keq. Shumëkush, edhe në nivelet tona të larta kujton se kur unë them që nuk mundet dot administrata, nuk munden dot zyrat që iu shërbejnë njerëzve të jenë zyra ku vegjetojnë parazitë, pse janë kushërinj, apo pse janë komshinj apo krushq. Kujtojnë se unë e them për televizor dhe vazhdon jeta. Nuk mund të jetë kështu. Sigurisht që është një betejë që nuk fitohet në 6 muaj, por ama është një betejë që fitohet vetëm nëse njerëzit përfshihen në të.
Ne kemi krijuar mekanizmin që nuk e kemi pasur përpara, se nuk ka qenë e mundur të ishte përpara, pasi nuk kemi pas në dorë këtë avantazh që na e jep sot teknologjia. Me një aplikacion e ke të gjithë qeverinë në xhep, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk është një propagandë, është fakt. Me një aplikacion në telefon, çdo person që shkon të marrë një shërbim dhe nuk e merr e ka ministrin këtu, mjafton të shkojë të Platforma www.shqiperiaqeduam.al të regjistrohet, të shkruajë ankesën e tij dhe ankesa shkon në kohë reale te ministri. Dhe ministri apo ministrja janë të detyruar që brenda 10 ditësh të kthejnë përgjigje. Nëse është për hipotekën, është në tryezën e ministrit përkatës dhe është ministri që ndërhyn, nuk ka nevojë për mik tjetër, nuk ka nevojë për ryshfet, nuk ka nevojë për deputetin, apo kë tjetër, që edhe me dëshirën e madhe shpeshherë dështojnë, sepse nuk kanë mundësi ta zgjidhi. Është ministri direkt që merret personalisht me të gjitha rastet. Natyrisht nuk shkon te zyra e hipotekës, por vijnë rastet e ditës dhe brenda 10 ditësh është një sistem i tërë kompjuterik që nxjerr me jeshile, çfarë u bë, me të verdhë çfarë ka ngecur dhe me të kuqe, çfarë është negative. Të gjitha rastet e përgjigjeve negative analizohen. Prapa atij ekranit, ose mbrapa ekranit të telefonit ku bëhet ankesa qëndrojnë 30 veta, që janë një pjesë në Kryeministri, të tjerët në çdo ministri, të cilët merren sipas sektorëve me atë ekran, 10-12 orë në ditë dhe i rri në kokë të gjithë administratës që të kthehet përgjigjja.
Kush e ka shfrytëzuar këtë instrument ka fituar sa herë që i ka takuar e drejta. Ka një pjesë të ankesave që ne nuk kemi mundësi t’i përgjigjemi pozitivisht, sepse janë çështje gjyqësore dhe nuk mund të shkojmë të zgjidhim çështje gjyqësore. Por çdo rast që ka qenë çështje e administratës është zgjidhur në të gjithë fushat, për hipotekën, për legalizimet, për dokumente pensioni që është një histori më vete, për dokumente që lidhen me invaliditetin, për mbi faturime të OSHEE-së, për problematika të rimburismit të TVSH-së për biznesin, për çështje që lidhen me zbimin e ligjit në çdo aspekt, janë zgjidhur.
Njerëz edhe jashtë shtetit, në Amerikë, nga Australia, me telefonin kanë zgjidhur problem që prej vitesh nuk i zgjidhnin dot për pronën, apo për shërbimet konsullore. Kjo është gjëja që duhet mbajtur parasysh. Mjafton tre minuta, që nuk kushtojnë asgjë për dikë që ka pritur 3 vjet, për të na vënë në provë. Kjo është bashkëqeverisja.
Për çdo qytetar, nuk ka rëndësi fare se si e ka emrin, njeh apo nuk njeh dikë, ka lapo nuk ka lekë, nuk ka rëndësi a është në qytet, apo është në fshat, edhe aty ku nuk ka internet në telefon, apo nuk ka telefon fare, në çdo zyrë poste, ky shërbim është në dispozicion e pastaj me përgjigje, merr zgjidhje. Kjo është që qytetari të ketë fuqinë që të mundi parazitin apo grabitqarin që është te sporteli. Ajo që ndodh mbrapa është që mbasi qytetari merr të drejtën, ministri hap hetimin. Nëse ke 3 vjet që nuk merr dot hipotekën dhe më pas e merr për 10 ditë, domethënë që këtu ka një problem. Ty të ka takuar dhe ti nuk e ke marrë. Kush e ka fajin për këtë?
Atëherë, dosja jote ka një numër, kush ka qenë përgjegjës për dosjen hetohet. Deri më sot janë 136 perona të larguar nga puna, ose të paralajmëruar për largim nga puna. Ka një numër personash që janë në ndjekje penale, punonjës hipotekash, të ALUIZNI-t, sepse nuk kanë justifikuar dot zvarritjen që i është bërë qytetarit. Kështu mesazhi shkon tek të gjithë, deri ditën e kjo ditë do të jetë e shpejtë, sa më shumë njerëzit të ndërveprojnë me këtë platformë në vend që të rijnë të ankohen, apo të kërkojnë njerëz për të dhënë lek, apo të kërkojnë faqen time në Facebook për të thënë “pse gënjen”. Por që të marrë zgjidhje, zgjidhja është këtu.
Me Platformën shqiperiaqeduam.al e bën dhe ke forcën që ka çdo deputet kur ndërhyn, sepse të vihet në dispozicion anëtari i qeverisë. Çdo të mërkurë, ne kemi mbledhje qeverie dhe në fund të çdo mbledhjeje kemi ekranin ku del Ministri për Ministri, ministër për ministër, sa ankesa ke pasur nga populli këtë javë përmes Platformës, sa përgjigje janë dhënë, çfarë ka jashtë afatit dhe pse është jashtë afatit një përgjigjë apo një tjetër. Ju siguroj që çdo ministër ka raportin dhe është në gjendje të thotë, ky është jashtë afatit për këtë arsye, apo për atë arsye.
Për çështjen e pensioneve të fshatit, a është prioritet nga qeveria juaj? Sepse pensionistët e fshatit e kanë shumë të ulët pensionin.
Kryeministri Rama: Pavarësisht se ideja është që të gjithë politikanët janë politikanë se dinë të gënjejnë, unë nuk di të gënjej. Nuk ka kryeministër në botë që nuk do të rrisë rrogat, që nuk do të rrisë pensionet. Por çështja e pensioneve është një problem shumë i vështirë, për arsye se për shumë vite nuk u bë asnjë reformë për pensionet, deri kur ne ndërmorëm reformën e pensioneve që thyem tavanin. Deri përpara reformës, maksimumi që merrnin pensionistët ishte 240 mijë lekë dhe nuk kishte më lart. Ndërkohë që pensioni nuk ishte i bazuar në kontribute. Kishte një tavan qyteti, një tavan fshati, pavarësisht sa kishte punuar, pavarësisht sa kishe kontribuuar.
Ne kemi ndërtuar skemën që është e bazuar në kontribute dhe ata që dalin në pension pas reformës, mund të marrin pensione shumë më të larta, mund të shkojnë në 350 mijë lekë pensioni. Por ata që kanë dalë përpara reformës është shumë e vështirë, është e pamundur që t’ju bëhen rritje të konsiderueshme për shkak të këtij fakti.
Ne do t’i rrisim pensionet përsëri në momentin kur do të kemi më shumë të ardhura dhe më shumë të ardhura do kemi si funksion i rritje ekonomike dhe si funksion i rritjes së kontributeve, ndryshe nuk ka se si. Është matematikisht e pamundur. Të gjithë e premtojnë këtë gjë. Nëse shikoni edhe mbrapa në çka kemi thënë, tjetër gjë është kur bën një zotim sepse ke në kokë një projekt e pastaj projekti mund të mos realizohet, tjetër gjë është kur premton gjëra të tilla që janë të qarta e unë kurrë nuk kam premtuar rritje marramendëse pensionesh, sepse është gënjeshtër. Kështu që pjesa optimiste e përgjigjes është nëse ne vazhdojmë me këtë nivel, me këtë progresion rritjeje dhe nëse ne arrijmë aty ku jemi zotuar, që të kalojmë 5% e rritjes ekonomike, që është momenti kur rritja fillon dhe bëhet e ndjeshme për të gjithë shtresat, sepse çdo rritje tjetër për shumë njerëz është abstrakte. E kishim në 2013-n, 0 presje diçka rritje ekonomike, sot kemi 3.8%, pra, afër 4%. Por për shumëkënd, këto janë shifra dhe shumëkush thotë, “çfarë thua rritje ekonomikë, mua nuk më është rritur ndonjë gjë” e me të drejtë. Në momentin kur shkon tek 5% dhe e kapërcen 5%, gjë që është plani ynë i mbështetur në fakte, jo në dëshira, për shkak të investimeve masive që do fillojnë në infrastrukturë dhe për shkak të një sërë investimesh të rëndësishme private që ne presim, duke marrë në konsideratë edhe rritje e turizmit që do të sjellë më shumë investime në turizëm, atëherë do të mund të bëjmë edhe rritje më të ndjeshëm të pensioneve.
Por, nga ana tjetër, më sa herë flitet për pensionet, më kujtohet gjithmonë një grua shumë e moshuar në Gjirokastër, e cila më tha, të gjithë ne flasim për pensionet dhe e vërteta është që janë shumë të ulëta, por sado të na e rrisësh ti pensionin, përsëri pensioni ynë do jetë shumë i ulët, ndërkohë që ne të tëra jemi gjyshe dhe kompensimi më i mirë që mund të na bëhet është të rritet kujdesi dhe mbështetja për nipërit dhe mbesat tona që shkojnë në shkollë.
Ne këtë vit fillojmë librat falas për të gjithë fëmijët, nga klasa e parë deri në të pestën dhe edhe kjo është një ndihmë indirekte, sepse një pjesë të buxhetit të familjes e heq nga ky shpenzim dhe e lë përsëri për konsum për familjen. Ndërkohë, po të shikojmë të gjithë masën e parasë për konsum që është lënë nga ulja e taksave, është një volum realisht i madh çdo vit dhe nga ulja e taksave dhe nga rritja që i kemi bërë rrogave në sektorin publik. Kështu që e di që nuk të dhashë përgjigjen që do kishe dëshiruar të dëgjoje, por më mirë një e vërtetë jo fort e ëmbël, sesa një gënjeshtër mjaltë, që pastaj kthehet në zeher.
Ne kemi pasur një infermiere të shkëlqyer në fshatin Tapi dhe na e hoqën, sepse doli me 39.6 dhe na kanë sjellë një tjetër nga një fshat i largët. Fëmija im loz me top, u vra, kush do ta mjekojë? Ku do ta çoj se infermieria është e mbyllur në orën tre? Qendra shëndetësore nuk funksionon më pas orës 3. Më përpara ishte e hapur, sepse banonte infermierja në fshatin tonë. Për katër vija u hoq.
U bënë 4 vjet që ke thënë që ata që do dalin nga dritarja, sot nuk dalin dot nga dera në zyrat e administratës tënde, se janë shëndoshur shumë dhe nuk na e zgjidhin dot problemin e pronës. Kam një aktivitet, me vendim gjykate e kam fituar dhe tani unë jam pensionist, nuk bëhet certifikata e pronësisë për arsye se ka humbur një dokument në zyrën e regjistrimit. Çfarë faji kam unë, kur më ke humbur dokumentin në zyrën e regjistrimit dhe me vendim të prokurorisë u akuzuam, por dolëm të pafajshëm për arsye se kishim dokumentet zyrtare, ashtu siç thua ti, siç e do ligji, siç e do shteti.
Kryeministri Rama: Në rastin konkret, çështja juaj është marrë shënim, ndërkohë e do ta trajtojmë, por çdokush që ka nga këto probleme, nëse ka një dokument, nëse ka bërë dosjen për të marrë regjistrimin në zyrën e hipotekës, ku hoqëm drejtorin e tretë nga zyra e hipotekës së Beratit, – më ra goja, mos vini burra drejtor, por vini gra, tani kemi vënë një grua dhe shpresoj që ajo do të jetë në lartësinë e detyrës, – atëherë, tek shqipeiraqeduam.al shtrohet problemi dhe për 10 ditë merr zgjidhje. Nëse të takon, merr certifikatën, të thërret hipoteka në telefon dhe të thotë eja merr certifikatën. Mos rrini më me dokumente nëpër duar të kërkoni nëpër zyra, mjafton një kompjuter. Dhe për 10 ditë merr përgjigje, po nuk e more, të kam unë borxh. Në rastin tënd e mori zyra përkatëse, do ta shohin, nëse të takon, do e marrësh, nëse nuk të takon, nëse ka një problem gjyqësor, tek problemi gjyqësor nuk ka çfarë bën as hipoteka, as njeri, sepse futen në konflikt.
Për infermierët është bërë e njëjta gjë si me mësuesit. Infermierët, 20 vjet u bënë mish për top. Ne me mësuesit, 95% është e zgjidhur. Tani portali i mësueseve po bëhet ligj dhe si ligj është i padiskutueshëm e nuk i prek më njeri me dorë. Je me partinë, apo nuk je me partinë, ke vendin e punës të siguruar, ke autoritetin e paprekshëm. Edhe pjesa e kontratave të përkohshme që ende bëhet një lojë nga drejtorët, do zgjidhet. Edhe me infermierët e njëjta gjë. Se u bë historia, vjen një parti, merr Ministrinë e Shëndetësisë dhe pastaj hiq infermiere me 20 vjet punë dhe sill infermiere që nuk bëjnë dot një gjilpërë. Ne kemi vendosur kriteret, infermieret që kanë qenë me kontratë të përkohshme kanë hyrë në konkurs, bashkë me të gjitha infermieret e tjera që janë kandidate për ta bërë këtë punë dhe kush ka dalë më mirë, ka marrë vendin e punës. Është me pikë, nuk është me mik, as me shoqëri. Dalin pikët dhe nuk ka zot që i lëviz vendet, që dikush që është poshtë të kalojë lart.
Shumë gra të Kuçovës shkojnë për të punuar në sipërmarrjet fasone në Berat. Duke u nisur nga projekti që është shtruar për Çorovodën, pse nuk na sillni edhe ne një investitor të tillë fason në Kuçovë? Është thënë përpara shumë kohësh që do kishte një biznes të tillë dhe fillimisht do punësoheshin 60 gra.
Kryeministri Rama: E kemi diskutuar sot këtë çështje, është bërë një kërkesë për të marrë një mjedis në Uzinën Mekanike. Procesi i trajtimit të kërkesës për kalimin e Uzinës Mekanike nga një aset i Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, në një aset të Ministrisë së Ekonomisë që pastaj të ndërtohet kontrata, është përfunduar. Kështu shpresoj që të jetë akoma në fuqi ajo dëshira e atij investitorit për ta bërë këtë punë dhe do fillojë menjëherë puna për këtë pyetje ekzaktëisht që më bërë ju. Besoj çështje javësh apo 1-2 muaj dhe kjo gjë do finalizohet me fillimin e investimit konkret.
Gjatë viti akademik 2014-2015 është mbyllur shkolla e mesme profesionale në Kuçovë dhe funksionon si gjimnaz. A mund të shndërrohet ish Teknikumi i naftës, një shkollë me tradita, në një qendër të madhe të arsimit profesional nga ku mund të përgatiten punëtorë për degë të reja të industrisë si TAP-i dhe Shell-i. Doja të thosha se ne kemi edhe fatin e mirë që kemi pranë Uzinën Mekanike të naftës, ku nxënësit tanë mund të zhvillojnë dhe praktika profesionale apo dhe prodhimin.
Kryeministri Rama: Edhe këtë gjë e kemi diskutuar jo më larg se sot në takimin që kishim. Investimi është kryer dhe është investim shumë i mirë. Marrëveshja me SHELL-in është bërë dhe SHELL-i do asistojë Qendrën e Formimit Profesional në Berat dhe në varësi të fluksit të kërkesave, se këtu çështja nuk është të ribëjmë shkollë, apo të ribëjmë Teknikumin dhe pastaj të shikojmë a ka apo nuk ka kërkesa. Në rast se do shikojmë që fluksi i kërkesave do të jetë i tillë që është e nevojshme të shtohet dhe një tjetër strukturë, patjetër që Teknikumi është natyrshëm struktura që duhet shtuar. Ajo që kemi parë nga shkollat profesionale që kanë rilindur, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është që fluksi shkon duke u shtuar. Në të gjitha shkollat profesionale që kemi sot aktive dhe që kanë rritje të madhe të numrit të nxënëseve, tani ka nevojë për kapacitete të reja sallash dhe mjetesh, që do të thotë që kemi nevojë për më shumë shkolla profesionale. Ne këtë e kemi ditur dhe është fakt, sepse duke hapur rrugën e arsimit profesional, kjo gjë do vijë duke u rritur. Por të fillojmë njëherë me Qendrën Arsimit Profesional dhe të shikojmë si do eci nga pikëpamja e interesit, pra, sa regjistrime do kemi, sa kërkesa do ketë.